KUR LIGJIN E BËN MALIQI?!

Fol, mos u tut edhe …

KUR LIGJIN E BËN MALIQI?!

Nga Sheradin Berisha

“Më shumë ligje, më pak drejtësi”. Ciceroni (106 – 43 p.e.s)

1. Ҫka është ligji?! Politikani dhe ekonomisti i shquar francez, Frederic Bastiat (1801-1850) thotë: “Ligji është një organizëm kolektiv i të drejtave individuale në mbrojtje ligjore”.

Bazuar në këtë përkufizim, shtrohet pyetja: kush e përcakton ligjin – këtë “organizëm kolektiv të të drejtave individuale”?

– E përcakton Politika!

Në këtë kuptim rezulton se, ligji është një reflektim i politikbërësve, të cilët në emër të të drejtave kolektive i kufizojnë dhe cënojnë liritë individuale!

Dikush mund të thotë: “Kufizimi dhe cenimi janë dy nocione të ndryshëm, sepse individit mund t’i kufizohet liria, por nuk mund t’i cenohet ajo”!

Ashtu mund përceptohet, por, këto janë dy nocione që e gjymtojnë në esencë lirinë e individit!

Pse?

Për faktin sepse politika me të tilla ligje në emër të kolektives rrjedhimisht i kufizon dhe i cenon liritë e individit, për interesa të tyre!

Prandaj për mendimin tim, liria e vërtetë nuk matet me ligje, sepse ato e projektojnë lirinë kolektive, ndërsa e kufizojnë lirinë e individit!

2. Shpeshherë politikanët thonë:

– “askush s’është mbi ligjin”,

– “të gjithë të barabartë përpara ligjit”,

– “sundimi i ligjit vlen për të gjithë” etj.

– Ҫka do të thotë sundimi i ligjit?

Filozofi anglez, Thomas Hobbes (1588-1679) thotë: “Sundimi i ligjit, do të thotë sundimi i atyre që e përcaktojnë dhe administrojnë ligjin”.

Në realitetin shqiptar kjo do të thotë se ligjin e bën Maliqi!

Në filmin “14 vjeç dhëndër”, i bazuar në komedinë e shkrimtarit Anton Zako – Çajupit, kryetari i Prefekturës zoti Maliqi, i cili po shkonte me detyrë diku tjetër, u kërkon ndjesë bashkëqytetarëve të tij, të cilët i ka keqtrajtuar e dënuar duke iu thënë “ta dinë se edhe nëse e kam bërë një gjë të tillë, këtë e ka bërë ligji, jo Maliqi”. Ndërkohë njëri ndërhyn me një shkop në dorë: “ligji zoti Maliq është si puna e këtij shkopit: në dorë të Maliqit ligji edhe mund të të lëmojë, por i njëjti ligj mund ta godasë dikë tjetër.”.

Në këtë kuptim, rregullat për drejtësi si e ligjshme apo e paligjshme, janë në “dorë të Maliqit”, sepse i përcakton politika dhe politika është ajo që e përdor ligjin për mbajtjen dhe ushtrimin e pushtetit!

Rrjedhimisht “ç’vlerë ka e ashtuquajtura barazi e secilit para ligjit, kur ligji s’është i barabartë për secilin?” ka pyetur njëri nga juristët e shquar italian, Pietro Ellero (1833 – 1933). Ndërkaq për historianin dhe filozofin e Romës antike Ciceronin: “më shumë ligje” do të thotë “më pak drejtësi”.

Megjithatë fol, mos u tut edhe kur ligjin e bën Maliqi!

_______________

Nga arkivi, më 8 dhjetor 2019

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10215453728272785&id=1125324528

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura