KUSH E LA RROGËTARIN PA PUNË?!
Nga Bejtullah KRASNIQI, Prizren 2 korrik 2023
Edi Rama një kozmopolit pa origjinë …
Ditëve të fundit vërshuan portalet e vendit, të rajonit e madje edhe ato evropiane me shkrime rreth dështimit të një projekti i cili sa më përket mua, ka qenë i dështuar që në fillim. Titujt pompoz si: “A po dështon Ballkani i Hapur”, “Edi Rama u vetëdijesua”, “Rama po shkëput duart me Vuçiqin”, “Ballkani i hapur u mbyll”, etj, etj. Krejt kjo nënkuptonte se Edi Rama e mbylli Ballkanin e Hapur. Por a është kështu.
Mendoj se asnjëra nga këto nuk po ndodh me dëshirën apo vullnetin e Ramës. Kur palaços i mbushet mendja se është atlet i cirkut, përfundon si Edi Rama. A i shërbeu Rama besnikërisht Vuçiqit? Po. A e dëmtoi thellësisht Kosovën? Po. A është i gatshëm ta dëmtojë Shqipërinë? Po. Çdo gjë është i gatshëm ta bëjë vetëm e vetëm që sallonet e Evropës tinëzare dhe arixhiu Vuçiq ta pranojnë në mesin e tyre.
Po kush është Edi Rama? Edi Rama tashmë e ka dëshmuar se është një kozmopolit pa origjinë, një nomad pa atdhe, një biçim njeriu pa asgjë të shenjtë, pa komb, pa atdhe, pa fe, pa farë e pa fis. Edi Rama Shqipërinë e ka vendlindje të rastësishme, por jo atdhe. Vetëm populli shqiptarë mund ta mbajë në pushtet tri mandate një plangprishës të tillë. Të zezat e tij që po ia bënë Shqipërisë nuk kanë të sosur. Aferat e përditshme të gërryejnë shpirtin e të lënë pa frymë. Po mirë, populli shqiptarë ka krijuar imunitet ndaj diktatorëve, kështu e patën duruar edhe Enverin për katërdhjet e pesë vjet. Pas rënies së monizmit kur i pyesnim qytetarët, – po si u bë që Shqipëria të bie në këtë derexhe? Thoshin: po ja kështu e bëri Enveri. Nesër prapë do ia lënë fajin Edi Ramës. Kështu shfajësohen të gjorët, sikur Enveri e Edi kanë pikë prej qielli e nuk i ka votuar ky popull. Politika zyrtare e Shqipërisë shumë dëme i ka bërë Kosovës që nga fillimi i shekullit të kaluar. Ky shkrim nuk ka vend për t’i numëruar të gjitha, për këto duhen vëllime të tëra.
Po nga vjen Edi Rama?
Vjen nga një formacion politik që është pasardhës i Partisë së Punës të cilën e kanë formuar Milladini me Dushanin. Sejfulla Maleshova ka thënë: – “Partinë Komuniste të Shqipërisë e kanë formuar serbët, është parti terroriste”. A e dinte këtë Edi Rama? E dinte më mirë se të gjithë ne. A i dinte të bëmat e Serbisë mbi popullin shqiptarë të Kosovës? I dinte më mirë se të gjithë ne. Po pse pra i shërbeu Vuçiqit? Sepse logjika e rrogëtarit kërkon që ta ketë një ’gazdë’ dhe meqë ndër shqiptarë nuk e konsideronte askënd të denjë për ’gazdë’, madje në një rast politikanët e Kosovës i pat quajtur gomarë. Pastaj kur ndryshuan gjërat dhe Rama e pa se edhe Kosova ka atllarë për gara, e ndjeu veten inferior si një gogël m…i. Atëherë e gjeti Vuçiqin në një paradë krenarie. Kështu është kur endacakëve iu jepet pushtet.
Edi Rama iu bë krah Vuçiqit dhe formuan fillimisht “mini shengenin” e më pastaj “Ballkanin e hapur”. E ftoi edhe Kosovën që të bëhet pjesë e këtij projekti pansllavist, por vetëm si krahinë e Serbisë. Kjo i dha krye Vuçiqit. Kur kryeministri i Kosovës refuzoi, Rama nuk la gjë pa thënë për Kosovën: jeni të pa ditur, të pa gdhendur, jeni malok të pa civilizuar, jeni Kadri. Me fjalë të tjera na thoshte: a nuk e shihni se sa i mirë është gazda, pse nuk bashkoheni? Pastaj plasi lufta në Ukrainë. Bota kërkonte nga Serbia që ti vënte sanksione Rusisë. Edi Rama filloi ta ushtronte zejen e palaços, shkonte zvarrë para ndërkombëtarëve duke i lutur që të kenë mirëkuptim për Serbinë, Serbia nuk mund t’i vë sanksione Rusisë, serbët janë të lidhur emocionalisht me rusët, kanë të kaluar të përbashkët, janë kushërinj etj etj.
Mesazhi i Edi Ramës për ndërkombëtarët
Me këto veprime të Ramës, perëndimi dhe Vuçiqi e kuptuan se Shqipëria nuk është me Kosovën, madje është kundër saj. Kosova e vetmuar është e dobët, e pa aftë, e vogël, me më pak se dy milion banorë nuk mund të paraqesë rrezik për destabilizim të rajonit. Kështu mesazhi i Ramës ishte: bëni çfarë të doni me Kosovën, merrni sa të doni, unë do të jem argati i juaj i palodhur. Dhe filloi gjuetia. Lajçaku e Borelli, dy kundërshtarë të Kosovës, e hetuan rastin për plotësimin e apetitit të tyre të sëmurë. Gati sa nuk e shpallën Vuçiqin (Gebelsin e Millosheviqit) për shenjtor. Luante Vuçiqi me ta si macja me miun, jo do vij në Bruksel, jo s’do vij në Bruksel, jo do nënshkruaj, jo s’do nënshkruaj, jo më dhemb dora, jo do zbatoj marrëveshjet, jo s’do zbatoj asnjë gjë etj. etj. Për gjithë këto lojëra satanike të Vuçiqit akuzohej Albin Kurti, sepse kështu thoshte Edi Rama. I thanë Kryeministrit dhe Kryetares tonë, shpallni zgjedhjet. I shpallën. I thanë pastaj shtyni zgjedhjet. I shtynë. Pastaj iu thanë mbani zgjedhjet. I mbajtën, vetë miqtë tanë i quajtën legjitime. Kur erdh koha që kryetarët ta marrin detyrën, plasi kiameti, u rebelua Vuçiqi dhe dërgoi kriminel që ta sulmojnë KFOR-in. Përsëri Albin Kurti ishte fajtor.
Opozita
U rebeluan edhe opozita e Kosovës e banalistat e studiove të televizineve serbe në Kosovë, madje edhe disa ‘kllosharë’ të dikurshëm politik duke vrapuar si dhelpra pas dashit, me shpresën se mos ndoshta do t’i këputen. Krejt kjo po ndodh falë edhe ndihmës së Edi Ramës që iu dha miqve tanë ndërkombëtarë dhe vllaut të tij Aleksandrit siç e quan vetë Rama.
Opozitës tonë qullashe i ka humbur rruga n’oborr. Kërkojnë nga Qeveria të pamundurën. I thonë Kurtit: mos na prish me miqtë ndërkombëtarë, në anën tjetër kërkojnë të mos e bëjë Asociacionin, (të cilin vetë e kanë nënshkruar). Kjo është si t’i thuash dikujt: duhet ta kalosh lumin por mos të lagesh. Kur më 26 Maj filluan protestat në veri, opozita jonë tri ditë rresht nuk u bë e gjallë, nuk dinin se si të pozicionoheshin, sepse nuk kanë qëndrim të vetin. Kur u prononcuan miqtë tanë ndërkombëtar, këta dolën nga zinxhiri dhe u turrën me vrap. Njëjtë vepruan edhe shumë analistë që selinë qendrore e kanë në Novi Sad.
Çfarë po kërkojnë ndërkombëtarët
Miqtë tanë ndërkombëtarë, e këtu hyjnë në radhë të parë, shtetet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-të, tani e dy dekada e gjysmë na thonë: ne jemi aleatët tuaj, ne jemi miqtë tuaj, ne mendojmë për të mirën tuaj, ju duhet të na dëgjoni se ju bie mirë etj. etj. Pse këto shtete, Evropiane që na thonë se janë miqtë tanë, nuk bëjnë trysni mbi ato pesë shtete Evropiane që nuk e njohin Kosovën e pavarur? Pse këta miq nuk na i heqin vizat e udhëtimit? Jemi i vetmi vend Evropian që nuk mund të udhëtojmë në Evropë. Çfarë paradoksi!!! Në këto momente deri sa po e shkruaj këtë shkrim Evropa numëron 748,998,833 banorë. Si mund të ndodh që nga gjithë këta njerëz, për pak pesëqind milion, vetëm dy milion shqiptarë të Kosovës të jenë të izoluar në geto. Kështu nuk veprojnë miqtë. Ka dy dekada e gjysmë (si mirënjohje për ndihmën që na e kanë dhënë në luftë) që rregullisht i kemi dëgjuar e i kemi plotësuar kërkesat e miqve, shumë herë nuk na ka rënë mirë. Na thanë: jepni tokë Maqedonisë, i dhamë. Na thanë: jepni tokë Malit të Zi se do të ua heqim vizat, i dhamë dhe nuk na i hoqën vizat. Kush jep tokë për vizat e pshurrta!!!? Cili shtet e ka bërë këtë? Na thanë: votojeni asociacionin se është mirë për ju, deputetët tanë debilë e votuan, tani po e shohim se a ka qenë mirë për ne. Na thanë: votojeni gjykatën speciale se është mirë për ju, debilët prapë e votuan, por nuk na doli mirë. Na thanë; do të jetë gjykatë e Kosovës, po del që Kosova nuk ka lidhje me atë gjykatë. Thanë: do të gjykohen edhe kriminelët serbë, po gjykohen çlirimtarët shqiptarë. Na thanë: merrni afganët për hatër të miqësisë, i morëm. Na thanë: merrni gazetarët ukrainas, i morëm për hatër të miqësisë. Tash po na thonë: bëjeni asociacionin, që do të thotë me i dhënë tokë Serbisë. Njëmijë e dyqind vjet jemi duke i dhënë tokë Serbisë. Deri kur më? Të dashur miq, a mund të na thoni, kur do të ndalojnë kërkesat tuaja perverse në emër të miqësisë?
Pastaj ndodhi Prigozhini
Kush e di se si do të kishin vazhduar ngjarjet po të mos ndesheshin interesat e Prigozhinit me ato të Putinit. Rusia e Putini u poshtruan. Tani bota merr frymë më lirshëm. Pansllavizmi po dobësohet, rrjedhimisht edhe Vuçiqi. Përkrahja ndaj Serbisë po venitet. Tani më Vuçiqit nuk mund t’i ndihmojë Rama. Idila e tyre ka marrë fund. Rama duhet të kërkojë për një ‘gazdë’ tjetër, sepse rrogëtari pa pronarë është si peshku pa ujë. Nje mistral i lehtë po frynë drejt Kosovës që do ta zbut vapën që e patën turr drejt saj. Ardhja e Klintonit shpresoj se do të sjell lajme të mira. Komandot turke janë në veri në vend të italianëve e hungarezëve. Rreziku për Trepçën si duket po kalon.
_________
Disa shkrime tjera të autorit Bejtullah Krasniqi:
BEJTULLAH KRASNIQI: KOSOVA, PARADOKSI YNË QË NUK FALET!
***
BEJTULLAH KRASNIQI: KOSOVA, PARADOKSI YNË QË NUK FALET!
***
BEJTULLAH KRASNIQI JA: KUSH PO IA FAL TOKËN TONË MALIT TË ZI?!
***
BEJTULLAH KRASNIQI: ARSIMI, KY GJAH PËR ÇAKEJT BABËZI!
KOLONA E PESTË