MEHMET HAJRIZI: GANI SYLAJ, VEPRIMTAR I VENDOSUR, I PATHYESHËM, VETMOHUES E I GUXIMSHËM!

Prishtinë, 5 Korrik 2019: Në orët e para të mëngjesit të datës 4 korrik 2019, shuhet nga jeta njëri nga veteranët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Gani Sylaj. Lajmin për vdekjen e Gani Sylajt e kumtoi, Komuna e Drenasit aty ku i ndjeri ishte nënkryetar i komunës. Ceremonia e varrimit u bë nën patronatin e presidentit të Kosovës. Me këtë rast në ora 13:30, Asambleja e Kuvendit Komunal të Drenasit organizoi mbledhje komemorative. Pastaj nga ora 15:00 – 15:45, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë u mbajtën homazhe. Ndërkaq në ora 16:00, u organizua një tubim komemorativ në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ndërsa në ora 19:00, u bë varrimi në fshatin e tij të lindjes në Kishnarekë të Drenasit.

***
Mehmet Hajrizi, njëri nga bashkëveprimtarët e Ganiut, ka folur në akademinë komemorative dhe në ceremoninë e varrimit.

Në vazhdim lexoni fjalimet e Mehmet Hajrizit:
***
Mehmet Hajrizi
Fjalë në Akademinë komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Gani Sylaj
Të nderuar president Thaçi,
kryeparlamentar Veseli dhe
kryetar Lladrovci
E dashur familje Sylaj
Të nderuar bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të Gani Sylajt
Të nderuar miq të Ganiut
Zonja dhe zotërinj
Sot në orët e mëngjesit përvëlues të Prishtinës, u shua Gani Sylaj. Prej sot Kosova është varfëruar me mungesën fizike edhe të një veterani të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të luftës çlirimtare të fundshekullit të kaluar.
Bir i Daut dhe Hyrë Sylajt, Ganiu lindi më 14 janar 1952, në fshatin Kishnarekë të Drenasit. Mësimet fillore i mori në fshatin e lindjes dhe në Komoran, kurse Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë, më 1972. Studimet për filozofi-sociologjisë i filloi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, për t’i ndërprerë për shkak të angazhimeve në Lëvizjen Kombëtare dhe të burgosjes e dënimit politik shumëvjeçar. Për dy vite ndoqi kursin për organizimin e partive politike në kuadër të Institutit Nacional Demokratik (NDI), kurse në vitin 2004 u certifikua si ekspert për pushtetin lokal në një Universitet në Uashington.
***
Qyshë si normalist, Gani Sylaj aderon në Lëvizjen Kombëtare të kohës, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Me entuziazmin rinor që e karakterizonte, energjitë e pashtershme dhe përkushtimin ditë dhe natë, Gani Sylaj shumë shpejt formohet si kuadër profesionist, duke hyrë fillimisht në Komitetin e Studentëve të Grupit Revolucionar të Kosovës, pastaj në Komitetin Drejtues, si organ qendror udhëheqës i kësaj organizate.

Pas arrestimit të gati tërë udhëheqjes së Grupit Revolucionar të Kosovës në pranverë të vitit 1974, Gani Sylaj shquhet me rolin e tij të veçantë për riorganizimin e organizatës, të udhëheqjes së saj dhe të vazhdimit të shtypit klandestin, nëpërmjet të organit „Zëri i Kosovës“, traktet politike dhe publikimet tjera klandestine.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare e Kosovës e këtyre viteve, vepronte në dy drejtime të një qëllimi:
– së pari, zhdavaritjen e reve të iluzionit të lirisë që kishte mbuluar qiellin politik të Kosovës, me reformën kushtetuese dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve, duke e bërë Krahinën e Kosovës njësi konstituive të Federatës jugosllave, por nën Serbinë dhe
– së dyti, ngritjen e ndërgjegjes qytetare për intensifikimin e rezistencës dhe riorganizimit të Lëvizjes Kombëtare, pas goditjeve policore që kishte pësuar në demonstratat e vitit 1968 dhe arrestimeve masive të viteve 1974 dhe 1975.
Veprimtarinë e organizatës së këtyre viteve dhe të tij personalisht, Gani Sylaj i ka paraqitur në mënyrë brilante dhe në formë artistike në librin e tij, Ilegal viteve shtatëdhjetë, të botuar para pak vitesh dhe në librin tjetër, Shenjat e përkatësisë, i cili do të dalë nga shtypi pas tre-katër ditësh.
Gani Sylaj nuk e provonte për herë të parë penën e tij të mprehtë në këta libra. Ai ka shkruar artikuj demaskues, mobilizues e organizativ në shtypin klandestin, por edhe shkrime publicistike etj., në medie të ndryshme pas vitit 1990, kur lirohet nga burgu. Ka botuar gjithashtu librin “Drejt lirisë”, monografi kushtuar Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe si bashkautor, librin dokumentar “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”. Ai ka lënë në dorëshkrim edhe mijëra faqe shkrimesh të tjera.
Në vitin 1979 për veprimtari atdhetare burgoset dhe dënohet dy muaj për kundërvajtje dhe pa mbaruar këtë dënim, transferohet në Burgun e Shkupit, ku e dënojnë edhe gjashtë vjet burgim për veprimtari politike. Pas demonstratave të vitit 1981, Ganiun e kthejnë sërish në Prishtinë ku dënohet me 15 vjet burgim. Burgun e mbajti në Idrizovë, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Sombor të Vojvodinës. Bashkëvuajtësit shqiptarë të burgut me Ganiun, e kujtojnë atë si veprimtar edhe në qelitë e kazamateve, duke frymëzuar, përgatitur dhe mobilizuar të rinjtë për të vazhduar rezistencën pas lirimit nga burgu.
Më 1990 Ganiu i kthehet familjes në Kosovë dhe menjëherë angazhohet në jetën politike legale dhe ilegale, duke vepruar legalisht në Lidhjen Demokratike dhe ilegalisht si veprimtar dhe kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai ishte dhe kryetar i Degës së Lëvizjes së Bashkuar Demokratike (LBD) në Zvicër.
Në rrethimin e parë të Jasharëve të lavdishëm në Prekaz, 1991, së bashku me disa shokë të burgut dhe veprimtarë tjerë merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit.
Në shtator të vitit 1994, i rrethohet familja dhe shkolla ku punonte, por krejt rastësisht i shpëton arrestimit nga një ekspeditë e madhe e policisë serbe dhe emigron në Zvicër, ku angazhohet në organizimin e mërgatës shqiptare.
Atje fillimisht zgjidhet kryetar i nëndegës së Zurich-ut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicër. Në këtë periudhë bashkëpunonte edhe me Ministrinë e Arsimit në mërgim. Po ashtu, ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër dhe pas shpërthimit të luftës në Kosovë ishte Kryetar i Emergjencës për grumbullimin e ndihmave për popullsinë civile në Kosovë.
Në muajt prill-qershor të vitit 1999 ishte zëdhënës i UÇK-së dhe zëvendëskomandant për Zonën e Veriut me seli në Kukës, Shqipëri.
Pas çlirimit 1999, në Qeverinë e Përkohshme ishte zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion, kurse gjatë viteve 2000-2001 qe drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”.
Gjatë viteve 2002-2005 ishte kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së, ndërsa nga viti 2002-2006 ishte Kryetar i Komunës së Drenasit.
Në vitet 2006-2011 ishte Drejtues Ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë, kurse në periudhën e viteve 2009-2016 ishte anëtar i Bordit të Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Vdekja e gjeti në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.
***
Përveç veprimtarisë klandestine çlirimtare, Gani Sylaj ka bërë punë ndër më të ndryshmet gjatë jetës së tij: në arsim, duke edukuar shumë breza në frymën atdhetare, për katër vite e udhëhoqi arsimin në komunën e Drenasit, si kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, drejtor i Shkollës Fillore “7 Marsi” në Kishnarekë, në Këshillin për Financim të Kosovës gjatë viteve të rënda të mbylljes së shkollës shqipe dhe të të gjitha veprimtarive shoqërore, redaktor në Gazetën “Bashkimi”, që botohej në Prishtinë, etj.
Gani Sylaj do të kujtohet ndër breza si një veprimtar i vendosur, i pathyeshëm, vetëmohues e i guximshëm, zemra e të cilit rrahu vetëm për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve.
Lavdi kujtimit të tribunit të madh, Gani Sylaj!
Prishtinë, 4 Korrik 2019

***
Mehmet Hajrizi
Fjalim i përmortshëm në varrimin e veprimtarit Gani Sylaj
E dashur zonja e Ganiut, Hasime Sylaj
Të dashur familjarë të Ganiut
Të nderuar miq
Vëllezër dhe motra

Nga një sëmundje e rëndë pushoi së rrahuri zemra e madhe e veprimtarit të shquar, Gani Sylaj, duke na kthyer ditën e sotme në dhembje e pikëllim dhe ndarje të rëndë. Ajo zemër që rrihte një jetë për Atdheun dhe lirinë e tij, u detyrua padrejtësisht të ndalej, kur i zoti i saj kishte ende shumë punë për të kryer, sidomos në shkrime memoristike e letrare, për t’u lënë trashëgim brezave porositë atdhetare, mesazhin e lirisë.
Si një yll nga qielli i përflakur i Kosovës, befasisht u shua jeta e vëllait tonë të dashur, Gani Sylaj, birit besnik dhe burrit të madh të Kosovës, luftëtarit të paepur dhe kokëunjur të lirisë së popullit të vet, idealistit të përkushtuar deri në vetëmohim, mendjes së ndritur dhe iluministit e emancipuesit të palodhshëm.
I shtrenjti miku dhe bashkëveprimtari im, Gani Sylaj
Ti njëherë u betove, në emër të jetës e të lirisë, në emër të gjakut të derdhur rrëke ndër shekuj, në emër të dinjitetit dhe krenarisë njerëzore, në emër të fëmijëve të kësaj toke të zhuritur, në emër të lumturisë e dashurisë për Atdheun e qytetarët e tij;
për luftën finale dhe ngadhënjimtare të Kosovës së robëruar.
Ti si Prometheu e shpërndave ndër njerëz zjarrin e urrejtjes ndaj së keqes dhe të dashurisë fisnike e atdhetare, zjarrin e rezistencës dhe të lirisë.
Ti e zgjove shpirtin kryengritës të njerëzve të popullit tënd, ti nga shërbëtori e bëre luftëtarin e vendosur, nga i pashpresi, optimistin, nga i nënshtruari, rebeluesin, nga frikacaku, guximtarin… Ti shpërndave ngado moralin e lartë atdhetar, krenarinë e të qenit shqiptar, dinjitetin njerëzor dhe guximin qytetar.
Ti Gani u mbushe shpirtin njerëzve me virtyte e vlera fisnike, me vendosmërinë në rrugën e drejtë të lavdisë
Ti bashkove grushtet kryengritës të të gjitha moshave, potencialin e çlirimit dhe të ardhmërisë.
Ti dije të bëje miq, duke i mbledhur rreth një qëllimi të lartë, dije t’i doje e t’u buzëqeshje ëmbël të tjerëve, duke i bërë shpejt për vete, t’i këshilloje e të kujdeseshe, duke ua dhënë gjithë vlerat që kishe.
Ti Gani Sylaj në lulen e rinisë tënde, sulmove qiejt e mbarsur me retë e zeza të robërisë, sulmove një perandori të tërë në lulëzim, për të shpëtuar popullin tënd të vogël e të mirë.
Ti i prangosuri i pamposhtur, i tmerroje persekutorët me qëndrimin tënd prej Davidi përballë Goliatit.
Ti miku im nuk u lëkunde kurrë nga ideali i madh atdhetar, sado i lartë që ishte çmimi.
Ti ia dhe jetën, ditë dhe natë, pjesë-pjesë Atdheut tënd që aq shumë e deshe.
Ti Gani Sylaj e dije se një ditë mund të vinte vdekja, por e përbuzje dhe e përçmoje tërë jetën, se nuk ia kishe frikën. Ti me jetën dhe veprimtarinë tënde Gani je bërë pjesë e thesarit të madh kombëtar të vlerave sublime, prandaj me ty Kosova dhe gjithë kombi ynë janë krenar. Ja përse ne të përcjellim sot me ballin lart në amshim.
***
Çfarë të flasë më parë për personalitetin tënd miku im i dashur?
Për sistemin e vlerave që përfaqësoje, apo për figurën tënde morale, për virtytet e larta e fisnike që kishe, apo për pasurinë e përvojës tënde të gjatë e të vështirë në Lëvizjen Kombëtare, për burrërinë, guximin, shpirtin e sakrificës e përballjen me burgun mesjetar, për përkushtimin çlirimtar sa një jetë njeriu, për mijëra faqet e shkrimeve tuaja përmbajtjesore lënë trashëgim, për qëndrimin model të të qenit bashkëshort, prind, vëlla, mik e shok besnik, apo do të hesht sot i nemitur miku im?
Jo nuk do të flas sot, sepse do të shkruhet e do të flitet gjatë për ty, për jetën dhe veprimtarinë tënde të begatë.
Lamtumirë miku im i shtrenjtë, pusho i qetë, sepse ti e di që kauza jote triumfoi, ideali yt do të ngadhënjejë tërësisht dhe fara e mbjellë do të lulëzojë.
Së fundi dua të të them se ti ishe veprimtar i rregullave dhe normave, por ato dhe ligjin e natyrës i theve së fundi, sepse fjalë të përmortshme duhej të mbaje ti për mua dhe jo unë për ty.
Bashkë me dheun e Kosovës tënde të dashur, ty të mbulon lavdia, prandaj mbetesh i pavdekshëm ndër breza, shoku dhe vëllai im i shtrenjtë.
Lavdi jetës dhe veprës së të madhit Gani Sylaj!
Kishnarekë, Drenas – 4 Korrik 2019

___________
Për ditë të mbarë – Libri “Ilegal viteve shtatëdhjetë” nga Gani Sylaj 13.02.2018
https://www.youtube.com/watch?v=nes7xoB3YnA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura