LUFTA E VITIT 1944 PËR MBROJTJEN E KUFIRIT NË FSHATIN PRAPASHTICË

Luftimet e zhvilluara gjatë vitit 1944 për mbrojtjen e kufirit në fshatin Prapashticë

Nga Dr. Qazim Namani, Prishtinë, Korrik 2024

Pas kapitullimit të Italisë dhe formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me datën 16-19 shtator 1943, me qëllim që të mbrohen viset shqiptare të çliruara, ndihej nevoja e krijimit të një ushtrie, për ruajtjen e trojeve etnike dhe popullatën shqiptare.

Në këto rrethana të krijuara, shqiptarët, menduan që për ta mbrojtur popullatën shqiptare në viset veriore, duhet të formojnë disa divizione me vullnetar shqiptar, të cilët do të përkraheshin, dhe do të armatosen nga ushtria gjermane. Formimi i këtyre divizioneve, do ti shkonte për shtati edhe ushtrisë gjermane, e cila tani më ishte dobësuar dukshëm, dhe synonte tërheqjen e saj nga viset e Greqisë, nëpër territorin e Kosovës.

Kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, në fund të muajit mars të vitit 1944, ia dërgon një letër Hitlerit, me kërkesë për armatosjen e shqiptarëve të Kosovës, dhe kërkojë ndihmën e Gjermanisë për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të pushtuara nga sllavët. Bedri Pejani kërkojë që të formohet një divizion “SS- Skëndërbeg” me vullnetar shqiptar.[1]

(Në ballinë: Foto e realizuar në vitin 1944, në Prishtinë, ku shihen të rinjtë shqiptar, të zbathur e leckosur, krahas disa ushtarëve të rinj.)

Me formimin e nënprefekturës së Llapit, dhe me vendosjen e pushtetit nga shqiptarët, u bë edhe organizimi i shqiptarëve rreth Ballit Kombëtar si parti politike ishte kundër frymës  komuniste me orientim djathtist perëndimor. Programi politik i kësaj organizate u përkrah nga të gjithë shqiptarët e kësaj zone. Popullata e Llapi  u mobilizua për mbrojtjen  e kufirit etnik nga burimi i lumit Llap-guri i Uglarit-Përpellac e deri në Prapashticë.[2]

Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për tu konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë  e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në malet e Karadakut. Forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës, të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuad Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica e deri te Gjilani, të cilat do të ndeshën me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944, dhe gjatë vjeshtës e dimrit të atij viti.[3]

Këtë letër shefi i zyrës shtetërore të Gjermanisë, për ta shqyrtuar ia kishte dërguar Himlerit. Me ndihmën e Gjermanisë në prill të vitit 1944, Lidhja e Dytë e Prizrenit e formoj një Divizion me shqiptar, por një numër i të mobilizuarave, që në fillim dezertuan.

Duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme të krijuara, pas muajit prill, dezertimet e shqiptarëve nga divizioni “SS Skëndërbeg”, duhet shikuar nga rrethanat e gjendjes së krijuar në terren dhe sulmeve të ushtrive sllave drejt tokave shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës, pas pushtimit nga Serbia në vitin 1912, nuk kishin gëzuar asnjë të drejtë elementare kombëtare, deri në vitin 1941. Serbia nuk ju kishte dhënë asnjë të drejtë, ata nuk kishin shkolla në gjuhën shqipe, nuk ishin të punësuar, tokat më të mira ju kishte marrë shteti, për të ju dhënë kolonëve serbë, shqiptarët jetonin nën dhunën e xhandarmërisë dhe presionit të madh për tu shpërngulur në Turqi. Prej vitit 1941 e deri në vitin 1944, shqiptarët i krijuan institucionet e tyre shtetërore dhe e për herë të parë e zhvilluan sistemin arsimor në gjuhën kombëtare, duke e rikthyer edhe një pjesë të territorit brenda kufijve të një shteti shqiptar.

Në anën tjetër, ortodoksët e Kosovës gjatë kësaj periudhe, u organizuan dhe bashkëpunuan me çetnikët në Serbi. Brenda territorit të Kosovës së sotme u formuan korporatat e çetnikëve. Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në fillim të vitit 1944, kishte mobilizuar një numër të vullnetarëve diku midis 1500-1700, dhe hynte në radhën e Korparmatave më të mëdha të çetnikëve në Serbi.[4]  Kjo Korparmatë, në vitin 1944 haptas bashkëpunonte më ushtrinë gjermane, dhe në disa aksione mori pjesë aktive në luftime përkrah ushtrisë gjermane.

Në anën tjetër Komiteti Krahinor i LNÇ, për Kosovë, në shkurt të vitit 1942, kishte lëshuar një proklamatë ku theksohej se pas fitores kundër fashizmit, vet popujt do të vendosin për fatin e vet. Organizata partiake e Shalës arriti ta zgjeroj ndikimin e vet edhe në territorin e Llapit, në Obranxhë, Sekiraqë, Shajkoc, Orllan, Brainë e Nishec deri në Jabllanicë. [5] Në korrik të vitit 1942, Mustaf Hoxha nga Nisheci, ju kishte besuar që të bëjë lidhjen e njësive partizane të Kosovës me ato në Jabllanicë të mëto Bajraktarit dhe takimi u bë në fshatin Tullar. Në këtë periudhë shtëpia e Mustaf Hoxhës në fshatin Nishec, ishte baza për lidhjen në mes të Kosovës dhe Jabllanicës.[6]

Gjatë vitit 1943, me propozim të Komitetit Krahinor nga Jabllanica, në lidhjen Shalë-Podujevë-Brainë-Jabllanicë, transferohet Ali Shukriu.[7] Përveq organizimeve të punkteve tjera në fshatin Dabishec u formua punkti i Këshillit Nacionalçlirimtar ilegal, i cili e mori për detyrë të mbajë lidhjen me lëvizjen në Preshevë e Gjilan.

Në dhjetor të vitit 1943, në fshatin Brainë takohen Ali Shukriu, Rasim Qerkezi e Qazim Bajgora, ku bisedohet për qëllimin e LNÇ, dhe Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it, u bisedua edhe për formimin e Aradhes Partizane të Shalës. Në fillim të muajit gusht 1944, në Shalë kishin ardhur një grup prej rreth 30 veta nga Drenica, të cilët kaluan në territorin e Jabllanicës, dhe më 26 gusht të vitit 1944, në afërsi të Medvegjës e formuan Aradhen Partizane të Shalës, komandant u emërua Riza Voca.[8]

Lidhja e disa partizanëve shqiptar nga Kosova, për të bashkëpunuar me aradhet partizane serbe që vepronin në Jabllanicë, nuk e kishin fituar besimin për një luftë të përbashkët.

Formacionet e çetnikëve që ishin themeluar brenda territorit të Kosovës, bashkëpunonin ngushtë me shërbimet informative të ushtrisë gjermane, deri në fund të luftës, kur u bashkuan me njësitë partizane serbe dhe bënë krime të mëdha ndaj popullatës shqiptare.

Në një telegram të shërbimit informativ gjerman, të datës 13 prill 1944, thuhet se Zhika Markovici, komandant i Korparmatës së Dytë të Kosovës, është i gatshëm që me 4000 ushtar të vihej nën komandën gjermane.[9]

Gjermanët për ta realizuar këtë platformë strategjike, kërkonin bashkëpunim me forcat nacionaliste të malazezëve, serbëve e bullgarëve, duke ju premtuar për shpërblime me toka tjera shqiptare. Kjo politikë e gjermanëve binte ndesh me platformën dhe qëndrimet e Lidhjes së Dytë Nacionale të Prizrenit, dhe partitë jo komuniste shqiptare që kërkonin formimin e Shqipërisë etnike.[10]

Në këtë kohë Partia Komuniste Shqiptare, që mbikëqyrej nga emisarët e Partisë komuniste Jugosllave, pranuan qeverisjen pro sllavo komuniste në Shqipërinë e Vjetër, pa Shqipërinë e re, pranuan pas katër viteve lirie të kënaqeshin interesat sllave duke i ripushtuar tokat shqiptare.[11] Duke i parë raportet e luftimeve, disfatën që e pësonin gjermanët, dhe mbështetjen që i dhanë ango-amerikanët ushtrisë sllavo-ruse, Partia Komuniste Shqiptare, e mori këtë vendim me shpresën se Titoja dhe partizanët e tij, do të ju përmbahen marrëveshjeve dhe bashkëpunimit për një luftë të përbashkët kundër ushtrisë gjermane.

Në këto rrethana të vetmuar dhe pa aleat, udhëheqësit nacionalist Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Qazim Bllaca, Xhelal Mitrovica, e udhëheqës tjerë të Lidhjes së II të Prizrenit, filluan një organizim të ri për mbrojtjen e kufijve etnik shqiptar. K Q. i Rinisë Nacionaliste për mbrojtje të Kosovës mobilizoi meshkujt e aftë për luftë. Më të rinjtë u formuan batalionet “ Nazim Gafurri” me komandant S.Vala Sicanin, batalionin “Hasan Prishtina me komandant Ibush Ibrahimin, batalioni “Zija Gashi”, batalioni i Llapit, batalioni i Drenicës dhe batalioni i Sanxhakut. Komandant i përgjithshëm i këtyre batalioneve u emërua Shashivar Aliu nga Banja e Mitrovicës.[12]

Mobilizimit të përgjithshëm ju përgjigjën rreth 20.000 burra, që u dislokuan përgjatë kufirit nga Ceraja e deri afër Kumanovës. Regjimenti i katër i Prishtinës, nën komandën e kolonel F. Dibrës, bëri rezistencë të fortë, deri sa i erdhi komanda në Tiranë, urdhër i prerë të tërhiqet. Batalioni Hasan Prishtina, vazhdoi ti ruante pozitat në rrethinat e Podujevës, deri sa gati i gjithë efektivi mbeti në fushat e betejës.[13]

Forcat e djelmërisë shqiptare, luftuan kundër ushtrisë bullgare e jugosllave, duke shpresuar se ushtria Nacional çlirimtare Shqiptare që depërtoi në Kosovë do të rreshtohej përkrah tyre, në luftë kundër ushtrisë pushtuese.[14]

Shqiptarët e Kosovës të cilët në vitin 1941 ishin ndarë në 3 zona, e kishin vështirë që të formonin një organizim kompakt në një armatë të organizuar për të ju bërë ballë sulmeve në vitin 1944, nga armiqtë e shumtë. Me gjithat një mobilizim i shpejtë dhe një organizim për mbrojtje të vendit në fund të vitit 1943 e deri në nëntor të vitit 1944, është për tu lëvduar, dhe nderuar sepse kjo ishte e vetmja rrugë për mbrojtjen e interesave dhe territoreve shqiptare.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës, që u themelua në fund të vitit 1943, u ballafaqua me shume probleme te brendshme, andaj në këto situata kaotike për vendin dhe territoret shqiptare, ndërmori hapat e duhur për mbrojtjen e tokave shqiptare, duke mbështetur dëshirën dhe vullnetin e forcave patriotike tradicionale shqiptare për një shtet të përbashkët dhe lirimin e tokave të pushtuara.

Pas përçarjeve në mes të blloqeve politike shqiptare, në fund të vitit 1943, e deri në fund të vitit 1944, ishte një periudhë e ballafaqimit politik e ushtarak duke përfunduar me një luftë vëlla vrasëse në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Kriza e brendshme në qeverinë shqiptare, e vështirësoi punën për unitet, e rend politik të qëndrueshëm për ta qetësuar vendin dhe për të krijuar një ri kompozim të ri të elitës politike e intelektuale.

Tensionet e ngritura dhe përçarjet e bllokut komunist me qeverinë e kësaj periudhe, e vështirësuan edhe përçarjet e krahëve politik shqiptar të krahut tjetër tregonte se për një kohë të shkurtë kjo elitë do të shkarkohet.

Në aspektin kombëtar patriotik e shtet formues pa dyshim se Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ishte grupi i elitës së fundit që bëri përpjekje të zbatonte një politikë shtet formuese, për mbrojtjen e kufijve të tokave shqiptar edhe bashkim kombëtar.

Gjatë qeverisjes së qeverisë së Rexhep Mitrovicës, u ringjall çështja e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, për një zgjidhje sa më të drejtë e reale të saj, brenda suazave të një shteti shqiptar. Kuptohet se Rexhep Mitrovica dhe qeveria e tij, sakrifikuan për këtë ideal, duke bashkëpunuar në mënyrë indirekte me gjermanët, të cilët i konceptuan si pushtues, por në të njëjtën kohë edhe si të vetmen mundësi, për realizimin e aspiratave për bashkim kombëtar. Kjo qeveri përfaqësonte ato forca politike në territoret mbarë shqiptare të cilat kishin programet më të avancuara, për zgjidhjen e çështjes kombëtare.[15]

Në këto kushte dhe rrethana ishte e pa mundur të ju bëhej ballë sulmeve të ushtrisë sllave e cila ishte organizuar për ripushtimin e Kosovës.

Me fillimin e sulmeve sllave drejt tokave shqiptare në fillim të vitit 1944, popullata dhe rinia shqiptare e kësaj kohe, ishte e pa arsimuar, e varfër dhe e pa informuar me zhvillimet e kohës. Shumica e këtyre të rinjve dhe familjeve shqiptare, jetonin në viset e thella rurale dhe kryesisht më parë ishin marrë më bagëti e bujqësi.

Të pakët ishin ata që kishin vizituar më shumë se një qytezë të afërt. Ishte një rini që nuk kishte aspak njohuri me rrugët e Kosovës, e lëre më të kishin njohuri për zhvillimet e  operacioneve ushtarake dhe aleancave ushtarake të kohës. Këta të rinj që ishin rritur në familje me kujtesën e tyre familjare, për dhunën dhe masakrat që i kishin kryer serbët e bullgarët pas pushtimit të tokave të tyre. Për të mbrojtur familjet e tyre, ata kishin nevoje për armë, veshje dhe të qëndrojnë pranë familjeve të tyre, andaj edhe por sa u pajisen me armë dezertonin.

Për gjendjen, dhe varfrin e popullatës shqiptare, në prill të vitit 1944, më së miri tregon kjo fotografi e realizuar në atë kohë në qendrën e Prishtinës.

Forcat shqiptare të mobilizuara kryesisht nga banorët shqiptar të brezit kufitar, më datën 19. 03. 1944, ju kishin dhënë goditje të rëndë njësive partizane të Jabllanicës, që kaluan nëpër fshatrat shqiptare të Prishtinës, për ta krijuar një korridor lidhje me njësitë serbo çetnike të mobilizuara në Rrafshin e Kosovës.[16]

Gjatë kalimit të grupit të partizanëve te vendi i quajtur Bunari i Thatë, ky grup u zbulua nga vajza e Bejto Jusufit, e cila alarmoj me gjuajtje me pushkë. Aty u zhvillua një përleshje e armatosur ku u vranë dy partizan Bata Ibroviq dhe Radoja. Kjo vajzë e cila i filloj luftimet, shpërblehet nga pushteti i atëhershëm në Prishtinë.[17]

Në moshën 21 vjeçare Xhemilja martohet në Grabofc. Për ngjarjen e marsit të vitit 1944, ajo arrestohet në Grabofc, dhe këmbë e dërgojnë në burgun e Prishtinës. Në burgun e Prishtinës e kishin arrestuar edhe babanë e saj Isufin. Në gjyqe Xhemilja dënohet dy vite e gjashtë muaj, dhe në burg i ka mbajtur dy vite. Pas qëndrimit për nëntë muaj në burgun e Prishtinës, Xhemilen e transferojnë në burgun e Nishit. Xhemilja edhe pas vuajtjes së dënimit vazhdimisht është përcjellë nga agjent të shtetit Jugosllav.[18]

Xhemile Isufi – Topi-Zogiani

Ishte gjendja shumë e rëndë në Llap e Galab, sidomos në fshatrat në vijën kufitare etnike sero-shqiptare. Ndër pikat më të rëndësishme strategjike ishin fshatrat Barainë, Nishec e Prapashticë, që vija kufitare i ndante me fshatrat Tullarë e Gubafcë.[19]

Duke filluar nga muaji maj 1944, pjesa veriore e Kosovës u sulmua nga çetat partizane të Titos, të koordinuara njëkohësisht me njësitë çetnike të Mihajlovicit.[20]

Njësitë e mobilizuara çetnike vazhduan të ndërmarrin sulme të armatosura në drejtim të Kosovës, dhe trevave tjera shqiptare. Më 23 maj 1944, u sulmuan dy fshatra të Suhadollit në rrethinën e Mitrovicës, vazhduan me sulme në familjet shqiptare në Peshter. Disa reparte të njësive çetnike i sulmuan fshatrat e Galabit: Brainën, Prapashticën, Hajkobillën, Dabishecin, Nishecin, Bërvenikun, Metërgocin dhe Turuçicën.[21]

Në muajt maj e qershor të vitit 1944, fillojnë sulmet e organizuara të ushtrisë serbo-maqedonase në vijën kufitare prej Kitkës e deri në Përëpollac të Podujevës. Ushtria sllave hasi në rezistencë të fortë të ushtrisë shqiptare. Përleshja mes ushtrisë shqiptare dhe formacioneve sllave vazhdon edhe në muajt në vijim.

Deri në muajin maj të vitit 1944, në mbrojtje të kufirit në ushtrinë e rregullt shqiptare ishin mobilizuar nga një ushtarë për çdo shtëpi. Është me rëndësi të theksohet se prej verës së vitit 1944 e deri sa u pushtua Prishtina në mbrojtje të kufirit, ishin mobilizuar çdo mashkull që ishte i aftë për të rrokë armët nga të gjitha familjet shqiptare. Ndërsa gratë dhe vajzat e reja po ashtu ishin aftësuar të përdorin armët. Ndërsa nga muaji tetor, në vijën e frontit u mobilizua çdo banor që ishte i aftë të përdorë armën, dhe çdo ekonomi familjare për ti përkrahur dhe ndihmuar luftëtarët.

Bullgaria si aleate e Gjermanisë, që nga viti 1941, e kishte krijuar zonën e saj të interesit duke i përfshirë brenda shtetit bullgar, rajonin e Kosovës lindore. Kjo gjendje zgjati deri në muajin shtator të vitit 1944, kur Bullgaria në presion të ushtrisë rusë kapitulloj, dhe ju kundërvu ushtrisë gjermane.

Me kapitullimin e Bullgarisë, u krijua një aleancë e madhe ushtarake në mes ushtrisë ruse asaj bullgare dhe jugosllave, kundër ushtrisë gjermane e cila kishte filluar të tërhiqet nga territori i Greqisë drejt veriut. Kjo aleancë e madhe ushtarake sllave kishte planifikuar depërtimin në rrafshin e Kosovës, për tu konfrontuar më ushtrinë gjermane.

Për të hyrë në Prishtinë dhe rrafshin e Kosovës, natyrisht se rruga më e shkurtë prej Jabllanicës ishte nëpër Prapashticë. Për ta penguar depërtimin e ushtrisë sllave në brezin kufitar me Serbinë, ishte mobilizuar Regjimenti i IV i Ushtrisë Shqiptare, dhe njësitë e Lidhjes së dytë të Prizrenit. Natyrisht që me fillimin e luftës, në brezin kufitar vepronin vullnetar nga banorët e fshatrave të afërta, por edhe nga viset tjera shqiptare, të cilët ju bashkëngjitën ushtrisë shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe Ushtria Nacional Çlirimtare e ish Jugosllavisë së Titos, ishte bashkuar me njësitë e aradheve çetnike dhe brigadat maqedonase, që planifikonin sulmet nga pikat kufitare ne Llap e Galab.[22] Siç shihet me bashkimin e të gjitha formacioneve sllave, kundër ushtrisë shqiptare, ishte planifikuar ripushtimi i Kosovës, si dhe pastrimi etnik duke vrarë dhe shpërngulur sa më shumë shqiptar.

Në verën e vitit 1944, nga pala shqiptare, formohen edhe celulat e çetës partizane që vepronin ilegalisht disa fshatra: Brainë, Prapashticë, Dabishec, Nishec e Koliq.[23] Partizanët e Brainës e kishte për detyrë të operonin në relacionin Brainë-Prishtinë, dhe nga Rrashfi i Kosovës të bënte transferimin e elementit përparimtar, dhe këtë ta organizonte në Aradhën Partizane.[24]

Gjatë muajit shtator 1944 u formua Korparmata e XIII, me katër divizionet e ushtrisë serbe dhe armatës së dytë bullgare, ku u përleshën me forcat ushtarake gjermane të grup armatës “E”, e cila synonte të tërhiqej nëpër Fushën e Kosovës.[25]

Në fillim të shtatorit, forcat shqiptare të regjimentit të IV të Prishtinës, patën një përleshje  të ashpër në pjesën e skajshme të Podujevës, me partizanët jugosllav dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtojnë në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë tërhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vushtrria “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha.[26] Bëhet fjalë për sulmet e ushtrisë sllave në vijën kufitare prej Berveniku e deri në fshatin Hajkobillë, por kryesisht luftimet më të rrepta u zhvilluan në Prapashticë.

Bullgaria i shpalli luftë Gjermanisë më datën 6 shtator 1944. Ushtria gjermane mori masa të shpejta për dëbimin e forcave bullgare nga Kosova dhe Maqedonia e sotme. Armata e Pestë bullgare u tërhoq deri në kufijtë e vjetër të Bullgarisë.[27]Armata e Parë dhe e Dytë bullgare, më 8 tetor i sulmoi përsëri forcat gjermane, i pushtuan qytetet në fushën e Moravës dhe u futën në Kosovë. Pas luftimeve të rrepta Armata e Parë bullgare hyri në Prishtinë. Pas depërtimit të ushtrisë bullgare dhe disa reparteve të ushtrisë sovjetike në pjesën qendrore të Kosovës, u shkëputën lidhjet komunikatave të ushtrisë gjermane përgjatë luginës së lumit Ibër.[28]

Në muajin shtator kur u shtuan sulmet nga ushtria sllave, ushtrisë shqiptare në kufi i erdhën në ndihmë edhe katër batalione të ushtrisë shqiptare.[29]

Në fillim të muajit tetor 1944, armata e dytë bullgare dhe brigadat e UNÇJ-së, të ndihmuara edhe nga Armata sovjetike e Frontit të Ukrainës, synonin që nëpërmjet territorit të Prapashticës ta pushtojnë Prishtinën.

Ushtria shqiptare tani pas përforcimeve bëri rezistencë të fuqishme në betejën e 18 tetorit 1944, kundër dy regjimenteve të ushtrisë bullgare. Pas një beteje tre ditore ushtria bullgare u thye nga ushtria shqiptare dhe vullnetarët e mobilizuar për mbrojtjen e kufirit. Lidhur me këtë betejë gazeta Lidhja e Prizrenit ka shkruar se me 18 tetor në këtë betejë ushtria bullgare ka lënë në fushëbetejë 600 ushtarë, ndërsa nga pala shqiptare mbetën të vrarë rreth 60 ushtar e vullnetar tjerë të mobilizuar.[30] Në këtë betejë ushtria shqiptare arritën të marrin disa topa dhe kafshë për bartjen e municionit.

Forcat patriotike të vullnetarëve dhe ushtrisë shqiptare të udhëhequra nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjatë kësaj periudhë për tre muaj rresht, kishin zhvilluar luftime të rrepta në vijën kufitare Shkup-Kumanovë-Kitkë-Merdare e veçararisht në fshatin Prapashticë. Luftime të rrepta u zhvilluan prej 15 e deri më 22 tetor, kur forcat e ushtrisë serbo-bullgare arritën në vijën Orllan-Brainë-Lisicë (Prapashticë) [31]  dhe Hajkobillë (Q.N).

Duke e parë rrezikun për pushtimin e Kosovës nga ushtritë sllave, Komiteti i Lidhjes së II të Prizrenit, në muajin gusht të vitit 1944, në Prishtinë e formoi “ Komitetin Rinorë për Mbrojtjen e Kosovës”, dhe urdhëroi të formohen komitetet e rretheve në rrafshin e Kosovës dhe zonat kufitare me Serbinë. Këto komitete u formuan gjatë kohës kur forcat gjermane tërhiqeshin nga Greqia, dhe kurë forcat ushtarake ishin vendosur rreth kufirit të Kosovës. Mobilizimi bëhej me parullën “Mbrojtja e Kosovës nga partizanët”. Këto njësi ushtarake zhvilluan luftë të përgjakshme kundër ushtrisë së LNÇ-së, aradheve bullgare, dhe siguruan tërheqjen e ushtrisë gjermane nga Kushumlia deri në Prishtinë.[32]

Lidhja e Dytë e Prizrenit e formoi Komitetin e Rinisë Kombëtare për Mbrojtjen e Kosovës, përgjatë kufijve etnikë. Në mbrojtje të kufijve u mobilizuan të gjithë burrat prej moshës 18 e deri në moshën 50 vjeçare. Më 18 tetor 1944, komanda e përgjithshme e rinisë, bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm. Më 30 tetor, për të gjithë shqiptarët u lëshua një kumtesë për mobilizim ushtarak dhe ekonomik për ta mbrojtur kufirin.

Njësitë e Komitetit të Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës nga Qarku i Mitrovicës, u vunë nën komandën e Bahri Gjinajt dhe majorit Aziz Shashivariit.[33] Në tetor të vitit 1944, ushtarët e rajonit të Mtrovicës u vendosën në pozitat kufitare Mitrovicë-Prepellac-Merdare-Brainë-Prapashticë-Hajkobillë.

Regjimenti i IV i ushtrisë shqiptare, katër batalione te “Rinise Nacionaliste shqiptare” dhe forcat vullnetare te banoreve shqiptar ne zonën kufitare dhe nga pjesa qendrore e Kosovës dhe Shalës se Bajgores. Mendohet se afër 7000 trupa luftës nga pala shqiptare ishin përqendruar ne brezin kufitar krahas një numri shume me te madh te forcave sllave. Beteja e ashpër u zhvillua për gjate vijës kufitare qe nga Kepi i Reçicës, Prepellaci, Podujeva e deri ne Konqul. Sidomos forcat armike tentuan që të depërtojnë në Prishtine duke e sulmuar piken kufitare ne Prapashtice, Prepellac, Podujeve, Orllan, Dabishec, Hajkobillë (Gjelbrishte), Zajqec, Sfircer, Zhuje, Kitke dhe pika tjera kufitare deri te Konçuli.

Sulmet e para filluan me 15 tetor, në Lisinë të fshatit Prapashticë, dhe vende tjera por ushtria armike u thye shume rende nga forcat shqiptare te udhëhequra nga oficeret shqiptar Kapiten Pjetri, Demiri nga Korca, Shyqeria, Isak Domi, Mulla Idrizi, Shefqet Bullykbashi, Mulla Sefë Govori, Kapiten Marku, Nazmi Budrika, Hajdari i Bajram Krasniqi,  dhe disa prijës tjerë nga popullata e fshatrave te Gollakut te cilët e njihnin mire terrenin dhe treguan një heroizëm të madh gjate luftimeve.

Ushtrisë bullgare përveç humbjeve në njerëz ju morën dhe një sasi e madhe  armatimit 12 topa, një mitraloz, një mortaje, me qindra pushkë dhe rreth 60 kafshë tërheqëse.[34]

Sulmet vazhduan edhe me datën 25 tetor, 31 tetor dhe vetëm  19 nëntor  kur armata serbe dhe ajo bullgare arritën që ta thyejnë vijën kufitare. Pas kësaj beteje armata serbe dhe bullgare depërtuan ne Prishtine duke vrare civil te pa mbrojtur te popullatës shqiptare. Beteja te mëdha në mes të vullnetarëve shqiptar dhe armatës serbe u zhvilluan ne malet e Keqekolles.

Gjermanët për tu tërhequr me pasoja sa më të vogla, i furnizuan me armë të gjitha grupet e armatosura që ishin kundër ushtrisë së bllokut të ushtrisë rusë së popujve të rajonit që ishin mobilizuar kundër ushtrisë gjermane.

Me 10 shtator 1944, gjermanët ia dhanë Zhika Marinkovicit, komandant i korpusit të çetnikëve të Rashkës, tre vagonë me municion e pushkë.[35]

Gjermanët gjatë muajit shtator e tetor, për herë të parë ju dhanë armë edhe shqiptarëve të cilët ishin mobilizuar për ta penguar ushtrinë bullgare, që së bashku me ushtrinë ruse e jugosllave synonin të koncentrohen në Kosovën qendrore.[36]

Nga gjysma e tetorit të vitit 1944 filloi tërheqja e ushtrisë gjermane prej Selaniku dhe qyteteve tjera greke. Kjo armatë numëronte rreth 350 000 ushtarë. Shtabi i grupit “E” të armatës që ishin nën komandën e gjeneralkolonelit Fon Ler u tërhoqën drejt veriut nëpër territorin e Kosovës. Gjenerali Fon Ler për ty larguar me humbje sa më të vogël për ushtrinë gjermane, ndërmori masa sigurie, pasi që në atë kohë njësitë bullgare të motorizuara që i kishin në prapavijë ushtrinë ruse, ishin detyruar që të fillojnë lëvizjet drejt Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për ta sulmuar ushtrinë gjermane në rrafshin e Kosovës.[37]

Në këto rrethana Fon Ler, i formoi dy grupe ushtarësh në gatishmëri luftarake. Grupi “Langer”, u autorizua që ta pushtoj Kushumlinë, për ta mbyllur drejtimin e forcave armike nga Podujeva, dhe grupin tjetër “Bredov”, që duhej ta mbyllte rrugën Bujanoc-Gjlan-Prishtinë. Në vijën kufitare ishin mobilizuar më shumë se 6000 ushtarë shqiptar, sidomos në vijen kufitare Bujanoc-Kitkë-Sfircë-Prapashticë-Merdarë-Prepellac-Kepi i Uglarit në Reçicë, në mënyre që ta lehtësojnë rrugëtimin dhe shpëtimit e armatës “E”, që të kaloj lirshëm prej Ferizajt në drejtim të Mitrovicës.[38]

Në tetor Çeta ruse e Batalionit të Dytë me 158 luftëtar, ju ofrua si përforcim komandës së frontit të tretë ukrainas dhe Armatës së Kuqe.[39]

Për ti goditur gjermanët ushtria ruse e kishte urdhëruar ushtrinë bullgare, që të bllokojë rrugët për tërheqjen e ushtrisë gjermane në territorin e Kosovës së sotme. Ushtria shqiptare që komandohej edhe me disa ushtarak nga Shqipëria, ishin mobilizuar për ta mbrojtur kufirin shqiptar. Në kufi ishte mobilizuar e tërë popullata shqiptare e Kosovës, e aftë për të gjuajt me armë. Tani në kufi ishte mobilizuar ushtria nacionale kombëtare shqiptare. Për herë të parë, shqiptarët në këtë betejë ishin furnizuar me armë dhe ndihmuar nga personeli ushtarak gjerman, për ta mbrojtur kufirin. Ushtria bullgare që në prapavijë e kishte ushtrinë ruse, e cila synonte që duke e sulmuar vijën kufitare në Prapashticë, të depërtojë sa më shpejtë në Prishtinë, për tu koncentruar në Fushën e Kosovës. Përveç Prapashticës mobilizimi i shqiptarëve ishte bërë edhe në pikat tjera strategjike, përgjatë kufirit veri-lindor të Kosovës. Që nga mesi i muajit tetor të vitit 1944, ushtria bullgare, dhe njësitet e ushtrisë serbe, i filluan sulmet ndaj ushtrisë shqiptare. Luftime të ashpra u zhvilluan sidomos në Prapashticë. Më datën 18 tetor, dy njësite të ushtrisë bullgare, u kthyen prapa pasi lanë shumë të vrarë në Prapashticë, nga forcat e mbrojtjes kombëtare shqiptare. Bullgarët pësuan humbje të mëdha në Prapashticë, edhe me datën 23 dhe 25 tetor kur tentuan që të hyjnë në Kosovë. Ushtria bullgare tani pas humbjeve të mëdha e kishte humbur moralin për luftë. Me datën 29 tetor 1944, ushtria bullgare, prapë pësojë humbje të mëdha në njerëz dhe arsenal ushtarak në Prapashticë. Në nëntor, ushtria serbe dhe bullgare, depërtuan në Prapashticë e Keqekollë, ku i dogjën dhe plaçkiten të dy fshatrat. Më 19 nëntor ushtria bullgare dhe serbe hynë në Prishtinë, dhe u hakmorën ndaj popullatës shqiptare, duke i pushkatuar afër 55 figurat më eminente të qytetit të Prishtinës.

Pas disa ditësh luftime, me 19 nëntor 1944, Njësitë e Armatës së II bullgare, me Brigadën e XIV të divizionit të 46-të, të Korporatës së XIII serbe dhe Brigadës së V kosovare, e ri okupuan Prishtinën.[40].

Pas hyrjes së ushtrive sllave brenda territorit të Kosovës, në rrethin e Llapit, element serbë vendas me ndihmën e partizanëve të Brigadës së 27-të, të Divizionit të 46, filluan të bëjnë sulme ndaj shqiptarëve të asaj ane. Ushtria sllave në fillim të dhjetorit 1945, ndërmori operacione për spastrimin e forcave “Kundërrevolucionare”. Në këtë aksion morën pjesë Brigada e 25-të, 26-të dhe 27-të e divizionit të 46-të, si dhe njësitë e Divizionit të 22-të.[41]

Me urdhër të komandantit suprem të UNÇ-së, të ish Jugosllavisë J. B. Tito, në Kosovë u vendos pushteti i Administratës Ushtarake. Në komandën e pushtetit administrativ ushtarak u vunë të gjitha trupat e armatës që ndodheshin në Kosovë me rreth 30 000 forca, si dhe filluan të sillen reparte të reja ushtarake nga viset tjera të Jugosllavisë, në kohën kur formacionet partizane të Kosovës ishin dërguar drejt veriut jashtë territorit të Kosovës së sotme.[42]

Një betejë tjetër frontale e përgjakur për ta pushtuar Prishtinën, fillojë me përforcime të mëdha nga ushtria ruse në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 1944. Kjo armatë sllave me përforcime dhe armatim të rëndë me 31 tetor sulmuan Prapashticën, por hasën në rezistencë të fortë nga ushtria shqiptare dhe vullnetar, ku luftime të rrepta u zhvilluan gjatë gjithë rrugës Prapashticë-Prishtinë. Luftime shumë të rrepta u zhvilluan në malet e Keqekollës. Rezistenca e ushtrisë shqiptare zgjati deri më 19 nëntor 1944, kur armata jugosllave dhe ajo bullgare arritën ta pushtojnë Prishtinën. Ushtria serbo bullgare gjatë depërtimit në Prishtinë kishte vrarë civil shqiptar, djegë mjaftë ekonomi familjare dhe kishte kryer dhunime të grave që ishin zënë rrugëve duke ikur para kësaj ushtrie.

Forcat mbrojtëse të Lidhjes, bashkë me forcat tjera vullnetare, përkundër përleshjeve dhe humbjeve të mëdha gjatë muajit shtator, e ndalën depërtimin e aradheve partizane jugosllave të cilat nga veri lindja dhe jugu synonin të hyjnë në Kosovë.[43] Forcat ushtarake partizane jugosllave të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetik, ishin në epërsi në numër dhe armatim, andaj forcat shqiptare e kishin humbjen e pashmangshme.[44]

Në këto rrethana forcat nacionaliste patriotike shqiptare, në luftë kundër sllavo komunistëve, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor popullor, që lidhej më mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe atdheut.[45]Në këto rrethana të krijuara, ushtria shqiptare dhe popullata shqiptare e brezit kufitar, nuk kishin alternativë tjetër përveç mobilizimit të përgjithshëm kundër ushtrisë sllave, dhe mbrojtja e banorëve shqiptar në ato fshatra. Natyrisht se ishin të pa përkrahur, pa armatim të rëndë dhe në numër shumë më të vogël se sa ushtritë sllave.

Duke filluar nga muaji shtator e deri në nëntor, për shkak të goditjeve që morën në lindje gjermanët nga ushtria e kuqe, dhe forcat tjera të popujve të Ballkanit, që u mbështeten nga anglezët dhe amerikanët, gjermanët menduan si të tërhiqen me pak humbje në njerëz dhe teknikë e logjistikë ushtarake.[46]

Në këto rrethana K.Q. i Lidhjes së II të Prizrenit, u detyrua të largohej, dhe pas kësaj fillojë shtypja e përndjekja e shqiptarëve. Divizioni i V, më vonë edhe divizioni i VI partizan nga Shqipëria, grumbulluan rreth vetës 10.000 partizanë shqiptarë, dhe 40.000 partizan jugosllav, organizuan operacionin e madh kinse për ndjekjen e ushtrisë gjermane, ku u ekzekutuan rreth 2000 shqiptar në Tivar, dhe depërtimin e mijëra shqiptarëve tjerë nëpër Prizren, Lumë, Pukë, Shkodër, Hani i Hotit, Tivar e deri në Dubrovnik, të dërguara nga forcat partizane jugosllave, dhe të vëzhguara nga forcat shqiptare të ndjekjes, dhe mijëra tjerë që i nisën në drejtim të Beogradit e Novi Sadit, ku shumica prej tyre nuk u kthyen të gjallë në familjet e tyre.

Gjatë kësaj përleshje gjatë tetorit dhe muajit nëntor 1944, popullata civile e fshatit Prapashticë dhe fshatrave tjera të brezit kufitar ishin strehuar në fshatrat shqiptare në brendi të Kosovës.

Këto luftime të përgjakshme kanë lënë mjaftë shumë kujtime dhe rrëfime të familjet shqiptare të brezit kufitar. Pa dyshim se kontributi i çdo familje në këto beteja ishte i madh, andaj unë po ofroj disa nga rrëfimet e ruajtura nga gjyshja dhe gjyshi im, duke lënë mesazh që edhe banorët tjerë të brezit kufitar të përshkruajnë kujtimet e gjyshërve të tyre. Duke i përshkruar rrëfimet e familjarëve, mendoj se do të japim kontributin tonë, për të plotësuar, mungesën e burimeve, dhe shumë ngjarjeve të cilat banorët nuk kishin guxim ti rrëfenin sepse ndiqeshin nga informatorët dhe partizanët besnik të pushtetit jugosllav.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, politika e Titos ishte që në çdo familje të regjistrohet nga një luftëtar, me qëllim për të ju dhënë pensione, dhe për ti ofruar si bashkëpunëtor të pushtetit. Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit XX, nga partia komuniste në pushtet ishin caktuar njerëz të besueshëm për ti shpërblyer partizanët me pensione dhe privilegje tjera. Ata që mbetën jashtë këtyre privilegjeve, u ndoqën, burgosën dhe u dëbuan dhunshëm në Turqi e shtete tjera.

Në vijim unë po jap disa nga kujtimet familjare të mbledhura me kujdes nga gjyshi im dhe pjesëtarët e familjes së Shushënicëve nga fshati Prapashticë.

Gjatë verës së vitit 1944, për mbrojtjen e kufirit, shtabi i ushtrisë shqiptare nën udhëheqjen e kapiten Pjetrit, Shyqerisë, Demir Korçës e Isak Domit, shtabi ka qëndruar në odën e Shaban Musës së Shushnicve, deri kur është urdhëruar nga komanda e armata shqiptare, se duhet të bëhen lidhjet për bashkëpunim me partizanët dhe APJ-së. Pas marrjes së këtij vendimi në fillim të muajit nëntor, shtabi është vendosur rreth 5 km në skajin tjetër të fshatit, për tu lidhur me pjesëtaret e aradhes së Shalës, që vepronin në fshatin Nishec. Lidhja me komunistët jugosllav nuk është pritur mirë nga ushtarakët shqiptar. Gjyshi im rrëfente, ne të gjithë e dinim se nuk ju besohet partizanëve, madje të gjithë i quanim rusofilë. Pas lidhjes me komunistët jugosllav, në Prapashticë ka ardhur Tefik Çanga, të cilin gjyshi im nuk e kishte takuar asnjëherë, por nga fshatarët tjerë kishte dëgjuar për zënien e tij në Prapashticë.

Ali Berisha, shkruan se Tefik Çanga kishte ardhur në Prapashticë me detyrë, për ta formuar një njësi prej 40 vetash që do të vepronin në kufirin që e ndante Prapashticën me Jabllanicën, që të ju thonë partizanëve sllavë se mjafton që ne e kemi në kontroll këtë zonë ju nuk keni arsye të veproni këndej kufirit kur jemi ne.[47]

Tefikun e vërejnë, Hysen Rreshteri, Haki Gremja dhe Ramadan Varoshi, që të tre nga rrethi i Ferizajt, të mobilizuar si vullnetar shkojnë në Keqekollë dhe e lajmërojnë te komandanti i xhandarmërisë Rexhep Akllapi. Rexhepi për qëndrimin e Tefikut në Prapashticë e njofton prefekturën në Prishtinë. Në këto rrethana Tefik Çanga kidnapohet në Prapashticë dhe varet në qytetin e Pejës.[48]

Për kidnapimin e Tefik Çangës, në vitet nëntëdhjeta të shekullit XX, e kam zhvilluar një intervistë me Rexhep Gajtanin nga fshati Prapashticë. Rexhepi tregonte se pas kidnapimit Tefiku e kishte kërkuar një tazë ( gotë teneqeje për të pirë ujë). Rexhepi ja kishte ofruar ujit dhe kujtonte, deri sa Tefiku e pinte ujin tha: Vërtet unë jam komunist shqiptar, por tërë jetën kam punuar dhe vepruar për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.[49]  

Më datën 18 tetor, dy njësite të ushtrisë bullgare, u kthyen prapa pasi lanë shumë të vrarë në Prapashticë, nga forcat e mbrojtjes kombëtare shqiptare. Bullgarët pësuan humbje të mëdha  edhe me datën 23 dhe 25 tetor kur përmes Prapashticës tentuan që të hyjnë në Kosovë. Ushtria bullgare tani pas humbjeve të mëdha e kishte humbur moralin për luftë. Me datën 29 tetor 1944, ushtria bullgare, prapë pësojë humbje të mëdha në njerëz dhe arsenal ushtarak në Prapashticë.

Në këtë betejë gjyshi im i ndjerë tregonte si kishte arritur që ta kap një kali të ushtrisë bullgare, që kishte qenë i ngarkuar me municion. Sipas rrëfimeve, gjyshi im në këtë betejë,  ishte së bashku një shqiptar nga Shala, që kishin zënë pozicionin te muri i shtëpisë së Nedelkut (kolon që ishte vendosur më parë në qendër të fshatit Prapashticë). Aty rreth nesh zhvilloheshin luftime të ashpra, mes ushtrisë bullgare dhe ushtrisë shqiptare. Pushkët tona ishin ngrohur aq shumë, sa që edhe nuk gjuanin si duhet. Për një qastë vërejtëm se pranë nesh vinte një kali i ngarkuar. Me shpejtësi dhe kujdes të madh, kam arritur që ta kapi atë kali për kërpeshi, dhe ta shti në shtëpinë e Nedelkut tregonte gjyshi. Kali kishte qene i ngarkuar me armë dhe municion. Ne i siguruam armët tjera, për të vazhduar luftën, dhe për pak qaste mbetëm vetëm ne të dytë. Pas pak kohe u dëgjuan duke thirrur fshatarët tanë, ne dolëm dhe u bashkuam me ta.

Kur dolëm te Xhehemi (lokalitet ne fshat), hymë në shtëpinë e Bulit të Brahimit. Atij i kujtohej se aty kishin qenë tre ushtarë shqiptarë të vrarë, që ishin bartur pas vrasjes në front. Gjyshi im atë kali e kishte marrë dhe dërguar në shtëpi. Pas disa viteve, gjyshi këtë kali e kishte shti në lamë për fshirjen e drithërave, dhe kur ishte afruar pranë këtij kali që të ja ndërrojë kahen e ecjes në lamë, kali pa pritë ja kishte këputur gjysmën e veshit. Gjyshi ishte zemëruar në këtë kali, dhe pasi kishte dëgjuar se italianët janë duke i blerë kuajt në Leskocë, ky me një shqiptar tjetër, për dy ditë rrugë i kishin dërguar kuajt, dhe i kishin shitur në Leskoc.[50]

Pas mbarimit të luftës popullata shqiptare e fshatit kishte vuajtur shumë. Pushteti i ri me partizanë ua kishin marrë ushqimin dhe kafshët. Me lot në sy tregonte se edhe magjen ju kishin fshire dhe lënë pa miell.[51] Të gjithë fshatarët i kishin dërguar kafshët në Keqekollë përveç Shabanit të Musës së Shushnicëve, dhe i kishin dërguar policinë për të kërkuar dorëzimin e  kafshëve. [52] Në këto kohë krize  gjyshi im kishte shkuar në rrafshin e Kosovës për të gjetur pak drithë. Kafshët nuk i sillnim në shtëpi por i mbanim të fshehura në malin e Strakës (Mal në fshat). Në mes të banorëve dhe familjeve u shfaqën diferencimet, disa familje privilegjoheshin, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve shqiptare ndiqeshin nga pushteti.

Ndihma ju jepnin vetëm njerëzve të besueshëm. Ishim te djegur e shkatërruar tërësisht, bënte ftoftë dhe shkova në Keqekollë, pasi dëgjova se ndanin nga një metër najlon për ti mbyllur dritaret. Mua nuk ma dhanë as najlonin, më thanë nuk e meriton tregonte shpesh gjyshi im.

Sipas rrëfimeve të gjyshes time, në kohën e ofensivës së ushtrisë bullgare-serbe, fëmijët dhe gratë ishin larguar nga Prapashtica dhe ishin strehuar te babai i saj Ajet Krasniqi, në lagjen Viti të Marecit. Atje kishin qëndruar disa jave deri sa ishte pushtuar Prishtina. Ushtritë sllave çdo banorë shqiptar, që e kishin zënë gjatë rrugës deri në Prishtinë i kishin vrarë. Disa banorë të fshatit që ishin ofruar për të parë se a janë djegur shtëpitë e tyre, ishin vrarë nga ushtria bullgare. Ajo rrëfente për dy gra motra shqiptare të cilat me një djalë rreth 7 vjeçar, pasi ju kishin afruar fshatit Prapashticë, ishin arrestuar nga ushtria bullgare. Të dy këto gra ishin dërguar në malet e Keqekollës dhe ishin dhunuar sistematikisht nga ushtarët bullgar, derisa njëra prej tyre vdes nga dhuna. Pas vdekjes së saj motra tjetër me djalin e saj lirohen dhe tregojnë tmerrin që e kishin përjetuar. Një tjetër detaj që ja vlen të tregohet për sjelljen e ushtarëve bullgar ishte rasti që pas kthimit të familjarëve në shtëpinë e tyre, gjithçka kishin gjetur të shkatërruar. Shtëpitë e djegura të demoduara, ushqimin e plaçkitur, ndërsa në kasa (tinarët e djathit) me prodhime blegtorale bullgarët e kishin kryer nevojën fiziologjike, për ta ndotur tërë bulmetin e mbledhur.[53]

Pushteti i sapo formuar nga partizanët, burgosën, vranë dhe shpërngulën shqiptarët e pafajshëm nga trojet e tyre etnike. Kundër aksioneve të ushtrisë  dhe arrestimeve, një numër i shqiptarëve të arratisur, e vazhduan rezistencën kundër pushtetit partizanë.  Në këtë kohë fillojnë të organizohen komitetet e rretheve te NDSH-së. Kjo rezistencë vazhdoi deri në vitin 1947.[54]

Përveç komiteteve rinorë të themeluara në rrethe edhe në Gjimnazin e Prishtinës u themelua komiteti rinor i NDSH-së. Në këtë organizatë në mesin e 11 nxënësve ishte edhe Rrahman Latifi i lindur në Prapashticë, dhe si simpatizues i kësaj organizate ishte edhe Shaban Sheqiri, nxënës nga Podujeva.[55]

Disa nga anëtarët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, që kishin mbetur në Kosovë gjenin strehim në familje tjera shqiptare. Shumica prej tyre u hetuan dhe u vranë nga OZN-a jugosllave. Disa tjerë u tradhtuan nga vet shqiptarët, duke u vrarë në pabesi. Pas shpartallimit të organizatës së NDSH-së, deri në vitin 1948 në arrati mbeten edhe Azem Bellaqevci dhe Musli Dumoshi, por më 21 shkurt të vitit 1948, të dytë vriten në konakun e shokut të Musliut në fshatin Prapashticë.[56]

Për ushtrinë serbo-bullgare, nuk ishte e rëndësishme shqiptarët a kishin formuar formacione partizane, në marrëveshje me partizanët jugosllav. Si rast konkret e kemi edhe fshatin Nishec, vendlindjen e Mustafë Hoxhës, komandantit të batalionit Meto Bajraktari, që më kohë kishte bashkëpunim me aradhet partizane të Titos. Edhe pse në fshatin Nishec ishte themeluar qendra e veprimit të partizanëve shqiptar, kur hynë ushtria NÇJ-së dhe armata bullgare, ndaj banorëve shqiptar ushtruan dhunë, dhe lanë të vrarë 14 banor shqiptar, arrestuan rreth 100 gra fëmijë e pleq, dhe dogjën shtëpinë e Hamit Dedes, rojës së batalionit partizan[57] Siç shihet nga këto veprime të ushtrisë serbo-bullgare, qëllimi kryesor i kësaj ushtrie ishte vrasja dhe dëbimi i shqiptarëve nga vatrat e tyre.

Ushtria bullgare disa burra të fshatit Nishec, pasi i kishte rrahur, i kishin shtyrë që të hapin varret e tyre, dhe disa të lidhur mes veti i kishin pushkatuar dhe varrosur në një varrë të vetëm.[58] Mustaf Hoxha si komandant i batalionit “Meto Bajraktari”, me të gjithë të vrarët kishte lidhje familjare, por nuk kishte pasur mundësi ti shpëtoj as fshatarët e vet. Pas okupimit të Prishtinës dhe ndjekjes së shqiptarëve, Mustaf Hoxha bëri të çmos për shpëtimin e shqiptarëve, por te ai vërehet edhe zhgënjimi nga bashkëpunimi me partizanët jugosllav. 

Prej verës së vitit 1944, dhe pas ripushtimit të Kosovës nga forcat e ushtrisë partizane të Titos, popullata shqiptare përjetoj përndjekje, vrasje masive, mobilizoj të rinjtë shqiptar dhe i dërguan për ti vrarë në Srem e Tivarë, plaçkiten popullatën, realizuan programet e shpërnguljes në Turqi, dhe filluan me shkatërrimin e kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Për shpërnguljen dhe vrasjen e  shqiptarëve të Kosovës, UNÇJ-ja në Kosovë i kishte dërguar katër divizione me 14 brigada[59], të cilët filluan me masakra në Drenicë e Gjilan.

Pas hyrjes së ushtrisë sllave në Prishtinë dhe ekzekutimit të qytetarëve në Tauk-Bahqe, masakra të mëdha u bënë edhe në Prapashticë, Mitrovicë, Rahavec, Vushtrri etj.[60]

Në rrethana të tilla, kur popullata shqiptare ishte rrezikuar që të dëbohet nga trojet etnike, ishte e domosdoshme një ri organizim i shqiptarëve rreth Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Kjo organizatë i kishte themeluar komitetet  në të gjitha viset e Kosovës të  banuara me shqiptar. Komitetet ishin themeluar edhe për territorin e Prishtinës dhe Podujevës. Në kuvendin që është mbajtur më 17 gusht 1945, në fshatin Koliq, morën pjesë 26 anëtar. Kryetar i rrethit për Podujevë u zgjodhe Mulla Ramë Govori. Kjo organizatë filloj me mbajtjen e kuvendeve në tërë territorin e Kosovës.

Kundër anëtarëve të kësaj lëvizje filluan vrasjet, burgosjet, përndjekjet si dhe me anëtar të radhëve partizane në popull përhapej urrejtja dhe përçarja. Nga shërbimet e fshehta të OZN-ës, u likuiduan shumë lider shqiptar si Ajet Gërguri, Gjon Sereqi, Shemsi Gashi, Shyt Mareci, Mulla Idriz Gjilani, Azem Bellaqevci, Musli Dumoshi etj.

Abazi i Islamit nga lagja e Balajve të Prapashticës, ishte zhvendosur më herët dhe jetonte në fshatin Keqekollë. Pas okupimit të Kosovës shumë vullnetar shqiptar, që kishin qenë kundër ushtrisë serbo-sllave, për ta shpëtuar kokën u nisën drejt kufirit të Greqisë. Në mesin e tyre ishte edhe Abazi i Islamit nga Keqekolla, i cili dy herë ishte plagosur në përpjekje për ta kaluar kufirin grekë. Pas kthimit në fshatin e tij, qëndronte në mal, por hetohet nga xhandarmëria serbe dhe  plagoset rëndë. Ai qëndron i plagosur në përrua dhe për tre ditë me radhë nuk e vërejnë askush. Hyseni i vogël 6 vjeçar dhe vajza Shaha, pasi i lëshojnë bagëtinë, ofrohen pranë islamit të plagosur. Islami i fton fëmijët që ta ndihmojnë, që ta njoftojnë Isën të merr pak ujë të vakët e të vijë sa më parë. Isa së bashku me Faten njerkën e tij, shkojnë e ndihmojnë duke ja pastruar plagën. Islami kërkon që pa u hetuar nga çetnikët sa më parë duhet ta takojnë me Brahë Shushnicen e Prapashticës.[61] Islamin nëpër një rrugicë me pakë borë e dërgojnë natën të Braha në fshatin Prapashticë. Braha pasi ju jep ushqim, ju thotë pa merak unë e rregulloj vendin ku do të qëndrosh, shërohesh dhe do të ju bashkohesh shokëve. Braha në mal e rregullon strehimoren, ku çdo ditë ja dërgonte ushqimin dhe ja shëronte plagën.[62]

Pas tre muaj qëndrimi te Braha në Prapashticë, Islami shërohet dhe kthehet fshehurazi në shtëpinë e tij. Pas pak ditësh xhandarët e kuptojnë se ai ishte shëruar dhe tani gjendej në shtëpi. Përmes xhandarëve shqiptar kërkojnë të bisedojnë me te që të dorëzohet me premtim se do ta falin. Pasi dorëzohet e dërgojnë në burgun e Nishit, atje e mbysin dhe e varrosin, andaj edhe sot nuk dihet varri i tij.

Familja e Shushnicëve[63], degëzim i familjes Shushnicëve në fshatin Prapashticë, gjatë kohës së luftës  e kishin një organizim të mirë familjarë, dhe një ekonomi solide për kohën. Duke e parë rrezikun, në prag të Luftës së Dytë Botërore, në malin e tyre “Straka”, afër mullirit familjar të tyre e kishin ndërtuar një strehimore. Gjatë gjithë kohëve të krizës dhe rrezikut në atë strehimore kalonin natën njerëz të përndjekur, kocak, por edhe disa hebrenj që hyn në Kosovë nga territori i Serbisë. Musa i Shushnicëve, kishte pasur që herët miqësi me familjen hebraike Bahar, në Prishtinë. Pas vdekjes së Musës këtë miqësi e vazhdon edhe djali i tij Shabani. Shabani ishte kryeplaku i kësaj familje deri në vitin 1946. Brahimi (Braha), Musën e ka pasur axhë, dhe pas vrasjes së babait të tij Namanit në vitin 1921, është rritur në përkujdesje të Musës dhe Shabanit. Nga kjo familje kryesisht ishte ngarkuar Braha që të kujdeset për të strehuarit e mullirin dhe dërgimin e ushqimit njerëzve të strehuar në bunkerin e tyre.

Në këtë bunker fill pas betejës së Gjilanit, Arif Kllokoqi e kishte sjellë mulla Idriz Gjilanin. Mulla Idrizi në këtë bunker kishte qëndruar plotë tre javë. Prej Prapashticës, mulla Idrizi vendoset ne Tyxhec, dhe pastaj në Gjyrishec. Braha tregonte se kur errësohej Mulla Idriz Gjilanin e sillnin në odën e tyre, ndërsa para muzgut e kthenin në strehimore. Këto rrëfime i kam dëgjuar disa herë nga gjyshi im Brahim Namani (Braha), por pas vdekjes së tij, vendin ku ka qenë strehimorja e kam vizituar me djalin e Shabanit Feratin. Fotografinë e Feratit duke treguar për strehimoren e familjes e ka publikuar Ramadan N. Ibrahimi.[64]

Po ashtu për strehimoren e familjes së Shushnicëve në malin “Straka”, dhe për qëndrimin e Mulla Idriz Gjilanit, pas betejës së Gjilanit si dhe strehimin dhe shërimin e Abaz Islamit nga Keqekolla ka shkruar edhe Ali Sh. Berisha.[65] Në fshatin Prapashticë e pikërisht në odën e Shaban Musës së Shushnicëve, ishte pika kontaktuese e armatës shqiptare prej Mitrovicës me armatën shqiptare të Gjilanit, andaj anëtarët e kësaj familje edhe më parë ishin njohur me komandantët e të dy zonave. Si pas kujtimeve familjare nga zona e Gjilanit, në familjën tonë që kishin ardhur për tu konsultuar me komandën e zonës së Mitrovicës përmendeshin Shqfqet Bylykbashi, Bajram Krasniqi nga Tygjeci, Mulla Sefë Govori nga Gjilani, Nazmi Budrika etj.

Si përfundim të tragjedisë së popullit shqiptar në fund të Luftës së Dytë Botërore, po jap disa konkluzione të Izber Hotit.

Izber Hoti, lidhur me fatin e shqiptarëve dhe bashkëpunimin me PKJ, shkruan: Komunistët shqiptar pasi ju besuan premtimeve të PKJ-së dhe PKSH-së, edhe ata u inkuadruan në LNÇ, ku së bashku me popullin serbë e malazezë e të tjerë në Kosovë ata formuan aradhe, çeta e brigada të UNÇJ-së. Në prag të vitit 1945 në Kosovë siç dihet u formuan 8 brigada të UNÇ e AP të Kosovë e Metohisë, një Brigadë e Korparmatës së Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë, të cilat bashkë  me njësitet ushtarake të prapavijës kishin afër 50.000 luftëtar.[66] Siç shihet edhe populli shqiptar dha kontributin në luftë kundër fashizmit, këto janë fakte të cilat nuk mund të injorohen dhe supozimi se Kosova më 1944 u “çlirua” është e qëndrueshme dhe as që mund të mohohet, mirëpo. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër e kësaj medalje është plotësisht e kundërta me të parën.[67]

Izber Hoti, në studimin e tij shkruan se ri robërimi kombëtar i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera etnike, nga ana e komunistëve jugosllav u bë me paramendim që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa mori përmasa të mëdha nga fundi i marsit të vitit 1944, deri në korrik të vitit 1945. PKSH-ja i besoi verbër premtimeve të PKJ-së, ndërsa lufta e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar nuk pati sukses. Si pasoj Kosova dhe viset tjera shqiptare në Jugosllavi u ripushtuan dhe u robëruan sërish. Dështimi i çlirimit të Kosovës, si edhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve, nuk e mohon LNÇ-në e shqiptarëve në Kosovë, as rëndësinë dhe kontributin e kësaj lëvizje  në luftë kundër fashizmit. Mirëpo me ripushtimin e Kosovës, komunistët jugosllav shkelen premtimet dhe parimin e vetëvendosjes së popujve, në të cilat përbetoheshin gjatë Luftës së Dytë Botërore.[68]

Unë kësaj që ka shkruar Izber Hoti do ti shtoja, pasojat e përçarjeve të shqiptarëve në momente kritike dhe të rëndësishme për të vendosur për fatin e popullit. Mendoj se duke analizuar disa nga tragjeditë kombëtare në lufta por edhe në tryeza të bisedimeve të nivelit ndërkombëtar, mos uniteti i shqiptarëve, si pasoj e koncepteve ideologjike, fetare dhe ambicieve për pushtet dhe për tu pasuruar, ju ka kushtuar shqiptarëve që të mbesin të copëtuar në territore, të ndarë dhe të pa fuqishëm në aspektin ushtarak ekonomik dhe intelektual për të mbrojtur interesat vitale kombëtare. Shpresojmë që në të ardhmen të vetëdijesohemi për ta kuptuar se interesat, kombëtare e shtetërore, duhet të jenë prioritet para egove dhe ambicieve individuale e familjare për pasuri e pushtet.

_________

Burimet dhe Literatura

1 . Tahir Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Bruksel, 1965

2  Adem Ajvazi: Podujeva, Themelimi i qytetit 1912-1945, I, Podujevë 2020

3  Jusuf Buxhavi: Kosova 1912 1945, Prishtinë 2015

4  Mitrovica dhe Rrethina, Mitrovicë, 1979

5  Aradha Partizane e Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit, Beograd 1981

6  Hakif Bajrami, Batalioni Partizan Meto Bajraktari, Prishtinë 1988

7  Branko Lotos: Kosovska Mitrovica i Okolina u planovima Draze Mihajlovica, Radnicka Klasa 479 Tajna i Javna saradnja çetnika i okupatora, arhivski pregled, 1976. D.59: Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë, 1979

8  Gjet Ndoj: Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore (1939 1944), Tiranë 2023

9  Fazli Hajrizi: Rexhep Mitrovica në lëvizjen kombëtare, Libëri shkollor, Prishtinë, 2008

10 Ali Sh. Berisha: Gallapi i Prishtinës IV, (1941-1945), Prishtinë 2010

11 Muhamet Shatri: Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë

12 Izber Hoti: Në Udhëkryqet e historisë dhe të historiografisë shqiptare, Prishtinë, 2003

13 Romeo Gurakuqi: Shqipëria dhe Tokat e Lirume 1939-1946, Botimi i dytë Prishtinë, 2023

14 Ramadan N. Ibrahimi: Mbrojtja Kombëtare në Rrethinën e Prishtinës, Prishtinë, 2008

15 Stefan Karastojanov: Kosova një analizë gjeopolitike, Shkup 2007

16 Qerim Lita: Referat për komitetet nacional demokratike shqiptare, Prishtinë 2009

17 Qazim Namani: Masakrat dhe Krimet serbe, malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare 1912-1944, Pjesa I, E përgatiti për botim Nue Oroshi, Botues Lumëbardhi, Prizren, 2023

18 Hysen Azemi, LNDSH-ja dhe sigurimi shtetëror serbë, Vëllimi II 1945-1947. Prishtinë 2014

19 Mehmet Gërguri: Ajet Gërguri dhe Lëvizja NDSH (945-1947), Prishtinë, 2007

20 Nuha Zullufi: Pasqyrë e ndritshme e historisë kombëtare në Keqekollë, Prishtinë 2018, fq. 14

21 Ali Sha Berisha: Gallapi I Prishtinës V (1950-1998), Prishtinë, 2014, fq. 108


[1] Tahir Zajmi, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Bruksel, 1965, fq. 34-35

[2] Adem Ajvazi: Podujeva, Themelimi i qytetit 1912-1945 I, Podujevë, 2020, fq. 366

[3] Jusuf Buxhavi: Kosova 1912-1945, Prishtinë, 2015, fq. 343

[4] Mitrovica dhe Rrethina, Mitrovicë, 1979, fq. 392

[5] Aradha Partizane e Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit, Beograd 1981, fq.312

[6] Po aty, fq. 313

[7] Hakif Bajrami, Batalioni Partizan Meto Bajraktari, Prishtinë 1988 fq, 113

[8] Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë, 1979, fq.412

[9] Branko Lotos: Kosovska Mitrovica i Okolina u planovima Draze Mihajlovica, Radnicka Klasa 479 Tajna i

  Javna saradnja çetnika i okupatora, arhivski pregled, 1976. D.59: Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë, 1979, fq.  396

[10] Gjet Ndoj: Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore (1939 1944), Tiranë 2023, fq. 511

[11] Po aty, fq. 511

[12] Po aty, fq. 512

[13] Po aty, fq. 512

[14] Po aty, fq. 513

[15] Fazli Hajrizi: Rexhep Mitrovica në lëvizjen kombëtare, Liberi shkollor, Prishtinë, 2008, fq. 199

[16] Hakif Bajrami: Batalioni Partizan “Meto Bajraktari”, Prishtinë 1988 fq 108

[17] Hakif Bajrami, Batalioni Partizan Meto Bajraktari, Prishtinë 1988 fq 108, 109

[18] Ali Sh. Berisha: Gallapi i Prishtinës IV, (1941-1945), Prishtinë 2010, fq. 388-391

[19] Muhamet Shatri: Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, fq. 48

[20] Romeo Gurakuqi: Shqipëria dhe Tokat e Lirume 1939-1946, Botimi i dytë Prishtinë, 2023

[21] Muhamet Shatri: Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, fq. 61

[22] Ramadan N. Ibrahimi: Mbrojtja Kombëtare në Rrethinën e Prishtinës, Prishtinë, 2008, fq. 58

[23] Hakif Bajrami, Batalioni Partizan Meto Bajraktari, Prishtinë 1988 fq, 107

[24] Po aty, fq. 107

[25] Muhamet Shatri: Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, fq.178

[26] Jusuf Buxhovi: Kosova 1912-1945, Prishtinë 2015, fq. 344

[27] Stefan Karastojanov: Kosova një analizë gjeopolitike, Shkup 2007, fq, 156

[28] Po aty, fq 156

[29] Ramadan N. Ibrahimi: Mbrojtja Kombëtare në Rrethinën e Prishtinës, Prishtinë, 2008, fq. 62

[30] Po aty, fq. 64

[31] Muhamet Shatri: Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, fq.178

[32] Qerim Lita: Referat për komitetet nacional demokratike shqiptare, Prishtinë 2009, fq. 13

[33] Gjet Ndoj: Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore (1939-1944), Tiranë 2023, fq. 512

[34] Ramadan N. Ibrahimi: Mbrojtja Kombëtare në rrethinën e Prishtinës 1941 1948, Prishtinë, 2008, fq. 65

[35] Aradha Partizane e Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit, Beograd 1981, fq. 525

[36] Shaban Mahmut Rama nga Tuxheci, nga Gjilani, luftëtar në mbrojtje të kufirit, dhe pjesëmarrës në udhëtimin famë keq në Tivar e deri në Dubrovnik, Intervistën e kam realizuar në vitin 1994, në Prishtinë.

[37] Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë 1979, fq, 417

[38] Mitrovica dhe rrethina, Mitrovicë 1979, fq, 418

[39] Aradha Partizane e Kopaonikut, e Shalës, e Ibrit, Beograd, 1981, fq.592

[40] Muhamet Shatri: Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, fq.179

[41] Lefter Nasi: Ripushtimi i Kosovës, Shtator 1944 deri në Korrik 1945, Tiranë 1994, fq 143

[42] Lefter Nasi: Ripushtimi i Kosovës, Shtator 1944 deri në Korrik 1945, Tiranë 1994, fq. 162

[43] Jusuf Buxhovi: Kosova 1912-1945, “Jalifat Publishing”-Houston, “Faik Konica”- Prishtinë, 2015, fq. 344

[44] Po aty, fq 344

[45] Po aty, fq 344

[46] Gjet Ndoj: Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore (1939 1944), Tiranë 2023, fq. 510

[47] Ali Berisha: Gallapi i Prishtinës IV, Prishtinë, 2010, fq. 108

[48] Po aty, fq. 110

[49] Intervistë e realizuar me Rexhep Gajtanin, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në vitin 1994

[50] Qazim Namani: Masakrat dhe Krimet serbe, malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare 1912-1944, Pjesa I, E përgatiti për botim Nue Oroshi, Botues Lumëbardhi, Prizren, 2023, fq. 98-99

[51] Ali Sh. Berisha: Gallapi i Prishtinës IV, 1941-1945, Prishtinë, 2010, fq. 480

[52] Po aty, fq. 479

[53] Qazim Namani: Masakrat dhe Krimet serbe, malazeze dhe të tjerëve në trojet shqiptare 1912-1944, Pjesa I, E përgatiti për botim Nue Oroshi, Botues Lumëbardhi, Prizren, 2003, fq. 99

[54] Hysen Azemi, LNDSH-ja dhe sigurimi shtetëror serbë, Vëllimi II 1945-1947. Prishtinë 2014, fq. 5

[55] Qerim Lita: Referat për komitetet nacional demokratike shqiptare, Prishtinë 2009, fq. 73

[56] Mehmet Gërguri: Ajet Gërguri dhe Lëvizja NDSH (945-1947), Prishtinë, 2007, fq.266

[57] Ramadan N. Ibrahimi: Mbrojtja Kombëtare në Rrethinën e Prishtinës, Prishtinë, 2008, fq. 73

[58] Po aty, fq. 76

[59] Po aty, fq. 85

[60] Lefter Nasi: Ripushtimi i Kosovës, Shtator 1944 deri në Korrik 1945, Tiranë 1994, fq 150

[61] Nuha Zullufi: Pasqyrë e ndritshme e historisë kombëtare në Keqekollë, Prishtinë 2018, fq. 14

[62] Po aty, fq. 16

[63] Familja e “Shushënicve”, është degëzim i familjes Bala të fshatit Prapashticë, që këtë emërtim e bartë që nga fundi i shekullit XIX, kur një pjesëtar i kësaj familje kthehet në fshatin e lindjes me një kapelë, të huaj që e kishte sjellë nga lufta. Pasi e barte atë kapele nga vëllezërit tjera familjes së tij i mbetet epiteti Shushnicë. Ndryshe nga banorët e fshatit dhe fshatrave për rreth njihen edhe me emërtime tjera si: Dërrnoc e Bilallaj.

[64] Ramadan N. Ibrahimi: Mbrojtja Kombëtare në rrethinën e Prishtinës 1941-1948, botuar në Prishtinë në vitin 2008, fq. 125.

[65] Ali Sha Berisha: Gallapi I Prishtinës V (1950-1998), Prishtinë, 2014, fq. 108

[66] Izber Hoti: Në Udhëkryqet e historisë dhe të historiografisë shqiptare, Prishtinë, 2003, fq. 291

[67] Po aty, fq. 291

[68] Po aty, fq. 294

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura