DR.ABDULLA MEHMETI: ORA E ZGJIMIT TONË PO TROKET

Tetovë. 1. 10. 2016: Të nderuar banorë të qytetit të Tetovës, Gostivarit dhe vendbanimeve përreth, të gjithë Ju që jeni në Atdhe dhe diasporë, e që ndani shqetësimet me ne, për gjendjen alarmuese të helmimit në rajonin e Pollogut dhe jo vetëm:
Për vite me radhë organet e pushtetit, në nivel lokal dhe qendror, nuk kanë treguar as interesimin më të vogël për zgjidhjen e këtij problemi jetik për banorët rajonit të Pollogut, edhe përkundër reagimeve të shumta, apeleve të ekspertëve, mjekëve dhe sektorit civil, edhe pas organizimit të disa protestave masive nga qytetarët e Tetovës dhe viseve të tjera në Maqedoni.
Jemi të vetëdijshëm se jeni lodhur tepër nga fjalët dhe premtimet boshe, të atyre që janë pushtet dhe atyre që pretendojnë pushtetin në të ardhmen, pa dhënë asnjë provë se si mund të tejkalohet kriza aktuale, pa ndërmarrë asnjë aktivitet konkret për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, të cilët i pretendojnë për votues të vetët në të ardhmen.

Jemi të bindur se ju ka mbërthyer kriza ekonomike dhe politike, ndoshta edhe frika dhe mosbesimi për gjetjen e një zgjidhje të mundshme për tejkalimin e kësaj krize dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet që na rëndojnë, siç është rasti me helmimin në rajonin e Pollogut, i cili me vite të tëra po i ngulfat 500 mijë banorë, pa shpresë se mund të shpëtojnë nga kjo mortajë kolektive.
Megjithatë, jemi të detyruar që për asnjë çast të mos heshtim, të mos gjunjëzohemi dhe dorëzohemi përpara kësaj të fatkeqësie që na ka kapluar, dhe as para fatkeqësive të tjera që mund të na godasin në të ardhmen.
Çfarëdo veprimi konkret, aksion i organizuar, protestë dhe rezistencë ndaj të keqes që po na troket në derë, është rruga e vetme për ta mbrojtur jetën tonë, fatin e fëmijëve dhe familjeve tona, vendlindjen dhe atdheut tonë, të cilat askush nuk ka të drejtë të na i cenojë.
Është obligimi ynë t’i dalim zot vetvetes. Është detyra jonë e shenjtë për ta mbrojtur veten dhe qenien tonë të kërcënuar nga të katër anët, nga krimi i organizuar, korrupsioni, pazaret politike, mashtrimet dhe shantazhet, tortura shpirtërore e fizike ndaj popullatës së pambrojtur.
Prandaj, mos heshtni, por ngrini zërin e protestës, sot, nesër dhe kurdoherë, sepse vetëm ju jeni të zotët e jetës dhe fatit Tuaj.
Kësaj radhe, nuk do të lejojmë që askush të vendosë se si duhet të jetojmë ne, në çfarë mjedisi jetësor, në cilat kushte dhe, cilin helm duhet ta thithim ne dhe fëmijët tanë, që të huajt, hajnat, bandat kriminele dhe pushtuesit e vatrave tona ta kenë interesin më të madh dhe fitimin më të lehtë.
Ora e zgjimit tonë po troket!
Tetovë, 1 tetor 2016

Helmimi i Pollogut, Tetova me rekord të ri në ndotje

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura