Doli nga shtypi libri universitar i profesorit Musa Sabedini
“Gazetaria Hulumtuese – Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”
Fakulteti Media dhe Komunikim njofton se ka dalë nga shtypi libri universitar “Gazetaria Hulumtuese – Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i autorit Mr.sc. Musa Sabedini, profesor universitar, gazetar hulumtues dhe studiues i medias.
Ky botim përfaqëson librin e katërt universitar të autorit dhe është rezultat i një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese, si dhe i një angazhimi të vazhdueshëm akademik dhe shkencor në fushën e medias dhe komunikimit.
Libri u dedikohet studentëve të gazetarisë dhe komunikimit, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve profesionalë, si dhe të gjithë profesionistëve të medias që veprojnë me integritet, përgjegjësi dhe guxim në mbrojtje të interesit publik.
Në parathënien e librit, autori thekson se ky botim paraqet një përpjekje për ta shndërruar përvojën e gjatë profesionale në një udhërrëfyes akademik, praktik dhe etik për brezat e rinj të gazetarëve, duke riafirmuar gazetarinë hulumtuese si shtyllë themelore të demokracisë dhe zë të ndërgjegjes publike.
Libri është ndër botimet e para në hapësirën shqiptare që trajton në mënyrë të strukturuar, shkencore dhe praktike:
- misionin e gazetarisë hulumtuese,
- rreziqet dhe sfidat profesionale,
- dimensionet etike, ligjore dhe morale të profesionit,
- ndikimin e epokës digjitale dhe mediave online,
- teknikat moderne të raportimit hulumtues.
Vepra është e ndarë në tre kapituj kryesorë, të cilët përfshijnë analiza teorike, shembuj konkretë nga praktika vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reflektime mbi transformimin e gazetarisë në kohën e teknologjisë digjitale.
Një veçanti e rëndësishme e librit janë 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojën profesionale dhe akademike të autorit. Ato trajtojnë aspektet profesionale, etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues dhe synojnë të shërbejnë si mjet praktik për studentët, gazetarët në fillim të karrierës, si dhe për profesionistët me përvojë.
Recensenti i librit, prof. dr. Safet Zejnullahu, vlerëson se ky botim vjen në një moment kyç për gazetarinë bashkëkohore, duke ofruar një qasje kritike dhe të thelluar ndaj sfidave që sjell gazetaria e internetit dhe nevoja për ruajtjen e standardeve profesionale të gazetarisë hulumtuese.
Autori shpreh mirënjohje të veçantë ndaj rektorit të Kolegji UBT, prof. dr. Edmond Hajrizi, për mbështetjen institucionale dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe shkencor.
Libri ka 718 faqe dhe botohet nga Kolegji UBT, duke u pozicionuar si literaturë bazë dhe referuese për studimet universitare dhe pasuniversitare në fushën e gazetarisë dhe medias.
Ky botim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm akademik dhe profesional në studimet e gazetarisë hulumtuese dhe një referencë të qëndrueshme për edukimin e brezave të rinj në këtë fushë.
Ndryshe, Musa Sabedini është autor i14 punimeve shkencore, të prezantuara në konferenca ndërkombëtare, si dhe ka botime në revista shkencore amerikane dhe në baza të indeksuara ndërkombëtare, përfshirë SCOPUS. Që nga viti2011, ai ligjëron në Degën e Medias dhe Komunikimit në Kolegji UBT.
Sabedini është tash 14 vjet anëtar i Bordit të Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, si dhe drejtues i portalit online”Rajonipress”, i cili bashkëpunon me autorë të njohur nga fusha të ndryshme të hapësirës shqiptare.
Për kontributin e tij profesional, Musa Sabedini është vlerësuar mekatër çmime për gazetari hulumtuese në Kosovë, në vitet2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.
ARIF EJUPI

——————————-
Mr. sc. Musa Sabedini – nga praktika profesionale në ndërtimin e manualit akademik të gazetarisë hulumtuese
Sot, Prishtinë në ambientet e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), u zhvillua një ngjarje me peshë të veçantë akademike dhe kulturore. Në prani të profesorëve, studentëve, studiuesve të medias, si dhe miqve e familjarëve të autorit, u promovua vepra voluminoze “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”.
Libri është konceptuar si një tekst referencial për studentët e gazetarisë, studiuesit e medias, gazetarët hulumtues, redaktorët dhe profesionistët e përkushtuar ndaj së vërtetës dhe interesit publik.
Me këtë rast, i pranishëm ishte edhe rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se libri i Mr. sc. Musa Sabedinit është ndërtuar si një udhërrëfyes akademik dhe profesional për gazetarinë hulumtuese. Ai vlerësoi se kjo vepër përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin teorik dhe praktik të gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe më gjerë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori Edmond Hajrizi e përgëzoi profesor Sabedinin për botimin e librit, duke e cilësuar atë si një ndër veprat më cilësore dhe më të kompletuara në fushën e gazetarisë hulumtuese në hapësirën akademike shqiptare.
Ngjarja u karakterizua nga një dialog i hapur akademik ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve, ku, përveç prezantimit të strukturës dhe përmbajtjes së librit, u diskutuan gjerësisht sfidat bashkëkohore të gazetarisë hulumtuese, dilemat etike dhe roli i saj në funksionimin e demokracisë moderne.
Vepra u prit me vlerësime të larta edhe nga kolegët dhe studentët e medias, duke u konfirmuar si një burim i rëndësishëm referencial për studimin dhe praktikën e gazetarisë hulumtuese në Kosovë dhe rajon.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi, vlerësoi angazhimin profesional dhe kontributin e vazhdueshëm të autorit në ndërtimin e mendimit kritik dhe formimin profesional të studentëve të gazetarisë.
Në këtë kontekst, recensenti i librit, Safet Zejnullahu, theksoi se vepra vjen në një moment kur themelet tradicionale të gazetarisë po sfidohen seriozisht nga transformimet e shpejta të teknologjisë digjitale.
Sipas tij, ndryshe nga gazetaria tradicionale, ku profesionalizmi ishte më i konsoliduar pavarësisht kufizimeve teknike, gazetaria online ofron mundësi të shumta, por shpesh e zbeh thellësinë dhe rigorozitetin e gazetarisë hulumtuese për shkak të presionit të shpejtësisë dhe fragmentimit të informacionit.
Zejnullahu vlerësoi strukturimin metodologjik të librit në tri pjesë kryesore:
• pjesa e parë trajton misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese, të ilustruara me raste konkrete vendore dhe ndërkombëtare;
• pjesa e dytë analizon ndikimin e gazetarisë së internetit dhe transformimin e profesionit;
• ndërsa pjesa e tretë fokusohet në teknikat moderne të raportimit hulumtues, të përshtatura për epokën digjitale.
Një vlerë e veçantë e veprës, sipas recensentit, janë 101 pyetjet dhe udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojën profesionale të autorit, literaturën bashkëkohore dhe raste konkrete, duke përfshirë dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të gazetarisë hulumtuese.
Duke folur për librin, profesori Musa Sabedini theksoi se kjo vepër përfaqëson kurorëzimin e një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese.
Ai nënvizoi se libri nuk është thjesht një manual praktik, por një reflektim i thellë akademik mbi përvojat reale, sfidat, rreziqet dhe dilemat etike të profesionit.
Sipas autorit, përmbajtja e librit mbështetet në një arkiv të pasur profesional, në përvojën e tij akademike si ligjërues në UBT, si dhe në pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare dhe botimin e punimeve shkencore në revista prestigjioze.
Autori ritheksoi se gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat themelore të demokracisë moderne, një mekanizëm thelbësor për zbardhjen e aferave, ndriçimin e padrejtësive dhe mbrojtjen e interesit publik.
Në një kohë të rritjes së presioneve politike dhe ekonomike mbi mediat, ai vlerësoi se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si e mirë publike, përmes mbështetjes institucionale, angazhimit qytetar dhe integritetit profesional.
Promovimi u pasurua edhe me kontributet e ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi dhe kolegëve Faton Ismajli dhe Betim Musliu, të cilët vlerësuan profesionalizmin dhe integritetin e autorit, si dhe rëndësinë e librit për edukimin e brezave të rinj të gazetarëve.
Libri përmbyllet me një mesazh të qartë dhe motivues për të rinjtë: profesionalizmi, guximi, integriteti dhe përkushtimi ndaj së vërtetës janë kushtet themelore për mbijetesën dhe dinjitetin e gazetarisë hulumtuese në shoqërinë bashkëkohore.

ARIF EJUPI