LUFTA E VLORËS E VITIT 1920 NË POEZINË POPULLORE

LUFTA E VLORËS E VITIT 1920 NË POEZINË POPULLORE

Nga Dilaver Goxhaj, Tiranë 29 gusht 2021

Vjershëria popullore shqiptare, thotë Ismail Kadare, u rrit gjer në përmasat e një universi, me një zotësi të saj vetjake të habitshme, që ka qenë njëkohësisht epos dhe kronikë e përditshme, shtyp dhe universitet, kalendar dhe pedagogji. Edhe në rastin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 i gjejmë të gjitha këto aftësi të saj në përsosmëri. Arti poetik popullor edhe për këtë faqe të historisë sonë është renditur si plotësues apo korrigjues i saj, krahas artit të kultivuar dhe historisë së shkruar.

Lufta e Vlorës filloi më 5 Qershor 1920 dhe më 3 Shtator 1920 u festua me madhështi fitorja, kur forcat kryengritëse hynë në Vlorë.

Dimë që Luftrat Ballkanike 1912-1913 i thelluan shumë kontraditat midis shteteve të Ballkanit ashtu edhe midis Fuqive të Mëdha. E gjithë Shqipëria në këtë periudhë vuante ngaqë mungonte bashkimi: Shkodra qe më vehte; në Durrës sundonte Esat Toptani si vegël e bindur e shovinistëve të huaj; Vlora u pushtua nga Italia; viset e Shqipërisë Veriore u pushtuan nga Serbia; Greqia mbante të pushtuar viset e Shqipërisë së Jugut.

Duke shfrytëzuar këto rrethana, më 26 prill 1915 hartohet në fshehtësi Traktati Famëkeq i Londrës, një nga aktet ndërkombëtare më të errëta që mund të përmenden, sipas të cilit Shqipëria ndahej midis Italisë, Serbisë dhe Greqisë.

Italia “mike”

bëri dhelpërinë:

“Të mos ipet Vlora

me Sazan nisinë,

tjetrën le ta marrë

Serbi me Greqinë”.

Italia, duke qenë se fuqitë e Antantës i pranuan kërkesat e saj për pushtime sipas atij Traktati, shpejtoi dhe në maj 1915 zbarkoi në Sazan e Vlorë, duke pas edhe pëlqimin e Anglisë dhe të Francës.

“Ky Adriatiku ndjerë,

Pse s’bën valë këtë herë,

Valë, dallgë dhe furtunë?”

“Sepse Vlorën na e zunë,

Topat në Sazan i prunë,

Kundrejt Kaninës i vunë”.

Mirëpo, në 1915 Austro-Hungaria e rimori veten dhe në fund të po atij viti ushtritë gjermane, austriake e bullgare pushtuan Shqipërinë e Veriut dhe arritën deri në Vjosë, duke e thyer Frontin Serb.

O moj Shqipëri e bardhë,

Gjith’ bota ta kanë sevdanë!

Në fund të 1916-s Italia pushtoi edhe Himarën; forcat franceze vinë në Korçë dhe më 16 dhjetor 1916 shpallën Republikën e Korçës; më 23 janar 1917 u shpallë autonomia e Shqipërisë nga austriakët në Shkodër; më 3 qershor 1917 shpallet nga italianët në Gjirokastër “Shqipëria e pavarur”.

Më 9 dhjetor 1919 me anë të memorandumit, fuqitë e mëdha i japin Italisë si pjesë të vetën Vlorën bashkë me krahinat e saj, duke marrë më herët edhe pëlqimin e Qeverisë së Durrësit me në krye Esat Pashën, sipas traktatit të 20 gushtit 1919. Të gjitha këto e trimëruan Italinë dhe, në prag të 28 Nëntorit 1919, komanda italiane urdhëron që të mos festohej më Dita e Flamurit Shqiptar se, sipas saj, Vlora nuk i përkiste më Shqipërisë. Ky urdhër shpërtheu demonstratën e popullit të Vlorës me në krye Jani Mingën:

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora!

Buçet kënga për liri,

Ja do mbetet Vlora jona,

Ja do bëhet gur e hi!

Si rrjedhojë, në dhjetor 1919 krijohet Komiteti i Fshehtë, që më vonë u quajt Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, me qendër në Tiranë dhe, në prill 1920 ky Komitet vjen në Vlorë, ku u organizua një mbledhje me përfaqësuesit e borgjezisë së qytetit e të fshatrave dhe u zgjodh Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare prej 32 veta, si dhe Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i përbërë prej 12 vetash.

Më 14 janar 1920 Anglia, Franca dhe Italia bien në ujdi për t’i dhënë Serbisë luginën e Drinit, Shkodrën e Shëngjinin; Greqisë Korçën e Gjirokastrën, duke vënë kështu në jetë Traktatin e fshehtë të Londrës.

Italia me Greqinë,

Si rruspia me rruspinë,

Në një marrëveshje vinë,

Të fshehtë e bënë tertipnë,

Që të ndajnë Shqipërinë,

“Këtë unë e këtë tinë”!

Në këto kushte, më 21 janar 1920 mblidhet Kongresi në Lushnjë.

I pari Kongres që u bë,

në qytet të Lushnjësë.

Andej dolli qeveria.

-Çfarë vendime muarnë,

për qeverinë e Durrsitë?

-Të luftohet tradhëtia,

poshtë, poshtë Italija!

Kongresi e quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit dhe emëroi delegacionin e saj për në Konferencën e Paqes në Paris, e cila qe hapur më 18 janar 1919, ku kishte shkuar edhe delegacioni i qeverisë së Durrësit bashkë me Esat Toptanin në pritje të kthimit të tij në Shqipëri me ndihmën e Beogratit për të marrë pushtetin duke rrëzuar qeverinë e dalë nga Kongresi Lushnjës, se vetëm me ndihmën e Esatit Beogradi mund të merrte territore shqiptare. Për këtë qëllim Beogradi ishte kundër depërtimit të Italisë në Ballkan.

Më 11 shkurt 1920 qeveria kombëtare u vendos në Tiranë.

Në mars 1920 bashkohet me qeverinë e Tiranës, Shkodra; në prill Girokastra; në fund të majit 1920 u bashkua edhe Korça. Ndërkohë Italia mbante të pushtuar Vlorën, Tepelenën dhe Sarandën. Forcat serbe e malazeze pushtuan Dibrën dhe Malësinë e Veriut. Greqia mbante të pushtuar 26 fshatra shqiptare sipas marrëveshjes së Kapshticës.

Gjëndja keqësohet edhe më shumë pasi, Esat Pasha që nga Parisi, në bashkëpunim me shovinistët serbo-malazezë e grekë, vë në lëvizje njerëzit e tij, duke krijuar banda të armatosura në Dibër, Tiranë e deri në Rrogozhinë për rrëzimin e qeverisë së Tiranës.

Shqipëria ishte në prag të luftës civile. Atëhere ministri pa portofol, patrioti revolucionar Bajram Curri, kryen edhe një herë detyrën e lartë ndaj atdheut, kryeson forcat qeveritare, shpartallon kryengrytësit esadistë dhe i siguron qeverisë qetësinë për të vazhduar veprën e bashkimit.

Shokë, rroftë Bajram Curi,

Që për Shqipërinë nguli.

Ahmet Zog, o faqe zi,

Vdiq Esati, u ngjalle ti.

Qeveria e Tiranë e kryesuar nga Sulejman Delvina ngulte këmbë që çlirimi i pjesëve të pushtuara të arrihej në rrugë diplomatike, ngaqë kishte anëtarë të qeverisë që besonin se Shqipëria nuk do të ishte në gjendje që t’i bënte ballë një lufte me Italinë, prandaj dhe nuk u solidarizua haptazi, me qëllim që të kish mundësi të shfrytëzohej rruga diplomatike.

Kryeministri Sulejman Delvinë, fshehurazi nga Ahmet Zogu (Ministër i Brendshëm) merret vesh me përfaqësuesit e Vlorës lidhur me përgatitjet e luftës, duke i mbajtur këto lidhje të fshehta gjatë gjithë Lufës së Vlorës.

Fshatarësia e Vlorës dhe vegjëlia e qytetit nuk e duronte dot Vlorën të pushtuar.

Borgjezia e vendit si dhe disa bejlerë u solidarizuan me luftën e Vlorës, kurse klasa e çifligarëve u bashkua me Italinë.

Bejlerët nga Risilia

Thonë: rroftë Italia,

Të na rrojë edhe ca kohë,

se na hanë oriz fëmija.

Kaninjotë jazëk u qoftë,

Mahmut Efendiu ç’thotë?

Me bujqit po bën dava,

“Populli të drejtë s’ka!

Për ne Italia rroftë,

Me makarona na mba1

Më 18 maj 1920 ushtria italiane shpalli shtetrrethimin.

Më 20 maj 1920 u organizua Mbledhja e Barçellasë, ku u vendos që të lihen mënjanë grindjet e mëparshme e të pajtohen gjaqet si dhe të njoftohej popullsia se, në rast se Italia nuk do të pranonte të largohet tërësisht nga Vlora, do t’i shpallej luftë.

Kush është burrë shesh për shesh,

Kush të vritet le të vdes,

Kush të rroj’, me nder të jesë,

Vatanin do ta qerdhesë.

Njëkohësishtë u dërguan delegatë në Berat, Korçë, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Durrës e gjetkë ku u krijuan komisione të posaçme, që do të kujdeseshin për ndihmën kur të shpërthente lufta. Në Barçella u bisedua çështja e organizimit të formacioneve luftarake, çështja e armatosjes, si dhe u caktuan anëtarët e Komitetit që do të përgatisnin planin e kryengritjes.

Më 24 maj 1920 u përzunë italianët nga Kurveleshi.

Më 29 maj 1920 u mblodhën në mal të Beunit, afër Smokthinës, për të marrë pjesë në mbledhjen pranë Komitetit mijëra luftëtarët vullnetarë nga zonat e pushtuara ku ishin formuar çetat vullnetare: vlonjatë, tepelenas, kurveleshas, Lumi Vlorës, mallakastriotët dhe himariotë:

“Po pleqtë e Bregut ç’thonë?”

“Është e mira që të shkojmë,

Vëllezërit t’i ndihmojmë,

Ta dëgjojmë shoqi-shoqnë”.

Vendimi më me rëndësi i kësaj mbledhjeje ishte: shpallja e luftës kundër pushtuesve italianë:

“Në Beun seç u mblodhë

Dymbëdhjetë komisionë.

Edhe mbledhjen e filluan,

Muarn letrën dhe po shkruajn,

E shkruajnë për Piaçentinë,

Të lërë Vlorën të lirë”.

Njëkohësisht u bë i njohur Shtabi i planizimit dhe drejtimit të Luftës, (Alem Mehmeti nga Tragjasi, Hamit Selmani nga Dukati, Murat Miftari nga Tërbaçi, Halim Xhelua, Beqir Veliu dhe Osman Haxhiu):

Barçellaja bëjnë terpinë,

Ç’i shënuan parësinë:

Alem aganë e Hamitnë,

Murat Miftar e Halimnë,

Beqir e Osman Haxhinë!

Çetat u ndanë në katër pjesë: çetat që do sulmonin garnizonin Italian të Kotës; ato në Drashovicë; ato në Gjorm dhe çetat që do të sulmonin në Llogara, si dhe u caktuan komandantët e njësive të çetave dhe më së fundi u bë betimi.

Ti Selam do shkosh në Vlorë

Komanndant mbi tre taborë!

Salami ia hipi kalit,

Në tel foli gjeneralit:

“Dil steresë e jo limanit,

Të shohësh djemtë e vatanit!”

Më 3 qershor 1920, e premte, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dërgon komandantit të forcave italianë në Shqipëri Setimio Piaçentinit një letër:

Njëzetën proto qershorë,

Një letër seç e dërgojnë,

Nga Beuni për në Vlorë.

Ajo letër ishte Ultimatum para se të fillonte lufta, e shkruar në gjuhën fërngjisht:

Ultimatum i dërguan

Nga Beuni Piaçentinit,

Me kondita për një javë

Vlora të jetë e liruar.

Ultimatumi u dërgua me Mehmet Selimin nga Mallkeqi dhe Manxhar Selfo nga Shkoza.

Te porta në konsullatë,

Mehmet trimi dha një kartë.

Ultimatumi hidhte poshtë Traktatin e Londrës. Ndër të tjera në ultimatum thuhej: “Nuk jemi aq të marrë të mos kuptojmë që, nuk mundet një grusht shqiptarësh t’i shpallin luftë një fuqie të madhe si Italia, por fuqia italiane, sado e madhe që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë shqiptarët të vdesin për lirinë e nderin e atdheut të tyre”.

Me anë të ultimatumit Komiteti kërkonte përgjigje deri në ora 19.00 të datës 4 qershor 1920.

Komandanti i forcave pushtuese italiane në Shqipëri, me shtabin e tij prej 12 gjeneralësh, nuk i dha rëndësi dhe as që begenisi t’i përgjigjej ultimatumit.

Ditën e shtunë më darkë,

Sa mbaroi ultimatumi,

Në një orë e më çdo anë,

Përnjëherë filloi sulmi.

Forcat italiane përbëheshin prej dy divizione këmbsorie: divizioni 13-të, nën komandën e gjeneralit Raimondo, dhe divizioni i 36-të nën komandën gjeneralit Pulieze. Përveç këtyre dy divizioneve kishte disa brigada autonome, reparte të logjistikës, reparte bersaliere malore, disa repartee autonome artilerie, xhenjoje, karabinierësh, autoblionda, tanke, një skuadrile aeroplanësh dhe një skuadrile të forcave detare. Forca të tjera të mjaftueshme kishin zënë pozita gjatë rrugës Vlorë-Gjirokastër e Vlorë-Himarë, si dhe në Tepelenë, në Dukaj, në Kotë, në Gjorm, në Himarë, në Llogara, në Babicë, në Drashovicë, në Mavrovë, në Selenicë, në Sevaster etj.

Vullnetarët shqiptarë ishin armatosur dikush me armë, dikush pa armë, dikush me fishekë, dikush pa fishekë, zhveshur e zbathur, pa xhenjo, pa artileri, pa spitale, pa kuadro ushtarake për luftë, etj. Logjistikë ishte fshatarësia e tyre. Në Vlorë ndodhej një milici prej 1000 milicë shqiptarë të rekrutuar prej bejlerëve të Vlorës e të Risilisë, të cilëve u bëri thirrje Komiteti që t’i bashkoheshin kryengritjes, dhe ata iu bashkuan asaj.

Atë raport forcash muza popullore e ka shprehur më mirë se çdo historian ushtarak:

Andej bomba e ballona,

Mitralozë edhe vaporë;

Këtej një flamur valon,

Udhëtonte për në Vlorë.

Andej dinamit e topa,

Një mijë gjyle në një orë,

Këtej një shpatë copa–copa

Dhe një kobure në dorë.

Plani ishte që fillimisht të goditeshin njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të ndërpriteshin menjëherë linjat telefonike mes garnizoneve dhe mes atyre dhe komandës në Vlorë.

Urdhëri për sulm u dha në 5 qershor 1920, ku menjëherë u prenë linjat e komunikimit të italianëve.

Nëndëqint’ e njëzet viti,

Mu më pesë qershor,

Rrethi Vlorës krye ngriti,

Të drejtat e tij kërkon.

Në mesnatë, me të gdhirë 6 qershori 1920, kryengritja filloi në çdo kënd të viseve të pushtuara, duke u goditur menjëherë Kota, Tepelena, Gorishti, Dukati, Drashovica, Mazhari, Gjormi, Matohasanaj dhe Llogaraja. Drashovica u muar pas dy orë luftime të ashpra, si dhe u çliruan Vajza, Mavrova, Dukati, Mazhari, Matohasanajt, u morën dhe postkomanda të tjera armike. Shumë e ashpër u bë lufta për çlirimin e Kotës dhe Gjormit duke gdhirë 6 qershori 1920.

Telatë po venë e vinë,

Lidhet Kota me Kaninë,

Flet Goti me Piaçentinë:

-Qysh do bëjmë ne nashtinë,

Se shqiptarët errinë,

Gjorm zunë e poshtë po vinë,

Janë përmbi katër mijë,

Si breshër me kërcëllimë!

Në Kotë nën komandën e Gjenerakllit Enriko Gotti, italianët kishin një regjiment këmbsorie, bateri malore me artileri, mitraliza të rëndë, transhe të rrethuara me tela me gjëmba. Ja si e pasqyron muza popullore.

O djema, ç’qënkej kjo Kota!

Më e bukur nga Evropa,

Bytim mitralozë e topa.

U ndez vedi, gjëmon toka.

Pas 6 orë luftimesh u muar dhe garnizoni i Kotës. Në sulmn mbi Kotë morrën pjesë çetat:  Salarisë, Smokthinës, Koculit, Vajzës, Gorishtit, Gusmarit, Plloçës, Shkozës, Mesaplikut, Mavrovës, Velçës, Kaninës dhe qytetarë të Vlorës.

Nuk harrohet Kota kurrë,

Kur mbi tela shkonim ne

Edhe kur Selam Musai

Shkrepte natën si rrufe!

Armikut në Kotë iu vranë shumë ushtarë përfshi edhe gjeneralin Enriko Gotti si dhe koloneli Kavallo, dhe iu zunë robër rreth 600 të tjerë. Robërit e luftës u çuan në Vajzë të Tepelenës, 25 km larg Vlorës.

“Mbi Kotë ia bënë: Hopa!

I prenë telat me kamë,

Gjeneralit iu pre koka,

Ushtarët iu zunë të gjallë.

As për të besuar ishte  

që një popull për ibret,

dymijë robër t’ia zinte,

Italisë goxha dovlet”.

Në Kotë u vranë dhe një numër jo i vogël luftëtarësh, midis tyre komandanti I çetës së Shkozës, luftëtari i vjetër, Kanan Mazia:

Kanan Mazia nga Shkoza,

Me një mjekër copa-copa.

Kanan t’u prish bukuria.

“Shqipëria të na rrojë,

Ç’ka se mbeta unë pa gojë!”

Çetat e Tragjasit, Gjormit, Bolenës e të tjera sulmuan forcat italiane në Gjorm, në kohën kur u bë edhe sulmi mbi Drashovicë:

Atje te hani në grykë,

Te ura në Drashovicë,

Qëllon top’ i Italisë;

Ka nijet që ta vithisë

Komisjon’ e Shqipërisë.

Të keqen ia kanë marrë,

Se ka trima kordhëtarë.

Njëkohësishtë, paralel sulmit në Kotë, Gjorm e Drashovicë, filloi sulmi edhe në Llogara nga çetat e Tërbaçi, Radhimës, Lepenicës e tjerë.

Aferim, more Tërbaçë!

Tetëdhjet’ karabinierë,

Poshtë tutje i krethtë.

Karabinierë e marshallë,

Dyfekët sheshit i lanë!

Luftimet këtu zgjatën tri ditë dhe pas tri ditë luftimesh të ashpra ushtarët dhe oficerët italianë që kishin mbetur gjallë, u dorëzuan.

Piaçentini kur dëgjoi

mandatën e Llogarasë,

u mahnit e s’e besoi

që ta gjen koqja e belasë.

Qendra më e fuqishme në viset e pushtuara nga ushtria italiane, pas Vlorës ishte Tepelena, ku armiku kishte batalion këmbsorie, artileri, reparte karabiniere, mitraloza të rëndë dhe lloje të tjera armatimesh, ndërsa rreth Kalasë së Tepelenës armiku kishte hapur llogore dhe rrethuar me tela me gjemba. Në këto luftime muarën pjesë çetat e fshtarave të Tepelenës dhe disa të Kurveleshit: Golëm, Progonat, Lekdush etj. Më 10 qershor, pas pesë ditë luftimesh të ashpra, komandanti i forcave italiane, major Kalçini me 6 oficerë e me një turmë të madhe ushtarësh, arritën të dalin nga rrethimi dhe u nisën për në Vlorë, por në Memaliaj u ndalën nga forcat që qenë lënë në rezervë dhe u kapën robër.

Historia flet më fortë

Ç’bënë dyfeqet me gjalmë,

Si në Tepelenë e Kotë,

Çobanët mbi gjeneralë.

Për t’i ardhur në ndihmë forcave në Tepelenë Vlora dërgoi dy batalione bersalierësh, por nuk mundën të arrinin. Më 8 qershor 1920 kryengritësit u afruan qytetit të Vlorës deri në Asna ku u ndez lufta. Po në këtë datë, në të zbardhur të ditës kryengritësit sulmuan në qafën e Babicës e në Kaninë. Lufta zgjati deri në mëngjes. Më 9 qershor kryengritësit muarën edhe një sërë fshatrash të tjera.

Rezultatet e pesë ditëve të para të luftës qenë të shkëlqyeshme; përveç të vrarëve armikut iu zunë 1200 robër si dhe shumë materiale luftarake.

Pesë sulmet e suksesshme: Kotë, Drashovicë, Llogara, Tepelenë, Gjorm siguruan përmbysjen e plotë të qëllimeve të armikut. Mbeteshin në duart e armikut vetëm Vlora dhe Kanina. Për hakmarrje Gjenerali Piacentini urdhëron arrestimet në masë, çnderimin e femrave në Vlorë, djegien e shtëpive dhe të dyqaneve, arreston dhe i çon në Sazan 1400 shqiptarë si dhe i kërkon qeverisë së Romës forca të reja. Repartet ushtarake që qenë në Sarandë e në Gjirokastër i kishte përqëndruar në Vlorë. Vlora dhe Kanina qenë fortifikuar si dhe rrethuar me tela me gjemba. Çetat vullnetare shtrënguan rrethimin e Kaninës dhe të Vlorës. Çeta e Rëzës iu afrua kalasë së Kaninës; çeta e Smokthinës do të sulmonte përgjatë brigjeve të Qishabardhës; çeta e Kudhësit do të merrte drejtimin e rrugës së vjetër; çetat e Kurveleshit dhe të Tepelenës shkuan nga Babica dhe këtu u ndanë në tre drejtime: Selam Musai me 57 tepelenas në një drejtim; Rakip Duka me çetën e Gusmarit, Golëmit, Lekdushit dhe pak progonatas në një drejtim tjetër; Riza Runa me çetën e Nivicës, Rexhinit, Libohovës e Nepravishtës në një drejtim tjetër, por me objektiv bashkëqëndror. Të 17 vullentarët Veliqotë u ndanë më tresh që të shërbenin edhe si kallauzë për çetat e Kurveleshit ngaqë e njihnin terrenin shumë mirë. Çeta e Mallakastrës së Sipërme do të zbriste në Risili. Çeta e Mallakastrës së Poshtme do të vinte nga Narta. Çeta e Mavrovës nga qafa e Fierit. Sektorin më të rëndësishëm, sektorin e Babicës, e kishin çeta e Lopsit dhe ajo e Salarisë.  

Luftë e madhe në Babicë

Me tela, me alitrikë,

Aty nata bëhej ditë.

Shumë çeta të tjera qëndruan në rezervë përreth Vlorës dhe Kaninës, ndërsa disa të tjera në Drashovicë. Më 9 qershor, para se të fillonte sulmi, komanda e kryengritjes i dërgoi një thirrje komandës italiane, gjeneral Piaçentinit, duke i kërkuar të zbraste Vlorën, dhe përfundonte me fjalët: “Përndryshe përgjegjësia do të përfundoi mbi ju”. Por komanda italiane vijonte t’i nënvleftësonte kryengritësit, ngaqë qeveria e Romës u pat premtuar ndihma. Qëndrimin e qeverisë së Romës e inkurajonte edhe qëndrimi i Jugosllavisë dhe i Greqisë duke i premtuar ndihma.

Më 10 qershor në mëngjes, bateritë e luftanijeve dhe një aeroplan goditën kodrat ku ishin kryengritësit dhe forcat e këmbësorisë kaluan në sulm për të pushtuar kodrat, por pa sukses.

Më 11 qershor duke gdhirë 12 qershori Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare lëshoi urdhërin për sulm mbi Vlorë dhe Kaninë.

Nga qafa e Vlorës sulmuan çetat e Smokthinës, Gorishtit, Kudhësit:

Atë ditën e xhuma,

Në Qafë përmbi kala,

Smokthinë, Velçë e Vajza

Bëjnë hyxhim përmbi ta!

Gjysm’ e djemve na u vra!

Ndërsa nga kodrat e Babisës sulmuan çetat e Lopsit e të Salarisë me Selam Musanë e Dule Dalanin në krye.

Te spitali, më të dalë,

Ballë për ballë me xheneralë;

Flakën shoshoqit ia dhanë:

Një në zemër, një në ballë!

Selam Musa Salaria,

Po të qan gjithë Shqipëria!

Luftëtarët kaluan gardhin e telave me gjemba duke vënë mbi ta degë e guna dhe hynë në ullishtet përmbi spital. Nga lagjia e Topalltisë sulmuan çetat e fshtrave të Vlorës. Mbi Kaninë u hodhën çetat: e Rëzës, Tërbaçit, Bolenës, Kallaratit etj.

Bolenës hallall i qoftë,

E dha fjalën, më s’u nda,

Doli xhenerali, thotë:

“Nga m’u futën në kala?!”

Forcat italiane përveç zjarrit me artileri dhe gjithë llojet e tjera të armëve verbonte kryengritësit me prozhektorë. Brenda 30 minutave lufta u përhap gjithandej. Në mëngjesin e 12 qershorit kryengritësit arritën në shtëpitë e para të qytetit. Në këtë betejë dhanë jetën komandanti i çetës së Salarisë Selam Musai, i çetës së Dhëmblanit Dule Dalani.

Kush vete gjer në spital?

Dulja me Selam Musanë.

Met Selimi një trim djalë,

Merrte hakë për Selamnë.

Por u vra edhe komandanti i çetës së Gusmarit, Xhafer Meta, e shumë të tjerë.

Do këndoj një këngë trimi,

Xhafer leshëra bërshimi,

u fole djeme: Ku jinni?

Ua bëre djeme me dorë,

bëni uxhum për në Vlorë,

përmbi tela të kaptojmë,

vdekjen të mos e mendojmë,

Shqipërinë ta çlirojmë.

Komanda italiane, kur e pa se të gjitha kundërsulmet e forcave të veta u thyen nga vullnetarët, atëhere i dërgoi njoftim Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që të tërhiqte forcat, në të kundërt do të therreshin të gjithë të internuarit në Sazan dhe Vlora do të bombardohej dhe do t’i vihej zjarri. Komiteti urdhëroi tërheqjen e forcave nga qyteti.

Komandanti i forcave të pushtimit në Shqipëri, Piaçentini, së bashku me gjeneralin Raimondo u thirrën me urgjencë në Romë dhe u kthyen në Vlorë më 15 qershor 1920 me forca të reja, me bindjen se do t’i mbysnin në gjak kryengritësit.

Më 13 qershor bie qeveria italiane e kryesuar nga Nitti, e diskredituar nga rezultati i disfatës të saj në çështjen shqiptare. Kur erdhi në fuqi qeveria e Gjolitit, i kërkoi parlamentit që të tërhiqeshin forcat nga Shqipëria, por parlamenti nuk e miratoi, ngaqë deputetët reaksionarë dhe ministrat e qeverisë, që përbënin shumicën, ishin të bindur se do ta mbysnin me gjak kryengritjen.

Po atë ditë, më 13 qershor 1920, vritet në Paris tradhëtari Esat Pashë Toptani nga studenti 25 vjeçari Avni Rustemi.

U ngren’ policët e vanë:

“Kush e qëlloi pashanë?”

-Unë e vrava qerratanë,

Se punonte propagandë

Me Serbinë e me Junanë.

Në 16 qershor, përmes spiunëve, komanda italiane mësoi se një pjesë e luftëtarëve kishin shkuar pranë familjeve për të festuar Bajramin, dhe vendosi ta shfrytëzonte rastin. Në 17 qershor forcat armike zunë malin e Shashicës dhe më 18 qershor urdhëruan sulm në front të gjerë me më shumë se 5.000 forca, të mbështetura me zjarr masiv artilerie dhe bombardim e mitralim me avjona. Luftëtarët rrëzuan një prej avjonave:

Në fushë të Peshkëpisë,

Ra ballon’ i Italisë.

Këta djemt’ e Shqipërisë,

Me manxerin e Turqisë,

E hodhën në shesh si mizë.

Pas disa orë luftimi, forcat italiane tërhiqen me turp.

Tanët ranë, në bark u shtruan,

I lanë sa u afruan.

Trimat tanë, të zot e gjakut,

Ç’u hapën zhapën e barkut.

Dyfeqet e Italisë,

Bëm ja bëjnë, e dot nuk vrisnë.

Në aksionin e 18 qershorit armiku pati rreth 200 oficerë e ushtarë të vrarë, ndersa nga vullnetarët vetëm një i vrarë!

Qeveria italiane e Gjolitit dergoi për bisedime me qeverinë e Tiranës Baronin Alioti, i cili mbriti në Vlorë më 2 korrik dhe në 4 korrik niset për në Tiranë. Ndërkohë Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u dha urdhër luftëtarëve të tërhiqeshin në pozicionet e tyre, për të pritur rezultatin e bisedimeve. Në këtë periudhë shkojnë në Vlorë vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare:

Në këtë luftë të shënjtë,

S’lufton vetëm Labëria,

Po i gjithë atdheu i shtrenjtë,

Lufton gjithë Shqipëria!

Bisedimet po zgjateshin, herë në Tiranë e herë në Durrësë. Deri më 8 korrik bisedimet nuk dhanë ndonjë rezultat. Kështu që Baron Alioti kërkoi që edhe lufta të pushonte dhe Italia të qëndroi në Sazan dhe në Skelën e Vlorës. Këto ngjarje shqetësuan kryengritësit dhe niset një delagacion për në Tiranë, i cili i kërkon qeverisë së Sulejman Delvinës që të mos bëjë lëshime dhe të mos e pranoi kërkesën e italianëve.

Në Tiranë, më 9 korrik, populli mori pjesë në një miting të madh dhe tregoi indinjatën e tij kundër pretendimeve italiane, duke kënduar dhe brohoritur “Rroftë Vlora jonë!”

Duke parë se bisedimet nuk kishin të mbaruar, Komiteti Mbrojtjes Kombëtare vendosi të rifillonte sulmi për çlirimin e Vlorës.  Sulmi filloi më 22 korrik 1920, në ora 22.00.

Më njëzetë e dy korrikut,

Kaptuan telat me gjëmba,

Iu futën armikut brënda,

S’ju tremb syri e s’ju droth zemra,

Se një herë i kish bërë nëna.

Të gjitha çetat u hodhën në sulm. U muar Qafa e Koçiut. Lufta vijoi deri në mesditën e së nesërmes. U vranë 500 ushtarë e oficerë italianë por dhe shumë kryengritës.

Qafë e Koçiut, moj grykë,

Ç’hata bëre atë ditë,

Nga gjylet që pëllcisnë,

Katërqind e ca shehitë,

Katërqind e ca të vrarë,

Vallë qysh e dhanë xhanë?!

Pa ujë e pa njeri pranë?!

Le të dalim dhe ne gratë,

Të marrëm peshqir e napë,

T’u njomim buzën e thatë,

T’u shpiem buk’ e fishekë,

T’u hapim ndonjë hendek!

Qeveria e Romës, për t’i shpëtuar konseguencave të mëtejshme, nëpërmjet Komandës së Vlorës kërkon nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare që të ndalej sulmi dhe deklaroi se do bisedonte me qeverinë e Tiranës për zbrazjen e Vlorës.

Më 28 korrik vjen në Tiranë konti Manzoni. Bisedimet do të vijonin në bazë të pranimit nga pala italiane për zbrazjen e Vlorës. Vetëm çifligarët që qenë lidhur prej kohe me pushtuesin, si Myfit Libohova, Mustafa Kruja, Fejzi Alizoti, bejlerët e Vlorës, të Risilisë etj, nuk u pajtuan dhe mbajtën qëndrim armiqësor karshi Luftës së Vlorës.

Sipas marrëveshjes, tërheqja e forcave italiane do të fillonte më 17 gusht 1920 dhe pas 15 ditësh qeveria e Tiranës do të dërgonte focat e xhandarmërisë për të marrë në dorëzim administratën e qytetit. Me zbrazjen e Vlorës do të bëhej edhe lirimi i të burgosurve nga të dy palët.

Protokolli i bisedimeve nuk e sqaronte mirë çështjen e Sazanit dhe kjo për verbësinë e qeverisë së Tiranës, për faj të Ministri të Jashtëm të saj, Mehmet bej Konica. Italianët përdorën dredhinë e pabesinë dhe e mbajtën të okupuar ishullin e Sazanit, i cili mbeti i pushtuar deri më 22 tetor 1944, kur u çlirua përfundimisht nga Br.12 S Partizane. Edhe këtë radhë Sulejman Delvina nuk dijti të shfrytëzonte pozitën e fitonjësit në interes të atdheut.

Më 17 gusht 1920 italianët përqëndrohen në Skelë, filluan largimin.

Më 28 gusht 1920 lirohen 1200 robër oficerë e ushtarë italianë që mbaheshin në kampin e Vajzës, ndërsa italianët liruan 1400 të internuarit e të burgosurit në ishillin e Sazanit.

Më 2 shtatoe 1920, 15 ditë pasi kishte filluar largimi i forcave italiane, Vlora dhe Skela u zbrazën.

Më 3 shtator 1920 hynë në Vlorë forcat kryengritëse dhe u festua me madhështi dita e shpëtimit nga zgjedha e huaj e Shqipërisë. Dhe populli atë ditë këndoi:

“Moj Vlorë, po të lirojmë

nga kthetrat e Italisë,

se pa ty ne s’mund të rrojmë,

që je djepi i lirisë”.

Fshatarësia dhe vegjëlia e qytetit mbetën përsëri në mëshirën e çifligarëve dhe fajdexhinjëve. Krerët borgjezë të Komitetit të Mbrojtje u hoqën mënjanë e u ndanë nga masat e popullit:

Thotë Vrioni me Toptanë,

Vërlaci me gjithë Syrjanë (Vlora):

“S’bëhen punët me fjalë,

Tonat janë e do t’i mbajmë

Çifligjet edhe rajanë,

Ku është dëgjuar kjo,

Të heqim dorë nga to?!

Gjithë epopenë e Luftës së Vlorës të vitit 1920 e ka përmbledhur në pak vargje rapsodi dhe patrioti nga Vunoi i Himarës, Thanas Beni:

 Evropa shkruajnë e thonë

“Ç`është kështu që dëgjojmë?”

“Bëhet dyfek në Vlorë,

Shqipëtarët po luftojnë

Me një mbret dyzet milionë”.

“Po me se luftojnë vallë?”

“Me sopata me hanxharë,

Dyfekët lidhur me gjalmë,

Fishekët në xhep i mbajnë”.

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura