MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXIV)

Pashtriku, 19 mars 2021: Edhe disa kujtime
1. Habib MUSTAFA
(historian dhe bashkëfshatar i familjes Hajrizi në Strofc)
…Familja Hajrizi njihet për ndershmërinë, atdhetarinë, patriotizmin, bujarinë dhe për shpirtin kryengritës kundër pushtuesit.

Hordhitë serbe, në vitin 1920 vranë tre burra të kësaj familje. Në rezistencën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore kundër pushtuesve serbo-sllavë, familja Hajrizi dha një kontribut të madh. Ajo nxori shumë veprimtarë dhe udhëheqës të Lëvizjes Kombëtare, të cilët u dënuan me disa dekada burgim të rëndë, kurse Naser Hajrizi, militant i saj, ra dëshmor më 2 prill 1981, në ballë të demonstratave të organizuara kundër pushtuesit në Prishtinë.
Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nga kjo familje morën pjesë trembëdhjetë luftëtarë, kurse dy prej tyre u shpallën dëshmorë të kombit, Hamdi dhe Musa Hajrizi.
Nga Intervista dhënë autorit, Strofc, 2017.

Ora e Naser Hajrizit

***
2. Sabri MEHMETI
(profesor dhe bashkëfshatar i familjes Hajrizi në Henc)

Kjo familje ishte në aparencë si familjet tjera, por megjithatë kishte veçantitë e saj.
Do të vinte viti 1961 dhe të shfaqej një përmasë tjetër e kësaj familje. Pikërisht kemi të bëjmë me burgosjen e Zeqirit, djalit të tretë të familjes, si pjesëtar i Organizatës „Komiteti për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.“
Më vonë do të spikatin me veprimtarinë e tyre, Mehmeti, i cili vihet në ballë të organizimit të OMLK-së, të cilën do ta drejtojë për më se 12 vjet, së cilës do t’i bashkohej Jahiri, më vonë edhe Naseri.
Një diçka e veçantë që e karakterizonte këtë familje, ishte çiltëria, ishte ajo dashuri e pakusht ndaj Atdheut, ajo luftë e ndërgjegjshme për çlirimin dhe lirinë e tij, sepse të luftosh vetëm për çlirim dhe jo për lirinë e tij, nuk mjafton.
Nga intervista dhënë autorit, shkurt 2017, Prishtinë.
***
3. Arianit KURTESHI (banor i Lagjes “Taslixhe”)

Më 2 prill të vitit 1981, në orët e mëngjesit Naseri me disa shokë ka ardhur te halla Dritë. Kishte qenë i plagosur në dorë. Në atë kohë unë isha i vogël, 7 vjeç. Halla, e ndjera, Naserit ia lidh plagën dhe i thotë: Naser, të lutem mos dil të vazhdosh më tutje, por Naseri me shokë nuk ndalen dhe shkojnë në demonstratë.
Nga intervista dhënë autorit, janar 2017, Prishtinë.
***
4. Zejnel KELMENDI (mjek)

Më 2 prill 1981 unë kam qenë kujdestar kryesor në Kirurgji. Ishte një rrëmujë e madhe në demonstratat në Kosovë. Diku para mesditës, i sollën dy djem të ri, të qëlluar me armë zjarri, Naser Hajrizi edhe Asllan Pireva. Të dytë i kishin plagët në kokë. Njëri ishte i vdekur kur ka ardhur aty, kurse tjetri ishte me disa shenja jete, por si thonë, ante fine, para fundit.
Gjithë ekipi kirurgjik janë munduar në çdo mënyrë ta shpëtojnë, por ishte e pamundur, sepse lëndimet në kokë janë ndër më të rëndat.
Intervistë dhënë autorit, Prishtinë, 2017.
***
5. Petrit BEGOLLI (mjek)

Ishte data 2 prill 1981. Unë e lëshova ambulancën në shkollën “Zenel Hajdini” për shkak të ndërprerjes së mësimit, me rastin e demonstratave gjithëpërfshirëse në Prishtinë dhe u nisa për në qendër, në Shtëpinë e Shëndetit. Rruga kryesore ishte e mbyllur për qarkullim, kështu që u detyrova të shkoj rrugës dytësore që shpie prapa Shtëpisë së Mallrave. Me të arritur aty pashë njerëz, kurse dy ishin të shtrirë në tokë.
Në momentin që më pa personi që ishte në gjunjë pranë tyre, mu drejtua duke kërkuar ndihmë. U afrova, pashë dy djelmoshat e shtrirë dhe u bëra një ekzaminim ashtu të shpejtë. Vërejta se njëri nuk kishte shenja të jetës, kurse tjetri kishte një frymëmarrje tepër të vështirësuar. Me ndihmën e personit të tretë, i futa në makinë dhe u nisa drejt Shtëpisë së Shëndetit, me shpresë se do të gjej ndonjë makinë të ndihmës së shpejtë, me të cilën do t’i shpinim në spital.
Fatkeqësisht nuk kishte asnjë makinë të ndihmës së shpejtë. Ktheva makinën time me këta dy të plagosur dhe personin e tretë që ishte pranë tyre. U nisa drejt spitalit, duke shpërthyer kordonin e policisë së armatosur që qëndronte në rrugë dhe njëkohësisht duke shkuar përskaj tankeve që ishin në drejtim të njëjtë. Arrita në spital dhe i dorëzova këta dy të plagosurit.
Pas një kohe kur u ktheva në shtëpinë e shëndetit duke përdorur gjithnjë rrugët anësore, për arsye të bllokadës së rrugës kryesore, dëgjova se këta dy persona që i dorëzova në spital kishin ndërruar jetë. Ishte ditë e pikëlluar.
Intervistë dhënë autorit, SHBA, 2017.
***
6. Sabit GASHI (veprimtar)

Çiftelia e Naserit, varur në mur, na kujton një veprimtari të bujshme kulturore-artistike që u zhvillua nga viti 1981 dhe deri në fillimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shoqëria Kulturore-Artistike „Naser Hajrizi“ është themeluar më 2 prill të vitit 1991, në shtëpinë e dëshmorit. Kjo shoqëri është organizuar me një shpejtësi të rrufeshme, duke u frymëzuar nga shembulli i organizimit të dëshmorit, Naser Hajrizi.
Shoqëria Kulturore-Artistike „Naser Hajrizi“ ka ofruar rreth veti 50 anëtarë, në dy seksione; muzikor dhe recital. Ajo i dha shpirt jetës kulturore, kudo që shfaqte programe në përgjithësi dhe pjesës së Prishtinës, ku jetoi dëshmori, në veçanti. Qëllimi i saj ishte të frymëzohej populli për liri, rezistencë dhe çlirim. Në atë kohë, në mungesë të mjeteve materiale dhe financiare, anëtarët e shoqërisë angazhoheshin vullnetarisht dhe siguronin kostumet, duke bërë një ansambël uniform. Ajo u bë shpejt shumë e kërkuar dhe pritej me ovacione nga publiku.
Koncertet e shoqërisë hapeshin me Himnin Kombëtar, të cilin e mësuan të gjithë anëtarët e saj. Pas tij, vinte kënga për Naserin, prodhim i vetë shoqërisë, e cila këndohej në grup nga të gjithë anëtarët, si të ishte himn edhe ajo.
Po i kujtoj këtu vetëm disa vargje të këngës:

Trim Naser Hajrizi,
Zemrën plot me zjarr,
I prinë demonstratës,
Me hov djaloshar.
Me Asllan Pirevën,
Shok të idealit,
Me flamur në dorë,
Si fatosa t’malit.
Përpara o shokë,
Ne t’i shtrëngojmë radhët
Të na ndalin vrullin,
Kot e kanë barbarët….

Repertori i shoqërisë ishte kryesisht me këngë patriotike, por edhe ndonjë me përmbajtje lirike.
Grupin recital e përbënin anëtarë të moshave të ndryshme, nga 6 deri në 60 vjeç.
Shoqëria kontribuoi edhe në formimin artistik të vetë anëtarëve të saj, duke zhvilluar dhe kultivuar talentin e shumë të rinjve dhe të rejave entuziastë.
Vlen të theksohet fakti se mbi gjysma e anëtarëve të kësaj shoqërie kanë qenë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga intervista dhënë autorit, 2017, Prishtinë
***
7. Zahir ALIU (qytetar)

Unë jam pronar i shtëpisë, pranë së cilës në vitin 1981, dy djem shqiptarë të rinj janë vrarë, aty ku është pllaka përkujtimore.
Atë ditë kur janë vrarë, një nga plumbat që janë shkrepur e ka goditur shtëpinë time, ku duket shenja. Unë si pronar i shtëpisë s’kam dashur ta heq, apo ta mbuloj atë shenjë kurrë, por do ta lë gjithmonë të duket si një dëshmi që janë vrarë dy djem të ri shqiptarë këtu.
Nga intervista me Zahir Aliun, shkurt 2017.
***
FJALORTH
shpjegues i kuptimit në këtë libër të disa fjalëve të rralla

ANARKIZËM m. Teori politike që i konsideron të gjitha format e autoritetit qeverisjes të panevojshme e të padëshiruara dhe që thërret për një shoqëri të bazuar në kooperimin e vullnetshëm dhe shoqërizimin e lirë të individëve dhe grupeve.
ANGËSHTI f. krahin. Shtrëngim nga ngushtësia. Gjendje shpirtërore e nderë.
ARGALISEM vetv.bised. Qesh e luaj, dëfrehem i shkujdesur; ngacmohem o zbavitem me dikë.
ASFIKSI f. mjek. Vështirësim ose ndalim i frymëmarrjes nga mungesa e ajrit me oksigjen.
BABAXHAN mb. bised. Shpirtmirë, i patëkeq, i çiltër e i dashur; i shtruar dhe i thjeshtë.
BABËZI f. Të qenët i pangopur, grykësi e madhe, pangopësi; lakmi e pashuar.
BARDHISH m.sh. Kec me qime të bardha.
BARELË f. sh. Shtrat me shtrojë prej pëlhure të fortë, me dy drurë anash a me këmbëza me rrota, që përdoret për të mbartur të sëmurët ose të plagosurit; vig.
BASHIBOZUK keq. Pjesëtar i trupave të çrregullta, të paorganizuara e të padisiplinuara, që vrasin e plaçkitin popullsinë.
BATËRDI f.sh.bised. Dëm i rëndë, shkatërrim i madh, prishje e rrënim.
BUBËRRI f. përmb. Tërësia e punëve të vogla, vogëlsirat, çikërrimat.
BULËZ f.sh. Zvog. e bulë, ~a. Bulëz uji (vese, djerse).
CANGADHE f.sh. Dele që ka mbetur pa qengj ose dhi, që ka mbetur pa kec dhe që mbahet për qumësht.
CIFLUAR mb. Që i është hequr një cifël, që i janë shkëputur copa të vogla nga sipërfaqja.
CIKË f. zool. Zog pak më i madh se trumcaku, që rron nëpër ara.
CIKLOSTIL m.sh. Makinë që përdoret për të shumëzuar shkrime dhe që rrotullohet me dorë.
ÇUPËLINË f. Vajzë e vogël, çupë e parritur.
ÇURG m. përd. ndajf. Duke rrjedhur shumë. I binin lotët çurg.
DAFRUNGË f. Gosti a dasmë që bëhet me shpenzime të mëdha, me madhështi a me shumë rrëmujë.
DEMON m. libr. Shpirti i keq, djalli (sipas mitologjisë së krishterë); një ves i rrënjosur thellë.
DERDIMEN m. mospërf. Njeri i trashë nga mendja, torollak, leshko; teveqel.
DISLOKOJ kal. usht. Vendos në një vend të caktuar forcat dhe mjetet luftarake të nevojshme për luftë.
DISTINKTIV m. Shenjë dalluese prej metali etj. me një figurë a me diçka të shkruar mbi të.
DRAKONIAN mb. libr. Shumë i rreptë, shumë i ashpër, i egër, i pamëshirshëm (për një ligj etj.).
EGËRSHAN mb. I vrazhdë e i ashpër kundrejt të tjerëve; i egër; i rreptë.
EGLENDISEM vetv. Merrem me diçka a me dikë për të kaluar kohën ose për t’u çlodhur, zbavitem.
EKZIGJENT Kërkues ndaj vetes dhe të tjerëve.
EREMIT m. fig. Njeri i vetmuar, duke hequr dorë nga qejfet e kënaqësitë.
FANITET vetv.Më shfaqet papritur si hije; më del si në vegim, më përhihet.
FËRLIK m. Berr i pjekur në hell.
FËRTELE f. përd. ndajf. Në shumë copa, copa-copa.
FIRAUN m. thjeshtligj. Shar Njeri i keq, njeri i djallëzuar e i pabesë.
FISHKARAQ mb. I thatë e plot rrudha në fytyrë, i fishkur.
FJOLLË f. E bën muhabetin fjollë, di të bëjë muhabet; është i gojës.
FLAKËRIJ vet. veta III. Shkëlqen, shndrit, flakëron (edhe fig.). Flakërinin shpatat. I flakërinin sytë.
FLURUDHË f. usht. Rruga që bën plumbi ose predha që kur del nga tyta a nga gryka e zjarrit deri sa bie në objektin e qitjes.
FOAJE fr. Hapësirë para sallave të shfaqjeve etj.
FUNDAQ m.Llumi që mbetet në filxhanin e kafesë ose në enën e vajit, të verës etj.
GALLATË f. bised.Zhurmë e madhe, potere, që bëhet nga shumë njerëz kur bisedojnë e qeshin.
GËRXH m. Shkëmb i ashpër, me thepa; vend, me shkëmbinj të mprehtë e të thepisur.
GJËLLIME f. vet. Mbeturinat e barit të thatë, që ngelin aty-këtu nëpër livadh, pasi mblidhet bari i korrur.
GjENERALIE, të dhëna personale
GJIRIZ m. bised. Kanal i mbuluar, ku rrjedhin ujërat e zeza; gropa e ujërave të zeza.
GRAFULLOJ jokal. vet. veta III. Rrit vëllimin, ngrihet e derdhet jashtë enës kur valon (uji, qumështi etj.).
GRETH m. zool. fig. keq., bised. Spiun.
GROMËSIJ jokal. Nxjerr nga goja gazrat që mblidhen në stomak, zakonisht pas ngrënies
GRUAR m. Ai që është i dhënë shumë pas grave, ai që përpiqet t’u pëlqejë grave.
GULÇ m. Gulçim, gulçimë. Gulç ngazëllimi (frike). Merr frymë me gulç.
GUSHTOVJESHTË f. Periudhë kohe që përfshin ditët e fundit të gushtit dhe ditët e para të shtatorit.
HAKËRROHEM vetv. I bërtas fort e me të egër dikujt; e shaj a e qortoj dikë me zë të lartë e me kërcënim..
HAPAÇEL mb. Që ecën me këmbë të hapura, që ecën me hapa të mëdha, hapmadh. Burrë hapaçel.
HARMOÇ I m. bot. Pisha e butë. Pyll me harmoçë.
HORDHI f. sh. fig. Ushtri e madhe e mizore e pushtuesit; bandë e egër gjakatare.
HUMBËSIRË f. Hon, greminë.
IMEDIATE E pashtyeshme, e tanishme, e pandërmjetme
IRNË f. Të murrëtyer a të nxirë që merr një rrobë nga të palarët.
KACARROHEM vetv. I ngjitem me këmbë e me duar një peme, një shtylle etj.
KALEIDOSKOP m. Aparat ku mund të shihen figura të ndryshme ngjyra-ngjyra.
KALIGRAFI Shkrimi i bukur dhe i lexueshëm.
KAMERDARE f. Pjesa e brendshme prej llastiku e rrotës së automjeteve, të biçikletave etj.
KANAKAR mb. Që e duan dhe e përkëdhelin të gjithë e në mënyrë të veçantë.
KANDIS kal. bised. I mbush mendjen dikujt, e bind që të bëjë një punë a një veprim.
KANTIER m. Vend a shesh zakonisht i rrethuar, ku punohet për ndërtimin e një objekti.
KAPISTALLEM vetv. mospërf. Tundem kur jam veshur me rroba të reja ose kur jam pispillosur.
KAPTELL m. Pjesa e përparme e djepit, që ka një dërrasë të ngritur, koka e djepit.
KAPULAN m. vjet. Kryetar i një çete, kapedan; kryetar i vegjëlisë.
KAPULE f. Grumbull bari, jonxhe etj. si mullar i vogël.
KARABINA f. Ndërtesë që i janë bërë muret e çatia, por nuk është suvatuar dhe nuk i janë vënë dyert e dritaret;
KARRAPUC m. fig. Njeri i fortë, i zoti dhe i vendosur.
KARTHJE f. kryes. Degë të holla drurësh, zakonisht të thata, që përdoren për të ndezur zjarrin.
KËMBATIS kal. I vë një mbështetëse a këmbëz murit, gardhit etj. që të mos bjerë
KLEÇKË f. Copë e vogël dhe e hollë druri; pjesë dege e hollë dhe e shkurtër; këmbë shumë të holla.
KOBURE E SHITUR fraz. në shërbim të huaj.
KOKOROSH mb.Që ka trup të mbushur, të shëndoshë e të fortë; Që kapardiset e ngrefoset si kacagjel.
KOLLOFIT kal. Gëlltit diçka me një frymë; ha shpejt, duke futur në gojë copa të mëdha.
KOLLOTUMBA palak. Rrëzohet a bie poshtë diçka duke u rrokullisur.
KOLOPUÇ m. bised., përk. Fëmijë i vogël, i shëndoshë e topolak;
KOLOVITEM vetv. Lëkundem si i dehur, sa nga njëra anë në anën tjetër.
KONVEJER m. tek. Makinë me një rrip të gjerë që lëviz, e cila shërben për të mbartur gjëra të ndryshme
KOPANEC m. Foshnjë e mbështjellë këmbë e duar me shpërgënj.
KOPANIS kal. bised. E rrah shumë dikë, e shtroj në dru.
KREMASTAR m.Varëse rrobash.
KREPATOHEM vetv. Shqetësohem shumë, më ngrihet mendja për diçka, me prishet gjaku.
KREPOJ jokal. Qaj shumë, qaj me zë të lartë derisa lodhem, pëlcas së qari.
KUISLING m. Ai që vihet në shërbim të pushtuesit.
KUKUDH m. mit. Figurë e mitologjisë shqiptare që përfytyrohej si një burrë i shkurtër; Lugat.
KURTHOHEM vetv. Më mbeten fjalët në grykë, ndiej sikur kam një pengesë a një lëmsh në grykë e nuk flas.
LAGATERË f. Mot që është herë me shi e herë me diell, mot i paqëndrueshëm.
LAJTORE f. Vend në anë të murit që shërben për të larë duart ose enët, sqoll.
LËBYR kal. fig. Të vret sytë, të verbon. Drita (bukuria) ia lëbyri sytë.
LEMERISUR mb. bised. I tmerruar keqas, shumë i frikësuar e i tronditur.
LEQENDISUR mb. bised. I dobësuar shumë; i shkrehur nga trupi. Me trup të leqendisur.
LETARGJI f. biol. Gjendje e një gjumi të thellë e të gjatë, fig. Plogështi a ngathtësi e madhe.
LLACKOSUR mb. keq. I lyer shumë e në mënyrë të pahijshme me të kuq a me diçka tjetër në fytyrë etj.
LLAMBURIT jokal. Bën shumë dritë, ndrit shumë, shkëlqen.
LLANGOS kal. Fëlliq shumë me baltë a me diçka tjetër; laturis. E llangosi në fytyrë
LLAPËRÇINË f. Baltë e hollë në vende a në rrugë të shkelura, llucë; vend me baltë të tillë.
LLUCË f. Baltë e hollë, vend me baltë të hollë.
MAHMUR ndajf. bised. Përgjumësh, përgjumshëm.
MAJOKE f. Maja më e lartë e pemës.
MAKTH ankth
MARTIRIZOJ kal. E mundoj a e sfilit dikë trupërisht e shpirtërisht, jashtë mase; e përndjek me egërsi.
MAUTHI f. mit. Figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur, e veshur në ar dhe që mbante një kësulë të stolisur me gurë të çmuar.
MAZATAR mb. Që nuk i është hequr ajka a yndyra (për qumështin).
MBLLAÇIT kal. Përtyp e ripërtyp diçka zakonisht me zhurmë e duke e mbajtur për një kohë nëpër dhëmbë.
MBROTHËSI f. bised. Mbarësi, përparim; lulëzim.
MEGAFON m. fig. keq. Njeri që i shërben verbërisht dikujt për të përhapur idetë e mendimet e tij.
MËKEQEM vetv. Bëhem edhe më keq, bie në një gjendje më të keqe, keqësohem.
MEKËRIMË f. Britma e dhisë ose e cjapit.
MISTREC m. Njeri shtatvogël e thatim; ai që ka mbetur pa u zhvilluar mirë (për njerëzit e kafshët).
MOLLASH mb.I shëndoshë, faqekuq.
MUG m.Gjysmerrësira pas perëndimit të diellit ose pak përpara lindjes së tij.
MUJSHAR mb. Që përdor forcën për të shtrënguar një tjetër të bëjë diçka, që shpërdoron fuqinë a pushtetin
MULIÇKË f. Shenja që lë lija në lëkurë, shaharr.
MUSËNDËR f. Dollap i madh brenda në mur të dhomës, në të cilin vihen dyshekët, jorganët etj.
NAKËL palak. më bëhet merak, më mbetet gozhdë.
NAKS mb. bised. Idhnak, zemërak; grindavec, i prapë.
NAMATIS kal. vjet. I pëshpërit dikujt fjalë magjike sipas besëtytnive, për të larguar një sëmundje ose një fatkeqësi.
NAZIK mb. bised. Që ka kërkesa të stërholluara për ushqimin, për veshjen etj.
NDAJNATË f. Koha pak para se të erret; muzgu i mbrëmjes.
NDEJSHËM mb. Që nuk rrëmbehet në gjykime e në veprime, që i peshon mirë punët e fjalët.
NDËRLIKË f. Trinë gardhi, thurimë.
NDËRMENDEM vetv.Vij në vete pasi kam humbur ndjenjat, përmendem pas të fikëtit
NDERMIRË mb. Që tregohet shumë i dhënë e i gjindshëm me të tjerët.
NDËRSYNOJ kal. Vë ballë për ballë, ballafaqoj; nxjerr parasysh.
NDESHTRASHË f. Kryes. Ngjarje a ndodhi të paparashikuara në jetë. Ndeshtrashat e jetës.
NDRAGUR mb. Që është fëlliqur me diçka, i fëlliqur, i ndotur.
NDRYS kal. Shtyp lehtë me dorë muskujt e damarët për të larguar lodhjen ose dhembjen.
NDRYSHKULL f. Lungë me qelb që del në shputën e këmbës ose afër thonjve.
NDYSËKEQ mb.1. Që i prishet qejfi shpejt, që preket shpejt, sedërmadh, hatërmadh.
NEJËS m. Trashje lëkure si kokërr që del në duar, lyth, lez.
NEMITUR mb. Që nuk nxjerr zë a fjalë nga goja; i heshtur.
NGADITË ndajf. Çdo ditë.
NGASHËRIM m. i prekur thellë në ndjenjat, turbullim; të qarët me dënesë.
NGAZËLLIM m. Gëzim i thellë që provojmë nga diçka, hare e madhe.
NGJATOJ kal. Lidh një kafshë me litar të gjatë sa të kullosë. E ngjatoi kalin.
NGJIRUR mb. Që është i ashpër e si i çjerrë dhe që mezi dëgjohet (për zërin).
NGJIZUR mb. Që është trashur, i mpiksur (për bulmetin, lëngjet).
NGJOK kal. Thumboj; pickoj. E ngjoku gjarpri. E ngjoku bleta (grerëza).
NGREHALUC m. keq. Njeri që kapardiset e shet mend.
NGRYDHEM vetv. Grumbullohemi në një vend me shumicë e ngjishemi a shtrëngohemi njëri pas tjetrit.
NGURAFËT ndajf. Me druajtje, jo lirshëm.
NUK E HA HILEN PËR OKË, frabz. Nuk gënjehet, nuk e mashtrojnë dot të tjerët (edhe poh.)
NXIRAK mb.1. Që është i pazoti në mjeshtërinë e vet. 2. Fatkeq, i mjerë.
NXIROJ kal. Nxij. Ia nxiroi jetën.
NYÇ mb.fig. shak. Që është plakur e nuk do t’ia dijë nga sëmundjet, që mbahet i fortë, Plak nyç.
OBSKURANTIZËM m. libr. Qëndrim, mohues, pengues e armiqësor kundër përhapjes së arsimit e të kulturës, kundër shkencës, diturisë e përparimit të njerëzimit.
OGRAJË f. Pyll i vogël me lëndina për kullotë.
OPORTUNIST m. Ai që nuk është i drejtë e parimor, por që niset nga interesat e ngushta e të çastit.
ORGJI f. libr. kërdi, masakër.
OSH ndajf. Zvarrë, rrëshqanthi.
OSHMAK m. Pjesa e oxhakut që ngrihet mbi çati.
PADALË mb. bised. Që nuk ka dalje, që është pa krye, e verbër (për rrugën). Rrugë e padalë.
PALANIK m. Byrek me disa shtresa brumi të patëholluara.
PALAVOHEM vetv. Zë qelb (për plagën).
PALLASKË f. E bëri barkun pallaskë u dend, u fry nga të ngrënët.
PEPERUNË f. etnogr. Djalë lakuriq i mbështjellë me fier e me gjethe të tjera, të cilit në stinën e verës, në kohë thatësire, sipas besëtytnive, i hidhej ujë përsipër gjoja për të ndjellë shiun.
PËRDËLLIM m. Dhembshuri, mëshirë.
PËRDHEL kal. E mashtroj dikë duke i bërë lajka, ia marr mendjen a e gënjej me të mirë.
PËRGJËRIM m. Ndjenjë dashurie e dhembshurie të thellë dhe malli të pashuar për dikë a për diçka.
PËRHUMBUR mb. përf. Që është dhënë aq shumë pas dikujt a pas diçkaje, saqë e ka humbur mendjen e nuk vë re se ç’bëhet rreth e rrotull.
PËRQALLEM vetv. I fërkohet dikujt me trup pas këmbëve etj. (për macen, qenin etj.).
PËRSPJET jokal. bised. Arrij papritur, ia beh. Ia përspjeti kur nuk e pritnin.
PËRVDIREM vetv. Rrudh sytë e i mbyll përgjysmë kur më shqetëson një dritë e fortë etj.
PILOG m. Tog, pirg i vogël dheu, gurësh, bari etj., gamule.
PLAKAREC mb. mospërf. Plak me trup të imët, i fishkur e i shëmtuar nga pleqëria.
PLLAJË f. gjeogr. Rrafshinë në një vend të lartë.
PLLAKAQE f. Rrasë e hollë prej guri, prej mermeri ose prej çimentoje, për të shtruar dyshemetë, oborrin etj.
PLUHURIZË f. Pluhur shumë i imët e i hollë, që ngrihet e qëndron për ca kohë në ajër.
PONICË f. krahin. Enë prej balte që përdoret zakonisht për të mbjellë në të lule, saksi prej balte.
PRAFULLIMË f. bised. Shkëndijë që kërcen nga zjarri.
PRAVULLOHEM vetv. Qëndroj mbi avullin e ujit kur mërdhij ose kur më ka zënë rrufa.
PROKOPI f. bised. Mall, pasuri.
PROZHMOJ kal. krahin. Flas keq për dikë pas shpine, e marr nëpër gojë, e përgojoj.
PRUSHANË f. Mangall.
PSHERËTIJ jokal. Marr frymë thellë dhe e lëshoj me forcë kur jam i brengosur a i mërzitur, kur kujtoj me mall dikë a diçka, kur çlirohemi nga një ankth etj.,
PSHURRIQE f.Copë mushamaje etj., që u vihet foshnjave nën vete për të mos lagur rrobat me shurrë.
PUÇIK m. Gropëz e vogël në të dy faqet ose në mjekër, burmë. I bëhen puçikë kur qesh.
PURITANIZËM m. libr., keq. Qëndrim shumë i rreptë dhe i ngurtë ndaj normave e rregullave të vendosura;
PUSHT m. përb. shar. Ai që shkon shumë pas femrave; maskara.
QAFALIK m. Qafë mali e vogël..
QAFARAK mb. Mospërf. Që e ka qafën të gjatë e të hollë (për njerëzit).
QËMENATË ndajf. Pa gdhirë ende, pa zbardhur drita, në mëngjes herët.
QËNDRAK mb.Që u qëndron pa u tundur lodhjes, vështirësive, tronditjeve, goditjeve a fatkeqësive.
QEPEN m. Kapak që shërben për të mbyllur nga jashtë dyert e dritaret e dyqaneve.
QOLE I m. Rob, skllav; shërbëtor. I trashë nga mendja, që e përdorin të tjerët si të duan, budalla, leshko.
RELEJ m. Përforcues
RRËMET m. fig. Shumicë e madhe. Pështjellim, rrëmujë.
SHAN SHTAMBA TË ZOTIN, iron. Tregohet më i ditur a më i mirë se ai që e ka rritur dhe e ka mësuar.
SHEH YLLIN E MERR PYLLIN fraz. shkon pas berihasë.
SHKREHEM vetv. fig. Shpërthej, filloj menjëherë dhe me forcë (për të qarët ose për të qeshurit).
SHPËRFYTYRUAR mb. Që është ndërruar në fytyrë, që duket tjetër njeri, i shfytyruar.
SHQITEM vetv.Llargohem; shkëputem me forcë prej dikujt.
SHTRIQEM vetv.Shtrij krahët dhe ndej trupin për t’u shpirë (kur ngrihem nga gjumi, kur më vijnë ethet etj.
SKËRMIT kal. Kruaj a gërvisht koren ose cipën e sipërme të diçkaje.
SNOBIZËM m. Prirje për të ndjekur mënyrën e jetesës, sjelljet dhe modën e një shtrese që mendohet si më e lartë në shoqëri; shija e sëmurë për t’i pëlqyer gjërat vetëm pse janë të huaj.
SPURDHJAK m. zool. Trumcak, fig. mospërf. Fëmijë i vogël pa vlerë e pa përvojë.
SQIMË f. Veshje me kujdes të madh për të pasur një pamje të hijshme e të zgjedhur
STRUC m. zool. Shpend me trup të madh. Bën lojën e strucit libr. përpiqet të fshihet e të shpëtojë nga një rrezik në mënyrë krejt të papërshtatshme.
TARTAKUT m. shar. Njeri i ulët, njeri i keq.
TËHU ndajf. bised., Drejt nesh; kund. tutje.
TRËNDELINË f. fig. përk. Vajzë e bukur dhe e këndshme.
TRIBUN m. lart. Veprimtar i shquar që mbron të drejtat e popullit, lufton për një çështje të madhe.
TRINË f. Derë e vogël e thurur me thupra që shërben për të mbyllur ndonjë shteg tjetër kalimi.
TURISPEC mb. keq. shar.Që e ka turirin e gjatë e të tërhequr si spec. Inatçi, zemërak.
ULOK m. bised. Ai që nuk ngrihet a nuk ecën dot, ai që nuk lëviz dot gjymtyrët, i paralizuar.
UMBILIKAL- Kërthizor
VAGËLLIMË f. Dritë e zbehtë, dritë si e agut.
VAPULLIM m. Vapë e madhe..
VELLO f. etnogr. Pëlhurë e hollë me të cilën mbulohej nusja ditën e dasmës.
VITORE f. Grua e mirë, e shkathët dhe amvisë e përsosur ; grua që ka lindur e ka rritur shumë fëmijë.
VRAMUZ mb. I vrenjtur a i ngrysur në fytyrë, që s’i qesh buza kurrë.
VRUNDULL m. edhe fig. Hov, vrull; edhe fig. Valë, dallgë, tallaz. Vrundujt e erës (e shiut).
XANXË f.sh. Huq i keq, ves; e metë cen; Brengë, hidhërim; hall i madh; Veprim i keq, prapësi
ZALLAHI f. Rrëmujë dhe zhurmë e madhe, pështjellim, gurgule.
ZDAP m. fig. bised. Djalë a burrë me trup të gjatë, të fortë, po jo të hijshëm.
ZIER NË LËNG ÇELIKU, fraz. me përvojë.
– VIJON –
_________________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXIII)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura