MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (III)

Pashtriku.org, 15. 05. 2014 – Në Kosovë policia dhe mbrojtja territoriale qysh moti janë shpërndarë dhe janë çarmatosur. Nuk u la që të mbijetonte asnjë formë organizative, por edhe në qoftë se përkundër kësaj u la diçka për të mbijetuar, atëherë kjo sigurisht gjendet në parahistorinë politike të kohëve të nomenklaturës komuniste titiste, që është lojale ndaj zotërve të vetë të vegjël, por jo edhe ndaj ligjit, sepse ligje akoma nuk ka. Ata i janë lënë vetvetes, si jetimët. Në qoftë se në çfarëdo mënyre veprojnë akoma, atëherë kjo ndodh për shkak të inercisë, dhe pikërisht për shkak të inercisë së vjetër. Për shkak të situatës sonë të gjithmbarshme, kështu së paku po thuhet, asnjë politikë nuk do ta marrë përgjegjësinë për ta. Sikur të kishin zbritur nga Marsi dhe sikur të mos ishin prej këndej! Politika në këtë mënyrë i shmanget të qenit serize. Ajo bëhet joserioze. Ajo do ta donte Republikën por nuk do ta donte edhe përgjegjësinë për të. Ndërkaq Republika, sipas definicionit, nënkupton shtetin, dhe shteti duhet t’i ketë edhe ushtrinë edhe policinë – dy karakteristikat e pakontestueshme të shtetësisë së shtetit. Bindjet dhe qëndrimet e mia lidhur me këto çështje janë shumë të qarta dhe të tilla kanë qenë gjithmonë. Politika e Republikës së Kosovës duhet të bëhet serioze. Këtu s’ka më «hem ma kanda hem s’dua». Ajo duhet t’i pranojë si të vetat hem ushtrinë hem policinë. Ajo duhet t’i riorganizojë dhe t’i organizojë ato në frymën e kohës dhe në pajtim me ndryshimet dhe detyrat e tyre. Policia dhe ushtria e Republikës së Kosovës duhet të jenë efikase por edhe meritore për shërbimin në shtetin e ri demokratik. Ato janë pasqyrë e moralit publik por edhe e dinjitetit të popullit sepse për shkak të përbërjes së tyre sociale, ato i reflektojnë të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato ndërkaq janë edhe diç më tepër: ato reflektojnë aftësinë e një shoqërie që të organizohet në pajtim me arritjet botërore nga cilado fushë e veprimtarisë shoqërore por edhe aftësinë e asaj shoqërie për të pranuar dhe absorbuar gjithçka të re, progresive dhe të pazvetënuar. Shkurt, me shembullin e vet, dhe me nevojën për të vënë në jetë dhe për të zbuluar gjithmonë arritjet e reja në fushën e shkencës, ato duhet të tërheqin gjithë shoqërinë përpara drejt progresit. Dhe pikërisht ato s’duhet ta heqin mendjen kurrë nga dinjiteti i vet, dinjiteti i popullit të vet dhe i shtetit të vet.

– Ukshin Hoti –

Pranimi i ushtrisë dhe i policisë nuk e nënkupton luftën. Në rastin konkret dhe në çastin aktual ajo nënkupton kthimin e besimit në dinjitetin e vet. Ajo nënkupton edhe marrjen e përgjegjësisë vetiake për zhvillimin e gjërave si në Republikën e Kosovës ashtu edhe për Republikën e Kosovës. Në këtë botë nuk ekziston ndokund ndonjë vend, ndërkaq janë më shumë se 180 sish që veten e quajnë shtet dhe që të mos e kenë ushtrinë dhe policinë e vet. Këto i ka madje edhe Vatikani, së paku në kuptimin simbolik, ndonëse nuk e konsideron veten si shtet të mirëfilltë dhe as që është i tillë në kuptimin klasik. Sikur shtetet të zhvillonin luftëra vetëm për faktin se i kanë në dispozicion policitë dhe ushtritë e veta, atëherë asgjëkundi dhe asnjëherë nuk do të kishim paqe. Ato janë instrumente të luftës dhe në rend të parë të luftës, por ato mund të lindin edhe gjatë luftës. Është më mirë që të krijohen në kushtet e paqes pikërisht për shkak të paqes. Ato gjithnjë e më tepër po bëhen instrumente të paqes.
Sipas hipotezës se Republika e Kosovës po njihet de facto, atëherë ç’kuptim ka që ushtria dhe policia e Republikës së Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës, t’i kryejë punët e ushtrisë dhe të policisë së Republikës së Kosovës? Përse të lejohet në këtë mënyrë nxitja e urrejtjes dhe akumulimi i animozitetit midis këtyre dy popujve?
Më tej, është e vërtetë se politika e Republikës së Kosovës po thirret në një gandizëm të llojit të vet dhe ajo vërtet është një gandizëm i llojit të vet. Unë vetë jam pionieri i vërtetë i kësaj politike, sepse edhe para burgosjes në vitin 1981 e kam pasur të qartë raportin e drejtë të forcave në botë. Për këtë dëshmon edhe libri im «Lufta e ftohtë dhe detanti» botuar në të dy gjuhët në Prishtinë në vitin 1976. Në burg, gjatë gjysmës së parë të viteve ’80-të, unë gjithmonë kam ndikuar në përvetësimin e metodave paqësore të luftës për Republikën e Kosovës, sepse atëherë kam qenë i vetmi njeri në Kosovë, të cilit i ishin plotësisht të qarta pasojat eventuale të çfarëdo lufte. Ky ishte tek e fundit edhe motivi kryesor për shkrimin e atij libri të vogël por të rëndësishëm, që më vonë për vite të tëra u bllokua dhe pothuajse u harrua. Pastaj vetë përcaktimi im në atë kohë për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë në mënyrë të natyrshme e përjashtonte çfarëdo mendimi për luftën, sepse ç’do të na duhej Jugosllavia po të ishim të detyruar që brenda saj të luftonim për barazi?

Faqja e parë në dorëshkrim e mbrojtjes së Ukshin Hotit.

Pas daljes nga burgu me 1985, atje ku isha i përndjekur, i izoluar dhe i ostracizuar padrejtësisht, pa kurrfarë vendimi të shkruar nga çfarëdo instance e pushtetit, për vite të tëra u kam folur fshatarëve që po e deshët Republikën në kuadër të Jugosllavisë, urdhëroni bashkë me mua. Ndërkaq po e deshët Shqipërinë, kjo e nënkupton luftën. Ndërkaq për luftë le të urdhërojnë të tjerët. Unë do të isha vetëm ushtar. Pushteti sigurisht që e dinte këtë. Ai e përcillte çdo hap timin dhe çdo fjalë timen. Ai përpiqej që ca të tjerë, sidomos të rinj, t’i shndërronte në mua me anë të tentimeve të çmendura për të depërtuar në trurin tim dhe me anë të imitimeve tragjikomike. Nëntë vjet të tërë më bëri plotësisht të varur materialisht nga të tjerët, fillimisht nga prindërit e mij të vjetër, nga vëllëzërit e mij më të rinj, dhe pastaj edhe nga fshatarët tjerë. Nuk më lejonte të punësohesha askund duke i frikësuar punëdhënësit eventualë. Asnjëherë nuk më dha pasaportë për udhëtim jashtë vendit. Dy herë themelova familje me femra intelektuale dhe që të dy herët dështova. Ky fakt natyrisht është shfrytëzuar që të më pamundësohet ikja, sepse çfarë do të bëja unë në të vërtetë me komoditetin jetësor të jashtëm pa fëmijët e mi të mitur? Mos do të ketë qenë vallë e nevojshme që ndryshimet të kryhen me një dialog aq të çuditshëm me mua, apo vetë unë të kem qenë tepër ambicioz? Nuk e di. Me fjalë të tjera, është plotësisht e qartë nga ajo që u tha, se lufta për Republikën e Kosovës me mjete paqësore nuk u zhvillua vetëm me një siguri rutinore prej zotërinjsh elegantë nga kancelaritë e gjera e nga kabinetet e bukura. Ajo ka kërkuar privacione kolosale, viktima e flijime. Ndërkaq privacionet dhe flijimet i bëjnë vetëm ata që kanë shkallë të lartë të moralit vetiak por edhe që besojnë fuqimisht në ndershmërinë dhe në fisnikërinë e qëllimeve për të cilat luftojnë. Sepse një qëllim fisnik nuk mund të realizohet me metodat makiaveliste të intrigave dhe të shpifjeve. Bashkimin e Italisë nuk e solli mendimi politik i Makiavelit por vetëm mendimi politik i Macinit dhe lufta vetmohuese e një morali tejet të lartë e Garibaldit. Makiaveli e ka përshkruar luftën politike për pushtet të sundimtarëve të ndryshëm të paskrupullt dhe të princërve të Italisë feudale. Ai u jepte atyre udhëzime se si ta përforcojnë pushtetin dhe ka pasur besim se ndonjëri prej tyre do ta shfrytëzojë atë pushtet në favor të bashkimit të Italisë. Mjeshtritë të cilat i përshkruan dhe i rekomandon ai sigurisht që janë shfrytëzuar edhe më parë, por edhe pas tij, në luftërat e përgjakshme për pushtet nga ana e oborrtarëve të ndryshëm dhe despotëve, nga ana e tiranëve dhe diktatorëve të vjetër e modernë, por kurrë ndonjëherë ato, gjatë gjithë historisë, nuk e kanë sjellë fitoren e çfarëdo lëvizjeje politike serioze dhe as forcimin e çfarëdo pushteti demokratik. Ato mund të sjellin forcimin e pushteteve dhe të pushtetmbajtësve despotikë, autokratikë, autoritarë dhe totalitarë; ato janë metoda të një lufte të paskrupullt, të paturpshme dhe të përgjakshme për pushtet, por ato janë në kundërshtim të ashpër dhe të thellë me vetë nocionin e demokracisë. Mjafton që të shfletohen faqet e «Zërit» që të shihet se me ç’zjarr e ç’pasion gazetarët e tipit të H. Matoshit në emër të mësuesve të tyre e predikojnë imoralitetin në politikë! Implikimi i vetëm i metodave të tilla është lufta e përgjakshme qytetare, dhe këtë gjë ata do të duhej ta dinin.
Në artikullin tim «Për një qasje më shkencore ndaj politikës në Kosovë» (DeA, 1-1991), e kam nënvizuar në mënyrë indirekte trajtimin e gabuar dhe të njëanshëm të mendimit politik tek ne. Pasoi një reagim i vrazhdët, histerik, vëllimor dhe gjithëpërfshirës i qarqeve të përmendura politike. Kjo më dha të kuptoj se nomenklatura politike intelekuale e Kosovës kishte vendosur të vinte në jetë ostracizmin e vjetër grek ndaj meje, gjë që dukej dhe interesante, sepse kurrë nuk kam qenë kundër asaj që ajo ta zinte vendin që i takonte në shoqëri. E dija se ishte fjala për një grupacion të fuqishëm politik pa ndonjë konkurrencë të veçantë, dhe duke insistuar për një luftë konkurrente të ideve dhe të mendimeve, e dija që ajo do të fitonte dhe do të bëhej forcë udhëheqëse e shoqërisë. Mirëpo unë doja vetëm që ajo fitoren ta meritonte dhe që të mos ishte forcë e vetme e shoqërisë dhe as forca e vetme udhëheqëse e shoqërisë. Desha që gjatë asaj lufte konkurrente të ideve dhe të vlerave të konkurrojnë dhe të integrohen në politikë edhe forcat e reja që atëherë ndodheshin në procesin e formimit. Mendoja që nga kjo të shpërthente një kualitet me anë të të cilit do të fitonim një elitë politike intelektuale të shoqërisë më të gjerë, më të fortë, më të larmishme dhe më të pasur me ide. Për vete kërkoja që vetëm të më pranonin si të barabartë. Siç shihet tani në faqe të shtypit e gjithë kjo edhe po realizohet, por edhe tash në një formë disi të ngurtë, sikur brenda kësaj forme, me ndryshime të vogla kozmetike, po kthehet realiteti i para vitit ’81. U desh që tamam unë të riarrestohesha që një përshtypje e tillë të kompletohej. U dashka vallë vërtetë që e kaluara të kthehet në një formë të pandryshuar? Përse vallë pikërisht me ardhjen dhe me konsolidimin e saj në pushtet 400 mijë njerëz u desh të iknin në botën e jashtame?
Harold Lasuelli, njëri nga frojdistët e shquar të Universitetit të Çikagos në SHBA, në vitet 30-ta të këtij shekulli e botoi librin «Psikopatologjia dhe politika» (Psychopathology and politycs). Në faqet e tij ai argumeton se si njeriu, për t’u marrë me politikë, i duhet që motivet e veta personale, me anë të procesit shoqëror të racionalizimit, t’i shndërrojë në interesa shoqërorë të pranueshëm nga të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë, vlerëson ai, një veprim i individit bëhet veprim politik. Mbase duke u mbështetur në këtë formulë të tij, nomenklatura titiste-komuniste e viteve ’80, të gjithë të dënuarit e atyre viteve i shpalli si marksistë-leninistë. Në artikullin tim «Viti ’81 dhe proceset e demokracisë» iu kundërvura një trajtimi të tillë të atyre të rinjve dhe të rejave me tezën se ata nuk po e merrnin parasysh shkallën e vetëdijes së tyre politike dhe veprimin e përgjithshëm sintetizues të parullës për Republikën. E kam bërë këtë sepse e kam ditur se kjo gjë do ta sillte thellimin e vetëdijes për përkatësinë klasore dhe për dallimet klasore. Atëherë kam besuar, por besoj edhe tani, se populli shqiptar në Kosovë kurrë nuk e ka përjetuar shtresëzimin e njëmendët klasor të shoqërisë. Atë që unë e quaj nomenklaturë komuniste-titiste të Kosovës, në të vërtetë është ajo elitë e brishtë dhe e ndjeshme e pushtetit e cila përfaqëson pjesën udhëheqëse të shtresës sunduese të shoqërisë. Por edhe kjo pjesë udhëheqëse e kësaj shtrese të shoqërisë është shumë e hollë, e ngushtë dhe e ndjeshme. Ajo përfaqëson bazën prej rreth 100 mijë njerëzve për elitën sunduese të pushtetit prej rreth 30-40 mijë njerëzish. Thënë kushtimisht, pjesa aktive e popullatës në luftën për Republikën e Kosovës gjithashtu nuk e tejkalon këtë numër. Të dy këto pjesë me supozimin e integrimit të barabartë në shoqëri, do të duhej të përfaqësonin dy shtyllat mbajtëse të Republikës së Re. Mirëpo nëse njëra nga këto dy shtylla vazhdimisht duhet sulmuar për majtizëm, për ideologjizim e për anim kah prosllavizmi, që sipas kritereve të tanishme të shtypit është baras me tradhëtinë kombëtare, atëherë borgjezia e re shqiptare do të duhej të gjente një popull tjetër në të cilin do të mbështetej, pasi që ata njerëz që i sulmon ajo janë plotësisht nga populli dhe në popull. Atëherë do të duhej t’i ruante përjetësisht një tjetër polici dhe një tjetër ushtri nga populli i vet dhe atëherë e gjithë filozofia e tyre s’do të ishte gjë tjetër pos një përmbledhje e mjerë parullash demagogjike dhe marrëzirash të ndryshme.
Mirëpo në qoftë se policia e Republikës së Serbisë, e cila këtu po e kryen detyrën e policisë së Republikës së Kosovës, megjithë faktin se kjo e fundit ekziston dhe njihet de facto njëherësh kryen edhe funksionin e ruajtjes së pozicioneve të asaj elite të hollë të pushtetit, atëherë ajo këtë detyrë nuk e bën mirë. Në rend të parë sepse popullit shqiptar i duhet të mësohet me borgjezinë e vet. E dyta, sepse ajo borgjezi duhet të mësohet që ta respektojë popullin vet si dhe kufizimet morale e tradicionale që ia imponon ai, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, dhe e treta, sepse në këtë mënyrë, siç po ndodh tani, krijohet urrejtja midis dy popujve. Në qoftë se politika është në esencë matematikë, siç mendojnë disa me të drejtë, atëherë operacionet matematikore me të cilat do të përmblidheshin rezultatet e një politike të tillë thjesht do t’i vërtetonin implikimet e saj tejet të dëmshme për të dy popujt. Si do të dukej për shembull, po të bënim një supozim teorik, që rastësisht borgjezia serbe nesër të kërkojë shërbimet e një policie të huaj kundër popullit të vet? Këto janë supozime të cilat duhet të tregojnë për paqendrueshmërinë e situatës në të cilën gjendemi dhe për nevojën imperative që ajo të ndryshohet urgjentisht. Me fjalë të tjera, politika e Republikës së Kosovës duhet ta marrë përgjegjësinë për ushtrinë dhe policinë e vet, ndërsa politika e Republikës së Serbisë më në fund duhet ta kuptojë se po fillon epoka e familjes evropiane të popujve, se në të të gjithë anëtarët do të jenë të barabartë, se populli shqiptar në Kosovë me të cilin do të jetojnë plotësisht të barabartë edhe joshqiptarët, me metoda demokratike të luftës e ka fituar Republikën e vet, ka vendosur që në atë familje të popujve të Evropës të hyjë si i njësuar. Populli shqiptar është i barabartë me të gjithë popujt e Evropës. Ai nuk është i gatshëm për luftë. Politika që e përfaqëson nga të gjitha pjesët ku ai jeton në emrin e tij ka hequr dorë nga shfrytëzimi i metodave jodemokratike të luftës për realizimin e qëllimeve nacionale, por ai, ashtu si çdo popull, ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe për zhvillimin e vet të papenguar kombëtar. Për këtë shkak ai vetë dhe në mënyrë sovrane do të vendosë për ato forma të luftës së vet të cilat do t’i përgjigjen mundësive të tij në kushtet dhe në kohën e dhënë. Është plotësisht e pakuptimtë që të gjykohet dikush për potezat e ardhshëm eventualë të popullit të tij, të cilët ai në asnjë kuptim s’ka mundësi t’i dijë.
Lidhur me këtë vetëm dua të shtoj se nuk do të duhej tepruar me atë që gazetarët e quajnë gandizëm të popullit shqiptar, dhe që sërish bazohet në metodën e luftës së tij. Ajo që sot nëpër faqet e shtypit po lavdërohet si gandizëm, për ç’shkak individë të caktuar që s’kanë asnjë lidhje me të ngriten gjer në qiell, fitojnë shpërblime, u rrahen shpatullat, falenderohen etj., vërtetë që s’kanë asnjë lidhje me gandizmin. Unë e di se çdo metodë e luftës paqësore e demokratike s’mund të quhet gandizëm, sepse çdo metodë e tillë e luftës nuk është njëherit edhe produkt i një filozofie të tërë të antidhunës, ashtu siç ishte në realitet dhe siç është filozofia e Gandit, por vetëm një pasqyrë e situatës së caktuar dhe e kushteve të caktuara. Ashtu siç e di edhe se sot atë e lavdërojnë pikërisht ato qarqe në botë të cilat kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë edhe sot gjithçka, që njerëzit të mos e kuptojnë. Mirëpo kjo është punë e tyre. Unë e mendoj veten si tepër larg Gandit. Pastaj, dhe kjo është më e rëndësishmja, një pjesë e inteligjencisë shqiptare, do të duhej më së fundi të mësonte që për popullin e vet të mendonte me kokën e vet, sepse edhe krahas shumicës së tij islamike, populli shqiptar kurrë nuk ka qenë dhe as që do të jetë ndonjëherë popull aziatik. Ndonëse edhe islamizmi nuk ka me të ndonjëfarë lidhje, t’i imponosh popullit shqiptar vlera që janë në kundërshtim me frymën e tij praktike, nuk do të thotë vetëm moskuptim dhe keqinterpretim i tij, por edhe dhunim të dinjitetit të tij, d.m.th. të një populli të lashtë evropian. Nuk e kam ndjerë veten të goditur personalisht. Ishte obligim i imi intelektual kundrejt një kolosi të mendimit dhe të frymës njerëzore, që të reagoj kundër atyre teprimeve. E bëra këtë në pjesën II të artikullit tim “Bëje ose vdis” (Fjala, shkurt 1992). Dhe qëndroj edhe tani, si prapa kuptimit, edhe prapa çdo fjale, pike e presje të shkruar në të.
Përse nuk po më gjykojnë
Zonjë kryesuese e gjyqit,
Zotërinj të kolegjit gjykues,

Me këtë i jemi përgjigjur edhe pikës së tretë dhe të fundit të aktakuzës e cila bazohet në esencë në çështjen e luftës dhe të paqes d.m.th., në karakterin dhe në llojet e metodave me të cilat unë, si përfaqësues i popullit shqiptar e si kryetar i një partie që do të mund të bëhej e rëndësishme, do të mund të shërbehesha eventualisht në luftën për realizimin e qëllimeve kombëtare. Besoj se prokurori publik i Republikës së Serbisë në Prizren zoti Dobrivoje Periç bazat për shkrimin e aktakuzës së tij i ka gjetur në disa elemente të cilat do të mund të shpjegoheshin me atë që unë e përshkrova më sipër si formulë të Harold Lasswellit mbi racionalizimin e motiveve personale dhe përkthimin e tyre në qëllime të gjithëpranueshme politike. Besoj madje se në këtë drejtim ai është treguar i kujdesshëm, për ç’gjë e falenderoj, por që megjithatë aktakuzën i është dashur ta shkruajë, që do të thotë se ajo përkujdesje nuk është e lidhur me implikimet e veprës të cilën unë kurrsesi dhe në asnjë rast nuk e kam bërë dhe as që është bërë nga ana ime. Por nëse kufizimet njerëzore na pengojnë që gjërat t’i sqarojmë qysh më parë, d.m.th., para se të kenë pasur fare mundësi që të lindin, a mos ka qenë vallë më e arsyeshme po t’i ishim përmbajtur porosisë së atij filozofi paraprijës të logjikës atomistike të cilit për shkak të kuptimit të fjalës dhe të pyetjes i është cfilitur mendja dhe i është çjerrë zemra – Ludvig Wittgensteini, i cili pas një lufte të mundimshme prapa vetës, vetëm disa çaste para se të vdiste, konkludon: «Por për gjërat për të cilat s’bën të flitet duhet të heshtet». Unë kësaj, duke ia ndajshtuar rastit tim, vetëm do t’i shtoja: Çdo përgjigje e kuptimësuar fillimisht, në fund megjithatë bëhet plotësisht e pakuptimtë. Prandaj është plotësisht e pakuptimtë që të gjykosh të pakuptimtën.
Në bazë të gjithë kësaj që u shtrua, duket sikur tani u bë e mundur që të ofrohet përgjigja në pyetjet e bëra në fillim: përse jam i burgosur dhe përse po më gjykojnë? Për shkak të interesimit që ka zgjuar ky gjyq në opinionin publik të Kosovës dhe për shkak të spekulimeve të shumta lidhur me të dëshiroj të përgjigjem shkurt edhe në pyetjen: përse nuk po gjykohem?
1. Në burg nuk kam ardhur me dëshirën time, por kam qenë i arrestuar. Është gjë e paparë që të sulmohet i burgosuri vetëm për faktin se ai pa dëshirën e tij është burgosur. Burgu nuk është vend për zhvillimin e çfarëdo bisedave politike, por aty zhvillohen sulme dhe mbrojtje, sulmon shteti dhe mbrohet individi i burgosur. Aty është vendi ku individi jep llogari për veprat ose për bindjet të cilat shoqërisë nuk i kanë pëlqyer. Burgu s’është hotel apo shtëpi pushimi, por është vend i vuajtjes. Nëse zotërinjtë që më sulmojnë nuk e besojnë këtë, përse vallë nuk provojnë që të bëjnë diçka që do t’i çonte në burg për t’u bindur vetë lidhur me këtë? Ndërkaq nëse i frigohen faktit se mos kam thënë diçka që atyre s’do t’u pëlqente, për fat të keq nuk kam mundur të them asgjë më shumë se ç’nuk e kanë ditur ata vetë dhe ç’nuk e kam thënë dhe botuar tashmë publikisht; asgjë që do të mund t’i çonte në burg, sepse tek e fundit, ata janë të mbrojtur, ndërsa mua po më burgosin. Këta zotërinj e dijnë këtë gjë, por e di edhe unë. Është e udhës që të mos më sulmojnë. Këtu nuk po zhvillohen kurrfarë bisedimesh politike, ndërsa unë vetëm po i mbroj bindjet e mia politike. Në rast se kjo disave nuk u pëlqen, le ta përkujtojnë se për këtë shkak unë jam burgosur dhe le të mendohen se mos i kanë kontribuar edhe vetë kësaj pune, duke i ndjekur mësimet e makiavelizmit, konsekuencat e të cilit nuk i kanë kuptuar kurrë dhe as që do t’i kuptojnë ndonjëherë sepse nuk e kanë kuptuar edhe vetë atë. Ndërkaq populli i pamësuar mendon se titujt akademikë dhe dijet e vërteta janë e njëjta gjë, gjë që nuk ndodh veçse në raste të rralla. Mirëpo do të duhej së paku të pranohej ndershmërisht se Republika e Kosovës nuk është pronë private e askujt ndonëse po insistohet edhe më tej që ajo të jetë e tillë.
2. Nuk po gjykohem për shkakun që e përshkruan «Bujku» pak kohë pas arrestimit tim, d.m.th., se jam arrestuar për shkak se jam «i tillë», duke mos sqaruar se çfarë qenkam në të vërtetë, «që ecën i vetmuar nëpër teh shpate», por nuk e thotë se me kë qenka dashur të shoqërohem dhe se për çfarë tehu të shpatës është fjala? Më në fund ai thekson se jam personifikim i politikanit dhe i intelektualit largpamës, por nuk e shpjegon se si qenka e mundur kjo gjë, kështu që del sikur unë paskam aftësi parapsikologjike të fallxhorit, të profetizuesit e të parashikuesit. Edhe këto pikëpamje për mua u gjasojnë atyre që u përshkruan më lart. Janë të frymëzuara nga po ato qarqe të cilat me vite e dekada u përpoqën dhe ia dolën ta denigrojnë personalitetin tim dhe aftësitë e mia intelektuale me qëllim që me to të shërbehen për shkëlqimin dhe lartësimin vetjak. Këtë ua mundësoi sistemi dhe zhdërvjelltësia e tyre për t’i shitur të fortit gjithçka që s’është e tyre në këmbim të asaj që do të duhej të ishte vetëm e tyre. Ky mentalitet i kopesë mendon seriozisht se kjo praktikë është e përjetshme dhe e pandryshueshme. Ata mendojnë seriozisht se individi mund të ngritet vetëm me ndihmën e tyre. Për shkak të këtij besimi tragjik, baza e të cilit ndodhet në edukatën e tyre patriarkale të tradicionalizmit fisnor akoma të gjallë ndër ne, ata më me dëshirë e me lezet do ta hanin pjesëtarin e tyre se sa ta lejonin që të pavarësohej plotësisht prej tyre. Ky mentalitet i kopesë më ka vënë tashmë në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, por ai po vazhdon të veprojë me vrull, agresivitet dhe intensitet të pazbutur. Prandaj po u drejtohem sërish: Më lini të qetë! Nuk po më gjykojnë për shkakun tuaj. Asnjëherë nuk jam gjykuar për shkakun tuaj edhepse ju keni dashur ta besoni një gjë të tillë. Nuk e kam ngrënë asnjëherë ndonjërin prej pjesëtarëve të kopeve tuaja të shumta sepse ndjej neveri nga një gjë e tillë. Po pata mundësi do të përpiqem t’i ndryshoj themelet tuaja në mënyrë që në të ardhmen të vdesin dhe të zhduken manitë tuaja njeringrënëse. Ndërkaq po qe se nuk ja dal dot kësaj pune, atëherë më gllabëroni më në fund të tërin, ose më lini të qetë!
Pastaj intelektualët e vërtetë nuk presin që të jenë të kuptuar nga çdokush dhe nga të gjithë, por edhe ata kanë të drejtë për mbrojtjen e jetës së vetë private dhe për respektimin e personalitetit të vet. Pavarësisht se ç’mendojnë për mua qarqet e caktuara politike, unë veten e vlerësoj në raport me të qenit dhe me qenjen e kohës. Prandaj mendoj për vete se në këto çaste këtu po gjykohet njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të popullit shqiptar. Nuk dyshoj aspak se në të ardhmen do të lindet dikush, nëse nuk ka lindur tashmë, që do të dij ta përqasë veprën time dhe jetën time në raport me mundësitë e veta. Mënyra e sjelljes suaj ndaj meje nuk flet për mua por për ju. Në këtë gjykatë nuk gjendet asnjëri nga anëtarët e familjes sime të ngushtë. Asnjë prej tre fëmijëve të mi mitur.
3. Mendoj se do të ishte një gjë pretencioze po të pohoja se jam burgosur dhe se po gjykohem për shkak të punimeve të mia të botuara ose të pabotuara apo edhe vetëm për shkak të mendimeve të mia. I kam shkruar disa punime dhe artikuj të rëndësishëm studimorë. I kam shkruar qëllimisht në atë mënyrë që secili prej tyre, duke i llogaritur edhe letrat e mia të hapura, të përfaqësojnë një vepër të vogël kapitale, por njëherësh edhe një syzhe apo përkujtues për shkrimin e shumë veprave kapitale ose ndoshta vetëm për një vepër të madhe kapitale të lidhur organikisht. Ndërkaq, nuk kam shkruar vepër të madhe kapitale. Më ka munguar paqja e duhur në këto 15 vjetët e fundit që t’i përkushtohesha seriozisht një gjëje të tillë. Jam mbrojtur prej kafshimeve të ndryshme të kopeve të përshkruara. Vepra ime e madhe kapitale megjithatë është inkorporuar në Republikën e Kosovës dhe në lëvizjen e gjithëmbarshme të shoqërisë përpara. Mirëpo për këtë unë një herë e kam mbajtur dënimin me burg. Për këtë arsye tani as jam burgosur as po gjykohem.
Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht dhe angazhimet e gjertanishme të mbrojtësve jashtëzakonisht të përgatitur e profesionalistë të Republikës së Kosovës këtë e vërtetuan patundshmërisht. Prandaj besoj se Republika e Kosovës nga aspekti juridik është në gjendje që të mbrohet absolitisht vetëm. Mbrojtësit e saj për këtë arsye janë në lartësinë e thirrjes së vet dhe të profesionit të vet si dhe të dinjitetit të Republikës apo të shtetit të vet. Për këtë shkak unë iu falenderohem dhe u dëshiroj sukses në të gjitha luftërat juridike për forcimin e themeleve dhe të ndërtesës ashtu si dhe të pamjes së jashtme dinjitoze të shtetit të tyre, Republikës së Kosovës.
Me faktin se shkaqet juridike nuk qëndrojnë ngaqë janë shembur në mënyrë të argumentuar nga ana e mbrojtësve të mi të Republikës së Kosovës, vetëm vërtetohet se ky gjyq është i një natyre politike. Shkaqet politike të mbajtjes së tij edhe më tej mbeten. Për ato shkaqe të natyrës politike ky gjyq duhet të marrë vendimin e vet gjyqësor. Me kumtesën time të gjerë për prapavijën politike të këtij gjyqi, në mënyrë të ndershme dhe objektive kam dashur t’i ndihmoj këtij gjyqi që të marrë vendim objektiv, jo sepse dyshoj në objektivitetin e tij, por sepse tek ai arrihet me njohjen e plotë dhe zbulimin e argumenteve kundërshtuese dhe kontradiktore.
Ndërkaq vetë fakti se kam mundur të jem i burgosur për shkak të mundësisë së ndikimit tim në lëvizjet e gjithëmbarshme politike në këto hapësira, i përforcon dyshimet e mia të sipërpërmendura për mundësinë e zgjidhjes së çështjes shqiptare në bazë të përkatësisë së tij religjioze në kundërshtim me interesat e tij të vërteta nacionale. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të theksohet se është e drejtë e çdo populli për informim të drejtë dhe objektiv lidhur me rëndësinë e akteve politike në të gjtiha vendet në këto hapësira. Duke mos dashur të prejudikoj asnjë zgjidhje, gjë për të cilën janë kompetentë organet politike shtetërore dhe trupat e tyre, mendoj se si qytetar i rëndomtë i Republikës së Kosovës, dhe si pjesëtar i kombit tim, i thirrur në gjyq për shkak të bindjeve të mia politike, kam të drejtë të nxjerr në pah qëndrimet e mia për gjërat që mendoj që janë në interes të përgjithshëm. Prandaj mendoj se është në interesin tonë, e për të gjithë ata që jetojnë në këto hapësira dhe që s’kemi ndonjë atdhe tjetër, që:
1. Republika e Serbisë ta njohë edhe de jure dhe jo vetëm de facto Repubikën e Kosovës.
2. Që Republika e Kosovës ta kryejë më në fund formimin e organeve të veta shtetërore.
3. Që Republika e Serbisë t’i lirojë nga burgu të gjithë të burgosurit politikë, sidomos ushtarët dhe oficerët e Republikës së Kosovës.
4. Që Republika e Kosovës t’i njohë si të vetët dhe t’i qaset seriozisht marrjes së përgjegjësisë shtetërore duke i riorganizuar dhe organizuar ato shërbime (policinë dhe ushtrinë) në pajtim me rendin demokratik të shtetit të saj.
5. Që organet kompetente të Republikës së Shqipërisë t’i shqyrtojnë edhe një herë vendimet e të burgosurve politikë dhe që t’i lirojnë më në fund nga burgu. Mendoj se është plotësisht e pakuptimtë të mbahen njerëzit nëpër burgje vetëm për shkak se i takojnë një kohe tjetër. Nëse janë gjykuar se kanë mundur eventualisht që të ndikojnë në lëvizjet politike të kohës së sotme, atëherë për ç’drejtim të atyre lëvizjeve bëhet fjalë vallë, kur një regjim demokratik nuk mund të hapë një diskutim të lirë dhe të përgjegjshëm për çështjet thelbësore të kombit?
6. Shqiptarët e krishterë ortodoksë janë ndër pjesët më të arsimuara të kombit shqiptar. E kanë kishën e vet autoqefale të cilën e ka themeluar shumë i përndershmi Fan Noli. Intelegjencia shqiptare e këtij konfesioni është tejet e ngritur dhe ajo padyshim ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në ndërtimin e kombit shqiptar. Ata kanë të drejtë dhe detyrë që ta artikulojnë disponimin e vërtetë të pjesëtarëve të thjeshtë të bashkësisë së vet fetare që janë ndjerë gjithmonë si shqiptarë dhe jo si grekë, ashtu siç është e drejta e tyre që t’i shprehin lirisht bindjet dhe ndjenjat e tyre nga pozitat e përkatësisë së tyre nacionale në raport me të gjithë popujt tjerë që i përkasin kishës së krishterë lindore. Një gjë e tillë nuk i bën më pak shqiptarë se ç’janë në realitet. Për këtë shkak diskutimet politike midis shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, duhet të lirohen nga mosbesimet në baza të tilla. Shqiptarët janë komb evropian dhe s’mund t’ia lejojnë vetes luksin e të shprehurit në trajtë despotike aziatike.
7. Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht për çfarëdo rregullimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit. Ky bashkim duhet të bëhet në bazë nacionale dhe jo religjioze. Mundësisht me rrugë institucionale. Prandaj njohja edhe de jure dhe konstituimi i plotë i Republikës së Kosovës është një akt me rëndësi të shumëfishtë për zhvilimin e mëtejshëm të situatës në këtë pjesë të Evropës, sepse bashkimi i popullit shqiptar është e drejtë e tij historike, imperativ i kohës, dhe fundja, është fati i tij historik. Popullit shqiptar i duhet të ndeshet me fatin e tij personal politik dhe pa kurrfarë dyshimi, në çfarëdo mënyre qoftë, ai këtë do ta bëjë.
8. Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi që gjendet në qendër të trojeve shqiptare.
Gjykata e Qarkut në Prizren
I pandehuri: (nënshkrimi)
Mr. Ukshin HOTI 29.09.1994

________________________________________

MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2770
***
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2771
***
MBROJTJA E UKSHIN HOTIT PARA TRUPIT GJYKUES SERBË NË PRIZREN – SHTATOR 1994 (III)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2772

*******************************

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura