LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XI)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

18. Letër për Sabri Novosellën, 21 korrik 1981

Prej fillimit të korrikut 1981 nga Zvicra kam pasur biseda telefonike të shpeshta me Bardhoshin, gjatë kohës së punës, në zyrën e tij në Ludwigsburg. Prej kësaj letre analiza ime në këtë vepër është edhe më e lehtë sepse prej 17 korrikut 1981 e deri ka mesi i dhjetorit 1981 unë jam në Untergruppenbach e Ludwigsburg në kontakte të përditshme me Jusufin e Bardhoshin.

  • Xhafer Durmishi dhe Jusuf Gërvalla

Untregr. RFGJ,

21 korrik 1981

      I dashur vëlla, Mërgim!

      Qortimet e tua janë me vend.

1.I entusiazmuar nga pritja e takimit tonë dhe (eventualisht)

-e bashkimit të dy forcave të rëndësishme revolucionare të Kosovës, unë rashë në një pasivitet të palejueshëm dhe lashë pas dore shumë punë.

   Me fjalët; -e bashkimit të dy forcave të rëndësishme revolucionare të Kosovës,

Jusufi e ka fjalën vetëm për LNÇKVSHJ e OMLK dhe askend tjetër.

2.Letra jote e fundit më zgjoi nga kjo „kllapi“ dhe të jesh i bindur se që tani do të përpiqem t’i çoj në vend si duhet e me kohë të gjitha porositë dhe t’i kryej me kohë ato që kërkohen prej meje.

      Më lejo tani të informoj për disa çështje tash për tash të rëndësishme.

3.Lidhur me takimin tonë doli një pengesë tash për tash e pakapërcyeshme:

ambasada turke nuk më jep kurrsesi vizë hyrjeje në Turqi.

4.Me gjasë nuk i japin as atij shokut tjetër (Kadri Zekës-shën. i Xh.D.),

-se edhe ai e ka punën si unë.

    Edhe Kadri Zeka e ka punën si Jusufi, do të thotë se të dytë kanë Dokument udhëtimi (TRAVEL DOCUMENT-Convention of 28 July 1951) për refugjatë politik.

-Ne do të provojmë ndonjë lloj intervenimi,

-por sa duket është e kotë.

    5.Prandaj,

-nga ju andej presim ndonjë propozim se

-si dhe përmes kujt të organizohet ndonjë kontakt,

-që do të shpiente kah bashkimi.

6.Shoku Shpend ka ardhur dhe është vendosur te ne.

Shpend=Xhafer Durmishi

7.Sot kanë dalë me B. për të kërkuar punë.

B.=Bardhoshin

8.Jam i kënaqur nga takimi me të.

9.Shokut A. Mërturi i kam dërguar letër, por ende nuk është përgjigjur. A është rregulluar puna si do të dijë ai se ku të drejtohet kur të vijë?

    Në Lëvizjen e Jusuf Gërvallës, deri më tani janë përmendur vetëm dy persona me mbiemrin Mërturi.

Mark Mërturi – Gjakovë dhe

Kolë Mërturi -Shtutgart.

    Marku e Kola janë një lidhje familjare.

   Në këtë pikë nuk mund të them me siguri se për cilin prej tyre e ka fjalën, apo bëhet fjalë – në formë pseudonimi – për ndonjë person krejt të tretë.

10.Deklarata e KQ dedikuar shtypit të Perëndimit është shtypur shqip, gjermanisht e serbokroatisht.

Deklarata e KQ- është fjala për – K O M U N I K A T E N, e Komitetit Qendror të LEVIZJES NACINALÇLIRIMTARE TE KOSOVËS, korrik 1981.

    Dua ta potencoj se kjo Komunikatë, me shkrim është formuluar tërësisht nga Jusufi. Kontributi im përmes Bardhoshit e Jusufit është gojor.

Të parët që e kanë botuar në organet e tyre janë kroatët e mërguar. Kështu ka ndodhur një e pa mirë që nuk e parashikonim. Por, shpresojmë se do ta publikojnë edhe të tjerë.

11. Shumë keq që nuk të kanë arritur traktet e dërguara. Ne kemi intervenuar në postë, po përgjigje nuk kemi marrë. Tani ku dihet në dorë të kujt kanë rënë? Unë po të dërgoj një kopje që e pata ndalur për vete. Herën tjetër t’i dërgoj ashtu si më porosit ti në letër.

12. Sa i përket maqinës për shtypjen e „Z.K.“,

të njoftoj se shoku I. B.

e ka kryer atë që lypsej prej tij.

 I. B.= ISA Bulan

   Shuma e të hollave=në një letër më vonë do të mësojmë se kjo shumë ka qenë

      3000 DM (tremijë marka gjermane)

   Këtë shumë nuk ia cakton Jusufi duke u nisur nga vetja, por është shumë që i është caktuar nga lidhjet farefisnore të Isës në Turqi.

13.Shoku Sh. Është përgjigjur pozitivisht, por ende s’e ka kryer punën. Ai thotë se pak më vonë do të na përgjigjet me një shumë 4-5 herë më të madhe.

   Sh.= Shaban Yldrim, Bayerstr. 5, 8000 München

Në letrën e 13 majit Jusufi shkruan:

Ai shoku në Munhen, përmes të cilit e mora lidhjen me Ty, Shabani, është një milioner.

Nëse shokët që ke ti atje kanë ndikim në të, atëherë ai do të mund të na ndihmonte në blerjen e një makine të tillë, bile nuk do t’i ndiente shpenzimet.

   Sabri Novosella me kontaktet e veta, Nijazi Strajën e Bujar Hoxhën duket se kanë intervenuar tek Shaban Yldrim, i cili gjithmonë e ka konsideruar veten si shok të Adem Demaçit, i përgjigjet Jusufit, se shuma që do të vjen prej tij do të jetë 5 herë më e madhe se sa ajo që mund t’ia përmend Jusufi, në mënyrë direkte nga Shtutgarti apo indirekte përmes Turqisë.

14.Me këtë letër po ju dërgojmë edhe ca trakte që kemi shpërndarë ne këndej. Ja edhe ca letra të bardha me zmalt, që të mbuloni me to, para se t’i fotokopjoni traktet, ato pjesë që nuk ju përgjigjen për atje.

   Jusufi është i vetëdijshëm se ekziston mundësia që teksti i trakteve në Gjermani mund të ketë fjali të papërshtatshme për gjendjen politike në Turqi më 1981, dhe i dërgon material me të cilin pjesët e papërshtatshme në trakte të mbulohen-fshihen para fotokopjimit.

15.Tekstin e traktit të ardhshëm, që më erdhi me letër, do ta shtyp dhe të ta dërgoj menjëherë.

16.Tani po kalojmë te numri i ardhshëm i „Zërit të Kosovës“.

-Në letrën e ardhshme besoj do të mund të më udhëzosh

-si t’ia bëj me këto çështje:

17.Formati, a duhet zgjedhur ai i „Lajmëtarit…“ apo ai i „Bashkimit“?

18.Unë kam menduar që titulli i gazetës të jetë me shkronja të kuqe, përafërsisht si ai i numrit 3 të „Lirisë“. Në vend të flamurit me pushkë, që ndodhet te „Liria“, kam menduar të vëmë ose flamurin shqiptar, ose një simbol të pushkës dhe penës. Si mendoni ju për këto dhe çka më porositni?

A pajtoheni që tirazhi i gazetës të jetë 3000 ose 5000 kopje, apo mendoni se duhet të jetë më i vogël a më i madh?

19. Mendoj se ky numër duhet të përmbajë një fjalë hyrëse të redaksisë.

20.Që të mos na përvidhet ndonjë lëshim, mendoj se këtë fjalë, së paku në pika të shkurta,

-duhet ta përpilosh ti me shokët dhe

pastaj të më tregoni edhe autorizimet e mia lidhur me të, përkatësisht në ç’shkallë mund të intervenoj unë në të.

      Ndarja e tekstit të mësipërm në pikat 1-20 është bërë nga unë.

      Renditja e mëposhtme në pikat 1-16 është bërë nga Jusufi.

      Tash për tash, unë kam parashikuar, globalisht, këto tema:

      1) kryeartikulli. Në pika të shkurtra të përfshihen kushtet objektive që u paraprinë ngjarjeve të Kosovës. Vetë ngjarjet e Kosovës nga aspekte të ndryshme.

      2) Dëshmorëve të rënë në demonstrata

      3) Lavdia e femrës shqiptare ndër shekuj dhe në ngjarjet e sivjetme

4) Renegatët e vjetër dhe renegatët e rinj

    Ky artikull nuk është botuar në Zërin e Kosovës por në revistën ”Liria” nr. 4-5 Gusht 1981, faqe 12 dhe 17, me titullin Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj.

      5) „Preokupimi“ i jugosllavëve për realitetin në RPS të Shqipërisë

      6) Botimi (me komentin tonë) i një vjershe të shkëlqyeshme mbi Shqipërinë, shkruar nga një poete e vjetër greke. Kjo vjershë demanton insinuatat jugosllave lidhur me opinionin grek sa i përket çështjes së minoritetit grek në Shqipëri.

      7) „Preokupimi“ jugosllav për dominimin e toskërishtes në letrarishten tonë përzierje flagrante në punët dhe në kulturën materiale të shqiptarëve dhe përpjekje për shuarjen e kulturës kombëtare te shqiptarët e Kosovës në veçanti.

      8) Figura e punëtorit dhe e fshatarit në ngjarjet e Kosovës

      9) Heshtja e bllokut të pathyeshëm të intelektualëve kosovarë, që po e vret armikun

      10) Zvogëlimi i numrit të studentëve në Universitet – shtim i armatës se të papunëve në Kosovë dhe tmerr edhe më i madh për armikun

      11) Jeta e mjeruar e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi

      12) Rreth shpërnguljes së serbo-malazezëve nga Kosova

      13) Letër e hapur popullit serb, malazez e maqedonas (për nxitjen e ndjenjës antishqiptare që mbjell te ta propaganda revizioniste jugosllave dhe rrezikun që ata, nesër, të bëhen mish për top në realizimin e aspiratave shoviniste e pushtuese të kësaj qeverie

      14) Marrëdhëniet shqiptaro-serbe ndër shekuj (përfolje e studimit omonim të historianit tonë të ndjerë Sadulla Brestovci, botuar në „Gjurmime albanologjike“

      15) Nga shtypi shqiptar lidhur me ngjarjet e Kosovës

      16) Nga shtypi i huaj lidhur me ngjarjet e Kosovës

      Përveç këtyre, edhe ndonjë nga temat e gatshme që më keni dërguar ju dhe që ju duken të arsyeshme për këtë moment.

      Nuk mund të them gjë prerazi lidhur me afatin kur mund të kryhet nga ana ime puna e daljes së gazetës, por shpresoj se nuk do të më marrë më shumë se 20 ditë.

      Të fala vëllazërore e revolucionare – Sokoli

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura