ILJASA SALIHU: POPULLI SI PUNËDHËNËS I POLITIKANIT!

Kumanovë, 15. 6. 2016: S’do mend se punëdhënësi kërkon punë dhe rezultate të mira, ndërsa punëtorët për ta mbajtur vendin e tyre të punës, duhet të dëshmohen. Punëdhënësi kërkon shërbime në të mirë të tij dhe të ndërmarrjes së tij. Natyrisht, do të ishte tejet e pakuptimtë dhe qesharake që punëdhënësi të bëhet shërbëtor i punëtorëve të tij, edhe pse nuk mund ta mohojmë faktin se edhe punëdhënësi përmes veprimtarisë së tij i shërben të tjerëve, të cilët natyrisht paguajnë për shërbimet ndaj tyre. Punëtorët dhe punonjësit janë përgjegjës dhe japin përgjegjësi para punëdhënësve dhe jo e kundërta. Menaxhimi si duhet me punëtorët dhe punonjësit, do të thotë sukses për punëdhënësin dhe për ndërmarrjen në përgjithësi.
Pikërisht, populli është punëdhënësi i politikanit apo i politikanëve. Populli është sovran. Populli përzgjedh dhe zgjedh njerëz, të cilët do të qeverisin me vendin në të cilin jeton dhe vepron populli dhe politikanët. Fuqia e politikanit është në duar të popullit. Populli merr dhe jep pushtet. Kur ta sheh politikani veten në pasqyrë, në të vërtetë e sheh fytyrën e popullit.

Rrjedhimisht, në rast se gabojnë dhe korruptohen politikanët tanë, me të drejtë mund të na thonë se mandatin nuk na e solli lejleku prej qiellit, por populli që të paktën me trup gjendet në tokë. Parimisht, sukseset dhe dështimet përgjatë qeverisjes së tyre, bien mbi supet e popullit, i cili në të shumtën e herëve votoi verbërisht dhe duartrokiti jo për fjalimin e urtë dhe domethënës, por sepse dëgjoi rrapëllimat e duartrokitjeve. Kësaj i thonë t’i duartrokasësh duartrokitjeve! E keqja e këtij parimi të mirë është se politikanët tanë vetëm kur të gabojnë dhe kur të vihen në tehun e akuzave të mprehta, kujtohen për popullin apo për qytetarët. Thonë, qytetarët na votuan, edhe pse nuk kujtohen të mendojnë se çka vepruan që jeta e qytetarëve të jetë më e lehtë, më e mirë, më e pasur dhe më e dinjitetshme. Për ata mjafton vota dhe jo arsyetimi i votave, kurse qytetarëve duket se nuk i mjaftojnë mashtrimet rafal të politikanëve, përndryshe do t’i dënonin ata që radhazi po i dënojnë me paaftësi dhe krim qytetarët! Pikërisht kur të zihen ngushtë me përmendjen e dështimeve të shumta, kujtohen se pushteti nuk është vetëm i tyre, por edhe i atyre që e ligjësuan këtë pushtet përmes përkrahjes dhe votave. Kanë të drejtë, edhe pse këta nuk shprehen kështu duke u mbështetur në këtë parim të drejtë. Me këtë të drejtë, këta synojnë mashtrimin. Ndërsa, nëse e veprojnë një të mirë të vetme për popullin, këta sikur të jenë bilbila të maleve të pashkelura, ua japin këngës që vështirë se edhe në dimër ndalen. Nuk lodhen së lavdëruari dhe së marri për sipër të mirat e caktuara. Flasin në veten e parë, paçka se në vitin e parë të shkollës së mesme nuk i njihnin si duhet përemrat vetorë. Këta ma kujtojnë rastin e Ajnshtajnit. Sa herë që ai gabonte në ndonjë teori a paraqitjeje shkencore, francezët me nxitim deklaroheshin se ky është gjerman, kurse gjermanët thoshin se ky është hebre. Nëse rastiste të rridhte e kundërta, francezët thoshin se ky është qytetar i botës, ndërsa gjermanët me krenari thoshin se ky është gjerman dhe se nuk është me rëndësi prejardhja e tij. Politikanët tanë janë larg nga të hedhurit në analogji me Ajnshtajnin, por meqë ra fjala, nuk mund të mos e futja atë gjeni në mesin e tyre.
Është tejet e pandershme kur të thotë një politikan se unë ta bëra këtë e atë të mirë. Po mirë ore i nderuar, ty kush ta bëri të mundur që karrocën me kuaj ta shndërrosh në limuzinë dhe për çka? Piten me asgjë në picë të shtëpisë dhe për çka? Kostumin e martesës në kostume të shtrenjta dhe për çka? Mos harro se populli ishte ai që të nxori nga balta në pllaka të granitit dhe ti harrove se për çka të zgjodhi populli. Ti i nderuar duhet të jesh mirënjohës ndaj popullit dhe huamarrës i madh që të paktën as çerekun e premtimeve nuk i zbatove. Sigurisht, nëse popullin e mashtrove një herë, turp të qoftë një mijë herë. Kurse, nëse atë e mashtrove dy herë, turp i qoftë popullit dy mijë herë.
Natyrisht, ti ishte i papunë apo kishte një punë që të sillte të ardhura mjerane. Populli ta dha votën dhe pastaj ty të erdhi mundësia që ta punësosh dikë prej mesit të popullit, edhe pse shumë syresh shpejt i harrove. Kësisoj, nëse është puna për mirënjohjeje, atëherë fillimisht politikanët duhet t’i falënderohen shumë popullit – punëdhënësit dhe krejt në fund përciptazi populli mund t’i thotë faleminderit për punën e kryer me nder. Fundja, populli mund t’i thotë faleminderit që frymëmarrjeve të tyre nuk i vunë tatim, sepse edhe kjo mund të ndodhë në vendin tonë të çudirave.
Habitem me disa njerëz që shumë lehtë janë të prirë të nënshtrohen. Madje do të habitesha nëse edhe me vështirësi nënshtrohen në shkëmbim të një interesi material. Thuajse deputeti apo kryetari i komunës i futi në punë në ndërmarrjen e tyre private apo ia dha arën e babait për ta punuar. Këta çmenden duke i lavdëruar se ja ai i paskësh futur në punë. Këta të varfër për mend, harrojnë se fillimisht në punë politikanët u futën prej tyre dhe se roli i politikanit përmes politikave të drejta dhe zhvillimore është të krijojë vende të reja të punës, shtrat të fuqishëm për drejtësi të përgjithshme dhe klimë të përshtatshme për investime vendore dhe të huaj. Populli është punëdhënësi i politikanëve, këtë mos e harro o qytetar i mirë. Përse politikanët nuk i lavdërojnë fillimisht këta, por vetëm këta i lavdërojnë politikanët? Pa dyshim, kjo flet për injorancën tonë edhe përgjatë të drejtave tona. Kjo flet dhe dëshmon se disa qytetarë shqiptar nuk i dinë të drejtat e tyre. Ata edhe për frymëmarrjet e tyre, në vend se t’i jenë mirënjohës Zotit, mendojnë se meritorë të këtij procesi fiziologjik janë politikanët. Zgjohu qytetar, njihe dhe vlerësoje veten fillimisht. Po nuk e njohe veten dhe fuqinë tënde, atëherë mos u dëshpëro kur tjetri lehtësisht shpërdoron me dinjitetin dhe fuqinë tënde!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura