KRISTO FRASHËRI: TITO JOHALLASI, ALBANOLOGU GREK QË STUDION ARVANITËT

Tiranë, 07. 06. 2013 – Kemi marrë vesh se së shpejti do të vizitojë vendin tonë albanologu grek Tito Johallas. Ndërsa shprehim gëzimin që do ta shohim përsëri pas shumë vitesh midis nesh dhe ndërsa e sigurojmë që do të gjejë tek ne po atë ngrohtësi që ka ndier më parë, është e nevojshme të shtrojmë pyetjen – për ata që nuk e njohin – kush është profesor Tito Johallasi? Mund të thuhet pa frikë teprimi se në plejadën e shkencëtarëve pozitivë grekë që janë marrë me historinë, gjuhësinë dhe etnografinë shqiptare, shkencëtari më dinjitoz, më i thelluar dhe më prodhimtar është pa dyshim profesori Tito Johallas.
Lindi në fshatin Rrapëz të rrethit të Pargës më 1942. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të Universitetit të Athinës. Punoi si lektor i greqishtes në Universitetin e Palermos në Itali. Atje ndoqi leksionet mbi historinë mesjetare të Shqipërisë, që zhvillohej në katedrën e albanologjisë nën drejtimin e Giuseppe Valentinit dhe në të njëjtën kohë leksionet e gjuhës shqipe që zhvillonte anëtari i po asaj katedre Karl Gurakuqi. Njohuritë e tij mbi ballkanistikën dhe albanistikën ai i pasuroi më tepër duke ndjekur leksionet që zhvillonte në atë kohë në Universitetin e Mynihut ballkanisti i njohur gjerman Georg Shtadmyler (Stadtmüller). Më 1968 ai mbrojti në Mynih në kuadrin e Historisë së Ballkanit dhe të Gjuhësisë krahasuese doktoratën kushtuar vendosjes së shqiptarëve gjatë Mesjetës në Greqi.

– Albanologu grek, Tito Johallasi – 

Johallasi pati pra që në moshë të re një arsim dhe një kulturë albanologjike të kompletuar. Këtë kulturë albanologjike ai nuk reshti ta përpunonte dhe ta pasuronte gjatë dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm. Ky pasurim ka qenë vazhdimisht në ngritje. Sikurse e tregon lista e botimeve të tij, në fillim ai u përqendrua në trajtimin e problemeve karakteristike të tre të folmeve kryesore të gjuhës shqipe të trashëguara nga shekujt mesjetarë, në tri vatra mesdhetare – në shqipen e Shqipërisë, në arvanitishten e Greqisë dhe në arbërishten e Italisë. Rezultatet e para që pati nga kjo fushë trivatrore duket se e bindën profesorin e nderuar që t’i përvishej ndriçimit të historisë dhe të gjuhës të vatrës më pak të studiuar të sferës albanistike – diasporimit të shqiptarëve në Greqi dhe të folmes së tyre shqipe. Sikurse do të shihet më tej, rezultatet e arritura deri tani – themi deri tani, sepse shpresojmë që të mos e ndërpresë punën e tij të vyer shkencore, pavarësisht se mund të kemi për ndonjë çështje të caktuar ndonjë rezervë – ato përbëjnë një kurorë nderi për albanologun e shquar grek.
Ajo që ka spikatur te Tito Johallasi që kur ishte i ri si absolvent, ishte përkushtimi i tij për t’u marrë me problemet e historisë mesjetare të Shqipërisë dhe të gjuhësisë krahasuese shqipe. Që në moshë të re kur ne e kemi njohur, fliste një shqipe të shkëlqyer. Njihte të folmet e saj, të cilat nuk i përziente me njëra-tjetrën. Dialektin çam të fshatit Rrapëz të Pargës, ku kishte lindur nuk e ngatërronte me dialektin shkodran që kishte mësuar nga Karl Gurakuqi. Të folmen shqipe të arvanitëve të Greqisë e njihte aq mirë sa edhe të folmen shqipe të arbëreshëve të Italisë. E ka përvetësuar pa vështirësi edhe shqipen e sotme standarde.
Rrallë gjen dijetarë të gjuhës shqipe që të njohin gamën e të folmeve kryesore të saj si T. Johallasi. Dëshmi janë veprat e tij të shumta, të cilat mund të lodhesh pa dyshim jo vetëm duke i lexuar, por edhe vetëm duke i shfletuar. Shumica janë greqisht, por ka jo pak edhe shqip. Krahas tyre ka shkrime të botuara në gjermanisht, italisht, frëngjisht. Të gjitha me temë nga historia e Shqipërisë dhe nga gjuha shqipe. Për ne ka qenë e pamundur t’i ndjekim të gjitha shkrimet e tij. Për këtë mungesë kërkojmë ndjesë. Do të përmendim këtu vetëm ato shkrime, punime, vëllime që kam në bibliotekën time personale. Disa janë broshura dhe separate, por nuk janë të pakta vëllimet me peshë të rëndë.
Me sa dimë ne, serinë e botimeve të tij ai e filloi me një shkrim italisht me titull “Testi Greco-Albanesi. Editi et inediti” (Tekste greko-shqiptare. Të botuara dhe të pabotuara), botuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare pranë Universitetit të Palermos (Centro Internazionale di Studi Albanesi presso l’Università di Palermo, Palermo 1967). Pavarësisht se brenda në tekst bëhet fjalë për arbëreshët e Italisë, ai merret me shqiptarët e trojeve etnike dhe me arvanitët e Greqisë. Në këtë punim, T. Johallasi vë në dukje faktin se, ndërsa për arbëreshët e Italisë ka një varg të gjatë autorësh që janë marrë me historinë, gjuhën, etnografinë e tyre, madje kanë nxjerrë në dritë dhe shumë shkrime të hartuara nga bashkatdhetarët e tyre të hershëm, bibliografia e arvanitëve të Greqisë është e varfër. Është e vërtetë, nënvizon ai, se për arvanitët e Greqisë kanë shkruar autorë e dijetarë me emër, duke filluar nga J. G. Hahn, C. Hopf, K. Sathas, T. Neroutsos, D. Kambouroghlous, A. Meliarakes, S. Lambros, K. Amantos, D. Paschales, D. Zakythinos, G. Poulos e të tjerë, e të tjerë. Por ata merren kryesisht me historinë e diasporimit të arvanitëve dhe shumë pak rëndësi i kanë kushtuar botimit të teksteve të tyre dhe studimit të së folmes së tyre. Me këtë rast ai vinte në dijeni publikun se një vit më parë ishte botuar nga Spiros Mouselinis përmbledhja me titull “Dhimotika tragudhia tis Epiru” (Këngë popullore të Epirit), Janinë, 1966, ku midis këngëve greqishte ka dhe këngë shqipe të mbledhura në Çamëri. Ai e mbyll këtë shkrim duke botuar disa këngë shqipe të panjohura, të vjela në Thesproti (Çamëri). Mund të thuhet se që në hapat e tij të parë spikat dëshira për të nxjerrë në dritë tekste të panjohura dhe për të bërë të njohura tekste pak të njohura, të hartuara në të folmen e arvanitëve, të cilat, siç do ta shohim më tej, e kanë pasuruar bibliotekën e posaçme kushtuar arvanitëve të Greqisë. Si rrjedhim, fusha kryesore e punës së tij shkencore u bë historia e diasporimit mesjetar të shqiptarëve në Greqi.
Punimi i parë që shënon kalimin nga fusha e linguistikës në atë të historisë i takon vitit 1971. Është disertacioni i tij me temë “Mbi shtegtimin e shqiptarëve në Greqi” botuar gjermanisht (“Über die Einëanderung der Albaner in Griechenland”, München, 1971). Trajtesa ka dinjitetin e një punimi shkencor të mirëfilltë. Autori ka shfrytëzuar për këtë disertacion burime dokumentare dhe studime historike të medievistëve të botuara gjatë shekujve XIX-XX.
Si gjithë historianët grekë, ashtu dhe ai nuk u pajtua me teorinë e dijetarit gjerman J. Ph. Fallmerayer, i cili mendoi se grekët e vjetër u zhdukën krejt për shkak të dyndjeve të sllavëve, të cilat e mbuluan Greqinë që në shekullin VI të erës sonë. Historiani erudit grek K. Sathas, i cili gjithashtu nuk u pajtua me teorinë nihiliste të historianit gjerman, megjithatë pohoi se ka shenja që flasin për praninë e grupeve shqiptarësh në territorin grek që në shekujt VI-VII. Teorinë e vet Sathasi e mbështeti në gjurmë toponomastike dhe onomastike me prejardhje shqipe të hetuara prej tij në Peloponez. Madje, nga këto gjurmë ai nxori në shesh lidhjet midis greqishtes mesjetare dhe shqipes së hershme. Veç kësaj, ai theksoi afrimin që tregon shqipja me dialektin grek të Cakonisë, që flitet në More. Si një historian tepër skrupuloz Johallasi në fillim u tregua deri diku skeptik ndaj rezultateve që japin krahasimet gjuhësore, mbasi për të themelin e teorive duhet ta përbëjnë njoftimet dokumentare të mirëfillta. Në bazë të këtij kriteri, i diskutueshëm për mjaft studiues, Johallasi arriti në përfundimin se shtegtimi i parë i shqiptarëve në hapësirën e Helladës ka ndodhur në vitin 1325, mbasi atë vit vërtetohet, nga një letër e Marino Sanudos, vendosja e shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria në Thesali. Megjithatë, koha e shtegtimit të parë të shqiptarëve në tokën greke është një çështje ende e pazgjidhur përfundimisht. Në fakt, në Kolokuiumin Ndërkombëtar Albanologjik që u zhvillua në Universitetin e Insbrukut në Austri më 1972, profesori T. Johallas mbajti referatin “Studimet Albanologjike në Greqi” (Gli Studi Albanologici in Grecia). Referati i tij nuk ka vetëm përmbajtje informative, por edhe karakter kritik shkencor. Në këtë punim ai radhit studiuesit grekë që kanë dhënë kontribut në studimin nga pikëpamja historike, linguistike, onomastike, toponomastike dhe folkloristike të arvanitëve të Greqisë. Johallasi shkruan ndër të tjera se teza e medievistit të njohur grek Kostandin Sathas mbi praninë që në shekujt VI e VII të grupeve të shqiptarëve në Greqi, pavarësisht kundërshtimeve që pati nga disa historianë, ka përkrahës në të gjithë botën. Kjo për arsye se në mungesë të burimeve të shkruara historike dhe gjuhësore, shkencëtarët për të ndriçuar ngjarjet e së kaluarës detyrohen të çajnë shtigje të reja. Gjurmët që ndeshen në fushën e toponimisë dhe antroponimisë marrin në mungesë të burimeve direkte të shkruara vlerë të përafërt dokumentare. Kjo është arsyeja përse pas Sathasit një varg autorësh grekë u morën me toponiminë dhe patroniminë arvanite. Megjithatë, Johallasi nuk ngurron të vërë në dukje si dobësi faktin se shumë pak prej tyre i kanë kushtuar kujdes gjuhës arvanite ashtu siç flitet në Helladë. Kjo varfëri ka rrjedhur, sipas tij, mbasi arvanitët, ndonëse kanë jetuar me shekuj në territorin grek, nuk kanë lënë në të kaluarën, siç ndodh me arbëreshët e Italisë, tekste të shkruara në gjuhën e tyre, pa të cilat është e vështirë të ndërmerren studime filologjike. Studimet filologjike mbi gjuhën arvanite të ndërmarra nga arvanitë si P. Coupitoris (1879), P. Fourikes (1933), P. Mesoghitis (1940), A. Canacaris (1961), J. Ghicas (1962), V. Mastrocostas (1963), S. Mouselinis (1966), E. Constantinou (1968), – vë në dukje Johallasi, – mbështeten në të folmen e vonë arvanite.
Me gjithë mungesën e teksteve të vjetra shqipe, dijetarët grekë janë përpjekur ta ndriçojnë deri diku praninë e arvanitëve në truallin grek në Mesjetë, duke u mbështetur jo vetëm në burimet e shkruara dokumentare, por edhe në gjurmët që gjuha shqipe ka lënë në toponiminë dhe në patroniminë e vendbanimeve dhe të banorëve. Në vendin e parë në këtë fushë studimesh profesori Johallas rendit pa dyshim medievistin grek Kostandin Sathas. Seria shumëvëllimëshe e Sathasit me titull “Documents inedits relativs a l’histoire de la Grece au Moyen age” (Dokumente të pabotuara në lidhje me historinë e Greqisë në Mesjetë) (1880-1892), përbën një monument të pazëvendësueshëm nga pikëpamja e burimeve historike. Sikurse shënon Johallasi, historiani Sathas vuri gjithashtu në dukje praninë e shumë toponimeve shqipe në Peloponez që rridhnin nga emra familjarë shqiptarë, në mënyrë të veçantë në vëllimet I, IV, IX. Pas tij D. Cambouroglous (1887) vuri re me hollësi koincidencën e toponimeve të tjera shqipe të Peloponezit me ato të Epirit. Kështu edhe të tjerë, si S. Panajotopoulos mbi toponiminë shqipe në Korinth (1884); S. Hambros mbi toponiminë shqipe në Atikë (1896); G. Sarris gjithashtu në Atikë (1928); P. Fourikes po për Atikën (1929); ndërsa K. Amantos vuri re praninë e mbaresës shqipe -eza në fjalët greke (1910); G. Poulos për Korinthin (1960) e të tjerë, e të tjerë. Madje, shton Johallasi, profesori grek D. Georgacas dhe amerikani M. MacDonald kanë grumbulluar në pjesën jugperëndimore të Peloponezit, ku ndodhet dhe krahina e Manit, rreth 1450 toponime shqipe (1967). Nga ana e tij D. Demertzis pohon se në Eubenë e Jugut ka një shumicë toponimesh shqipe (1964). Johallasi bën përpjekje për të justifikuar faktorët që ndikuan në helenizimin e arvanitëve. Sipas tij, shkaktar qenë sundimtarët turq. Arvanitët e Greqisë qenë ortodoksë. Si të tillë, shkruan ai, duke u revoltuar kundër turqve myslimanë u lidhën me bashkëkohëtarët e tyre grekë, lidhje e cila e lehtësoi mendon ai, helenizimin e shqiptarëve. Solidariteti në frontin e rezistencës kundërosmane është argument i drejtë, por sipas nesh, jo i mjaftueshëm. Nuk duhet lënë pas dore ura lidhëse midis tyre – Patrikana greke, e cila siguroi nga Sulltanati privilegjin që t’i mbronte si fëmijët e vet besimtarët e krishterë ortodoksë pavarësisht nga kombësia e tyre. Kështu mund të shpjegohet fakti se atje ku mungoi kjo përkrahje, për shembull në disa vise të Moresë, jo pak bashkësi fshatare arvanite, ndonëse qenë në fqinjësi me fshatarët helenë, përqafuan fenë islame. Megjithatë, thotë Johallasi, jo të gjithë arvanitët u asimiluan, mbasi ka ende bashkësi që e ruajnë dhe e flasin gjuhën e tyre shqipe edhe në ditët tona.
Me sa dihet, T. Johallasi është i pari që ka vënë re se në të folmet shqipe të këtyre banorëve të ardhur nga Shqipëria, baza e së cilës është dialekti toskë, ka aty-këtu edhe elemente të gegërishtes. Këtë dukuri ai e shpjegon me dy hipoteza: e para, se së bashku me shqiptarët toskë kanë ardhur në Greqi edhe shqiptarë gegë, ose e dyta, se këto forma i kishte mbarë gjuha shqipe, por që toskërishtja e arvanitëve i ruajti edhe pas ndarjes së shqipes në dy dialekte kryesore, kurse toskërishtja e Shqipërisë i humbi. Por ai hë për hë vetëm sa e ngre problemin dhe nuk ngutet ta shpjegojë.
Johallasi vuri re se e folmja arvanitase ka disa huazime fjalësh nga turqishtja, të cilat sipas tij nuk i njeh greqishtja popullore e Greqisë, po ashtu as shqipja e Shqipërisë. Për më tepër, thotë ai, ndikimi turk te arvanitët nuk vihet re vetëm te fjalori, por edhe te muzika dhe te tematika. “Të gjitha këngët që kam mbledhur, – shkruan ai, – që shprehin momente gëzimi ose hidhërimi, kanë një muzikë të trishtuar, madje edhe këngët e dasmës janë një ankim, rënkim, vajtim (lamento, genito, pianto)”. Ai shton se këtë notë kanë, siç ka vënë në dukje S. Mouselimes, edhe këngët e dasmës që ai ka mbledhur në Thesproti (Çamëri). Por, fakti është se po këtë notë kanë edhe pjesa më e madhe e këngëve të grekëve të Epirit, përfshirë edhe ato të grekëve të veriut. T. Johallasi sjell me këtë rast edhe konstatimin e studiuesit grek D. Oikonomides, i cili shkruan në veprën e tij “Këngët popullore të Epirit të Veriut, këngët e kurbetit”, Athinë 1954: “Edhe në këngët e dasmës dhe të gëzimit mbisundon i njëjti tingull që kanë këngët mortore dhe këngët e kurbetit”. Ai e shpjegon këtë fenomen me dy faktorë, të cilët ndikonin në shpirtin e epirotit: me mungesën e pjellorisë së tokës epirote, e cila shkaktonte varfërinë e vazhdueshme, por edhe me sundimin skllavërues turk, i tmerrshëm dhe i padurueshëm. Si shembull T. Johallasi sjell regjimin e Ali Pashait të tmerrshëm, i cili njihet për mizoritë e tij. Ai mendon se pikërisht regjimi i Ali Pashait ka lënë gjurmë në shpirtin e popullit dhe në këngët e tij.

Në Parlamentin e parë grek, flitej SHQIP.

Edhe në qoftë se T. Johallasi ka të drejtë me këtë tezë për Epirin, gjë që na duket e nxituar, nota e vajit që kanë këngët popullore arvanitase të Moresë nuk mund të shpjegohet me mizoritë e Ali Pashës, i cili nuk e ka ushtruar pushtetin e tij atje. Madje, mund të thuhet se ka të dhëna që tregojnë se notat e vajit dhe të rënkimit që kanë këngët e Epirit të jugut, kanë ekzistuar edhe para sundimit të Ali Pashait. Vuajtjet, fatkeqësitë, mizoritë e kanë shoqëruar këtë popull prej shekujsh edhe gjatë sundimit romak, bizantin, serb, turk. Ai ka vuajtur edhe gjatë sundimit greko-bizantin. Bashkësitë helene nuk i kanë parë me sy të mirë fqinjët e tyre, arvanitët. Me një fjalë, arvanitët kanë vuajtur si përpara, si pas sundimit të Ali Pashait. Po të kishin pasur lidhje me sundimin e vezirit të Janinës, ato duhet të ishin harruar fill pasi ai u largua nga skena e historisë. Johallasi për të provuar tezën e tij sjell si shembull arbëreshët e Italisë, te të cilët, sipas tij, nuk vihet re nota ankimore dhe vajtimore e këngëve të tyre popullore. Këtu nuk është vendi të zgjatemi në këtë çështje, por këngët e vjetra arbëreshe nuk janë pa notë vajtimore dhe rënkimore, të cilën e kishin sjellë me vete që kur kishin qenë në More, aq më tepër që në atdheun e tyre të ri, në Sicilinë dhe Kalabrinë feudale mesjetare nuk mund të ishin aq të lumtur, sa të çliroheshin nga nota vajtimore dhe rënkimore e trashëguar prej shekujsh. Malli për vendin e të parëve ndoshta është një faktor që shpjegon notën rënkimore jo vetëm të arbëreshëve të ardhur nga Moreja, por edhe të arvanitëve të Moresë të ardhur nga Shqipëria. Vargjet e famshme të shndërruara në rit të arbëreshëve, të cilat kanë arritur deri në ditët tona “O e bukura More, çë kur të ljashë, më ngë të pashë…” e të tjera, e të tjera, janë dëshmia më e patundur e këtij fenomeni.
Pa dyshim se tema kryesore që ka shqetësuar profesorin Johallas gjatë gjithë veprimtarisë së tij shkencore, ka lidhje me diasporën arvanite në Greqi, e parë kjo nga disa këndvështrime – nga fillimet e diasporimit dhe nga shtrirja territoriale e arvanitëve, nga e folmja e tyre shqipe dhe nga trashëgimia e tyre kulturore.

_______________________

Grekët e sotëm janë Arvanitas – Dokumentari i SKAI 1821 (Shqip)

………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura