RESHAT AVDIU: ÇËSHTJA SHQIPTARE NË KONFERENCËN E LONDRËS – MË 27 KORRIK 1913

Preshevë, 30. 07. 213 – Të nderuar pjesëmarrës të kësaj tribune historike me rastin e njëqind vjetorit të Konferencës së Ambassadorëve të Londrës po e filloj me fjalët e të madhit ambassador të SH.B.A-së Xhorxh Uilliams, atëbotë i akredituar si ambassador fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Ai kështu do të shprehej mbi copëtimin dhe gllabërimin e tokave shqiptare nga shtetet ballkanike përmes Konferencës së Ambasadoreve të Londrës: “Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje ose arsye nëpër sallat e diplomacies (këtu Evropiane-vër. aut). Pastaj djali im, ti nuk e din se me sa pak mëshirë qeveriset sot bota”.
Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në Londër, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e përhershme të ministrit të Jashtëm anglez. Që në ditën e parë të punimeve të saj, më 17 dhjetor, Konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Çështja u diskutua në dy aspektet e saj kryesore: 1). e ardhmja politike e Shqipërisë dhe 2).caktimi i kufijve të saj. Për pikën e parë ambasadorët vendosën që: “të krijohej” një Shqipëri autonome “nën sovranitetin ose suzeranitetin e sulltanit”, që ajo të vihej “nën garancinë dhe kontrollin ekskluziv të Gjashtë Fuqive të Mëdha Evropiane” dhe të shpallej “asnjanëse”. Ky vendim i Konferencës, ndonëse vuloste dështimin e planeve shoviniste të shteteve dhe qeverive fqinje për copëtimin e plotë të Shqipërisë, ishte një hap prapa në krahasim me vendimet e Kuvendit të Vlorës dhe, përgjithësisht, binte në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, prej 28 nëntorit e këtej. Ndërsa Kuvendi i Vlorës kishte shpallur shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia dhe pavarësinë e saj të plotë, Konferenca e Londrës vendosi ta linte atë ende në kuadrin e Perandorisë Osmane, duke ia njohur asaj vetëm të drejtën e autonomisë së brendshme.

Veç kësaj, Konferenca e Londrës vendosi të mos përfillte asgjë nga gjithë sa mund të bëhej brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit shqiptar me forcat e veta të vendit. Kështu, ajo ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë, që të hartonin dhe të paraqitnin një projekt më të hollësishëm të organizimit të shtetit autonom shqiptar.
Në lidhje me kufijtë, në seancën e saj të parë, Konferenca mori vetëm vendime të përgjithshme. Ajo vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë. Kjo kishte të mirën e saj, sepse duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, i mbyllej rruga shtrirjes tokësore të Serbisë drejt Adriatikut. Por kërkesa e vjetër e Serbisë për një “dalje në Adriatik” nuk u hodh krejtësisht poshtë. Ambasadorët ia njohën Serbisë të drejtën që të kishte një dalje tregtare në det nëpërmjet një skele shqiptare “të lirë dhe asnjanëse”. Kjo skele do të shfrytëzohej nëpërmjet një hekurudhë ndërkombëtare nën kontrollin evropian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare me liri kalimi për të gjitha llojet e mallrave, duke përfshirë edhe materialet e luftës. Ky ishte cungimi i parë që i bëhej sovranitetit tokësor të shtetit të ri shqiptar.
Në seancën e saj të parë Konferenca e Londrës nuk gjeti zgjidhje përfundimtare për asnjë nga aspektet e rëndësishme të çështjes shqiptare.
Gjatë punimeve të saj, deri në maj 1913, me disa ndërprerje të diktuara nga rifillimi i Luftës Ballkanike, Konferenca e Londrës u mor gati krejtësisht me çështjen e kufijve të Shqipërisë. Këtu u ndeshën si kërkesat e palëve të interesuara drejtpërsëdrejti, ashtu edhe pikëpamjet e Fuqive të Mëdha që qëndronin prapa tyre.
Greqia kërkonte, përveç krahinave greke të Thesalisë, edhe viset e Shqipërisë së Jugut (të vilajetit të Janinës), të banuara nga popullsi shqiptare, kompaktësia e së cilës nuk cënohej nga grupet e vogla grekofone të Delvinës dhe të Dropullit, edhe këto të përziera me popullsinë vendase. Për aneksimin e këtyre tokave diplomacia greke dhe shtypi shovinist grek zhvilluan një fushatë të gjerë brenda dhe jashtë Greqisë. Qeveria serbe, nga ana tjetër, përfshinte në listën e kërkesave të saj krahinat shqiptare të Kosovës si dhe tokat e banuara nga shqiptarë në Maqedoni. Mali i Zi ngulte këmbë si më parë për aneksimin e Shkodrës me rrethinë dhe kërkonte që si kufi i saj me Shqipërinë të caktohej lumi i Matit, ose lumi Drin, deri te derdhja e tij në Adriatik.
Konferencës së Londrës i paraqiti një memorandum edhe Qeveria e Vlorës të Ismail Qemailit. Aty shtroheshin kërkesat e ligjshme të Shqipërisë. Kufijtë e definuar nga pala shqiptare niseshin nga kufijtë e atëhershëm të Malit të Zi dhe i përfshinin, krahinat shqiptare si: Pejën, Mitrovicën, Prishtinën, Preshevën, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Manastirin, Kosturin, Meçovën dhe Janinën. Kurse në jug do të mbaheshin kufijtë ekzistues (me Turqinë) deri në Prevezë. Qeveria e Vlorës e paraqiti në këtë memorandum maksimumin e kërkesave të saj tërritoriale për të qenë në gjendje pastaj ta ruante një hapësirë të nevojshme për kompromiset e pashmangshme, që do të duhej të bëheshin gjatë tentativave në Konferencën e Londrës. Memorandumi përfundonte duke e hedhur poshtë tezën e aleatëve ballkanikë se Shqipëria ishte e lidhur me Turqinë dhe, për pasojë, trojet shqiptare do të shërbenin si “kompensim territorial” për aleatët që e fituan luftën me Turqinë. Aty theksohej edhe fakti se shqiptarët ndër shekuj kishin bërë luftra të pandërprera kundër sundimit turk e kjo ishte edhe një kontribut i rëndësishëm në çështjen e përbashkët të popujve të Ballkanit. Dhe mu për këtë kombi shqiptar nuk mund të vuante fatin e sundimit turk në Ballkan dhe të bëhej monedhë tregu për kusuritjen e pazareve nga shtetet fqinje ekspanzioniste dhe hegjemoniste të Ballkanit.
Ashtu si për çështjen shqiptare në tërësi, njashtu edhe për çështjen shqiptare në veçanti u vendos që kufijtë e Shqipërisë, të debatoheshin në Konferencë e Londrës ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Austro-Hungaria u përpoq t’i fshihte synimet e veta kolonialiste në Ballkan duke dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Për më tepër monarkitë ballkanike vetë ishin një konglomerat popujsh e kombësish, që e mohonin parimin e kombësisë. Në të vërtetë, të frikësuar nga vrulli i ri i “nacionalizmit” i popujve të Gadishullit Ballkanik ( e cila mund të kthehej shpejt në bumerang kundër tyre), ato synonin ta përdornin shtetin shqiptar si element të ekuilibrit të ri në Ballkan. Vjena shpejt e bëri të qartë se nuk ishte për një zbatim absolut e pikë për pikë të parimit etnik. Përfaqësuesi i saj në Londër deklaroi në fund të dhjetorit, në një nga seancat e Konferencës së Londrës, se “tokat e banuara krejtësisht nga popullsia shqiptare nuk duhej t’i shkëputeshin Shqipërisë”, ndërsa krahinat ku shqiptarët e përbënin shumicën e popullsisë, mund të ishin edhe si objekt i kompromisit ndërmjet Fuqive të Mëdha Evropiane dhe mund të përdoreshin për t’i plotësuar aspiratat e shteteve në zgjerim këtu të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.
Konferenca e Londrës nuk e pranoi si bazë për zgjidhjen e çështjes së kufijve të Shqipërisë parimin etnik, qoftë edhe në trajtën gjysmake që e kishte propozuar qysh në fillim Austro-Hungaria. Deri në fund të marsit ambasadorët në Londër u morën më shumë me kufijtë veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë. Diskutimet kishin pamjen e një ballafaqimi të drejtëpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë, të cilat u grindën për çdo qytet dhe krahinë të Shqipërisë në veri. Kjo i vonoi pak ambassadorët, por nuk i pezulloi krejt punimet e Konferencës së Londrës. Në sipërfaqe filloi të dalë gjithnjë çështja e Shkodrës, e cila u bë strumbullari kryesor për çështjen e kufijve të Shqipërisë në veri. Kërkesa e Vjenës për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë ndeshi në kundërshtim të ashpër nga Rusia, e cila e kishte përkrahjen pa rezervë nga Franca, Anglia dhe Italia.
Në këto rrethana të krijuara Austro-Hungaria i njoftoi Fuqitë e Mëdha të vendosjes se do të largohej përfundimisht nga Konferenca e Londrës, në qoftë se nuk arrihej marrëveshja për t’ia lënë Shkodrën Shqipërisë. Kjo pati si pasojë që Italia të ndryshonte qëndrim në çështjen e Shkodrës dhe të rreshtohej në anën e Austro-Hungarisë. Bisedimet treguan se ishte e nevojshme të bëheshin lëshime nga të dyja palët. Rusia bëri të ditur se mund të pajtohej me idenë që Shkodra të lihej brenda Shqipërisë, por me kusht që Malit të Zi t’i jepej liqeni i Shkodrës dhe Mali i Taraboshit, kurse Serbisë Gjakova, Dibra dhe Luma. Kjo kërkesë e Rusisë u kundërshtua fuqishëm nga Fuqitë e Tripalëshe, në Konferencën e Ambasadorëve e cila pësoi fijasko dhe u kthye në pikën zerro. Për më shumë se një muaj bisedimesh të zhvilluara jashtë dhe mbrenda Konferencës së Ambasadorëve në Londër, por gjithmonë me ndërmjetësinë e ministrit të Jashtëm anglez Eduard Grey. Për ta zgjidhur çështjen shqiptare dy palët u detyruan të bënin lëshime të reja. Rusia hoqi dorë nga kërkesat për liqenin e Shkodrës, Taraboshin dhe Lumën, kurse Austro-Hungaria, e shqetësuar për fatin e Shkodrës që rrezikohej të binte në duart e serbo-malazezëve, vendosi të sakrifikonte Gjakovën. Më 22 mars Konferenca u mblodh për ta sanksionuar marrëveshjen përfundimisht nga Fuqive dominate të Evropës, më gjithë kundërshtimin e hapur të disa përfaqësuesve në Konferencë parimi i kombësisë dhe i vullnetit të popullsive vendase nuk u muarr parasyshë, dhe se nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova dhe tokat e Shqipërisë Lindore (të quajtura Maqedoni Perëndimore).
Pafuqia e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës për t’i zbatuar në mënyrë të drejtë vendimet parimore mbi kufijtë e Shqipërisë u dha shkas Austro-Hungarisë dhe Italisë të lidhnin, më 8 maj, një marrëveshje të fshehtë, me anën e së cilës parashikonin mundësinë e pushtimit të Shqipërisë me forcat e tyre të armatosura, duke e ndarë territorin e saj në dy pjesë të barabarta: Austro-Hungarisë do ti takonin krahinat mbi lumin Shkumbin, ndërsa Italisë do ti takonin krahinat në jug të lumit Shkumbin. Lajmet mbi bisedimet e fshehta ndërmjet Vjenës dhe Romës i detyruan Fuqitë e tjera, përfshirë edhe Rusinë, ti kapërcenin mosmarrveshjet mes veti, dhe ndërhynë energjikisht te Krail Nikolla i Cetinës, duke ia bërë të ditur atij se, po që se është nevoja, do të intervenohej edhe ushtarakisht në Shkodër për ta mbyllur njëherë e mirë këtë çështje. E trembur, qeveria malazeze vendosi që më në fund, më 14 maj, t’i tërhiqte trupat e saj nga Shkodra.
Konferenca e Londrës filloi të merrej edhe me çështjen e caktimit të kufirit shqiptaro-grek dhe ate vetëm se nga gjysma e dytë e muajit mars, pasi qysh më pare ishte arritur marrëveshja për kufijtë veriore e verilindorë të Shqipërisë. Deri në këtë kohë çështja ishte diskutuar jashtë Konferencës së Ambasadorëve, e kjo ishte bërë ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë, të cilat kishin ra në ujdi të përbashkët për qëndrimet që do ti mbanin në Konferencë. Italia qysh më pare e kishte merrë rolin udhëheqës gjatë diskutimeve që do të pasonin për caktimin e kufirit jugor të Shqipërisë. Më 19 mars përfaqësuesi i Italisë paraqiti në Konferencë projektin e bashkërënduar austro-italian. Janina i jepej Greqisë, kurse Korça dhe Gjirokastra i mbeteshin Shqipërisë. Sipas këtij projekti, vija e kufirit do të niste nga liqeni i Prespës dhe do të dilte në detin Jon, dhe ate në derdhjen e lumit Kalamas. Ky propozim ndeshi në kundërshtimin e Fuqive të Antantës, të cilat e përkrahnin pikëpamjen greke dhe kërkonin që krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës t’i jepeshin Greqisë. Në mënyrë të veçantë, Franca, e përkrahur edhe nga Gjermania, ngulte këmbë që bregdeti përballë ishullit të Korfuzit të përfshihej brenda kufijve të Greqisë. Mirëpo Italia e shihte këtu rrezikun e krijimit të një baze të madhe detare në ujërat e Kanalit të Korfuzit, gjë që prekte interesat e saj strategjike në këtë zonë. Me nxitjen dhe përkrahjen e forcave ushtarake, qeveria italiane deklaroi se do ta kundërshtonte me çdo mjet daljen e forcave greke në bregun lindor të Kanalit të Korfuzit, qoftë edhe duke përdorur forcën ushtarake të saj. Kjo u bë shkak për një tensionim të Konferencës. Por vetë Italia, për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje, propozoi si kufi shqiptar në bregdet të jetë, jo ke derdhjen e lumit Kalamas, por te Kepi Stilos përballë Kanalit të Korfuzit.
Së fundi, pas mjaft diskutimesh, Konferenca e Ambasadorëve në mbledhjen e 11 gushtit 1913 vendosi që kufiri i Shqipërisë në jug ta përfshihte Korçën dhe të dilte në bregdet në Kepin Stilo. Po ashtu edhe Ishulli i Sazanit do ti mbetej Shqipërisë. Por ky ishte një vendim tepër i përgjithshëm, që linte të papërcaktuara shumë gjëra e midis tyre edhe fatin e Gjirokastrës. Të gjitha këto u lanë të sqaroheshin përfundimisht pas mbarimit të Konferencës , gjatë fazës së caktimit në vend të kufijve të Shqipërisë. Për këtë qëllim Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare, njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Pasi kishte vendosur shkëputjen e krahinave të tëra shqiptare në veri, Konferenca i vuri si kritër pune komisionit kufitar në jug që gjatë caktimit të kufirit në vend t’i përmbahej parimit të kombinuar etnikogjeografik. Me ngritjen e këtyre komisioneve, Konferenca e Ambasadorëve u dha fund punimeve më 12 gusht 1913. Por lufta diplomatike rreth kufijve të Shqipërisë nuk mbaroi me mbylljen e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, por ajo u zhvendos nga pallatet e kryeqytetit anglez në malet e Shqipërisë, për ti luftuar padrejtësitë që iu vunë Shqipërisë. Për më tepër Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk i përfilli asnjëherë aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi për ti fashitur kontradiktat e tyre në këtë zone shqiptare dhe për ti kënaqur pretendimet e tepruara të shteteve shoveniste të Ballkanit. Mjafton të përmendet se me kufijtë që u caktuan në Londër, brenda Shqipërisë u përfshi afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i saj u shkëputën krahina të tëra (Kosova në veri, Çamëria në jug), të cilat, jo vetëm përfaqësonin trevat bujqësore më pjellore me nëntokë shumë të pasur, por edhe kishin qenë vatra të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare për më tepër e kishin dhënë kontributin e tyre shumë të çmuar në luftëra të parreshtura me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha pesë shekullore nga Perandoria Osmane.
Eduard Grey, duke folur për caktimin e kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, deklaronte më 12 gusht në Dhomën e Komisioneve: “Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo (zgjidhje) në shumë pika do të japë shkas për kritika të mëdha nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhet marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes së Evropës”.
Në këtë mënyrë, vetë ministri i Jashtëm i Anglisë, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, e njihte tërthorazi padrejtësinë e vendimit për kufijtë e Shqipërisë dhe përpiqej disi ta justifikonte, duke e paraqitur si një “kurban” i domosdoshëm në altarin e paqes evropiane.
Pikërisht me këtë paregullësi të Konferencës së Ambassadorëve të Lodrës shqiptarët si kolektivitet i etnisë së tyre e patën fatin tragjik dhe dramatik në rrugën gjatë për të mbijetuar në natën e tmerrshme dhe sterrë të zezë të historisë së tyre të përgjakshme, ndër luftëra dhe sakrifica jo për të pushtuar toka të huaja por për t’i mbrojtur tokat e veta etnike shqiptare. Mu për këtë shqiptarët morëm pjesë nëpër luftërat mbrojtëse dhe çlirimtare si në Janinë, Boletin, Kaçanik, përtej Urës së Qabesë, në Pleme të Vogël nëpër shkretëtirat e Sirisë në Bjeshkë të Uzdrumit në Sevastopullin e Krimes në Çanakalanë e Stambollit, nëpër betejat e Jemenit, në Gula de Harë dhe Fuente del Ebro të Spanjës. Pastaj në Koshare, Gorozhub, Prekaz, nëpër malet e Preshevës, e të Bujanocit e në Kala të Tetovës. Bijtë dhe bijat e tria ushtrive tona çlirimtare si ajo e UCK-së në Kosovë, e UCPMB-së në Kosovën Lindore dhe të UCK-së në Iliridë, gjithëmon nga tytat e armëve të tyre e kënduan këngën e vjetër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e që thoshte: “Me kosovë, Toplicë e Çamëri Shqipëria është Një”!
(Kumtesë e lexuar në Tribunën historike, të mbajtur më 27 Korrik 2013 në Preshevë.
– Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura