LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XVI)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

26. Letër Sabri Novosellës, 14 janar 1982

14 janar 1982

I dashur vëlla Mërgim,

1.Letrën për KQ të PPSH e vonuam shumë. Unë e shkrova në disa variante, por me asnjërin prej tyre nuk mbeta i kënaqur. Nuk jam mësuar të komunikoj me një nivel të tillë. Më së fundi e lashë variantin që mora prej teje. Hapi si hap më pëlqeu shumë dhe më duket shumë i dobishëm. Por, nuk di a duhet të jemi të kënaqur si e kemi realizuar.

   Në këtë kohë unë kam qenë në Kosovë. Por këtu ma merr mendja se është fjala për një letër që Jusufi e sheh të udhës me ia dërguar KQ të PPSH, pas rastit të Mehmet Shehut të 17 dhjetorit 1981, e që është shkruar nga Sabri Novosella. Lexuesit duhet ta kenë parasysh se jemi në një kohë kur populli është i shqetësuar e mërzitur për këtë ngjarje a krizë dhe ende nuk ekzistojnë ato ide që më vonë do të shfaqen në librin Titisët, të Enver Hoxhës.

   Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut): ”Në ambasadën tonë në Vjenë pashë një situatë të tensionuar. Më mori në telefon Mehmeti dhe më pyeti se si isha. Vetëm kaq. Nga zëri qe i qetë. Nuk dyshova asgjë. Në ambasadë më flisnin, por ftohtë. Telefonatën e Mehmetit do të ma përmendnin më vonë hetuesit në burg.

Në Vjenë sigurimi më kishte marrë nën kontroll të rreptë. Ambasador ishte Musin Kroi, diplomat karriere, i sjellshëm dhe i zoti. Sekretar i parë ishte Engjëll Kolaneci, nga fisi i Teki Kolanecit, krushkut të Enver Hoxhës. Më parë kishte qenë sekretar i komitetit të Partisë të universitetit në Tiranë. Ishte njeri shumë i mirë.

Më 29 nëntor 1981 ambasada organizoi një pritje me rastin e festave të nëntorit ku merrnin pjesë diplomatë të akredituar në Vjenë si dhe miq të ambasadës. Më thanë edhe mua të shkoja. Kundërshtova duke thënë se unë jam ushtarak dhe e kam të ndaluar të takohem me të huaj. Ti je civil, më thanë, nuk të njeh njeri, je dhe veteran i luftës. Duhet të vish. Hajde rri me familjarët tanë.

Vajta. Por më doli ajo që nuk e prisja. Më njohën… M’u kujtuan ato që na kishin thënë pedagogët rusë në akademi se ambasadat janë qendra spiunazhi të veshura me petk diplomatik.

Mbasi përshëndeti ambasadori ynë të pranishmit, u ngritën dolli. Unë tek po rrija me familjet e ambasadës, pashë që në drejtimin tim erdhi një burrë i shëndoshë, i pashëm, nja 35-40 vjeç me mustaqe. Nuk e kisha parë kurrë atë njeri. Ai vjen e ulet pranë meje e më pyet: “Si është shoku kryeministër, shoku Mehmet Shehu me shëndet? Mos është sëmurë?” Më pyeti shqip, në një shqipe të pastër. Ishte kosovar. Unë ia ktheva: Mos më keni ngatërruar me ndonjë tjetër? “Jo, më tha. Ju jeni Duro Shehu, vëllai i shokut kryeministër”.

Për fat erdhi aty një nga shokët e ambasadës dhe biseda u ndërpre. Unë u largova me marifet dhe shkova në dhomën ku flija. Por gjumi nuk më zinte. Po mendoja: Të ishte provokim ai takim me kosovarin që më pyeti për shëndetin e Mehmetit?

 Në fillim të Nëntorit në Tiranë ishte mbajtur Kongresi i Partisë dhe siç e kanë parë të gjithë në atë kohë, Mehmeti dukej shumë i mërzitur, pasi siç do të mësohej shumë shpejt, ishte vënë në darë të hekurt nga Enver Hoxha dhe banda e tij. Atë pamje në Kongres duhej ta kishte parë ai kosovari

Të nesërmen pyeta një shok të ambasadës se kush ishte ai kosovari që u takua me mua. Shoku më tha se është një kosovar i mirë, mik i ambasadës që kishte ardhur bashkë me vëllanë nga Gjermania. (Plani i Enver Hoxhës për likujdimin e Mehmet Shehut;Panorama dhe telegrafi.com)

   Më vjen shumë keq për këto fjalë Duro Shehut. Ai flet pa konkretizime por mund të themi se e bënë me aludime shumë të qarta. Ambasada Shqiptare e Vjenës nuk ka pasur miq më të mirë në Gjermani, në mesin e personave të njohur, se Vëllezërit Gërvalla. Vëllezërit Gërvalla festat e Nëntorit 1981 i kanë pritë me gati 300 aktivistët më të mirë në Shtutgart dhe jo në Vjenë.

   Se sa delikate është kjo temë e vërtetojnë më së miri fjalët e Jusufit të thëna më 28 Nëntor 1981, para 300 aktivistëve të Shtutgartit dhe Zvicrës, kur ai mban fjalim për Shqipërinë, për historinë e saj të lavdishme ku jo vetëm se përjashton por e përmendë me aq patos e me fjalët më fisnike Mehmet Shehun që kurrë Duro Shehu nuk mund t’i artikuloj për vëllain e tij. Në këtë kuptim mungesën e aftësisë shprehëse nuk dua dhe nuk mund të merret si akuzë kundër Duro Shehut, sepse nuk është e drejtë të akuzohet dikush për mungesë dhuntie të cilën nuk ia ka dhënë natyra.

   Jusuf Gërvalla: ”Nëqoftëse populli shqiptar ishte në gjendje që në vitin 1936/37 të dërgonte njësitë të tëra me në krye heronjtë e popullit tonë, që ne sot i njohim, si Asim Vokshi, Xhemal Kada, Mehmet Shehu, Justina Shkupi e të tjerë në Front, në luftë për republikën e Spanjës, atëherë si mund të dyshojmë dhe nëqoftëse ne dyshojmë në forcat progresive të botës do të gabojmë për arsye se është një mori njerëzish progresivë njerëzish liridashës në botë, që lirinë e të tjerëve e respektojnë si lirinë e vet. Kurrsesi nuk duhet të dyshojmë në ndihmën që do të kemi nga forcat internacionaliste të gjithë botën, aq më tepër kur sot ekziston një pishtar, i cili është burim për energjitë e këtyre forcave përparimtare. E ky burim nuk është as më shumë e as më pak po pikërisht vendi amë i shqiptarëve pra i kosovarëve, ai që sot të gjitha forcave në botë, po jua tregon rrugën e drejtë të lirisë, të drejtësisë, njerëzisë, humanitetit, të demokracisë e socializmit.” (Fjalë të thëna nga Jusuf Gërvalla më 28 Nëntor 1981 në Shtutgart, të incizuara në magnetofon nga Faridin Tafallari; Xhafer Durmishi, Lëvizja e Jusuf Gërvallës)

(vazhdon letra e 14 janarit 1982)

  Në letrat e fundit na kanë arritur disa këshilla nga ana juaj. Ta them të drejtën se mua personalisht me kanë lënë me një ndjenjë të ftohtë. Thelbi i tyre konsiston, sipas përshtypjes sime, në një tërheqje në vete, që u dashka të aplikohet prej nesh. Ose nuk kam qenë në gjendje ta kuptoj qartë. Se cilësia duhet të ketë përparësi ndaj sasisë, kjo dihet dhe për këtë kam pas shkruar edhe vetë, nëse të kujtohet, në atë Qarkoren drejtuar atyre shokëve në D., që ti e ke pas pëlqyer. Por, që atëherë kushtet kanë ndryshuar shumë. Tash ka dalë sheshit pezmi i madh i popullit, gatishmëria e madhe për flijime të larta, ideja e luftës për liri është materializuar më shumë se kurrë. Sipas njohurive të mia të pakta teorike, më duket se tash, në vend të reduktimeve e të përkufizimeve, duhet ta aplikojmë zgjerimin e furishëm të radhëve, ashtu si thotë Lenini me një rast, madje në atë mënyrë që rekrutët e rinj të zënë vendin e luftëtarëve të rëndomtë, kurse ushtari i vjetër të zërë vendin e oficerit të ulët.

   Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit dhe timen në KQ.

   Shpendit=Xhafer Durmishit

  Rinia jonë revolucionare po kërkon radhët e revolucionarëve të organizuar. Ajo do të kapet në ato hallka që do t’i gjejë me leht. Po u mbyllëm ne, ajo do të kapet në radhët e të tjerëve. Më duket se Lëvizja duhet të mblidhet, t’i trajtojë me seriozitetin më të madh disa çështje vitale që dalin nga momenti aktual e që i kanë rrënjët në kushtet e ndryshuara shumë pas demonstratave të pranverës së shkuar. Mendoj se Lëvizja duhet të përfshihet prej impulsesh të reja. Se cilat do të jenë këto impulse, unë nuk jam në gjendje ta them. Por, po të përpiqen shokët, do ta gjejnë medoemos.

  Unë kërkoj falje për guximin që po marr të flas kështu, sado që, siç e di edhe ti, njohuritë i kam të mangëta si për mënyrën e organizimit të brendshëm, ashtu edhe për gjendjen reale të punëve në veprimtarinë e sotme të organizatës sonë. Mirëpo, disa vërejtje, më parë se t’i mbaj në vete, parapëlqeva t’i them shtruar. Shtypi revolucionar zë një vend me rëndësi në veprimtarinë e çdo organizate revolucionare. Ne tani mund të themi se kemi shtypin tonë. Por, pa u siguruar mënyra e sigurt e transportit dhe e shpërndarjes së tij, shtypi mbetet gjysmë i vdekur. Kurse ne nuk mund të krenohemi se kemi krijuar kushtet as për transport, e mbase as për përhapjen e tij të suksesshme. Kjo gjë po ushtron ndikim negativ edhe në punën e vetë redaksisë së „Z. K.“. Është një ndjenjë e ligë kur mendon se je duke shkruar diçka që e ka shumë vështirë të bjerë në dorën e lexuesit.

  Siç e di, ne kemi pas bërë që këndej njëfarë transporti të shtypit. E kemi futur atë në Atdhe, por atje s’i kemi pasur njerëzit që do ta shpërndanin si duhet. Tani, në drejtimin e transportit, kemi pësuar më në fund edhe një disfatë. Me numrin 1 të „Z. K.“ dërguam për në Atdhe dy punëtorë. Rruga e futjes së materialit ishte po ajo që kishim ndjekur në tri raste të suksesshme të transportit. Por, kësaj radhe puna dështoi dhe ata dy punëtorët ndodhen në duart e UDB-së. Pas kësaj e kemi shumë vështirë të ndjekim të njëjtën rrugë. Tani a të qajmë materialin që nuk ra në duart e lexuesit, apo të qajmë njerëzit që na u dëmtuan.

 2.Aktualisht numri i dytë (bashkë me shumë kopje të numrit 1) na kanë mbetur këtu dhe s’po bëjmë ballë dot t’u japim rrugë. Është disfata e parë kësodore që dy vjet e këtej dhe na ka demoralizuar shumë. Sa patëm zënë të kënaqemi e të marrim krah nga materialet që po na arrinin për revistën, tash u desh të na dilte edhe ky problem.

Aktualisht numri i dytë=Kjo fjali dëshmon se më 14 janar 1982, numri 2 i Zërit të Kosovës, janarit 1982 veç ka dal nga shtypi.

   Nga ana tjetër, mënyra se si është vepruar nga ana juaj atje me futjen e materialit brenda, jo vetëm që nuk i plotëson nevojat për shtypin tonë revolucionar në Atdhe, por është e pasigurt dhe e rrezikshme po aq sa mënyra jonë. Si me një kopje të „Z. K.“ si me një mij, njeriu rrezikohet njësoj.

  Si t’ia bëjmë këtij halli të madh? Marku s’na erdhi. Edhe po të kish ardhur, më duket (sipas fjalëve të Kolës) se edhe ai tashmë nuk është i pakomprometuar në sytë e UDB-së.

   Marku= Mark Mërturi

   Ne kemi vrarë mendjen se rruga më e sigurtë për futjen e shtypit në Atdhe është shfrytëzimi i ndonjë transportuesi në relacionet evropiane. Juve ndoshta mund t’iu vijë përdoresh të gjeni ndonjë shofer shqiptar nga Turqia që bart mall me kamion të madh në shtetet evropiane, e që kalon nëpër Jugosllavi. Ne do t’ia jepnim që këtej materialin, kurse shokët brenda duhet ta gjejnë mënyrën se si ta marrin prej tij në dorëzim atë material. Në rast të tillë neve do të na zvogëlohej problemi edhe sa i përket shtimit të tirazhit të revistës edhe shpeshtimit të daljes së saj, gjë që ka rëndësi të madhe.

   Është keq që këtë punë s’e kemi bërë dert para disfatës sonë të parë, por tash kjo duhet të na bëhet një preokupim shumë serioz. Ndryshe, spontaniteti do të na kushtojë shtrenjtë dhe do të bëjë që të zhagitemi si zvarranikë e jo të veprojmë furishëm si revolucionarë.

  Edhe një lajm jo fort të mirë kam për ju. Me insistimin e Shpendit, për të mos thënë me presionin e tij, Shpendi shkoi në Kosovë për një qëndrim të shkurtër, disa kohë para vitit të ri. Së andejmi u paraqit disa herë me telefon, e së fundi disa ditë para vitit të ri, kur tha se do të kthehej menjëherë pas vitit të ri. Mirëpo, sot jemi më 14 janar, e ai as na thirri më, as erdhi. Ne nuk kemi si t’i drejtohemi, sepse ai nuk është në shtëpi, por në ilegalitet. Por, jemi të brengosur shumë se mos i ka ndodhur gjë. Ndonjë lajm a shenjë për të keq nuk kemi, veçse vonesa e tij na brengos. Nëse ka fat dhe kthehet, ai do të na sjellë materiale me vlerë, sepse për atë qëllim edhe pat shkuar.

  Tani po kthehem edhe njëherë në fillim të letrës.

  Mendimi im është se disa çështje parimore,

-siç është themelimi i partisë si domosdoshmëri apo rrezikshmëri në perspektivë,

-pastaj mënyra e organizimit të Lëvizjes në kushtet e reja të luftës,

-duhet të diskutohen e të pleqërohen më dendur me shokët,

sidomos me Plakun.

-Jo vetëm gabimet e mëdha parimore,

-por edhe të voglat ka mundësi të evitohen shumë më mirë në këtë mënyrë.

  -Ju atje jeni të lumtur që e keni Plakun.

  –Në këtë pikëpamje ne jua kemi lakmi,

   -se këndej punët në relacione të tilla

  –nuk janë aq të thelluara,

   -jo për fajin tonë.

Plakun=Bujar Hoxhën

   Në fund, duke ju dërguar të fala vëllazërore e revolucionare, kërkoj falje për helmin e derdhur në këtë letër, por na helmuan ca problemet e përmendura dhe është e udhës t’i ndajmë bashkë.

                                                                           Sokoli

P.S.

Vehbi Ibrahimi, i vrarë në Belgjikë, ishte sekretari personal i Emin Fazliut (Emil Kastriotit). Ky farë Emili, kryetar i së ashtuquajturës „Besëlidhja shqiptare“, është një nga reaksionarët më të mykur shqiptarë në Perëndim. Enver Hadri, për sa jam i informuar, i takon gjoja një partie komuniste, por me orientim prorus. Edhe Martin Camaj, për sa dimë, është kundër Shqipërisë. Për emrat e tjerë, adresat e të cilëve na janë dërguar me nga një pikëpyetje pranë, nuk dimë gjë. Ne s’po u dërgojmë tash për tash asgjë, deri sa të mos vërtetohet puna e tyre. Në qofshin si këta që përmendëm më lart, s’kemi pse ua dërgojmë as helmin, lëre më shtypin tonë. (Fjala është për Hasan Beyn në Amerikë, Hysen Çamin në Suedi, Vincenzo Golletttin në Frankfurt.)

—–

Ja një adresë ku të më shkruash për disa kohë:

Shaban Klaiqi

Postfach 1566

7030 Böblingen

W. Germany

Së shpejti të dërgoj edhe ndonjë tjetër.

  • Imer Baqaj

27. Letër Imer Baqajt në kampin Latina në Itali, 14 janar 1982

      I dashur shok, Imer!               14 janar 1982

      Sapo morëm një letër nga ana jote. Po të përgjigjemi edhe në letrën e parë.

      Më vjen shumë mirë që dukesh pak më i stabilizuar sa i përket gjendjes në kamp. Aq më mirë që së shpejti bëheshke edhe me dokumente udhëtimi. Shpresoj se nuk do të ikësh gjëkundi pa u parë me ne. Ne me gjithë qejf do të vinim të shiheshim edhe atje, por edhe ne jemi të zënë me punë, edhe rruga është shumë e largët dhe po bëhen shumë shpenzime.

      Unë po vërej se je një njeri që nuk lëshohesh verbër në marrëdhënie me njerëz. Por, megjithatë mosha jote s’ka pasur si të pajisë edhe me përvojën e duhur për njohjen e plotë të njerëzve në situata të vështira si kjo jona. Konkretisht, personi, për të cilin më njoftoje ne letrën e fundit e i cili thotë se është i lindur në Shqipëri, ose dredhon për arsye të cilat për ty e ne janë të panjohura, ose është provokator dhe agjent i rrezikshëm. Nga Duboviku s’kemi kurrfarë të dhënash për ndonjë familje a njeri që të ketë dalë në Shqipëri, herët as vonë. Përveç kësaj nga të gjithë emrat që përmend ai person duke thënë që janë nga Duboviku vetëm një është real, ai i Emrush Berishës, i shpërngulur në Pejë. Duke u nisur nga shumë arsye, ne e diskutuam me shokë dhe vendosëm të të njoftojmë që prej atij njeriu, ndonëse personalisht nuk e njohim, ti duhet të ruhesh sa prej gjarprit. Asnjë e mirë s’mund të dalë prej tij, vetëm të këqija. Ai që ka dalë nga Shqipëria për t’i ndihmuar kosovarët, e të tillë sot nuk ka, të jesh i bindur, këtë sekret kaq të rëndësishëm nuk do ta thoshte ty, as të tjerëve.

      Prandaj, sytë në ballë. Mos u largo në mënyrë të prerë prej tij dhe shtiru sikur nuk je informuar gjë për të. Largimi të bëhet dalëngadalë dhe në mënyrë të padiktueshme. Ndryshe, ai mund të bëhet i rrezikshëm aty për aty dhe të të dëmtojë menjëherë, në qoftë se ka menduar të të dëmtojë më ngadalë. Ne nuk dimë ku e ka ai forcën, por duhet ta ketë te armiku ynë, nuk ia dimë “misionin”, por mund të jetë “mision” shumë i rrezikshëm. Aq më parë, pasi ti thua se ai është shumë i ngritur në pikëpamje ideopolitike. Do të thotë se ka mundësi të jetë ndonjë kuadër i lartë e i rëndësishëm i UDB-së.

      Më në fund, duke të përcjellë të fala vëllazërore e revolucionare, të urojmë stabilizim edhe më të madh të gjendjes dhe syçeltësi edhe më të madhe.

      J. Gërvalla

      Imer Baqaj, shok i Vëllezërve Gërvalla, jeton në Malmö të Suedisë. Përmes Imer Baqajt, Jusufi e siguron adresën e djalit të Metush Krasniqit, Besnikut në Australi.

(VIJON …)

© Pashtriku.org

_______________________

LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XVII)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura