LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XV)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

23. Letër për Sabri Novosellën, 14 nëntor 1981

      14 nëntor 1981

      I dashur vëlla Mërgim,

1.Revista na u vonua ca ditë në shtypshkronjë. Posa e mora, po t’i dërgoj disa kopje me zarfa, sipas porosisë sate, dhe një pako me njëqind e ca kopje, në adresën e caktuar, që ma dërgove me letrën e fundit.

Nga fjalët e mësipërme dihet shumë saktë se kur ka dalë nga shtypi numri i parë i ZiK i LNÇKVSHJ

      Ne gjetëm një vend ku na kushtonte diçka më lirë për ta shtypur, por na doli rrotull. Edhe na e vonoi shumë, edhe nuk e ka punuar mirë.

      Mes të tjerash, janë përzier dy tituj të dy materialeve. Qe bërë shumë vonë për përmirësim. Korrigjimin e japim në numrin tjetër.

      Të lutem që të na i dërgosh sa më parë materialet eventuale që do të vijnë nga shokët për numrin tjetër.

      2.Telegramin e urimit për Kongresin e 8-të e pata dërguar pikërisht ditën që biseduam me telefon (4 nëntor 1981-shën. i Xh.D.). Përmbajtja është përafërsisht kjo:

      „Me entusiazëm të madh e dashuri të pamatë po ndjekim punimet e Kongresit të 8-të të PPSH dhe po e dëgjojmë zërin e së vërtetës. Na dha krahë raporti i shokut Enver për gjendjen në Kosovë, të cilin populli ynë liridashës e akcepton në tërësi si fjalën më të ligjshme në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tij. Nga Kosova e robëruar ju përcjellim urime të përzemërta dhe urojmë që pushka t’iu bëhet top!“

   Fjalët e mësipërme përbëjnë telegramin e LNÇKVSHJ për Kongresin VIII të PPSH, të shkruar dhe dërguar nga Jusufi më 4 nëntor 1981.

      Më falë që po shkruaj shkurt, por është ditë e shtunë dhe po nxitoj ta zë të hapur postën, e cila këtë ditë punon vetëm para dite. Menjëherë, nesër a pasnesër, ta nisi një letër tjetër, normale.

                              Të fala vëllazërore,

            Sokoli

24. Letër për Sabri Novosellën, 16 nëntor 1981

    Letra e mëposhtme, përveç katër rreshtave të fundit, e përshkruan, komenton një ngjarje që ka të bëjë me një iniciativë, reagim dhe vepër të punëtorëve të Shtutgartit – ndërprerjen e një koncerti, në vazhdën e ngjarjeve dhe atmosferës së Pranverës 1981. 

16 nëntor 1981

      I dashur vëlla Mërgim!

      1.Para tri ditësh t’i nisa një pako dhe tri zarfa me revistën. Po letrën që ta dërgova me to, e shkrova shkurtimisht, se prisja të përfundojë një ngjarje dhe të të shkruaj më gjerësisht.

   1.Fjalët e vërtetojnë se kur ka nisur të shpërndahet ZiK.

      Të shtunën, më 14 nëntor, në Shtutgart erdhi për të dhënë koncert Orkestrina e Radiotelevizionit të Prishtinës me tetë këngëtarë. Meqë në Shtutgart ende nuk ka klub të shqiptarëve dhe punëtorët e këtushëm, pos me një demonstratë, nuk kanë pasur si ta shfaqin revoltën dhe mendimin e vet lidhur me ngjarjet e Kosovës, ne patëm vendosur ta bojkotojmë koncertin e tyre. Ishte parashikuar nga ana e tyre që, para koncertit, ndonjë politikan të thoshte ndonjë fjalë lidhur me 29 nëntorin (jugosllav). Kurse ne planifikuam që, mes fjalës së tyre dhe koncertit, t’i thërresim punëtorët për dy minuta heshtje në nderim të luftëtarëve të rënë në pranverën e përgjakshme të Kosovës, të lexojmë një tekst të shkurtër (1,5 faqe të shtypura në makinë), të thërresim parullat „Jashtë nga vatrat tona ushtria dhe milicia fashiste jugosllave“, „Rroftë populli shqiptar“ dhe „Kosova – Republikë“, me ç’rast kjo e fundit „Kosova – Republikë“ do të vazhdonte pandërprerë deri në ndërprerjen e programit të „mysafirëve“.

      Por, ngjarjet u zhvilluan shumë më mirë sesa e kishim parashikuar ne. Në këtë drejtim na ndihmuan vetë armiqtë, me nervozën dhe druajtjen e tyre, siç po na ndihmojnë për të na vajtur punët mbarë që nga pranvera.

      Konsullata jugosllave kishte organizuar si kujdestarë nja dyzet shqiptarë të mashtruar e serbë, me shirita kujdestarie në duar. Ata duhej të mbanin rend gjatë koncertit. Pas hyrjes në sallë të publikut (nja 5 – 600 veta) dhe të trimave tanë, të organizuar, nja 30 veta, një përfaqësues i ambasadës jugosllave, me emrin Bashkim Hisari (ish punëtor i TV Prishtinës) i afrohen Besnikut dhe një punëtori shqiptar e i nxjerrin nga salla si persona të padëshirueshëm. Meqë Besniku, për shkak të profesionit që ushtron, është i njohur pothuaj për të gjithë shqiptarët e këtushëm, publiku ngritet i tëri në këmbë dhe reagon për largimin e tij. Atëherë, një shok yni, i LNÇKVSH, e shfrytëzon mirë rastin, hipën energjikisht mbi tavolinë, thërret të madhe parullën „Kosova – Republikë“, duke vendosur kështu ta shkurtojë krejt procedurën e planifikuar. Publiku përnjëherë ngrihet i tëri në këmbë dhe i përgjigjet njëzëri parullës. Kujdestarët e neveritshëm dhe personeli i konsullatës jugosllave, me këlyeshët e tyre mercenarë, zënë të tolloviten dhe përpiqen të marrin masa. Por, si vetëtimë u lëshohen në shpinë djelmoshat tanë dhe publiku bashkë me ta. Përfundimi: tragjik dhe komik për armiqtë tanë. Përfaqësuesit të konsullatës i çahet koka me karrige (këtë njeri, Bashkim Hisarin, e kanë rrahur njerëzit tanë edhe në demonstratën e Shtutgartit, se qe treguar shumë i zellshëm dhe dinak e këmbëngulës në realizimin e qëllimeve të poshtra të armikut), e përgjaken të gjithë ata që kanë pranuar të hynë në vallën e tyre. Prej njerëzve tanë e punëtorëve, asnjë i plagosur, as i gërvishur, bile. Në taborin e tyre, disa të plagosur rëndë (ka qenë rrezik që të mbetet edhe ndonjë i vdekur). Fotografia e satrapit Tito dhe flamuri jugosllav grisen e shkilen nga publiku, instrumentat e Orkestrinës fluturojnë, thyhen e shkilen nëpër sallë. Gjatë gjithë kohës, shqiptarët, në përleshje e sipër, nuk e ndalin parullën „Kosova-Republikë“. Përleshjet bëhen të rrëmbimshme, të rrufeshme, shumë energjike. Prej salle, i tërë publiku del përjashta dhe, për më se një gjysmë ore rresht, nuk shpërndahet por thërret parulla me zë të lartë, kështu që manifestimi shndërrohet në një demonstratë të shkëlqyeshme. Autobusi i jugosllavëve mbushet me parulla të ndryshme, pëllëmbë për pëllëmbë, me sprej për ngjyrosjen e automobilave. Më në fund, shpërndahen pa therrë në këmbë.

      Është interesant të shtohet se policia gjermane, prezente gjatë tërë kohës së përleshjeve, nuk intervenon asnjëherë, por e ndjek ngjarjen me gjakftohtësinë më të madhe. Asnjë punëtor nuk merret nga policia, as shfaqet fare ndonjë tentim i tillë nga ana e policisë. Disa nga policët gjermanë u bashkohen thirrjeve të parullës „Kosova – Republikë“ dhe u thonë hapurazi njerëzve tanë se kanë të drejtë të veprojnë kështu, sidomos pas nxjerrjes përjashta nga salla të dy njerëzve tanë.

      Si e përshkruajnë shokët, ky ishte një manifestim i shkëlqyeshëm i vendosmërisë së punëtorëve tanë dhe i solidarizimit të tyre me bashkatdhetarët në Kosovë. Jugosllavët e pranishëm kanë se çka u tregojnë eprorëve të tyre.

      Një shfaqje të ngjashme atyre u kanë organizuar, një javë më parë, edhe punëtorët tanë në Cyrih të Zvicrës. Por, atje, sipas mendimit tim, kanë bërë një gabim të vogël: punën e kanë nisur si kundërshtim ndaj një kënge popullore serbe, të kënduar nga një këngëtare serbe. Ndryshe, edhe atje u kanë dhënë mend aq, sa trupa menjëherë e ka ndërprerë turnenë nëpër Zvicër dhe ka kaluar në Gjermani. Në Mynih nuk ka pasur manifestim nga shqiptarët, por ka pasur një lloj bojkotimi. Nga afro 10 mijë shqiptarë që punojnë në atë qytet, në koncert kanë shkuar gjithsej 70 – 80 veta.

      Këta rreshta t’i shkrova nën përshtypjen e kësaj ngjarjeje, që neve po na duket me rëndësi.

2.Tani të njoftoj se bashkë me shokun e „Bashkimit“ dhe të „Lirisë“ kemi vendosur të organizojmë një manifestim qendror për kremtimin e festës kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit në Shtutgart. Do të mblidhemi nja 300 – 400 veta nga Gjermania, Zvicra e Belgjika. Një pjesë e shokëve do të shkojnë për festë në Vjenë.

   Më lartë e pamë letrën e Jusufit dërguar Sabri Novosellës më 5 nëntor 1981.

   Pas 11 dite, më 16 nëntor Jusufi e shkruan fjalinë e mësipërme.

   Si është e mundur?

   Gënjeshtarët dhe provokatorët djallëzor mund të thonë

-se me fjalinë e mësipërme Jusufi e deklason,

-e asgjëson qëndrimin e Sabriut në Stamboll,

-i deklason dhe asgjëson fjalët e veta

-të shkruara para 11 ditësh, më 5 nëntor 1981,

-se Jusufi e harron lojën që është bërë me te,

-dhe është i interesuar për një fillim të ri,

-për një fillim prej zeros.

  Këtu e shoh të nevojshme të bëj një sqarim.

   Kadri Zeka, më 17 tetor 1981, në Frankfurt,

-në përfundim të bisedës rreth takimit të Stambollit,

-i thotë Jusufit, se në dritën e zbulimeve

-të qëndrimeve të OMLK e të mia (KZ) ndaj teje,

-a pranon me pasur takime me mua edhe në të ardhmen?

   Jusufi i thotë se pranoj të kem takime me ty, edhe në të ardhmen,

-nëse ato janë në shërbim të popullit tonë.

Jusufi e potencon, dhe e bënë një dallim

-në mes interesave të Kadri Zekës,

-interesave të OMLK-së dhe

-interesave të popullit.

   Në mes 10-15 nëntorit 1981,

-Kadri Zeka merr kontakt dhe e takon Jusufin në shtëpinë e tij (JG).

Pra kontaktin dhe takimin e kërkon

-Kadriu me Jusufin dhe në asnjë mënyrë

-Jusufi me Kadriun.

   Kadriu i propozon Jusufit

-organizimin e përbashkët të festës së 28 Nëntorit 1981

-në Shtutgart, së bashku me aktivistët

-nga Zvicra,

-Duseldorfi – rrethi i shokut të ”Bashkimit” (Ibrahim Kelmendit)

-dhe nga Belgjika.

   Pasi është fjala për një organizim,

-që ka ngjashmëri me 8 demonstratat e mëparshme,

-organizim që nuk bëhet në emër të asnjë organizate

-por vetëm në emër të interesit të përgjithshëm,

-Jusufi pajtohet.

 Edhe pse ideja fillestare, iniciativa është e Kadriut,

-vetë ai (Kadriu) brenda disa ditësh

-e ndryshon propozimin e tij dhe

-vendosë që në Shtutgart

-të mos vij asnjë aktivist nga Duseldorfi e Belgjika

-e me këtë, të mos vij në Shtutgart

-as shoku i organizatës së tij, i OMLK-së Ibrahim Kelmendi, pasi

-Kadriu i kërkon Ibrahim K. që ai me rrethin e tij ta bëjnë organizimin

-në Duseldorf dhe jo në Shtutgart.

   Prapë Jusufi pajtohet

-dhe nuk bën asnjë vërejtje as ndaj këtij ndryshimi

-dhe më 28 Nëntor 1981 në Shtutgart vjen

-vetëm Kadri Zeka me aktivistët e Zvicrës.

      Të fala vëllazërore e revolucionare

      Sokoli

Ja më në fund adresa e kërkuar e atij shokut në Australi:

B. Kr., Penington Hostell, Penington SA 5013, Adelaide, Australia

(Adresën e kemi marrë nga „Lisi“, që duhet ta njohë shoku B. Kr. Kurse „Lisi“, që ka qenë këtu në Gjermani, te i ati, i ka marrë njoftimet nga „Bungu“ ose „Guri“, në mos qoftë njëri prej këtyre vetë shoku B. Kr. Besniku e di mirë, por nuk është këtu në këtë çast.)

1. B. Kr.=Besnik Krasniqi (emri i vërtetë)=djali i Metush Krasniqit

2. Besniku(pseudonim)=Bardhosh Gërvalla

***

    Pse Kadri Zeka merr iniciativën dhe bënë marrëveshje me Jusufin për festimin e 28 Nëntorit në Shtutgart? Ai e bënë këtë me të vetmin qëllim, për ta përgatitë terrenin për një dokument me titull “Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!” të OMLK-së sipas të cilit të gjitha organizatat janë bashkuar në Frontin e OMLK-së. Me këtë organizim Kadri Zeka mendon t’i thotë Jusufit: bashkatdhetarët na kanë pa bashkë në festën e 28 Nëntorit. Nga kjo rrjedhë, vërtetohet se është bërë bashkimi i të gjithëve në Frontin e OMLK-së.

  • Salla në Höpfigheim (Melchior – Jägerstuben, Burgunderstraße 4) ku u festua 28 Nëntori i vitit 1981 (Fotografoi: Faridin Tafallari)

   Për këtë mbrëmje Jusufi e përgatitë fjalimin kryesor dhe e lexon, ku në mes tjerash u drejtohet të gjithë aktivistëve të Shtutgartit dhe Zvicrës, përfshi edhe Kadri Zekën:

       Jusuf Gërvalla: “Po të kihet parasysh pesha historike e situatës aktuale, një detyrë prioritare del bashkimi optimal i organizatave e grupeve komuniste, patriotike e revolucionare, të cilat luftën kombëtare dhe shoqërore të popullit tonë të shumëvuajtur e marrin në tërë seriozitetin e saj. Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e “politikës së madhe”, lojën e arrivizmit revolucionar, të udhëhequra prej karrieristësh megalomanë, dhe ato që janë organizuar prej elementësh të dyshimtë e tani mbjellin në radhët e njerëzve tanë anarki dhe sjellin dezinformime në fitim të qeverisë së Beogradit, i ftojmë të heqin dorë nga rruga e tyre e gabuar.” (T’I JAPIM  SHTYTJE TË  RE  LUFTËS)

   Me fjalët ”Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e “politikës së madhe”, lojën e arrivizmit revolucionar, të udhëhequra prej karrieristësh megalomanëJusufi e ka fjalën pikërisht për Kadri Zekën dhe OMLK-në.

   Jusufi, në sallë në prani të 150 aktivistëve të Zvicrës dhe Kadri Zekës, e lexon fjalimin ku (në thelb) thotë:

      (-OMLK-ja) është organizatë që bënë lojën e “politikës së madhe”,

      (-OMLK-ja) është organizatë që bënë lojën e arrivizmit revolucionar,

      (-OMLK-ja) është organizatë që udhëhiqet nga karrieristë megalomanë.

Fjalët që Jusuf Gërvalla ia thotë Kadri Zekës dhe OMLK-së në festën e 28 Nëntorit 1981, i boton në Zërin e Kosovës që ka dalë në janar 1982.

   Çka rrjedh nga kjo?

   Se qëndrimi i Jusuf Gërvallës,

-qëndrimi i tij personal ndaj

-Kadri Zekës e

-OMLK-së, i formuar më 17 tetor 1981 në Frankfurt

-shprehet i kristalizuar në letrën e 5 nëntorit 1981 dhe

-nuk ndryshon më 14 nëntor 1981,

-nuk ndryshon më 16 nëntor 1981,

-nuk ndryshon më 28 nëntor 1981,

-nuk ndryshon më 7 dhjetor 1981,

-nuk ndryshon më 2 janar 1982,

-nuk ndryshon më 15 janar 1982,

-nuk ndryshon më 17 janar 1982.

   Nga kjo rrjedh se qëndrimi personal i Jusuf Gërvallës ndaj Kadri Zekës e OMLK-së i formuar më 17 tetor 1981 në panairin e librit në Frankfurt dhe i shprehur me shkrim në formë të kristalizuar në letrën e 5 nëntorit 1981, ka mbetur përjetësisht i pandryshuar.

   Nuk ekziston asnjë fakt, asnjë gjest dhe asnjë germë e vetme prej Kadri Zekës apo OMLK-së, pas 17 tetorit 1981 e deri në vdekje, që do të kishte ndonjë ndikim që Jusufi të bëjë ndonjë rivlerësim të fjalëve të tij të 5 nëntorit 1981.

   Ka ndodhë pikërisht e kundërta. Një letër e Kadri Zekës-dokument-Thirrje e OMLK-së, rreth 7 dhjetorit 1981 vetëm sa ia ka përforcuar e u ka dhënë edhe më shumë peshë, qëndrimeve të tij ( të JG) të shprehura në formë të kristalizuar më 5 nëntor 1981.

***

25. Letër për Kadri Zekën, (rreth 7 dhjetorit 1981)

 Rreth 7 dhjetorit  Kadri Zeka ia dërgon Jusufit një dokument, me titullin

“Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”

Këtë  “Thirrje për hyrje në Frontin e madh”,

-Kadriu ka dëshirë që vetë Jusufi ta shtyp,

-radhisë e shpërndaj në rrethin e vetë si postier i tij,

-të veprojë me te në të njëjtën formë

-siç kishte vepruar në shtator me Tezat,

-pra ta bëjë një reprizim të ngjarjeve,

-sikur takimi i Stambollit të mos kishte ekzistue.

-Por ky manovrim e testim dështon tepër keq,

pasi kësaj farë “Thirrje” Jusufi i përgjigjet me këtë letër si më poshtë.

          Mirëdita, shoku Z!

         1.Thirrjen për bashkim me Frontin po ta kthej ashtu si ma dërgove.

     2. Ato që thuhen në të për

bashkimin e të gjitha organizatave komuniste,

-patriotike e revolucionare, dhe që,

-sipas meje, përbëjnë themelin e kësaj thirrjeje, janë

në kundërshtim me informatat më të reja

-që kam marrë nga shokët e Lëvizjes.

    3.Si janë sjellë punët këto kohët e fundit,

-në gjithë çështjen

-ka gjëra të mjegullta

-(dëshiroj të gabohem nëse them se mjegullimi ka ardhur nga mënyra e veprimit të shokëve të Organizatës m-l).

        4. Për mua konkretisht,

-dhe shokët e Lëvizjes

-me të cilët kam kontakt,

-thënia në “Thirrje”,

-ku thuhet se

-është bërë bashkimi i organizatave,

-nuk është e vërtetë,

-së paku deri në këtë çast,

-ndërsa thirrja është shkruar shumë më herët.

5.Ju po deshët, mund të delni me atë thirrje.

6.Por, duhet të jeni të vetëdijshëm se

-çfarë mund të jenë sukseset dhe

-konseguencat e një pune,

-në dokumentin e parë të së cilës

-themeli është vënë

-me të pavërteta.

7.Në lidhje të ngushtë me këtë,

-po dolët me Thirrjen

pa u kristalizuar mirë të gjitha çështjet e bashkimit,

-ne do ta konsiderojmë se keni bërë përpjekje për t’i vënë disa forca të caktuara patriotike e revolucionare

-para një akti të kryer,

në mos e teprofsha, me manovrime nga ana juaj.

8.Prandaj,

-mos u habitni

-nëse pas hapit tuaj

-ne do të dalim publikisht

-me sheshimin e të pavërtetave.

                                 Me përshëndetje revolucionare

                                                                Drini

(VIJON …)

© Pashtriku.org

____________________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XVI)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura