Pashtriku.org, 16. 04. 2013 – Koha është eteri i përjetshëm, mund të shkrihesh pa e kuptuar në itinerarin e saj, të duhen kthetra shqiponje, për të ndalur diku dhe gdhendur fjalën tënde apo heshtjen tënde. Veprat flasin me gjuhën e së ardhmes, e diku kthehen në vullnet. Aty njeriu kthehet në simbol të trashëguar në një njeri të frymëzuar. Të tillë janë filozofët, shkrimtarët, gjyshërit dhe çdo personifikim që ndërton parimet tona dhe mendimin tonë. Dhe në këto ditë historike duhet të vendosim në vend vullnete, e amanete. Të ravijëzohen më fort figurat e përjetshme, në mënyrë që instinkti që na ngre shpirtin teksa shohim flamurin të ndizet nga pishtarët e këtyre diejve, që ta ushqejmë vetëdijen kombëtare e personale me më të ëmblën bukë, me krenarinë.
Në këtë perspektivë qytetarët e Elbasanit deklaruan më 25 Nëntor 1912: “Ne populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me gjithë qytetet e Shqipërisë, po i’a bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot, shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria Turke, duke u rreshtuar si Komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e Qeverive të Europës, shpall se do të qeveris me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huaj nën këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllazërisht edhe me shtetet fqinj, pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke i’u lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë turke. Rroftë Shqipëria e lirë! Kështu ë bëftë Zoti!
– Aqif pashë Elbasani –
Pra, kështu bijtë e Elbasanit me Aqif Pashën hapën shtigjet e pavarësisë drejt Vlorës me kurorë. Konsiderata e Ismail Qemalit për Aqif Pashë Elbasanin shprehet qartë në fjalët e tij: “Në këtë kohë transformimi, historia do të dallojë patriotin nga tradhtari dhe do t’i caktojë secilit vendin e tij… Se ç’vend do të kem unë në histori, këtë nuk e di … sa për ju, emir juaj i shkëlqyer si patriot do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë…” Ndërsa sot profecia e Ismail Qemalit duket se nuk po e kalon pllakën e bustit të plakut të mençur. Njeriut me shpirt liberal, që vuri Shqipërinë mbi çdo interes tjetër, duket sikur historia i kalon pranë, sa e sa herë, kur përmenden kryengritjet antiosmane, dhe lufta diplomatike për pavarësi e shkëputje nga perandoria, iniciativa dhe kryesimi i Kongresit të Lushnjes – ngjarjes ndër më të rëndësishmet në formimin e shtetit Shqiptar, lufta kundër Lëvizjes se Haxhi Qamilit, përpjekjet e hershme për ngritjen e shkollave shqipe, dhe Normales nga dolën mësuesit e parë, themelimi i Drejtësisë Shqiptare, ngritja e administratës gjatë mbretërisë se Vidit, mbështetja bashkë me popullin e Elbasanit ndaj Dibranëve që u shpërngulën nga masakrat Serbe, etj. etj. Por pa e prekur emrin e tij të ndritur. Sistemi komunist nuk mundi t’a dënonte figurën e këtij fisniku të Elbasanit, por la pa përmendur pemën e veprimtarisë së tij politike të admirueshme, ne funksion të Shqipërisë e kombit. Dhe Aqif Pasha aty po e pret historinë që t’i kaloj prapë pranë, pas 100 vitesh, e t’a kap që t’i kthej emrin, se dinjitetin nuk mund t’ia rrëmbente dot kurrë…
E ndërsa dokumenta nga arkivat po dalin në dritë përditë e po nxjerrin në dritë të vërtetat e historisë, rolin sublim të Austro-Hungarisë, konsideratat reale të botës për figurat historike të shqiptarëve, do të doja të kontribuoja me një dokument të shtypit të përditshëm të jashtëm, një kabllo e vitit 1916 i “The Poverty Bay Herald”, që dëshmon dashamirësinë e madhe që gëzonte në Shqipëri ky personalitet i lënë qëllimisht mënjanë dhe se përse duhet të vlerësohet.
Pra “The Albanians have declared for Akif Pasha”, shqiptarët kanë deklaruar kandidat për mbret Aqif Pashën, të tillë konsideratë gëzonte Aqif Pasha në radhët e shqiptarëve. Veprimtaria e tij patriotike nuk rreshti në ditë të mirë e të ligë, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa historia i ka vonuar 100 vjet një borxh të madh. Por siç thotë edhe shprehja “Nëse do ta zhdukësh një popull fshiji historinë”. Pra le ti lartësohet emri siç i takon këtyre figurave, me të njëjtin përkushtim dhe zell që ato ju përkushtuan Shqipërisë, e të zbresë në shpirt të çdo shqiptari në formë bekimi.
…………………………………………………
– Dokumentari: Aqif pashë Elbasani – një pasha me himn –
* * *