MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XI)

Pashtriku, 28 shkurt 2021: Dhembje dhe krenari

O djemtë e Kosovës, / Nënat qysh u qanë? / Kur u mori plumbi / Kush u ndodhej pranë? / Amanet, fushë e Kosovës, / Amanet, të ma kesh djalin! / Ma mori plumbi i mizorit, / Nëna s’di ku e ka varrin. / Këngë e Jugut të Shqipërisë
Duke ju parë juve,
unë bindem se Naseri nuk ka vdekur…

Sipas zakonit, dera e odës së familjes Hajrizi, u hap për ngushëllime. Në hyrje ishte vendosur një tavolinë me portretin e Naserit, rrethuar me lule dhe flamurin sipër tij. Brenda, në ballë të odës, përsëri një fotografi e dëshmorit në kornizë. Sytë prej shqiponje të Naserit, sikur vështronin të ardhurit që nga dera e derisa zinin vend. Njerëzit, vinin nga anë të ndryshme, nëpër rrugë e jashtë tyre, mblidheshin në oborr dhe hynin brenda. Një burrë plak, posa zuri vend, u mbush me frymë, shikoi përreth dhe foli:
Eh, burra, u thyen kalanicat!
Naseri me shokë ia çorën maskën të ashtuquajturit “bashkim-vëllazërim”, vazhdoi një i ri, për ta bërë më të qartë plakun.
Oda u kthye në një log kuvendi, ku bisedohej gati si në mbledhjet e veprimtarëve ilegalë. Zenel Hajrizi e bënte muhabetin fjollë, duke i dhënë orientim të mbarë.
Një ditë Fatimja iu lut Beqirit të vinte edhe ajo në odë.
Ti nuk i mban lotët e na turpëron, moj grua, i tha Beqiri.
Ta jap besën se nuk do të qaj!
As kur qajnë ata që vijnë për ngushëllime?
Kurrë, tha Fatimja e vendosur.
Eja!
Oda mbushej dëng çdo ditë dhe gjithë kohën, nga të gjitha anët e trevave shqiptare nën Jugosllavi.

*
Pas një kohe të gjatë, e cila shkollarëve iu bë një shekull, shkollat u hapën sërish, por nën survejim të rreptë policor. Si kudo edhe në institucionet arsimore e sidomos në arsimimin e lartë, filloi procesi i diferencimit që në praktikë merrte kuptimin e arrestimeve në masë, mohimit të drejtës së shkollimit, përjashtimit nga puna, lëçitjes së familjeve të të burgosurve politikë dhe të dëshmorëve, përçarjes dhe armiqësimit të shqiptarëve me njëri-tjetrin, djegien e librave, si në inkuizicionin mesjetar, prishjen e njëanshme të çdo marrëdhënie me Shqipërinë etj.
Bashkënxënësit e Naserit u mblodhën në mësonjëtore, por, pa Naserin. Në bankën e dytë, ishte vendosur portreti i tij, rrethuar me tufa lulesh trëndafili. Nxënësit e mallëngjyer filluan të dënesin duke shtrënguar nofullat. Kështu ishte edhe në klasën e Asllanit.
Njëri nga profesorët kërkoi të nderohej Naseri me një minutë heshtje. Të gjithë u ngritën në këmbë, nderuan dhe klasa buçiti:
Lavdi!
Profesori foli për Naserin dhe Asllanin, për luftën dhe fitoren, duke i porositur nxënësit të bëhen shëmbëlltyrë e tyre.
Atë ditë nuk u mbajt mësim, por shprehje e dhembjes për kolegun e tyre dëshmor.
Në bankën e Naserit çdo ditë silleshin lule të freskëta.
Një paradite, drejtori i shkollës i tha profesorit të matematikës se do të shkonin bashkë në klasën e dëshmorit. Kur shkuan te dera, drejtori dinak i tha profesorit të hynte i pari. U hap dera dhe nxënësit u ngritën në këmbë. Profesori u tha të uleshin dhe deshi ta prezantonte drejtorin, por ai gjithë pezëm dhe me sytë e akullt, bëri me dorë nga dërrasa e zezë.
Shta ste napisali ovde?
Profesori ktheu kokën pas dhe pa të shkruar me shkronja të mëdha: KOSOVA-REPUBLIKË.
Kush është sot kujdestar? pyeti drejtori.
U ngrit njëri nga nxënësit, por nuk u përgjigj në asnjë pyetje.
Cili është kryetar klase këtu? vazhdoi drejtori.
Askush nuk fliste më.
A ta kopanisim maskarain? i foli me zë të ulët një nxënës kolegut të vet.
Hesht!
Profesor, do të shkojmë bashkë në zyrën time! tha drejtori.
Ju doni ta mbyllim përsëri shkollën, për të mos u kthyer kurrë më nxënësit aty, kurse vetë të përjashtoheni e të kalbeni burgjeve! i tha drejtori ende pa u ulur.
Drejtor, duhet t’i kuptojmë drejt nxënësit, kolegu i tyre është vrarë në orgjinë e përgjakshme; janë të revoltuar…
Ti je avokat, apo profesor? foli me ironi drejtori dhe vazhdoi:
Po me mua ç’keni që më prozhmoni gojë më gojë?
Do ta pësoni mor të mjerë, do ta pësoni rëndë…
*
Nxënësit dhe disa profesorë të shkollës së Naserit e Asllanit vendosën t’u shkonin për ngushëllime familjeve të tyre. Përgjatë rrugës ata i përcillnin disa policë të njësive speciale. Nxënësit i shikuan me neveri dhe filluan të fishkëllejnë. Njëri prej tyre kërkoi t’ia merrnin këngës, nga ato të Naserit. Vajzat e filluan me “Kam qëndisur një shami”, pastaj “Besa-besë”, një tjetër për Skënderbenë…, Bajram Currin, derisa arritën te oborri i shtëpisë.
Ishin shumë dhe në raste të tilla njerëzit priteshin në një hapësirë të madhe me bar, përpara shtëpisë. Shtroheshin në formë kuadranti shilte prej sfungjeri, ku mund të uleshin mbi dyqind veta. Fatimja dhe Beqiri qëndronin në ballë, duke i përshëndetur në këmbë të ardhurit. Vajza dhe djem u renditën në kolonë t’i përqafonin fort prindërit e shokut dhe kolegut të tyre. Lotët u shkonin rrëke, duke i lagur faqet edhe Fatimes kur e përqafonin gjatë. Disa qanin me zë, duke vënë në vaj gjithë të pranishmit. Dy prindërit, sikur t’i kishin harxhuar lotët, nuk u njomeshin sytë.
Duhet të mbaheni të fortë, u tha Beqiri nxënësve dhe profesorëve, sepse Naseri ashtu i donte shoqet e shokët e vet. Sikur ai edhe ju jeni bijtë e bijat e këtij vendi, të gatshëm për çdo sakrificë për të. Duke ju parë juve, unë bindem se Naseri nuk ka vdekur…
Naseri nuk do të vdesë kurrë axha Beqir, foli një nxënës me flokë të bardha, si të ishin të thinjura. Ai na e ka mësuar rrugën e jetës sonë dhe atë rrugë do ta ndjekim me besë… Do të vijë dita kur shkolla jonë ta mbajë emrin e dy dëshmorëve në Kosovën e lirë.
Disa vajza dhe dy profesoresha po qanin me dënesë.
Bijat e mia, djemtë e mi, iu drejtua Fatimja të pranishmëve me zemër të çjerrë, e shoh se e keni dashur Naserin sikur e donim edhe ne, por edhe ai ju ka dashur shumë. Më ka folur shpesh për juve emër për emër. Mësoni, mësoni edhe për Naserin e mbaroni shkollimin, se këtë dëshirë e kishte edhe ai. Ashtu ia plasni zemrën armikut. Unë po ndjehem e lehtësuar sot me juve, po më duket se po e shoh Naserin, këtu midis jush. Sa të mirë jeni! Naseri vetë e zgjodhi me vullnet rrugën e tij dhe e dinte se ajo kërkonte sakrifica. Ne nuk i kemi dalë përpara kurrë, t’ia zëmë rrugën…
Fatimja e shkarkonte barrën e shpirtit kur fliste për Naserin, por edhe përdëllehej sa herë i vinin kolegët e tij ta vizitonin.

*
Të nesërmen, kujdestari i klasës së Naserit dhe ai i klasës së Asllanit u morën në bisedë informative në ambientet e shkollës.
Zyra ishte mbushur plot aktivistë poltronë të partisë, hetues, agjentë dhe një tartakut që e njihte kujdestari i Naserit.
Ju zotërinj (me qëllim nuk u tha “shokë”), dje i keni prirë një marshi protestues, duke prishur qetësinë dhe rendin publik, e hapi bisedën “informative” aktivisti, një mesoburrë i majmur, biçim thesi me lesh.
Ne kemi qenë si çdo ditë në shkollë, por kurrfarë marshi nuk kemi organizuar, tha me qetësi kujdestari i klasës së Naserit.
Ndoshta nuk keni shkuar bashkë askund dje, apo jo? vazhdoi aktivisti duke lëvizur unazat që i flakërinin në gishta.
Kemi shkuar për ngushëllime në familjet e dy nxënësve tanë të vrarë, po.
Kujt i fishkëllenit, kundër kujt i kishit parullat? Unë për herë të parë po dëgjoj të shkojë dikush për ngushëllime duke kënduar! Çfarë këngësh këndonit?
Nxënës janë, të rinj janë, por nuk duhej provokuar me atë trumë policësh të armatosur, si të ndiqnin terroristë!
Mos na thuaj profka, se nuk ta kemi ngenë e qenit, na presin edhe punë të tjera, por duhet ta kuptoni që në dy karrige nuk mund të rrini, për më tepër kur janë shumë larg njëra-tjetrës! tha rreptë aktivisti turispec.
A nuk e dinit që është e ndaluar të vizitohen familjet armike? pyeti me cinizëm hetuesi vramuz, me biçim monstrumi. Mos bëni lojën e strucit tashti.
Ne i kishim nxënës ata dhe i donim si fëmijët tanë, kurrfarë krimi nuk kemi bërë, përse krepatoheni kaq shumë?
U mërzite ti? Pi uthull! Mund të shkojmë poshtë dhe bisedojmë shtruar e me nge, me muaj e me vite, se nuk jeni shenjtorë as ju. Çdo berr varet nga këmbët e veta, tha hetuesi me kërcënim.
Kujtova se jemi në bisedë informative, por ju po na bëni gjyqin.
Po, po edhe gjyqe kemi, mbase mund të përballeni edhe me të, se si trimaç po më dukesh, tha aktivisti. Po ku ju shpie mushka kështu more? Intelektualë jeni, por me mend infantile. Si nuk e kuptoni realitetin? Jam i sigurt që ju nuk i njihni ato familje, as kush janë, as ku e kanë kokën dhe kush i dirigjon, as ku janë të shitur, po shkoni atje si qorrat, sheh yllin e merr pyllin.
Si cjapi te kasapi, e plotësoi hetuesi.
Kjo shoqëri, vazhdoi aktivisti, ju ka shkolluar, ju ka dhënë punë zotnie dhe ju paguan, kurse ju bëheni bukëpërmbysës. E keni kthyer shkollën në çerdhe të nacionalizmit, turp të keni!
Aktivisti gjithë natën kishte qenë në një dafrungë, prandaj gromësinte me refluks herë pas here nga fërliku dhe pijet. Ndjeu gulç në grykë, pastaj piu pak çaj që e kishte përpara.
Turp duhet të keni ju që vini këtu si kapadai dhe na fyeni e inkriminoni, pa asnjë bazë, tha profesori, kësaj radhe me zë më të ngritur.
Paskemi më shumë punë këtu, tha aktivisti kokorosh duke u ngritur në këmbë.
Dolën edhe profesorët.
A e pe sa pushtë janë këta njerëz, ndihen si inkuizitorë, i tha profesori kolegut të vet. Kobure të shitura.
Në aksion janë gjithandej, tha tjetri, edhe Universitetin e kanë bërë tabelë qitjeje…
Atë aktivistin e trashë e njoh unë, si i thonë fjalës, e pi rakinë me këpucë…
*
Viti i trazuar shkollor po mbaronte. Në klasën e Naserit profesorët i mbyllnin notat përfundimisht. Një profesor, ndryshe nga profesorët tjerë, i thërriste me radhë nxënësit, të ngriheshin në këmbë dhe ta vlerësonte përfundimisht.
Naser Hajrizi! lexoi me zë profesori.
Shikoi nxënësit ndër syze dhe pa që askush nuk u ngrit.
Ahë, iu kujtua, ky person nuk ekziston më, u përgjigj vetë.
Nxënësit, të vrarë në shpirt u pezmatuan. Kur mbaroi ora e mësimit biseduan me urrejtje për sjelljen e profesorit qole.
Klasa e Naserit diplomoi, por shokët dhe shoqet e tij, nuk organizuan asnjë veprimtari, asnjë aheng dhe asnjë ekskursion, siç ishte zakon në raste të tilla.
*
Derisa Beqiri ndodhej në odë me mysafirët, dikush i tha se dy të panjohur e prisnin jashtë, të bisedonin diç me të.
Doli jashtë dhe u përshëndet me ta.
Ju jeni Beqir Hajrizi?
Po, unë jam.
Ne jemi nga Sekretariati i Punëve të Brendshme dhe duhet të bisedojmë bashkë, por këtu paske njerëz brenda, më mirë të shkojmë në zyrë.
Siç thatë, kam njerëz dhe nuk mund të vij sot, foli prerë Beqiri.
Kur mund të vish, me vullnet, mbasi sot të munguaka? tha njëri duke fërkuar sytë nga pluhuriza që solli era.
Meqë më pyetët, me vullnet nuk vij kurrë te ju.
Të presim nesër në orën dhjetë…
Beqiri nuk shkoi as të nesërmen, por një ditë tjetër erdhën, u ndërsynuan dhe e morën me vete.
Fillimisht tentuan ta përdhelin, por shpejt hynë në temë:
Beqir, ti je baba i Naserit, pa na thuaj si t’u vra djali?
Këtë pyetje duhet t’jua bëj unë juve, tha ftohtë Beqiri.
Gjeneraliet na i dhe mirë, Beqir, por duam edhe biseda të shkojë mirë. Ne asnjëri këtu nuk ta kemi vrarë djalin, por bashkë duhet ta gjejmë vrasësin. Ju jeni familje e madhe e mund të mos dini krejt çfarë po ndodh me të. Por, desha të të pyes, mos keni ndonjë hasmëri me ndonjë familje.
Beqiri, që ishte zier në lëng çeliku, e kuptoi qëllimin e hetuesve, prandaj u përgjigj qetë:
Meqë bashkë do ta ndajmë hallin, po ju them që këtu kemi një vrasje e një dhembje në një anë dhe një vrasës e një turp, në anën tjetër. Dy të parat i marr unë, por këto të fundit janë tuajat, mos u bishtnoni!
Të thashë që ne nuk e kemi vrarë, Beqir.
Nuk ka rëndësi kush, soji juaj e ka vrarë, se ne nuk jemi as kemi qenë ndonjëherë në armiqësi me asnjë familje. Unë nuk dua të vazhdoj me këtë maskaradë tuajën, përfundoi Beqiri dhe u ngrit i kreshpëruar e doli përjashta…
Sapo shkoi në shtëpi, Beqirin e njoftuan se po vinin për ngushëllime kolegët e tij të punës. Ata në kolonë po hynin një nga një në odë. Njëri prej tyre ishte serb, i cili e kishte parë disa herë Naserin në zyrën e Beqirit. U ndal gatitu para portretit të Naserit, i mallkoi vrasësit dhe duke qarë u drejtua nga të pranishmit në gjuhën e tij: Nuk kam parë bukuri vajze si kjo e këtij djali, po si mund të prishej bre! dhe lotët iu përpoqën te mjekra që po dridhej.
*
Vargu i njerëzve që vinin për ngushëllime nuk kishte të mbaruar; burra, gra, të rinj e të reja, studentë, intelektualë, miq e dashamirës… Mbi tre muaj oda ishte përplot mysafirë.
Pothuajse nga të gjitha fakultetet e Universitetit erdhën radhë-radhe studentë, por edhe profesorë për ngushëllime. Një nga profesorët me disa studentë trokitën në derë në orët e vona, kur kishte rënë terri.
A jemi vonë? pyeti ai që printe.
Jo, jo, urdhëroni brenda.
Bënë homazh para portretit të Naserit dhe zunë vend.
Kolegët janë absolventë të gjuhës dhe letërsisë shqiptare, kurse unë jam pedagog në degën ku studiojnë, bëri prezantimin profesori.
Erdhëm me dëshirën që të solidarizohemi me ju në dhembjen që keni. Është vonë, por jemi të detyruar të bëjmë kujdes, tha, se po na ndjekin këmbë-këmbës. Një fushatë e egër po ushtrohet ndaj arsimit në përgjithësi dhe ndaj Universitetit në veçanti. Me diferencimin politik dhe ideologjik, që po e bëjnë në stil të gjerë çdo ditë, më zi se më 1948, ata duan të na poshtërojnë, të na thyejnë dhe të na përçajnë e të na dëbojnë nga procesi arsimor, duke spastruar institucionet. Universiteti u mbyll dhe nuk dihet nëse do të hapet në vjeshtë. Disa profesorë janë arrestuar dhe më shumë janë pushuar nga puna. Librat shkencorë, kultura shqiptare, letërsia, arti, këngët, filmat dhe çdo vlerë jona, janë shpallur “rrezik shtetëror”, sikur edhe ndërgjegjja kombëtare shqiptare. Thonë se do ta hallakatin Universitetin nëpër lokalitete tjera. Vitin e ardhshëm akademik do të regjistrohen 20 për qind më pak studentë. Për më tepër, ata do t’i nënshtrohen një provimi të padëgjuar të kualifikimit politik!
Autoritetet druajnë se kriza në Kosovë do të jetë e përhershme. Shqiptarët në Slloveni tentuan të organizojnë demonstratë në Lubjanë, por i ndaluan forcat policore. Në Evropë e deri në SHBA, mërgimtarët po organizojnë demonstrata të fuqishme, duke u solidarizuar me kryengritësit në Kosovë. Thonë se në ballë të tyre janë Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla, veprimtarë të shquar të lirisë. Kanë kaluar tre muaj nga Kryengritja, por dje thanë se i sollën edhe 30.000 forca shtesë policore dhe ushtarake. Ministri serb i informacionit paska thënë se lufta në Kosovë do të vazhdojë në dy drejtime: me dënime drakoniane dhe spastrim të organeve të pushtetit e të partisë. Politikën e dorës së fortë po e ndjek, si Rankoviqi edhe ministri jugosllav i rendit, Hrljeviq.
Reagimi i Shqipërisë zyrtare ishte paksa me vonesë, por shumë i fortë dhe i guximshëm. Shqipëria ua çori maskën jugosllavëve, ia hoqi gjethin e fikut propagandës titiste. Jua them që pa këtë përgjigje, mbase do të shpallej përsëri administrimi ushtarak në Kosovë dhe askush nuk mund të parashikonte bilancin përfundimtar të tij. Por, Tirana u kërcënua, jo vetëm me forcën e argumentit, por edhe me argumentin e forcës, duke thënë se edhe ajo di të flasë me këtë gjuhë.
Profesori hodhi shikimin nga studentët dhe të pranishmit, sikur të peshonte efektin e fjalëve që thoshte dhe vazhdoi:
Në anën tjetër, ne patëm edhe mbështetje dhe solidaritet të gjerë ndërkombëtar. Në organet e shtypit, në radio e televizion, në agjencitë kombëtare të lajmeve të vendeve të ndryshme, si Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Italia, Turqia, Austria, Suedia, Danimarka, Greqia, Spanja, Portugalia, Kanadaja, Meksika e deri te Zelanda e Re, u shkrua dhe u fol kundër politikës jugosllave ndaj shqiptarëve, duke i mbështetur kërkesat tona. I kam ndjekur të përmbledhura këto qëndrime në RTSH, shumica prej të cilave pasqyrojnë politikën zyrtare të vendeve përkatëse. Po i përmend vetëm disa nga këto mjete prestigjioze informimi, si “Nju Jork Tajms”, “Gardian”, ROJTER, “Ekonomist”, “Frankfurter Algemajne Cajtung”, “Figaro”, “Koriera de la sera”, “Le kotidien de Paris”, AFP, “Le kotidien Rome Alpe”, “Noje Cait”, “Svenska dagbladet”, “Xhumhuriet”, “The Times”, “Zyddojçe Cajtung”, “Berliner Morgenpost”, Radio Rias, “Der Tagesshpigel”, “Der Shpigel”, “Sud Kurier”, “Nyrnberger Nahriten”, “Noje Kronencajtung”, “A.C.Tagblatt fyr Ësterajh”, “Di Prese”, “Kurir”, “Republika”, “Boston Globe”, “Herald Tribjun”, “Njuz Herald”, “Krisçën sajëns monitër”, “Le Zhurnal”, “Internejshenell dejli njuz”, “Bashkent”, “Devrim”, “Hyrjet”, “Baresh”, “Apojevmatini”, “Di velt”, “Dages Nyheter”, “To Vima”, Buletini i Agjencisë së lajmeve të Greqisë, Radio Athina, “Il Manifesto”, “Tempus”, “Avui”, “Socialistik daglad”, “Aftenbladet”, “Noje Zyriher Cajtung”, Radio Berlini Perëndimor, “L’Umanita”, “Vanguardia Obrera”, “Roter Morgen”, “Pipëlls Kanada Dejli Njuz”, “Pipëlls Vois”, e të tjera që nuk po më kujtohen. Ndonëse është ndaluar hyrja e gazetarëve të huaj dhe e turistëve në Kosovë, në këto gazeta, radio e agjenci, gjendja në Kosovë paraqitet objektivisht, deri në detaje. Demonstratat cilësohen paqësore, por që u shtypën me dhunë policore e ushtarake, me tanke të dërguara nga Beogradi. Në Kosovën e izoluar, të cilën e emërtojnë si “shtëpi e të vërfërve”, thuhet se ushtrohet shfrytëzim kolonial dhe terror i egër. Dy shkaqe kryesore, thonë, bënë që të shpërthente revolta popullore: gjendja e rëndë ekonomike dhe çështja historike e pazgjidhur ndonjëherë e Kosovës. Vetëm shkaqe të tilla madhore mund ta zgjonin në këmbë një popull të tërë. Brenda 1 dhe 4 prillit asnjë zonë në Kosovë nuk ka mbetur pa organizuar demonstrata. Kështu shkruajnë gazetat e huaja. Ato e gjejnë plotësisht të drejtë kërkesën për republikë, të cilën populli e bëri në rrugë, sepse zyrtarët nuk e bënë në institucione. Statusi kolonial i Kosovës argumentohet me prapambetjen dhe krizën e thellë ekonomike, me grabitjen e fitimeve të eksportit, me shfrytëzimin e lëndëve të para të krahinës, me papunësinë, kushtet e rënda të jetës, nivelin e ulët të të ardhurave, me emigracionin e detyrueshëm ekonomik, me diskriminimin e hapur politik, ekonomik e shoqëror, me përndjekjen e represionin mbi një popull të tërë, me dëbimin e gjysmë milioni të shqiptarëve në Turqi, me punët përbuzëse që bëjnë shqiptarët e hallakatur nëpër Serbi, me mohimin e të drejtave elementare dhe legjitime kombëtare e demokratike etj. Më bëri përshtypje sa mirë e ka kuptuar bota shpirtin bizantin të serbëve. Në përpjekje për të armiqësuar Greqinë me Shqipërinë, por edhe për ta kthyer në shërbim të qëllimeve të saj këtë vend që po i afirmon të drejtat tona, diplomacia e Beogradit po futë spica midis marrëdhënieve të mira të dy fqinjëve, shqiptarë dhe grekë.
Korrespondentët e huaj ankohen se informacionet nga Kosova vijnë vetëm nëpërmjet të filtrit të deklaratave të zyrtarëve. Megjithatë ata japin tablo reale të Kosovës së zymtë, me muret e shtëpive të bëra shoshë nga plumbat, me kordonë tankesh që rrethojnë qytetet e pajetë dhe me dispozitivin e paparë të sigurimit të pranishëm gjithandej. Në këtë përmbledhje jepen edhe analiza të thella mbi bazën e fakteve të pamohueshme. Tensionin e krijuar brenda, Jugosllavia dëshiron ta shkarkojë jashtë, thuhen në njërën prej tyre, duke komentuar fajin që i hedh Jugosllavia Shqipërisë për demonstratat në Kosovë. Është më lehtë të gjesh një djall të jashtëm sesa të pranosh një kalbëzim të brendshëm. Në esencë, thuhet aty, gjendja e Kosovës nuk ka ndryshuar as pas vitit 1974, sepse ajo mbeti një provincë e varur nga Republika e Serbisë. Shtypi i huaj konstaton indinjatën e thellë që shkaktoi në gjithë opinionin publik botëror terrori i pashembullt që ushtroi udhëheqja jugosllave në gjithë krahinën e Kosovës. Me të drejtë, korrespondenti i shquar gjerman, Viktor Mejer, thotë se kurrkush nuk mund të mos mendojë se pas ngjarjeve në Kosovë, Jugosllavia nuk është më ajo që ishte.
Asgjëmangut nuk ka lënë as shtypi klandestin i Kosovës. Gazeta „Liria“ nuk ka të ndalur. Ajo po shpërndahet gjerësisht dorë më dorë. Aty na bëjnë thirrje të qëndrojmë në të drejtën tonë. Lëvizjen Kombëtare Shqiptare nuk po mund ta ndalojnë, as që do të arrijnë ndonjëherë. Duke mohuar republikën, shovinistët s’bëjnë tjetër, veçse e frymëzojnë ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia.
Ju keni dhënë birin tuaj të shtrenjtë, por ju siguroj që pa gjakun e tij dhe të dëshmorëve tjerë të kësaj pranvere, nuk do ta kishte gjithë këtë jehonë në botë lufta jonë për liri. Vëmendja e botës nga Polonia, u fokusua në Kosovë…Vështirë do ta kemi, por as këta nuk do të kalojnë lehtë. Më falni se e zgjata dhe ora shkoi vonë.
Zeneli gjithë kohën e mbante dorën e hapur te veshi, për të kapur më mirë ato që thuheshin.
Ti profesor a student je? pyeti me ngazëllim.
Po, po, profesor kishe.
Të lumtë goja! Kësi profesorë na duhen sot.
Mysafirët u ngritën, duke u përshëndetur përzemërsisht dhe shkuan nëpër terrin e natës.
Zeqë, tha Zeneli, ti e njohte atë profesorin? se të përshëndeti ndryshe.
Po, po, njihemi gjatë, tha shkurt Zeqiri.
*
Beqiri kishte vënë kontakt me familjen e Asllan Pirevës, të cilët gjithashtu, prisnin e përcillnin shumë njerëz.
Një pasdite erdhën për ngushëllime familja e Asllanit, në krye me babain e tij, Shahinin. Shahini ishte në moshë, por mbahej burrërisht. Një plak i urtë dhe i heshtur. Ai e rikujtoi paralajmërimin që i kishte bërë agjenti për Asllanin, para se ky të vritej, por unë, tha, nuk u mora me të, sepse djali nuk ishte i vogël dhe e dinte rrugën e vet më mirë se unë.
Edhe familja Hajrizi vajti për ngushëllime te të Asllanit, duke vazhduar vajtje-ardhjet në vitet vijuese.
Ne e kemi dhembjen e përbashkët, thoshte xha Shahini.
*
Fatimja kishte dëshirë ta shihte në ëndërr Naserin, por fytyra e tij nuk i fanitej.
Një natë patën mysafirë në familje dhe ranë të pushojnë vonë. Fatimja e kishte prishur orarin, prandaj nuk e zinte gjumi. Dikush nga mysafiret kishte përmendur dasmën e të birit të vet, që do të bëhej shpejt. Fatimes i sillej në mendje, duke e therur në shpirt…
Në orët e vona të pasmesnatës, iu rënduan qepallat dhe mbylli sytë…
Ishte në oborr nën hije të blirit, duke qëruar patatet për gjellën e drekës. Befas erdhën tre veta. Njëri gjithë gaz, duke u afruar përsëriste: Erdhi Naseri, erdhi Naseri!
Fatimja u drodh nga ndjenjat e papritura. Derisa po i shikonte të ardhurit, thika dhe patatja i ranë në enën plastike. Ai që foli, duke bërë me dorë nga personi që rrinte pas tij i nemitur, vazhdoi: Ky është Naseri. Nuk ka vdekur; e mbajtën në burg dhe sot arriti të kthehet në shtëpi.
Fatimja deshi të ngrihej, por nuk i bënë këmbët. Ashtu, si uloke e gozhduar, shikonte atë që ia prezantuan. Figura kishte fytyrë si të vrarë lie dhe dukej më i moshuar nga Naseri. Flokët me thinja ishin përzier me kokrra dheu të kuq, sikur ai i arave të Gradicës. Iu duk krijesë krejt e shpërfytyruar. Prapa tij qëndronte një vajzë e bukur me vello të bardhë, stolisur gjithë ar vezullues. Mbi kokë mbante kapelë, rreth e rrotull me gurë xhevahiri.
Ky nuk është Naseri, tha Fatimja. Naserin e kanë vrarë. Ai ishte i hijshëm, nuk i kishte këto muliçka dhe flokët ia kemi krehur para se ta varrosnim, ashtu siç i mbante vetë. Po kjo kush është?
Mauthi, tha shoqëruesi, paçin mbrothësi!
Përse nuk flet ky? pyeti Fatimja, ende e pasigurt.
Figura nisi të thotë diçka, por Fatimja nuk e kuptonte.
Naser, a je ti, djali im? S’po të marr vesh gjë, dhe shpërtheu në vaj me zë. Personi tjetër iu afrua duke i folur qartë:
Nëna Fatime, mos qaj se e dëshpëron birin tënd, Fatime! Fatime!…
Fatimja u ndërmend dhe i çeli sytë.
Fatime! Fatime! vazhdonte të thërriste Beqiri në shtrat, pranë saj.
Hë, bëri Fatimja duke u përpjekur të orientohej. Nata ishte sterrë në dhomë.
Ti po qan, çfarë ke? E pyeti Beqiri, duke e tundur për krahu. Zgjohu se po e hap dritën!
Asaj iu përvdirën sytë.
Asgjë, asgjë, tha Fatimja dhe iu hodh në gjoks Beqirit. Pashë një ëndërr…
Ajo lëvizi këmbët të verifikonte në i punonin apo ishte vetëm në ëndërr paraliza…
*
Të nesërmen erdhën dy bashkëveprimtarë të Naserit dhe e kërkuan stemën që e kishte punuar ai, për ta dërguar në Muzeun Historik në Tiranë. Fatimja hezitoi në fillim, por ua dha…
Në diçiturën nën Stemën e vendosur në Muze, shkruante:
“Stemë e punuar nga dëshmori Naser Hajrizi, rënë në demonstratat në Kosovë, më 1981.”
– VIJON –
______________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (X)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10936

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura