BEJTULLAH KRASNIQI JA: KUSH PO IA FAL TOKËN TONË MALIT TË ZI?!

Prizren, 29. 08. 2016: Demarkacioni, demarkimi apo delimitimi, janë nuanca të terminologjisë profesionale kur kemi të bëjmë me përcaktimin e vijës kufitare në mes dy shteteve. Të gjithë qytetarët e Kosovës, tashmë e kanë kuptuar se dikush nga krerët e Kosovës, me vendim të dikujt nga jashtë Kosovës, po tenton t’ia legjitimojë Malit të Zi nja 8300 hektarë tokë, njësoj siç ia falën Maqedonisë para do vitesh mbi 2500 hektarë. Metodat dhe format e trysnisë së Presidentit dhe kryeministrit që po i përdorin ndaj deputetëve janë anakronike, nga kohët e kaluara të sistemeve diktatoriale.
Po pse e gjithë kjo trysni?
A mos Presidenti dhe Kryeministri po e shesin ‘vatanin’? A mos ata po përfitojnë materialisht për vete? Siç po dëgjohet nëpër kuluare. Unë mendoj se jo. Ata vetëm po e respektojnë marrëveshjen e Rambujesë, sipas së cilës Serbia është sovrane mbi Kosovën e të cilën shqiptarët e kanë nënshkrua me vetëdëshirë.
Më 17 shkurt 2008, në seancën “solemne” të parlamentit të Kosovës, Hashim Thaqi në cilësinë e Kryeministrit e lexoi deklaratën në të cilën ndër të tjera thuhej: “… shpall Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”. Në atë tekst sintagma ‘SOVRAN’ mungonte, pikërisht për faktin se sovraniteti mbi Kosovën i ishte lënë tjetërkujt, në këtë rast Serbisë. Ne mund të pimë çaj pa na shqetësuar policët serb, kufijtë e Kosovës më nuk i ruan armata serbe, madje as e jona, degradimin urbanistik të qyteteve e bëjmë vetë pa ndihmën e Serbisë, kontaminimi i rrugëve dhe shesheve të qyteteve me muzikë rome e shitës ambulantë të kinkaleve të krijon përshtypjen se gjendesh në panagjyret rome të qyteteve serbe. Sistemi i ekonomisë, i arsimit, i shëndetësisë… janë në kolaps. Akterët e aferës PRONTO kanë tjera prioritete. Të gjitha këto vetëm sa e gëzojnë Serbinë, në këtë drejtim na ka lënë të lirë. Por për çështjet madhore të shtetit, sovrane është ajo.

Marrëveshja e Rambujesë është përplot enigma, paqartësi dhe sekrete që me ngulm po fshihen nga ne populli i zakonshëm. Po të ishte qeveria e Kosovës sovrane mbi territorin e vetë, si ka mundësi që veriu i Kosovës të mos i bindet? Si ka mundësi që rojat e urës në Mitrovicë, të cilët bënë spastrimin e asaj pjese nga shqiptarët; vranë civil, me eksploziv hodhën në erë objekte banimi e xhamia, vranë policë në detyrë, zaptuan banesat e shqiptarëve, në një kohë që financoheshin nga Qeveria e
Kosovës? Si ka mundësi që po ato roja të urës, me një vendim të përnjëhershëm, (gjakovarët do të thoshin: filhall vendim) të shndërrohen në policë të Kosovës?!!! Se për kë do të punojnë ata policë me uniformë të Policisë së Kosovës, nuk është e vështirë t’ia qëlloni. A ka mundësi që institucionet e Kosovës, me vetëdëshirë të aprovojnë ligje absurde që ua njeh exteritorialitetin të gjitha manastireve ortodokse dhe lagjeve e fshatrave serbe (Rahovec, Hoçë e Madhe, Prizren)? Madje iu morr toka varfanjakëve të Deçanit dhe iu fal manastirit. Si ka mundësi që një kishë e ndërtuar në kohen e luftës, për inat të shqiptarëve, mu në kampusin e Universitetit të Prishtinës, të qëndrojë ende në këmbë? Absurditetet e këtilla janë të pafundme. Sa vetëtorturuese duket e gjithë kjo!
Po t’i merrnin të gjitha këto vendime e veprime qeveritarët dhe deputetët tanë me vetëdëshirë, do të më jepej e drejta t’i quaj, te e pakta, argatë të Serbisë. Mirëpo, unë shpresoj se këtë po e bëjnë për shkak se po i detyron një marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar nga vetë shqiptarët. Në këtë rast më jepet e drejta t’i quaj të ligj dhe të paditur.
Këto ditë Kosovën e vizitoi miku i shqiptarëve, nënkryetari i SHBA-ve Xho Bajden. Ai në konferencën për shtyp, duke u kthyer kah Presidenti Thaqi tha: “Ju po thoni se kufiri është në rregull dhe se po e kundërshton një pjesë e vogël, andaj do të duhej të ratifikohej”. E keni gënjyer kryetar! Kufiri as nuk është në rregull dhe as nuk po kundërshtohet nga një pjesë e vogël e qytetarëve. Ju e dini shumë mirë këtë. Miqësitë nuk thuren mbi gënjeshtra, gënjeshtarët nuk kanë miq.
Kryetari dhe Kryeministri, nuk ka ditë që nuk e përsërisin nga disa herë refrenin demagogjik: “asnjë metër katror nuk e humb Kosova me këtë demarkacion”. Ky refren bajat e fyen inteligjencën kombëtare, përveç atyre që zhvatin nën bishtin e institucioneve. Me këto veprime jeni konsumuar aq shumë, sa barsoletat për ju nuk kanë të sosur.
Vrojtuesit më të vëmendshëm të gjeopolitikës rajonale me lehtësi kanë mund ta vërejnë se Malit të Zi, tokën e Kosovës po ia fal Serbia, ashtu siç ia fali Maqedonisë. E keni vënë re se si liderët e Serbisë asnjëherë nuk janë prononcuar për vijën kufitare Kosovë – Mali i Zi. E dini pse? Sepse e di se këtë vendim të saj do ta implementojë masha e saj në Kosovë. Strategjia e saj afatmesme është që në një të afërme jo të largët, ta gllabëroj Malin e Zi me hatër ose me zor. Në atë rast, arsenali luftarak i saj do të zdirgjej shpatijeve të Bjeshkëve të Nemuna deri në Kuqishtë. Çfarë pasojash do të mund të kishte territori i Kosovës (që ka mbetur sa një sofër vend) nga ato pozicione, nuk është vështirë të imagjinohet.
Gjatë rrugëtimit të tyre drejt lirisë në këto dekadat e fundit, shqiptarët kanë bërë shumë gabime; kanë nënshkruar Marrëveshjen e
Rambujesë e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, kanë pranuar Pakon e Ahtisarit, kanë pranuar gjashtë pikat e Ban Ki Munit. Të gjitha këto janë hartuar në Beograd, sepse as Ahtisari e as Ban Ki Muni nuk mund t’i njohin specifikat detale të raporteve Serbi-Kosovë. Me aq përpikëri, ata nuk i njohin as problematikat e vendeve të veta. Është naive ta besosh këtë. ‘Marifetet’ e Serbisë vetëm sa kanë filluar, ato më të dhimbshmet ende nuk i kemi parë. Prandaj, vetëm revidimi i të gjitha këtyre marrëveshjeve mund të na shpëtojë nga sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, megjithëqë është shumë vështirë, sepse të gjitha këto marrëveshje e dokumente i kanë firmosur përfaqësuesit “legjitim” të shqiptarëve.
Edhe më herët Evropa ka sjellë vendime që kanë peshuar rëndë mbi kurrizin e trojeve shqiptare: Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Marrëveshja e Versajës. Veçse ka një dallim. Asnjëra nga këto marrëveshje nuk e mban firmën e shqiptarëve. Të gjitha ato vendime janë sjellë me argumentin e të fortit, pa miratimin e përfaqësuesve shqiptarë. Kjo na jep të drejtën të kërkojmë revidimin e të gjitha vendimeve që të tjerët i kanë marrë në emër tonin.
Shpresoj se më 1 shtator 2016, në mesin e deputetëve të shumicës do të gjenden deputetë që ende mbajnë të fshehur një grimë dinjitet dhe ta refuzojnë ratifikimin e kufirit me Mailin e Zi, sepse kështu siç është duke shkuar, nuk do të na lënë vend as sa për një kolibe qeni. Është koha e fundit të mësohemi ta mbrojmë atdheun.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura