MAJLINDA SINANI LULAJ(*): NJË E ARDHME NDRYSHE NGA E DJESHMJA DHE E SOTMJA

Prishtinë, 13. 04. 2013 – Koha sprovon secilin, pra edhe politikanët. Atyre që tashmë janë bërë lecka në politikë u duhet treguar qoshen që u takon. Edhe ashtu llumi që kanë lënë prapa do goxha të tilla lecka që të pastrohet. Shqiptarëve u duhet një fillim i ri. Jo se kthehet mbrapa koha e humbur, por pse u jep shqiptarëve mundësinë e krijimit të një platforme të përbashkët, për një të ardhme ndryshe nga e djeshmja dhe e sotmja. Një fillim i ri do të sillte një të ardhme të dinjitetshme e që e meritojnë shqiptarët kudo ndodhen.
Kur u desh të largohesha nga Kosova, e vetmja rrugë që “shkrepi” aso kohe ishte përmes rrjedhës së Bunës. Në shtëpinë e një burri trim e patriot të Ana-Malit (M.K.) që do na nxirrte matanë kufirit, mbrëmjen që arritëm, po diskutonim rrethanat në të cilat ndodheshin shqiptarët. Mbase duke e parë natyrën e brishtë dhe gjendjen time nga rruga, i zoti i shtëpisë mu drejtua: “I njoh rrethanat në Shqipëri (s’kish veç disa muaj nga ngjarjet e ’97-tës). Le të të bëhet strehë shtëpia ime deri sa të gjejmë mundësinë që të kalosh në Kroaci e më tutje kah të shohin sytë – këmbët”.
“Jo. Le të vdes sa të shkel në Shqipëri” – i them. Meqë e kisha gjykuar gjithmonë ikjen nga Kosova, daljen në Shqipëri nuk e ndjeja si ikje tamam.
– “Shqipëria nuk është ajo që ti e mendon. Së paku jo tani” – insistoi ai.
– “Do t’i mbyll sytë kudo të shoh keq” – ia ktheva.
– “Do t’i mbash sytë mbyllur gjithë kohës” foli me gjysmë zëri dhe ndërroi temën. Nuk deshi të ma prishte ëndrrën për Shqipërinë. Të nesërmen rrezikoi jetën e vet e të djalit të vetëm duke na kapërcyer ilegalisht në Shqipëri e për më tepër na përcolli gjer në Shkodër, duke i njohur rrethanat e asaj kohe.

* * *
Sot, 15 vjet më pas, them se e ndjej si kurrë më shumë borxhin ndaj atij njeriu. Jo vetëm për faktin se mbase sot jam gjallë pse mu gjet ai njeri, por edhe për të vërtetën që ma tha. Atë të vërtetë që e takova në Shqipëri.
– A e desha më pak Shqipërinë kur e gjeta ndryshe nga sa e kisha menduar? Them se jo.
Ashtu siç nuk e ka dashur më pak ai burrë i urtë që ma kish thënë para se ta shihja vet. Nuk arrita t’i mbaja sytë mbyllur. Ishin njerëzit që mbartnin historitë e dhimbshme, të vuajtura me lëkurë, që të bënin ta kuptoje pamjen reale të Atdheut, që peshonte njëlloj rëndë.
Shqipëria nuk peshon më pak as sot, për cilindo shqiptar, kudo të ndodhet. Andej kthejmë sytë sa herë duam shpresë; andej mbajmë vesh gjithë kohës sa herë ndodhemi në ngushtica. Gjithë e kaluara shqiptare na flet se fati i shqiptarëve, sado të copëzuar, ka qenë një dhe i vetëm: nëpër teh shpate. Jo gjithmonë si pasojë pushtuesish e interesash të huaja. Kishte gjakpërzier e plangëprishës dhe mes nesh. E shpesh, derisa e kemi marrë vesh se cilët ishin e t’u prenim hovin, bëhej vonë. Tepër vonë.
Ani se bashkimi i shqiptarëve në një shtet vazhdon e mbetet caku që duhet arritur, realiteti i krijuar ka në sfond dy shtete shqiptare. Në një vizion që parasheh të ardhmen e përbashkët shqiptare, Shqipëria, si shteti mëmë, do të duhej të ishte prijatare, e natyrshëm, të kishte pasuese Kosovën. Kjo, në radhë të parë, për të ndërtuar sisteme të përafërta qeverisëse e administrative të shtetit dhe për të fuqizuar demokracinë si synim të përbashkët. Në anën tjetër, proceset integruese kërkojnë përafrime në politikat dhe standardet e vëna nga Bashkimi Europian dhe pësimi nga gabimet në njërën anë do të duhej të ishte mësim për anën tjetër në mënyrë të anasjelltë. Kjo do të duhej të vlente edhe për sukseset.
A po shihet e ardhmja e përbashkët shqiptare, gjëkundi në horizont?
– “Posi!
– “Rruga e Kombit”!” do të përgjigjeshin optimistët e pandreqshëm.
Në fakt, asfalti në formë autostrade vërtetë duket bukur, e po shërben për të zënë ditën blerjet “firmato” në njërin shtet e jetën e natës në tjetrin, ani pse nuk më mbushet mendja se kishte vizion për kombin e të ardhmen e tij gjatë procedurave tenderuese. As andej, as këtej.
– “Shih programet televizive! Na kanë bërë bashkë” – do të thonin të tjerë.
Vërtetë po! Sa të njëjtë jemi. Apo kemi dhe dallime? Sido të jetë, pothuajse të gjithë pa përjashtime, pasi kemi vënë gjithë punët në terezi, ulemi me nge e u kënaqemi vezullimave tërheqëse në studiot televizive prej ku “rrezatojnë” emisione nga ato që të shplajnë trurin, deri tek ato që ta bëjnë trurin të pëlcas. Mos të flas për “opinionistët” dhe episodet parashikuese të tyre mbi “universin politik shqiptar” .
Sa për proceset integruese, kam frikë se më përpara do të lodhet Europa nga vetvetja e problemet me bollëk gjithandej rrotull e brenda saj, veçmas atyre ekonomike, se sa të plotësohen në të dyja shtetet kriteret e pranimit e integrimit. Standardet mbi të cilat ndërtohen demokracitë e mirëfillta, janë të njohura e të qasshme, e po të kishte vetëdije të mjaftueshme politike, s’kish pse ndërkombëtarët t’ia kujtonin krerëve të dy shteteve tona orë e çast ato.
Vërtetë Shqipëria dhe Kosova kanë shërbyer si modele të ndërsjella! Mënyra se si zhvillohet jeta tuneleve, korridoreve e holleve të politikës shqiptare gjason fort, e herë herë ngjan edhe e klonuar.
Sisteme fragjile të drejtësisë;
– politikanë të zënë peng nga aferat korruptive që për pasojë s’marrin dot vendime të guximshme e të favorshme politike për vendin;
– administratë e stërngarkuar, që më tëpër se burokraci shteti, ngjan me një lagje dajash, hallash, tezesh, e individë tek të cilët politika ka interesa të caktuara të grupit që përfaqësojnë… janë elemente identifikuese të (mos)funksionimit të dy shteteve si të mirëfillta demokratike e ligjore. Dhe jo vetëm kaq! Shfrytëzimi e keqpërdorimi i fuqisë njerëzore, materiale e kombëtare pa përgjegjshmëri dhe jo racionalisht, duke zhvlerësuar gjithëçka që potencialisht është vlerë e shqiptarëve, e që do të duhej të përkrahej e të mbështetej si e tillë, them se është pjesa më e dhembshme dhe e më e pafalshme e politikës në të dy shtetet.
– A meritojnë shqiptarët që vlerat e tyre të nëpërkëmben nga personazhe politike, që veshin e zhveshin fytyra, ashtu siç sillen në qark stinët e interesit?
– A e kanë luksin shqiptarët të lejojnë nëpërkëmbjen karnevaleve politike?
– A s’ka ardhur koha (zaten gjithmonë duhej!) që ata të cilët kërkojnë votën e shqiptarëve ta përkthejnë atë me llogaridhënie dhe shërbim të ndershëm e të devotshëm kundrejt atyre që ju besojnë?

Koha sprovon secilin, pra edhe politikanët. Atyre që tashmë janë bërë lecka në politikë u duhet treguar qoshen që u takon. Edhe ashtu llumi që kanë lënë prapa do goxha të tilla lecka që të pastrohet. Shqiptarëve u duhet një fillim i ri. Jo se kthehet mbrapa koha e humbur, por pse u jep shqiptarëve mundësinë e krijimit të një platforme të përbashkët, për një të ardhme ndryshe nga e djeshmja dhe e sotmja. Një fillim i ri do të sillte një të ardhme të dinjitetshme e që e meritojnë shqiptarët kudo ndodhen.
*) Autorja është e diplomuar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1997 dhe ka gradën Master në Studime Profesionale për Administratë Publike, “Rochester Institute of Technology” në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura