MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXV)

Pashtriku, 21 mars 2021: VLERËSIME PËR LIBRIN “BIR I ATDHEUT”
1. Mirvete UKA, moderatore:
Të nderuar pjesëmarrës
Mirë se keni ardhur në promovimin e librit “Bir i Atdheut”, të autorit, Mehmet Hajrizi. Kjo veprimtari mban datën e sotme, në shenjë përkujtimi dhe nderimi të përvjetorit të 35-të të rënies heroike të dëshmorëve, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, me emrat e të cilëve hapet vepra që po promovojmë.

Më lejoni të përshëndes përfaqësuesit prezentë të familjeve të dëshmorëve, të shoqatave të dala nga lufta, të institucioneve politike, shkencore e të kulturës si dhe veteranë të Lëvizjes Kombëtare e të Luftës së UÇK-së. Përshëndes dhe përfaqësuesit e mediave në këtë veprimtari.
Libri që po përurojmë sot, i kushtohet jetës, veprimtarisë dhe rënies në ballë të demonstratave të vitit 1981, të Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi.
Më 2 prill 1981, Naser Hajrizi, maturant i shkollës së mesme dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, me flamurin në dorë, si prijës luftarak, bashkë me shokun e tij të idealit, Asllan Pireva, ranë dëshmorë në qendër të Prishtinës së tyre të dashur. Gjaku i tyre dhe i dëshmorëve të tjerë të atij viti, shënuan fillimin e fundit të robërisë në Kosovë.
Jeta e Naserit dhe Asllanit, revolucionarë, fisnikë e vetëmohues qe e shkurtër, por vepra dhe sakrifica e ndërgjegjshme e tyre, mbetet një gur themeli i lirisë së Kosovës. Ata janë shëmbëlltyra e dashurisë për atdheun, deri në sakrificën sublime. Ky libër bart mesazhin edukues dhe karakterin frymëzues, që buron nga jeta dhe vepra e dëshmorëve tanë.

***
2. Prof. dr. Emin KABASHI, këshilltar shkencor, Instituti Albanologjik i Prishtinës (Autor edhe i parathënies së librit)
Libër për ata që ia falin jetën lirisë
(Mehmet Hajrizi, Bir i atdheut, Dëshmorit Naser Hajrizi, Prishtinë, 2019)
Përkufizimi

Në vitin 2008 autori i veprës Bir i atdheut kushtuar Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, Mehmet Hajrizi kishte botuar monografinë Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, veprimtarinë e së cilës e jep të detajuar. Mirëpo, për ndryshim nga vepra që po e përurojmë sot, atje bëhen përpjekjet për ta fituar lirinë, por nuk ka rënie për liri, nuk ka veprim historik. Do të thotë, vepra e Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, që në titull sugjeron përkatësinë e atij që ia ka falur jetën e atdheut. Nuk ka asgjë më të përafërt, asgjë më të ngjashme, asgjë më jetësore, se kur nëna përcjellë të birin e vdekur dhe duke u ndarë nga ai i thotë: bir i nënës! Naser Hajrizi është bir i atdheut, i mëmëdheut, pra është i atij që ia ka falur jetën.
Mbi teorinë e shëmbëllimit, andaj ky është libër për ata që ia falin jetën atdheut.
Hyrje
Dëshmori i Kombit, Naser Hajrizi, të cilit i kushtohet vepra e Mehmet Hajrizit, ishte shumë i ri për të vdekur, por nuk ishte i ri për të rënë për lirinë e atdheut të tij. Ky përkufizim, as nuk është romantizëm, siç dëgjojmë edhe sot e gjithë ditën neomodernistët tanë, andej e këndej kufirit të Shqipërisë londineze, as nuk është panegjerik, që u thuret kryesisht figurave politike, sepse Dëshmori i Kombit Naser Hajrizi, nuk kishte dalë në kryengritjen e vitit 1981, kur thërrmohen themelet e socializmit jugosllav, për ta lavdëruar e për ta ngritur në qiell si atdhetar të tjerët, qofshin ata edhe shokët e shoqet e shkollës, ku ai bënte mësimet, por kishte dalë në emër të lirisë, e cila vinte vetëm me grykën e pushkës të pjesës së popullit që ishte i robëruar.
Qoftë vetëm ideali për lirinë e atdheut të Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, që i kishte prirë demonstratës, që kishte organizuar shokët dhe shoqet e shkollës dhe të tjerë, që ta dëshmonin se ishim të pushtuar dhe të robëruar, e shkërmoq, e shtrinë për tokë modernizmin e atyre që kanë frikë të flasin për bëmat dhe për dhënien e jetës së Dëshmorëve të Kombit për të qenë e lirë pjesa e atdheut që ishte e pushtuar.
Ideali i lirisë që mëkohet në gjirin e nënës
Kush ishte Naser Hajrizi, i librit të Mehmet Hajrizit. Një fëmijë që kishte sjellë gëzim në familje kur kishte lindur. Një i ri, që kishte shumë kureshtje për të mësuar sa më shumë dhe për të zënë shumë dije e për t’u marrë me shumë veprimtari. Një veprimtar i çështjes së lirisë së atdheut, sepse pa u pjekur ende e kishte kuptuar se robëria nuk hiqet pa luftë, vendi nuk çlirohej pa krismën e pushkëve. Ai kishte marrë vendim për të ndërmarrë veprimin heroik, daljen në luftë, një zgjidhje që ne shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme historike na ka rënë hise.
Në librin e Mehmet Hajrizit Bir i atdheut, nuk ka asgjë romantike, nuk ka asgjë të fryrë, nuk ka panegjerizëm, do të thotë, lavdërime pa mbulesë. Çdo gjë si rrëfim i ngjarjeve është i natyrshëm, ku as vendi as të dhënat nuk janë shtrembëruar, gjë që në metodologjinë shkencore njihet si studim përshkrues.
Dëshmori i ardhshëm i Kombit, as nuk ishte bir i familjeve të aristokracisë shqiptare të kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, as nuk ishte bir i familjeve të mëdha, që kalkulonin me rrugë të ndryshme për ta çliruar vendin, as nuk ishte bir i ndonjë familje politikani, që pasi kishte rënë ndesh me politikën e ditës, kishte mbajtur disa vjet burg dhe tashti, mburrej vetëm me kohën e burgut të tij, sikur pjesët e pushtuara të atdheut çliroheshin vetëm me vuajtje dënimesh nëpër burgje.
Naser Hajrizi i veprës, Bir i atdheut ishte bir i një familje të zakonshme shqiptare, që rriste fëmijët dhe mbetej gjallë me djersën e ballit, me ndershmërinë në marrëdhënie me të tjerët, që shihte punët e veta, por që asnjëherë nuk harronte se vëllazërimi dhe bashkimi jugosllav nuk ishte yni dhe nuk ishte për ne.
Por, siç ka thënë Lasgushi ynë i madh, njeriu i lexuar është njeri i kulturuar, te Naser Hajrizi kishte gjetur të riun kureshtar, që lexonte shumë, që lexonte fshehurazi, do të thotë, literaturë të ndaluar nga sistemi i kohës, që dëgjonte muzikë popullore dhe mësonte t’u binte veglave të ndryshme muzikore, që dëgjonte radio Tiranën dhe radio Kukësin, ku flitej dhe këndohej për dashurinë ndaj atdheut, qoftë edhe ai socialist, sepse ne nuk e kishim as të tillë. Të gjithë këta faktorë, duke mos lënë anash edhe ndonjë profesor të tij, që siç thuhej atëherë ia bënte burgut me sy, edhe kur i mësonte nxënësit për poezinë Mëmëdheu të Naim Frashërit, janë përbërës të rritës dhe pjekurisë së të riut Naser Hajrizi, të sistemuara natyrshëm, me saktësi dhe në mënyrë origjinale, krejt vetanake në veprën e Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut që po e përurojmë sot.
Atdheu nuk ka ardhmëri pa gjakun e të rënëve
Në pjesën e parë të librit të Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, janë sistemuar të dhëna të shumta që flasin për pjekurinë e parakohshme të të rinjve të gjeneratës së tetëdhjetë e njëshit. Këto të dhëna mund të jenë me interes për studiuesit që mëtojnë të merren me ngjarjet e mëdha të ngritjes së vetëdijes kombëtare, demonstratat e vitit 1981. Por, po ashtu, në strukturën e sistemimit të të dhënave që bëjnë tërësinë e kësaj vepre, janë dhënë edhe përbërës të tjerë, që veprën e bëjnë të lexueshme me një frymë, si dhe e bëjnë origjinale në punë të rrëfimit dhe të paraqitjes së ngjarjeve, njerëzve, dukurive dhe ajo që është kryesorja, ka krijuar atmosferën e atyre viteve, për të mos thënë të asaj kohe. Prandaj, gjatë leximit çdo gjë duket e natyrshme, jo vetëm në përshkrimin e jetës së dëshmorit të kombit Naser Hajrizi, të rrethit të shokëve dhe shoqeve të tij, të profesorëve dhe të bashkëveprimtarëve të tij, siç ishte edhe Dëshmori i Kombit Asllan Pireva, me të cilin kanë rënë për liri në të njëjtën ditë, por edhe në paraqitjen e veprimtarisë së fshehtë që zhvillohej në ato vite, në Kosovë dhe kudo ku kishte shqiptarë jashtë saj.
E veçantë tjetër e veprës së Mehmet Hajrizit është krijimi i atmosferës së asaj kohe, atmosfera e ngjarjeve që kishin përgatitur kryengritjen e madhe të vitit 1981, sepse ajo ishte kryengritje, jo në kuptim ushtarak, por në kuptim historik, ngase nuk ka atdhe të lirë pa gjakun e të rënëve për lirinë e tij. Lëreni ju se çka thotë Azem Vllasi me të tjerët, për ato ngjarje, lërini ju spekulimet se kush i kishte organizuar ato ngjarje, mos merreni me tymnajën e fjalëve të atyre që teoretizojnë për lloj-lloj shërbimesh sekrete që paskan futur duart në përgatitjen e atyre ngjarjeve. Libri i Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, kushtuar dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, jo vetëm e demanton gjithë thashethemnajën për ngjarjet e kryengritjes së vitit 1981, por duke sistemuar të dhënat jetësore dhe të veprimtarisë atdhetare të Naser Hajrizit, ai ka krijuar njeriun e atyre ngjarjeve që bënin ndryshimin e rrjedhës së historisë sonë në këtë pjesë të pushtuar të atdheut tonë.
Vepra e Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, është dëshmi historike për ato ngjarje, është dëshmi e sakrificës së atyre që e dinin dhe e kuptonin se nuk ka atdhe pa derdhur gjakun për lirinë dhe çlirimin e tij, qoftë ai edhe pjesërisht i pushtuar, siç ishin pjesët e atdheut tonë, Shqipërisë, që kishin mbetur jashtë me vendimet e fuqive të Mëdha evropiane në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Pra, përgjakja kishte filluar që atëherë, një vit pasi Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, ku ishte edhe Kosova, edhe Çamëria, edhe pjesë të tokave shqiptare nën Maqedoninë, edhe pjesë të tokave shqiptare nën Malin e Zi. A i dinte të gjitha këto, Dëshmori i Kombit, Naser Hajrizi, në ditën e rënies së tij. Kjo nuk ka aspak rëndësi për ideologjinë, cila do qoftë ajo, por ai e dinte se pjesë të atdheut ishin të pushtuara, ngase përveç të tjerash, ishte edhe pjesë e veprimtarisë së fshehtë atdhetare që zhvillonin grupe të ndryshme të veprimtarëve atdhetarë kudo, duke sakrifikuar çdo gjë, deri edhe jetën, në mënyrë që atdheu të ishte i tëri dhe të ishte i lirë.
Qoftë edhe vetëm ky fakt i vogël, që dëshmohet edhe në veprën e Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, jo vetëm me atmosferën e krijuar për ngjarjet e atyre viteve, por edhe me aktin e varrimit të dëshmorit, edhe me aktin e ngushëllimeve, hapur dhe fshehurazi, ditën dhe natën që shqiptarët i shkonin familjes së Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, por edhe me mënyrën e përkujtimit të pjesëmarrjes së tij në gjithë ato ngjarje, deri në ditën e rënies së tij për liri, dëshmon për përkushtimin e autorit të kësaj vepre, që çdo e dhënë të jetë pjesë e tërësisë së ngjarjeve të mëdha të vitit 1981.
Po ashtu, edhe paraqitja e aktit të rënies së tij, në përpjekje, pra nuk po themi në luftë, me pushtuesin e pjesëve të atdheut të tij, e bën pjesë të përkufizimit historik, se nuk ka atdhe pa gjakun e atyre që ia falin jetën lirisë.
Përfundim
Vepra e Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, Dëshmor i Kombit, Naser Hajrizi, është Libër për ata që ia falin jetën luftës për liri, libër në kuptimin e librit të shenjtë, sepse luftëtarët e lirisë janë jo vetëm rinia e atdheut, siç ishte rini edhe jeta edhe rënia e Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, por janë edhe përjetësia e tij, andaj ata, të rënët për liri, kurdo dhe kudo që kanë rënë, janë pjesë e kujtesë sonë historike, për të gjithë ata që identifikohen me atdheun, janë pjesë e kujtesë sonë kombëtare, për të gjithë ata që identifikohen me përkatësinë kombëtare.
Përkufizimi i këtillë del në gjithë shtrirjen e rrëfimit në veprën e Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, në të gjithë kapitujt dhe nën kapitujt e të dy pjesëve të veprës së tij.
Do të thotë, autori i veprës që po përurojmë sot, në mënyrën si e ka shtruar materien e rrëfimit të veprës së tij, pa u lodhur është publicistikë historike, apo rrëfim letrar, ka krijuar atmosferën e atyre ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1981, ka krijuar frymën atdhetare të rinisë së asaj kohe, qoftë edhe vetëm përmes jetës, veprimtarisë së Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi si dhe në të njëjtën kohë nxit ndjenjën e dashurisë për atdheun dhe për lirinë.
Më thotë mendja, kjo është vlera themelore e veprës së Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, Dëshmor i Kombit, Naser Hajrizi.
Prishtinë, më 10 janar 2019
– VIJON –
______________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXIV)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11027

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura