MEHMET BISLIMI: EH, MOJ BIJË, SONTE MA VRAVE GJUMIN!

(Zvicër, 14. 12. 2012) – Duke dëgjuar emisionin në Radion-Kosova e lirë me titull: „Letra nga burgu!“ – redaktorja dhe folësja e emisionit atë natë më vrau gjumin! Andaj mendova që edhe titullin e këtij shkrimi ta pagëzoj:“ Eh, moj bijë, sonte ma vrave gjumin!“…
Gëzon fakti që bijtë e popullit shqiptarë, sot janë kryelartë për gjithë atë që kanë bërë në shërbim të atdheut. Të paktën duhet të jemi krenar me atë që i kemi dhënë vendit dhe popullit tonë të shumëvuajtur, të vetëdijshëm së aspiratat tona shekullore nuk janë realizuar, por pa mëdyshje se për të arritur atje ku aspiron populli ynë, angazhimi atdhetar do të vazhdojë nga brezi që po na pason, deri në konkretizimin e çlirimit dhe bashkimit tonë kombëtar.

Fatkeqësisht, ne po ia bartim këtë barrë gjeneratës që do të na pasoi, ndonëse kjo barrë është ca më e lehtësuar, prapë se prapë do punë dhe përpjekje shumë serioze, do këmbëngulje dhe përkushtim! Është krenari të jesh ballëlartë dhe pikërisht kjo na ka mbajtur gjallë, na ka ushqyer dhe na ka dhënë shtytje që të veprojmë denjësisht në shërbim të atdheut.

Bijtë e nënave shqiptare, duke kaluar vite të tëra në për burgje e kazamatet të pushtuesit serb, kanë lënë atje rinin e tyre, kanë lënë atje shëndetin e tyre, gjymtyrët dhe jetën e tyre si dëshmi e një përpjekje historike për liri. Ata ikën me ndjenjën dhe përkushtimin e tyre për ne, ata na e lanë amanet që rruga për të cilën u sakrifikuan të bëhen një ditë realitet. Ata e munden robërinë, munden muret erë myku, i munden ditët e vetmisë, triumfuan dinjitetshëm mbi të zezën robëri, nuk u ankuan as edhe një herë për vuajtjet e tyre, nuk u qanë kurrë për pozitën në të cilën gjenden, madje as sot!… nuk u zmbrapsen kurrë nga qëllimi i tyre final, ani pse kjo iu kushtoi atyre edhe me jetë… ish të dënuarit politik, ishin si një trup, stoik dhe të çeliktë të pa epur e të pa mposhtur, ata lanë nënat, nuset, motrat me duar në gji, ata munguan në sofrën e gëzimit, që për vitet të tëra u shtrua pa praninë e tyre. Të gjitha këto me të vetmin qëllim: Për lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare!
Jeta e burgut, nuk ishte kopsht me lule, brenda mureve të larta, me telin me gjemba përmbi, ku gardianët serbë të mbanin nën tytat e armëve, bëri që ata të ndiheshin edhe më të fortë, pra thënia se “ njeriu në vështirësi njeh peshën dhe fuqinë e vet!”, vërtetë ishte e saktë.
Në burgjet serbe e ish Jugosllave, nënat tona na e sillnin ushqimin dhe bukën të cilën e kishin lagur më shumë me lot sesa me ujë. Vuajtjet e nënave tona të mëdha ne i përjetonim së bashku, hallet dhe brengat e familjeve tona i ndanim së bashku, bukën që nënat, motrat dhe nuset tona na e gatuanin me mall, ne i ndanim së bashku… dhe kjo na bëri më të fortë, më unikë, me të përkushtuar. Sa më shumë që ushtrohej dhuna mbi ne, aq më shumë forcohej bindja jonë në të drejtën e popullit tonë për të jetuar të lirë. Ky ideal na mbajti gjallë, na dha forcë, na dha edhe më shumë motive se; pa liri nuk ka vlerë as jeta!
Të burgosurit politikë nuk u ankuan kurrë për të gjitha ato të liga që pushtuesi na i solli, ata pandalshëm vepruan, duke e përgatitur brezin e ri që një ditë me pushtuesin t’i qërojmë hesapet edhe për mes grykëhollës- dhe ajo ditë u bë realitet, grykëholla e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më tërë fuqinë e saj e tha fjalën e vet!
Në vizitat familjare, që na bëheshin, ne as edhe një herë nuk u ligështuam, nuk u qamë, nuk u ankuam… Të dënuarit politik mbajtën të fshehura thellë në gji vuajtjet e tyre vetëm e vetëm, që nënat dhe baballarët tanë të mos i rëndonim edhe më. Ata, dolën prej andej me nder dhe të pathyer, dolën edhe më të fortë se ç’kishin hyrë, dolën kryelartë e krenarë, këtë nderë e shërbim, ata ia falën atdheut tonë të dashur me gjithë shpirt.
Shumë prej tyre nuk dolën më të gjallë nga ato burgje, si: Gjon Serreçi, Osman Bunjaku, Sadik Rama, Ajet Gërguri, Hilmi Zariqi, Omer Muhaxheri, Fazli Graiqevci, Zija Shemsiu, Xhemaili Berisha, Abedin Bala, Besnik Restelica e shumë të tjerë deri te masakra më makabre e fashiste në Burgun e Dubravës në maj të vitit 1999, që u bë nga policia serbe, ku u ekzekutuan barbarisht rreth 180 shqiptarë duarlidhur!
A s’më thotë dikush, kush u përkul para varreve të tyre dje e sot, kush i kujtoi sinqerisht ata, kush pyeti për ta dje e sot, kush u kujdes për fëmijët e tyre, për sistemimin e tyre, kush u kujdes për statusin e tyre në këtë shoqëri për të cilën ata dhanë kaq shumë?…
Si sot më kujtohet kur letrat që shkruanim të dashurve tanë, para se ato t’i mbyllnim i lexonim më zë, dhe ndonjëri shtonte edhe ndonjë fjalë, ndonjë përshëndetje, ndonjë brengë të pa thënë, dhe po njëjtë, kur letra merrnim nga të dashurit tanë i lexonim ato më zë para shokëve për të lehtësuar sa do pak peshën e gurit të vendlindjes që na rëndonte në zemër.
Ata rezistuan dhe nuk u dhanë para qindra torturave të tmerrshme që UDB-ja ushtronte mbi ta, qëndruan e nuk u dhanë kur ua shkulnin mishin me darë, dhe shokët nuk i jepnin, ata mposhtën frikën dhe egërsinë e hetuesve të UDB-ës, ata mposhtën muret e ftohta, qelitë e errta, betonin e pafund dhe grilat e panumërta. Fatkeqësisht, në mesin e hetuesve, kishte edhe bastardë shqipfolës të cilët as sot nuk i vrau ndërgjegja!
Duke dëgjuar emisionin e “Radio-Kosovës së lirë”, derisa po lexonin letrat e Afrim Zhitisë që i kishte shkruar nga burgu famkeq “Zabela” e Pozharevcit, mu duk sikur po dëgjoja zërin e Afrimit, kur na i lexonte letrat para se t’i fusnim në pliko, dhe ndjenja ime u bë njësh me atë kohë të largët dhe njëkohësisht të afërt. Atë natë e “kalova me Afrimin”, atje… së bashku me kujtesën dhe ndjenjën time përvëluese për shokët, Afrimin, Fadilin e shumë shokë të tjerë… që kishim lënë vite të tëra rinie atje. Atë natë mbi kurrizin e kujtesës, shalova kujtimet e mia deri në mëngjes, atë natë m’u vra gjumi!…
Natyrisht, gjumi u vritet atyre që tërë jetën e vet nuk kanë fjetur, kur ka qenë në pyetje interesi i atdheut, për të tjerët që gjumin nuk kanë vrarë kurrë- kjo nuk vlen, nga se ata i ka vrarë gjumi me kohë! O kohë në ikje, o kohë kujtimesh të rënda por krenare; kur letrat nisnim nga burgu për nënat tona të mëdha, duke ju shkruar:
– “Prindër të dashur, motra, vëllezër, nuse dhe ju fëmijë tanë të vegjël- ne jemi mirë e të fortë!”… Nga se po na mbanë buka shqiptare së bashku me aromën e atdheut që po na e sillni ju nga Kosova jonë e shtrenjtë- ju duam shumë dhe mbahuni të fortë!”…
A ka diçka më humane se të kujtosh e të nderosh të gjithë të përvuajturit, që dhanë shumë për liri të vendit dhe njëkohësisht, a ka diçka më të ligë se të injorosh gjithë këtë përkushtim të bijve të atdheut?!
… Dhe krejt në fund, po ligji për ish të burgosurit politik, nuk kaloj as kësaj radhe në Parlamentin e Kosovës!..
Dhjetor, 2012 – Mehmet BISLIMI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura