MANASTIRI, QYTETI I ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE, SOT FLET PAK SHQIP!

E dhimbshme!

MANASTIRI, QYTETI I ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE, SOT FLET PAK SHQIP!

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 25 Nëntor 2021

Manastiri, ishte kryeqendër e Vilajetit të Manastirit (1874 – 1912), dhe përfshinte një sipërfaqe prej 22.000 km katorë, në të cilin bënin pjesë tokat shqiptare deri në Elbasan, duke përfshirë edhe territore të tjera deri afër Janinës dhe më gjerë. Manastiri si qytet mesjetar ishte i banuar me popullsi arbërore dhe graviton në arteriet më të rëndësishme të Gadishullit Ballkanik.

Në këtë qytet janë të njohura karavanet tregtare, të cilat ekspozonin mallrat dhe produktet tjera nga Lindja dhe Përëndimi. Sot Manastiri historik i alfabetit quhet Bitolë, është qyteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut, dhe shtrihet në pjesën jugore të këtij vëndi.

Gjatë shekullit XIX, Manastiri ka qenë një nga vatrat kryesore të klubeve shqiptare, të cilat aspironin përhapjen e arsimit shqip kudo ndër shqiptarë. Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi (në kapërcyellin e shek.XIX-XX), shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm shqip.

Pas revolucionit xhonturk (1908), duke përfituar nga koncesionet e vogla që i bënë në fillim xhonturqit, Manastiri bëhet çerdhe e vërtetë e klubeve shqiptare, patriotëve shqiptarë dhe shtypshkronjave të librave në gjuhën shqipe.

Në këtë periudhë Rilindasit tanë me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti Unik të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë ndasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve.

“Lufta për ruajtjen e gjuhës së një populli është edhe luftë për identitet e mbijetesë të atij kombi”, kështu do të thoshte Mit`hat Frashëri, pas vendimeve historike të Kongresit të Manastirit (14 – 22 Nëntor 1908), pikërisht në kohën kur Rilindasit tanë ishin të preokupuar edhe me nevojën e krijimit të një shteti kombëtar.

Një alfabet Unik do të ndihmonte padyshim, si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit tonë kombëtar, të bashkimit politik të popullit shqiptar, i cili do të finalizohet më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin Gjithëkombëtar të Vlorës.

Sot, qyteti i Manastirit me emrin e ndryshuar Bitolë, është në gjendje tmerrësisht të rëndë. Kjo qendër e Vilajetit që dikur kishte rreth 90 % shqiptarë, sot i kanë mbetur vetëm 3 % prej tyre, të cilët vuajnë çdo ditë nga ndjenja e unitetit kombëtar, sepse janë grimcuar e përçarë në çdo fushë nga politika ditore.

Arsimi, si njëra nga shtyllat kryesore të shqiptarëve në këtë kryeqendër të dikurshme kombëtare, sot është në gjendje të mjerueshme. Atje kanë mbetur vetëm disa paralele me mësim në gjuhën shqipe, ku gjysma e lëndëve ligjërohen në gjuhën maqedone,, ndërkohë që bredhin rrugëve shumë studentë të diplomuar shqiptarë!

Sado që partitë shqiptare në pushtet (sot BDI, dje PDSH) e tundin vazhdimisht flamurin e “suksesit” për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, edhe pas 113 vjetësh nga Kongresi i Manastirit me dhimbje të thellë themi se, në këtë qytet ku u vunë bazat e alfabetit shqip, flitet më së paku shqip!!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura