LEKTYRË FRANCEZE…
(Mbi një përmendore të munguar dhe një pllakë vasaliteti)
Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 09 Fror 2022
Një qëndrim i hershëm i Jean-Paul Sartre, do t’më nxiste meditimin frymëshuar.
Anipse admironte sovjetët bolshevikë, i pyetur se e shihte ai vetë të mundshme jetesën n’sistemin e tillë, kishte thënë: “Jo, është i mirë për të tjerët, por jo për mua”!
A mos, ndoshta, shqiptarët kultivojnë po këtë dyzim moral, veçse njëj përceptimi tjetër: pellgor e çorientues që vijëzon trojet e tyre si hinterland Turkie?
Sartre e pëlqente komunizmin larg tokës franceze. Ishte i mirë vetëm për të tjerë që “janë ferr”. Megjithë flatrimet teorike, ai, atdhedashës i përkorë, refuzonte të keqen.
Ndryshe prej tij, shqiptarët, një eshalon i përbetimit të errtë, dërgon shenjën e kundërt për nënqiellin e rihapur anadollak: nuk është i mirë, por është për mua!
Është gati e pamundur të mos beh ora e dëshpërimit, që, pasi ka akumuluar gjithë ofshâmën e botës, shpërthen në pyetjen e vështirë: athua liria e shqiptarëve qenkësh prorë një pëftesë a një intermexo e alternimit të sundtarëve të huaj?
Në nisje të qindvjetit të kaluar iku turku e mbërriti serbi, kurse tash, një shekull më pas, si në makth të pafund, iku serbi e turku jepet sërish në horizont. Përmendorja e ngritur në Tiranë për turq të rënë tash gjashtë vjet në puç-betejë pushteti, është parashfaqja e tillë trishte.
Dija ime historike njeh kryengritjet e mëdha
kundërotomane që i dhanë rrokullimën Azisë. Dhéu i Kosovës, fushë e male të saj, ishin Votra e tyre, rimun me gjak për Shqipërinë, e pra për Atdheun!
Përse, ndaj, në metropolin shqiptar s’ka një pllakë të tillë përkujtese? Dhe, poashtu, një shesh, një udhë pieteti për shqiptarët e vrarë në luftën e fundme të Kosovës? E që s’kishin rënë në rebelime të brendshme politike, por për çlirim e liri kombëtare!? Ose, madje, një përmendar për Trimin e panjohur kosovar si një kult Flijimi..!
Tirana, me gjasë, vuan akoma mungesën e mendimit global shqiptar!
Tash së voni, veçanërisht!
Ndërkaq, e kuptoj, nuk e shpërfill rolin turk në përplasjet apo aleancat ballkanike, por miqësia strategjike mund të përfundojë shpesh në vasalitet shfytyrues. Një shkrimi të mëhershëm i vura titullin “Faji flet gjuhën tënde”, si një pledoaje reflektimi, një kthim drejt vetes…
Kulmi i së ligës, ndaj, nuk janë ata: aq më pak ca emra anonimë të një kauze të huaj. Janë shqiptarët vetë, ajo galeri mohimtarësh të pakrye që gravitojnë andej: në fijet e fatkeqësisë shpirtërore që endin pëlhurën vdekjes..!