KADRI REXHA: EDMOND HOXHA – PUSHKË LAJMËTARE!

Pashtriku.org, 30. 01. 2016: “Posa të fillojë lufta do të jem në vijën e parë të frontit. Nuk dëshiroj të vdes, se e dua jetën, por për lirinë e Kosovës jam i gatshëm të jap edhe pikën e fundit të gjakut. Lirinë e dua dhe jam më se i sigurtë se atë do ta shijojë, i gjallë o i vdekur qofsha. Bukën e Kosovës sonë e kam ngrënë dhe e kam bërë tërë këtë shtat, ndaj e kam për detyrë dhe për nder t’ia kthej borxhin. Atdheu na ka rritë dhe me plotë të drejtë ai e kërkon ndihmën tonë. Nuk ka vdekje më të bukur se sa të vdesish për Atdhe dhe të mbulohesh me Flamur.” – Edmond Hoxha.
***


EDMOND HOXHA (10.10.1975-31.01.1997)

*  *  *
 Në plejadën e ndritur të kolosëve të UÇK-së Edmond Hoxha zë një vend me rëndësi të posaçme. Me tiparet e njerëzve të mëdhenj, i thjeshtë, i heshtur, punëtor, veprimtar i palodhshëm, i dashur me miq, i ashpër me armiq, luftëtarë deri në flijim, sidomos pas rënies heroike Edmond Hoxha hyri në zemrën e rinisë dhe të mbarë kombit. Rënia e tij në luftë me Serbinë, së bashku me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun, në Kosovë hapi një kapitull të ri të historisë. Lindja e heroizmit të ri dhe dalja në skenë e UÇK-së, më këtë rast, e ndërruan rrugën e historisë së Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Prandaj, para historianëve, letrarëve, publicistëve, regjisorëve, gazetarëve, kompozitorëve, rapsodëve, shokëve dhe shoqeve të dëshmorëve, luftëtarëve të gjallë, etj. shtrohet si detyrë e ngutshme ndriçimi i jetës dhe i veprës së secilit dëshmorë të rënë si dhe përjetësimi i tyre në vepra shkencore dhe arti. E vërteta për UÇK-në dhe për bartësit e saj duhet të thuhet dhe të përsëritet. Ata u flijuan për ne të gjallët, ndaj atyre kaq ua kemi borxh. Atdheu dhe populli qëndrojnë mbi supet e gjëra të heronjve. Dëshmorët dhe heronjtë, me shembullin e tyre, duhet të bëhen pronë e gjeneratave të reja, burim force dhe frymëzimi, shembuj të lartë vetëmohimi, gjedhe e formimit dhe e edukimit të brezit të ri. Porosia e madhe e dëshmorëve dhe e gjakut të derdhur me shekuj ende nuk është çuar në vend. Pavarësia dhe bashkimi kombëtar ende janë larg. Prandaj, zëri i dëshmorëve, në rrugën e Atdheut, fton të veprohet si një forcë e bashkuar.
(Pjesë nga parathënia e librit: Kadri Rexha, PUSHKË LAJMËTARE, monografi për Edmond Hoxhën, Epoka e re, Prishtinë, 2002)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura