KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (VIII)

Pashtriku, 31 gusht 2020:
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte tiparet më të spikatura të një ushtrie të kohës sonë
Dihet që lufta është një gjë e keqe, por ajo është edhe e mirë. Themi e keqe për shkak se në një luftë, sidomos kur kryhet në gjirin dhe në trojet e popullit, pësohen dëme të rënda jo vetëm ekonomike por, në radhë të parë, në forcat njerëzore. Kur je i pushtuar, lufta çlirimtare është edhe e mirë, sepse sjell lirinë, për të cilën edhe varret e të parëve kanë shumë nevojë. Ndërsa për të gjallët, nevoja për liri është kushti i parë për të jetuar. Ajo është si drita, si buka, si uji, si jeta, si dielli dhe si ajri. Kështu duhet kuptuar ndjenja për të kërkuar dhe për ta gjetur lirinë. Pra, rrjedhshëm dalim në përfundimin se vetëm rruga e luftës me serbët ishte rruga e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës.

Kështu pra, Kosova kishte nevojë për mbrojtje. Ia kërkoi mbrojtjen inteligjencies. Ajo ia dha sipas mënyrës së vet, me arsyetime. Ato nuk u morën parasysh. Ia kërkoi popullit të saj, ai doli në protesta, por u rrah e u persekutua në mënyrë më çnjerëzore. Ia kërkoi komunitetit evropian – ai bëri veshin e shurdhër. Ia kërkoi komunitetit botëror – ai dha këshilla. Ç’të bënte Kosova e robëruar? Ajo iu drejtua bijve të saj: “O sot, o kurrë!”, dhe ata rrokën armët për t’i dalë zot. Doli në fushën e betejës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila u identifikua me rrugën drejt lirisë.
Kur në Kosovë po bëheshin aksionet e para, vetëm ata që ishin ideatorë dhe themelues të kësaj force serioze, e kishin të qartë se cilat do të ishin përmasat e kësaj lufte. Prandaj, me rëndësi ishte që të luftohej se kështu do të arrihej mirëkuptimi me popullin, i cili kishte kuptuar se nuk kishte rrugë tjetër për të arritur në portat e lirisë dhe të pavarësisë.
Vetë shtrirja e Ushtrisë Çlirimtare dhe e veprimtarisë luftarake të saj në tërë territorin e Kosovës, tregoi për mbështetjen e zgjidhjes së çështjes së lirisë nëpërmjet rrugës së luftës, të cilën e zgjodhi djalëria kosovare. Por që brohoritja masive e popullit deri në kupën e qiellit, UÇK, UÇK, UÇK, më 28 nëntor 1997, kur djemtë e UÇK-së deklaruan publikisht UÇK-në para popullit të Kosovës dhe gjithë botës, është treguesi më i qartë se çfarë shihte dhe çfarë priste populli i Kosovës nga djemtë dhe vajzat e tij.
Lufta në Kosovë u organizua dhe u zhvillua sipas një strategjie të studiuar mjaft mirë. Akti i parë i kësaj lufte ishte vendimi dhe praktika e zbatimit të tij, për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe asnjë nga ata që kishin rrëmbyer armët nuk ka menduar tjetër veçse të fitohet liria, të çlirohet Kosova ose të jepet jeta në frontet e luftës përballë pushtuesit. Për këtë të vërtetë nuk kam nevojë për dëshmitarë, jam dëshmitar vetë.
Lufta në Kosovë u organizua dhe u realizua sipas një strategjie të studiuar mirë dhe të bazuar në largpamësi. Kjo saktësi strategjike në përcaktimin e rrugës së fillimit dhe të zhvillimit të luftës, bëri që Kosovës t’i falej ushtria në një kohë rekord pas deklarimit në fushat e betejave. Kjo ushtri të cilës iu deshën vetëm 6 muaj aktivitet publik luftarak, te fitoi qytetarinë ndërkombëtare dhe te bëhej një organizëm, i cili tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, politik dhe ushtarak të të gjithë botës. Ajo u vlerësua si një nevojë e këtij kombi, në kushtet e robërisë dhe të domosdoshmërisë së fitimit të lirisë së merituar e të nevojshme për çdo popull dhe njeri. UÇK-ja u bë pjesë e jetës së popullit të Kosovës dhe garanci e të ardhmes së saj. Pa këtë ushtri dhe luftën e saj, as që mund të mendohet çlirimi prej pushtimit.
Praktika e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës provoi se ideatorët dhe drejtuesit e kësaj lufte kishin të drejtë. Ata e sollën Kosovën në ditën e lirisë për një kohë rekord dhe me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. E megjithëse sot po ngrihen akuza kundër tyre, unë i kam parë me armë në krah nëpër fronte dhe e di mirë, se ata as që janë kujtuar se mund të ekzistojë një praktikë e tillë për të cilën po akuzohen sot. Por sot janë të gjithë të zgjuar dhe trima, pasi edhe populli thotë: “Të mençur pas kuvendit e trima pas luftës ka shumë”.
UÇK-ja ishte një ushtri që nuk kishte nevojë t’i bëjnë moral për t’ia mësuar armët, një ushtri që nuk kishte nevojë për ta urdhëruar të shkojë në frontin më të vështirë, një ushtri që nuk kishte në praktikën e saj asnjë thyerje disipline, një ushtri që nuk dyshoi edhe në momentet më të vështira në rrugën e saj të luftës drejt lirisë, nuk mund të konsiderohet ndryshe, veçse ushtri me një moral të pashembullt dhe me ushtarë trima, që dinë mirë çfarë bëjnë dhe pse luftojnë. Kjo ushtri as nuk është kujtuar e as nuk ka pasur kohë të mendojë se si të pasurohet, por ka kërkuar prej popullit shqiptarë që çdo qytetarë të investojë sa të mundet për ta armatosur, për ta veshur e për ta ushqyer.
Morali dhe trimëria janë dy terma, që përfaqësojnë fusha të veçanta të veprimtarisë së individit dhe të familjes, por edhe të shoqërisë. Ata janë bashkudhëtarë në historinë e përcaktimit të tyre si terma, si dhe të njohjes si arsye njerëzore.
Ç’është morali? Kësaj pyetjeje i janë dhënë dhe i jepen përgjigje nga më të ndryshmet, por në thelb shprehin të njëjtën gjë. Megjithatë, moralin do ta përcaktojë si një dukuri të ekzistencës së individit, të familjes, të kombit dhe të shoqërisë njerëzore dhe si një tërësi parimesh, normash, kërkesash dhe rregullash, që janë të detyrueshme për secilin në një ambient të caktuar. Morali shpreh forcat e brendshme të një njeriu apo shoqërie, të cilat janë bazë e udhëheqjes për të vepruar për plotësimin e misionit.
Morali i lartë është shfaqja më e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky ishte morali që bëri mrekullinë e madhe të qëndresës për t’i mundur me gjoks tanket dhe topate armikut.
Morali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arrin lartësi të tillë sa të mos ketë motër në kohën tonë. Ushtari kërkonte vetëm një armë dhe asgjë tjetër. Atë nuk e ndalte asnjë pengesë. Nuk e ndalnin as mungesa e bukës, e ujit, e veshjeve, e zjarrit, e strehës dhe as dendësia e betejave me serbët dhe rreziku i familjeve. Morali ishte gdhendur në ballin e çdo luftëtari: “Liri a vdekje për Atdhe”.
Trimëria është pjellë e moralit të lartë. Të qenit trim shpreh guxim për plotësimin e detyrimeve që e ndjen se i ke. Trimëria është mohim i frikës. Kosova pati dhe ka mjaft mohues të frikës dhe përqafues të trimërisë. Ndërsa sot shumë prej këtyre e ndoshta edhe të gjithë po akuzohen se paskan bërë krime ndaj Serbisë e serbëve. Sa keq që Evropa po i shpërblen në këtë mënyrë luftëtarët e lirisë, që duhet t’i evidenconte si vlera të personalitetit kombëtar modern. Ndërsa konsideron viktima kriminelët të cilët për vrasjet, përdhunimet, masakrat, grabitjet, vjedhjet dhe gjithçka tjetër që kanë bërë në Kosovë, në Beograd kanë marrë secili prej tyre përveç shpërblimeve të mëdha edhe nga 5 (pesë) dekorata mirënjohje në emër të kombit serbë.
Që në fillimet e saj, Lufta Çlirimtare e Kosovës u konsiderua si një organizim terrorist, sepse kështu i interesonte Serbisë dhe kështu propagandonin edhe ata që përkrahnin sundimin serb në Kosovë. Më vjen keq për ata “të ditur” që e quajnë veten edhe ushtarakë edhe politikanë, (kombësia e të cilëve nuk më intereson), të cilët edhe pse kanë bërë shkollë dhe konsiderojnë se e njohin terminologjinë gjuhësore, por që nuk dinë të zbërthejnë termin “terrorizëm”. Më vonë u vunë edhe emra të tjerë si: “forca irredentiste”; “nacionalizëm mesjetar”, “luftë komuniste” etj., por koha, qartësia politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e bënë të tyren. Pra, erdhi një çast kur çdo gjë u bë e qartë. Në Kosovë po bëhej një luftë për t’u çliruar nga një sundim gjakatar mesjetar. Çlirimtarët ishin djem dhe vajza, që e kishin të qartë vizionin e të ardhmes.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte tiparet më të spikatura të një ushtrie të kohës tonë. Disa prej të cilave konsideroj: Ajo lindi si një variant proteste për lirinë e Kosovës; lindi si nevojë nga gjiri i popullit të shtypur dhe të persekutuar për të fituar lirinë e shumëkërkuar në shekuj; doli si një forcë serioze për të vendosur drejtësi pa lutje; u krijua si një ushtri që e vendosi bazën e saj në gjirin e popullit të Kosovës dhe e mbështeti shpinën në prehrin e këtij populli, pasi kishte besim të plotë në ecurinë e aktit të saj për liri; u rrit shpejt si një ushtri me disiplinë të vullnetshme, jashtë detyrimeve ligjore dhe disiplinës së forcës; siguroi një popullaritet kombëtar dhe ndërkombëtar si një ushtri demokratike dhe me parametra të besueshëm për ecurinë e rritjes dhe të forcës së saj; ndoqi një taktikë dhe strategji të studiuar mirë dhe arriti të fitojë reputacionin e duhur në sytë e gjithë opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, duke vënë në arsenalin kombëtar edhe një faqe lavdie; vendosmëria për arritjen e synimeve dhe objektivave të luftës ishte një nga tiparet thelbësore të saj; korrektësia në marrëdhëniet me popullin dhe me organizmat politike kosovare e ndërkombëtare, ishte në themel të veprimtarisë ushtarake të të gjitha strukturave të kësaj ushtrie, duke përbërë tiparin që përcaktoi edhe fuqinë e saj; zhdërvjelltësia dhe manovrueshmëria ishin tipare të dinamizmit, me të cilat u rrit ushtria etj.
Po kështu, vlerësoj se Lufta Çlirimtare e Kosovës u zhvillua si një luftë bashkëkohore, karakteristikat e së cilës ishin: kishte një strategji politike dhe ushtarake të përcaktuar saktë dhe me synime të detajuara me përgjegjësi; ishte një luftë e drejtë; kishte tiparet e një lufte mbarëpopullore; ishte një luftë që përfaqësonte interesat kombëtare të popullit në trojet etnike të tij; dallohej për një disiplinë të ndërgjegjshme të të gjithë luftëtarëve; u zhvillua si një kombinim në masën e duhur të luftës partizane me luftën klasike; ishte një luftë që nuk doli për asnjë moment jashtë parametrave të ndeshjes ushtarake dhe nuk mori asnjëherë nuancat e reprezaljeve mbi popullatën civile serbe në Kosovë; u zbatua një taktikë e zhdërvjelltë dhe elastike gjatë zhvillimit të betejave; zhvillohej në terrene të njohura dhe etnike; përfshiu gjithë territorin e Kosovës; ishte një luftë vullnetare; nuk njohu kompromise jashtë interesave kombëtare; financiarisht u mbështet vetëm në ndihmën vullnetare të popullit të Kosovës; u paraqit si një luftë me parime të forta morale etj. Në tërësinë e saj, Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte një luftë pa kthim, e cila kishte një detyrim historik që duhej ta kryente në kohën e duhur për të siguruar për popullin e Kosovës aspiratën, për të cilën kanë luftuar dhe janë sakrifikuar me dhjetëra e dhjetëra breza trimash të këtyre trojeve. Ushtria çlirimtare që mori mbi shpatullat e veta barrën e rëndë të sigurimit të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, vlerësohet si pionierja e të ardhmes së Kosovës dhe e ringritjes kombëtare shqiptare.
Në Kosovë lindi ringritja shqiptare
Megjithatë, është e ditur se Serbia në tërë jetën e saj si komb dhe si shtet vazhdimisht ka arritur që të sigurojë mbështetje nga shumë shtete të mëdha të Evropës. Kjo ka ardhur si rezultat e lidhjes së qëndrimeve politike me interesat ekonomike. Këto interesa kanë krijuar një klimë proserbe në praktikën e politikës evropiane, që ta krijojë idenë e hidhur të një miqësie midis tyre, e cila shkon deri në verbëri totale të kësaj politike ndaj veprimeve serbe kundër popullit të Kosovës.
Janë dy çaste që tregojnë qartë se prej fillimit politika ndërkombëtare i beson shumë Serbisë, prandaj edhe heziton të marrë një qëndrim të drejtë ndaj luftës së Kosovës.
Së pari, fakti që Serbia me zjarr dhe me hekur u sul mbi Kosovën, duke vrarë dhe djegur shqiptarët, pa dallim moshe a seksi dhe askush nuk mori përgjegjësi t’i thotë “ndal”, tregon më së miri se sa e paqartë ishte kjo politikë rreth ngjarjeve në Kosovë.
Së dyti, fakti se që në çastet e para, pa asnjë të drejtë logjike e gjuhësore, pothuajse të gjithë i emërtuan luftëtarët e UÇK-së si terroristë dhe veprimtarinë luftarake të tyre si terrorizëm, nuk ishte gjë tjetër veçse firmosje e lejes për Serbinë që ta shuante Kosovën.
Masakrat serbe në Kosovë, nën moton e luftës për çrrënjosjen e terrorizmit dhe separatizmit shqiptar, duket se u inspiruan pikërisht nga këto qëndrime tolerante dhe në njëfarë mënyre përkrahëse nga ana e faktorit politik ndërkombëtar.
Meritat e Kosovës me luftën e bërë nga Ushtria Çlirimtare, në të cilën milituan djemtë dhe vajzat më të mirë të truallit, janë me vlera të jashtëzakonshme për ardhmërinë kombëtare.
Tentativat destabilizuese në trojet shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX morën një përgjigje përfundimtare nga Kosova, e cila i tha jo destabilizimit shqiptar, i tha jo robërisë dhe i tha jo shtypjes e asimilimit.
Me asnjë lloj morali, Serbia nuk ishte larguar nga Kosova, ndërsa përballë forcës së armëve shqiptare u detyrua të bëjë hapa prapa saqë doli jashtë kufijve të Kosovës. Pikërisht kjo forcë shqiptare solli në Kosovë gjithë fuqinë politike dhe ushtarake botërore.
Në Kosovë lindi ringritja shqiptare. Prej atje lëshohen mesazhe për Republikën e Shqipërisë, për t’i marrë më mirë në dorë frenat e shtetit amë, për të marrë përsipër misione të mëdha në interes të kombit, njëkohësisht për t’u bërë pasqyra e trojeve shqiptare për zhvillim e ardhmëri.
Pra, është Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe ndikimi i saj jo vetëm mbi armiken e saj shekullore, Serbinë, por edhe mbi politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare që bëri të ndryshojnë pozicionet.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka meritë të madhe sepse që në hapat e parë, luftën në Kosovë nuk e bëri një luftë të mbyllur, por një luftë të hapur për të gjithë shqiptarët, pa dallim pikëpamjesh, ndarjesh, krahinash a feje. Që në hapat e parë, kjo ushtri mori përsipër dy obligime të mëdha: së pari, ta godiste fort armikun dhe ta detyronte të kthehej në vendin e tij; së dyti, ta ndërgjegjësonte popullin se pa luftë të armatosur nuk mund të kishte çlirim nga Serbia dhe se pa pjesëmarrjen masive të djemve dhe të vajzave të Kosovës në këtë luftë, nuk mund të kishte ardhmëri për Luftën Çlirimtare dhe për Kosovën e lirë.
Beteja sublime e Jasharëve ishte preludi i ditëve të ardhshme të Kosovës heroike për lirinë e saj. Adem Jashari me luftën e tij dhe të familjes së tij bëri epokë. Epopeja e kësaj lufte ka mbetur në piedestalin e Kosovës, si një faqe e lavdishme e të ardhmes. Këtu te ky prag i Jasharëve fillon e ardhmja kombëtare shqiptare. Në këtë betejë titanësh, çdo gjë ishte llogaritur shumë mirë. Rënia e gjithë pjesëtarëve të familjes së Shaban Jasharit në altarin e lirisë nuk ishte një rastësi, as një pakujdesi, por ishte një vetëdije e plotë e kombit. Në këtë betejë, në këtë familje zëmadhe, u shpalos më i plotë se asnjëherë arsenali i dashurisë për atdheun dhe i sakrificës sublime për lirinë. Adem Jashari i kishte të gjitha mundësitë që t’i shpëtonte pjesëtarët e familjes së tij, i kishte të gjitha mundësitë që edhe vetë të shmangej nga kjo mënyrë ndeshjeje me ushtrinë dhe policinë masive serbe. Por, ai e kishte parashikuar mirë perspektivën e Kosovës. Ai e donte aq shumë Kosovën e lirë sa me gjakftohtësi kishte vendosur ta shikonte jo si qytetar, por nga piedestali i krenarisë kombëtare dhe, jo vetëm, por me të gjithë anëtarët e familjes së tij, pa dallim moshe a gjinie.
Ky vendim i Adem Jasharit kishte një vlerë të madhe për ardhmërinë e Kosovës. Ai e kishte kuptuar mirë se për Kosovën duhej një betejë prelud. Duhej një pushkë që të kërciste fort, që të dëgjohej në të gjitha anët. Duhej një sakrificë e madhe që të ngjethte ata që e quanin veten njerëz.
Fat i keq për atë shqiptarë që nuk e kanë dëgjuar këtë thirrje të madhe të Adem Jasharit.
Lufta tregoi se populli i Kosovës e kishte kuptuar mirë Adem Jasharin. E kishte marrë mesazhin e tij dhe i dha mijëra djem e vajza ushtrisë së tij. I dha mbështetjen dhe uratën për ditët e bardha të së ardhmes.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori të tilla përgjegjësi, që në tavolinat e mëdha të politikës dhe të diplomacisë së madhe evropiane e botërore do të ishte diskutuar gjatë dhe nuk do të ishte arritur të vendosej për t’i marrë ato përgjegjësi, që mori ajo ushtri e shqiptarëve në kushtet kur dhe si i mori për interesat e atdheut e popullit të vet.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua nga një dëshirë monarku, nga një urdhër gjenerali, nga një vendim parlamenti a nga një dëshirë e një aventurieri. Ajo lindi nga pjekuria politike e popullit të Kosovës për identitet kombëtar dhe vullneti i tij për të fituar lirinë dhe pavarësinë nga pushtuesi shekullor me forcën e armëve dhe me sakrifica ekstreme, në pamundësi për t’u marrë vesh paqësisht e ndarë atë që i takonte Kosovës e popullit të saj.
Një nga parimet bazë të Luftës Çlirimtare të Kosovës ishte vullnetarizmi në krijimin e ushtrisë së nevojshme. Pikërisht këtu duket më së miri pjekuria politike e popullit të Kosovës, prej këtu del edhe përfundimi se ky popull e meritoj, plotësisht lirinë e tij.
Vullnetarizmi, si parim bazë i furnizimit të UÇK-së me forcë njerëzore luftarake, ka luajtur një rol të rëndësishëm në besimin e popullit. Por këtë nuk mund ta kuptojnë ata që sot na i akuzojnë djemtë në gjyqe ndërkombëtare, si mbështetje të gjykimeve që akoma vazhdon t’i bëjë Serbia në mungesë.
Duhet ditur se një luftë qoftë edhe e një ushtrie të kufizuar e me afat të shkurtër shtrirjeje të jetë, ka nevojë për mbështetje. Këtë mbështetje e ka në terren. Ajo forcë ushtarake që ka terrenin me vete, e ka të sigurt edhe fitoren. Një ushtri sado e madhe të jetë, por që humbet kontaktin me terrenin nuk arrin të kontaktojë më me qytetërimin, sepse asgjësohet totalisht, pa bërë asnjë betejë, sepse humbet moralin e të qenit ushtri.
Pra, duket se një forcë mund të quhet ushtri dhe ta ndiejë veten ushtri vetëm në marrëdhënie me terrenin, pra, me popullin që banon tokën ku zhvillohet lufta.
Në Kosovë populli shqiptar ishte shpirti i Luftës Çlirimtare, kështu që normalisht do të ishte edhe bazë e kësaj lufte.
Veprimtaria popullore në interes të luftës në Kosovë, kishte vlera të mëdha se ajo ishte e domosdoshme në këto fusha: Së pari, UÇK-ja duhet të ushqehej çdo ditë me gjak të ri; së dyti, kjo ushtri duhej të dinte se populli prej gjirit të të cilit doli ishte i qëndrueshëm, ndaj duhet të ishte i qetë dhe i bashkuar për të përballuar gjithë rrebeshin fashist serb; së treti, UÇK-ja kishte nevojë për armë; së katërti, në luftë kishte të plagosur që duheshin kuruar; së pesti, kjo ushtri donte bukë; së gjashti, faktorët që sollën fitoren mbi armikun në Kosovë ishin Lufta Çlirimtare heroike e ushtrisë më të re në botë dhe deklarimi në opinionin ndërkombëtar i reprezaljeve dhe i krimeve të serbëve mbi popullin e Kosovës. Pra, ky popull është jo vetëm ushqyes i ushtrisë së tij dhe luftës së saj, por edhe bashkëfitimtar i kësaj lufte me heroizmin e treguar para bishave serbe. Së shtati, ky popull ktheu në momente uniteti e demonstrimi të vullnetit të lirisë, me gjithë sakrificat që bartte, edhe momentet e përmortshme të varrosjes së viktimave dhe të martirëve e dëshmorëve. Së teti, ky popull i besoi UÇK-së si diellit, si dritës, si ajrit, pa të cilat nuk mund të kishte jetë. Filozofia e këtij populli u bë liria dhe mjeti i realizimit të saj, UÇK-ja.
Këto i kam deklaruar edhe herë të tjera, por desha t’i freskoj edhe njëherë në kujtesën e atyre që kanë rënë në letargji e kujtojnë se liria erdhi si dhuratë.
Lufta ka vazhduar gjatë në Kosovë. Por edhe përkundër vazhdimësisë së saj, ajo nuk arriti dot të institucionalizohet si një luftë e përgjithshme përgjatë gjithë historisë së Kosovës së pushtuar nga Serbia. Pikërisht, këtu qëndron edhe forca e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ngaqë ajo arriti të ngrejë jo vetëm opinionin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar, duke u kthyer në një luftë të përgjithshme, që përfshiu në kohë të shkurtër gjithë Kosovën.
Në Kosovë kishte shumë vite që gatuhej kjo luftë. Amvisa e gatimit të saj natyrisht se ishte Serbia. Ajo me regjimin e saj donkishotesk, nuk arriti për asnjë moment që të mirëkuptohet me këtë popull, që historia e kishte lënë padrejtësisht në bashkëjetesë me të, duke e shkëputur nga trungu i shtetit amë. Natyrshëm, në kushtet e një shtypjeje të pashembullt; në kushtet e një gjenocidi të pashoq; në kushtet e pasigurisë më elementare për jetë; në kushtet e varfërisë dhe të diskriminimit; në kushtet e shpronësimit të vazhdueshëm e të përzënies nga trojet e tyre me të gjitha mënyrat, që nga mashtrimi e deri tek asgjësimi, nuk mund të pritej gjë tjetër veçse ndeshje e armatosur.
Sipas vlerësimeve, nuk kishte alternativë tjetër përveç luftës që mund ta vendoste çlirimin e popullit të Kosovës nga sundimi serb.
Lufta Çlirimtare e Kosovës erdhi si flamurtare për t materializuar jetën kombëtare shqiptare.
Serbia, e cila kishte investuar për ta zhdukur Kosovën, ishte më se e qartë se nuk mund të gjente mirëkuptim për ta lënë të lirë atë.
E megjithëse dihet se lufta me armë është elementi më i papranueshëm për jetën e një shoqërie njerëzore, ja që kushtet e papërgjegjësisë nacionale e diktojnë atë. Në këto kushte Lufta Çlirimtare e Kosovës ka ardhur jo si një dëshirë, por si një domosdoshmëri.
Lufta Çlirimtare e Kosovës do të udhëtojë nëpër jetën kombëtare shqiptare, si një tregues drejt ardhmërisë, sepse ishte akti më i arsyeshëm për sigurimin e çlirimit nga pushtimi dhe ishte elementi kryesor që largoi sundimin shekullor serbo-sllav.
Ndër arsyet pse dalim në këtë përfundim konsideroj: Kosova ishte e pushtuar; Jeta në Kosovë ishte bërë e padurueshme;Kosovës po i hiqeshin të drejtat e të qenit komb shqiptar; Politika serbe në vazhdimësi ishte politike shoviniste; Askush nuk e kishte jetën të sigurt, vrasjet dhe zhdukjet ishin modë e ditës; Toka e Kosovës po përvetësohej nga serbët; Pasuria e Kosovës shkonte në Serbi; Politika serbe ishte politikë e asimilimit dhe e shpërnguljes masive të shqiptarëve, e mbështjellë me kolonizim masiv të Kosovës me serbë; Inteligjencia kosovare diskriminohej në vazhdimësi; Arsimi shqip u eliminua; Populli i Kosovës konsiderohej dhe trajtohej si një tepricë njerëzore; Politika kosovare nuk përfillej nga pushtuesi; Kërkesat u shpërfillën të gjitha; E drejta e punës ishte vetëm në ata sektorë që kërkonin punë të klasës së fundit; Politika serbe që e quante Kosovën – Serbi e Vjetër mori përmasa shumë të mëdha; Doli në plan të parë asgjësimi i shqiptarëve; Mirëkuptimi nuk u pranua në asnjë nivel pushteti nga serbët; Demonstratat dhe protestat u mbytën me gjak; U nëpërkëmb nderi shqiptar në përgjithësi dhe i çdo familjeje në veçanti; Serbët e Kosovës në vazhdën e politikës së Beogradit u kriminalizuan në shumicë, duke u bërë të rrezikshëm për bashkëjetesë etj.
VIJON …
______________
KUDUSI LAMA: UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (VII)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10414

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura