LULËZIM ETEMAJ: EDHE UDBADSHËT NË LISTËN E VETERANËVE!

Pashtriku.org, 08. 07. 2015 – Duke qenë në gjendje pushtimi të rëndë nga ana e Serbisë, rënies së komunizmit, që kishte filluar në vitet ’90-të të shekullit të kaluar në shtetet e bllokut lindor të Evropës, Kosova nuk ka mundur t’ia kushtojë gjithë vëmendjen e duhur trajtimit dhe ndëshkimit të krimeve të këtij regjimi.
LKJ, LSPP, LRS, Milicia, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SHSSH, i njohur si UDB), gjyqet, mjetet e informimit etj., ishin urdhërdhënësit, ushtruesit dhe propaganduesit e krimeve të këtij sistemi mbi shqiptarët e Kosovës. Shqiptarë, të të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve, që angazhoheshin për realizimin e të drejtave dhe lirive të tyre të ligjshme njerëzore dhe kombëtare, në shkallë të njëjtë me popujt e tjerë të republikave të ish-Jugosllavisë, për të shkuar më tutje drejt qëllimit final: bashkimit me vendim amë, Shqipërinë.
Si krerët ashtu edhe pjesëtarët e këtyre mekanizmave kriminalë të sistemit komunist në Kosovë, apo të të ashtuquajturit “socializmit vetëqeverisës”, në masën më të madhe ishin po ashtu shqiptarë të Kosovës. Me rënien e komunizmit edhe në ish-Jugosllavi, ranë, zyrtarisht, edhe këto organe dhe rrjedhimisht u eliminua pothuajse tërësisht edhe rreziku i ushtrimit të dhunës dhe krimeve të mëtejme shtetërore nga shqiptarët mbi shqiptarët.

U kënaqën shqiptarët e Kosovës me këtë fakt? U ngushëlluan ata me llogarinë e bërë se tani, ndoshta tani për tani, luftën do ta kishin vetëm me Serbinë pushtuese? E shihnin si rrezik për vendin, çlirimin e tij dhe arritjen e lirisë e të drejtave të ligjshme njerëzore e kombëtare ish të burgosurit politikë shqiptarë të Kosovës dhe familjarët e viktimave të tjera të komunizmit, nëse do ta merrnin drejtësinë në duart e tyre e të fillonin ndëshkimin e bashkëkombësve udbashë, kosistë, milicë, gjyqtarë e prokurorë të deridjeshëm, të cilët edhe ashtu fillimisht kishin gjetur jatak në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa më vonë edhe në subjektet tjera politike dhe jopolitike shqiptare?
Qëndrojnë në masë bukur të madhe që të gjitha këto së bashku. Por mbi të gjitha qëndron fakti se Kosova vërtet asnjëherë deri pas çlirimit, në qershor të vitit 1999, në saje të luftës titanike të Ushtrisë së saj Çlirimtare (UÇK) dhe bombardimeve të NATO-s, nuk pati institucione të veta qeverisëse. Prandaj mbetën të pandëshkuara krimet e kryera mbi qytetarët shqiptarë nga regjimi komunist i Kosovës.
Që nga përfundimi i luftës ka pasur tri iniciativa për ndëshkimin e krimeve të komunizmit në Kosovë; në nëntor të vitit 2006 dhe në prill të vitit 2007. Si herën e parë ashtu dhe të dytën, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i kishte bërë kërkesë kryesisë së Kuvendit që ta fusë në rend të ditës çështjen e ndëshkimit të krimeve të kryera prej regjimit komunist në periudhën kohore 1945-1999. Edhe përkundër vendimit që kishte marrë kryesia e Kuvendit të Kosovës, më 10 prill 2007, që kjo të bëhej përmes një rezolute, një gjë e tillë s’ka ndodhur.
Pas pavarësimit të Kosovës, Kuvendi kishte marrë sërish në shqyrtim edhe këtë çështje dhe në seancën e 17 tetorit kishte përkrahur nismën e ardhur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, për hartimin e një Rezolute për dënimin e krimeve të komunizmit në Republikën e Kosovës, në periudhën 1945-1999.
Sërish asgjë konkrete. Kuvendi i Republikës së Kosovës as ka dënuar ende përmes Rezolutës krimet e komunizmit as ka nxjerrë ligjin e lustracionit. Dhe tashmë, shtatë vite pas pavarësimit dhe jetësimit të Republikës, ndodhemi në situatën kur udbashët dhe kosistët, përndjekësit, ushtruesit e dhunës çnjerëzore mbi të rinjtë e të rejat shqiptare, veprimtarët politikë kërkues të Republikës, marrin statusin e veteranit të UÇK-së, me motivacionin se kanë qenë pjesë e strukturave të “Ministrisë së Mbrojtjes” të qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit.
Pavarësisht faktit se kjo “ministri” ishte jashtë strukturave organizative ushtarake dhe politike të UÇK-së, nuk do të duhej përjashtuar asnjëherë mundësinë që personat e angazhuar në të, pra edhe udbashët dhe kosistët, të kenë vepruar mbarë dhe në dobi të çlirimit të Kosovës. Dhe, rrjedhimisht, tani edhe t’u njihet statusi i veteranit. Por, ajo çfarë nuk shkon në këtë rast, faktikisht çfarë i mungon procedurës së aplikimit për këtë status, njohjes dhe pranimit të tij, është mungesa e adresimit të këtyre personave para qytetarëve të vendit, mbi të gjitha para viktimave të dhunës së tyre, ish të burgosurve politikë, një pjesë e madhe e të cilëve ende vuan pasojat shëndetësore, dhe kërkimfalja. Mungesa e kërkimfaljes është mosnjohje dhe mospranim i fajësisë. Që një pjesë e madhe e këtyre udbashëve dhe kosistëve nuk e ndjejnë veten aspak fajtorë, tashmë edhe kjo dihet; e kanë thënë vet, haptas, në televizione, gazeta dhe medie tjera.
Prandaj njohja e statusit të veteranit të UÇK-së për këtë kategori personash të shoqërisë sonë, e bën sërish aktual reagimin shtetëror dhe qytetarë. Kërkon reagimin adekuat të shtetit, të shoqërisë civile dhe medieve. Nëse shteti preferon mosreagimin për çështje pragmatike të koalicionit qeverisës, kështu nuk do të duhej të veprohej nga opozita; VV, AAK dhe Nisma. Sidomos nuk do të duhej të heshtej kështu siç po heshtet nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së si dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, e cila po ta kishte kryer detyrën e saj, duke përgatitur lëndët dhe bërë kallëzime penale në gjyqe ndaj udbashëve dhe kosistëve ushtrues të dhunës, mbase tani nuk do të ndodheshim para kësaj situata absurde, kur në të njëjtën vagon, në të njëjtën klasë dhe kope, kemi kriminelet dhe viktimat e tyre.
Një fyerje në baza raciale e nënave gjakovare, vërtetësia e së cilës u kontestua nga ish ministri Aleksandar Jablanoviq, e çoi këtë të fundit në kërkimfalje dhe së fundi edhe në shkarkim, të cilit paraprakisht i parapriu reagimi i nënave gjakovare, partive politike, shoqërisë civile, medieve dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Mbi një milionë fyerje më të rënda ua kanë bërë udbashët dhe kosistët shqiptarë ish të burgosurve politikë shqiptarë të Kosovës dhe gjithë hapësirave shqiptare jashtë shtetit shqiptar. Djemëve të rinj dhe vajzave të reja. Burrave dhe grave të moshuara. Të rinjëve, djem dhe vajza, të moshës jomadhore. Nënave, baballarëve dhe motrave të tyre. Këta njerëz kanë gjymtuar me duar të tyre. Këta kriminelë, që me emër e mbiemër i gjeni në listën e veteranëve të “Ministrisë së Mbrojtjes”, kanë mbytur njerëz në tortura dhe i kanë shpallë të çmendur, duke thënë se kanë varë veten. Po këta udbashë kanë hedhur njerëz të gjallë nga katet e larta të godinave të tyre të krimit. Dhe kanë nxjerrë djem dhe vajza, të rinj fare, për t’i pushkatuar në male apo buzë kufiri me Shqipërinë, vetëm e vetëm për t’i thyer, për t’i bërë të heqin dorë nga angazhimi dhe lufta e tyre e drejtë në shërbim të lirisë dhe Kombit. Sepse të gjithë këta nacionalistë, separatistë e irredentistë, prishës të bashkim-vëllazërimit, fajin e vetëm që kishin bërë ishte faji i kërkimit për Kosovën statusin e Republikës. Status i cili u kurorëzua me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bërthamat e para të së cilës u ngritën pikërisht nga ish të burgosurit politikë dhe bashkëveprimtarët e tyre.
Heshtja nuk e nderon shoqërinë tonë. Asnjë segment të saj. Vetëm nëse vërtetë si shoqëri na ka depërtuar deri në palcë erozioni moral dhe qytetar. Dhe, për pasojë, krimi ynë na del të jetë më pak krim se sa krimi i tjetrit, ta zëmë krimi i serbit, të cilin kërkojmë më ngulm, plotësisht me të drejtë, që të ndëshkohet dhe të mos amnistohet.
Thënia se në Kosovë të gjithë ishin viktima të regjimit komunist është më tepër se hipokrizi, është fyerje e viktimave, që ua bëjnë para së gjithash aktorët e krimeve jo vetëm për këtë qëllim, por edhe për të vetamnistuar veten.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura