AGIM SYLEJMANI: E KUJT ËSHTË POLICIA E KOSOVËS?!

Zvicër, 13 shtator 2018: Duke parë pamjet trishtuese në televizion, pamje që paraqisnin rrugët e Gjakovës, ku nënat gjakovare dhe popullata kishin dalur për të mos lejuar pelegrinët serbë të futeshin në Gjakovë (në mesin e tyre edhe kriminelë të regjur e që drejtësia as sot e kësaj dite nuk i ndjek), ndërsa policia e Kosovës në mënyrë të dhunshme dhe të egër burgoste të rinj e të reja, gra e plaka që u ishte tharë trupi duke pritur t’u kthehen më të dashurit e tyre të masakruar në Serbi, mbetjet mortore të të cilëve akoma sot qëndrojnë në sallën e madhe të Batajnicës dhe shumë të tjerë nëpër varret masive nëpër Serbi, e që akoma nuk janë zhvarrosur.
Ishte e tmerrshme të shohësh tre policë shqiptarë që kishin rrëmbyer për krahësh një nënë plakë, e cila kishte dalur të protestonte kundër pelegrinazhit të serbëve të ardhur nën mbrojtjen dhe përkujdesjen e policisë së Kosovës.
Në kujtesë më erdhën pamjet e frikshme nëpër rrugët e Prishtinës në fund të janarit 2015, ku policia e Kosovës ndiqte rrugëve dhe shesheve të Prishtinës djemtë e vajzat shqiptare që ishin ngritur në mbrojtje të territorit të Republikës së Kosovës dhe kundër shitjes së territoreve fqinjve tanë. Ato skena më kujtonin skenat e pranverës së vitit 1981, në po të njëjtin vend dhe në po të njëjtën mënyrë të egër e brutale, thuase shtazarake të policëve të instrumentalizuar të Kosovës.

Sot tre vite postova videoinçizimim e dhunës së egër policore të ushtruar ndaj djemve e vajzave shqiptare në Prishtinë, për t’ua përkujtuar bashkëvendasve të mi se në të njëjtën mënyrë na trajtonte policia serbe. Dhe historia po na përsëritet, jo ndër shekuj por pa kaluar as vitet. Ndërsa dje ishim dëshmitarë të dhunës policore ndaj nënave gjakovare, ndaj atyre që kishin humbur më të dashurit e tyre dhe nuk donin që kriminelët të pelegrinonin në qytetin e tyre.
Prandaj logjikshëm shtrohet pyetja,
E kujt është policia e Kosovës?!
Në po të njëjtin vend, sot sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe në po të njëjtën mënyrë të egër policët serbë shqelmonin dhe grushtonin protestuesin shqiptarë që kërkonte Republikë për Kosovën, ndërsa sot në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë policët shqiptarë të Kosovës shqelmonin dhe grushtonin një të ri që ishte ngritur në mbrojtje të integritetit të Republikës së Kosovës në fund të janarit 2015!

Kjo dhunë e shfrenuar e policisë së Kosovës para tre vitesh më pat indinjuar tejmase dhe më shtyri të shkruaj në profilin tim në Facebook më 30 gusht 2015 një shkrim me titull:
Nga po lundron Kosova me këtë polici?
E kujt është kjo polici??!!! E Millosheviqit? Vuçiqit? Apo e Hashimit!!! Për një pushtet të tillë paska drejtuar Hashimi drejtorinë politike të UÇK-së? S’ka pasë nevojë të luftohet, sepse këtë do e kishim racion ditor edhe nga Millosheviqi!
Por, mua nuk po më brengosin tashmë politikanët e shitur e të përjargur për pushtet. Po më brengos fakti i dhunës së ushtruar nga policët shqiptarë ndaj djemve e vajzave shqiptare. Ata mund të jenë fëmijë të tyre, vëllezër e motra të tyre.
Shtetin e Kosovës e kam paraparë ndryshe, jo ashtu siç e kam dëshiruar dhe e dëshiroj, por të paktën si një shtet të së drejtës dhe ligjshmërisë. Një shtet me një polici që ruan rendin e qetësinë dhe kujdeset për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarit të vet. Një polici ku qytetari mund të mbështetet dhe ku mund të kërkoj mbrojtje.
Se do vie një ditë e tillë, 16 vite pas përfundimit të luftës dhe pas 7 vitesh shtet të shpallur, e të shohim këso skenash çfarë sot vetëm nëpër rrugët e shteteve më totalitare mund të shihen, të shohim se si policia e armatosur deri në dhëmbë ndjek të rinjtë shqiptarë, bile edhe nxjerr pistoletën kundër të rinjve duarthatë, siç mund ta shihni në këtë skenë filmike, këtë nuk e kisha menduar ndonjëherë dhe as në ëndërr nuk do dëshiroja ta shoh.
Mos e gjithë kjo ishte asgjë tjetër pos provë gjenerale para shpalljes së “Republika sërpska” në veri të Kosovës me pjesët e saja gjithandej në enklavat serbe, si një kancer në metastazë? Deri kur do të heshtin masat e gjera? Po intelektualët ku janë? Pse nuk dëgjohen për së gjalli? Po qe se do plas kazani, s’do mund të gjejnë as birën e minit të futen e të shpëtojnë kokën, sepse mllefi e urrejtja e njerëzve të thjeshtë ka kohë që është mbledhur dhe durimit i ka ardhur fundi. Mjerë ata pushtetarë që do presin atë ditë, ditën e shpërthimit të mllefit dhe urrejtjes gjithëpopullore. Mos qofsha nën lëkurë të tyre të përjetoj atë që do përjetojnë këta ditën e “kiametit”!!!
E sot, më 30 gusht 2018?!
Sot më shtyri të shkruaj dhuna e shfrenuar e policisë së Kosovës ndaj protestuesve paqësor në Gjakovë, të cilët kishin dalur në rrugë për të protestuar kundër pelegrinazhit të serbëve të Gjakovës të cilët vinin në vendin e krimit të ushtruar ndaj fqinjve të tyre në Gjakovë.
Para tre vitesh ishte çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e zi dhe Republika Sërpska në Kosovë. Të jetë kjo tani në Gjakovë një rastësi? Edhe sot aktuale është demarkacioni i kufirit, por tani me Serbinë dhe i ashtuquajturi Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Të jenë pra këto dy ngjarje një koinçidencë e rastit?
Mua s’më besohet që këtu të ketë ndonjë “rastësi”. Por, ndërhyrja brutale e policisë së Kosovës kundër nënave gjakovare dhe qytetarëve të këtij qyteti, qytet i cili e pësoi më së shumti fundin e luftës në Kosovë, ku me mijëra burra e gra u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi për t’u masakruar, e që edhe sot e asaj dite nuk iu kthehen mbetjet mortore familjarëve për t’i varrosur në vendlindjen e tyre, kjo për mua nuk paraqet asnjë rastësi. Kjo për mua është një mesazh i qartë i të vetëshpallurit president të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili sot po luan me fatin e gjithë Kosovës, integritetit të saj territorial si dhe qenësinë e Kosovës si shtet. Duke u tallur kështu edhe me fatin e shqiptarëve të Kosovës, ndaj të cilëve dhe ndaj fatit të të cilëve ai po sillet sikur të jenë çifqinj të tij në çifligun e tij të quajtur Kosovë. Të paktën ai duket se kështu e sheh Kosovën dhe popullin e saj.
Presidenti i vetëshpallur i Kosovës ka instrumentalizuar policinë e Kosovës dhe e përdorë ate në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa asnjë baze kushtetuese.
Ku ishte policia e Kosovës dje, më 8 shtator 2018, kur në Kosovë, edhe pas “ndalesës” mediatike, Aleksander Vučić megjithate hyri si në oborr të vet në territorin e Kosovës së shpallur shtet “sovran” dhe i “pavarur”? Dje fillimisht defiluan “paria” e vendit, shtetit të quajtur Kosovë, para kamerave televizive duke u krekosur se Vučić nuk ka leje hyrjeje në Kosovë, bile iu “kërcënuan” se do ta “arrestojnë”, duke ia kujtuar Gjurićin e shkretë që e tërhoqën rrugëve me pompozitet sipas një skenari të parapërgatitur në mes të Hashim Thaçit dhe Aleksander Vučić. Të gjithë thuase ishin me një “zë” të vetëm, se Vučićit nuk do t’i lejohet në asnjë mënyrë vizita në digën e liqenit të Ujmanit, përndryshe policia e Kosovës ka marrë urdhërin edhe që ta “arrestojnë”! Kështu, pikërisht kështu – ta arrestojnë!
Në mbrëmje papritur lajmërohet askush tjetër pos vetë Begjet Pacolli, i cili sikur kishte harruar çfarë kishte thënë disa orë më heret, deklaroi se Vučićit i është “lejuar” ta vizitojë digën e liqenit të Ujmanit! Dhe krejt kjo u arsyetua me gjoja “sugjerimin e ndërmjetësueses të BE-së dhe aleatëve të Kosovës, të cilët janë të përkushtuar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy shteteve tona”!!! Kështu pikërisht tha batakçiu Begjet, tuxhari i Marevcit dhe miku i ngushtë i Borislav Jelcinit dhe Sllobodan Millosheviqit! Athua e lëshoi këtë “leje” në cilësinë e ministrit të jashtëm, zëvendëskryeministrit, apo i thanë ta bëjë ashtu, gjoja kokë më vete!? Shpejt do merret vesh edhe kjo punë.
Derisa ishte deklaruar se policia e Kosovës do ta “përcillte” e “shoqëronte” sipas protokollit “shtetëror” Aleksander Vučićin në veriun e Kosovës, atje thuase nuk u panë fare. Presidenti i Serbisë ishte i shoqëruar dhe përcjellur nga një eskortë e tërë e sigurimit të tij në krye me vet kreun e Agjencionit të Inteligjencës serbe (BIA), Bratislav Gašić!
Pra, kjo më ka vulosur dyshimet e mia të dëshmuara edhe më heret, se policia e Kosovës është një strukturë e instrumentalizuar e armatosur në duart e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, të cilën ai do ta përdorë, siç e ka përdorur deri më tani, vetëm për të mbrojtur interesat e tija personale dhe për të jetësuar ambicjet e tija të një pushteti totalitar mbi Kosovën, të cilën ai e sheh vetëm si një plaçkë përmes së cilës ai “kusuritet” me “miqtë e tij ndërkombëtarë!”
Deri kur do të durojë një populli i tërë huqet e teket e një “presidenti” të vetëshpallur dhe me pasoja të pariparueshme për Kosovën dhe qenësinë e saj si shtet i pavarur?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura