BESNIK IMERI: MINORITETET NË SHQIPËRI

Vlorë, 5 tetor 2020: Greqia, megjithëse në fund të shekullit të kaluar, hyri edhe në BE nuk i njohu minoritetet dhe nuk i njeh as sot e kësaj dite. Sot, BE i kërkon Shqipërisë t’i trajtojë mirë minoritetet, ndërkohë që Greqisë i “fërkon kokën” që nuk i njeh minoritetet. Ky qëndrim i BE, besoj se e vendos atë në pozita qesharake dhe komike. Shqipëria, në fillim të shekullit të kaluar, sapo u krijua si shtet, i njohu minoritetet menjëherë dhe ka një shekull që është shëmbull në Ballkan për këtë qëndrim të saj.
Madje, që të jem bindës në këtë drejtim, shëmbullin po e marr para njëqind vjetësh pas Luftës së Madhe, pa e krijuar shtetin e saj, qeveria e përkohshme e Durrësit e Turhan Pashës më 24 janar 1919 i njohu minoritetet. Në pikën nr.6 të programit të saj ajo thotë: “Minoriteteve, që do të përfshihen në kufijtë etnikë të Shqipërisë, do t’u garantohen të njëjtat të drejta që gëzojnë mazhoranca dhe do t’u bëhen konçesionet më të mëdha brenda kuadrit kushtetues dhe të pajtueshme me të drejtat e sovranitetit të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, qeveria e përkohshme do të bëjë ç’është e mundur që të njëjtat të drejta t’u njihen minoriteteve shqiptare, që mund të mbeteshin jashtë kufijve të Shqipërisë së pavarur.” 1
Tani shtrohet pyetja, a e bëri të njëjtën gjë Greqia kur u krijua si shtet më 1831, apo edhe më 1835 dhe 1840; ndërkohë që ajo si shtet, përjashto arbanitasit që formojnë trungun e saj, në vetvete është e përbërë nga minoritetet? Pra është një shtet multietnik.
Qëndrimi i Shqipërisë mbeti i pandryshueshëm, gjë që pas disa vjetësh, kur Shqipëria kishte krijuar shtetin e saj dhe ambasadori ynë fuqiplotë në Greqi, Mid’hat Frashëri, në funksionin e Kryetarit të delegacionit shqiptar, në dhjetor të vitit 1923 raportonte para Lidhjes së Kombeve:
“Më lejoni z.President të shtoj dy fjalë, duke kërkuar në të njëtën kohë që deklarata ime të përfshihet në raportin e seancës së Këshillit.
Shqipëria ka nënshkruar klauzolat që lidhen më minoritetet, me vullnet të plotë…Vendi, që unë kam nderin të përfaqësoj (Shqipëria), u ka njohur minoriteteve etnike, të cilat jetojnë në kufijtë e tij, të gjitha të drejtat fetare, kulturore dhe qytetare. Në këtë pikëpamje, Shqipëria është shteti më liberal i pjesës juglindore të Europës…”2
Qarqet shoviniste greke duke përfituar nga kjo tolerance e shtetit shqiptar që nga viti 1912 dhe këndej, nisur edhe nga ajo shprehja shqiptare, që, “i jep gishtin dhe të marrin krahun”, pretendojnë, se një pjesë e rëndësishme e popullsisë brenda territorit të shtetit shqiptar është greke. Ndërkohë që në vendin e tyre, në Greqi, ata nuk njohin si pakicë shqiptare, për të mos thënë si pjesë përbërse shtetformuese të Greqisë, masën disa milionëshe të arvanitasve, duke i shtuar kësaj edhe masën e madhe qindramijëshe të shqiptarëve të Epirit. Ata pretendojnë për rreth 400.000 deri në 600.000 grekë në Shqipëri. Por po të shikojmë rregjistrimet korekte të shtetit shqiptar, ata nuk janë më shumë se 60.000 greqishtfolës.

Edvin Zhake duke ju drejtuar rregjistrimit të shtetit shqiptar në vitin 1934 pohon: “Shqiptarët përbënin 97 për qind të popullsisë, popullsia me prejardhje greke 2 për qind, dhe, vllehë, bullgarë, sërbë, ciganë 1 për qind.”3
Shoqata e Vorio-Epirotëve të Amerikës, që është pjesa më agresive e qarqeve shoviniste greke, me në krye klerikët ortodoksë grekë të Amerikës, të cilët, nga ana e tyre, janë maja e heshtës shpuese ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; vazhdimisht kane ngritur zërin pranë institucioneve amerikane, për gjoja të mos respektimit të të drejtave të të ashtuquajturit minoritet etnik grek në Shqipëri. Ja se çfarë na thotë lidhur me këtë problematikë Edvin Zhake: “…Peshkopët grekë ortodoksë të SHBA në vitin 1981 ngritën pretendime për numrin e pakicës greke në Shqipëri…Komunikata e Departamentit SHBA më 20 prill 1981: “numri më i afërt, por jo plotësisht i saktë, i grekëve në Shqipëri mund të jetë rreth 50.000”… më datë 25.01.1984, mbi bazën e këtyre kërkesave, nënkomisioni i të drejtave të njeriut në Dhomën e Përfaqësuesve në SH.B.A në Vashington D.C mbajti një seancë dëgjimore në Kongres…Ata (peshkopët grekë) pretendonin se 400.000 ortodoksë në Shqipëri ishin grekë…Dokumentat zyrtare të SHBA tregonin se pakica greke në Shqipëri ishte 50.000 persona…Rregjistrimi i popullsisë në Shqipëri i vitit 1989 raportoi një pakicë greke prej 58.758 persona, në një popullsi të përgjithshme prej 3.25 milion banorësh…”. 4
Në një raportim që ambasadori ynë në Greqi, Mid’hat Frashëri, i bën Ministrisë së Jashtëme Shqiptare më datë 12 qershor 1925 thuhet: Në njerëz të qarqeve në prefekturën greke të Epirit mbretëron ky mendim; …Greqia ç’kishte për të fituar në Epir të Veriut i fitoi. Grekofonët e Shqipërisë kanë deputetë, shkolla, kisha, funksionarë zyrtarë, liri të plotë civile dhe politike. Edhe Qeverija Shqiptare ka bërë premtim që të miret në kabinet edhe një ministër grek. Pra ne tani nuk kemi më frikë, dhe duam që të shpëtojmë nga elementi shqiptar i Epirit, që të mos mbetet ndonjë kundërpeshë për helenizmën dhe të mundim të punojmë më shpenguar në Shqipëri të Jugësë…”5
Ndërkohë që Greqia, me ndihmën e Europës, para dymbëdhjetë vjetësh (1913) i kishte grabitur Shqipërisë, mbi gjysmën e Shqipërisë së Jugut, Çamërinë, Janinën, Konicën, Follorinën, Kosturin etj. Po kush ishte sjellja ndaj kësaj popullsie shqiptare të pushtuar:
“…Ju grabitën pasuri me vlerë 2.700.000 napolona ar (flori)…Shqiptarët në Greqi nuk kanë të drejtë votimi, s’kanë deputetë, s’kanë të drejtë për shkolla shqipe, xhamitë dhe teqetë janë konfiskuar prej qeverisë greke…Ndërkohë që në Shqipëri kishte të hapura 37 shkolla greke, në Greqi nuk kishte asnjë shkollë shqipe për shqiptarët…”6
Greqia pra, ashtu si ka vepruar në vitin 1925, ashtu vepron edhe sot e kësaj dite. Asnjë ndryshim, as në taktika dhe as në strategji. Në Shqipëri, I ashtuquajturi minoritet grek i ka të gjitha të drejtat. Ndërsa shqiptarët në Greqi, jo vetëm që nuk kanë asnjë të drejtë si shqiptar, si minoritet, por kanë frikë që të thonë që janë shqiptar, pasi persekutohen nga shtetit grek, një klerikokraci ortodokse, apo më saktë një shtet me tipare fashiste me ngjyrime të forta fetare.
Ka 100 vjet që popullsia shqiptare në Greqi; duke mos folur këtu për deportimin me dhunë, sekuestron e shtëpive, tokave, vreshtave, ullinjve, gjësë së gjallë; dhe, për më tepër, duke mos folur për genocidin grek ndaj shqiptarëve; është në të njëjtën gjëndje, në mos më keq. Sa komikë duken ata politikanë grek sot, që i kërkojnë Shqipërisë të plotësojë standartet europiane. Ata më kujtojnë fabulën, me ujkun që i kërkonte qengjit të mos i pshurrte ujin, kur qengji ndodhej në përrua më poshtë tij. Po BE çfarë roli ka në këtë mes? BE mban anën e ujkut, duke mbështetur me ndërgjegje padrejtësitë që janë kryer ndaj shqiptarëve këto 150 vjet. Ajo është në rolin më hipokrit, dhe, nëqoftëse do ta mohojë këtë, lë të detyrojë Greqinë si shtet anëtar i saj të njohë minoritetet. Në të kundërtën të gjitha llafollogjitë e BE, që sot e kësaj dite u kërkojnë shqiptarëve të sillen mirë me minoritetet, është hipokrizia më e pështirë.
Qysh me krijimin e shtetit shqiptar më 1912 dhe deri në ditët e sotme, fillimisht Fuqitë e Mëdha dhe sot BE, i kanë bërë presione të jashtëzakonshme shtetit shqiptar lidhur me trajtimin e minoriteteve. Flasim për trajtimin, se për të njohur, shteti shqiptar është i pari në këtë drejtim, që i njeh minoritetet dhe për këtë nuk kanë se çfarë të thonë. Fuqitë e mëdha dikur dhe shtetet e BE sot, e dinë shumë mirë që trajtimi i minoriteteve në Shqipëri është nga më të mirët. Por tjetërkund “fle lepuri”, qëllimi i tyre ka qënë vazhdimisht që në Shqipëri të njihen sa më shumë minoritete dhe të krijohet mundësia që Shqipëria të shpallet një shtet multientik, ashtu siç po bëjnë edhe me Kosovën. Me këtë mbulohet me gjethe fiku dhe e pëgëra e Europës në vitin e mbrapsht 1913. Por më këtë synojnë shpërbërjen e shqiptarëve si komb dhe jo unik në trojet e tyre etnike.
Por me që ra fjala, kush janë minoritetet që njeh shteti shqiptar? Janë të ashtuquajtur grekë të Jugut të Shqipërisë, të ashtuquajturit maqedonas të disa fshatrave në Prespë dhe si qershia mbi tortë, dy fshatra të ashtuquajtura malazeze në në fushën e MbiShkodrës. Por së fundmi, qeveria antishqiptare në pushtet ka njohur edhe të ashtuquajturin minoritet bullgar në verilindje të Shqipërisë. E shikoni sa bukur, e gjithë Shqipëria e rrethuar nga minoritetet. Aktualisht, po punojnë me të gjitha forcat, që Himara, të njihet si minoritet grek nga shteti shqiptar. Gjë që mund të arrihet si rezultat i gjunjëpërthyerjes së shtetit shqiptar.
Marrim vesh kohët e fundit (2020) se qeveria shqiptare me miratimin e ligjit për minoritetet, dhe në ndryshim të ligjit të mëparshëm ku minoritetet njiheshin vetëm në një territor të caktuar, tani i njeh pa kufizim në të gjithë territorin e Shqipërisë; ndërkohë, që këto tridhjetë vjet, nëpërmjet manipulimit dhe dhënies së shtetësisë greke të shumë shtetasve shqiptarë, Greqia ka arritur të ngre artificialisht numrin popullsisë pakicë greke në Shqipëri. Tani, me këtë ligj që ka miratuar kjo qeveri antishqiptare dhe puthadore e Athinës dhe Beogradit, pakicë greke kemi edhe në Vermosh, mjafton që atje të shkojë dhe të banojë qoftë dhe një greqishtfolës shqiptar, ose një shqipfolës shqiptar por me shtetësi greke.
Por po bëjmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë gjithë këto minoritete brenda territorit të Shqipërisë së 1913? Mos vallë kjo bëhet për t’i nxjerrë të jashtëligjishëm shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit amë pas copëtimit të 1913? Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, pavarësisht gjuhës që flasin, kush është etnia e vërtetë e këtyre minoritarëve që e kanë rrethuar dhe futur në lak Shqipërinë?
Qysh në fillim duhet të themi, se këtu ndodhemi para një mashtrimi të madh. Në Shqipëri nuk ka shumë minoritete, por e shumta ka vetëm një minoritet. Gjuhët e ndryshme që ata flasin, në të vërtetë nuk tregojnë etninë e tyre të vërtetë. Gjuha që ata flasin, në pamje të jashtëme, në formë, krijon përshtypjen e një popullsie të huaj fqinje. Shëmbull këtu, që për mendimin tim, është sqaruar mjaft mirë në pjesën që flasim për vllehtë, është i ashtuquajturi minoritet etnik grek, që nuk është gjë tjetër, ku siç e pranojnë edhe ata vet (Malqidhis), janë veçse vllaho-grekë, pra kemi të bëjmë vetëm me vllehë të greqizuar. Pra një popullsi dygjuhëshe, që ka humbur gjuhën e vet amtare vllahe dhe ka ruajtur gjuhën e huazuar, greqishten.
Interesant është fakti, se praninë e vllehëve të greqizuar në Shqipërinë e Jugut me gjuhë amtare vllahishten dhe gjuhë të huaj greqishten, siç e kemi përmendur edhe më parë, e pranojnë edhe vet grekët:
“..Në rregjistrimin e një pjese të vllehëve grekë të zonës së Kolonjës në vitin 1945 rregjistrohej si gjuhë amtare vllahishtja dhe greqishtja si gjuhë e huaj…Vllehtë grekë të shpërngulur u vendosën në zonën e Lunxhërisë, Zagorisë dhe Pogonit… Në Lunxhëri vllehtë grekë ngritën edhe fshatrat e tyre si Andon Poçi…”7
Pra të gjitha këto të ashtuquajtura minoritete të tjera në Shqipëri, pas vllehëve grekë, hyjnë tek popullsitë dygjuhëshe, të cilat kanë humbur gjuhën amtare, dhe kanë ruajtur gjuhën e huazuar: “maqedonishten”, “bullgarishten”, “malazezen”, “boshnjaken”; të cilat, për hir të së vërtetës nuk janë shumë gjuhë, por janë vetëm një gjuhë, gjuha sllave, në variantet të ndryshme dialektore. Pra kemi vetëm një të ashtuquajtur minoritet etnik sllav. Pra të gjitha këto minoritete kanë huazuar një gjuhë, sllavishten. Por këtu lind kureshtja dhe me të drejtë mund të pyetet: cila ka qënë gjuha amtare e tyre?
Për mendimin tim, gjuha amtare e tyre ka qënë gjuha vllahe, të cilën, ata të shpërndarë në shtete të ndryshme sllave, qysh nga Perandoria Romake, e pas ndarjes, ajo Perandoria Bizantine, dhe, më pas ajo Osmane, e kanë humbur atë. Dihet nga të gjithë, që vllehët, për rreth dymijë vjet të shpërndarë në të gjithë Ballkanin, në pjesën më të madhe të tyre, kanë humbur gjuhën amtare dhe etnicitetin origjinal dhe të vërtetë të tyre. Dihet nga të gjithë që vllehët në Sërbi janë kthyer në Sërbë, në Bullgari janë kthyer në Bullgarë, në Kroaci janë kthyer në kroatë, në të ashtuquajturin Mal të Zi janë kthyer në malazez, në të ashtuquajturën Maqedoni janë kthyer në maqedonas, në Shqipëri janë kthyer në shqiptarë; dhe së fundmi, në të ashtuquajturën Greqi janë kthyer në grekë.
Tani ku e mbështes unë idenë, se këto të ashtuquajtura minoritete në Shqipëri janë thjesht popullsi vllahe, të cilat tufanet e historisë së Ballkanit i kanë shpërndarë në malet dhe luginat, kënetat dhe fushat moçalore të tij. U referohemi atyre që i konsiderojmë si miq të shqiptarëve. Së pari, Milan Shuflait, i cili flet për vllehë të sërbizuar në Mal të Zi, në mal dhe në fusha poshtë; dhe, vllehë të sërbizuar në Pejë dhe Prizren, pra në Kosovë, Ripërsërisim ato që thotë Shuflaj.
“…Pjesë të forta rumunësh (arumunësh ose vllehë), si vazhdim jugor i morlakëve të jugut, shihen në viset e Malit të Zi lindor të sotëm (fillimshekulli i XX-të). Jo vetëm dy maja malesh, Durmitori dhe Visitori, mbanin në vititn 1330 emër rumun, por edhe në dokumente të vjetra sërbe, që kanë të bëjnë me vise edhe më brenda lindjes (të Malit të Zi), janë plot me emra sllavë me prapashtesën rumune (Gradul, Radul, Bvladul). Vëllazëritë e shumta të barinjve rumunë banuan këtu, u grumbulluan sëbashku, si Piperët dhe Mogushët, ndërmjet lumenjve të Zetës dhe Moraçës dhe dhanë, bashkë më Luzhanët sllavë, material për krijime fisesh malazeze…Origjina e Piperëve malazezë, të cilët sipas kërkimeve të Erdeljanoviqit, janë formuar prej Piperëve dhe prej banorëve shumë të fuqishëm të Zhupës së vjetër të Luzhës dhe prej Mugoshëve rumunë bredhës, atëhere del e qartë origjina e fiseve të treta. Një vëllazëri (1416 “Villa Vllasami” në qarkun e Shkodrës), që ishte një shoqëri barinjsh…Origjinën dako-romane të këtyre rumunëve e jep emri i Mogoshëve (kujtojmë këtu djallin e zi me emrin Dushan Mugosha, i cili mbahej dhe mbahet për sërb nga atatë Kosovës,por që ishte vllah i sërbizuar), të cilët jetojnë edhe sot në shumë vende të mbretërisë rumune (Mogosani, Mogosesci, Mogosoie)…
Statutet qytetase të Kotorrit të shekullit të XIV i dallojnë qartë kroatët më në veri nga sllavët (Sclavi), të cilët të përzier me rumunë (Vualachi) dhe shqiptarë banonin në afërsi të qyteteve…
…pastaj sidomos vëllazëria “Vllehët Sremlanë”, që në vitin 1330 banonin afër Pejës. Kjo vëllazëri me emrin e vet ka ruajtur kujtimin në Srijem (Syrmium). Edhe në harkun e veriut të Drinit të bashkuar në Rrethinat e Shkodrës dhe në rrethin e Pukës (Epicaria) kanë mbetur elementë rumunë bredhës…
Viset ndërmjet Ulqinit, Raguzës, e Prizrenit, nga deti përgjatë Drinit deri në masivin e Alpeve Shqiptare dhe deri në anën e mëngjërt hidrografike të Lumës, formonin në mesjetë një brez të fortë të simbiozës etnike, në të cilin elementi shqiptar e rumun i barinjve shkrihej me banorët sllavë bujqësorë…
Manastiri i Shën Arkangjelit afër Prizrenit, i themeluar (1348) nga car Dushani, përfshinte me dekret mbretëror, përveç fshatrave të panumërta, përveç lagjeve e fshatrave shqiptare e vllahe në veri të Prizrenit, edhe një varg të madh fshatrash në Pilotin e Epërm, në perëndim të bashkimit të dy Drinave…
Sikurse për shkak të plastikës së tokës në zonën dinarike të katundeve të vjetra dhe sllavët iu nënshtruan mënyrës së jetesës së barinjve, kështu u krijua ndërmjet Kotorrit e Prizrenit edhe terminologjia shqiptaro-rumune-sërbe në sferën e blegtorisë dhe bulmetit, e cila kishte bazat e veta paraindoevropiane…në Raguzë 1357 (brença, caseus vllacheschus, caseus Murilachus)…Edhe në dialektet malazeze gjenden mjaft gjurmë të kësaj terminologjie (turin, hira, frus)…
Vëllezërit Balshaj (Strazimiri, Gjergji i I dhe Balsha i II), duke filluar nga viti 1360 paraqiten si zhupanë në Zetë…I ati i tyre pat qënë një bujar i varfër, i cili në pushtetin e car Dushanit zotëronte vetëm një fshat në Zetë. Balshajt rridhnin nga rumunët ose vllehët, flisnin si arbanët, korespondecën e kryenin sërbisht dhe mbaheshin si trashëgimtarë të mbretërisë sërbe…Në vulën (stemën) e Balshajve shihej “koka e ujkut me dhëmbë jashtë”; ndërsa shkrimi ishte cirilik…”. 8
Nisur nga sa sipër, nuk ka më dyshim, se popullsia e urtë, punëtore dhe paqësore e dy fshatrave tona të ashtuquajtura minoritet malazez në Shkodër, nuk është gjë tjetër veçse një minoritet vllah i sllavizuar. Vazhdojmë më tej. Nuk përbën ndonjë lajm të ri fakti që popullsia e fshatrave të Prespës, që ne e mbajmë për minoritet maqedonas, nuk është gjë tjetër veçse një minoritet vllaho-maqedonas, pra vllehë të sllavizuar; të cilët ishin bujqër të bejlerëve të Korçës, të ardhur aty gjatë perandorisë osmane kushedi se nga ku, por gjithmonë si një popullsi hyzmeqare (Këtë fakt e paraqet shumë mirë në romanin e vet shkrimtari nga kjo zone “Ata nuk ishin vetëm”). Ashtu siç edhe është i ashtuquajturi minoritet grek, një popullsi vllahe e greqizuar e ardhur në Dropull, Delvinë etj gjatë perandorisë osmane, si bujqër të bejlerëve të Gjirokastrës dhe të Delvinës. Pra të mos harojmë, se në këto raste kemi të bëjmë me një popullsi ardhacake në trojet shqiptare, dhe jo një popullsi minoritare të ngulur etnikisht në trojet e veta.
Nga ato që thotë Shuflaj, edhe ajo pjesë e së ashtuquajtur popullsi sërbe në zonën Pejë-Prizren dhe më gjërë, në të vërtetë nuk janë sërbë; por janë vllehë të sërbizuar. Pra Sërbia dhe BE nuk ka punë me këta “sërbë” të kllonuar, ashtu, si nuk ka punë Greqia dhe BE për ata “grekë” të kllonuar në Jugun e Shqipërisë, ku për të dy palët, e shumta, për ta mund të interesohet vetëm Rumania. Në lidhje me këta “sërbë” të Kosovës më ka tërhequr vëmëndjen konstatimi i Edith Durham, e cila thoshte se pashë një popullatë sërbe punëtore, të urtë dhe paqedashëse. Ku ta dinte Edithi se këta nuk ishin sërbë, por vllehë të sërbizuar, sidomos nëpërmjet kishës ortodokse sërbe. Përfitojmë nga rasti këtu, që ato tipare që Edithi i mendonte si tipare etnike të sërbëve të Kosovës, në të vërtetë janë tipare të popullatës vllahe kudo që ajo ndodhet.
Vllehët janë shumë punëtorë, të urtë, paqedashës, bashkëjetojnë paqësisht me shqiptarët, dhe kanë marrë pjesë gjërësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore në krah të Luftës Nacional-Çlirimtare, edhe për një aspiratë shumë të rëndësishme, për një çlirim shoqëror, për t’ua marrë token, që ata e punonin, bejlerëve shqiptarë, ashtu si dhe jau morën, dhe sot ata njihen si pronarë në tokat e shqiptarëve. Me të drejtë mund të thuhet: Si mund të ekzistojë një minoritet që nuk ndodhet në tokën e tij, nuk ka tokën e tij, ku të jetë i ngulur. Minoritet pa tokë nuk mund të ketë. Këtë fakt, që këta minoritarë deri në mesin e shekullit të kaluar nuk ishin pronarë të tokës që punonin, por bujq të saj, e tregon edhe Justin Godart: “Kështu 18 fshatra, gjatë rrugës nga Gjirokastra në kufirin grek, flasin greqisht. Ata përfshijnë 400 shtëpi. Por banorët e tyre nuk janë pronarë të tokës, janë fermerë të thjeshtë.” 9
Ndërkohë që shqiptarët sot në Sërbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi janë në tokat e tyre stërgjyshore të trashëguara brez pas brezi për mijëra vjet.
Dhe së fundmi, jam i mendimit, se edhe ajo popullsi që konsiderohet si maqedonase apo bullgare, që banon në verilindje të Shqipërisë në një zonë të thellë malore (goran apo gollobordas), që kryeministri aktual (2019) i dha statusin e minoritetit bullgar, duhet të jetë popullsi vllahe e sllavizuar (bullgarizuar) qysh në mesjetën e hershme dhe që banon aty prej qindra vjetësh. Edhe kjo është një popullsi e urtë, punëtore dhe paqedashëse, mjaft bashkëpunuese me shqiptarët. Mjafton të përmendim, se kjo popullatë në kohën e Skëndërbeut, u bë pjesë e ushtrisë shqiptare dhe luftoi trimërisht kundër hordhive osmane. Gjithashtu, kjo popullatë mori pjesë masivisht në Luftën Nacional-Çlirimtare.
Fakti që ajo banon në male të larta tregon hershmërinë e vendosjes së tyre aty, ashtu si u vendosën vllehët e tjerë në malet Ballkan të Bullgarisë, malet e Kroacisë, Malit të Zi dhe malet e Pindit në Greqi. Kjo popullatë mund të jetë vendosur aty në kohën e mbretit bullgaro-vllah Ivan Asenit në shekullin e XIII.
Vendosjen e vllehëve në Ballkan në malet e larta pas dyndjeve barbare dhe sllave e tregon edhe Enciklopedia Britanike: “Gjithësesi vllahët, “duket se rrjedhin prej banorëve të latinizuar të provincave të epokës romake, të cilët gjetën strehë në malet e larta prej dyndjeve të barbarëve dhe sllavëve””(Enciklopedia Britanike, vëll.12, f.430).10
Pra si përfundim mund të themi që qarqe dhe fuqi antishqiptare në Europë, të cilat duan që Shqipërinë dhe Kosovën t’i kthjejnë dhe t’i trajtojnë si shtete multientinke; ndërkohë që në të vërtetë nuk janë të tillë: Kosova është 99 për qind e banuar nga shqiptarë; ndërsa Shqipëria, 97 për qind e banuar nga shqiptarë.
Besnik Imeri (marë nga studimi Epiri Pellazgjik)
____________
Literatura:
1Justin Godart, “L’Albanie en 1921”,PUF/Humensis, Paris 1921, “Shqipëria në vitin 1921”, Bot.shqip.FAN NOLI-2019, Përkth.Frëngj, Fation Peni, f. 85-86
2 Luan Malltezi-Sherif Delvina, Çështja Çame, Bot.VIA EGNATIA-2013, f,95
3 Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 433
4 Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 622, 681-682
5 Luan Malltezi-Sherif Delvina, Çështja Çame, Bot.VIA EGNATIA-2013, f, 255
6 Luan Malltezi-Sherif Delvina, Çështja Çame, Bot.VIA EGNATIA-2013, f, 31
7 Theofanis Malqidhis, “Minoriteti Etnik Grek në Shqipëri”,Bot.FPEA-2007, Përkth.Greq.Ilektra Qiqi, f. 67
8 Milan Shuflaj,“Serbët dhe Shqiptarët”,Bot.TOENA-2004,Përkth.Kroatishtja,Hasan Çipuri, f.79,96-98,120,139,141,164-165,170
9 Justin Godart, “L’Albanie en 1921”,PUF/Humensis, Paris 1921, “Shqipëria në vitin 1921”, Bot.shqip.FAN NOLI-2019, Përkth.Frëngj, Fation Peni, f.171-172
10 Joseph Suare,”Shqipëria, ngritja e një mbretërie”,Bot.Uilliams & Norgate Ltd, Londër-1929, Bot.Shqip,DITURIA-2005, Përkth.Angl.Kujtim Ymeri, f.27

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura