Skënder Sadri Kapiti: Nuk pritej ky zhgënjim i madh nga politikanët e Kosovës!

Durrës, 20 korrik 2020: Pasi u çlirua Kosova me 12 Qershor 1999, si shumë shqiptarë nga Kosova që jetojmë në Shqipëri dhe nga diaspora. Edhe unë me vëllezërit e mi menjëherë dhe shumë të përmalluar u kthyem në atdheun tonë, në Kosovë, erdhëm dhe për herë të parë pamë shtëpitë dhe tokën e nënës dhe të babës të cilët kishin kundërshtuar regjimin serb të krajlit dhe atë të komunizmit jugosllav. Dhe për këtë arsye ata u detyruan që si të dëbuar e të ndjekur erdhën dhe u vendosën në Shqipëri. Sapo mbërrita në Kosovë kam puthur tokën, dhe më rrodhën lotë nga gëzimi e mallëngjimi, pasi pas 1000 mijë vitesh luftë, sakrifica e qëndresë mbinjerëzore Kosova më në fund fitoi lirinë.
Baba dhe nëna gjithmonë na rritën me edukimin, me atdhedashurinë dhe me shpresën se një ditë Kosova do të çlirohej dhe do të bashkohej me Shqipërinë dhe ne do të ktheheshim atje.
Që fëmijë zemra jonë ushqehej me shpresën për tu kthyer në Kosovën martire. E kemi ndihmuar me të gjitha mundësitë tona luftën paqësore dhe atë çlirimtare për Kosovën se kështu na e patën lënë porosi prindërit tanë, se kështu na e kishin lënë edukim dhe amanet prindërit tanë të cilët gjithmonë këtu në Durrës thonin që: mos na daltë shpirti pa shku e u kthy në Kosovë .
Kosova e vaditur me gjakun e derdhur për liri e pavarësi fitoi lirinë e pavarësinë dhe u mund e u dëbua njëherë e përgjithmonë barbari serb. Kanë kaluar njëzet e një vite që nga ajo ditë e madhe e lirisë, por fatkeqësisht Kosova nuk eci në atë rrugë që pritej dhe as sipas amanetit të atyre që dhanë jetën e sakrifikuan për lirinë e saj.
Shqiptarët e fituan Kosovën, Shtetin, lirinë e pavarësinë për t’i gëzuar ato dhe jetën, por mjerisht politika dhe politikanët e saj e braktisën dhe i harruan vuajtjet, sakrificat dhe mundimin e herojve, dëshmorëve dhe të tërë popullit shqiptar të Kosovës.
Pabesia, interesi, pasuria, egoizmi, korrupsioni dhe hajnija e drejtësia politike dhe e korruptuar e kanë prangosur Kosovën si një okupator e pushtues i ri.
Politika e politikanët e Kosovës i bënin thirrje dhe më shumë tregonin interes për t’u kthyer në Kosovë kolonët serbë dhe ata malazez të ngulitur me dhunë në tokat e shqiptarëve që regjimet serbo-sllave ua kishin konfiskuar shqiptarëve duke i ndjekur e dëbuar ata në Turqi ,Shqipëri dhe nëpër botë, se sa për kthimin e shqiptarëve në trojet e tyre të babës, nënës e gjyshërve të tyre.
Shumë të paktë janë ata të cilët u kthyen nga diaspora pavarësisht kontributit të madh e të jashtëzakonshën dhënë prej saj për lirinë e Kosovës, por e keqja e largimit të shqiptarëve sidomos e rinisë kosovare nga Kosova mjerisht vazhdon edhe sot akoma, por jo prej pushtuesit serb por prej keqqeverisjes, korrupsionit dhe të hajnisë së politikës dhe të keqpushtetit në Kosovë. Është fatkeqësi kombëtare që Kosovën e sunduan gjatë këtyre viteve një elitë politike injorantësh, interesaxhinjsh e matrapazësh, hajna e të korruptuarish të cilët duke garend e vrapu pas pushtetit, parasë e pasurisë nuk denoncuan dhe as nuk kërkuan ndëshkimin e krimit e genocidit serb; nuk kërkuan dëmshpërblim për dëmet që ai regjim kriminal u kishte shkaktuar Kosovës dhe popullit shqiptar.
Politikanët e pushtetarët shqiptarë nuk përfaqësuan elitën e vërtetë intelektuale dhe patriotike të Kosovës,por më shumë politika në Kosovë ra pre dhe në dorë të servilizmit, injorancës, të spekulantëve dhe të demagogëve mashtrues e hipokrit të cilët mblodhën rreth vetes së tyre akrabanë farefisnore e krahinore, “të fortët e të guximshmit” për të bërë korrupsion e hajni si dhe dhe ishët e ishregjimit titist në administratë e në drejtësi. Politika dhe politikanët e Kosovës nuk kanë zhgënjyer vetëm shqiptarët por edhe aleatën e mëdhenj të perëndimit, SHBA-në dhe BE-në të cilët e çliruan Kosovën.
Politika e kësaj elite politike të këtyre viteve nuk ngriti dhe nuk ndërtoi një shtet modern me standarte demokratike, nuk ndërtuan një shtet ligjor ku të sundojë ligji, por politika e vjetër kapi shtetin , shoqërinë, pasuritë dhe drejtësinë; i privatizoi ato dhe i përdori politikisht vetëm për interesa personale pushteti e pasurimi. Sot në Kosovë ka varfëri, papunësi, padrejtësi, korrupsion dhe nuk ka as besim , as shpresë dhe as pritshmëri te kjo klasë politike se po punon e do punojë për ndryshimin për në të mirë.
Edhe në kohën e krizës së pandemisë së koronavirusit, politika e vjetër në Kosovë shkaktoi puç e krizë politike. Në vënd që të ndëshkoheshin kriminelët serbë të luftës për krime, genocid e pastrim etnik; sot nga papëgjegjshmëria e kësaj elite politike u lejua që të ngrihej një Gjykatë për të akuzuar e dënuar shqiptarët, viktimat e genocidit serb. Ndërsa Serbia mban në shtetin e saj troje shqiptare të Sanxhakut dhe Luginën e Preshevës disa politikanë të Prishtinës por edhe Tiranës ishin dakord që Serbisë t’i jepnin trojet më të mira e më të pasura të Kosovës. Dhe a nuk janë këto një zhgënjim i madh për shqiptarët kudo ku ata janë?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura