ARGJIRA UKIMERI: KOLOSEU I ROMËS

Prizren, 04. 09. 2014: (Si u themelua Roma?) – Një rol të rëndësishëm në historinë e krijimit të Italisë, kanë luajtur fiset latine. Ata në këto vise erdhën në mijëvjeçarin e I para Krishtit. Poashtu, këta (latinët) jetonin në qytete të fortifikuara me mure mbrojtëse. Ndër qytetet më të njohura ku jetuan latinët ishte Albalonga, ku më pas u quajt Romë. Rreth krijimit të Romës, një legjendë thotë kështu: Njëri nga mbretërit e Albalongës u rrëzua nga pushteti, nga vëllau i tij. Vajza e mbretit të rrëzuar nga froni lindi 2 djem binjak. Mirëpo, mbreti i ri, për shkak të frikës nga hakmarrja, urdhëroi që fëmijët e lindur të hudheshin në lumin Tibër. Valët e këtij lumi nxorën në breg binjakët e lindur. Fatmirësisht, për këta fëmijë u përkujdes një ulkonjë, e cila i ushqeu me qumështin e vet. Më vonë fëmijët i mori një bari dhe i rriti. Njërin e quajti Romul, ndërsa tjetrin e quajti Remi. Kur u rritën binjakët, themeluan një qytet të ri, në vendin ku i kishte gjetur bariu. Gjatë ndërtimit të qytetit, në mes tyre lindi një konflikt. Romuli vrau Remin, ndërsa qytetit ia vuri emrin e vet Roma. Në qytetin e Romës, kishte rezidenca perandorake që gjendeshin në kodrën elegante Palatin, që vinte nga fjala pallat. Poashtu, kishte shumë struktura monumentale si Koloseu, Forumi i Trajanit dhe Panteoni. Atje kishte shatërvanë me ujë të pijshëm të freskët të furnizuar nga akueduktë qindra kilometra të gjatë, kishte teatro, palestra, banja publike të mbushura me biblioteka dhe dyqane, tregje dhe kanalizime funksionale. Sot, Roma është ndër qendrat kryesore, që vizitohet nga turistë vendorë dhe të huaj. (1)

– Koloseu i Romës – 

Koloseu i Romës
Koloseu apo amfiteatri flavian është një prej ndërtesave më të famshme dhe monumenteve më të qëndrueshëm të kulturës antike romake. Ndërtimi i këtij monumenti u nis nga perandori Vespasian (rreth vitit 72 pas Krishtit). Emrin Koloseu, ndërtesa e famshme e mori prej statujës kolosale të Neros (40m e lartë), e cila ndodhej pranë. Poashtu, u quajt ndryshe amfiteatri Flavian, për shkak të mbiemrit të familjes perandorake në atë kohë që sundonte në Romë. Ndërsa i biri i perandorit romak, Titusi qëndroi në pushtet deri përfundimin e ndërtimit të këtij monumenti në vitin 80 pas Krishtit. Konsiderohet si amfiteatri më i madh i ndërtuar nga romakët me një kapacitet prej 50 mijë vendesh. Amfiteatri jashtë është ndërtuar me travertin, shtuf gëlqeror dhe brenda me tulla. Ky monument gjigand u ndërtua duke rrethuar katër kate. Tre katet e para kishin harqe hyrëse, ndërsa kati i katërt përdorte hapësira dyersh drejtkëndore, ku secili kat ishte rreth 10,5-13,9 metra i lartë. Lartësia e përgjithshme e godinës ishte përafërsisht 48 metra. Bazamentët ishin prej blloqesh mermeri, që peshonin 5 tonë, ndërsa blloqet e mëdha prej mermeri mbaheshin bashkë me këmbë metali. Koloseu kishte jo më pak se 76 hyrje të numërueshme dhe 4 hyrje plotësuese, të fshehura për perandorin, njerëz të tjerë të rëndësishëm dhe gladiatorët. Si një nga monumentet më të famshëm të qytetërimit romak, Koloseu ka pasur gjithmonë edhe kritikët e tij. Për disa nga dijetarët antik, ai konsiderohet si një vend ku është derdhur vazhdimisht gjak, e si pasojë është një vend gjakatar. Për disa të tjerë, Koloseu është një megastrukturë, që nuk ngërthen në vete ndonjë meritë të veçantë arkitektonike. Përveç mbajtjes tradicionale të garave të gladiatorëve në këtë monument, janë mbajtur dhe shumë spektakle tjera të cilat kishin gjithmonë karakter gjakderdhës, qofshin ato në mes të njerëzve apo në mes të kafshëve dhe njerëzve. Që nga ajo kohë, Koloseu pësoi dëmtime nga tërmetet dhe nga hajdutët që morën disa gurë, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e një objekti historik siç është Koloseu. Ndërsa sot, ky monument është riparuar dhe numëron mbi 1 milion vizitorë në vit. (2)
Aspekti religjioz i Koloseut
Koha kritike dhe luftërat që zhvilloheshin në Koloseun e Romës, pasqyronin një negativitet për klerikët dhe kishën katolike në atë kohë. Ata mendonin që: Të luftosh kundër njerëzve apo të tjerëve, është e njëjtë sikur të luftosh kundër Zotit. Me kalimin e kohës këto lojëra e ngadalësuan ritmin e tyre. Kështu në vitin 476 pas Krishtit u ndaluan nga njeriu me emrin Telemaku. Ky vend, u shndërrua në një parajsë të vërtetë për krishtërimin. Ndërsa, udha nga Vatikani deri tek Koloseu njihet me emrin “Udha e Kryqit”, ku sipas shkrimit biblik, është udha e mundimeve që kishte kaluar profeti i tyre Jezu Krishti, deri në ditët e vdekjes së tij në kryq. Sot, në këtë vend zhvillohen rituale fetare nga religjione të ndryshme.

………………………………………..

The Colosseum: Emblem of Rome, Italy.

Moderniteti monumental i Koloseut
Ky objekt, ngërthen në vete një botë plotë me mistere. Ndryshe quhet “Qyteti i Përjetshëm”, një pseudonim tjetër i Romës, ruan akoma dhe sot aureolën e të kaluarës së lavdishme e autoritare nëpërmjet monumentesh që ia festojnë madhështitë e tij. Koloseumi është një nga simbolet më atraktive dhe më të vizituara në kohën e sotme në Romë. Në këtë kohë pasqyrohet një botë, në të cilën tregohet rëndësia, kultura dhe vlerat antike të një monumenti të ndërtuar ndonjëherë nga dora e njeriut.
______________________________
Referencat:
1. Dr. Rexhepi Fehmi dhe dhe Demaj Frashër – Historia për gjimnazin shoqëror dhe të përgjithshëm, fq 82-83
2. www.albaniasite.net.

***

– Autorja ka diplomuar në fakultetin filozofik, të Universitetit të Prishtinës në drejtimin Pedagogji e Përgjithshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura