LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË ZONËN OPERATIVE TË SHALËS DHE HUMBJET E FORCAVE SERBE (2)
Nga Prof.Dr.Sabit Syla, Prishtinë 26 Janar 2024
Shala e Bajgorës, gjatë “Ofensivës së Shtatorit”, u godit rëndë nga forcat serbe, të cilët kishin angazhuar një arsenal të fuqishëm ushtarak me mjete të blinduara e logjistike. Forcat e UÇK-së, u thyen karshi një force aq të madhe dhe mizore. Për më tepër, forcat serbe, pa respektuar asnjë kod moral, dogjën e shkatërruan gjithçka hasën dhe mundën. Vranë bagëti, dogjën e shkatërruan shkolla, shtëpi, ushqim kafshësh e të gjitha rezervat ushqimore.[1] Ofensiva e forcave serbe vazhdoi më tutje drejt Vaganicës, Ashlanit dhe fshatrave të tjera rrëzë Çyqavicës. Operacioni luftarak në Çyqavicë ishte i përmasave të mëdha. Komandant gjeneralkolonel, Nebojsha Pavkoviq kishte dhënë urdhër për të mbështetur forcat e MPB në shkatërrimin e forcave të UÇK-së, në sektorin e Çyqavicës. Sipas detyrave të Korpusit të Prishtinës, një pjesë e forcave të korpusit, rrethoi forcat shqiptare. Duhej të kryhej një aksion i shpejtë dhe i vrullshëm për të mbështetur forcat e MPB-së në thyerjen e UÇK-së në malin Çyqavicë, më pas edhe në sektorë të tjerë që të parandalohej largimi i UÇK-së apo ndërhyrja e tyre në sektorët e betejave. Popullata serbe (në vendbanimet serbe) do të ndërpriste krahun e djathtë të lumit Sitnica dhe do të pengonte UÇK-në që të kalonte nga mali Çyqavicë për në Vushtrri dhe në shpatet e malit Kopaounik dhe anasjelltas. Operacionet luftarake filluan në ora 07:00 të mëngjesit të datës 22 shtator dhe u zhvilluan në dy faza sipas planit të përgatitur: Faza e parë (2-3 ditë) dhe Faza e dytë (1-2 ditë). Sipas Urdhrit detyrat e forcave serbe, konkretisht të Brigadës 125 të Motorizuar, Brigadës 15 të Blinduar, Brigadës 243 të Motorizuar[2] ishin të ndara etj.
Sipas Urdhrit të dhënë filloi edhe plani i realizimit. Më 22 shtator 1998, herët në mëngjes, forca të mëdha policore e ushtarake me mjete të motorizuara dhe me artileri, pozicionohen në vijën frontale me gjatësi 3 km prej Kodrës së Madhe, fshati Pirç dhe Kodra të “Pritat e Arifit” prej ku me artileri dhe mjete luftarake granatojnë fshatin Ashlan, gjegjësisht pozicionet e UÇK-së. Këtu zhvillohet një nga betejat më të ashpra të Brigadës 142.
UÇK-ja ishte pozicionuar në vijën e mbrojtjes në Gurëbardh, në “Rrogën e Zhigës”, te “Zabeli i Marës”, te “Kodra e Vogël” në pjesën veriore të Ashlanit dhe te Kodra e Kishës. Luftimet zgjatën tërë ditën. Në mbrëmje, rreth orës 21:35, forcat e UÇK-së organizuan formën e luftës diversante në pozicionet e forcave serbe dhe teknikën e saj duke shkatërruar një tank, një autoblindë dhe një kamion, si dhe duke vrarë dhe plagosur disa ushtarë dhe policë. Kjo betejë zgjati edhe në ditët në vijim (më 23 dhe 24 shtator 1998).[3] Meqë në këtë fshat, kishte mijëra shqiptarë civilë, ushtria serbe kishte hedhur granata të kalibrave të ndryshme, duke mos i zgjedhur fare pozicionet, nëse janë të UÇK-së, apo të popullatës civile. UÇK-ja në këtë betejë pati 4 ushtarë të vrarë: Agim Ramadani, Mustafë Shyti, Hamit Hyseni e Bislim Imeri dhe disa të plagosur. Përveç ushtarëve të rënë pati edhe një numër të konsiderueshëm civilësh të vrarë. Edhe pse ishte gjendje e rëndë lufte, ku në çdo cep operonte ushtria dhe policia serbe, ceremonia e varrimit u krye me himn kombëtar.[4]
Pas “Ofensivës së Shtatorit”, e më konkretisht me zhvendosjen e shumicës së anëtarëve të Shtabit të Brigadës 141, shërbimit sanitar dhe të plagosurve në Ceceli, më 17 shtator, Shtabi i Brigadës 141 mbajti një takim në shkollën e Cecelisë, që ishte edhe kazermë e UÇK-së së Batalionit IV. Tema kryesore ishte mendimi i kalimit të Brigadës përtej Sitnicës, në zonën e kontrolluar nga Brigada 142 e ZOSH. Një gjë e tillë ishte kundërshtuar në veçanti nga komanda e Batalionit IV.[5] Pas një diskutimi ishte vendosur që të kthehen, dhe më 19 shtator arritën në Bajgorë. Fillimisht, më 21 shtator, në shkollën e Bajgorës u mbajt një takim konsultues me të gjithë ushtarët e Batalioneve I, II dhe III, u vendosën rregullat e riorganizimit të mëtejmë. Më 28 shtator 1998, Shtabi i Brigadës, mbajti një takim konsultues dhe koordinues me komandantin e ZOLL dhe eprorë të tjerë, me ç’rast u koordinuan disa aktivitete të përbashkëta.
Më 29 shtator 1998, u bë analiza e ngjarjeve, arritjet dhe dobësitë. Më 1 tetor 1998, në Shtabin e Brigadës kishte shkuar vëzhguesi i parë ndërkombëtar (një major francez). Në mbrëmjen e 25 tetorit 1998, shkuan për vizitë pune dhe analizë të gjendjes, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në këtë përbërje: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Ramë Buja. Ishte prezent edhe komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama. Të nesërmen (26 tetor) në orën 10:00, u mbajt një mbledhje analizuese e situatës. Pas një sërë diskutimesh ishte arritur në përfundimin që të bëhej riorganizimi ushtarak, pavarësisht sfidave e vështirësive të krijuara.[6]
Ndërkohë, në njësitet e UÇK-së të rajonit së Çyqavicës u vërejt mungesa e madhe e municionit dhe armatimit. Me urdhër të Shtabit të ZOSH, më 24 tetor 1998, marrin rrugën për në Shqipëri për furnizim me armatim dhe municion, ushtarë nga dy batalionet (Batalioni I dhe Batalioni II) të Brigadës 142. Numri gjithsej ishte 86 ushtarë, nga të cilët, më pas, disa nuk u kthyen në Kosovë. Së bashku me grupin e Brigadës 142 ishte edhe një pjesë e ushtarëve të Llapit.[7] Pas një rrugëtimi të vështirë, nga fshati Lubizhdë e Hasit kaluan kufirin shqiptaro-shqiptar dhe arritën në Cahan dhe Vlanë. Pas tri ditë qëndrimi në Shqipëri, pasi u armatosën, për t’i ndihmuar në përcjellje, ishte Tahir Sinani nga Tropoja. Gjatë kthimit, në vendin e quajtur Opterushë ushtarët hasën në pritat serbe dhe ranë heroikisht luftëtarët: Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri, por pati edhe të plagosur rëndë. Gjithashtu bien dëshmorë edhe dy komandantët nga Rahoveci, Selajdin Mullabazi-Mici dhe Xhelal Hajda-Toni.[8]
Veprimtaria politiko-ushtarake në Zonën Operative të Shalës në gjysmën e parë të vitit 1999
Dhjetëditëshi i parë i janarit të vitit 1999 shënoi një moment me rëndësi jo vetëm për Zonën Operative të Shalës, por edhe për historinë e luftës çlirimtare në Kosovë. Akti i kapjes rob të një skuadre të Ushtrisë Jugosllave (7 ushtarë dhe 1 rreshter) në fshatin Bare nga njësitet e Zonës Operative të Shalës, ndikoi në ndërkombëtarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veçanti dhe të çështjes së Kosovës në përgjithësi. Ndërkohë, luftimet në Zonën Operative të Shalës gjatë fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit të vitit 1999 morën një trajtë tjetër pas fillimit të sulmeve të NATO kundër objektivave të Ushtrisë Jugosllave. Kjo e fundit projektoi fushata ushtarake për shkatërrimin e UÇK-së, solli forca dhe armatime të reja nga Serbia, mobilizoi forca rezerviste, koordinoi njësitet tjera të sigurisë, për të filluar një operacion ushtarak të gjerë në fillim të prillit, e cila nga pjesa e fundit e muajit në fjalë u orientua kundër Zonës Operative së Shalës përmes operacionit “Bajgora”. Krimet e aparatit ushtarak-policor serb në Zonën Operative të Shalës, veprimet ushtarake të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Shalës dhe humbjet e forcave serbe janë disa çështje tjera të cilat do të shtjellohen në këtë studim, që paraqet pjesën e dytë të artikullit të botuar në numrin paraprak.
Hoxhaj Tropojë, Korrik 1998 – “Rruga e Shqiponjave”: Luftëtarët nga të gjitha njësitet e brigadave të Zonës Operative të Shalës gjatë rrugës për furnizim me armatim në Shqipëri.
Përfundimi i ofensivës ushtarake të vjeshtës së vitit 1998, kishte krijuar kushte të vështira për UÇK-në, shtëpi të djegura pa “mbështetje civile”, pa ushqim dhe mundësi vendstrehimi, por të vendosur për qëndrueshmëri. Pjesa e mbetur e vitit (1998) kaloi në ripozicionim, armatim dhe mbijetesë deri në fillim të janarit të vitit 1999.
Zona Operative e Shalës në janar të këtij viti, veçohet me dy ngjarje. E para, e dhimbshme, më 3 janar 1999, ka të bëjë me vrasjen në pritë të Xhevat Jusufit ndihmëskomandant për Logjistikë në ZOSH dhe plagosjen e Zymer Halimit, zëvendëskomandantit të Brigadës 141 “Mehë Uka”. Kurse, ngjarja e dytë ndryshe nga e para, ka të bëjë me zënien rob të 7 ushtarëve dhe 1 rreshteri të Ushtrisë Jugosllave, më 8 janar 1999, rreth orës 11:00, në fshatin Bare, nga pjesëtarë të Policisë Ushtarake dhe të Njësitit Special të Brigadës 141 “Mehë Uka”. Kjo, “për historinë e UÇK-së, shënon një ndër të arriturat e saj më të mëdha gjatë luftës kundër forcave serbe”.[9] Pas zënies rob të ushtarëve të lartpërmendur, me qëllim ngritjen lart të gatishmërisë luftarake në territorin që kontrollonte Brigada dhe në përputhje me planet operative për mbulimin e gjithë territorit brenda 24 orëve, Brigada 141 “Mehë Uka”, nxori këtë urdhëresë: “Urdhërohen komandantët e Batalionit (I, II, III dhe IV) që të ngritin shkallën e gatishmërisë luftarake në nivelin maksimal në mënyrë që në asnjë moment dhe asnjë kohë të mos gjenden të papërgatitur për kundërvënie të çdo tentimi të forcave armike që do të përpiqeshin të tentojnë ta shkelin zonën që e kontrollojnë forcat tona…”.[10]
Zona Operative e Drenicës, Zona Operative e Dukagjinit, Zona Operative e Llapit etj., dërguan telegrame përshëndetëse.[11] Sipas ambasadorit Uilliam Uoker, janë tri ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 1998 dhe në janarin e vitit 1999, të cilat e kanë përshpejtuar thirrjen e Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, në dobi të Kosovës dhe popullit të saj. Njëra nga to, sipas tij, ishte “marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare për lirimin e pengjeve të luftës”.[12] Ushtria Çlirimtare e Kosovës kërkonte që për 8 ushtarë serbë të liroheshin 9 pjesëtarë të UÇK-së të arrestuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar në kufi me Shqipërinë.[13] Më 14 dhjetor 1998, kishte ardhur deri tek këmbimi i zjarrit midis forcave serbe dhe UÇK-së pranë kufirit me Shqipërinë. Patrullat e Misionit verifikues, të cilët i kishte ftuar UJ që ta shihnin vendin e ngjarjes, kishin parë trupa të vdekur dhe një sasi të pajisjeve ushtarake, e cila duhej t’i shpërndahej njësive të UÇK-së. Ishin vrarë mbi 30 pjesëtarë të UÇK-së, kurse 9 ishin arrestuar. Shumica e të vrarëve kishin qenë me uniforma të UÇK-së.[14]
Pas zënies robër të ushtarëve jugosllavë, SHP i UÇK-së kishte paraqitur kushtet për lirimin e tyre. Kushti kryesor ishte që të bëhej këmbimi i robërve të luftës. Pra, tetë ushtarët jugosllavë mund të liroheshin vetëm nëse liroheshin nëntë ushtarët e UÇK-së të zënë robër në natën e 13-14 dhjetorit 1998, në kufirin Shqipëri-Kosovë. Këmbimi i robërve të luftës i tmerronte formacionet ushtarake serbe, sipas reporterit të gazetës “Vreme”: “Ushtria jugosllave demonstroi forcën duke ekspozuar tanket në lagjen e Dragodanit dhe Bregut të Diellit në Prishtinë. Paniku mbizotëroi në Prishtinë”.[15] Pavarësisht kërcënimeve dhe ultimatumeve nga Serbia, UÇK-ja nuk lëshoi pe. Pas bisedimeve intensive mes faktorit UÇK dhe bashkësisë ndërkombëtare, e këta të fundit me Serbinë u arrit pajtimi që të bëhet këmbimi i robërve të luftës. Konkretisht më 13 janar, në Shtabin e Likovcit (Drenicë), ishte mbajtur takimi midis përfaqësuesve të UÇK-së dhe atyre ndërkombëtarë. Delegacioni kishte këtë përbërje: nga UÇK-ja, ishin: Jakup Krasnqi, Ramë Buja dhe Sokol Bashota, ndërsa përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare ishin: Kristofer Hill, Volfang Petrich dhe Uilliam Uoker.[16] Kështu, po atë ditë, më 13 janar 1999, lirohen 8 pjesëtarët serbë, ndërsa dhjetë ditë më vonë, sipas marrëveshjes dhe garancisë së faktorit ndërkombëtar, më 23 janar, lirohen edhe 9 pjesëtarët e UÇK-së. Pjesëtarët e Misionit verifikues kishin hyrë në negociata me UÇK-në dhe UJ dhe arritën ta aranzhonin lirimin e ushtarëve në këmbim të lirimit të 9 ushtarëve të arrestuar të UÇK-së.[17] Kjo përbënte një fitore të madhe politike, ushtarake dhe diplomatike për UÇK-në dhe Kosovën.
Më 2 shkurt ndodhi një ngjarje që dëmtoi njësitet e UÇK-së. U ndalua një kamion me armatim (ishte kamioni i tetë i radhës), duke u ndërprerë kështu edhe përfundimisht mënyra e furnizimit nga Bosnja.[18] Ndërkohë, Brigada 141, më 18 shkurt 1999, urdhëroi të gjithë komandantët e batalioneve dhe të gjitha repartet ushtarake që vepronin në kuadër të saj, ta ngrinin gatishmërinë luftarake në nivelin maksimal, të bënin vëzhgim të pandërprerë, të vinin në gjendje gatishmërie gjithë armatimin që posedonin dhe për asnjë çast të mos gjendeshin në befasi.[19]
Në një raport të datës 16 shkurt 1999, të Korpusit të Prishtinës, thuhej se qendrat më të fuqishme të rezistencës “terroriste” gjenden në Drenicë, Malishevë dhe Shalë të Bajgorës. Gjithashtu në raport thuhej se në këto rajone ndodheshin rreth 6 800 “terroristë”.[20] Për të shkatërruar forcat e UÇK-së, u organizua një sulm i ashpër drejt pozicioneve të Brigadës 142. Me urdhrin e komandantit të Brigadës 141, numër 01/163, të datës 25 shkurt, për dërgimin e 15 ushtarëve të Njësitit Special në ndihmë të Brigadës 142, u realizua shumë shpejt, madje jo aq, numri arriti në 26 vullnetarë. Ky Njësit, më 18 mars ishte kthyer në Bajgorë, duke qenë në konfrontime të ndryshme luftarake. Prej tij, deri në mbarim të luftës, në altarin e lirisë, ranë gjashtë luftëtarë dhe po aq invalidë.[21]
Luftime të ashpra, që zgjatën nga 22 shkurti deri më 15 mars 1999, u zhvilluan sidomos më 22-25, 27-28 shkurt dhe 8, 9, 12-15 mars. Luftohej në kodrën që ndan Akrashticën dhe Shtitaricën, në fshatrat Bukosh, Liqe, Balinc, Dolak, Pantinë, Gurëbardh, Ashlan etj. Më 26 shkurt 1999, në orët e pasdites, gjatë kryerjes së detyrës së vëzhguesit, tre ushtarë të togës së Vaganicës të Kompanisë së Tretë të Brigadës 142, kishin rënë në pritën e forcave serbe, ku ishin vrarë Muhamet Gashi dhe Gazmend Baliu, kurse ishte plagosur rëndë një tjetër.[22] Ndërkohë, pjesëmarrës në fushën e betejave të tjera ishin: njësitet e Brigadës 142, Njësiti Special i Zonës Operative të Shalës, Policia Ushtarake, dhe një njësit i Brigadës 141. Në këto luftime ranë heroikisht 4 pjesëtarë të UÇK-së ku njëri nga ata ishte komandant i Togës III të Kompanisë së Dytë të Batalionit II të Brigadës 142, Bahri Kuçi, i rënë më 11 mars, në Sukë të Balincit. Në vende e pozicione të ndryshme ushtarake ishin plagosur 14 pjesëtarë të tjerë, duke përfshirë këtu komandantin e Njësitit Special të ZOSH, dhe zëvendëskomandantin e këtij Njësiti Special, komandantin e Policisë Ushtarake etj. Të vrarët dhe të plagosurit ishin nga të gjitha njësitet pjesëmarrëse në këtë betejë.[23]
Mirëpo, vija e frontit në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 142 ishte më e gjatë, më e madhe, aq sa ishte e madhe edhe qëndresa. Nga 3 marsi deri më 12 mars 1999, në fshatin Druar u zhvilluan luftime të ashpra jashtë të cilave nuk ngelën as Sallqi, Rezniku, Mirashi etj. Atje luftuan ushtarët e UÇK-së nga Sibofci, Zhilivoda, Strofci, Bivolaku, Beçuku, Mihaliqi, Gurakuqi (ish-Gllavotini) etj. Më 3 mars 1999, u vranë vëllezërit Radivoje e Lubisha Mitroviq dhe ishte kapur Milan Radivoje Mitroviqi – ushtar i UJ-së nga ushtarët e UÇK-së në fshatin Mihaliq. Pozicionet e UÇK-së, gjatë këtyre luftimeve qëlloheshin nga Graca, Gazimestani etj.[24]
Në mesin e këtij muaji (mars), komandanti i Brigadës 142, së bashku pothuajse me tërë Batalionin e Dytë, si dhe komandanti i Kompanisë së Tretë, kalojnë në ZOD dhe përqendrohen në luftimet e fshatrave, Rezallë, Marinë dhe Polluzhë, ku qëndrojnë afër dy javë, për t’u kthyer më pas në pozicionet e mëparshme ushtarake. Gjatë prillit, ashtu si vendet përreth edhe Vaganica sulmohej nga ana e forcave serbe me granatahedhës të kalibrave të rëndë, sidomos nga ana e Frashrit dhe prej Ujësjellësit në Shipol. Në vijën e mbrojtjes frontale, ishin njësitet e Batalionit të Dytë, në veçanti ato të Kompanisë së Tretë, të drejtuara nga vetë komandanti i Brigadës 142. Si rezultat i luftimeve kishte pasur edhe të plagosur. Granatimet dhe luftimet ishin zgjeruar edhe në fshatrat përreth, si në: Pirq, Verrnicë, Ashlan, Pantinë, Akrashticë, Shipol etj. Në këtë të fundit, më 23 prill, ishte ndërmarrë edhe një aksion nga një njësit i Vaganicës së Kompanisë së Tretë, ku ishte vrarë luftëtari Fadil Deliqi.[25]Konfrontime të ashpra u zhvilluan edhe në kuadër të Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë, po të kësaj Brigade. Në veçanti, duhet përmendur aksioni i 5 majit kundër forcave të këmbësorisë serbe, që ishte ndërmarrë në lagjen “Bunjaku” të fshatit Mihaliq, nga një grup ushtarësh të togës të Mihaliqit dhe Beçukut, ku kishte pasur të vrarë dhe të plagosur.[26]
13 marsi i vitit 1999 ishte dita e kthesës, u krijuan kushtet, u rritën formacionet dhe me sa duket u fitua eksperiencë. Ndërkohë që forcat serbe sulmonin fuqishëm territoret nën mbrojtjen e Brigadës 142, filluan sulmet nga Batalioni III i Brigadës 141 dhe njësitë e tjera të brigadës.[27] Me granatahedhës 82 mm dhe 120 mm nga Trepçalitë dhe me top 75 mm dhe gulinov 12.7 mm nga Melenica sulmohen pozicionet serbe në Trepçë dhe Kutllovc, ndërsa forcat në Bajer sulmohen nga fshati Sumë me granatahedhës 120 mm. Me sa duket, në shenjë hakmarrjeje ndaj këtij sulmi të rrufeshëm, vetëm dy orë pasi ndalen sulmet e UÇK-së, të njëjtën ditë, më 13 mars,[28] pason një hakmarrje (masakër) e tmerrshme e armikut ndaj popullatës civile në tregun e Mitrovicës, ku vriten 5 dhe plagosen 93 civilë grupmoshash të ndryshme, por sulmohen me artileri të rëndë edhe disa pozicione të UÇK-së në Shalë. Po atë ditë, në Galicë, më 13 mars ra në altarin e lirisë, Selim Bislimi e Sabedin Prekazi dhe u plagosën tetë ushtarë të tjerë të UÇK-së.[29]
Në zbatueshmëri të planit “Grom-3”, nga fundi i marsit 1999, forcat e UJ dhe MPB, u përfshinë rajonet e Bajgorës dhe Stantërgut, në lindje dhe verilindje të Mitrovicës. Lubomir Saviq, ish – komandant i Brigadës 58 të Këmbësorisë së Lehtë, sqaroi se UJ dhe MPB të Serbisë kishin vendosur që së pari aksionet të zhvilloheshin në rajonin e Bajgorës dhe Stantërgut në verilindje të qytetit, dhe nga mesi i majit 1999, të angazhohen në operacionin e quajtur “Bajgora 2”, e cila përfshinte qytetin e Mitrovicës dhe territorin në perëndim të tij.[30] Ndërkohë, nga janari deri në prill, pjesëtarët e skuadrës 35 dhe 85 të njësive speciale policore u dërguan për të ndihmuar Sekretariatin për Punë të Brendshme (më pas: SPB) të Mitrovicës për kryerjen e “detyrave të veçanta policore”. Në ndihmë u dërguan edhe skuadrat 36 dhe 86 të Njësitit Special Policor (NJSP). Shefi i SPB Mitrovicë, në mbledhjen e Shtabit të MPB, të mbajtur më 17 mars 1999, në Prishtinë, kishte deklaruar se SPB kishte mobilizuar rreth 665 rezervistë dhe numri i tyre ishte pothuaj i njëjtë me atë të policëve të rregullt. Në mars 1999, numri i policëve të rregullt dhe atyre të NJSP ishte 1 190, kurse rezervistë ishin 6 034. Në mars 1999, numri i përgjithshëm i forcave policore në Mitrovicë ishte rreth 8 000.[31]
Në javën e parë të marsit 1999, Brigada 37 e Motorizuar e UJ nga Rashka, zbarkoi në Mitrovicë, në kuadër të Korpusit të Prishtinës.[32] Dokumentet e UJ tregojnë se më 7 mars 1999, ajo doli në terren në rrethinë të Mitrovicës me arsyetimin e kryerjes së trajnimit dhe rritjes së gatishmërisë ushtarake. Deri më 18 mars 1999, Brigada 211 e UJ dhe njësitet e tjera ishin angazhuar në rrethinën e Mitrovicës, kurse Brigada 125 e motorizuar po ashtu u angazhua në këtë rajon më 24 mars 1999, me detyrën për t’i shkatërruar forcat e UÇK-së,dhe të “sigurimit e kontrollimit” të territorit të Mitrovicës. Më 27 mars 1999, në Mitrovicë u dërguan edhe njësitet ushtarake nga rajoni i Prishtinës me detyrën për të bashkëpunuar me MPB-në kundër UÇK-së, si dhe të kontrollonin komunikacionin dhe objektet e tjera në Mitrovicë. Përmes një urdhërese të Komandës së Korpusit të Prishtinës, del se Brigada 37 e Motorizuar, më 2 prill 1999, ende ishte e angazhuar në rajonin e Mitrovicës dhe kishte për detyrë të shkatërronte forcat e UÇK-së, për të siguruar komunikacionin dhe për të vendosur kontrollin ushtarak në rajon.[33] Më 4 prill 1999 komandanti i kësaj Brigade, Lubisha Dikoviq, lëshoi urdhrin për shkatërrimin e “forcave terroriste shqiptare”, vendosjen e kontrollit ushtarak mbi territorin, përmes së cilës kjo brigadë angazhohet në operacionin e gjerë që përfshiu komunat: Skënderaj, Drenas, Vushtrri e Mitrovicë dhe filloi më 5 prill 1999.[34] Ndërkohë, me urdhëresën e datës 9 prill 1999, Komanda e Korpusit të Prishtinës i dha detyrë forcave të MPB-së, që së bashku me Brigadën 37 të Motorizuar të UJ, Brigadën 125 të Motorizuar, Brigadën 15 të Blinduar dhe Brigadën 58 të Këmbësorisë së Lehtë të UJ, të vendosin kontrollin mbi gjithë rajonin e Mitrovicës.[35]
Në rajonin e Shalës së Bajgorës, UÇK-ja kishte një ndikim të madh, dhe në mars 1999 ky rajon kishte qenë ende nën kontrollin e Brigadës 141. Në anën tjetër, mijëra persona të zhvendosur nga fshatrat e rrethinës së Podujevës ikën nga Dobratini për në malet e Bajgorës gjatë javës së fundit të marsit 1999, kur fshatrat e tyre u sulmuan. Aty qëndruan për pesë javë dhe gjatë kësaj periudhe pozicionet e UÇK-së iu nënshtruan sulmeve të shpeshta. Më 21 mars, sulmohen me artileri (nga Kutllovci, Bajri e Zherovnica) dhe këmbësori nga Trepça e Rahova, pozicionet e UÇK-së në Trepçali, Melenicë, Vidishiq, Bare etj. Kjo vazhdoi edhe në ditët në vijim (më 22 dhe 23 mars). Më 24 mars u zgjerua vija frontale e luftës, Suma dhe Skroma sulmohen dhe më 26 mars, armiku godet me artileri edhe në drejtim të Kçiqit dhe Karaçës. Kësisoj, armiku vazhdon deri më 31 mars, ku dhe vija e frontit zgjerohet në drejtim të Studimes, Cecelisë, Dumnicës, Samadrexhës,[36] etj.
29 marsi i vitit 1999, ishte një humbje e madhe jo vetëm per ZOSH, por për tërë UÇK-në. Duke u ndier nevoja për të siguruar armatim të mjaftueshëm, Jashar Jashari (Komandant Duraku) së bashku me 45 pjesëtarë të UÇK-së, kishte shkuar në Shqipëri dhe pas marrjes së armatimit me t’u kthyer në Kosovë, forcat serbe të përqendruara në fortifikatat përgjatë kufirit kishin vërejtur lëvizjet duke u pozicionuar, të vendi i quajtur Livadhet e Qershisë në afërsi të fshatit Shishman. Me të filluar sulmin kundër tyre, luftëtarët e lirisë bënë rezistencë të fortë. Gjatë luftimeve ranë në altarin e lirisë katërmbëdhjetë bashkëluftëtarë: Jashar Jashari, Mehdi Zabeli, Mon Maqi, Jahja Demuza, Kadri Bersisha, Nuhi Elezaj, Bujar Syla, Xhemajl Avdullahu, Armend Qymyri, Bujar Syla, Naim Lata, Florim Sejdiu, Ibrahim Asllani dhe Besim Rama. Kishte patur edhe te plagosur.[37] Vlen të përmendet se Jashar Jashari kishte qenë ndër luftëtarët e parë për formimin e njësiteve të UÇK-së, në fshatrat e Artakollit. Ishte shquar për kontributin e tij në një nga betejat e para te ZOSH-së, të 11 qershorit të vitit 1998 në Hamidi.
Më 2 prill 1999, me aeroplan luftarak bombardohet shkolla (spital ushtarak në fshatin Bajgorë), u vranë dy persona dhe u plagosën disa të tjerë. Po të njëjtën ditë granatohet dhe Kçiqi ku vriten 8 civilë, pjesëtarë të një familjeje. Sulmet frontale me këmbësori dhe artileri në vijën frontale Melenicë-Trepçali-Vidishiq etj., deri më 29 prill, pothuajse ishin të përditshme. Që t’i ndalej vrulli forcave armike, me urdhër të Komandës të ZOSH-it, njësitë e Brigadës 141, duke përfshirë këtu edhe Njësitin Special, hidhen në sulm për herë të tretë në pozicionet e forcave serbe në fshatin Rahovë, në natën e 5-6 prillit. Edhe në Rahovë, si në të gjitha vijat e frontit, pati të vrarë si, Hajrush Sinani më 6 prill në një aksion sulmues. Të nesërmen e kësaj date, më 7 prill, sulmohen pozicionet e Batalionit IV në Ceceli, Studime, Stanovc, Dumnicë etj. Më 12 prill nga Njësiti Special sulmohet një konvoj i forcave serbe të cilat po ngjiteshin në drejtim të bazës ushtarake në Kutllovc. Ditët në vijim u zgjerua vija frontale, por tash në drejtim të pozicioneve të UÇK-së (Batalionit III) në lagjen Cenaj, Majdan dhe Preten.[38] Edhe në fshatin Miraqe ku ishin të stacionuara forcat serbe prej nga granatonin Skromën, Karaqen etj., ishte ndërmarrë një aksion nga Batalioni i Parë.[39]
Gjatë mesit të prillit 1999, u zhvilluan disa aksione të përbashkëta serbe në rajonin e Drenicës, Çyqavicës, Jezercit, Rugovës, Bajgorës-Bares, Zatriqit e vende të tjera. Këto operacione u zbatuan në kuadër të planeve të hartuara nga MPB dhe UJ gjatë fillimit të prillit 1999.[40] MPB dhe UJ i koordinuan planet e tyre para operacioneve të përbashkëta të kryera nga mesi i prillit 1999. Më 9 prill 1999, Komanda e Korpusit të Prishtinës informoi njësitë e saj vartëse se “…së bashku me njësitë e MPB me qëllim të shkatërrimit të forcave terroriste shqiptare, të vendosen kontakte të menjëhershme me shefat e Seksionit të Punëve të Brendshme”, lidhur me disa aktivitete konkrete. Korpusi i Prishtinës urdhëroi që komandantët e njësive të “hartonin planin e veprimit”, pas vendosjes së kontakteve. Për shembull, komandantët e njësisë së Korpusit të Prishtinës duhej ta koordinonin operacionin “Bajgora” me SPB e Mitrovicës. Operacioni i përbashkët në rajonin e Bajgorës ishte kryer rreth datës 25 prill 1999, në bazë të urdhrit të Komandës së Përbashkët të datës 15 prill 1999.[41] Sreten Lukiq kishte miratuar angazhimin e njësive të ndryshme të MPB-së në operacionin e përbashkët të MPB/UJ “Bajgora” të kryer midis 25 prillit – 6 majit 1999, në bazë të urdhrit të Lazareviqit të datës 15 prill 1999 – kur tanimë ishin kryer krime të ndryshme dhe kur 669 071 shqiptarë të Kosovës, ishin larguar nga vendi.[42] Lubomir Saviq, që nga data 16 prill 1999, ishte komandant i Brigadës 58 të Këmbësorisë së Lehtë, kishte dëshmuar se nga data 25 prill e deri më 2 maj 1999, një pjesë e brigadës së tij i dha mbështetje forcave të MPB në operacionin “Bajgora”.[43]
Nga ditari i luftës i Brigadës 15 të Blinduar, mësojmë se më 21 prill 1999, kjo brigadë filloi me përgatitjet për t’u lidhur me forcat e MPB-së, me qëllim kryerjen e detyrave të përcaktuara në aksionin “Bajgora” dhe se më datë 24-25 prill 1999, këto njësi u angazhuan në prapavijë, duke ofruar mbështetje për veprimet e MPB-së. Më 29 prill, Brigada 15 e Blinduar së bashku me Brigadën 2 të Motorizuar dhe Brigadën 1 të Blinduar, vazhdoi t’i kryejë detyrat e përcaktuara sipas planit. Në ditar, shkruhet se, njësi të ndryshme të Brigadës 15 kishin marrë pozicione në fshatrat Zhilivodë dhe Strofcë në jug të Vushtrrisë.[44] Forcat e tjera që kishin marrë pjesë në aksionin “Bajgora” ishin ekipi 35 i Njësive Speciale Policore dhe Brigada 122 Intervenuese e Njësive Speciale Policore të MPB-së, sipas dëshmive të komandantëve të këtyre njësive në mbledhjen e mbajtur më 11 maj 1999, në Shtabin e MPB-së.[45]
Në komunikatën e lëshuar nga komanda e përbashkët, më 15 prill 1999, thuhet se Korpusi i Prishtinës i UJ, është ngarkuar me detyrën që t’i mbështesë forcat e MPB-së në “shkatërrimin dhe asgjësimin” e forcave të UÇK-së në rajonin e Shalës, përfshirë Samadrexhën dhe Cecelinë.[46] Vendimi për aksion të përbashkët midis UJ dhe MPB-së, u lëshua për shkak të koncentrimit të shtuar të ushtarëve të UÇK-së në rajonin e Bajgorës, në veri të Vushtrrisë. Në përputhje me këtë, më 15 prill 1999, u dha urdhri nga komanda e përbashkët për shkatërrimin e forcave të UÇK-së, në rajonin Bajgorë-Bare (Operacioni “Bajgora”). Qëllimi i këtij operacioni ishte që të vendosej kontrolli mbi një rajon të gjerë dhe mbi trekëndëshin midis fshatrave Tuneli i Parë/Bare në veriperëndim, fshatit Bajgorë në verilindje (që të dyja në komunën e Mitrovicës) dhe Samadrexhës në juglindje të Vushtrrisë. Ky urdhër duhej zbatuar nga Brigadat 211 dhe 15 të Blinduara dhe ajo 58 e Këmbësorisë së Lehtë të UJ. Konkretisht, Brigada 211 e Blinduar duhej të vepronte në drejtim Bajgorë-Vesekovc-Samadrexhë (gjitha këto fshatra ndodhen në lindje apo verilindje të Vushtrrisë); Brigada 15 e Blinduar kishte për detyrë të vendoste bllokadën në linjën Breznicë (komuna Obiliq)-Samadrexhë-Gojbulë-Sremokovnicë (drejtim që fillon nga juglindja e Vushtrrisë dhe përfundon në veriperëndim të saj) me qëllim shkatërrimin e UÇK-së, në Skromë, Pasomë, Shilovicë dhe Ceceli. Brigada 58, që mbulonte kryesisht fshatra në komunën e Mitrovicës, duhej sistemuar në drejtim të veriperëndimit. Në bazë të analizës së hartës së UJ për këtë operacion, në të duhej të merrnin pjesë edhe disa ekipe të njësive speciale policore si dhe njësitë speciale antiterroriste. UJ duhej sistemuar në pozicione të jashtme, kurse forcat e MPB-së duheshin angazhuar në shtypjen e UÇK-së nga jugperëndimi i Kosovës. Në urdhëresë thuhej se operacioni duhej të fillonte, më 25 prill 1999.[47]
Kësisoj, intensiteti i luftimeve ishte shtuar, humbjet në njerëz dhe mjete luftarake ishin të mëdha. Municioni në radhët e UÇK-së nisi të pakësohej. Më 21 e 22 prill sulmohet objekti ushtarak serb në Kutllovc. Me sulme të shpejta, të rrufeshme, u arrit të nxirren nga ajo bazë rreth 80 mijë fishekë kalibrash të ndryshëm, predha granatahedhësish, disa pushkë automatike, snajperë, por edhe miell e artikuj të nevojshëm për popullatën. Nga data 25-30 prill 1999, çdo pozicion i UÇK-së në Shalë të Bajgorës ishte nën zjarrin e egër të këmbësorisë dhe artilerisë serbe, por luftimet më të ashpra zhvilloheshin përgjatë lagjes Cenaj, Mali i Majdanit, Preten, Melenicë, Tepçali, Studime, Dumnicë etj. Po ashtu sulmohen: Vllahia, Magjera, Selaci, Kaçanolli etj. Se me çfarë lufte po përballeshin shaljanët, mjafton të përmendet fakti se më 25 prill, plagosen dy luftëtarë të UÇK-së në Kodrën e Majdanit, ndërsa të nesërmen më 26 prill, u vra komandanti i Njësitit Special, Shemsi Ahmeti dhe bashkëluftëtarë të tjerë, si: Rrustem Hyseni, Arsim Muzaqi, Ahmet Haxha, Xhemajl Haxha dhe Asllan Cimili dhe u plagosën tre të tjerë. Më datë 27, në Preten u vra Enver Musa dhe Shemsi Istrefi. Më datë 29 prill, në Melenicë, vriten Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli, por kishte edhe të plagosur.[48]
Më 30 prill, njësitet e UÇK-së nisën të tërhiqen në pozicionet e dyta (rezervë), pasi u sulmuan nga shumë drejtime: Maja e Madhe-Gurishtë-Qafë Bare-Cërnavërë; Bajgorë-Vesekovc-Ceceli-Dumnicë; Bajgorë-Parduzaj – Kurillovë – Sllakovc; Bare – Gumnishtë – Bozhlan – Skromë Studime; Mazhiq – Tërstenë – Rashan – Sumë – Smrekonicë etj. Forcat serbe siç duket, për shkak të humbjeve të mëdha që kishin pësuar sidomos në Majdan dhe Preten, më 2 maj 1999, në fshatin Studime vranë dhe masakruan civilë dhe plagosën shumë të tjerë. Numri i të rënëve dhe të plagosurve në Shalë gjatë kësaj ofensive (13 mars-30 prill 1999) dhe më vonë, ishte i konsiderueshëm në të dy anët. Nëpër vija të frontit vetëm nga data 13 mars deri më 10 maj, ranë mbi 28 dëshmorë dhe rreth 110 civilë, ndërsa u plagosën 35 ushtarë të UÇK-së dhe 11 civilë.[49] Numri i ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Shalës që ranë në luftë kundër armikut gjatë vitit 1998-1999 është i konsiderueshëm. Sipas listës zyrtare janë 136 dëshmorë, të cilët ranë në altarin e lirisë. Numri i të plagosurve është edhe më i madh se i atyre që morën rrugën e përjetësisë, sipas listës zyrtare janë 209 veta.[50]
Nga fundi i prillit, ofensiva e UJ nga lindja dhe perëndimi i Bajgorës bëri që UÇK-ja ta humbiste kontrollin mbi këtë territor. Refugjatët u përfshinë nga lufta, por ndonjëherë edhe forcat policore e ushtarake serbe i morën ata në shënjestër. Rreth datës 27 prill një avion gjuajti në drejtim të shkollës, e cila ishte strehimore për qindra njerëz, ku pati të vrarë dhe të plagosur.[51] Disa civilë ikën në Kërpimeh, kurse rreth 10 000 të tjerë në Dobratin. Por, në fund të prillit, Dobratini ra nën kontrollin e forcave serbe duke i detyruar banorët vendas dhe personat e zhvendosur të iknin në drejtim të kodrës, në Kaçanoll dhe Bajgorë.[52]
Tashmë, më 28 prill 1998, rreth orës 11:00, forcat serbe ishin të pozicionuara në vendin e quajtur “Te Pishat” në Barilevë (fshat në komunën e Prishtinës), dhe granatuan fshatin Dumnicë e Epërme, përkatësisht u hodhën dhjetëra granata të kalibrit 120 mm në drejtim të malit Gërdeç, ku ishin strehuar popullata e zhvendosur kryesisht nga Stanovci, Vushtrria dhe Maxhunaj. Si pasojë e këtyre granatimeve, u vranë 6 civilë dhe u plagosën 15 të tjerë (Fanol Gashi 7-vjeçar, pas plagëve të marra ndërron jetë), ishte plagosur edhe një ushtar i UÇK-së. Të gjithë të plagosurit u bartën nga ushtarët e UÇK-së, për në spitalin ushtarak në Sllakofc. Ata që ishin në gjendje më të rëndë u dërguan për shërim në spitalin ushtarak në Kovaçicë.[53] Përfundimisht, më datë 28 prill 1999, forcat serbe përparuan në drejtim të pozicioneve të UÇK-së, në kodrinat në drejtim të Mitrovicës, duke vendosur kontrollin mbi Bajgorë dhe duke formuar një kamp në fshatin Bare. Në të njëjtën kohë, forca të tjera serbe filluan sulmin nga drejtimi i Podujevës. Për dy ditë ata i konsoliduan pozicionet dhe njëkohësisht filluan një ofensivë të madhe kundër UÇK-së nga disa drejtime. Më 1 maj, forcat serbe arritën të përparojnë deri në fshatin Vesekovc, një pikë strategjike e UÇK-së në lartësinë malore në veri të Vushtrrisë. Në mbrëmje filloi granatimi i Sllakofcit, mëngjesin e nesërm u intensifikuan dhe popullata filluan të shkonin në drejtim të Cecelisë, me synimin për të arritur në Studime të Epërme dhe në Vushtrri.[54] Në Sllakovc, UÇK-ja i rezistoi forcave serbe të cilat kishin ardhur nga drejtimi i fshatit Melenicë dhe nga drejtimi i Llapit. Po në të njëjtën kohë, UÇK-ja nga Sllakovci u nis në drejtim të lindjes, ndërsa forcat serbe vazhdonin granatimin.[55] Edhe më 2 maj 1999, rreth orës 11:00, fshati Sllakovc u granatua ashpër. Po digjeshin shtëpitë dhe dëgjoheshin të shtëna nga armët automatike. Pas pak, këmbësoria serbe hyri në fshat dhe shumë shqiptarë në këmbë, me kuaj dhe me automjete, filluan të largoheshin.[56]
Më 1 maj 1999, forcat serbe të cilat granatonin pareshtur me minahedhës dhe armë të tjera artilerie, kishin arritur deri në Vesekovc. Gjatë konfrontimeve ishin plagosur tre ushtarë të UÇK-së. Të nesërmen, luftimet u intensifikuan. Këtu togës së Batalionit IV iu bashkëngjitën disa ushtarë të Njësisë Speciale të Brigadës 141. Ndërkohë, forcat serbe hynë në Skromë. Edhe gjatë kësaj dite, në Vesekovc zhvillohen luftime, ku vritet ushtari i Njësisë Speciale, Nysret Musa. Po këtë ditë, nga plagët e marra ndërron jetë, Faruk Beqiri, i cili varroset me nderime të larta ushtarake në fshatin Ceceli.[57] Kështu, deri në fund të prillit 1999, UÇK i kishte rezistuar forcave serbe.
Disa nga krimet serbe në Zonën e përgjegjësisë së ZOSH
Pas përparimit të forcave serbe, shqiptarët e zhvendosur, të cilët po fshiheshin në malet rreth Shalës, më 28 prill 1999, ishin nisur në drejtim të Samadraxhës, Sllakofcit dhe Cecelisë. Forcat serbe vazhdonin të granatonin disa fshatra në rrethinën e Bajgorës. Më 2 maj, ato thyen linjën e frontit të UÇK-së pranë Bajgorës e Melenicës, duke i detyruar të strehuarit që të largohen nga rajoni në fjalë.[58] Një numër i madh i popullatës ia mësyjnë Vushtrrisë nëpër Studime dhe pas tërheqjes së banorëve, pason edhe tërheqja e ushtrisë, e cila u bë nën rrebeshin e armatimit të rëndë të forcave serbe.[59] Situata vazhdonte të ishte e vështirë. Pas depërtimit të kolonës me persona të zhvendosur shumë shqiptarë të tjerë kishin mbetur në rajonin midis Dumnicës e Cecelisë, disa kilometra në jug, në zonën ku UÇK-ja kishte rivendosur kontrollin përsëri. Por, së shpejti forcat serbe zunë pozicione në kodrinat përreth duke prerë kështu edhe rrugën për në Vushtrri. I vetmi shteg për të shkuar në qytet ku mund të sigurohej ushqimi ishte përgjatë një përroi që rridhte në drejtimin Studime e Epërme-Studime e Poshtme-Vushtrri. Disa herë policia kishte gjuajtur dhe vrarë fshatarët shqiptarë që kishin tentuar të hynin apo dilnin nga Vushtrria, siç ishte rasti i datës 14 maj, ku disa ushtarë të UÇK-së kishin gjetur trupat e gjashtë burrave që ishin vrarë afër një përroi.[60]
Ndërkohë, kolonës së refugjatëve që lëvizi në drejtim të jugut nga fshatrat Ceceli dhe Sllakovc, iu bashkuan edhe shqiptarë të tjerë që kishin kërkuar strehim në këto anë dhe përbëhej prej qindra automjetesh dhe 3 000 deri 5 000 refugjatësh, që shtrihej deri në fshatin Studime e Epërme. Forcat serbe-jugosllave e shoqëruan atë dhe gjatë rrugës dogjën shtëpitë në fshatrat Sllakovc e Ceceli.[61] Kolona fillimisht kishte arritur në Ceceli për të vazhduar më pas në drejtim të Studimes së Epërme, Studimes së Poshtme dhe në qytetin e Vushtrrisë.[62] Rreth orës 17:00, forcat serbe me automjete të blinduara arritën deri tek pjesa veriore e saj. Pjesëtarët e forcave serbe kishin uniforma të kamufluara ngjyrë të gjelbër, ngjyrë të kaltër dhe ngjyrë të zezë. Disa bartnin edhe shami në kokë, të tjerë kishin fytyrat e ngjyrosura, e disa mbanin maska plastike që mbulonin gjithë fytyrën dhe fytin, të hapura në sy dhe gojë. Pjesëtarët e veshur me uniforma të kamufluara ngjyrë të gjelbër dhe kaltër që iu afruan kolonës, ishin pjesëtarë të MPB-së dhe UJ.[63] Në Studime gjatë natës (më 2 maj), përkatësisht nga ora 22:00 deri në ora 24:00, ndodhi një masakër e rëndë dhe e tmerrshme, shkaktuar nga forcat e armatosura serbe ndaj popullatës civile shqiptare, ku u vranë 99 shqiptarë civilë, tërësisht të pafajshëm.[64]
Në mëngjesin e 22 majit 1999, pjesëtarët e UJ dhe të policisë kishin hyrë në qytetin e Vushtrrisë, duke dëbuar qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe duke i detyruar ata të lëviznin në drejtim të varrezave të qytetit, që paraprakisht ishte e rrethuar. Rrugës për në varreza disa njerëz u ndanë nga familjet e tyre, i rreshtuan tek një mur dhe i vranë me armë zjarri.[65] Një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i detyruan të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës.[66] Pengmarrësit shqiptarë u torturuan në mënyrë çnjerëzore, pastaj u ekzekutuan të gjithë. Kufomat u ngarkuan në një kamion dhe u dërguan në Serbi, përkatësisht në varrezat masive në Qendrën e Njësive Antiterroriste në Batanjicë, Beograd. Tre personat përgjegjës për mbikëqyrjen e forcave serbe ishin: Vuqina Janiqijeviq, Dragan Petroviq dhe Lubisha Simiq, zëvendëskomandant policie në Vushtrri.[67]
Më 24 maj 1999, një grup vajzash (8 veta), ndërsa po kalonin lumin Studime, u vranë dhe u masakruan barbarisht nga forcat pushtuese serbe.[68] Më 31 maj 1999, artileria dhe minahedhësit e Brigadës 37 të Motorizuar serbe filluan sulmin në fshatin Studime e Poshtme. Brenda një ore policët e njësive speciale, të ndarë në grupe me nga 2-3 veta, u futën nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Ata i tmerruan banorët, u plaçkitën sendet me vlerë, i dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe nga fshati. Me këtë rast, njësitet speciale policore dhe ato të policisë së rregullt serbe vranë dhjetëra shqiptarë, përfshirë edhe 12 anëtarët e familjes Gerxhaliu.[69]
Humbjet e forcave serbe në komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë
Forcat serbe të përfshira në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, paraqisnin një kombinim kompleks të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njësive të saja speciale, të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe njësive të saja speciale, forcave paramilitare, milicive lokale dhe një asortimenti luftëtarësh të sjellë nga jashtë, që të gjithë nën urdhrat e qeverisë në Beograd.Gjatë viteve në fjalë, në ballafaqim me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë pjesëtarë të forcave të tilla serbe. Deri më tani posedojmë të dhëna jo të plota për humbjet e tyre. Megjithatë për të folur për to do mbështetemi në disa burime. Në Mitrovicë, policë të plagosur rëndë, më 1998, ishin 4, dhe të plagosur lehtë 6 veta. Më 1999, policë të plagosur rëndë 11, ndërsa lehtë 17.[70] Ndërsa, më 1998 gjithsej aksione nga UÇK-ja, në Mitrovicë ishin kryer 34, dhe më 1999, 42 aksione.[71] Sipas Bojan Gjokiq, i cili pretendon të këtë pasur në dispozicion materialin burimor nga MPB e Serbisë, del se në territorin e Drejtorisë Policore të Mitrovicës, u vranë 50 pjesëtarë të MPB-së. Që të gjithë ishin serbë e malazezë, përveç njërit që u etiketua si “tjetër”. Sipas komunave në territorin e Skenderajt, u vranë 27 pjesëtarë të MPB, në atë të Mitrovicës 13 dhe të Vushtrrisë 10.[72] Në vazhdim po japim dy tabela për numrine të vrarëve të MPB-së në territorin e Drejtorisë Policore të Mitrovicës, më 1998 dhe 1999 dhe atë sipas muajve.
Viti/Komuna | Serbicë (Skënderaj-S.S.) | Mitrovicë | Vushtrri | Gjithsej |
1998 | 15 | 7 | 1 | 23 |
1999 | 12 | 6 | 9 | 27 |
Gjithsej | 27 | 13 | 10 | 50 |
Të dhënat mbi vrasjet e pjesëtarëve të MPB-së në territorin e Drejtorisë Policore të Mitrovicës, sipas muajve:
Viti/muaji | Mars | Prill | Maj | Qershor | Gusht | Shtator | Tetor | Nëntor | Gjithsej |
1998 | 2 | / | 2 | 2 | 2 | 13 | 1 | 1 | 23 |
1999 | 12 | 6 | 6 | 2 | 1 | / | / | / | 27 |
Gjithsej | 14 | 6 | 8 | 4 | 3 | 13 | 1 | 1 | 50 |
Sipas tabelës nuk kemi të dhëna për muajin korrik dhe dhjetor.
Sipas librit, “Спомен Књига – Јунаци отаџбине, Друго допуњено издање, Савезна Влада, Војна штампарија, Београд, 2000”, (“Libër kujtimi – Heronjtë e atdheut”(Botimi i dytë i plotësuar, Qeveria Federale, Shtypshkronja Ushtarake, Beograd, 2000), libër biografik që i kushtohet të “rënëve për atdhe”. Gjatë periudhës kohore maj 1998 – qershor 1999, në rajonin e Mitrovicës në ballafaqim me forcat e UÇK-së u vranë rreth 23 pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe. Vetëm gjatë muajve maj-shtator të vitit 1998 u vranë 6 pjesëtarë të këtyre forcave, prej të cilëve pesë policë të rregullt dhe një polic rezervist.[73] Në periudhën prill-qershor 1999, rreth 14 pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe ranë në luftime me UÇK-në. Nga ky numër, 7 ishin policë të rregullt dhe të tjerët rezervistë ushtarakë.[74]
Në komunën e Vushtrrisë, UÇK prej 1 janari deri më 31 dhjetor 1998, kishte ndërmarrë 14 aksione, ndërsa nga 1 janari deri më 20 qershor 1999, 33 të tilla.[75] Në vitin 1998 ishin plagosur rëndë 2 policë dhe plagosur lehtë 4 të tjerë. Më 1999, të plagosur rëndë ishin 6 veta dhe të plagosur lehtë 7 të tjerë.[76] Sipas studiuesit Bojan Gjokiq, më 1998 dhe 1999 në territorin e Vushtrrisë u vranë gjithsej 10 pjesëtarë të MPB-së, një (1) më 1998 dhe nëntë (9) veta më 1999.[77] Ndërsa, sipas librit të lartëpërmendur: “Спомен Књига – Јунаци…”, gjatë periudhës shkurt 1998 – qershor 1999, në rajonin e Vushtrrisë u vranë rreth 24 pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe. Nga ky numër vetëm dy policë të rregullt u vranë gjatë vitit 1998, njëri humbi jetën në fatkeqësi, kurse të tjerët në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999. Nga 21 sosh, 4 ishin pjesëtarë të rregullt të UJ, 8 rezervistë të UJ, 5 të MPB* dhe 4 rezervistë të MPB-së. Nga ky numër vetëm një ishte vrarë nga NATO, për dy nuk jepen të dhëna, kurse pjesa e mbetur prej 21 sosh u vranë gjatë luftimeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.[78]
Sigurisht, një shifër e tillë e humbjeve të forcave serbe në ZOSH, mund të jetë e diskutueshme, sepse ajo përfshinë vetëm pjesëtarët e forcave serbe të regjistruar e klasifikuar në: pjesëtarë të rregullt të MPB-së, pjesëtarë rezervë të MPB-së, ushtarë të rregullt, ushtarë rezervë dhe ushtarët vullnetarë, pra nuk përfshihen grupet tjera.Sigurisht, një shifër e tillë e humbjeve të forcave serbe në ZOSH, mund të jetë e diskutueshme, sepse ajo përfshinë vetëm pjesëtarët e forcave serbe të regjistruar e klasifikuar në: pjesëtarë të rregullt të MPB-së, pjesëtarë rezervë të MPB-së, ushtarë të rregullt, ushtarë rezervë dhe ushtarët vullnetarë, pra nuk përfshihen grupet tjera.
Përfundim
Fillimi i vitit 1999 shënoi një pikë kthese në historinë e luftës çlirimtare në Kosovë. Kapja robër e një skuadre të Ushtrisë Jugosllave nga pjesëtarët e Zonës Operative të Shalës në fshatin Bare ndikoi në ndërkombëtarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ajo lidhi marrëveshje me faktorin ndërkombëtar për këmbimin e tetë ushtarëve jugosllave me nëntë ushtarë të UÇK, që ishin arrestuar në dhjetor të vitit 1998 nga forcat ushtarake serbe në kufirin Kosovë-Shqipëri. Pa dyshim, kjo paraqiti një fitore diplomatike, politike dhe ushtarake për UÇK-në dhe Kosovën. Sigurisht, një ngjarje e tillë e vuri Zonën Operative të Shalës në agjendën e hakmarrjes jugosllave, kurse në anën tjetër ajo u kishte dhënë vullnet dhe vetëbesim njësiteve të UÇK-së të kësaj zone në luftën për liri. Kështu, gjatë fundit të shkurtit deri kah mesi i marsit të vitit 1999 në territoret e Zonës Operative të Shalës u zhvilluan luftime të ashpra me forcat ushtarake/policore serbe, që si rezultat kishte rënien dëshmorë të një numri të ushtarëve të UÇK të kësaj zone. Sukseset e UÇK-së në Zonën Operative të Shalës dhe intervenimi ushtarak i NATO, bënë që qarqet ushtarake të hartonin projekte ushtarake të shkallës së gjerë.
Projekti ushtarak jugosllav “Grom-3” dhe ai “Bajgora”, duke filluar nga fundi i marsit të vitit 1999, kundër kësaj zone u vërsul një forcë e kombinuar ushtarake-policore-rezerviste jugosllave, të cilat krahas artilerisë përdorën edhe aviacionin bombardues. Luftimet në Zonën Operative të Shalës gjatë muajve mars – maj 1999 ishin tejet të ashpra. Vetëm gjatë kësaj periudhe nga radhët e UÇK-së ranë mbi 28 dëshmorë. Një ndër qëllimet kryesore të politikës jugosllave ishte edhe shfarosja dhe dëbimi i shqiptarëve nga trevat e tyre, prandaj në vazhdën e këtij qëllimi një numër masakrash të përmasave të ndryshme u kryen në Kosovë. Vetëm në Zonën Operative të Shalës gjatë pjesës së parë të vitit 1999 u kryen disa masakra ndaj popullsisë civile: Masakra e Studimes – 99 civilë të vrarë; Masakra e Vushtrrisë – 68 të vrarë; Masakra ndaj familjes Gerxhaliu, etj. Krahas argumenteve të cekura më sipër, si përfundim mund të themi se Zona Operative e Shalës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luajti një rol me rëndësi në luftën çlirimtare, rol të cilin ia imponuan jo vetëm rrethanat gjeografike, por edhe tradita e atdhedashurisë e kultivuar përmes brezave e cila u manifestua me përfshirjen në Ushtrinë Çlirimtare dhe mbështetjen e saj të pakusht nga gjithë banorët e zonës në fjalë.
(FUND)
Ilustrimet © Pashtriku.org
________________
LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË ZONËN OPERATIVE TË SHALËS DHE HUMBJET E FORCAVE SERBE (1)
Nga Prof.Dr.Sabit Syla, Prishtinë 26 Janar 2024
__________________________________________
ZONA OPERATIVE E SHALËS NË SHTYPIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (1998-1999)
Nga Miftar Kurti
[1] Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Mitrovicë (më tej: KMDLNJ). Mbi arsimin në Mitrovicë 1990-1999, Kutia Nr. 26. Raport i Këshillit Komunal të Arsimit dërguar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Prishtinë.
[2] Zona neodgovornosti, Fond za humanitarno pravo Beograd, http://zonaneodgovornosti.net/. Komanda e Korpusit të Prishtinës, Sekret ushtarak, Top sekret nr. 880-243, 19 shtator 1998, Urdhër, për të mbështetur forcat e MPB-së në shkatërrimin e forcave terroriste në sektorin e Çyqavicës, komandanti gjeneralkolonel Nebojsha Pavkoviq,f. 3-5.
[3] M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 70-71.
[4] Sabit Syla, Arsimi shqip në Mitrovicë (Mësimdhënës dhe luftëtarë të lirisë), Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, f. 188.
[5] Intervistë dhënë autorit nga Gani Imeri, ish-pjesëtar i Njësitit të Parë në Zabërrgjë e ish-komandant i Batalionit IV në Brigadën 141 “Mehë Uka”, shtator 2019.
[6] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Shënim nga Emin Musa, Përshkrimi i ngjarjeve pas “Ofensivës së Shtatorit” 1998, në Brigadën 141 “Mehë Uka”, shtator 2019.
[7] Intervistë dhënë autorit nga Safet Hasani, ish-polic ushtarak i Zonës Operative të Shalës, korrik 2020.
[8] Po aty.
[9] M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 71-72; Agim Zogaj, “Vdekja e madhe erdhi pa paralajmërim”, Zëri, 16 nëntor 2002, f. 18.
[10] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Brigada 141 “Mehë Uka”, Nr.01-1/5, më 10.1.1999, komandanti Hysni Ahmeti.
[11] Po aty, Dosja SHP, Telegram mbështetës ZO të Shalës nga ZO e Drenicës, Instituti i Historisë-Prishtinë, 2017; Berat Luzha, Arkivi i luftës i Agjencisë Shtetërore Informative “Kosovapres” Vëllimi i parë (4 janar-28 shkurt 1999), Prishtinë: Instituti i Historisë, f. 99-100.
[12] J. Krasniqi, Kthesa e madhe…, f. 157; M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 27.
[13] Drama otetih vojnika, Vreme br. 430, 16 januar 1999, https://www.vreme.com/arhiva_html/430/4.html, qasja 13 tetor 2019.
[14] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 137.
[15] Drama otetih vojnika, Vreme br. 430, 16 januar 1999, https://www.vreme.com/arhiva_html/430/4.html, qasja 13 tetor 2019.
[16] Intervistë dhënë autorit nga ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, tetor 2019.
[17] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …., f. 139.
[18] Intervistë dhënë autorit nga Hysni Ahmeti, ish-komandant i Brigadës 141 “Mehë Uka”, korrik 2020
[19] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Brigada 141 “Mehë Uka”, Tejet sekret ushtarak, Nr. 1/137, më 18.02.1999, komandanti Hysni Ahmeti.
[20] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 3 od 4, f. 363-364.
[21] Emin Musa, Ditar lufte, i mbajtur në Artakoll,Taragjë, 25. 02. 1999 – 18 mars 1999.
[22] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Shënim nga Ismet Haxha, ish-inspektor i Policisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, korrik 2019.
[23] M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 72-73.
[24] Intervistë dhënë autorit nga Aziz Bici, ish-komandant i Batalionit I të Brigadës 142, të Zonës Operative të Shalës, korrik 2020.
[25] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Shënim nga I. Haxha.., korrik 2020.
[26] Intervistë dhënë autorit nga Muharrem Miftari, ish-komandant skuadre i togës se dytë të Kompanisë Dytë, të Batalionit Parë të Brigadës 142, korrik 2018.
[27] Intervistë dhënë autorit nga H. Preteni.., dhjetor 2019.
[28] M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 74.
[29] E. Musa, Ditar lufte…, Taragjë, 13 mars 1999.
[30] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 2 od 4, f. 251-252, https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/tjug/bcs/jud090226p2_bcs.pdf.
[31] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 285.
[32] Bojan B. Dimitrijević, “Jugoslovenski vojni vrh i pripereme za rat sa NATO, oktobar 1998 – mart 1999”, Istorija 20. Veka, Br. 1/2009, Beograd: Institut za Savremenu Istoriju, 2009, f. 169.
[33] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 285-286.
[34] Dosije: Rudnica, Fond za humanitarno pravo, Beograd, 2015 http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2015/01/Dosije_Rudnica_sr.pdf, f. 24.
[35] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 285-286.
[36] M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 75.
[37] Jashar Zejnullah Jashari (16.3.1962-29.3.1999), https://www. radikosovaelire.com; Bedri Tahiri, Jashar Jashari, Komandant Duraku, “Meshari”, Prishtine 2015, f. 129-130.
[38] M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 75.
[39] Intervistë dhënë autorit nga Hajzer Istrefi, ish-komandant i Batalionit I të Brigadës 141 “Mehë Uka”, korrik 2020.
[40] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 1 od 4, f. 395.
[41] Po aty, f. 404-405.
[42] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 3 od 4, f. 483.
[43] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 2 od 4, f. 269.
[44] Po aty, f. 270.
[45] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 1 od 4, f. 270.
[46] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 440.
[47] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 2 od 4, f. 269.
[48] M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 74-77; Intervistë dhënë autorit nga H. Preteni.., dhjetor 2019; Qerim Hamiti, Fjalë me rastin e pesë-vjetorit të rënies së komandant, Shemsi Ahmeti, mbajtur në tubimin përkujtimor në Zasellë, 25 prill 2004.
[49] M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 77.
[50] Lista e dëshmorëve dhe të plagosurve të ZOSH-it, Arkivi i Zonës IV Mbrojtëse -TMK, Mitrovicë, 2007.
[51] FHP, Kosovo – Kako viđeno…, f. 248.
[52] Po aty, f. 304.
[53] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV, Ditari i Batalionit IV “Rexhep Musa”.
[54] MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 2 od 4, f. 268.
[55] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 440.
[56] Po aty, f. 441.
[57] Deklaratë dhënë autorit nga G. Imeri, nëntor 2019.
[58] Human Rights Watch, Po Naređenju…, f. 490.
[59] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV “Rexhep Musa”, Referimet – Raportimet, Raport i Punës dhe aktivitetit të Batalionit të Katërt, para, gjatë dhe pas ofensivës së fundit të forcave armike.
[60] Human Rights Watch, Po Naređenju…, f. 501.
[61] Po aty, f. 491.
[62] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 441.
[63] Po aty, f. 441-442.
[64] Fjalori Enciklopedik i Kosovës, II, L-ZH, Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2018, f. 1060.
[65] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 452-453.
[66] Fjalor Enciklopedik i Kosovës II (L-ZH)…, f. 1062.
[67] MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 452-453.
[68] AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV, Ditari i Batalionit IV “Rexhep Musa”.
[69] Dosije Diković Ljubiše, Fond za humanitarno pravo, Beograd, 23 janar 2012, http://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2012/10/Ljubisa-Dikovic-Dosije-and-Prilog.pdf, f. 12.
[70] NK – SO89, Humbjet e policisë serbe…, f. 180-190.
[71] Po aty, f. 191-192.
[72] Бојан Ђокић, “Квантитативна анализа убијених и несталих припадника МУП-а на КиМ од албанских паравојних формација 1998-2003”, Безбедносt, Часопис Министарства унутрашњих послова Републике Србије, Београд, Vol. LIX, No. 3, 2017, f. 152-152.
[73] Спомен Књига…, f. 28-56.
[74] Po aty, f. 79-341.
[75] NK – SO89, Humbjet e policisë serbe…, f. 191-192.
[76] Po aty, f. 180-190.
[77] Б. Ђокић, “Квантитативна анализа…”, f. 152-152.
* Nuk epet statusi i tyre, besoj të jenë pjesëtar të rregullt të MPB-së.
[78] Спомен Књига…, f. 17-284.