BEHXHET SH.SHALA: BANI I SMEDEREVËS DHE TAFILI I GLLAREVËS!

(Prishtinë, 25. 07. 2012) – Jarana të motit për punë të kotit – Ban ki Muni është kryeshef i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork. Me letra duhet të kujdeset për tërë botën ndërsa në realitet mrizon gjatë një mandati dhe vetëm kur duhet të kandidojë për mandatin e dytë përpiqet të ringjallet përmes përshtatjeve atyre që mund t’i sigurojnë vota. Dhe përsëri i kthehet mrizit. Kuptohet pasi ta ketë siguruar mandatin e dytë. Duket gjithmonë i qeshur me atë gjentilencën aziatike. Në fakt, duket se gjatë shoqërimit me persona të caktuar e ka përvetësuar bizantinizmin ballkanik. Madje variantin më të sofistikuar të tij. Së pari e kërcënon ortakun e tij Vuk Jeremiq për deklaratën e tij të “papeshuar“ ndërsa gjatë vizitës së tij në Beograd pati përqafime orgazmastike me po të njëjtin Vuk. Sikur vëllai me vëllanë!
Tafili nga Gllareva është në fakt personi i quajtur Taf ki Huni e që nënkupton se është i hurit dhe konopit. Është tarak që vetëm këndon dhe qeshë. Përgjegjësia e tij nuk ka karakter global si e Banit, as rajonal por ekskluzivisht lokal. Edhe ky mrizon sikur tash Bani e dikur Bajlozi duke jetuar nga ajo që i bjen në grykë dhe kaçep. Nuk bën politika të larta por qejfe të tokës. Ato që preken dhe që ndjehen. Taf ki Huni nuk lufton për mandat por për takat. Vota është përcaktuese për mandatin e Ban ki Munit ndërsa takati është përcaktues për mandatin e Taf ki Hunit. Vota lejon mandat të kufizuar për Ban ki Munin ndërsa takati apo potenca siguron mandat të amshuar për Taf ki Hunin!

……………………………………………….

………………………..

Nga kjo hyrje po shihet që Ban ki Muni dhe Taf ki Huni kanë një emërues të përbashkët që i bashkon. Mrizin dhe djerrakohën. Në gjuhën e vëllamthit të Banit thuhet, lladovina dhe jebivetar (shkërdhyes i kohës). Tash po e lëmë anash Taf ki Hunin të merret me probleme lokale ndërsa po i kthehem Ban ki Munit përgjegjës për probleme globale. Në Kosovë kujtohet si përpilues i gjashtë (6) pikave të Banit që përcilleshin me kurvat e Sllobodanit (Samarxhiqit). Që i la pa gjumë parinë e Kosovës në pozitë dhe prodhuesit e zhurmës në opozitë! Të parët u betuan se nuk do të lejojnë kurrë që Bani ta shalojë Ahtisarin sepse e kemi mik ndërsa të dytët botërisht e shpallën armik. Të kosovarisë, demokracisë dhe higjienës orale duke e konsideruar 6 pikëshin si jashtëqitje anale. Por e kemi një fat që jetojmë në kohën kur respektohet liria e shprehjes dhe fjalës, si vlera të demokracisë, sikur në Beligrad të Serbisë! Tash po lexoj se duhet të kundërshtohen shumë 6 pikat e Banit sepse po e rrezikuakan funksionalitetin e Kosovës si shtet! Sa të paditur janë këta anal-istë të mjerë! Nuk duhet një inteligjencë e lartë për kuptuar se deri më tash 4 pika të Banit janë realizuar. Janë edhe dy të tjera që do të realizohen së shpejti. Të përfundonte së paku ke kaq?! Por, për kokë të Taf ki Hunit serbët në Kosovë do të fitojnë më shumë se 6 pikat e Ban ki Munit!
Bani na njeh si shtet aq sa në Mongoli ka Tafa pushtet
Bani po e viziton Kosovën duke u ruajtur që me asgjë të mos identifikohet me personin që e njeh Kosovën si shtet. Që të mos hidhërohen Kuba, India, Kina, Serbia dhe Rusia! Me presidenten që e përkrah me aq pasion zotni Dell e të cilën me pasion edhe më të madh Gjet Macolli do ta bënte gati për hell (pjekje apo ferr, nuk prish fare punë ) do të takohet në aeroportin Adem Jashari. Jo në presidencë. Nuk pranon Gardën e Nderit, as flamurin e Kosovës apo intonimin e himnit të Kosovës! Apo paraqitje të përbashkët me presidenten para medieve. Duket se Bani është krejtësisht i painformuar. Sepse, të gjitha këto që i ka refuzuar si identifikim me shtetin e Kosovës në fakt janë mohim i një shteti të mirëfilltë, të pavarur dhe sovran. Kosova është shembull tipik se si nuk bëhet dhe si nuk duhet të jetë shteti. Ndryshe, do të kishim një Gardë të vërtetë të Nderit, një flamur për të cilin do të përcaktohej shumica, një himn që së paku do të ishte më tërheqës për të na zgjuar nga gjumi dhe një president që do të zgjidhej nga populli! Po Bani si Ban. Hiç nuk e din se çka Ban e çka nuk Ban! Me kryeministrin Hashim Thaçi ka një problem të natyrës ekskluzivisht politike. Nuk është përcaktuar nëse do të takohet në Prizren në qebaptoren e Hyskës apo të Bahtijarit?! Është gjetur vërtetë para një dileme të madhe! Ndërkaq për takim me serbët nuk ka problem fare. Shkon drejt e te veni. Aty ku buron pushteti i vërtetë dhe ku funksion shteti i Srbisë në Kosovë. Në kisha. Në Prizren pas qebapave shkon me u takuar me pushtetin. Me Ramadan Mujën? Jo! Por me pushtetin e vërtetë. Me përfaqësuesit e kishës që njëkohësisht janë edhe përfaqësues politikë! Të Serbisë! Po del se Ban ki Muni duke e injoruar shtetin e Kosovës në fakt po i bënë dy vizita shtetit të Serbisë; e para në Beograd dhe e dyta në Graçanicë, Deçan apo Prizren!
Pendime, urime, reflektime dhe hidhërime
Jemi në muajin e Shenjtë të Ramazanit kur duhet të reflektojmë pozitivisht, t’i flakim fjalët e rënda, fyerjet, kërcënimet dhe qëllimet e liga. Është muaji kur duhet ta përjetojmë një spastrim të shpirtit ne që jemi më të trashë nga koka. Të mençurit apo kokat gjeniale janë në institucione apo janë bërë pjesë e pushtetit!
1. Më herët i pata rënë në qafë shokut Gjet Macolli se nuk është i drejtë, demokrat , se është destruktiv, se po vepron në shpërputhje me intereset shtetërore dhe kombëtare. Gabim shumë i rëndë por i falshëm. Sidomos nëse mbledhë mend me kohë. Dhe nëse i merr parasysh faktet. Sikur ato që i deklaronte shoku Gjet se: është tolerant, demokrat, konstruktiv dhe se punon dhe vepron në konkordancë të plotë me intereset shtetërore dhe kombëtare dhe në akordancë të plotë me miqtë ndërkombëtarë! Argumenti përfundimtar që më bindi se e paskam pasur krejt gabim është rasti i deputetit Emin Gërbeshi. Gjet Macolli si pronar i kooperativës parapolitike të quajtur AKR ka mundur ta keqtrajtojë deri në fund zotni Gerbeshin duke e detyruar të pendohet. T’i bëjë gjyq politik. Ta shndërrojë në zvarranik sikur pjesën dërrmuese të rrogëtarëve të tij! Ta dërgojë diku ambasador apo ta bëjë dekan në njërin nga fakultetetet. Rektor nuk ka pasur mundësi ta bëjë sepse e ka dërguar një të tillë më parë. Dhe shumë pozita të tjera. Mirëpo shoku Gjet si demokrat që është veproi në përputhje me parimet që e hijeshojnë personalitetin e tij. Zgjodhi vendin me një demokraci shumë të zhvilluar për t’i kumtuar vendimin e tij dhe të Zonjës së Fortë në mesin e burrave të ligj të AKR. Largimin nga partia e tij private. Nga AKR. Vendi ku u mor vendimi ishte Adis Abeba. Kryeqytet i shtetit të vendlindjes së demokracisë. Etiopisë. Demokrati i vërtetë në një shtet të vërtetë! Duket se kjo është humbje e madhe. Po të isha unë në vend të Emin Gërbeshit do ta kisha problem t’i ruaja mendt e kresë. Mirëpo, Emini vërtetë kishte durim. Dhe do ta tejkalojë këtë situatë lehtë. E kam një përshtypje se ai ndjehet si një i burgosur i dënuar me burg të përjetshëm i cili lirohet nga prangat falë një mrekullie!
2. Të gjithë më njohin si një mik të madh të Tina Kajdanov. Kur ajo iku nga Kosova u pata mërzitur shumë. Në çaste të një shthurjeje emocionale pata shkruar një shkrim: ”Adio Tina, rroftë demokracia“! Në përmasat e marrëzisë sime Tinën e konsideroja si UnikKatil të demokracisë! Kohët ndryshuan. Erdhi Delli, një burrë pedant dhe popullor! Me një mjekërr simpatike dhe 100% artistike. Nuk e them dot edhe estetike! E shihje në rrugë, në mesin e rinisë dhe në zdravica të rakisë! Po nuk më doli demokrat siç kam pritur në një Kosovë për demokraci të uritur! Duke u penduar për gabimet e bëra ndaj Tinës dhe për hatër të ardhmërisë demokratike të Stinës pata dalë me një deklaratë laike dhe profetike: ”Sa më shumë që po e njoh Dellin më shumë po e kërkoj dhe dua Tinën”. Tash jam në hidhërim të thellë. Po na lë edhe Delli. E kam pasur mik të madh. Po e lë një zbrazëtirë të madhe. Që nuk mbushet me asgjë. Sepse Delli është i pazëvendësueshëm! Vetëm pasi të largohet edhe fizikisht nga Kosova do të shohim se pse aq shumë kemi pasur nevojë të jemi të lirë! Të flasim lirisht. Të votojmë lirisht! Të flemë lirisht! Të ëndërrojmë lirisht! Dikush lirinë e dikush Dellin! Sipas dëshirës!
3. A mund ta merrni me mend lexues të nderuar se në të ardhmën do të jetë një kuartet muzikor në përbërje: Fitu, Dell, Vetoni dhe Behxheti (Shala)?! Fitu dhe Dell do të ishin rapsodë të shquar ndërsa Vetoni dhe Behxheti do të ishin si vajtojcat e Shkodrës! Delli do t’i binte çitelisë, Fitu sharkisë, Behxheti fyellit ndërsa Vetoni kavallit! Fitu dhe Delli do ta këndonin këngën: ” oj Kosovë oj nana jonë, t’kofshim fal ty përgjithmonë, tana andrrat ti na’i plotsove, shpia t’arit ti na marove…..ndërsa Vetoni dhe Behxheti: ” kur e “varrosëm” Hashimin, nuk e qamë me lot, jo që nuk donim po nuk na rridhnin dot….” etj.etj.!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura