MEHMET HAJRIZI: GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS – KOMITETI I STUDENTËVE (10)

Pashtriku, 7 korrik 2019:
2.3.2 Komiteti i Studentëve
Ndër detyrat e para që i vuri vetes udhëheqja e GRK, ishte formimi i një organi drejtues të rinisë, i cili u quajt Komiteti i Studentëve, që si organ i GRK për Universitetin do të merrte përsipër detyrën e organizimit të studentëve. GRK synonte të kishte veç Komitetit Drejtues edhe komitete të tjera, të cilat formoheshin nga bashkimi i disa celulave, rajonale apo të institucioneve, siç ishte Universiteti. Në rajonin e Dukagjinit, Xhafer Shatri, Jashar Alia etj., formuan një komitet të veçantë në kuadër të GRK, funksionimin e të cilit e pamundësuan arrestimet e vitit 1974.

Komiteti i Studentëve ishte paraparë si mekanizëm i fuqishëm i punës me rininë. Me këtë sektor ishte ngarkuar njeriu i duhur, Xhafer Shatri. Ai kërkoi nga udhëheqja e GRK që të zgjidhnin nga radhët që përfaqësonin dhe t’i dërgonin si anëtarë për të themeluar Komitetin Studentor. Ideja ishte që të fillohej pikërisht me rininë studenteske, si avangarda e rinisë së Kosovës e që ishte dëshmuar si e tillë edhe në demonstratat e vitit 1968. Koha vërtetoi shumë shpejt sa e drejtë ishte nisma e formimit të një embrioni të tillë organizativ në Universitet. Komiteti u formua në pranverë të vitit 1974, me këtë përbërje: Xhafer Shatri, Rexhep Malaj, Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani. Xhaferi do të qëndronte aty si përgjegjës, vetëm derisa të konsolidohej Komiteti, për t’i lënë udhëheqjen Rexhep Malajt, i cili ishte zgjedhur zëvendës i tij.

Komiteti i Studentëve, pranverë 1974: Xhafer Shatri, Rexhep Malaj, Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani.

Komiteti doli i mirë dhe i fortë. Ky fakt e shtonte besimin e qëndrueshmërisë së Organizatës, sepse Komiteti ishte projektuar jo vetëm si një mekanizëm studentësh i Lëvizjes, por mbi të gjitha si një rezervë udhëheqëse, në rast se do të ndodhnin arrestime në kreun e GRK. Ky veprim duket i mençur në praktikën e lëvizjeve ilegale, në të cilat arrestimi i papritur, jo vetëm i individëve, por edhe i udhëheqjeve të tëra është gjithmonë më afër se këmisha në trup.
2.3.3 Zgjerimi i radhëve
Riorganizimi i strukturave ilegale dhe ritmet e reja të punës u reflektuan edhe në shtimin e intensitetit të zgjerimit të radhëve. Në organizimin ilegal, rëndësi të veçantë ka aftësia dhe përkushtimi për t’i njohur dhe seleksionuar njerëzit, të denjë për veprimtari të një përgjegjësie të lartë shoqërore por edhe me rrezik, siç është veprimi praktik revolucionar nacionalçlirimtar. Në rrethanat historike të Kosovës, para se gjithash duhej ruajtur nga rreziku i infiltrimit të elementëve spiunë, ose të tjerë të predispozuar për t’u bërë të tillë, të cilët mund të rrezikonin tërë zinxhirin e strukturës organizative. Për këto arsye anëtarët e Organizatës udhëzoheshin të vepronin me kujdes të veçantë dhe me vullnetin e bletës për të hulumtuar dhe gjetur elementët më të sigurt, më të përparuar, më të vendosur dhe më të guximshëm për zgjerimin e radhëve.
Zgjerimi i radhëve bëhej në dy mënyra: kryesisht individualisht, por kishte raste kur veprimtarët hasnin grupe të tëra të rinjsh e të rejash, të organizuar dobët, me të cilët veprohej në mënyrë përzgjedhëse, duke i sistemuar brenda radhëve me një organizim të mirëfilltë.
2.4 Objektivat programatike
Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë tokësore të atdheut dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar të gjitha programet e Lëvizjes në vijim. Ky qëllim programor i Lëvizjes Kombëtare të shqiptarëve mbeti i pandryshuar në thelb, sepse buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme e tyre për të qenë të barabartë me popujt e tjerë.
Në vitet ’70 të shekullit të kaluar, aspirata e bashkimit kombëtar, jo vetëm nuk ishte zbehur, por shënonte ngritje në ndërgjegjen e shqiptarëve. Siç e ka thënë me të drejtë Bismark, vetëdija dhe ndërgjegjja e një bashkimi kombëtar duhet të jenë të përjetshme.
Përveç veprimtarisë kombëtare, në këtë kohë bëhej një punë e vyer, shpjeguese, sqaruese, edukuese dhe interpretuese nga inteligjenca e re e Kosovës dhe nga Shqipëria, për gjendjen diskriminuese të popullit shqiptar nën sundimin jugosllav, për të drejtat e tij legjitime historike dhe politike e kombëtare etj.
Programi politik i GRK ishte ai i Lëvizjes tradicionale kombëtare. Duke pasur parasysh ndarjen e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare nga trungu i Shqipërisë, gjendjen e rëndë dhe të padurueshme të popullit shqiptar nën sundimin e huaj dhe të drejtën e ligjshme të vetëvendosjes e të bashkimit kombëtar, GRK programin e tij e ndërtonte mbi këtë bazë, që do të thoshte program politik i çlirimit kombëtar dhe i bashkimit të atdheut të copëtuar padrejtësisht. Ky përkufizim i programit përjashtonte çdo mundësi cilësimi të tij si ekstremist, majtist a reaksionar, siç dërdëllitej nga shumë anë.
Që në numrin e parë “Zëri i Kosovës” shkruante: “Duke qenë i tradhtuar dhe i shtypur në mënyrën më të egër nga revizionistët jugosllavë, populli shqiptar është e pamundur të mos lëvizë, të mos luftojë armiqtë e tij, nga një anë dhe është e sigurt fitorja e tij në këtë luftë, nga ana tjetër. Ne kemi përpara tri detyra të mëdha: çlirimin kombëtar, shoqëror dhe bashkimin me atdheun amë, d.m.th. me Republikën Popullore të Shqipërisë. Vetëm kjo e fundit i jep kuptim të plotë dy të parave”.1 Në një artikull tjetër të këtij organi thuhet: “Është detyrë e shenjtë e popullit shqiptar të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, veçanërisht e rinisë revolucionare, të cilët gjenden nën zgjedhën e rëndë titiste, të luftojnë për pavarësinë kombëtare dhe për bashkimin e atdheut tonë”2
Organizata kishte një dokument programatik të fillimit të vitit 1978 me titull: “Në rrugë drejt lirisë“. Ky dokument i rëndësishëm i Organizatës, mungonte në botimin e parë të librit „Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981“, por më vonë u gjet rastësisht nga veprimtari Hasan Malaj, nën pragun e derës së oborrit të familjes Malaj në Gjilan, fshehur në një enë plastike. Enën do ta ketë vendosur aty, heroi Rexhep Malaj gjatë veprimtarisë së tij revolucionare. Në pjesën e tretë të tij thuhet: “Aspiratat e popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, janë të vjetra. Lufta e popullit tonë për t’i realizuar këto aspirata përbën faqe të lavdishme të historisë së tij…
Lufta e popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi për liri, bashkim kombëtar dhe socializëm gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u tradhtua dhe u shtyp me gjak nga revizionistët shovinistë. Këtij populli iu grabit përsëri liria dhe iu mohua e drejta për vetëvendosje.
Aspiratat e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, armiqtë revizionistë e tradhtarët nuk kanë mundë t’i mbysin dhe nuk do të mund të bëjnë kurrë një gjë të tillë. Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave.
Duke u nisur nga këto aspirata… të futemi thellë në masat, t’i bëjmë ato të ndërgjegjshme për revolucion, t’i bashkojmë, t’i organizojmë e t’i udhëheqim në revolucionin e armatosur, me të cilin populli ynë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, do të fitojë lirinë e vërtetë kombëtare dhe të drejtën për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Ky revolucion do të heqë qafe njëherë e përgjithmonë robërinë shekullore të popullit tonë dhe do t’i shkatërrojë shtypësit e shfrytëzuesit”. 3
GRK dhe më vonë OMLK ishte bashkim vullnetar politik i veprimtarëve që pranonin qëllimet programore të Organizatës e rregullat statutore të saj dhe që bënin betimin solemn për besnikërinë ndaj idealeve të atdheut.
Organizata ishte vazhduese e traditës së Lëvizjes Shqiptare dhe mbronte, ruante e kultivonte parimet e saj morale. Ajo kishte orientim politik kombëtar dhe ndërtohej mbi parime demokratike, që përcaktonin jetën e brendshme dhe veprimtarinë e saj. Organizata përjashtonte çdo tendencë të instalimit të ideologjive reaksionare e fashiste.
Ajo vepronte për realizimin e së drejtës për vetëvendosje të popullit të robëruar shqiptar dhe këtë qëllim synonte ta arrinte me rezistencë të vendosur politike dhe me luftë të armatosur popullore.
Organizata synonte ndërtimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, subjektet politike, shoqërore e atdhetare shqiptare që përpiqeshin për çlirimin e viseve të aneksuara shqiptare dhe me lëvizjet përparimtare e revolucionare kudo në botë.
Organizata angazhohej për Shqipërinë e bashkuar në hapësirën e saj historike e etnike, shtet sovran, i lirë e demokratik i përcaktuar sipas vullnetit të qytetarëve, në të cilin do të jetonin të lirë, të barabartë e në mirëqenie gjithë qytetarët, pa dallim feje, kombësie, gjuhe, krahine apo çfarëdo përkatësie tjetër.
Atdheu i ribashkuar i shqiptarëve do të hapte shtigjet e një zhvillimi të shpejtë ekonomik dhe do të mbyllte plagët shoqërore që kullonin në trupin e tij, si pasojë e padrejtësive sociale dhe e diskriminimit e shtypjes kombëtare. Në atdheun e bashkuar, Kosova dhe viset e tjera shqiptare nën sundimin jugosllav, nuk do të ishin më sinonim i shtypjes e terrorit, papunësisë, kurbetit e mjerimit shoqëror.
Duke trajtuar aspekte të jetës së gjysmës së robëruar të kombit shqiptar, Organizata angazhohej për zhvillim të familjes, për barazi të gruas me burrin, duke siguruar pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore, ekonomike, politike e kulturore, për kujdes ndaj fëmijëve dhe rinisë etj.
2.5 Rregulla organizative
Organizata, të cilën e përbënin tërë anëtarët e saj, veprimtarinë e mbështeste në qëllimet programore dhe në rregullat statutore të organizimit. Formë kryesore kishte veprimtarinë ilegale, konspirative, por të kombinuar me forma legale të veprimit, pa kaluar kufijtë e konspiracionit.
Veprimtaria e Organizatës zhvillohej në tërë territorin e Kosovës dhe jashtë saj. Qëllimet e veta, Organizata synonte t’i arrinte me mjete politike dhe me luftën e armatosur. Organizata kishte organin e vet të shtypit dhe hartonte e shpërndante trakte, për sqarimin politik të qytetarëve si dhe botonte materiale të saj. Ajo synonte vënien e kontaktit dhe lidhjes me forcat e shëndosha antiregjim në Jugosllavi, me Shqipërinë zyrtare, me organizimet përparimtare e demokratike në botë dhe bashkëpunimin e sinqertë me to. Organizata financohej vetëm nga anëtarët dhe simpatizantët, sipas një kuote vullnetare, sa për të hequr shpenzimet për materiale dhe mjete teknike të saj.
Anëtar i Organizatës mund të bëhej vullnetarisht çdo qytetar i verifikuar për pastërtinë e së kaluarës së tij e besnikërinë ndaj çështjes së atdheut dhe që pranonte objektivat programore e rregullat organizative të saj, duke u angazhuar me përkushtim, vendosmëri e vetëmohim në përmbushjen e detyrave të vështira. Anëtari i Organizatës, mund të lëshonte radhët e saj, por me kusht që të mos i nxirrte fshehtësitë që dinte për të. Kur dyshohej se i ikuri mund të shkonte deri atje sa ta denonconte Organizatën në organet e ndjekjes të pushtuesit, i përkujtohej pjesa nga formula e betimit që vetë e kishte bërë: “Në qoftë se i tradhtoj radhët, mos i shpëtofsha dorës së pamëshirshme të shokëve të mi !”
Anëtari i Organizatës ishte i barabartë në radhët e të barabartëve. Ai kishte të drejtë diskutimi të të gjitha çështjeve të Organizatës, të veprimit dhe të informimit, brenda rregullave të konspiracionit, si dhe në formulimin e vijës politike të saj dhe të zgjedhte e të zgjidhej në organet udhëheqëse. Paralelisht me të drejtat, anëtari kishte detyrë të zbatonte qëllimet programore dhe rregullat statutore të Organizatës, të merrte pjesë rregullisht në mbledhjet e organit ku bënte pjesë, të respektonte parimet e demokracisë së brendshme të radhëve, të ishte aktiv në veprimtari, të ngrihej vazhdimisht teorikisht e të ruante nderin dhe figurën morale e patriotike të veprimtarit të çështjes kombëtare.
Organe të Organizatës ishin:
– Komiteti Drejtues,
– Komiteti Ekzekutiv,
– Komiteti i Universitetit,
– komitetet e rretheve 4.
Zgjedhjet në këto organe bëheshin me vota të fshehta dhe zgjidhej kandidati që kishte fituar shumicën e votave. Kështu janë zgjedhur kryetari dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Drejtues e Ekzekutiv, me përgjegjësi specifike, si sekretar organizativ, përgjegjës për punën me rininë, për punën me gratë, përgjegjës për shtypin dhe propagandën, për lidhjen me masat, për çështje politike, për çështje materiale dhe teknike etj. Në të njëjtën mënyrë janë marrë edhe vendimet.
Për shkak të veprimtarisë në konspiracion të thellë, në atë periudhë nuk mund të mblidhej një kuvend i përgjithshëm i Organizatës.
Organi më i lartë udhëheqës ishte Komiteti Drejtues, i cili e përfaqësonte Organizatën, përcaktonte vijën politike, qëndrimet dhe orientimet kryesore të saj, e drejtonte atë dhe i harmonizonte veprimet e tërë strukturës organizative e kujdesej për zbatimin e vendimeve, zgjerimin e radhëve etj.
Por njësi bazë e organizimit ishte celula, së cilës i jepej një rëndësi e veçantë në tërë strukturën organizative. Për të pasur një pasqyrë më të qartë mbi konceptin autentik të Organizatës për celulën, si njësi themelore e organizimit të saj, për punën që bëhej në të dhe për rregullat statutore të kësaj pune, në shtojcë të librit paraqiten gjerësisht pjesë nga punimi “Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve” i shkruar dhe i qarkulluar më 1973 dhe i botuar te “Zëri i Kosovës”, në fillim të vitit 1974.
2.6 Karakteri dhe format e luftës
Tërë veprimtaria e Organizatës kishte karakterin e luftës nacionalçlirimtare dhe të rezistencës kundër pushtimit. Ideologjia e saj sunduese ishte ajo e çlirimit dhe e bashkimit të atdheut. Duke e konsideruar Jugosllavinë një burg të popujve, Organizata besonte që një ditë ata do të ngriheshin kundër regjimit sundues dhe krah për krah me popujt jugosllavë do të luftonte edhe populli shqiptar për të drejtën e tij të ligjshme të vetëvendosjes dhe të bashkimit me Shqipërinë. Në shtypin klandestin të kohës thuhej: “Popujt jugosllavë dhe populli ynë do të ngrihen në revolucion të armatosur kundër klikës revizioniste jugosllave dhe gjithë tradhtarëve. Në këtë revolucion populli ynë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi do t’i realizojë aspiratat e veta shekullore. Në këtë rrugë tanimë ai është nisur dhe nuk ka fuqi që ta ndalë”5
Format e mjetet e luftës së Organizatës, ishin adoptuar nga tradita e Lëvizjes, por të plotësuara me praktikat moderne të veprimit. Në nenin II të Statutit të Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve, të udhëhequr nga Adem Demaçi më 1964, shkruante: “Lëvizja jonë, për me mbërrijtë qëllimin e naltpërmendun, ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore, prej atyne politiko-propagandistike, mjete paqësore, e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore, mjete jopaqësore”.6 Organizata e kishte të qartë që përpjekjet drejt qëllimit të saj do të ishin të gjata dhe të vështira, prandaj udhëhiqej nga moto “Çdo gjë për çështjen, asgjë mbi çështjen”. E vetëdijshme për nevojën e kombinimit të një varg formash të veprimit, ajo porosiste anëtarët e vet “të mos e ngushtojmë veprimtarinë vetëm në një plan apo në një metodë pune, por të shfrytëzojmë të gjitha mjetet e punës e të luftës që iu përgjigjen forcave tona”.7 Ajo e dinte forcën ushtarake të Jugosllavisë, por ishte e bindur që një popull, sado i vogël, kur organizohet mirë dhe hyn në luftë për çlirimin e vet, çmimi i lirisë mund të jetë i lartë, por fitorja mbi robërinë është e sigurt. Populli shqiptar nuk e donte luftën, por ajo bëhej e pashmangshme, sepse ai nuk mund të blegëronte midis ujqërve. “Po të duash paqen, përgatitu për luftën”, thoshin latinët e mençur.
Vetë programi politik përcaktonte format e veprimtarisë së Organizatës në ilegalitet të thellë. “Qëllimet e GMLK dhe konditat në të cilat vepron ai, presupozojnë domosdoshmërinë e organizimit dhe të veprimtarisë në ilegalitet të thellë…Në kushtet tona të sotme, d.m.th., në kushtet e një tërbimi të egër të të gjithë rrjetës së agjentëve policorë… Grupi ynë ka përcaktuar dhe zbaton si formë kryesore luftën ilegale…, kuptimi i drejtë nga çdonjëri prej nesh i metodave të punës thellësisht ilegale, perfeksionimi i pandërprerë dhe zbatimi i tyre i drejtë përbën një detyrë të madhe e të vazhdueshme… Në njërën anë është armiku, me teknikë dhe mjete moderne për gjurmim, me kuadro të specializuara dhe me mjete përrallore materiale; të gjitha këto për kundërveprim ndaj veprimtarisë sonë revolucionare. Qëllimi i tij është ta asgjësojë Grupin tonë dhe veprimtarinë e tij. Për realizimin e këtij qëllimi ai vepron në dy drejtime kryesore: pushtimin e kalasë sonë nga jashtë ose nga brenda…
Në anën tjetër…ne përpunojmë, rishikojmë, plotësojmë dhe perfeksionojmë metodat tona. Po zbatuam drejt rregullat e konspiracionit, po vepruam në ilegalitet të thellë, armiku nuk do të mund të na zbulojë kurrë. Prandaj, duhet të jetë preokupacion i të gjithë shokëve thellimi i mëtejshëm i konspiracionit në veprimtarinë tonë dhe organizimi në mënyrë thellësisht ilegale.
Një problem tjetër në këtë drejtim është edhe respektimi i kritereve të shëndosha në futjen e shokëve të rinj në grupin tonë si dhe vigjilenca revolucionare.
Veprimtaria thellësisht ilegale, nuk do të thotë aspak mbyllje në vetvete dhe izolim e shkëputje nga masat. Krahas punës ilegale, ne duhet të veprojmë edhe në drejtimin legal, si formë tjetër e luftës, duke kombinuar punën ilegale me atë legale, por në raport të drejtë dhe në përputhje me vijën e masave”.8
Një formë e rëndësishme e veprimtarisë së Organizatës ishte propaganda dhe agjitacioni luftarak. Në shtypin klandestin jepeshin edhe këto porosi: “Një nga detyrat tona më të rëndësishme është puna ndër masat e gjera e lidhja e pazgjidhshme me to dhe një nga punët e para që duhet të bëjmë atje është agjitacioni dhe propaganda.
Nëse i organizojmë mirë agjitacionin dhe propagandën në turma të gjera, ato do t’i shkojnë në ndihmë lëvizjes së gjerë spontane që zhvillohet në gjirin e masave të gjera, nga një anë dhe do të kontribuojnë shumë në edukimin politik të tyre e do ta forcojnë akoma më shumë lidhjen mes nesh dhe masave, nga ana tjetër.
Lufta jonë nuk ka karakter komploti por është luftë e përgjithshme popullore, është luftë për çlirimin e popullit e këtë mund ta bëjë vetëm populli vetë…
Është populli pra, që paraqet forcën vendimtare në luftë për çlirimin e tij. Por duhet të jemi ne ata që dimë me urtësi të bëjmë mobilizimin e tij në problemet ekonomike dhe politike, të bëjmë agjitacion dhe propagandë të pareshtur dhe të organizojmë me mjeshtri këtë forcë në luftën e armatosur.
Po nuk vepruam në masa të gjera popullore, po nuk bëmë atje agjitacion dhe propagandë, po nuk u lidhëm ngushtë me masat, ajo mbetet neutrale, kështu propaganda e armikut gjen një trup me imunitet të dobët ndaj demagogjisë revizioniste dhe hyn (së paku në një pjesë të tij) me gjithë helmin e saj në të, kurse ne mbetemi një grusht njerëzish të destinuar për dështim”.9 Ndërkaq, duke shkruar për xehetarët e “Trepçës” shtypi klandestin i vitit 1973, përfundonte: “…lidhja e ngushtë me xehetarët, formimi i celulave ndër ta si dhe ndihma xehetarëve për sqarimin, mobilizimin e tyre politik, për ngritjen e ndërgjegjes revolucionare e organizimin e formave të ndryshme të luftës së tyre kundër padronëve revizionistë dhe në fund, bashkimi i xehetarëve me gjithë punëtorët tjerë dhe popullin e robëruar kosovar në luftë të armatosur kundër armikut- ja detyrat tona ndaj xehetarëve”.10
Organizata mbronte parimet e luftës çlirimtare, duke i edukuar masat në frymën e organizimit popullor të saj, pa rënë asnjëherë në pozitat anarkiste, ultramajtiste e ekskluziviste, që shfaqeshin në botën e atëhershme. Ajo u përmbahej gjithashtu parimeve të internacionalizmit, duke ndarë popujt nga regjimet e tyre shtypëse e shfrytëzuese, duke mos lejuar që në popullin e vet të ngjallej fryma e urrejtjes kundër popujve, edhe kur ata e urrenin. “Zëri i Kosovës” shkruante: “E vërteta është se populli shqiptar i ka miq dhe vëllezër popujt sovjetikë dhe jugosllavë, por udhëheqësinë e tanishme revizioniste kurrën e kurrës, sepse gjersa ujku mbetet ujk, ai do plumb e jo pambuk”11
VIJON…
_______________
Referenca:
1.Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve, “Zëri i Kosovës”nr.1, shkurt 1974
2. Letra e Titos, “Zëri i Kosovës” nr. 1, shkurt 1974
3. Mehmet Hajrizi: “Në rrugë drejt lirisë”, botuar në mars 1978 dhe ribotuar te “Pashtriku.org” dhe te vepra “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, Instituti i Historisë dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, 2015, Prishtinë. Dokumentin e sjellim edhe në Shtojcën e këtij libri.
4. Një komitet të tillë e kishin themeluar Xhafer Shatri e Jshar Alia për rajonin e Dukagjinit, që më 1974.
5. Zëri i tradhtarëve nuk është zëri i popullit tonë, GMLK “Materiale” 1978
6. Dr. Hakif Bajrami: Dosja Demaçi, Brezi 81, Prishtinë, 2003 f. 86
7. Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve, “Zëri i Kosovës” nr 1, shkurt 1974
8. Lufta ilegale, formë kryesore e veprimtarisë sonë, GMLK, Materiale, 1978
9. Çështje agjitacioni dhe propagande, te “Zëri i Kosovës”nr. 2, prill 1974
10. Xehetarët e Trepçës, Materiale të GMLK, 1978
11. Shqipëria dhe Jugosllavia, “Zëri i Kosovës” nr 1, shkurt 1974

___________
MEHMET HAJRIZI: THEMELIMI I GRUPIT REVOLUCIONAR – GR (9)
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=8723

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura