MEHMET HAJRIZI: PUSHIMI I VEPRIMTARISË SË OMLK-së (MAJ 1982) DHE NDIKIMI I SAJ NË LËVIZJEN KOMBËTARE NË VITET VIJUESE (26)

Pashtriku, 20 dhjetor 2019:
PËRFUNDIM
6.1 Pushimi i veprimtarisë së OMLK-së dhe ndikimi i saj në Lëvizjen Kombëtare në vitet vijuese
Pas arrestimit në fund të vitit 1981 dhe në fillim të vitit vijues të udhëheqjes dhe të shumë veprimtarëve të OMLK-së, anëtarët, kandidatët dhe simpatizantët e saj të paarrestuar, mbetën pa lidhje midis tyre dhe të paorganizuar. Kurse, pas vrasjes së Kadri Zekës, anëtarësia në mërgatë, në krye me Hasan Malajn, Saime Isufin etj., po vazhdonin përpjekjet e riorganizimit dhe të bashkimit të Lëvizjes Kombëtare. Xhafer Shatri, njëri nga udhëheqësit e GRK-së, në dimrin e vitit 1982 arratiset nga burgu dhe u bashkëngjitet radhëve të Organizatës në Zvicër. I autorizuar nga OMLK, ai vazhdon bisedimet për bashkim me organizata të tjera të Lëvizjes, si LNÇKVSHJ, PKMLSH etj., që rezulton me formimin në maj të vitit 1982 të frontit të përbashkët, të quajtur Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).
D
uke u angazhuar në vijim gjithë anëtarësia e OMLK në organizimin e ri dhe të bashkuar, praktikisht pushon së ekzistuari OMLK me këtë emër.
Periudha e gjatë e veprimit të kësaj Organizate, përvoja e pasur, rezultatet historike që kishte arritur dhe trashëgimia që kishte lënë, patën jehonë dhe ndikim të fuqishëm në gjithë organizimet vijuese të Lëvizjes Kombëtare deri në Luftën e armatosur të UÇK-së.
Nën shembullin e GRK-OMLK janë ngritur shumë organizata më vete gjatë viteve ’70, por edhe në vitet ’80, pas pushimit të saj. Një shembull ilustrues është ai i organizimit të të rinjve nën udhëheqjen e Nuhi Berishës, Enver Topallit, Xhabir Morinës, Bajrush e Emrush Xhemajlit etj.
Pas lirimit nga burgu Rexhep Malaj e Kadri Osmani, i gjetën të organizuar mirë këta të rinj në Kosovë, por edhe mërgatën e bashkuar. Në pranverën e vitit 1983 ata filluan përgatitjet dhe formuan Partinë e Luftës të Kosovës, por valët e reja të arrestimeve të fundvitit 1983 dhe fillimit të vitit 1984 dhe sidomos vrasja e Rehep Malajt e Nuhi Berishës, më 11 janar 1984, e dëmtuan rëndë Lëvizjen e kohës.
Veprimtarë të mbetur në Kosovë, shumë prej të cilëve të liruar nga burgjet, vendosin “ta vazhdojnë veprimtarinë ilegale atdhetare si vazhdimësi e Grupit Marksist Leninist të Kosovës, të shndërruar më vonë në Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës. Mirëpo, nuk e quajtën veten as GMLK dhe as OMLK, por Marksistë Leninistë të Kosovës, për shkak të shkapërderdhjes së radhëve të organizuara dhe do të vazhdonin të quheshin kështu deri në riorganizimin dhe rikonsolidimin e plotë të radhëve të veta, si fazë e parë e riorganizimit dhe rikonsolidimit të Lëvizjes Ilegale Atdhetare të Kosovës.
Vetëm pas përmbylljes me sukses të kësaj faze, do të bëhej shndërrimi në OMLK, si fazë e dytë e organizimit dhe konsolidimit dhe në fund, vetëm pas përmbylljes me sukses edhe të kësaj faze, ishte paraparë të bëhej shndërrimi në parti politike që do ta drejtonte dhe udhëhiqte gjithë Lëvizjen Ilegale Atdhetare të Kosovës, si fazë e tretë dhe e fundit e rrumbullakësimit të plotë të këtij procesi që kishte filluar gjatë vitit 1983…Sekretar politik i Komitetit Organizativ të Marksistë Leninistëve të Kosovës u emërua Hajdin Abazi, kurse sekretar organizativ Xhabir Morina”1
Këta veprimtarë “ishin të bindur se grupi-organizata më e suksesshme ilegale atdhetare e gjithë Lëvizjes Ilegale Atdhetare të Kosovës, deri në atë kohë, kishte qenë GMLK-OMLK; qoftë në aspektin e ndërtimit të strukturës organizative vertikale, qoftë në aspektin e kohëzgjatjes së veprimtarisë pa u zbuluar nga SHSSH të ish-Jugosllavisë, qoftë në aspektin e shtrirjes horizontale-territoriale, qoftë në aspektin veprimtarisë praktike atdhetare kundër regjimit antishqiptar të ish-Jugosllavisë së Titos, qoftë në aspektin e ngritjes në një shkallë më të lartë dhe fuqizimit të identitetit kombëtar të gjithë Lëvizjes Ilegale Atdhetare të Kosovës dhe të identitetit shqiptar në ish-Jugosllavi etj.2

Në vazhdim të përpjekjeve konvergjuese dhe të bashkimit të Lëvizjes Kombëtare, në janar të vitit 1985 në një mbledhje të përbashkët “u bë bashkimi-shkrirja e këtyre grupeve–organizatave ilegale atdhetare:
– Marksistë Leninistët e Kosovës, të përfaqësuar nga Xhabir Morina dhe Hajdin Abazi;
– Komiteti i Trojeve Shqiptare në Maqedoni (marksist-leninist), i përfaqësuar nga Ali Ahmeti dhe Bajram Limani;
– Këshilli Organizativ (marksist-leninist), i përfaqësuar nga Fehmi Lladrovci…
Në këtë mbledhje, u zgjodhën anëtarët e Sekretariatit në bazë të përfaqësimit adekuat të grupeve-organizatave të bashkuara-shkrira në Marksistë Leninistët e Kosovës, prapë me marrëveshje të plotë-unanime dhe pa asnjë vërejtje, në këtë përbërje:
– Xhabir Morina, sekretar politik,
– Bashkim Mazreku, sekretar organizativ,
– Fehmi Lladrovci, sekretar për çështje ushtarake,
– Xhavit Haziri, sekretar për propagandë, informim dhe shtyp,
– Bajram Limani, sekretar për sigurimin e bazave, strehimoreve dhe banesave.3
Në përfundim të punimit të cituar, Xhabir Morina konsideron se të arriturat e kësaj organizate ishin: “…unifikimi organizativ dhe ideologjik e politik i gjithë Lëvizjes Ilegale Atdhetare në Kosovë, në të gjitha viset shqiptare të banuara në shumicë me popullsi shqiptare dhe në mërgatën shqiptare, deri atëherë të shkapërderdhur organizativisht dhe të padefinuar e të paformësuar ideologjikisht dhe politikisht. Në këtë mënyrë Marksistë Leninistët e Kosovës ia arritën ta forconin dhe fuqizonin si asnjëherë më parë, që nga përfundimi i LDB-së, identitetin kombëtar të kësaj lëvizjeje në veçanti dhe identitetin shqiptar në ish Jugosllavi në përgjithësi; Formimi për herë të parë në kuadër të një organizimi ilegal të Lëvizjen Ilegale Atdhetare të Kosovës i një sektori ushtarak, i cili do të merrej në mënyrë të veçantë me aspektin ushtarak të kësaj Lëvizjeje;… Formimi në fund të vitit 1985 i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, të shndërruar më vonë në Lëvizjen Popullore të Kosovës, si një organizatë-front, lëvizjes demokratike të masave të gjera popullore, e cila më vonë do të bëhej bartësja kryesore e LIA të Kosovës dhe organizatorja e UÇK-së dhe Luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.4
***
Xhevat Zekaj nga Mojstiri i Burimit (Istog), pjesëmarrës dhe njëri nga organizatorët e demonstratave në Istog më 1981, bashkë me disa kolegë vendosën të organizohen më 1982 gjithashtu sipas shembullit të OMLK-së. Udhëheqja e këtij organizimi të quajtur Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Shqiptarëve në trojet e tyre të robëruara (KMKSH) përbëhej nga Xhevat Zekaj, kryetar, Qamil Çadraku nga Radoste e Rahovecit, sekretar, Adem Krasniqi, nga Radoste e Rahovecit, arkëtar, Ramiz Daka nga Korisha e Prizrenit, Kasim Haxhimurati nga Rahoveci, dhe Ismet Avdyli nga Sushica e Burimit, kishte zgjeruar radhët në Burim, Prizren, Suharekë dhe Mitrovicë. Xhevat Zekaj ka shkruar: “Në përvjetorin e parë të rënies së heronjve Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, më 16 janar 1983 në Prishtinë, Prizren, Rahovec, Suharekë, Pejë e Mitrovicë u shpërnda trakti ‘Populli do t’ua marrë hakun’, i cili kishte ardhur nga Perëndimi.
Në shkurt të vitit 1983 intensifikohen përpjekjet për bashkimin e grupeve, vihen kontakte me Nuhi Berishën me të cilin njihesha më herët, por tani bënte jetë ilegale, si dhe me një pjesëtar të grupit të Bajrush Xhemajlit.
Këtë bashkim e pengoi fillimi i arrestimeve në shkurt dhe në mars 1983 i disa grupeve”5 Më 1983 Xhevat Zekaj u dënua me 7 vjet burg, Qamil Çadraku me 5, Ismet Avdyli me 5, Kasim Haxhimurati me 4, Adem Krasniqi me 4 dhe Ramiz Daka me 5 vjet burgim.
Sipas shembullit të OMLK-së u organizuan edhe një varg organizatash të tjera më të vogla.
6.2 Roli historik i OMLK-së
Lëvizja Kombëtare e Kosovës për çlirim nga sundimi serb, përbën një nga kapitujt më të dhembshëm dhe njëkohësisht, më të lavdishëm të historisë së kombit shqiptar. Ajo paraqet pa dyshim, vlera shumë të rëndësishme në thesarin historik, politik, çlirimtar e demokratik, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të gjithë popujve të Gadishullit të Ballkanit.
GRK-OMLK përbën një gur të çmuar në mozaikun e vlerave të historisë së kombit shqiptar. Kjo Organizatë, si bashkim i fuqishëm politik, pati rol të veçantë në Lëvizjen çlirimtare të popullit të robëruar shqiptar. Ajo quhej thjesht organizatë, por kjo nuk e zvogëlon aspak rolin dhe rëndësinë historike të saj, në qoftë se këto maten me kutin e veprës dhe jo të emrit pompoz.
Studiuesja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Sabile Keçmezi-Basha ka shkruar: “Organizata e cila pati më së tepërmi jehonë në qarqet e përgjithshme të popullatës shqiptare dhe e cila kontribuoi që rrjedhat e shoqërisë ish-socialiste në Kosovë të merrnin kah krejt tjetër, ishte pasardhësja e ‘Grupit Revolucionar’ që më vonë u shndërrua në Organizatën Ilegale Shqiptare ‘Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës” 6
Përsosja vite me radhë e teknikave konspirative, e një disipline të rreptë dhe e metodave të avancuara të organizimit, u bë përvojë e pasur jo vetëm për Organizatën, por edhe për gjithë Lëvizjen Kombëtare që u ngrit në stad të ri, modern e të përparuar, organizativ, teorik, politik e praktik.
Në praktikën e veprimtarisë çlirimtare, kjo Organizatë solli shtypin klandestin, si mjet informimi objektiv, sqarimi e edukimi të masave të gjera dhe të propagandimit të ideve të lirisë. Nëpërmjet shtypit ajo demaskoi demagogjinë dhe mashtrimin e pushtuesve dhe ngriti ndërgjegjen kombëtare të popullit të robëruar.
Organizata i mobilizoi shqiptarët nën ish Jugosllavi, nëpërmjet shtrirjes organizative në të gjitha territoret e pushtuara shqiptare. Ajo ishte kultivuese e vlerave më të mira të traditës së popullit shqiptar dhe të Lëvizjes së tij Kombëtare.
OMLK i vuri bazat e bashkëpunimit me Shqipërinë, bazat e integrimeve kombëtare dhe të bashkimit të kombit e të trojeve të tij. Ajo e përhapi të vërtetën e çështjes së Kosovës dhe i bëri jehonë ndërkombëtare rezistencës shqiptare kundër aneksimit dhe sundimit të huaj.
Me këtë Organizatë fillon organizimi masiv i mërgatës rreth ideve të lirisë e të bashkimit, duke e bërë atë një forcë shtytëse të proceseve çlirimtare të Kosovës.
Organizata angazhoi në radhët e saj në masë të konsiderueshme gjininë femërore, duke e bërë gruan shqiptare forcë të re të Lëvizjes moderne çlirimtare.
Kjo Organizatë e përgatiti për më shumë se dhjetë vjet Kryengritjen e vitit 1981 dhe kur ajo shpërtheu, doli në ballë të saj, e organizoi, e orientoi dhe i dha fuqi me të gjithë efektivin e saj, duke u bërë udhëheqëse e masave të revoltuara.
Organizata pati dokumentacion të pasur teorik e politik, organizativ e propagandistik, në të cilin sintetizohej përvoja shumëvjeçare e saj, që u shfrytëzua nga brezat vijues, duke ruajtur për herë të parë kontinuitetin e drejtpërdrejtë të Lëvizjes. Organizatat vijuese nuk zbritën më në nivelin zero të organizimit, siç kishte ndodhur më herët, në mungesë të strukturave dhe përvojës së shkruar nga paraardhësit.
Organizata mbrojti fuqishëm drejtësinë e luftës së popullit të robëruar shqiptar dhe argumentoi kërkesën e ligjshme për Republikën e Kosovës.
Ajo arriti të ruajë dhe të shpëtojë masën më të madhe të anëtarësisë nga ndjekja dhe burgosjet, që e bëri të mundur riorganizimin e tyre në faza të tjera të Lëvizjes.
Për dymbëdhjetë vjet rresht, me qëndresën e saj, Organizata theu mitin e mbifuqisë së organeve serbe e jugosllave të zbulimit dhe ktheu vetëbesimin në forma të organizimit të qëndrueshëm për kohë më të gjatë.
Kuadrot e Organizatës, të shpërndarë burgjeve jugosllave, duke qenë mirë të përgatitur, teorikisht dhe politikisht ndikuan te të burgosurit tjerë shqiptarë, sidomos te të rinjtë që burgun ta shndërrojnë në shkollë të vërtetë dhe prej tij të dalin si revolucionarë profesionistë. Qëndresa prej prometeu e shumë prej veprimtarëve të Organizatës nëpër burgje u bë shembull edukimi i të rinjve shqiptarë dhe tmerr për armikun.
Një nga vlerat ekzemplare të radhëve të organizuara ishte fryma e lartë e solidaritetit, si në jetën organizative, ashtu edhe në burg, që përbënte forcën e qëndresës kundër përpjekjeve të autoriteteve për shkatërrim moral dhe fizik të të burgosurve shqiptarë.
Filozofia politike, mendimi i ri politik, analizat e thella të gjendjes dhe të situatave, qartësia e perspektivës, ndërtimi i strategjisë dhe taktikave në shërbim të saj, ishin shprehje e një pjekurie dhe kulture të lartë politike e kombëtare të radhëve të Organizatës.
Gjithë veprimtaria e Organizatës dhe sidomos Kryengritja e vitit 1981, lëkundën themelet e Jugosllavisë si një kreaturë artificiale dhe si burg i popujve. Dekada e veprimit të kësaj Organizate mund të quhet Rilindje e Lëvizjes Kombëtare, zgjim i madh shqiptar dhe fillim i fundit të robërisë së Kosovës.
Organizata me guxim dhe qartësi e përgatiti Kosovën për zhvillimet historike që do të ndodhin në të ardhmen e afërt, në drejtimin e luftës së armatosur çlirimtare.
Për më shumë se një dekadë Organizata ngriti kuadro të guximshëm e të vendosur, të përgatitur e të përkushtuar me besnikëri, shumë prej të cilëve qenë udhëheqës politikë dhe ushtarakë në fazat e mëvonshme të Lëvizjes Kombëtare.
VIJON …
____________________________
Fusnotat:
1 Xhabir Morina: “Identiteti kombëtar i marksistë leninistëve të Kosovës, roli i tyre në Lëvizjen Ilegale Atdhetare të Kosovës dhe për çështjen e Kosovës 1983-1985”, Ferizaj, dorëshkrim, f. 6
2 Po aty f.7
3 Po aty f.9
4 Po aty f.15
5 Xhevat Zekaj: Shënime, 2007
6Dr.Sabile Keçmezi-Basha:Roli i revistës ‘Liria’ si zëdhënëse e kohës së vet, Epoka e re, Prishtinë, 13 prill 2006. F. 15
***
MEHMET HAJRIZI: AKTIVITETI, BURGOSJA DHE VRASJA E VEPRIMTARËVE TË OMLK-së (25)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9428

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura