LUAN RAMA: DËSHMITË E FRANCEZËVE PËR KONVERTIMIN ME TORTURA TË SHQIPTARËVE

Pashtriku.org, 06. 02. 2014 – Tregimet e priftit lazarist Jean-Claude Faveyrial, autorit të tekstit të parë të historisë shqiptare Histori e Shqipërisë, janë tronditëse. Fletoret e tij me shënimet e udhëtimeve në Shqipëri, unë i gjeta në Misionin Lazarist të Parisit, sipas një treguesi të Robert Elsie. Por duke lexuar fletoret e tij, tronditja ime ishte e madhe, pasi bëhej fjalë për konvertimin me tortura të tmerrshme e përndjekje të padëgjuara të disa fshatrave katolike në myslimanë.
Pyetje: Pas librit Dorëshkrimet e Purpurta, ku i bëhet jehonë kodikëve shqiptarë në kuadrin e kodikëve më të vjetër të njerëzimit, para një viti ju sollët para lexuesit librin tjetër historik “Kalorësit e Stuhisë”, një afresk historik në marrëdhëniet franko-shqiptare parë në kuadrin e luftërave shekullore, veçanërisht nga anzhuinët deri në shekullin XVII. Tashmë ju vini me një libër të ri, Bujtës të Largët, – Mbresa të udhëtarëve francezë në Shqipëri gjatë shekullit XIX. Çfarë ju shtyu të shkruani këtë libër?
L.RAMA:
Historia më ka pëlqyer gjithnjë edhe pse pena ime më ka çuar fillimthi në shtigje të tjera, poezi, ese, roman, por ajo që ka qenë karakteristike e kësaj krijimtarie ka qenë gjithnjë se këto libra kanë pasur një itinerar të përbashkët, Francë-Shqipëri, si diçka që lidh këta dy popuj përgjatë historisë. Pra dhe ky libër është ndërtuar me një sërë personazhesh të vërtetë, konsuj, gjeografë, historianë, etnografë, kartografë, arkeologë, etj, të cilët e kanë përshkuar Shqipërinë gjatë shekullit XIX, pra nga koha e konsullit François Pouqueville (Pukvil) më 1806 deri tek konsulli francez i Shkodrës, Aleksandër Degrand, që e la Shqipërinë në vitin 1899. Vëzhgimet e tyre në Shqipëri, shumica i botuan në revistat më prestigjioze të kohës si nëRevue des Deux Mondes, La Tour du Monde, në revistat gjeografike e historike etj., e më pas shumë prej tyre i botuan në libra të veçantë si Pouqueville, Ami Boué, Alfred Dumont, etj.

– Konvertimi i shqiptarëve (në Mal të Zi) me dhunë –

Pyetje: Duhet të ketë qenë një punë e vështirë për gjetjen e këtyre shkrimeve të rralla?
L.RAMA:
Po, sepse bëhet fjalë për libra të vjetër, artikuj që vështirë t’i gjesh…p.sh. artikujt e disa gjeologëve të hershëm që kishin zbarkuar në Shqipëri unë i gjeta veçse në koleksionet e “Société de la Géographie”. Po kështu, një libër me kujtime të konsullit francez në Shkodër Aubaret apo të gjeografit dhe kartografit Guillaume Lejean. Por akoma më e vështirë ishte gjetja e fotografive të tyre. Duhet të kërkosh shumë, të qëmtosh në arkiva, është një kohë tepër e madhe që harxhojmë, por në fund të fundit gjithçka është pasionante.
Pyetje: Keni arritur të lexoni gjithçka?
L.RAMA:
Ah, jo…për versionin në frëngjisht po kërkoj në arkiva të tjera. Duke studiuar për jetën e konsullit francez Gabriel Aubaret, (1866), pikasa se një konsull tjetër pas tij, Colonna Ceçaldi, kishte shkruar një libër mbi Shqipërinë, i cili nuk gjendej as në Bibliotekën Kombëtare të Francës ku gjenden miliona e miliona libra. Atë libër e kam gjetur tani vonë, pasi ai gjendet veçse te një antikuar. Deshifrimi i historisë shqiptare vetëm këto dy dekada ka filluar të bëhet më i dukshëm. Tashmë po e shohim historinë ashtu siç ka qenë dhe jo ashtu siç e donin ideologët e ndryshëm. Rrugët janë hapur që historianët dhe letrarët apasionues të historisë të qëmtojnë bibliotekat e mëdha të botës, veçanërisht në Vatikan, në Venedik, në Paris, Stamboll, në Vjenë apo në Napoli e Milano etj. Kështu, fragmente të shumta të historisë po mbushen me një material më të pasur, ku mund të kujtojmë sensin e vërtetë të ngjarjeve historike dhe vendin e shqiptarëve në historinë europiane. Në librin e tij L’Adriatique et les Balkans, Alfred Dumont shkruante: “Ky popull kaq i panjohur, i cili ruan imazhin më të saktë të asaj çka ishin etërit e racës greke e latine, meriton gjithnjë interesin e historianit. Ky popull do të mbetet si dëshmitar i gjallë i një të kaluare që shpesh besojnë se është zhdukur. Asnjë vend në Evropë nuk ka zakone më të lashta. Dhe kjo shpjegon habinë e dijetarëve të vërtetë dhe studiuesve të këtyre tribuve, që besonin se ata janë ajo çfarë ka mbetur nga ajo racë misterioze: e pellazgëve që ne gjejmë në gjenezën e dy qytetërimeve më të bukura të botës së vjetër”.
Pyetje: Ku qëndron vlera e evidentimit të shkrimeve dhe studimeve të këtyre udhëtarëve. Çfarë i bën ato interesante për lexuesin e sotëm?
L.RAMA:
Të gjithë këta udhëtarë, duke sjellë secili një pjesë të afreskut të përgjithshëm të shoqërisë shqiptare në atë shekull, krijojnë tek lexuesi i sotëm një imazh të Shqipërisë së viteve 1800, se cila ishte drama dhe tragjedia popullore, mitologjia, legjendat, epika historike etj. Tregimet e priftit lazarist Jean-Claude Faveyrial, autorit të tekstit të parë të historisë shqiptare Histori e Shqipërisë, janë tronditëse. Fletoret e tij me shënimet e udhëtimeve në Shqipëri, unë i gjeta në Misionin Lazarist të Parisit, sipas një treguesi të Robert Elsie. Por duke lexuar fletoret e tij, tronditja ime ishte e madhe, pasi bëhej fjalë për konvertimin me tortura të tmerrshme e përndjekje të padëgjuara të disa fshatrave katolike në myslimanë. Por shpesh, përshkrimet e udhëtarëve janë të çmuara, pasi këtu e dy shekuj gjërat kanë ndryshuar dhe ato janë përshkrimet e vetme historike, p.sh. përshkrimet e Victor Berard dhe funeralet e të vdekurve, pazari i gurëve të varreve në Kavajë, personazhe e kohëra të çuditshme. Në udhëtimet e tij në veri, në zbulimin e kishave shqiptare, Degrand shkruan se “Mbi rrënojat dhe me gurët e dikurshëm të katedrales, banorët kishin ngritur një kishë, që siç shkruante Daniele Farlati ishte “Kisha e Lindjes së Virgjëreshës”, me një pllakë që datonte e vitit 1410. “Në dysheme ka shumë varre, – shton Degrand, – madje dhe të reja. Vdekja sikur e ka pushtuar këtë kishë. Mbi secilin varr janë degët e pemëve që kanë mbajtur të vdekurin dhe në kokë të varrit duken kryqet e drurit, që me krahët e tyre u japin atyre pamje të qenieve fantastike, sikur ato qenie të ngrihen nga toka duke mbajtur me ato duar të përdredhura kokat e tyre…Mbi kokë, dhe në çdonjërin sup qëndron një zog i gdhendur në dru, çka i bën ato si qenie që jetojnë në hapësirë…». Dhe konsulli lë pas këtë «bodrum të vdekurish», siç e quan ai kishën, për të ndjekur rrugën drejt kishave të tjera mesjetare. Një inventar padyshim historik, pasi rreth e rrotull kështjellës së Rozafës, ai do të pikëtakonte tetë kisha të hershme, mes të cilave, siç shkruan ai, Kishën e Shenjtëve të Pafajshëm dhe atë të Shën Pjetrit. Udhëtarët francezë madje bëjnë përshkrime mjaft interesante për tipin dhe karakterin e shqiptarit, apo përshkrime letrare që të habisin për mjeshtërinë e tyre, siç janë ato të Joseph Reinach.
Pyetje: Do ishim kuriozë të dinim se si e shihnin dhe e komentonin të huajt Kanunin?
L.RAMA:
Kanuni ishte një nga kuriozitetet e veçanta të udhëtarëve të huaj në Shqipëri, pasi ligjet e marrjes së gjakut kishin shekuj që ishin shuar në hapësirën ballkanike, por dhe europiane. Disa studiues kanë shkruar gjatë për këtë: në veçanti historiani Cyprien Robert, por dhe Guillaum Lejean, Degrand, apo në hollësi Alfred Dumont, i cili bën përqasjet e ligjeve shqiptare të gjakut me ato të epokës homerike dhe krahasimet e tij janë të habitshme. Alfred Dumont në librat e tij pikas se gjatë shekujve, pagesa me bagëti kaloi në pagesën me para. “Për shqiptarët, një vrasje vlen 750 piastra. Tarifa e princave “merovingines” (frankët e shekujve V-VIII, L.R.) nuk ishte më e lartë se kaq. Zakoni i pagimit në raste të tilla u zhduk shpejt tek helenët. Në ‘skenën e gjykimit’ që e shohim në mburojën e Akilit, të dyja palët kundërshtare diskutojnë rreth çmimit që duhet paguar për një të vrarë. Grekët përdornin fjalën që më vonë nënkuptonte ndëshkimin. Ndërsa peine, tregon një pagesë, nga fjala latine pendere, poenam”. Tacite shkruan se ishte koha e gjatë e gjakmarrjes që bëri të lindë kompensimi. “Duhet ndarë urrejtja ndër të afërmit dhe miqtë e babait të tij. Këto urrejtje nuk janë të pamëshirshme. Madje dhe vrasja paguhet, pësohet, përmes dhënies së një numri kafshësh. ‘Atëherë gjithë familja është e kënaqur’. Kjo frazë zbatohet tek shqiptarët dhe gjermanët”. Dumont shënonte gjithçka: rite, zakone, tipa socialë, besëtytni popullore…-“S’ka popull që të mos u ketë besuar shpirtrave. Por ka diçka që ka mbetur e veçantë tek shqiptarët: funeralet dhe banketi për të vdekurit. Kur një shqiptar vdes, mblidhet e gjithë familja: ata shkulin flokët dhe çjerrin faqet, të cilat shpesh mbulohen me gjak. Ai i gris dhe teshat e trupit. Secili nga familja duhet t’i flasë të vdekurit, duke lëvduar dhuntitë e tij: improvizimet e tyre që zgjasin me orë, ndërpriten nga klithma dhe të qara. Kur ke parë një skenë të tillë, kjo s’mund të harrohet…».
Pyetje: Së fundi, doja t’ju pyesja lidhur me itinerarin tuaj artistik: ju keni botuar në Francë një vëllim poetik, Mbulomëni me një copëz qiell, një ese mbi gjendjen e artistit shqiptar në epokën totalitare në Shqipëri, Udha e gjatë në tunelin e Platonit, i cili është nderuar me një çmim, po kështu libra për piktorë etj., ndërsa kohët e fundit po parapëlqeni më shumë libra historikë. Përse ky ndryshim në krijimet tuaja?
L.RAMA:
Keni të drejtë, kam botuar dy romane, shumë libra me ese, dhe ja, tani parapëlqej të shkruaj për historinë. Në fakt, në kohën kaotike të shoqërisë së sotme shqiptare, veçanërisht të politikës, e vetmja zgjidhje që më është dukur më e udhës dhe të paktën e dobishme ishte ajo që të merresha me histori. Kam botuar shumë shkrime politike, kemi folur shumë për filozofët e mëdhenj të demokracisë, Shtetin e së Drejtës, të drejtat e njeriut dhe Shoqërinë e Hapur; kemi kritikuar autoritarizmin apo atë që unë e kam quajtur “demo-kraturë”, ku gjejnë vetveten dhe demokracia elementare dhe diktatura në grahmat e saj, por politika e sotme as që do t’ia dijë për shkrimet dhe kritikat e publicistëve dhe të shoqërisë civile apo të “kundër-pushtetit”. Ata e kanë zgjedhur udhën e tyre dhe veç shohin me cinizëm nga ne: politika dhe paraja janë lidhur shumë fort dhe duket utopike ta shkatërrosh këtë gjë që kanë krijuar politikanët tanë pas tranzicionit politik, që për fat të keq është një tranzicion që vazhdon. I vetmi kontribut duket se është të vësh në pah diçka pozitive të së kaluarës sonë.
Shënime nga bujtësit e largët
Pajtimi mes dy familjeve në gjak ishte një spektakël i denjë për penën e tragjedianëve të mëdhenj klasikë, Sofokliu apo Euripidi, etj -shkruante Cyprien Robert, dëshmitar i këtij spektakli. Ndërsa, Albert Dumont shikonte se në kullat guri të maleve shqiptare, në dasmat, proçesionet funebre, gjakmarrjet, mitologjinë, ritet pagane, etj, prushet homerike ende nuk ishin shuar
Cyprien Robert, historian: Ritet e faljes së gjakut
… Udhëtimi i Cyprien Robertit është i vështirë dhe me të papritura. Malet janë plot thepisje dhe duhet të guxosh që të ecësh dhe bësh përpara, duke kaluar bri thepisjesh e humnerash. Dhe diku, në fshatin tjetër, vazhdojnë përsëri historitë e kodeve të vjetra të gjakmarrjes dhe të mikpritjes. Por këtë radhë është fjala për “pagesën e gjakut”, një mënyrë për të ndaluar hemorragjinë e gjatë midis fiseve në gjak. “Marrëveshjet mes fiseve në gjak bëhen përmes atyre që quhen ‘plak’,- shkruan Robert. – Zakonisht mblidhen 12 pleq së bashku (ose 24), të cilët ulen në formë rrethi, mbi një pirg guri, duke formuar kështu atë që quhet ‘rrethi i gjakut’, i cili drejtohet nga një kryeplak. Është ai që kërkon shpagimin e gjakut. Këmbanat bien, gratë afrohen me veshjet e tyre më të mira dhe bëhen lutje solemne para kishës dhe flamurit të fisit në krye të saj. Dymbëdhjetë nëna të fisit që ka bërë vrasjen, vijnë duke mbajtur në gji foshnjat e tyre dhe ato rënkojnë nga dhimbja në këmbë të njeriut që ka pësuar tragjedinë. Ndërkohë, pleqtë diskutojnë çmimin e gjakut. Të gjitha plagët e të vrarët, numërohen me imtësi, duke caktuar çmimin që duhet paguar si në kodet e vjetra gjermanike apo të frankëve. Më së fundi shfaqet fajtori, i cili ka varur në qafë armën e viktimës. Ai zvarritet në gjunjë deri tek prijësi i gjykimit, i cili i heq atij armën nga qafa dhe e flak tutje. Familjarët e viktimës e marrin dhe e thyejnë atë. Kryetari i familjes tundet, qan, vështron qiellin dhe ndërkohë fajtori i puth gjunjët. Por ai i përgjigjet: “Shpirti im nuk është ende gati”. Më së fundi, kur ai është gati ta falë, ai e ngre fajtorin e mbytur në lot, e mbështet pas gjoksit të tij dhe bashkë me të hidhen në krahët e prijësit pajtues. Një paqe e përjetshme vendoset përmes betimit midis dy fiseve, të cilët sipas shprehjes ‘gjaku u përzje’, bëhen miq për kokë. Ai, të cilit i detyrojnë gjakun, zgjidhet si kumbar i fëmijës së parë që do të lindë nga fisi tjetër. Atëherë kjo familje shtron një gosti të bollshme, ku piqen dele dhe ndonjëherë disa buaj dhe ku hidhet valle. Në fund, para se të marrin leje të largohen, prijësi i familjes së viktimës u kthen një pjesë të pagesës ose shpesh dhe gjithë shumën e taksës së detyruar. Kuptohet që një gjendje e tillë shoqërore e bën të pamundur në Shqipëri çdo lloj administrimi të rregullt. Dhe Porta Sublime mbetet armikja më e madhe e jetës klanike. Ajo çka kërkon ajo, përmes litarit e shpatës, është që klanet feudale të organizohen me bej trashëgues…”.
Alfred Dumont, historian: Gratë e rrëmbyera si në tregimet antike
– “Jeta shqiptare është tepër e thjeshtë. Ata nuk janë bujq dhe i përbuzin punët e mundimshme. Ata i çojnë bagëtitë në kullota, siç bënin heronjtë grekë, të cilët të gjithë ishin barinj. Nëse stina është shumë e keqe, ata djegin dru dhe bëjnë qymyr. Kjo padyshim është industria primitive që historia mund të ketë…”. Atij i bën përshtypje jeta e shqiptarëve nëpër kasolle, por megjithatë habitet që gjen atje thesare të vërteta. Jo vetëm armë të bukura e të punuara në filigran, por dhe varëse ari, bizhuteri të jashtëzakonshme dhe zbukurime të tjera që malësorët i transmetojnë brez pas brezi. “Si vallë këto xhevahire kanë ardhur deri në këto male? – Askush nuk e di”. Shqiptarët më të respektuar, ata që quhen ‘plak’ dhe që shikohen si nderi i racës së tyre, bëjnë punë edhe nga më të rëndomtat. Gjatë kohës që i biri u prin buajve në arë, si Menelas, i ati ndërton shtëpinë, ashtu si Uliksi. Për darkë, kur ju pret si mik: ai e ther delen vetë, ashtu siç bënte Akili. Ulemi në tokë në mes enëve më të zakonshme dhe ju përcillni dorë më dorë një tas të marrë nga miqtë e tyre të civilizuar. Gratë shërbejnë. Kur darka mbaron, plaku merr lahutën dhe luan vetë, ndërkohë që të rinjtë bëjnë gara ose bashkohen të kapur për qafe, në një valle të vjetër; burrat kapen nga duart dhe bëjnë gjoja si viktimat në labirinthin e Kretës. Kështu, gjithçka të sjell kujtimin e përshkrimeve homerike… Aristoti tregon se kërkesa që i fejuari t’u paguajë prikë prindërve të nuses është një nga karakteristikat e shoqërisë primitive. Shqiptari e bën këtë pagesë. Kjo shumë e paguar nga burri, në ligjet lombarde quhet ‘mund’ dhe është objekt i shumë diskutimeve. Kodi i Ethelbert përcakton numrin e kafshëve që burri do t’u japë prindërve të gruas së ardhshme. Në të njëjtin kuptim, Homeri shkruan se gratë e bukura vlejnë shumë buaj. Kjo fjalë tek grekët është si ‘mundinen’ tek gjermanët. Në disa tribu, martesa bëhet me të grabitur. Çdokush do të martohet duke grabitur gruan e tribusë armike. Në Orosh, në qendër të Mirditës, pothuaj gjithë gratë janë të grabitura. Princi i zonës, meqë para disa vitesh mbeti i ve, ai grabiti bijën e një beu të Krujës. Dhe kjo është e përgjithshme në këto male…Burri do që askush mos ta prekë atë. Ai është i ëmbël me të, e trajton si fëmijë që kërkon ta përkëdhelin dhe që i ati ia jep. I shtyrë nga instinktet, edhe pse jo nga ndjesi sensuale, shqiptari, krah gruas së tij merr dhe një tjetër. Kisha katolike ka qenë mjaft e ashpër ndaj kësaj praktike, por poligamia nuk është e rrallë tek kristianët dhe myslimanët e këtyre maleve. Prifti nuk i njeh këto lidhje, ndërsa shqiptari nuk i sheh ato si fajtore, edhe pse gruaja legale ka një lloj superioriteti. Tjetra qëndron në një pozitë inferiore, njësoj si tek mbretërit grekë të antikitetit, ku robinat mbushnin shtëpitë e tyre…»
Në çdo vend që ndalonte Dumont, gjente gjurmë të një jete të lashtë, si të thuash gjurmë homerike, atë çka prej shekujsh ishte shuar në tokat parahelene dhe që këtu ishin ende të gjalla. – “Habitesh ndonjëherë të shohësh ligjet e vjetra në Itali dhe Greqi, ku gruaja përjashtohet nga trashëgimia… Në Shqipëri, vejusha nuk ka asnjë lloj trashëgimie në pronat e burrit të vdekur. Janë të bijtë që marrin tokën dhe bagëtitë. Nëse nëna nuk martohet, ajo konsiderohet si pasuri e lënë nga burri i vdekur, ose më shpesh ato i mbajnë pranë tyre. Shumë herë gruaja kthehet në familjen e prindërve të saj vetëm me gjërat e përdorimit që i japin gjatë fejesës. Zakonet antike tregojnë se në shumë vende, vejusha mund të martohej dhe pa dëshirën e saj me burrat e familjes së burrit të vdekur. Ky zakon është tek shqiptarët dhe ne s’kemi asnjë vështirësi për ta konstatuar atë. Gruaja është më shumë një plaçkë, një objekt, sesa një njeri. » Ai konstatoi me habi që në disa qytete, kur vajzat kalonin moshën e adoleshencës, ato i mbanin të mbyllura në shtëpi deri sa ato martoheshin. – «Ato që janë kristiane dalin një herë në vit për të shkuar në meshën që bëhet posaçërisht për to, gjatë natës së Krishtlindjes. Me përjashtim të kësaj feste, ato shohin veçse njerëzit e familjes dhe priftin që u vjen tu mësojë katekizmin… Udhëtarët e kanë thënë shpesh se një burrë mund të udhëtonte në të gjithë Shqipërinë nën mbrojtjen e një gruaje. Në këto vënde, prekja e nderit të gruas është diçka shumë e rrallë».

Victor Berard, historian: Elbasani, bashkësia e paqtë mes myslimanëve, vllehve dhe ortodoksëve
Pas një qëndrimi të shkurtër, karvani i tyre vazhdoi udhën drejt Elbasanit, duke ndjekur rrjedhën e Shkumbinit. Rrugës, nga mërzia, Abedini ia ka marrë një kënge mbi lavdinë e Ali Pashë Tepelenës dhe tri korbave të Sulit, ndërkohë që Mehmeti as fliste e as mendonte për ndonjë gjë. Por pas pak, një tufë e madhe resh ishte mbledhur në qiell dhe shiu kishte nisur të binte. Vetëm në muzg, karvani kishte arritur në fushën para qytetit të Elbasanit… Berard vë re se qyteti është i ndarë në tri lagje të mëdha kompakte, por përballë njëra tjetrës Në zëmër të qytetit, në “castro”, siç e quan ai vendin ku ngrihej kështjella e vjetër e qytetit, banojnë kristianët, rreth 150-200 familje me 750-800 banorë; rreth “castro”-s (kështjellës), 500-600 shtëpi me 2000-3000 vetë, ndërkohë që më tutje, rrotull, janë vllehët, rreth 160-180 shtëpi me 800 kristianë të tjerë. Por siç nënvizon ai, “shqiptari nuk është tepër i eksituar ndaj fesë”. Një përshkrim i bukur është vajtja e tij në një kishë të kristianëve, ku gratë çojnë vajzat e tyre të kungohen, veshur me rrobat më të mira dhe me trëndafila e karafila vendosur nëpër flokë, ato flokë të mbledhura e të bëra gërsheta të vegjël e të shumtë, zbukuruar me stoli sermi dhe emali, me hajmali e krehra të vegjël sedefi. “Nënat e tyre kanë veshje si të gjitha ato gra kristiane e çifute që ndesh në thellësi të Turqisë: kaftanin e gjerë e të gjatë në ngjyrë të errët e mbuluar nga një lloj gëzofi. Kjo lloj rrobe e gjerë që zbret gjer afër fundit të këmbëve, lë të duken fundet e çitjaneve të kuqe e kapura pas kaviljeve. Në këmbë kanë qafëza të verdha, pa taka, çka duken si shputa të mëdha. Fytyrat e tyre, si dhe të vajzave të reja, janë thatime, me sy të etura, faqe të zbehta e me një profil shumë të ashpër. Ajo që ka më pak fëmijë, ka veçse tri-katër. Por ata, për gjithë këto nëna, janë pasuria më e madhe. Rreth e rrotull kishës shihen gurët e varreve. Anash, në të djathtë të kokës së varrit të të vdekurit, tek veshi, ka gjithnjë një dritarez të vogël apo kamare, ku siç thuhet, “do të vijnë dallëndyshet për të më lajmëruar pranverën dhe bilbilat që do më tregojnë për majin e bukur”. Në varret e reja, njerëzit kanë bërë blatime të shenjta: një shportë me bukë, një enë me peshq të vegjël, një gjellë me bajame, rrush të thatë, oriz të zier apo grurë. Madje mbi to ka dhe liko, petale lulesh dhe gjethe me erë të mirë. Një llambadhë digjet tek koka e varrit… Një plakë e ulur në gjunjë qante në varrin e nipit të saj të vdekur dhe nuset e vajzat qëndronin në këmbë pas saj. Duke shkuar dorën e rreshkur mbi gurin e varrit, ajo sikur kërkonte fytyrën e atij njeriu të dashur. Pasi ndenji një kohë në heshtje, e mbytur nga dhimbja e lotët, ajo nisi t’i flasë atij: ”Pse ike e na le, shpirti im, o karafili im! Kthehu dhe eja në tavolinën time. Ne po derdhim tani lot të zinj e ti s’po vjen. Kthehu o drita ime, o zemra ime!”… dhe duart e saj lëmonin gurin e varrit. Ne u ndalëm diku pranë saj. Ajo më pa dhe më bëri shenjë të afrohesha pranë saj. Ishte shtatlartë dhe e re si unë. Më kujtoi se nuk i kisha pranë as nënën e as motrën time dhe se isha larg shtëpisë. Ajo mori në pjatën pranë të vdekurit dy peshq të vegjël, një copë bukë dhe një tufë lulesh e m’i dha që të kem fat për rrugës që të mos më ngacmojnë shpirtrat e këqij e të mos kem ngjarje jo të mira ; që nëna ime, një ditë të më shohë të kthehem pranë saj. Pastaj ajo më çoi pranë burrave, të cilët midis vajtojcave tundnin fustanellat e tyre dhe diskutonin për punët që kishin… » (Intervistoi: Aida Tuci, MAPO, 04. 06. 2012)

————————————-

– KUSH ËSHTË LUAN RAMA –
SALI ONUZI: LUAN RAMA, DIPLOMATI I KULTURËS SHQIPTARE NË PARIS
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2367

——————————————————

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura