Wisendangen, 4 mars 2017: … “Ata deputet që nuk e votojnë demarkacionin s’kanë vend në parti!”- tha ditë më parë hiq më pak se kryeministri i Kosovës, zoti. Mustafa.
Po fatkeqësisht, zoti Mustafa mbanë ende të fshehur thellë në nëndijen e vet mënyrën e sundimit klasik të ish kohëve moniste! Kohëve të ish diktatorëve të dikurshëm, si Tempo, Mugosha, Popoviq, Tito, Rankoviq etj. Që nënkuptonte se kush nuk mendon si unë/ne klasa politike në fuqi, është armiku im/ynë, është armiku i klasës!
Nuk është aspak morale, madje shumë e neveritshme që popullit tonë të vuajtur e zhuritur për liri, t’ia kujtoni ato kohë të egra zoti Kryeministër. Ato kohë të dikurshme të diferencimeve ideo-politike, pjesë e së cilave keni qenë edhe ju zoti Mustafa gjatë viteve ’81- ’89-ës. Po sikur tani, edhe atë botë, por në kushte tjera më të volitshme për z. Mustafa, natyrisht mbështetur nga forca e ish pushtuesit Serbo- Jugosllav, klasa politike vasale kërcënonte dhe diferenconte shqiptarët e Kosovës gjithandej se:
Kush është kundër bashkim-vëllazërimit dhe sistemit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë- është armiku ynë, është irredentist rrjedhimisht duhej diferencuar dhe dënuar!
Këto shantazhe e stigamtizime kundër popullit tonë, janë përdorur nga pushtues e grabitqar të tokave tona, pa dyshim ndihmuar dhe mbështetur pa kursim edhe nga disa shqiptarë që atë kohë ishin vasal e shërbëtor të bindur të pushtuesit tonë më të lig që njeh historia e njerëzimit.
Atë botë edhe mund ta kam kuptuar se kemi të bëjmë me armiqtë, pushtues tanë dhe shërbëtorë të tyre. Sot, për mua është e pashpjegueshme; si ka mundësi që ish kuadrot e devotshme të LKJ-ës, të konvertuar në politikan e “atdhetarë të devotshëm”, të vendosin edhe më tej për Kosovën e dërmuar- tani gjoja në emër të liberalizimit të vizave, duke i hequr Kosovës nga një copë toke, për t’i ndarë tokat tona si dikur në mbledhjen e Bujanit, atë të dytë të Prizrenit etj.
Për mua edhe më çoroditës është fakti, se njëjtë po vepron edhe PDK, por në mënyrë më të sofistikuar; me joshje e shantazhe për deputetët e vet, gjeneratë kjo e re në politikë e cila të gjitha këto shantazhe e shtypje, burgje e diferencime dikur i ka përjetuar e bartur mbi kurrizin e vet, pa dyshim së kanë pësuar edhe familjet e tyre!
Tani më duket e tepërt e ulët, dhe shumë naive për t’i kujtuar deputetët e Kuvendit të Kosovës së vota e sovranit i obligon ata, ta mbrojnë sovranitetit dhe integritetin e Kosovës. Kjo është detyra dhe obligimi që kanë marrë nga besimi i qytetarëve, dhe këtu nga ka rrugë të mesme!
Gjatë rrugëtimit tonë të dhimbshëm por krenare nëpër histori, për të bërë shtetin, ka pasur shumë burra që kanë lënë kokën për tokën tonë të shenjtë. Sot sheshet, shkollat, rrugët dhe Institucionet tona mbajnë me krenari emrat e tyre. Nga ana tjetër, deri me sot nuk më ka rastisur të dëgjoj se ndonjë shesh, rrugë, Institucion etj. të mbaj emrin e ndonjë tradhtari si p.sh. E. P. Toptani, apo Rr. Morina etj
Për të qenë të sinqertë me qytetarët tanë, Qeveria e ka obligim të shpjegoj atë që tha zonja Ulerike Lunaçek pas miratimit të raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian, ajo tha:
… “Dy kërkesat e mbetura duhet të përmbushën sa më shpejt nga Kosova. 1). Ratifikimi i Demarkacionit dhe 2). Luftimi i korrupsioni dhe krimit të organizuar!”. Pra, më së e qartë: nuk qenka vetëm ratifikimi i Demarkacionit si i vetmi kusht për të marrë dritën jeshile për vizat, jo, qenka edhe një kusht tjetër siç është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar!
Të supozojmë se demarkacioni kaloj dhe prapë viza nuk ka, jo ngase Evropa po thotë fare qartë: Nuk ka viza pa luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe pikë!
Me të drejt shtrohet pyetja: sa vite do zgjas luftimi i korrupsionit në Kosovë për të përfituar qytetarët tanë lëvizjen e lirë?, madje a ka mundësi që të luftoj i korruptuari të korruptuarin, hajni- hajnin, i paburri të paburrin, intriganti- intrigantin, pushti- pushtin etj.
E gjithë kundërshtia në vazhdimësi, që ishte bërë nga opozita për të penguar formimi e Asociacionit të komunitetit pakicë serb, ishte pikërisht kjo, frika nga formimi i shtetit brenda shteti! kjo që tani po bëhet realitet, madje e pranoi më në fund edhe zoti Demolli- Ministër i FSK-së. i cili tha:
“Pa votën e Listës serbe, nuk mund të bëjmë Ushtrinë e Kosovës, ngase ky komunitet mund të shfrytëzoj të drejtën e votës se dyfishtë për të penguar ndryshimet Kushtetuese!”- ¨z. Ministër e pranoi, por tani është tepër vonë. Në këtë vazhdë shkon edhe mbajtja peng e zotit Haradinaj në Francë. Pa asnjë dyshim, zoti Haradinaj po mbahet peng politik i instruksioneve të konjukturave të caktuara politike në nivel Evropian dhe Ballkanik.
Qeveria e Kosovës dhe koalicioni aktual, Kosovën e kanë futur në hipotekë të pakthyeshme, duhet të reflektojnë seriozisht, madje është e domosdoshme dhe krejt e natyrshëm rënia e saj- kjo rënie nuk është fundi i botës!