ARIF EJUPI: GËZIM ILAZI – NË GARË PËR ASAMBLENË E QYTETIT VERNIER TË GJENEVËS

Gjenevë, 20. 03. 2015 – Gëzim Nexhmedin Ilazi, me rrënjë nga Komogllava e Ferizajit do të garojë më 19 prill të këtij viti për pozitën e këshilltarit komunal në Vernier të Gjenevës. Ky djalosh vetëm 21 vjeçar hyn në jetën politike të këtij vendi mjaft i përgatitur. Ai bënë pjesë në radhën e studentëve të dalluar të Universitetit shtetëror të Gjenevës. Krahas studimeve në fushën e Drejtësisë, Gëzimi, pasion e ka edhe të marrurit me politikë. Për dallim nga rivalët e tij politikë ai ka një bagazh goxha të mirë në këtë fushë, ngase është pjesëmarrës në shumë debate e forume rinore të organizuara në komunën Vernier dhe jashtë saj.
Gëzimi falë punës së palodhshme dhe sistematike në qershorin e sivjetmë do t’i përfundojë studimet e nivelit Bachelor, në fushën e Drejtësisë për të vazhduar menjëherë me ato të shkallës Master.
Ndërkaq dëshirën e kahershme për të qenë aktivë në politikë beson se do ta realizojë nëpërmjet Partisë Socialiste të Gjenevës-Dega Vernier, nga e cila edhe është i nominuar për pozitën e asamblistit. Udhëheqësit e kësaj Partie duke njohur kapacitetet organizative dhe intelektuale të Gëzimit, atë e kanë vendosur si prijatar të listës së qytetit Vernier. Po ashtu elektorati i kësaj Partie dhe militantët e saj janë tejet optimistë se Gëzimi me reputacionin e tij të panjollë do të shënojë fitore bindëse në këto zgjedhje. Ngjashëm mendon edhe vetë Gëzimi i cili kësaj gare do t’i qaset pa zhurmë e publicitet. Ai në pamje i butë dhe jashtëzakonisht miqësor është nga ata njerëz që mund të sjellë përmirësime të dukshme në të gjitha nivelet. Në momentin kur ta krijojë lidhjen e drejtpërdrejtë me Kuvendin e Bashkisë së këtij qyteti me aftësi e guxim ai do t’i denoncojë dhe do t’i luftojë të gjitha parregullsitë dhe situatat problematike të cilësuara si të dëmshme për qytetarinë.

– Gëzim Nexhmedin Ilazi – 

Mjafton që Gëzimin ta takosh vetëm njëherë dhe të kuptosh se ai posedon pjekuri të duhur politike, dhe si i tillë parezervë di ta mbrojë besimin e votuesve. Një nga virtytet që e bëjnë akoma më të dashur e të dëshiruar nga gjithsecili janë: ndershmëria, respekti dhe mirësjellja. Këto cilësi që janë për t’u admiruar ai i shfaq kudo. Këtë edukatë të fituar nga familja e ka lëruar dhe përsosur edhe nga studimi i shumë materialeve me përmbajtje edukative. Këto dije të fituara Gëzimi po i zbaton vendosmërisht dhe me urtësi, duke dhënë kontribut të çmuar në shumë fusha.
Qysh si fëmijë spikati me talentin e tij të rrallë në vallëzim dhe në art skenik. Këtë dukuri të lindur Gëzimi po e manifeston edhe sot me plot sukses në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve “GËZUAR” të Gjenevës. Ai dhe motra e tij Kaltërina,studente e vitit të tretë të Fakultetit të Mjekësisë,këtu në Gjenevë, konsiderohen si kryeprotagonistë të Ansamblit”GËZUAR”. Ndërkaq njohurit teorike të fituara në legjislacion dhe jurisprudencë Gëzimi po i praktikon duke kryer vullnetarisht funksionin e sekretarit në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” Naim Frashëri” të Gjenevës.
Që nga ardhja e tij në këtë pozitë organizimi administrativë ka shënuar reformim të përgjithshëm dhe është vënë në rrugë të stabilizimit dhe të përsosjes së mëtutjeshme. Këtë e vërteton edhe hartimi me përpikëri e profesionalizëm i projekteve dhe programeve të shumta ndërkulturore, me të cilat synohet bashkëpunimi i ndërsjellë dhe njohja me kulturat e të gjitha komuniteteve që jetojnë dhe veprojnë në kantonin e Gjenevës
Kjo ndihmë dhe përkrahje e pakursyer nga ana e këtij të riu në formim e sipër aq sa na bënë krenar aq edhe na obligon që më 19 prill të këtij viti mos të qëndrojmë indiferent por t’i themi – PO – kësaj kandidature të qëlluar e plotësisht të besueshme e cila vije në kohën më të përshtatshme. Me realizimin e kësaj aspirate më së tepërmi fiton qytetari dhe Asambleja e qytetit Vernier, pastaj edhe vetë Gëzimi parimor e me prirje për ndryshime pozitive në favor të qytetarëve.
Ai më përvojën e fituar dhe me vizon e tij krejtësisht të qartë do t’i hap vetes udhë për të konkurruar në një të ardhme jo të largët edhe në organet ekzekutive të Kantonit të Gjenevës, e mbase edhe në ato të Konfederatës zvicerane.

……………………………………………..

NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

ZGJEDHJET KOMUNALE NË KANTONIN E GJENEVËS – 19 PRILL 2015
HAPE: http://www.cageneve.ch/Faqet%20Shqip/sq8.htm
***
Lista e kandidatëve shqiptar që marrin pjesë në zgjedhjet komunale që do të mbahen me 19 prill 2015 në kantonin e Gjenevës
HAPE: http://www.cageneve.ch/Faqet%20Shqip/sq11.htm

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura