MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XIX)

Pashtriku, 12 mars 2021: Kujtime të bashkënxënësve dhe shokëve
1. Sylë LOSHI (shok klase dhe banke i Naserit)
Pata fatin ta njihja së afërmi Naser Hajrizin dhe ta kem shok të ngushtë. Ne shoqëroheshim shumë, jo vetëm në shkollë, por shkonim edhe në familje të njëri-tjetrit. Kemi pasur raste të kalojmë net të tëra në odën e tyre. Prej prindërve dhe xhaxhallarëve të tij kam mësuar shumë. Këto mësime u mundova t’ua shpërndaja shokëve dhe t’u tregoja se cila është rruga e drejtë e luftës kundër regjimit të atëhershëm.

Më kujtohet kur shkova një mbrëmje te ai dhe ishim vetëm në odë të burrave. Naseri filloi të m’i tregonte disa gazeta, si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” etj. Lexonim me kureshtje dhe mësonim për Shqipërinë dhe zhvillimet atje.
Naseri ka pasur aftësi të pikturonte, ka pasur aftësi për punë dore… Këngën e kishte pasion. Ai këndonte bukur, me një zë shumë të ëmbël. Kur ia thoshte ai këngës….janë kujtime shumë…shumë…
Më kujtohet kur pata një bisedë informative te sekretari i shkollës me një inspektor të sigurimit për çështjen e disa parullave në konvikt. Më mbajti gjatë, prandaj Naseri ishte shqetësuar, çfarë do të bëhej me mua. Pasi u ktheva, më pyeti dhe i tregova bisedën që si duket mbaroi me aq. Naseri aq ishte trim, sa nga gëzimi ia filloi këngës me zë të lartë “… sup më sup jem lidhë si malet, vrulli ynë nuk mund të ndalet…” Ndërkohë, hyri profesori, Gani Deliu. E dëgjoi këngën deri në fund dhe tha: “uluni, uluni!” Nuk deshi ta bëjë të madhe.
Në demonstratën e 2 prillit, pasi na shpërndanë, kemi shkuar në drejtime të ndryshme. Në drejtim të Mensës së studentëve, mua më plagosën dhe u shtriva në spital. S’isha ra në spital, po kisha dhimbje të mëdha dhe e kam humbur vetëdijen disa herë.
Atje mësova për rënien e Naserit. Ishte një moment shumë i rëndë. Le që humbëm një shok të bankës e të klasës, po e humbëm një luftëtar të lirisë, i cili me siguri po të ishte sot në mesin tonë, do të kishte arritur shumë.
Vizita e parë në familjen e Naserit, pas rënies së tij, ka qenë shumë e rëndë. Kur i vizitova prindërit, ishte moment shumë i vështirë për mua, sepse e kisha parasysh dhembjen që e ndien nëna kur të më sheh mua, shokun e të birit…
Nga intervista dhënë autorit, shkurt 2017, Gjermani.

 

Naser Hajrizi në mesin e shokëve të shkollës

***
2. Bajram HASHANI (bashkënxënës)

Më 2 prill ishim në demonstratë para teatrit, por na shpërndanë. Duke shkuar pranë Shtëpisë së Mallrave nëpër një rrugë të ngushtë që dilte në sheshin prapa saj, krismat janë dëgjuar nga të gjitha anët. Nga plumbat që qëllonin murin, pjesë të materialit ndërtimor na kanë rënë mbi kokë. I vendosnim duart mbi kokë dhe vraponim drejt sheshit. Ishim të rinj, maturantë, por frika po humbte në ato momente. Dolëm në shesh dhe aty i kemi parë si ranë dy shokët tanë të shkollës, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. E kemi dëgjuar një njeri me plis të bardhë duke thirrur. U afruam unë, Enver Konjuhi dhe Muharrem Ibrahimi, nëse nuk ia gaboj mbiemrin. Ndërkohë, ka ardhur me veturë një njeri me mantel të bardhë. I vendosëm brenda dy shokët e qëlluar dhe bashkë me një shoqërues tjetër u nisën për në spital.
Kanë qenë momente me të vërtetë të rënda…
Në familje mbahej qëndrim burrëror dhe pritje dinjitoze. Më kujtohet kur nëna e Naserit shprehej me këto fjalë: “Unë ju kam juve si Naserin tim”. Pas kaq vitesh, po ndihem i emocionuar… Koha ishte e tillë…
Falë sakrificës së popullit, gjakut të dëshmorëve dhe Ushtrisë Çlirimtare, jemi sot me këtë shtet të lirë, në Kosovën e pavarur.
Kur jemi kthyer në shkollë, se mësimi ka qenë i ndërprerë, në bankën ku ka qenë Naseri ulur, ishin vendosur lule. Ajo ndjenjë ka qenë pikëlluese, ka qenë e rëndë; klasa në heshtje, duke qarë… Ishte një dhimbje e papërshkrueshme… Ajo bankë ka mbetur e zbrazët, pa u ulur askush, derisa e kemi përfunduar mësimin atë vit.
Nga intervista dhënë autorit, shkurt 2017, Kastriot.
***
3. Xhevahire TAHIRI (bashkënxënëse)

Me Naserin jam njohur që në vitin e parë të shkollës së mesme, kur ishim në të njëjtën klasë.
Ka shumë kohë që nuk jetoj në Kosovë, por kam përshtypjen që në mërgim po ndalej ora. Kujtimet për Naserin i kam aq të freskëta, sikur ngjarjet të kishin ndodhur një ditë më parë.
Të flasësh për Naserin është shumë e vështirë, se nuk mund t’i gjesh fjalët e duhura ta paraqitësh si njeri, nxënës e si shok. Koha na ka pjekur atëherë të gjithëve më herët, por Naseri ka qenë më i pjekur se të gjithë ne të tjerët. Kjo vërehej te ai edhe në stilin e veshjes, stilin e sjelljes, në karakterin dhe kulturën e tij. Por siç po dihet tashti, ai e kishte edhe familjen të tillë. Fillimin e veprimtarisë, celulat e para i kishte atje, prandaj kërkonte njerëz që ta zgjeronte rrethin.
Me mua Naseri bisedonte seriozisht, por nuk m’i ka rrëfyer të gjitha. Secili ishim të ndikuar nga më të rriturit në familje, por as ai as unë nuk i shpalosnim deri në fund. Megjithatë, e shihja aktivitetin e tij. Shpesh sillte fletushka të ndryshme në klasë. Zakonisht ai ka qenë ulur me Sylë Loshin dhe Enver Krasniqin në një bankë, në bankën e dytë. Gjatë pushimeve të gjata, ose kur humbnim ndonjë orë, uleshim në fund të bankave. Më thërriste, “Xhevë, eja!”- e m’i shfletonte fshehurazi revistat dhe librat, se ishin të ndaluara. Një herë e solli një gazetë të Tiranës, ishte “Zëri i Popullit”. Në jetën time për herë të parë shihja gazetë aq të madhe! Ishim mësuar me “Rilindjen” tonë standarde, por ajo kishte format shumë të madh. Më kujtohet kur në një rast i thashë: “Naser, ke kujdes!” Përgjigje nuk më ktheu, por vetëm qeshi dhe e lëvizi kokën. Ai ka qenë i bindur dhe i dhënë pas ideve të veta, me guxim e sakrificë.
Më 2 prill ishte ditë e enjte, kur u vra Naseri. Në atë kohë nuk kishte telefona celularë, por vetëm fiks, madje shumë rrallë. Lajmi i keq shpërndahet shumë shpejt. Morëm vesh për vrasjen, por nuk donim të besonim që ishte e vërtetë…
U shpall ora policore, u ndalua mësimi, nuk më kujtohet për sa kohë, por filloi përsëri. Më kujtohet mirë e nuk e harroj kurrë ditën kur e rifilluam mësimin. Është e rëndë të kujtohet ajo ditë. Aty ku është Gjimnazi “Sami Frashëri” e pritëm autobusin të shkonim lart te shkolla jonë. Ishte autobus i gjatë, me “harmonikë” në mes, përplot me nxënës, por mizën mund ta dëgjoje brenda. Askush nuk fliste, qetësi varri ishte. Të gjithë kishim një shpresë, se ndoshta kur të shkonim në klasë, do të vinte edhe Naseri; nuk ka ndodhur më e keqja. Por, ajo ishte vetëm dëshirë dhe ëndërr jona. Kur kemi hyrë në klasë, banka e dytë ka qenë e zbrazur, por me një tufë lulesh sipër. Naseri ishte vrarë… Sylë Loshi i plagosur në spital… Në paralelen tjetër ishte vrarë edhe Asllan Pireva. Qetësi absolute. Nuk kam fjalë ta përshkruaj gjendjen që u krijua në klasë.
Kanë ardhur profesorët tanë, por edhe të klasave tjera, të na ngushëllojnë. Kush ishte pak më i fortë mundohej të na thoshte diçka, disa fjalë, por edhe ata e kishin shumë vështirë ta përballonin.
Ruaj edhe një kujtim të keq nga një profesor. Po mbylleshin notat. Naserit ia mbyllnin ashtu si i kishte pasur. Naseri ka qenë nxënës i mirë. Ky profesori, kur erdhi te emri i Naserit, i mëshoi vijë të kuqe dhe tha: “Ky person nuk ekziston më!” Atë rast kurrë nuk e harroj, se pat ndikuar shumë keq te unë, por edhe te të gjithë të tjerët. E rëndë, shumë e rëndë…
Ishim maturantë. Zakonisht në atë kohë organizoheshin ekskursione dhe mendohej për mbrëmje të maturës. Ato u zhdukën për neve…
Më kujtohet kur vendosëm të shkojmë t’i vizitojmë prindërit e Naserit. Kemi shkuar disa klasë bashkë, mirëpo tërë kohën përcilleshim nga policia. Të rinj ishim dhe në shenjë proteste ose fishkëllenim, ose këndonim. Kur kemi mbërri te familja e Naserit, na kanë pritur të dy prindërit. Është për mburrje si janë mbajtur ata para nesh. Ata na kanë ngushëlluar neve, kurse ne kishim shkuar t’i ngushëllonim.
Një shokut të klasës i vdiq babai. Vendosëm të shkonim në varrim, por qëllimi ishte më shumë që ta shihnim varrin e Naserit. Kërkuam nëpër varreza, por nuk e gjetëm… Kur m’u ka dhënë rasti, kam shkuar te varrezat, e kam kërkuar dhe e kam gjetur vetë varrin e Naserit…
Për ta përshkruar karakterin e Naserit është punë e vështirë. Zakonisht njerëzit flasin mirë për atë që vdes, por ai vërtet ka qenë një djalë i sinqertë, i drejtë dhe shumë i pjekur. Edhe veshjen e ka pasur serioze, ka qenë shumë pedant. Atë nuk mund ta shihje me veshje të çoroditur të asaj kohe. Ai kishte një bukuri të paparë. Sikur në dukje edhe në shpirt ka qenë njeri me të gjitha tiparet dhe virtytet e larta. Në një bisedë të lirë e pyeta: “Naser, më thuaj e ke pasur ndonjëherë shoqe të zemrës?” “Jo”, tha. “Edhe këta që po flasin, krejt po gënjejnë, se s’kanë asnjëri të dashur!”
Është kohë e gjatë, një jetë e tërë prej kur ai ka rënë, por të mbeten kujtimet ashtu të freskëta, ndodh vetëm kur njeriu ka vlerë të madhe, e ai e ka pasur… E kishte hobi këngën dhe këndonte shumë bukur. I thosha, “Naser, nisja këngës!” Këngët e tij ishin të panjohura për shumëkënd, sepse ishin të Shqipërisë. Ishin me tekste tjera nga ato që dëgjoheshin te ne. Ndonjëherë këndonin bashkë me Sylë Loshin dhe Enver Krasniqin, duke mbajtur hapur dritaren e klasës që të dëgjohej kënga gjithandej.
Edhe pse nuk jetoj në Kosovë, me vete i kam fotografitë e kohës, i shikoj dhe ma kthejnë kujtesën në atë kohë.. Secila gjeneratë i ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne si klasë kemi qenë shumë të lidhur, sepse kishim një qëllim të drejtë. Nuk kemi qenë të djallëzuar. Çfarë kishim e ndanim bashkë. Dikush ka qenë më i guximshëm e dikush më pak, por secili në mënyrën e vet është munduar ta japë kontributin e vet.
Çfarë të them në fund? Naserin e kanë vrarë…, por Naseri nuk ka vdekur. Ai është gjithmonë në kujtimet dhe zemrat e njerëzve të afërm të tij dhe atyre që e patën atë mundësi, atë privilegj ta njihnin, e ka shumë të tillë… Prindërit e tij, në momentet më të vështira kanë qenë shumë të fortë, e tashti besoj të jenë edhe më të fortë, se duhet të jenë krenarë për birin e tyre.
Ajo kohë ishte histori më vete, prandaj gjeneratat e reja duhet ta mësojnë. Dashtë zoti të mos përsëritet më!
Nga intervista, dhënë autorit, shkurt 2017, Gjermani.
***
4. Enver KRASNIQI (shok klase dhe banke i Naserit)

Me Naser Hajrizin jam njohur në vitin e tretë të shkollës së mesme. U afruam shpejt me njëri-tjetrin dhe që nga atëherë jemi ulur bashkë në një bankë, Naseri, Sylë Loshi dhe unë.
Ne të tre këndonim bashkë edhe në klasë. Ka ndodhur që Naseri ta merrte me vete çiftelinë, me të cilën këndonim këngë të mësuara nga Radio-Televizioni Shqiptar. Një rast në Qendrën e Rinisë në Prishtinë, atëherë quhej „Boro e Ramizi“, organizohej një aktivitet kulturor. Shkuam bashkë të tretë. Derisa po hynin njerëzit në sallë, ne ia morëm këngës që i kënaqi të pranishmit.
Naseri ka qenë shok i mirë. Disa herë ka ardhur në familjen time, ku vazhdonim bisedën deri në orët e vona. Bisedonim për gjendjen në Kosovë. Naseri siguronte libra dhe revista të ndaluara, të cilat i lexonim me një frymë. Ai ma pat dhuruar një flamur të vogël kuqezi (distinktiv). Një ditë më tha se kishte kërkuar nga një ndërmarrje libri në Beograd, „Jugoslovenska Knjiga“ që t’ia bënin të mundur abonimin në revistën e Tiranës „Shqipëria e Re“. I thashë, kot e ke kërkuar se nuk ta mundësojnë. Dhe vërtetë pas një kohe mori përgjigje negative. Ne ishim një grup shokësh të shoqëruar, me Naserin, Sylë Loshin, Ilaz Hajrizin e Hashim Ramën nga Hajvalia, Afrim Ramën etj., por Naseri ishte i lidhur më shumë me Asllan Pirevën, i cili mësonte në një paralele tjetër të shkollës sonë.
Gjatë demonstratave të vitit 1981, kemi qenë bashkë në mënyrë të organizuar. Më 1 prill, me Naserin, Asllanin etj., kemi qenë në demonstratë para Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Në mbrëmje vonë, me Naserin jam ndarë te lagjja „Kacallarët“.
Naseri e donte Natyrën dhe takoheshim shpesh në Gërmi dhe Tokë Bahçe. Njëherë shkuam bashkë, Naseri, Asllani dhe unë në Liqenin e Badofcit, afër Prishtinës. Në ujë, afër një shkëmbi të madh, pamë një gjarpër të ujit, sa dora i trashë. Ata dy u futën në ujë, por unë nuk kisha guxim. Naseri notonte më mirë nga ne.
Nga intervista dhënë autorit, tetor 2018, Prishtinë.
***
5. Sahit HALIMI (bashkënxënës)

Naseri ka qenë një shok i buzëqeshur, gazmor, i çiltër, i dashur e i afërt me të gjithë. Nuk mbaj mend të jetë ngatërruar me ndokënd ndonjëherë.
Që nga viti i tretë i shkollës, ai na sillte fletushka nga Shqipëria. Mbaj mend një prej tyre që ishte në kolor dhe shkruante për industrinë në Elbasan. E shikuam të gjithë me interesim të jashtëzakonshëm.
Naseri me Sylë Loshin dhe Enver Krasniqin, gjatë pushimeve të gjata, hapnin dritaren e klasës dhe këndonin këngë. Më kujtohet kënga „Elbasan i bukur Elbasan“…
Naseri na tregoi njëherë si ishte bastisur nga policia tërë familja e gjerë e tij dhe ishin arrestuar disa pjesëtarë të saj.
Në orën e parë të mësimit, pas vrasjes së Naserit, e gjithë klasa ishte në lot. Hyri profesori ynë, Skënder Sejdiu. Kërkoi që të bëjmë nderim për dëshmorët, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva me një minutë heshtje. Të gjithë u ngritëm në këmbë për një minutë homazh. Profesori, Skënder Sejdiu na foli për dy dëshmorët e shkollës sonë, duke thënë se këta janë lulet e para të lirisë që do të vijë. Ne duhet të vazhdojmë rrugën e tyre deri në përmbushjen e amanetit që na lanë.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.
***
6. Fadil BESELICA (bashkënxënës)

Asllan Pireva, Afrim Kalaja dhe unë ishim shokë të klasës, por edhe jetonim në të njëjtën lagje. Muajt e fundit Asllani ishte mjaft i tërhequr. Me Naserin kishin vepruar në mënyrë ilegale. Ne jemi shoqëruar me ta, por nuk e kemi ditur që po punonin ilegalisht.
Natën e 1 prillit në klasat tona janë shkepë afishe, sigurisht nga Asllani dhe Naseri. Më shumë kishte në klasën e Naserit.
Asllani ishte bujar, i vullnetshëm dhe i zjarrtë. Me Naser Hajrizin, jemi njohur nëpërmjet të Asllanit.
Më 2 prill kemi dalë bashkë në demonstratë, por në qendër të qytetit na kanë shpërndarë dhe nuk u pamë. Unë, Afrim Kalaja dhe Ilaz Zhitia ishim bashkë, sa më kujtohet.
Te nesërmen mbas dite do kushërinj të Asllanit kanë ardhur e na kanë lajmëruar që Asllanin e Naserin i kanë vrarë. Shumë rëndë më ka ardhur, s’di qysh jam ndjerë në ato momente, se i kemi pasur shokë.
Shkuam në varrim, por ndaras nga dy-tre vetë, se ishte orë policore. Pastaj kemi shkuar për ngushëllime disa herë, te të dy familjet. Mbaheshin të fortë, sidomos baballarët.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.
***
7. Afrim KALAJA ( shok shkolle i dy dëshmorëve)

Me Asllan Pirevën dhe Naser Hajrizin jam njohur herët dhe kemi qenë bashkë në shkollë dhe në demonstrata.
Kur më kanë lajmëruar se Asllanin dhe Naserin i kanë vrarë, e kam përjetuar shumë rëndë.
Me dhimbjen në shpirt jemi shkuar të nesërmen në varrim.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.
***
8. Adnan BOSHNJAKU (bashkënxënës i Asllanit)

Për Asllanin pak shokë e dinin që në duart e tij ecnin gazeta të ndaluara të Shqipërisë, “Zëri i Popullit” etj. Shpesh na ka rënë t’i marrim e t’i përcjellim dorë më dorë, sepse ishim mjaft të interesuar dhe ishim të frymëzuar nga profesori, Ahmet Qeriqi.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.
***
9. Ylber DËRGUTI (shok klase i Asllanit)

Asllan Pirevën e kemi pasur shok klase. Asllani ka qenë një djalë shumë i tërhequr në vete, shumë i urtë dhe komunikativ me të gjithë shokët e klasës…
Kur i kemi sjellë në bankën e tij lulet, ishte një pikëllim shumë i madh. Kurrë prej mendje nuk e heq dhe kurrë nuk do ta harroj.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.
***
10. Hashim RAMA (shok i Naserit)
Më 1979 jam shoqëruar me Naser Hajrizin, sepse na përputheshin idetë. Nëpërmjet meje Naseri u njoh edhe me Ilaz Hajrizin nga Hajvalia, me të cilin u bënë shokë shumë të ngushtë.
Me Naserin kemi lexuar bashkë revista dhe libra të ndaluar, të cilat i siguronte ai, por na sillte edhe një shok tjetër, Hakif Rexhepi, ish i dënuar politik. Naseri ka ardhur disa herë edhe në familjen time. Ne kemi vepruar bashkë si gjysmë ilegalisht, por nuk arritëm të organizoheshim dhe ta emërtonim organizimin, edhe pse kishte ide dhe propozime. Përveç literaturës, ne konsideronim se duhej të përgatiteshim edhe fizikisht, prandaj bënin ushtrime të rregullta. Takoheshim shpesh shokët, si Naseri, Ilaz Hajrizi, unë, Afrim Rama, Hazir Shabani etj. Me Hazirin njihesha që nga shkolla e mesme, por ai ishte student i ekonomisë, kurse unë i gjuhës frënge. Bashkë me Naserin jemi takuar edhe me Afrim Zhitinë e Esat Brajshorin.
Më 1 prill 1981 kemi dalë bashkë në demonstratë, Naseri, Asllani, Ilaz Hajrizi, Afrim Rama, Sylë Loshi, Enver Krasniqi etj.
Nga bisedat bashkë, unë kam besuar që Naseri ishte i organizuar edhe me të tjerë në ilegalitet, por siç dukej edhe me Ilaz Hajrizin.
Naseri ka qenë shok që nuk të ka lënduar as hidhëruar kurrë. Ai ka ditur t’i mbante dhe t’i ruante shokët, ishte shumë i përmbajtur në bisedë dhe sillej me takt e kulturë.
Më 1 prill ishte dita e fundit që u pashë me Naserin. Të nesërmen mësova për rënien e tij. Bashkë me një shok filluam së qari me dënesë. Gjyshja ime tek na shihte tha: “E paskeni pasur shumë shok të mirë, se për mua nuk do të qanit kështu.”
Të premten, më 3 prill u nisa të shkoja te babai i Naserit në vendin e punës, ta verifikoja lajmin e rëndë. Rrugës në hyrje të qytetit, më ndalën forcat policore dhe kur u thashë se isha student, dyshuan edhe më shumë. Më në fund më liruan, por babain e Naserit nuk e gjeta në zyrë. Dikush nga punonjësit më tha se ishte vrarë Naseri. Pastaj me Afrim Ramën dhe Ilaz Hajrizin shkuam për ngushëllime në familjen e dëshmorit.
Nga intervista dhënë autorit, tetor 2018, Hajvali.
***
11. Afrim RAMA (shok i Naserit)

Në vitin 1980, i biri i xhaxhait tim, Hashim Rama, ishte student i degës së frëngjishtes në Universitetin e Kosovës. Nëpërmjet të tij jam njoftuar me Naser Hajrizin, nxënës në shkollën teknike dhe me Hazir Shabanin, i cili studionte ekonomi.
Ne jemi takuar bashkë, në mënyrë të rregullt dhe të organizuar. Ndonjëherë na bashkëngjitej edhe Xhevdet Kamberi, nga rrethi i Pejës.
Naseri ka qenë shumë i përpiktë, i rregullt dhe pedant. Ishte njëri i fjalës dhe i besës. Ai nuk i ka luajtur fjalët kurrë, ashtu siç thoshte edhe bëhej. Kurrë atë njeri nuk e kam parë të nevrikosur, por gjithmonë i buzëqeshur dhe i hareshëm. Njëherë punuam bashkë fizikisht 3-4 ditë për të siguruar mjete për shpenzimet tona. Ai ia kishte vënë syrin një palë rrobave të bardha dhe dëshironte t’i blinte. Kur i tregova nënës për këtë, hiç nuk i erdhi mirë, se i dukej e kobshme. Ajo e njihte Naserin se vinte në shtëpinë tonë.
Më 1 prill kemi qenë bashkë në demonstratë, unë, Naseri, Asllani, Hashim Rama, Ilaz Hajrizi, Enver Krasniqi… Ne aty protestuam me orë të tëra, duke thirrur „Kosova-Republikë“, duke kënduar këngë, si „Besa-besë“ etj. Vendosëm që të takoheshim sërish të nesërmen aty. Forcat serbe na shpërndanë, duke hedhur gaz lotsjellës.
Ndërkaq më 2 prill, neve këndej nga Kodra e Trimave, na bllokuan forcat policore dhe ushtarake serbe, duka pamundësuar hyrjen në qendër të qytetit. Demonstrata jonë, por edhe e të tjerëve që erdhën nga qendra më vonë, u zhvillua tërë ditën në pjesën tonë të qytetit. U përhapën shpejt fjalë që dy të rinj kishin rënë dëshmorë në qytet. Më vonë e kuptova që të rënët ishin shokët e mi, Naseri dhe Asllani. Dhembja për mua dhe familjen time, sikur edhe për gjithë popullin, ishte shumë e madhe. Thellë, thellë në shpirt ndihesha krenar që kalova një pjesë të rinisë sime me këta trima. Hashim Rama, Ilaz Hajrizi dhe unë kemi shkuar për ngushëllime në familje.
Gjithmonë do ta kujtoj natën e fundit bashkë me dëshmorët, kur u ndamë me këngë e me shpresë që Kosova të jetë e lirë.
Nga intervista dhënë autorit, tetor 2018, Prishtinë.
***
12. Hazir SHABANI (shok i Naserit)

Për herë të parë me Naserin jam njohur në një takim shokësh te liqeni i Gërmisë. Aty ishin edhe Asllan Pireva, Afrim Rama, nga Koliqi, të cilin e njihja unë dhe ata, por edhe ndonjë tjetër. Patëm rast të shiheshim përsëri dhe të bisedonim tema të ndryshme, duke u liruar dhe hapur me njëri-tjetrin. Të gjithë ishin më të ri se unë, por më linin përshtypje shumë të mirë.
Nisëm të takohemi rregullisht, në orët e mbrëmjes. Njëherë u vonova pesë minuta dhe Naseri më tha se isha vonuar shumë, prandaj duhej të isha më i përpiktë, më i sinqertë dhe më i saktë, se kështu e do puna. Unë u arsyetova se udhëtoj nga larg, por besoj se nuk do të përsëritet më, i thashë. Me Afrim Ramën po bisedonim një rast për Naserin, si një shok i fortë, i sinqertë dh i moralshëm, prandaj dëshiroja të bëjmë më shumë punë bashkë. Afrimi i njihte më mirë Naserin dhe Asllanin, se i kishte shokë shkolle. Naseri na sillte literaturë të ndaluar. Lexonim, por edhe e dëgjonim rregullisht Radio-Tiranën.
Me Naserin kam biseduar për formimin e një grupi, me emërtim “Zjarri”, ku do të ishim më të organizuar.
Gjatë demonstratave jam takuar rregullisht me Naserin, por nga 1 prilli nuk e kam parë më.
Naseri ishte kapacitet, njohës i rrethanave dhe situatave botërore, politike, ekonomike, kulturore e arsimore. Ishte një modë atëherë, pak e çoroditur edhe shumë e urrente. Ishte një djalë shumë pedant, kishte fizionomi të sinqertë, çdo herë e kam parë të buzëqeshur, me buzë në gaz.
Ishte shumë i mprehtë në mendje dhe në çështjen e kombit i pathyeshëm. E tregoi vepra e tij, që ra për çështjen e kombit.
Të flasësh për Naserin, duhet ndoshta një kohë shumë e gjatë. Jetën e pat të shkurtër, rininë e pat të shkurtër, por lum që ishte një djalë i tillë, lum kombi që e kishte një djalë si Naseri, lum familja e lum ajo nënë që e ka rritur…
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Prishtinë.
***
13. Isuf HAJRIZI (shok i Naserit)

Nëpërmjet të vëllait tim, Ilazit tash të ndjerë, unë jam njohur me Naser Hajrizin. Ata ishin shokë dhe bashkëvepronin. Prej tyre zakonisht kam marrë revista, si “Shqipëria e Re” dhe literaturë. Nuk e kam pyetur kurrë Naserin, as që doja të di kah i merrte, se atëherë ka qenë problem.
Më 2 prill kemi dalë bashkë të organizuar në demonstratë. Kur kemi mbërri te Xhamia e Madhe, afër Hamamit, aty e kemi nxjerrë flamurin.
Në qendër na kanë shpërndarë, kurse Naserin bashkë me Asllanin i kishin Vrarë. Unë atë ditë, me shokë të tjerë kemi bërë demonstratë tërë ditën. Atë natë kam bujtur te halla në Prishtinë.
Të nesërmen në mëngjes, i pari kam shkuar te shtëpia e Naserit për t’iu treguar për vrasjen e tij, por ka dalë motra e Naserit, Sadija dhe në atë moment nuk kam mundur t’i tregoj e jam kthyer mbrapa.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017, Hajvali.
– VIJON –
________________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XVIII)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10996

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura