MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XVI)

Pashtriku, 8 mars 2021:
7. Jahir HAJRIZI (bashkëveprimtar dhe familjar i Naserit)
Një prej detyrave të organizatës sonë ka qenë gjetja, përgatitja dhe futja e anëtarëve të rinj në radhët e saj. Një prej tyre ka qenë edhe Naseri. Për të punuar me Naserin, unë e kisha shumë lehtë, për faktin se ishim të një familjeje dhe aq më tepër, kur Naseri ishte një djalë shumë i zoti, shumë i zgjuar dhe shumë kureshtar, ambicioz dhe mbi të gjitha i vendosur.

Naseri lexonte shumë. Duke parë interesimin e tij për të lexuar, Naserit i është ofruar edhe literaturë ilegale. Pas një kohe filloi edhe Naseri të sjellë literaturë ilegale, kështu që kishim një bashkëpunim të mirë.
Naseri ishte i organizuar, kishte shokë, por më të afërm e kishte Asllan Pirevën.
Për Naserin, kudo që ka shkuar, kudo që ka punuar, ngado që është sjellë, ka pasur vetëm fjalë miradije. Asnjëherë nuk ka mundur kush të thotë, qoftë edhe gjysmë fjale të keqe për të. Përkundrazi, ka lënë përshtypje të një njeriu serioz, bile-bile shumë më të pjekur, për moshën që kishte.
Unë u deshtë ta ndërpres përkohësisht, apo të ndahem nga veprimtarët, për të shkuar në shërbimin e obligueshëm ushtarak jugosllav, kurse me Naserin kanë vazhduar të tjerët.
Kur u ktheva nga shërbimi ushtarak, Naserin nuk e gjeta, sepse kishte rënë dëshmor…
Nuk mund të mos vë në dukje gjithashtu një nga cilësitë e shumta që kishte Baca Beqë e që lidhet me emrin e Naser Hajrizit. Beqiri, ose siç i thoshim, baca Beqë, shquhej për modestinë e tij. Ai burrë kurrë në jetën e tij nuk tha se ishte babë dëshmori. Krenarinë për të birin e ruante thellë në shpirt, por nuk ishte mburravec që të tërhiqte vëmendjen nga vetja, të shquhej nga të tjerët, apo të fitonte favore e kredi për vete dhe familjen. Po të mos e njihje Beqirin, kurrë nuk do të kuptoje se Atdheut të vet ia kishte lindur, edukuar dhe falë një djalë dëshmor.
Jo njëherë, Beqiri ka thënë se Naseri e ka bërë detyrën e vet, e ka larë borxhin e vet karshi Atdheut, prandaj nuk është më vetëm imi, por i gjithë popullit. Këtë fat nuk ia kam përcaktuar unë, por vetë shpirti, ndërgjegjja dhe sakrifica e tij.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017.

Libra dhe fletore të Naserit

***
8.Naxhie KRASNIQI (familjare)

Unë isha vetëm tre vjeçe kur lindi Naseri. Mbaj mend që pas një a dy vitesh, nënë Fatimja e ushqente me grizë djalin e vogël. Ne fëmijët e thërrisnim dadë Fatimen. Derisa ajo i jepte me lugë ushqim Naserit të lidhur në djep, unë ulesha pranë saj dhe shikoja me kureshtje. Kur e mësova mënyrën e të ushqyerit, e lusja dadën të më linte mua ta ushqeja. Ajo ma bënte qejfin. Përpiqesha ta ushqeja, por nuk di nëse haja më shumë për vete, apo i jepja atij.
Naserin më shumë e mbaj mend si të rritur dhe ruaj kujtime të veçanta për të. Ai ishte djalë i mirë, shumë i dashur dhe i mençur.
Më kujtohet momenti kur vëllai im, Jahiri, po nisej për të kryer shërbimin ushtarak. U mërzita shumë. Nuk po qetësohesha kurrsesi. Naseri më vuri dorën në qafë dhe më tha: “Përse po qanë? Ta jap besën se unë do të vij më shpesh se që të ka ardhur Jahiri.” E mbajti fjalën; vinte shumë shpesh dhe asnjëherë duarthatë.
Për të fundit herë jam takuar me Naserin te axha ynë, Tahiri. Naseri e kishte blerë një bluzë të re. I thashë me shaka, e paske këtë bluzë si të grave. Mos më thuaj edhe njëherë, tha, se e zhvesh dhe s’ke qare pa e veshur!
Ndoshta ishte data 26 mars 1981. Grave që ishim në shtëpi, Naseri na thoshte ejani edhe ju, por ne e lusnim të mos dilte as ai. Doli, por nuk vonoi shumë dhe qyteti u mbulua nga tymi. Ne dolëm jashtë dhe po shikonim qytetin. Fatimja tha: “Uh, qyqe më shkoi djali!”
Më 2 prill ne s’kemi ditur gjë për Naserin. Një ditë më pas, erdhi një kushëri i burrit tim në oborr dhe na e dha lajmin e kobshëm. Menjëherë u nisëm për në Prishtinë. Autobusi nuk qarkullonte, makinat nuk na merrnin. Me njëqind peripeci arritëm në qytet. Ishte atmosferë lufte. Në familje gjendja ishte e rëndë.
Me shumë vështirësi, Naseri ishte varrosur me nderime dhe me betimin për ta çuar në vend idealin e tij.
Kujtime për Naserin, tetor 2018
***
9. Drita SEJDIU (familjare)

Familja e gjerë Hajrizi tani jeton në krye të lagjes “Taslixhe” në Prishtinë, por disa vjet, dy vëllezërit, nga pesë bijtë e gjyshit tim, Kamberit, banuan poshtë në qytet, në rrugën “Proletarët”.
Babai im, Zeqiri dhe vëllai i tij, Mehmeti, kishin blerë shtëpi në këtë rrugë, por për ne fëmijët, oborri i saj ishte i vogël që të luanim siç dëshironim.
Prindërit na dërgonin shpesh lart te gjyshi, gjyshja dhe xhaxhallarët në “Taslixhe”, ku luanim e argëtoheshim me fëmijët e tri familjeve të xhaxhallarëve.
Lojërat na i organizonte Naseri, i cili posa shkonim, na priste me gëzim e hare dhe fillonte të merrej me ne. Ai ishte tetë vjet më i madh nga unë, por nuk përtonte të kujdesej e të luante edhe me ne më të vegjlit. Unë kërceja nga gëzimi kur niseshim të shkonim atje, sepse kënaqesha duke kaluar aq mirë, sa nuk kisha mallë të kthehesha në shtëpi! Loja jonë bëhej në të tre oborret e xhaxhallarëve, por kur lodheshim dhe kishim uri, dadë Fatimja shtronte dy tryeza për ne fëmijët. Pas lojës në ajër të pastër, hanim me oreks bukë simite të Dadës, ashtu siç dinte vetëm ajo t’i bënte! Baca Beqë kujdesej të mos mbetej askush pa ngrënë.
Përfundonte dreka dhe me vrap dilnim jashtë. Shkonim te qershia para shtëpisë, ku Naseri na mblidhte nga dega në degë fruta të kuqe qershie. Oborri i tyre i madh, ishte përplot pemë frutore që fillonin me qershitë dhe mbaronin me arrat dhe ftonjtë, në vjeshtë.
Naserin e mbaj mend me fytyrën e tij gjithnjë të qeshur, djalë me mirësjellje dhe shumë i dashur, pedant e me kulturë, me kujdesin prindëror për fëmijët, me përrallat e bukura që na i tregonte dhe librat e shumët që lexonte.
Në fund të oborrit kishte një bunar të thellë, me rreth prej betoni. Në të ishte një yll pesëcepësh, sa di unë, punuar nga dora e Naserit. Ai ngado që shkonte, lente gjurmë që e karakterizonin atë.
Naseri ishte shpirt njeriu, gjithmonë në dispozicion të ndihmojë e të bëjë mirë edhe kur mundësitë i kishte të pakta.
Mbaj mend 3 prillin e vitit 1981. Shkuam te shtëpia e Bacës Beqë, por ndryshe nga herët tjera, nuk na priti Naseri, na mungonte buzëqeshja karakteristike e tij, mungonte hareja e gëzimi, mungonte loja, sepse mungonte Naseri… Edhe ne fëmijëve na u ngri e qeshura në buzë dhe u kthye në dhembje e vaj. Asgjë nuk ishte më si përpara…
E sollën nga morgu Naserin e shtrirë… Atë natë ai pushoi për herë të fundit në shtëpinë ku ishte rritur, ku na argëtonte, ku na edukonte dashurinë për Atdheun dhe ku na bënte të lumtur…
Isha njëmbëdhjetëvjeçare, por arrita të afrohem e ta shoh Naserin për të fundit herë. Zemra më ngeli te ajo fytyrë aq e ndritshme, si e një të riu që shkon në festën e maturës, e jo në banesën e fundit. Sa i hijshëm ishte…!
Nga intervista dhënë autorit, gusht 2018, Suedi.
***
10. Rrustem SALIUKU (dajë i Naserit)

Për Naserin ruaj kujtime të freskëta. Ishte një djalë i sjellshëm, i dashur dhe i sinqertë me familjen, shoqërinë dhe me të gjithë ata që e njohën. Me gjithë moshën e re që kishte, tek ai mbizotëronte zgjuarsia në shtjellimin e temave të ndryshme. Unë kisha një afërsi me Naserin si daja me nipin, por ishim edhe shokë, sepse bisedonim lirshëm. Ai vinte shpesh te ne në fshat. Në të shumtën e bisedave dominuese ishte çështja e lirisë se vendit. Naserin e mundonte gjendja e robërisë me të cilën po përballej Kosova. Duhet të organizohemi, thoshte, në protesta dhe forma tjera për ta shporrur këtë armik të egër nga viset tona, qoftë edhe duke rënë në fushën e nderit. E vetmja rrugë është lufta deri në çlirim dhe bashkimin me Shqipërinë. Te Naseri shihja një ndjenjë të papërmbajtur urrejtjeje për armikun. Në sytë e tij dukej qartë se ajo urrejtje një ditë do të shpërthente. Dhe ashtu ndodhi.
Më kujtohet viti 1980. Në shtëpinë e Naserit kishte kohë që televizori i kapte valët e TVSH-së. Unë shkoja shpesh dhe kënaqeshim duke i shikuar emisionet e televizionit shqiptar. Isha i interesuar që edhe te ne në Gradicë të kapeshin këto valë. Naseri më premtoi se do ta rregullonte edhe në shtëpinë time. Po atë vit unë e bleva një televizor dhe një antenë. Së bashku me Naserin shkuam në fshat dhe e montuam antenën. Pas disa përpjekjesh, në ekran doli pamja e shumëpritur; u shfaq për herë të parë transmetimi i emisioneve të TVSH-së. Për ne ky ishte një gëzim i papërshkrueshëm.
Ashtu të zgjuar ndenjëm deri vonë duke biseduar dhe shikuar programet televizive. Në fjalët e Naserit e shihja lirinë. Në besimin e tij, dita e saj më dukej më e afërt. Ashtu siç thoshte ai, me demonstrata, me përpjekje, me luftë e sakrifica, erdhi dita e lirisë.
Rënien e Naserit më 2 prill të vitit 1981, e përjetova rëndë. Kjo ishte humbje e madhe për familjen dhe për ne, por ndiej krenari për veprimtarinë e tij patriotike.
Nga intervista dhënë autorit, dhjetor 2018, Gjermani
– VIJON –
______________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XV)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10980

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura