RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (23)

Nga Asllan Muharremi

Udhëtimi i Sheremet Saraçit në Turqi dhe takimi me Sabri Novosellën

    Isha për vizitë tek Sheremet Saraçi. Në atë rast Sheremeti më njoftoi se do të udhëtonte në Turqi. U gëzova shumë për lajmin që mora. Sheremetin nuk e kam pyetur se kë do të takonte. As ai nuk më ka folur për ndonjë emër apo adresë. Kemi biseduar dhe jemi pajtuar se cilat çështje janë të rëndësishme të shtrohen, gjatë takimit me shokët në Turqi.

     Shpresoja se me udhëtimin e tij do t’i rivendosim lidhjet me Lëvizjen. Sheremeti  e njihte gjendjen e krahut tonë të Lëvizjes dhe unë isha plotë shpresë se ai do të kthehej nga takimi me ndonjë nga udhëheqësit tanë, me ndonjë direktivë, këshillë e udhëzim për punën tonë.

      Pas një jave  Sheremeti do të duhej të kthehej nga Turqia, prandaj  natën e tetë i shkova tek shtëpia e tij dhe i bëra “tre trokitje” në murin e shtëpisë tek dhoma e ditës, ashtu siç bëja zakonisht, sa herë i shkoja për vizitë.

     Menjëherë doli Sheremeti dhe ma hapi derën e shtëpisë. U futëm brenda dhe pas përshëndetjes edhe me Elhemen, nisëm bisedën vetëm  me Sheremetin.

      -Rrugës andej e këndej e kalova mirë. Edhe punët që kisha i kam mbaruar dhe shokun e Lëvizjes e kam njoftuar për gjendjen në rrethin tonë. Mirëpo, gjatë bisedës, Sabri Novosella, më pyeti se “përse unë nuk po bija në burg, ndonëse isha anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi që nga themelimi i saj?!” Kjo më zemëroj shumë. Jam grindur me Sabriun për këtë çështje. Kurrë mos u pjekshin sytë e tij dhe të mitë!- më tha Sheremeti.

  • Sheremet Saraçi

Sheremet Saraçi ndjehej i hidhëruar e i fyer dhe ky fakt më shqetësoj shumë.

     Në atë rast Sheremet Saraçi më njoftoi edhe për përpjekjet që ishin bërë për bashkimin e LNÇKVShJ-së dhe OMLK-së, më herët dhe ato në mes LNÇKVShJ-së dhe PKMLShJ-së më vonë, për problemet që kishin dal gjatë përpjekjeve për bashkimin e të gjitha forcave patriotiko-revolucionare në luftën tonë për barazi dhe Republikë, që nga vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës me 17 janar të këtij viti (1982) në Untergruppenbach të Gjermanisë.

      Në fund të bisedës Sheremet Saraçi ma dha një pako cigaresh, të zbrazët, që ishte dhuratë për Aliun nga Sabri Novosella, por që për shkak të zemërimit e kishte pirë rrugës. Në atë rast nga Sheremet Saraçi e kam marrë një numër të “Zërit të Kosovës” të cilin ai më tha se e ka marrë nga një shok i Lëvizjes që ndodhej në Kosovë, që sapo ishte kthyer nga Turqia.

      Udhëtimi i Sheremet Saraçit  dhe telashet që i kishin dal me Sabri Novosellën, mua më hodhën para një gjendje të pazakontë. Sheremet Saraçi kishte udhëtuar në Turqi për ta koordinuar aktivitetin tonë me atë të udhëheqjes së Organizatës sonë dhe ishte kthyer i zhgënjyer! Mua që “rastësia” më kishte gjetur në rolin e  një pikë – lidhjeje në mes shokëve të krahut tim, Sheremet Saraçit dhe Lëvizjes,  më duhej të veproja për ta ndryshuar gjendjen për të mirë dhe zhgënjimin e Sheremet Saraçit më duhej ta sqaroja deri në fund. Po të merren  parasysh rrethanat në të cilat vepronim dhe kushtet e veprimit, në një ilegalitet të thellë, çfarë vepronim ne, ku një gabim i vogël do të çonte në “gojë të ujkut”, ishte e domosdoshme ta kuptoja se çfarë  kishte ndodhur në Turqi.

      Pyetjen e Sabri Novosellës, e cila me të drejtë i kishte shkaktuar zemërim Sheremet Saraçit, e konsideroja të pavend dhe të çuditshme! Unë për vete nuk kisha asnjë fije dyshimi në besnikërinë e Sheremet Saraçit, përkundrazi i besoja si vetës  dhe shokëve të tjerë me të cilët veproja, prandaj na duhej ta sqarojmë pse-në e shokut në Turqi.

      Gjatë takimit, u përpoqa ta qetësoja Sheremetin dhe t’ia zbusja zemërimin. Sheremetit i thosha “se ndoshta Sabri Novosella e ka pyetur me shaka, apo vetëm e ka “provokuar” sa për ta dëgjuar përgjigjen e ti, se pyetje të tilla nuk janë të “ndaluara” të bëhen nëse kemi parasysh faktin se lufta jonë zhvillohet në rrethana shumë të vështira, por as kjo përpjekje nuk më ndihmoj shumë dhe nuk e zbuti zemërimin e tij.

      Megjithëkëtë, unë isha mjaftë i shqetësuar për takimin e Sabri Novosellës dhe Sheremet Saraçit dhe “grindjen” në mes tyre. Sheremet Saraçin e njihja dhe kisha besim të plotë në besnikërinë e tij. Në anën tjetër Sabri Novosellën nuk e njihja. E njihja vetëm të vëllain e tij, Selatin Novosellën, të cilin e dija si një lis të madh të luftës sonë nacionlçirimtare. Megjithëkëtë unë isha i sigurt se Xhafer Durmishi nuk do të na linte në lidhje me Sabri Novosellën, po të mos i besonte. Sidoqoftë unë e shihja të nevojshme që këtë çështje duhej ta sqaroja deri në fund.

      Çështjen e udhëtimit të Sheremet Saraçit në Turqi dhe shqetësimet e krijuara pas kthimit të tij e kam biseduar me Xhemajl Pllanën dhe Ferki Morinën. Lajmi u shkaktoi edhe atyre shqetësime. Nga takimi dolëm unik se duhet sqaruar deri në fund këtë çështje dhe unë u ngarkova me detyrën që ta dërgoja një shok në Turqi.

Udhëtimi i Rexhep Ahmetit në Turqi dhe takimi me Sabri Novosellën

       Në fund të nëntorit të vitit 1982, me qëllim të sqarimit të “problemit” në mes Sheremet Saraçit dhe Sabri Novosellës e kërkova Rexhën dhe e pyeta se a kishte mundësi udhëtimi jashtë vendi?  Rexha, si gjithmonë, u tregua i gatshëm të udhëtonte menjëherë .

     Meqenëse Rexha e kishte mundësinë e udhëtimit në Turqi, atëherë unë dëshiroja që me një udhë t’i kryejmë edhe disa punë të tjera. Rexhës do  t’ia jepja me vete edhe disa materiale për “Zërin e Kosovës”. Materialet e shkruara Rexha do t’i fuste në astarin e palltos së tij dhe do t’i qepte para se të nisej.

      Në një takim, pas dy ditësh, me Rexhën kam biseduar se në cilin vend duhej të udhëtonte dhe cilat materiale do t’i merrte me vete.  

  • Rexhep Ahmeti

“Problemin” në mes Sheremet Saraçit dhe Sabri Novosellës, Rexhës ia kam prezantuar si një problem në mes dy shokëve, pa ua zënë në gojë emrat e tyre. Ai do ta pyeste shokun Sabri Novosella për Shokun që para pak kohësh kishte udhëtuar jashtë vendi dhe problemet që ishin shfaqur gjatë takimit?!” Rexhës ia kam dhënë adresën ku do të shkonte, të cilën e kisha marrë nga Sheremet Saraçi.

     Në fillim të dhjetorit 1982, Rexhën e kam takuar sapo ishte kthyer nga Turqia. Rexha udhëtimin e tij dhe takimin me Sabri Novosellën e ka prezantuar kështu:

     ‒ Në Turqi kalova mirë. Lidhur me Shokun, Sabri Novosella më tha: se duhet ta vazhdoni punën, sepse ai ka dhënë kontribut të madh në çështjen tonë kombëtare. Organin nuk ua kemi dërguar sepse kemi pasur frikë se po ju rrezikojmë. Aliu të mos bie në burg, në asnjë mënyrë! Gjatë takimit kam krijuar përshtypjen se ne dhe Sabri Novosella kemi botëkuptime të ndryshme për jetën dhe shoqërinë, por tani për tani, kjo çështje, mendoj se nuk ka rëndësi, sepse e kemi të përbashkët luftën për liri. Sabri Novosella më tha se jeni të propozuar të jeni anëtar i KQ të LNÇKVShJ-së! Urime!

        U gëzova shumë kur dëgjova se grindja në mes Sabri Novosellës dhe Sheremet Saraçit nuk ishte e natyrës shqetësuese. Të rëndësishme ishin të gjitha lajmet që mora lidhur me veprimtarinë e Lëvizjes në emigracion. I vlerësoja edhe qëndrimet e shokut Rexhë lidhur me përshtypjet e tij për pikëpamjet politike të shokut Sabri Novosella. Ndërsa lidhur me propozimin që kishte të bënte me mua ndjehesha i befasuar dhe nuk më pëlqeu as mënyra e përcjelljes së lajmit. Rexhës, gjatë bisedës, u përpoqa t’ia zbeh rëndësinë e lajmit lidhur me propozimin e shokut Sabri Novosella.

      Dy-tre ditë më vonë, i kam takuar Xhemën dhe Ferkiun dhe i kam njoftuar për udhëtimin e Rexhës dhe lajmet që na kishte sjell ai nga Turqia. Edhe ata u gëzuan shumë që u sqarua çështja e “grindjes” në mes Sheremetit dhe Sabriut.

      Lidhur me lajmin e  propozimit që më ishte bërë mua, nuk e zura në gojë gjatë takimit me Xhemën e Ferkiun. Xhemën e kam njoftuar për propozimin, gjatë një takimi tjetër.

       Për hir të së vërtetës më duhet të them se mua më vinte vështirë t’jua komunikoja shokëve një lajm të tillë. Ne ishim mësuar të punonim, me aq sa kishim mundësi për ta ndihmuar çështjen tonë, dhe asnjëherë nuk kishim biseduar për çështje emërimesh e gradimesh. Lajmi ishte i papritur dhe i pazakontë në praktikën e punës sonë. Në anën tjetër, unë gjithmonë kisha pritur se udhëheqja e Lëvizjes sonë përbëhej nga veprimtarë me përvojë të gjatë në veprimtarinë ilegale dhe vetën time e konsideroja një ushtar të ri dhe të papërvojë në këtë veprimtari.

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (24)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura