SI U ORGANIZUA MBLEDHJA E KATËRT E PËRGJITHSHME E LPRK-së DHE CILAT VENDIME U MORËN NË ATË MBLEDHJE

Si u organizua Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPRK-së dhe cilat vendime u morën në atë mbledhje

Nga Ramadan Avdiu

Pas shpalljes së pavarësisë se ish-Republikave veriore të Federatës jugosllave, Sllovenisë dhe Kroacisë, Serbia duke qenë se plotësisht i kontrollonte të ashtuquajturit mekanizmet e sigurisë dhe ushtrinë jugosllave të cilat i futi në veprim me qëllim për t’i ruajtur pozitat e saja dominuese në ish federatën jugosllave, ose për të shkëputur territore dhe për të shtrirë hegjemininë e saj siq thoshin bartësit e politikës shoviniste serbe, në të gjitha hapsirat ku ka qoftë edhe një varr serb….

Rezistenca dhe mobilizimi i popujve slloven e kroat e më vonë edhe popullit boshnjak, për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë tyre të shpallur nga Jugosllavia ndikuan që lufta të merr përmasa dramatike. 

Nga situata e krijuar përfitoj Maqedonia e cila doli nga Federata pa ndonjë peripeci të madhe dhe pa ndryshim substancial të rregullimit të brendshëm. Shqiptarët në Maqedoni sikurse edhe shqiptarët në Kosovë dhe viset e saja, kishin ngelur në pozita të njejta si më parë; të pushtuar, të shtypur, të diskriminuar.  Pa asnjë të drejtë politike, kombëtare, ekonomike. Madje e kishim të vështirë të zhvillonim qoftë edhe një aktivitet të vogël kulturor.

Shqiptarët ishin privuar nga të gjitha të drejtat përveq asaj të organizimit të partive politike, të cilat me qasjen e tyre e kishin pacifikuar plotësisht situatën dhe bënin sehirë se si po zhvillohen luftimet në pjesët e tjera të ish Jugosllavisë duke mbjellur iluzione se demokracia do të sillte  kohë më të mira për ne…

Serbia i toleronte fjalët pas abrogimit të nenit 133 të Kodit Penal të Jugosllavisë për siq thoshin ata « propagandë armiqësore ». Pra Serbia nuk shqetësohej nga fjalët që dikush mund t’i fliste kundër saj. Por, nuk toleronte veprimin kundër saj…

Edhe në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje të konflikteve në ish Jugosllavi, çështja i shqiptarëve anashkalohej krejtësisht,ose përmendej shkarazi si problem i të drerjtave të njeriut….

Kosova si ish-njësi konstituive e ish Jugosllavisë dhe kërkesat e shqiptarëve nuk u përfillen as në Konferencën e Londërs më 1991, as në Konferencën e Hagës më ’92 dhe as në komisionin e Badinterit….

Kjo situatë e krijuar kishte ndikuar që tek një masë e madhe e popullit shqiptarë të manifestohej një gjendje depresive, e pa shpresë dhe pa perspektivë mbijetese, ndaj shumë shqiptarë filluan të emigrojnë kudo që iu jepej mundësia…

Në këto rrethana strukturat dhe anëtarësia e Lëvizjes Popullore të Kosovës ishin e vetmja forcë serioze që mendonin për ndryshimin e strategjisë së rezistencës dhe nga manifestimet e protestës të shkojnë drejtë kryengritjes së armatosur. Ato  përpiqeshin me të gjitha mundësitë e tyre, të veprojnë kundër pushtimit dhe të ndikojnë në përmysje të situatës së krijuar iluzioniste.

Menjëherë pas mbledhjes konsultative të mbajtur në Kollare afër Kërçovës, Grupi për Organizim dhe Riorganizim-i, i cili përbëhej nga; Bilall Sherifi, Hashi Thaçi, Adnan Asllani, Hulusi Beçiri dhe unë, Ramadan Avdiu- që isha Kryetar i GOR-it dhe anëtarë i Kryesisë së LPK-së, në bashkëshkëpunim me anëtarët e tjerë të Kryesisë; Xhavit Haziri, Halil Selimi, Hydajete Krasniqi, dhe Guximtar Labënishti, si dhe në koordinim edhe me anëtarë të Kryesisës së Degës së LPK-së jashtë vendit; Fazli Veliu, Emrush Xhenmajli, Ali Ahmeti, Gafurr Elshani, Muhamet Kelmendi dhe Xhavit Haliti;

– hartuam platformën e punës, nxorrëm projekt programin dhe projektstatutin e LPK-së në diksutim publik tek radhët e organizuara. 

– Organizuam mbledhjet e rregullta të përgjithshme të të gjithë këshillave të rretheve në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.

– Në mbledhjet e Këshillave të rretheve, domosdoshmërisht duhej të asistonte një anëtarë i GOR, për të konstatuar gjendjen organizative në rreth, për të marrë propozimet, vërejtjet dhe për të njohur delegatin me qëllim të verifikimit të mandatit në mbledhje.

Zakonisht nëpër mbledhje debatohej gjatë, rreth situatës poltike në vend dhe për domosdoshmërinë e intensifikimit të rezistencës duke mos zgjedhur mjete për realizimin e qëllimeve tona programore për çlirimin e vendit.

Pas konstatitmit të gjendjes organizative në terren dhe pas mbajtjes së mbledhjeve të përgjithshme në të gjitha Këshillat e Rretheve në të cilat u zgjodhën delegatët për Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme u caktua data e mbajtjes së saj.

Edhe dega jashtë Vendit kishte mbajtur Mbledhjen e Përgjithshme të Degës dhe ishte vendosur që në MKP të marrin pjesë katër delegatë; Fazli Veliu, Bilall Sherifi e Beqir Beqa nga Zvicra kurse Sabri Kiçmari nga Gjermania. Ndërkaq Sekretarin e Përgjithshëm të degës GOR e ftoi që të merr pjesë në mbledhje në bazë të funksionit.

Bilall Sherifi nga Marsi i vitit 1993, qëndroi fshehtas në Kosovë për të ndihmur organizimin. Ai edhe ishte anëtarë i GOR-it, kurse delegatët e tjerë të degës jashtë vendit me Emrush Xhemailin, në fshehtësi të thellë deri në Prishtinë disa ditë para mbledhjes i sollën gjegjësisht shoqëruan veprimtarët Rexhep Avdiu dhe Mustafë Mustafa…

Me të ardhur në Prishtinë edhe ata u vunë në dispozicion dhe ndihmuan për pregatitjen e Mbledhjes.

Vërejtjet e dhëna nga Këshillat e rretheve gjatë debateve rreth projekt programit dhe projektstatutit të Organizatës i përpunuan Halil Selimi me Emrush Xhemajlin dhe Beqir Beqën për projekt programin, kurse Ibish Neziri për projekt statutin.

Komisioni Teknik për organizimin e Mbledhjes i perbërë nag Azem Syla, Hysen Zogjani dhe Rexhep Avdiu fillimisht kishin propozuar që mbledhja të mbahej në rrethin e Suharekës. Disa ditë para se të mbahej mbledhja, në Prizren ndodhi një konfrontim i armatosur në mes të policisë pushtuese dhe luftëtarëve të lirisë, ku sipas të dhënava zyrtare ishin plagosur dy policë serb. Kjo kishte bërë që ditët në vijim policia pushtuese të shtonte kontrollin për gjatë gjithë rrugëve që qonin në drejtim të Prizreni.

Për të vëzhguar situatën dërguam Rexhep Avdiun për të parë se si është gjendja për rreth rrugës. Kur kishte arritur në Prizren ai më telefonon dhe më tha: Mbërriva në Prizren. Mezi kam ardhur. Shtatë herë pata problem me gomat deri këtu. Që do të thoshte se nga Prishina deri në Prizren ishin shtatë punkte policore.

Meqë i kishim pesë veprimtarë të ardhur nga dega jashtë vendit, të gjithë në kërkim nga Policia pushtuese, konsideruam se është më mirë të mendojmë për ndonjë alternativ tjetër….

Në takimin që e unë e kisha me Xhavit Hazirin, Halil Selimin, Hashim Thaçin dhe Adnan Asllanin iu propozova që Mbledhjen ta mbajmë në Prishtinë. Të gjithë ishin të pajtimit sepse tashmë shumica e delagatëve ishin në Prishtinë. Unë vendosa të shkoj dhe të kërkoj nga anëtari dhe delegati i rrethit të Prishtinës  Fatmir Brajshori që mbledhjen ta mbajmë në shtëpin e tij. Ai pasi bisedoj me të atin Maliq Brajshori më ktheu përgjigjen se në mbrëmje shtëpia do të jetë e lirë dhe mund të fillojmë sjelljen e delegatëve.

Pasi konsultës që e kishim ne anëtarët e GOR-it dhe ata të Kryesisë vendosëm që Mbledhja të mbahet në Prishtinë. Menjëherë i mobilizuam disa anëtarë për të siguruar perimetrin e shtëpisë së Fatmir Brajshorit. Të gjithë ishin të armatosur. Edhe delegatët shumica ishin të armatosur, dhedërguam armë edhe në shtepinë ku do t”embahej mbledhja. Ne anëtarët e GOR-it, u shpërndamë për të njoftuar delegatët me situatën e krijuar…

Kemi pasur një keqkuptim me delegatët e Prizrenit, Rahovecit dhe Sharrit, të cilët nuk arritëm që t’i kontaktojmë për t’i sjellur tek vendi ku mbahej mbledhja. Ata autorizuan Xhemajl Rudin që të përfaqsojë në mbledhje rrethet në fjalë. Delegati nga Kumanova nuk ka mundur të vij. Po ashtu edhe delegati i rrethit të Pejës, Ibish Neziri, pasi që kishte kuptuar se nuk do të shkohet në Suharekë ai ka menduar se Mbledhja do të mbahej në rrethin e Kërçovës, ku është mbajtur Mbledhja konsultative në Kollare sepse është përmendur si mundësi. Ai është nisur për në Maqedoni, dhe në prak të fillimit të mbledhjes kuptuam se ndodhet në Tetovë.

Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së i filloi punimet më 26 korrik 1993 në Prishtinë. Ajo zgjati deri më 28 korrik 1993. Mbledhjen e ka drejtuar Kryesia e punës në përbërje nga Xhavit Haziri, Fazli Veliu dhe Adnan Asllani.

Në mbledhje kanë marrë pjesë:

Xhavit Haziri, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Guximtar Labënishti, Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Bilall Sherifi, Sabri Kiçmari, Beqir Beqa, Xheladin Gashi, Hashim Thaçi, Mehmet Bislimi, Daut Rexhepi, Ejup Thaçi, Adnan Asllani, Isa Krasniqi, Fatmir Brajshori, Shaqir Selimi, Xhemajl Rudi, delegati nga Mitrovica

Në këtë mbledhje gjërësisht u debatua rreth situatës së krijuar në Kosovë dhe domosdoshmërisë së forcimit të organizimit të rezistencës antipushtuese duke i dhënë rëndësi të veçantë organizimit ushtarak.

Pas shumë diskutimesh ndër të tjera u vendos që njësitet guerile të krijuara deri në këtë kohë të forcoheshin dhe të mirren masat për pregatitjen e kryengritjes së armatosur dhe përmes luftës çlirimatre të angazhohemi për çlirimin e Vendit.

– U aprovua programi dhe statuti organizatës me disa ndryshime sipas propozimeve të shumicës së anëtarëve nepër mbledhjet e Këshillave popullore dhe të Këshillave të rretheve,

– iu ndërrua emri Organizatës nga LPRK në LPK.

– Në mbledhje u zgjodhën organet e LPK-së, Këshilli Drejtues dhe Kryeredaktori i organit të LPK-së, Zëri i Kosovës.

– Në Këshillin Drejtues u zgjodhën: Xhavit Haziri, Bajrush Xhemaili, Ali Ahmeti, Shaban Shala, Emin Krasniqi, Adnan Asllani dhe Halil Selimi. Kurse kryeredaktor i gazetës Zëri i Kosovës u zgjodh Beqir Beqa.

– Rreth organizimit ushatarak u vendos që barrën kryesore ta bartin Xhavit Haziri dhe Azem Syla, në Kosovë kurse Xhavit Haliti e Ali Ahmeti në degën e LPK-së jashtë vendit..

Gjatë mabjtjes së mbledhjes kuptuam se ishin arrestuar pesë anëtarë të LKÇK-së. Raif Çela, Sali Mustafa, Salih Salihu, Ramize Abdullahu dhe Skënder Hajdari.

E dinim se ky arrestim do të na i komplikonte gjërat, për faktin se Raif Qela e Sali Mustafa derisa ishte themeluar LKÇK-ja kishin qenë anëtarë aktiv të LPK-së dhe dinin mjaft për organizimin dhe veprimtarët e saj.

Pas përfundimit të MKP, duke qenë të vetëdijshëm se me arrestimin e lartëpërmendur mund të rrezikoheshim, fillimisht i morrëm masat që të largojmë përfaqsuesit e degës së LPK-së jashtë vendit (Fazli Veliun, Emrush Xhemailin, Sabri Kiçmarin, Beçir Beçën dhe Bilall Sherifin) të cilët ishin futur ilegalisht në Kosovë, pastaj morëm masat për shtimin e kujdesit të një numri të anëtarëve sepse pas arrestimeve të lartëpërmendura mund të pasnonin arrestime të tjera.

Përkundër vështirësive të paraqitura menjëherë iu mveshëm punës për konstituimin e organeve të zgjedhura në Mbledhje, dhe për realizimin e detyrave të caktuara nga MKP.

Por me, 02. 08. 1993 do të pasojë një goditje nga policia serbe me çrast u arrestuan disa veprimtarë si; Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu, Raxhep Avdiu në Prishtinë, Hajredin Hyseni, Ismet Mahmuti e Faik Ajeti në Besianë, Ilaz Kadolli, Behajdin Hallaqi, Hysen Gega, Shefki Muqaj në Prizren përkatësisht Therandë, Islam Mulaku, Ramadan Pllana në Vushtrri, Pastaj u arrestuan Sanije Aliu, Bajrush Xhemaili në Ferizaj, Fisnik Cukaj e Ali Lajçi në Pejë. Shemsi Veseli në Prishtinë, Binak Berisha në Rahovec, Sadri e Imer Shala në Klinë, etj.

Në këtë fushatë arrestimesh u kërkuan edhe shumë veprimtarë për tu arrestaur por iu shmangën arrestimit si Halil Selimi, Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, Ramadan Avdiu, Ramiz Lladrovci, Hydajete Krasniqi, Ekrem Jashari, Sejdi Sejdiu, Ibish Neziri, Adrian Krasniqi, Ilmi Zeka, Muharrem Elshani, Murat Bytyqi, Xhemajl Rudi, Bafti Sopa, Skender Krasniqi etj.

Shumica e këtyre veprimtarëve kaluan në klandestinitet dhe pas një kohe në Shqipëri prej nga u ngarkuan që të kthehen në Kosovë Hashim Thaçi dhe Adnan Asllani për të vazhduar ngritjen dhe strukturimin e organizimit. Pas një kohe Adnan Asllani u largua jashtë vendit kurse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Nait Hasani qëndruan në Kosovë për të ngritur strukturën e organizimit të fshehetë dhe u përqëndruan kryesisht në forcimin e njësiteve ushtarake për të shkuar drejt ndërlidhjes së tyre. Edhe ata pas një kohe u tërhoqen nga Kosova.

Duhet theksuar se megjithë arrestimet Mbledhja e Katërt e Përgjithshme nuk është zbuluar. Kanë rrjedhur informata për Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme e cila ishte mbajtur dy vite më herët në Ujmirë të Klinës.

Pas situatës së krijuar kur një pjesë e veprimtarëve ishin arrestuar, një pjesë ishin detyruar të largoheshin nga Kosova, dy anëtarë të zgjedhur të KD ishin të arrestuar, tre të tjerë praktikisht ishin jashtë territorit të Kosovës, dhe pas konsultimeve edhe me Këshillat e Rretheve shumica e të cilëve ishte shndërruar në bërthama të armatosura, në një mbledhjen e mbajtur në fillim të vitit 1994, vendoset që, konform statutit të LPK-së, kompetencat e Këshillit Drejtues të LPK t’i barten Kryesisë së Degës së LPK  jashtë vendit. (Në statutin e LPK është paraparë që në rast të vështirësimit ose pamundësimit të funksionimit të strukturave të LPK-së në Kosovë kompetemcat I barten degës jashtë vendit për të siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë).

Kryesia e degës së LPK-së jashtë vendit pas gjendjes së krijuar filloj të punojë drejt operacionalizimit dhe zbatimit të vendimeve të Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së, për të shkuar drejt konsolidimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, intensifikimit dhe dinamizimit të luftës çlirimtare antipushtuese e cila gjeti mbështetje edhe tek bashkësia ndërkombëtare dhe kulmoi me çlirimin e Kosovës në Qershor të vitit 1999.

Pas çlirimit të Kosovës LPK ndikoi fuqishëm edhe në organizimin e UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni të cilat e faktorizuan kombin shqiptar duke ndikuar dukshëm që të avancohen të drejtat politike e kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, por që nuk mund të themi se ngjashëm ka ndodhur me Shqiptarët në Kosovën Lindore të cilët akoma mbeten komuniteti më i diskriminuar në Evropë.

Rëndësia e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme është e madhe sepse në këtë mbledhje u morr vendimi historik për fillimin e pregatitjeve intensive për kryengritje të armatosur, krijimin e strukturës së veçantë ushtarake në mënyrë që çlirimi i vendit të kërkohet përmes luftës së armatosur.

***

(Fjalim i mbajtur në Institutin Albanologjik në Prishtine në organizimin e akademisë me rastin e 30-vjetorit të Mbledhjes së IV të LPK-së.)

Prishtinë më 24.07.2023

Ramadan AVDIU

______

(P.S. Variant i shkurtër i fjalës së paraqitur në Akademin me rastin e 30 vjetorit të mbajtjes sê Mbledhjes së katërt të Përgjithshme të LPK-së!)

…………..

NË 30 VJETORIN E MBLEDHJES SË TRETË TË PËRGJITHSHME TË LPRK-së, MË 3 – 4 TETOR 1991

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura