MEHMET HAJRIZI: GJUHA SHQIPE ËSHTË GJUHA E ZEMRËS

Prishtinë, 25 janar 2020: (Antonio Bellusci dhe çështja arbëreshe) Duke lexuar librin “Rrugëtimi i një arbëreshi…” Jeta, vepra, kujtime… Autor: Antonio Bellusci. Bashkëbiseduese dhe recensuese: Ornela Radovicka, shtypur në Shtypshkronjën “MALUKA”, Tiranë, 2018
1. Prezantim
Antonio Bellusci, një personalitet shumëdimensional arbëresh dhe mbarëkombëtar, është autor i një dyzinë veprash studimore në fushë të historisë, të kulturës dhe të etnografisë. Ai është gjithashtu publicist, shkrimtar dhe prift. Një jetë të tërë Antonio ia kushtoi studimeve arbëreshe dhe arvanitase, duke u bërë mbrojtës dhe kultivues i vlerave etnike të këtyre dy komuniteteve të diasporës historike shqiptare. Por, përmasa e veprimtarisë së Antonios shkon përtej kufijve arbëresh, në Itali dhe arvanitas në Greqi, duke u shtrirë në gjithë gjeografinë shqiptare dhe në diasporën e mërgatën tonë. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, Antonio Bellusci është një intelektual patriot shqiptar, i angazhuar me mish e me shpirt për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe për atë të Kosovës në veçanti.
Ndonëse me profesion prift, Antonio Bellusci nuk është vetëm një shërbëtor dhe predikues i fesë, por personalitet i nivelit të lartë i cili kombin dhe çështjen e tij i vuri mbi fenë dhe kishën. Si një rilindës i kohës sonë Don Bellusci thotë: “Dua të theksoj se priftërinjtë arbërorë të ritit bizantin para se të jenë religjiozë, janë arbërorë.”1 Ai duhej të shërbente si shëmbëlltyrë e gjithë klerikëve dhe besimtarëve shqiptarë. Antonio Bellusci ka shkruar: “Jam shumë i indinjuar, sepse autoritetet qeveritare nga Tirana dhe Kosova, me mentalitetin e tyre dhe ideologjinë, nuk e shikojnë Eparkinë si organin më të lartë të komunitetit arbëresh, por e shohin thjesht si një funksion kishe, ku besimtarët duhet të shkojnë e t’i luten Krishtit. Gabohen këta qeveritarë!…”

Vetë Antonio thotë se ka lindur në Frasnitë të Kalabrisë më 15 shtator të vitit 1934. Paraardhësit e tij kishin mbërritur aty nga Korça rreth vitit 1490 në valët e emigrimit arbëror në Itali që zgjati diku deri në vitin 1744. “Dyndjet më të mëdha të arbëreshëve kanë qenë në periudhat: – a) pas rënies së Krujës nga turqit në 1478-n; – b) pas rënies së qytetit të Koronës në More në vitet 1533-1534 …. Kapitolacionet tregojnë se arbëreshët e ardhur në këto toka ishin njerëz të një shoqërie të lartë, përndryshe nuk mund të arriheshin këto lloj marrëveshjesh”, thotë Antonio Bellusci.
Prindërit e Antonios vdiqën herët, por ai nuk u dha para vështirësive të jetës. Përfundoi studimet për filozofi dhe teologji në Universitetin Gregoriana në Romë, ku i mori të gjitha gradat akademike në vitin 1962.
Studiuesi i shquar arvanitas, Aristidh Kollja, për mikun e tij të ngushtë, Antonio Bellusci, ka shkruar: “Papas Antonio Bellusci, helen, pellazg, pasardhës i Kadmit dhe Ilyrit, maratonomaku i etnosit arb, arbërori i paqes, pasardhësi i Eneas, i Aleksandrit të Madh, i Pirros, i Skënderbeut, pasardhësi i atyre që lanë Morenë e bukur me lot dhe që deri sot e kujtojnë, e mendojnë dhe i këndojnë me nostalgji”.2
Jup Kastrati ka vlerësuar: “Sot për sot, Antonio Bellusci është një nga personalitetet më të shquara të kulturës materiale kombëtare shqiptare ndër arbëreshët e Italisë. Personaliteti poliedrik i këtij dijetari të mirënjohur shfaqet në disa drejtime. Por dukuria e tij principale është etnografia dhe etnologjia. Ndërkaq Anastas Dodi shkruan: “Antonio Bellusci për ne shqiptarët është një nga veprimtarët më të shquar të kulturës arbëreshe dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.”
Politika dhe ideologjitë nuk i kanë interesuar Belluscit, prandaj ka qëndruar larg tyre, por roli i tij në lëvizjen e mendimit shqiptar mbetet i veçantë dhe shumë i rëndësishëm. Antonio Bellusci është vlerësuar me titullin Doctor honoris causa, Tiranë, 1 maj 1995 dhe me dekorimin, Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, Prishtinë, 10 qershor 2003.
Libri “Rrugëtimi i një arbëreshi…” Jeta, vepra, kujtime… është një bashkëbisedim i gjatë midis Antonio Belluscit dhe Ornela Radovickës, në të cilin ai paraqet kujtimet e tij, mendimet, idetë, shqetësimet për çështjen e kombit, për indiferencën institucionale dhe për rrezikun e asimilimit. Vepra hapet me një shënim të vetë autorit Bellusci, për të vazhduar me parathënien e kryetarit të Shoqatës “Pal Engjëlli”, Ilirjan Celibashi, Tiranë. Lënda e librit është ndarë në dhjetë pjesë dhe mbyllet me epilog.
2. Veprimtaria
Bellusci njihet si botues i revistës me titullin domethënës “Lidhja”, e cila në një hark të gjatë kohor ishte në funksion të ruajtjes së identitetit arbëror, të studimeve shqiptare, por edhe tribunë e atdhetarizmit të pashuar. Bellusci ka shkruar: “Revistën ‘Lidhja’ e krijova në vitin 1980, me qëllim që të sillja zërin e njerëzve të thjeshtë arbërorë, njerëzve modestë, grave, të rinjve, që të ndiheshin me fjalën e tyre, me veshjet e tyre, me kostumet e tyre, me krijimtarinë e tyre. Dalëngadalë, ‘Lidhja’ u shtri tek arbërorët e Greqisë (arvanitasit). Në atë revistë hodha intervistat e arvanitasve. ‘Lidhja’ më vonë mori edhe përmasa ndërkombëtare. Materialet që mblodha nga emigrantët kosovarë, shqiptarë apo të të gjitha trevave janë një dëshmi jete, janë zërat e vëllezërve tanë mërgimtarë në Australi, Amerikë, Kanada dhe Evropë… Revista ‘Lidhja’ mbijetoi nga viti 1980 deri në 2009-n. Gjatë këtyre viteve janë botuar 60 numra, me artikuj nga qindra autorë nga e gjithë bota.”
Antonio e ka themeluar dhe pasuruar Bibliotekën e mirënjohur Ndërkombëtare “Bellusci” në Frasnitë të Kalabrisë, me më shumë se 6.000 libra dhe 700 revista. Ai thotë: “Biblioteka u themelua me qëllimin që të shpëtojë, të ruajë, të mbrojë dhe t’u përçojë brezave të ardhshëm kulturën tonë të çmuar, qytetërimin dhe identitetin arbëresh si të krishterë ortodoks të emigruar në shekullin XV nga Gadishulli Ballkanik në Kalabri. Biblioteka mbledh në vetvete historinë, sociologjinë e popullit arbëror.”
I mahnitur nga vizita që i kishte bërë Antonios, Jup Kastrati ka shkruar: “Në shtëpinë e zotit Bellusci në Frasnitë gjeta një copë Shqipërie, një copë Kosove, një copë Çamëria, një copë Arbërie.” Është kështu sepse Antonio Bellusci personifikon virtytet “hadhjare” (sublime) të Arbërisë historike dhe të Shqipërisë Etnike Aktuale.
Me durimin dhe zellin e bletës, Antonio Bellusci mblodhi fshat më fshat dhe familje më familje ndër arbëreshët dhe arvanitasit me dhjetëra vite rresht këngët popullore, mënyrën e jetesës, kultet, lindjet, dasmat, vajtimet, fjalë të urta, anekdota, rite e mite, duke u bërë digë tendencave asimiluese dhe shuarjes së emrit arbër, në Greqi e në Itali.
Antonio, duke mos u kufizuar vetëm në këto dy komunitete, shkoi gjithandej globit, kudo ku ndodhet diaspora dhe mërgata shqiptare, si dhe në shtetet dhe viset shqiptare, duke u bërë zëri dhe përfaqësuesi i denjë i vlerave të tyre kombëtare.
Kur Kosova ndodhej midis jetës dhe vdekjes, midis lirisë dhe robërisë, në çastet e saj historike e vendimtare, ai bashkë me arbëreshin tjetër, Joseph Dioguardi, me Lobin Shqiptaroamerikan në SHBA, me tërë qenien u vunë në shërbim të çështjes së lirisë dhe pavarësisë së saj.
Sipas pohimeve të vetë Belluscit, 136.000 arbëreshë në 55 fshatra flasin ende shqip, por pa veprimtarinë e tij, ky numër padyshim do të ishte shumë më i vogël.
Për dyzet vjet nëpër rreth 900 fshatra arbërore të Greqisë, Bellusci si etnograf profesionist mblodhi trashëgimi kulturore, si fotografi, përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë, bisedime, pastaj të dhëna historike etj.
Bellusci, madje në moshë, lëviz nga një kënd i globit në tjetrin, kudo ku gjenden perlat e “gjerdanit të prerë” me mision atdhetar, për të qenë gjithmonë pranë vëllezërve të tij shqiptarë.
Në vitin 1966, në Shën Kostandinin Arbëresh Antonio themeloi revistën vjetore “Vatra jonë”, e para revistë arbëreshe në Bazilikatë, duke qenë pasqyrë e një bashkimi arbëresh shumë të veçantë dhe origjinal, në këngët, zakonet, historinë me origjinë nga Moreja. Deri në vitin 1972 u botuan 4 numra të kësaj reviste. Ishte revista e dytë e botuar ndër arbëreshët pas “Zgjimit” në vitin 1962.
Mbledhja e materialeve etnologjike dhe puna me të rinjtë në jetën kulturore, ku këndoheshin këngët e lashta arbërore qe veprimtari e pareshtur e priftit patriot, Antonio Bellusci.
Në vitet 1979-2000, Antonio shërbeu si famullitar në Kozencë, ku priste e përcillte mysafirë të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova. Në Kozencë punoi edhe si pedagog në gjimnazin klasik.
Duke parë rrezikun e asimilimit të gjakut arbëror në Itali, Antonio me gjithë potencialin e tij intelektual dhe fizik u vu në funksion të ruajtjes së etnisë arbëreshe. “Etnia jonë arbërore nuk është një etni simbolike, nuk është etni statike muzeale, është etni dinamike, etni ndjenje identiteti, ku këndohet riti, ku flitet arbërisht, mendohet arbërisht, ruhet alkimia arbërore… Arbëreshi është, vazhdon të rrojë në këtë botë globale kozmopolite, ku asimilimi qëndron si shpata e Demokleut mbi kokën e kësaj ‘burbuqeje të egër’ në tokën latine”, thotë Bellusci.
Ai te bashkarbëreshët e vet përcolli besnikërisht ndjenjat porosi të nënave e baballarëve arbër, të ruajtura e të kultivuara ndër shekuj, për vlerat e çmuara, si gjuha, zakonet, doket, ritet, besa e malli përvëlues, që i morën me vete të parët e tyre, kur ia kthyen shpinën Arbërisë që nuk i panë më kurrë.
Antonio përshkruan në libër disa qendra të arbëreshëve, duke sjellë edhe legjenda që u përkasin atyre vendbanimeve dhe duke kujtuar figura arbëreshe të lidhura me ato qendra. Nëpër to gjejmë edhe monumente të rëndësishme, si gjurmë të kohës dhe historisë arbëreshe.
3. Këmbana alarmi
“Me mbushen sytë me lot kur mendoj që arbëreshët janë drejt asimilimit”, thotë me fuqinë e zërit Antonio që investoi gjithë jetën e tij, duke u bërë digë e këtij asimilimi përbindësh. “Identiteti kulturor i arbëreshit për më shumë se 550 vjet ka shndritur si një feniks, por sot ndihet si një shqiponjë e rrjepur, në një fole të braktisur, situatë që sa vjen dhe po keqësohet”, vazhdon ai me trishtim dhe alarm.
Në mungesë të shkollës shqipe dhe të lidhjeve me atdheun mëmë, arbëreshët e ruajnë identitetin kulturor kombëtar, gjuhën dhe ndërgjegjen arbërore në gjirin familjar dhe nëpërmjet të revistave periodike. Në funksion të këtij qëllimi fisnik kombëtar, Antonio botoi në vazhdimësi revista, si “Vatra jone” dhe “Lidhja”.
Arbëreshët kanë mbajtur edhe dy kongrese gjuhësore, një në Koriliano Kalabro më 1895, me nismën e De Radës, Skiroit dhe Anselmo Lorekio e nën udhëheqjen e Francesko Krispit dhe Kongresi i dytë, në Ungra më 1897. Sipas Belluscit programi i dy kongreseve kërkonte, së pari, një alfabet të njësuar, themelimin e një shoqërie kombëtare shqiptare, si dhe thellimin e lidhjeve me mëmëdheun.
Në të kaluarën arbëreshe kishte, jo vetëm përpjekje të personaliteteve të shquara që dha ky komunitet, por edhe institucione arsimore e kulturore, duke filluar nga viti i largët 1736 kur filloi të shkruhej shqip ndër arbëreshët. Dy institucione të rëndësishme arsimore i përkasin gjysmës së dytë të shek. XVIII: Kolegji Korsini (San Benedetto Ullano) ose Shën Adriani në Kalabri dhe Seminari Arbëresh i Palermos në Sicili.
Në saje të angazhimit të shumë intelektualëve arbëreshë dhe të bashkëpunimit me të tjerë në botën shqiptare, siç bënte De Rada me rilindës të shquar si Zef Jubani, Thimi Mitko, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani etj., në këtë komunitet po përhapej kulturë e përparuar dhe moderne evropiane.
Nga arbëreshët dolën edhe emra të tjerë e të njohur të dijës dhe kulturës shqiptare, si Zef Serembe e Bernand Bilota, Vincenzo Stratigò, Agostino Ribecco, Antonio Argondizza, Costantino Mortati, Felice Tocci, Albino Greco, Demetrio Emanuele,Terenzio Tocci, Vincenzo Dorsa, Vincenzo Troiano, Dhimitër Korone etj. Kurse nga Frasnita: Michele Bellusci, Domenico Bellusci, Vittoria Bellusci, motra e Michele dhe Domenico Belluscit dhe nëna e Vincenzo Dorsës, Domenico Bellizzi,Vorea Ujko etj.3
Aktualiteti arbëresh nuk është në favor të ruajtjes së gjuhës as të njësisë arbëreshe. Kjo diasporë po rrezikohet nga gjendja politike dhe ekonomike, familjare e demografike. Degdisja e të rinjve arbëreshë në qendrat industriale ku nuk flitet arbërisht, martesat e vona, mungesa e një ligji që rregullon mësimin e detyrueshëm të gjuhës shqipe në shkollat arbëreshe, e fondeve për studentët që mbarojnë universitetet, e konkurseve që të stimulohet rinia arbëreshe etj.,janë probleme serioze që rrezikojnë qenien e këtij komuniteti me identitetin e tij arbëror.
Greqia për komunitetin grek që jeton në Kalabri dërgon pedagogë të cilët paguhen prej fondeve financiare nga Parlamenti Europian që i jep për pakicat gjuhësore, historike, por Shqipëria as Kosova nuk mund ta gëzojnë këtë mbështetje pa qenë anëtare të BE-së, prandaj mbase do të duhej që deri atëherë të fërgohen në dhjamin e vet, duke u solidarizuar me diasporën shqiptare në Itali, në Greqi, Brazil, Argjentinë, Ukrainë etj.
Njëri nga studiuesit arvanitas në Greqi dhe mik i ngushtë i Antonios, avokati Aristidh Kollja ka shkruar: “Ne arvanitasit kemi nxjerrë sytë me gishtat tanë që nga momenti kur fshehëm (apo mohuam) origjinën etnike dhe gjuhën tone.” “Problemet tona”- thoshte ai- “sipas një rendi, janë kështu: Mos të fshehim, origjinën dhe gjuhën. Të njohim historinë tonë. Të mbledhim materiale të folklorit tonë. Të mësohet gjuha shqipe dhe të publikohen sa më shumë libra.”
Komuniteti arvanitas ndonëse e ka ruajtur ndër shekuj gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet arbëror, ndonëse i ka dhënë Greqisë shumë heronj çlirimtarë, si të revolucionit të 1821-shit (Gjeorgjio Kundurioti, Kiço Xhavella, Andoni Kryeziu, Teodor (Bythgura) Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Dhimitir Vulgari, Kostandin Kanari, Gjeorgjio (Llalla) Karaiskaqi, Odise Andruco, Andrea Miauli, Teodor Griva, Dhimitir Plaputa, Nikolao Kryezoti, Athanasio Shkurtanioti, Hasan Bellusci, Tahir Abazi, Ago Myhyrdari, Sulejman Meto, Gjeko Bei, Myrto Cali, Ago Vasiari e shumë të tjerë), sot ndodhet në gjendje akoma më të rrezikshme asimiluese se arbëreshët e Italisë.
Bellusci dëshmon se “grekët këto 20 vitet e fundit u kanë ndryshuar emrat mbi 60% të toponimeve, që ishin emra të vjetër shqiptarë.” Ai në librin e tij që po trajtojmë bën një krahasim interesant dhe domethënës: “Në qoftë se do të bëjmë një krahasim mes vetëdijes arbërore të arbëreshëve të Italisë dhe asaj arvanitase do të vëmë re se tek arvanitasit e Greqisë ekzistonte vetëdija arbërore, qe reklamohej më tepër si vetëdije patriotike antiturke dhe nuk u ruajt e të mbrohej me fanatizëm si formë vetëdije etnike, siç ndodhi te ne arbëreshët e Italisë… Është shumë e dhimbshme kur shikoj fshatrat arbërore që shuhen një e nga një si ato dritat e mbrëmjes.”
Gjatë qëndrimit në botën arvanitase, Bellusci krijoi shumë lidhje vëllazërore me intelektualë, studiues, hulumtues, historianë, gjuhëtarë, që punonin për çështjen arbërore, si: Aristidh Kollja, Jani Gjikas, Jorgo Marouga, Kristo Zharkalli, Vangjel Ljapis, Jorgo Haxhisotiriou etj. Minatori Vangjel Nonas, i kishte thënë Belluscit “Gjuha shqipe është gjuha e zemrës”, por që flitej vetëm brenda mureve të shtëpive. Aristidh Kollja ka thënë: “At Bellusci ka më shumë miq në Greqi se në Itali”. Ndërsa Giuseppe Schiro Di Maggio ka shkruar: “Për hir të imzot Antonio Bellusci-t, sot arbëreshët e Greqisë që thërriten “arvanitës” njohin botën arbëreshe dhe gjallërinë e saj.”
4. Përfundim
Shpirti i Antonios që digjet për mëmëdheun, malli që ai ndjen për të që ta shohë ta prekë dhe të prehet një çast në prehrin e tij, është një klithmë, është një vaj burri me ndjenjat e ndrydhura, është një thirrje mëmës për t’iu përgjigjur, është një therje në zemër që t’i njomë sytë e t’i trazon ndjenjat. Kjo dashuri e zjarrtë dhe e pashuar arbëreshe përbën një shembull brilant për gjithë mërgatën shqiptare të degdisur anekënd botës, si “perlat e gjerdanit të prerë” që ta ruajnë në shpirt identitetin kombëtar, t’i ruajnë gjuhën dhe sistemin e vlerave të traditës së origjinës së tyre dhe ta duan me mallë atdheun e tyre të shtrenjtë. Me dëshpërim për injorimin e çështjes arbëreshe, Antonio me shpresë se zëri i tij do të dëgjohet deri në Tiranë e në Prishtinë, thërret: “Ne jemi të harruar nga toka mëmë. Dua t’u them vëllezërve shqiptarë që arbëreshi ekziston. Ne jemi! Ekzistojmë jo vetëm atëherë, në kohën e De Radës, por edhe sot!”
Megjithëse tashmë në moshë, Antonio vazhdon të jetë i angazhuar me pasion për gjuhën, kulturën, identitetin shpirtëror e kulturor arbëror. Jeta ime është te zyra ime, thotë At Bellusci.
Në një formë testamenti, por edhe me nota zhgënjimi, imzot Antonio Bellusci ka shkruar: “Zakonisht unë nuk jap direktiva, por në këtë moshë që jam mund të them se të rinjtë shqiptarë kudo që janë duhet të flasin gjuhën shqipe, t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe, të njohin historinë e tyre dhe të ruajnë plisin, lahutën, fustanellën, deltarin ilir (qeni i Sharrit), xhubletën, polifoninë, eposin, si kulturë arbërore, si trashëgimi kulturore shqiptare.
Rinisë arbëreshe, të katundeve përqark, u them të ndihet antiglobaliste për të mos u asimiluar. Të rinjtë të flasin shqip në ambientet familjare; edhe pse nuk u jepet mundësia të frekuentojnë shkolla shqipe, të kërkojnë ta mësojnë gjuhën. I ftoj të njohin folklorin arbëresh e ta mbajnë gjallë. Biblioteka që unë krijova nuk duhet të ngelet si muze, por të jetë aktive. Në bibliotekë depozitohet shumë material, shumë teza të diplomave që i janë dhuruar bibliotekës, i këshilloj të vijnë të bëjnë kërkime, të bëhen krijues, të shkruajnë, se sa më shumë libra të kemi, aq më shumë e mbajmë gjallë gjuhën.
Tani po përpëlitemi në aventurën dramatike dhe të rrezikshme për t’u asimiluar. Ky popull i dha shumë mëmëdheut, ky popull i këndoi mëmëdheut, ky popull investoi për mëmëdheun ndjenjën, kohën dhe mëmëdheu i ktheu krahët kur s’kishte më nevojë për të!”
Detyrë me prioritet e institucioneve zyrtare të Tiranës dhe të Prishtinës duhej të ishte kujdesja për diasporën e degdisur dhe për mërgatën kombit që t’u bëjnë ballë valëve asimiluese të botës globaliste dhe kozmopolite, të mos i harrojnë kurrë diasporën e vjetër dhe mërgatën e re, që i dhanë aq shumë kontribute shumëdimensionale mëmëdheut.
Duke lexuar librin “Rrugëtimi i një arbëreshi” shpesh më asociononte me një tjetër libër, me titull “Një jetë me integritet”, e autorit të njohur amerikan, Erik Metaksas (Eric Metaxas), kushtuar Uilliam Uillberfors, një deputet i famshëm britanik i para më shumë se dy shekujsh, i cili një jetë të tërë ia kushtoi luftës kundër çdo ligësie shoqërore. Por, nga synimet e tij të shumta, më i rëndësishmi ishte shfuqizimi i tregtisë së skllevërve, të cilin e arriti në atdheun e tij më 1807, kurse përfundimisht në plan botëror, më 1833, vetëm tri ditë para se të vdiste.
Në një shkrim timin për këtë libër kam thënë: “Në rrugën e gjatë, me shikim drejt së ardhmes, çdo shoqëri ka nevojë ta kthejë kokën pas, si Metaksas, për të parë të kaluarën dhe për të kujtuar e rikthyer vlerat, shpeshherë të harruara. Në jetën përfaqësuese shqiptare të traditës, gjejmë figura të shquara, me vullnetin e çeliktë të Uillberforsit dhe me konsistencën e gjatë për të arritur qëllimet e larta të popullit që e përfaqësonin, si Abdyl Frashëri e Ymer Prizreni, Haxhi Zeka e Hasan Prishtina, Isa Boletini e Ramiz Cernica etj.”4 Po të vazhdohet ky gjerdan personalitetesh historike, diku do të vendosej edhe emri i madh e meritor i Antonio Belluscit, jo për luftën heroike me pushkë në dorë, por për jetën e tij me integritet, për përpjekjet e gjata për të afirmuar vlerat tona kombëtare dhe për të mbrojtur nga erozioni historik dhe aktual identitetin arbëror dhe shqiptar të diasporës sonë. Kjo përpjekje e gjatë e këmbëngulëse përbën një luftë më vete të Antonio Belluscit.
__________
Referencat:
1. Kjo dhe referencat tjera pa fusnotë janë nga libri “Rrugëtimi i një arbëreshi…”
2. Cituar sipas Ilirian Celibashi në Parathënien e këtij libri.
3. Antonio Bellusci, Rrugëtimi i një arbëreshi…
4. Mehmet Hajrizi, “Jetë me integritet”, Pashtriku.org.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura