Pashtriku, 3 tetor 2019:
4.4 Roli i lëvizjes së organizuar
Në pranverën e vitit 1981, Lëvizja Kombëtare e Kosovës ndodhej para një gur prove ndër më sfiduesit në historinë e saj. Ajo po kalonte nga veprimi në konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave të gjithë Kosovës, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masa qindra mijëshe, që përfshinte shtresat e shoqërisë së Kosovës. Baza shoqërore e lëvizjes kombëtare po zgjerohej me të shpejtë. Mahatma Gandi ka thënë: “Në çastin që skllavi vendos të mos jetë më skllav, prangat e tij janë këputur”. Dilema nëse do të këputeshin prangat, ndër shqiptarët bëhej një probabilitet gjithnjë më optimist.
Situatat megjithatë paraqiteshin jo vetëm të rënda, por edhe komplekse, prandaj kërkonin trajtim tepër serioz, dhe mençuri për menaxhimin e tyre. Demonstratat shpërthenin spontanisht dhe mund të shkonin ose t’i fusnin në drejtim të gabuar dhe të rrezikshëm, prandaj veprimtarët e Organizatës lëviznin në terren nga një vend në tjetrin, për t’i organizuar ato dhe për t’u dhënë karakterin e përmbajtjen e qartë kombëtare e demokratike. Ata futeshin në masat demonstruese, dilnin në ballë të tyre dhe i organizonin, i udhëzonin për parullat që duhej thirrur, për bashkimin e tyre dhe ndihmonin tërheqjen nga rrugët në mënyrë pak a shumë të rregullt, për aq sa ishte e mundur në kushtet e lëvizjeve nëpër plumba e bomba, që gjakosnin rrugët e Kosovës.
Gjatë ditës mbaheshin lidhje aq sa ishte e mundur midis anëtarëve të Komitetit Drejtues të OMLK, por mbrëmjeve, në kushte shtetrrethimi mbaheshin takime dhe koordinoheshin veprimet për ditën vijuese.
Një rëndësi të veçantë, Organizata i kushtonte ruajtjes së karakterit demokratik e paqësor dhe pastërtisë së luftës politike. Do theksuar sidomos fakti që në demonstratat qindra mijëshe nuk është shënuar asnjë rast i thirrjeve a veprimeve shoviniste, edhe pse demonstruesit përballeshin me brutalitetin dhe primitivitetin shovinist të regjimit pushtues dhe mekanizmave të tij policorë e medialë. Nën parullat “Jemi patriotë, nuk jemi shovinistë!”, “Ndaj shovinizmit asnjë lëshim, ndaj fqinjëve serbë asnjë dëm!” etj., organizatorët e demonstratave dëshmonin pjekurinë politike dhe seriozitetin e doktrinës së tyre, e cila të drejtat legjitime të shqiptarëve nuk i projektonte si mohim të të drejtave të tjerëve. Organi “Liria” shkruante: “Populli shqiptar, në historinë e tij të gjatë ka vuajtur shumë nga pushtuesit e huaj, gjithmonë ka luftuar kundër shovinistëve e zullumqarëve të huaj, por ai vetë kurrë nuk ka qenë pushtues, kurrë nuk ka qenë shovinist e zullumqar ndaj të tjerëve. Ai kurdoherë ka ditur të bëjë dallimin mes popujve të tjerë, me të cilët ka jetuar në miqësi e fqinjësi të mirë, dhe krerëve të tyre shovinistë, kundër të cilëve ka luftuar pa mëshirë. Jo vetëm në Luftën Nacionalçlirimtare, por edhe në luftën patriotike të Azem Bejtës e Isa Buletinit, populli ka dënuar çdo lloj dhune e zullumi ndaj pjesëtarëve të pafajshëm të kombësive joshqiptare…
…Gjatë demonstratave jo vetëm që nuk u hodh asnjë parullë kundër popujve të tjerë, po përkundrazi, më se një herë u theksua qartë dallimi mes popujve jugosllavë e krerëve të tyre shovinistë dhe revizionistë…
…Gjatë demonstratave jo vetëm që nuk u dëmtua popullsia joshqiptare, por pati edhe serbë, malazezë, turq, romë etj. që iu bashkuan grevave dhe demonstratave, ose u solidarizuan me to, strehuan demonstruesit, u dhanë bukë dhe ua lidhën plagët… Lufta jonë drejtohet kundër atyre që na shtypin e shfrytëzojnë, kundër shovinistëve robërues të Jugosllavisë e tradhtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe jo, kurrsesi, kundër popujve jugosllavë, kundër punëtorëve e fshatarëve jugosllavë, të cilët, sikurse edhe ne, shtypen e shfrytëzohen nga borgjezia e re jugosllave. Patriot i vërtetë shqiptar është jo ai që sillet keq e bën zullume në njerëzit e pafajshëm të kombësive të tjera, por ai që lufton pa mëshirë kundër regjimit gjakatar të revizionistëve jugosllavë, e në të njëjtën kohë shkon mirë me fqinjët e vet joshqiptarë dhe i bind edhe ata për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit tonë”.
Në një numër tjetër të saj, ku i drejtohej popullit shqiptar dhe pasi numëronte kërkesat e çështjet që kishte shtruar për zgjidhje Kosova, “Liria” vazhdonte: “Për kërkesa të këtilla populli ynë, dhe jo ‘kundër popullit serb e popujve të tjerë të Jugosllavisë’, siç mundohen të gënjejnë armiqtë tanë të pafytyrë e të poshtër, do të luftojë deri në fitore.
Në kohën kur shovinizmi serb po digjte e masakronte fshatra të tëra shqiptare, në mënyrën më barbare, kur Kosova po vërshohej nga kolonët serbë e malazezë, Azem Galica, trimi legjendar i bjeshkëve të Drenicës, thërriste për luftë të pamëshirshme kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë shoviniste serbe, por njëkohësisht porosiste popullin: ‘Asnjë dëm fqinjëve serbë e malazezë!’ Dhe ashtu ndodhi, sepse populli ynë dhe udhëheqësit e tij nuk ishin shovinistë. Edhe sot ne i bëjmë thirrje gjithë popullit tonë që ta trajtojë mirë popullsinë serbe e malazeze në Kosovë, sot e në të ardhmen, megjithëqë shfaqje të shovinizmit shqiptar në Kosovë nuk ka. Atë e ka trilluar shovinizmi serb për ta diskredituar në sytë e të tjerëve luftën tonë burrërore dhe për t’i armiqësuar me ne popujt e Jugosllavisë”.
Ky qëndrim i dalë nga programi politik i demonstratave, vinte si rezultat i një doktrine dhe filozofie politike të Organizatës, i studiuar dhe përpunuar gjatë dhe me largpamësi. Vetë karakteri i qëllimit historik të Organizatës dhe natyra e kërkesave, presupozonin edhe format e luftës e humanizmin e thellë.
Ky hop i madh cilësor dhe sasior vinte në lëvizje jo vetëm botën shqiptare, por sensibilizonte edhe bashkësinë ndërkombëtare. Çështja e Kosovës “ shteteve të botës do t’u trokasë në ndërgjegje si një vonesë historike” dhe në fakt nisi të ndërkombëtarizohej, kurse themelet e kreaturës së quajtur Jugosllavi po lëkundeshin për herë të parë.
Lëvizja Kombëtare e viteve ’70, kurorëzimi i saj me ngjarjet historike të vitit 1981 dhe pellgu i gjakut të derdhur, ishin Rubikoni historik i Kosovës, kufiri epokal që nuk lejonte kthim prapa. “Liria” me të drejtë shkruante: “Ndërmjet nesh dhe qeverisë së Beogradit tani ka hyrë gjaku i bijve të shtrenjtë të popullit tonë. Dhe ky gjak është ai që i fshin të gjitha perspektivat e kthimit në gjendjen e mëparshme… Ndjenja e fuqishme e lirisë e ka bashkuar popullin tonë trim si një trup të vetëm. Me tanket e aeroplanët, me helikopterët e mitralozat, me ushtrinë e milicinë speciale, Beogradi s’bëri gjë tjetër pos që dogji etapat e luftës sonë të pashmangshme dhe na ndihmoi shumë në afrimin sa më të shpejtë kah dita e fitores së sigurt”. Kjo kthesë e fortë historike s’mund të trajtohej me elegancë siç pretendohet nganjëherë. Jusuf Gërvalla, duke qenë shumë i ndërgjegjshëm dhe shumë i përgjegjshëm për luftën në rritje, e cila do të kërkonte edhe sakrifica të rënda, bënte këtë deklaratë të betimit solemn: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme…”
Pas shuarjes me gjak të demonstratave dhe kërkesave të tyre, “Liria” shkruante: “Populli ynë nuk dëshiron luftë e gjakderdhje. Prandaj, kërkesat e tij i bëri në rrugë paqësore. Por, udhëheqja shoviniste e Beogradit me qëllim që ta frikësojë atë, këtyre kërkesave iu përgjigj me dhunën dhe terrorin më të egër fashist. Por, ajo duhet ta dijë mirë dhe ta mbajë parasysh se masat e dhunës policore dhe ushtarake që u ndërmorën e po vazhdojnë akoma, vrasjet, burgosjet masive dhe torturat çnjerëzore, kërcënimet e vazhdueshme me tanke, aeroplanë e masa të ashpra ligjore, jo vetëm që nuk e frikësojnë popullin tonë, por e zemërojnë dhe e egërsojnë atë edhe më shumë, jo vetëm që nuk mund ta qetësojnë, por e detyrojnë që, për realizimin e kërkesave (nga të cilat nuk lëviz dot), të mendojë edhe në rrugë dhe me mjete të tjera…
…Mënyra e vetme për ta qetësuar popullin e revoltuar është realizimi i menjëhershëm i kërkesave të tij të drejta, heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, lirimi i të gjithë të burgosurve, dënimi i atyre që urdhëruan ndërmarrjen e masave të përgjakshme ndaj popullit etj. Në të kundërtën, zjarri do të rritet edhe më shumë, e përgjegjësia për pasojat që mund të rrjedhin bie vetëm mbi udhëheqjen revizioniste Jugosllave…
…Në këto momente historike, çdo shqiptar i ndershëm, çdo punëtor, fshatar, student, nxënës, intelektual etj., duhet të mendojë thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe për fatet e popullit dhe për qëndrimin e tij në këtë situatë… Në kushte të këtilla të dhunës dhe terrorit të egër që po ushtrohet mbi ne e që nuk është parë as në kohën e zezë rankoviqiane, secili e sheh qartë fytyrën e vërtetë gjakatare dhe antishqiptare të udhëheqjes shoviniste jugosllave dhe zagarëve të saj, prandaj çështja shtrohet prerë: O me popullin o me armiqtë e tij; me popullin ose me ata që e vrasin, burgosin, torturojnë e poshtërojnë bijat e bijtë tanë më të mirë; me popullin ose me shovinistët rankoviqianë dhe këlyshët e tyre shqiptarë. Kështu duhet të gjykojnë edhe bijtë e ndershëm të popullit në organet e ndryshme të pushtetit, e edhe ata që për të siguruar kafshatën e gojës, ose edhe të mashtruar, janë detyruar t’ia vënë vetes emrin e urryer të agjentit e të policit. Ata nuk duhet ta lejojnë veten të bëhen mashë në duart e armiqve dhe, për hir të ‘udbashëve’ çetnikë të Nishit e Beogradit, të vrasin, gjymtojnë e torturojnë vëllezërit e motrat e veta, bijat dhe bijtë më të mirë të popullit”.
Gjatë marsit dhe prillit të vitit 1981 ndodhi demonstrimi hapur e plebishitar i vullnetit politik të shqiptarëve, kryengritja paqësore në njërën anë dhe demonstrimi i forcës shtypëse të armës së shovinizmit serb, e shfaqjes botërisht të planeve serbe për ta rrënuar edhe atë autonomi sakate të Kosovës. Demonstratat paqësore u shtypën në gjak, sepse Serbia shkoi përtej karakterit të demonstratës, në fakt ajo hyri në luftë me një popull duarthatë.
Shtypja e kryengritjes së vitit 1981 qe njëkohësisht fillimi i luftës së pandërprerë dhe finale të popullit shqiptar të Kosovës drejt fitores së sigurt.
4.5 Qëndrimi i zyrtarëve jugosllavë dhe kosovarë
Politika zyrtare jugosllave dhe ajo e Kosovës, demonstratat i shpallën “Kundërrevolucion”, me arsyetimin se shqiptarët me statusin e Republikës së Kosovës do të fitonin të drejtën e vetëvendosjes dhe do të bashkoheshin me Shqipërinë, duke cenuar integritetin territorial të Jugosllavisë, duke provokuar luftë qytetare, duke ndërruar kufijtë dhe duke përmbysur rendin shoqëror të vendit. Në një nga mbledhjet e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës fill pas demonstratave, njëri nga eksponentët e regjimit, Ali Shukrija, thoshte: “ Nga ajo se çfarë është karakteri i sistemit tonë shoqëror, kush e ka ndërtuar, të mos them nga lufta çlirimtare deri tani dhe në çfarë platforme është bërë aksioni kundër atij sistemi politik, kundër atyre marrëdhënieve shoqërore, mendoj se tërë kjo në vete përmban, në plot kuptimin e fjalës edhe karakter kundërrevolucionar”.
Gjatë demonstratave të pranverës 1981 dhe pas tyre përfaqësues të skenës politike jugosllave dhe kosovare, të shqetësuar tej mase mbanin mbledhje të pareshtura, ditën dhe natën, në kërkim të formulave të kualifikimit të ngjarjeve dhe të ndërtimit të strategjive të veprimit kundër Kosovës dhe Lëvizjes së saj Kombëtare. Disa nga diskutimet e gjata të mbledhjeve të udhëheqjes së Kosovës, në të cilat spikat gjithë injoranca, besnikëria e robit ndaj të zotit dhe poltronizmi politik, u botuan kohëve të fundit te gazeta “Kosova sot” në Prishtinë. Në Mbledhjen e 87-të të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, mbajtur më 13 prill 1981, Veli Deva thoshte: “Unë jam i bindur thellësisht se, …pa i qëruar hesapet me organizatorët në plan të gjerë, nuk mund të përmirësohen gjërat. Bëhet fjalë për reaksionarë të egër, nuk ka shaka me ta, nuk janë këta fëmijë të vegjël etj., këta janë elementë të pjekur armiqësorë. Shokë këta janë profesorë!”
Por në mbledhjen e 89-të të kësaj Kryesie, më 27 prill 1981, Mahmut Bakalli deklaronte: “…teza për gjendje kundërrevolucionare dhe për kryengritje të popullit, sado që duket e motivuar me njëfarë revolucionarizmi dhe për qëllime të mobilizimit, në fund të fundit, përputhet me vlerësimet e ‘Zëri i Popullit’, se kjo ka qenë kryengritje popullore dhe se kundër këtij populli kanë luftuar vetëm tanket, policia serbe dhe natyrisht ne, tradhtarët e popullit shqiptar, si dhe disa aktivistë”. Ndërkaq, në Mbledhjen e 90-të të radhës, më 1 maj 1981, në të cilën kishte dhënë dorëheqje kryetari, Mahmut Bakalli, Ali Shukrija vlerësonte: “Unë ndiej nevojën të them se këto ngjarje në Kosovë janë më të rëndat në ndërtimin tonë të pasluftës, më të rëndat sipas dimensionit të tyre dhe për nga ashpërsia e paraqitjes si dhe ajo për çka kemi dhënë vlerësim dhe që do ta bëjmë në të ardhmen.
Më është kujtuar edhe viti 1944, kur i kishim çliruar disa qytete dhe kur kemi përjetuar që kundërrevolucioni ka bërë sulme në ato qytete, kemi qenë të detyruar të luftojmë përsëri, por, atëherë ishte ende revolucioni dhe lufta e armatosur dhe e dinim se kjo duhej spastruar dhe kështu edhe bënim. E kemi pasur edhe vitin 1968, këtu në Prishtinë, por atëherë ajo ishte vetëm në Prishtinë, por është një gjendje mjaft kërcënuese se forcat kundërrevolucionare nuk pushojnë kurrë, sidomos këto të karakterit nacionalist dhe irredentist. Tani këto ngjarje janë mjaft të mëdha, me dimensione të gjera ashtu siç i shohim, duhet të them se duhet të jemi të gatshëm për një kohë të gjatë për luftë që bëhet jo vetëm në planin ideor, por edhe në futjen e të gjithë asaj që dëshirojmë tash të bëjmë dhe që e bëjmë, në një mënyrë mjaft intensive dhe, në bazë të mundësive të tashme, mjaft efikase”.
Mbledhje të tilla diskutimi dhe diferencimi mbaheshin jo vetëm në nivel qendror, por edhe lokal. Siç dëshmonte Veli Deva më 13 prill 1981, deri atëherë për demonstratat “Janë mbajtur shumë mbledhje, dikush thotë se në njërën komunë janë mbajtur rreth 350 mbledhje”, kurse Predrag Cuckiq ia priste “…në Deçan, nga 11 marsi e deri më 11 prill janë mbajtur 343 mbledhje. Kam frikë se ne po kufizohemi vetëm në mbledhje, sepse gjatë kësaj kohe nuk ka ndryshuar asgjë”.
Sinteza e diskutimeve dhe veprimeve që u bënë gjashtë muajt e parë pas demonstratave në nivel federativ, republikan e krahinor, u paraqit në dokumentin me titull: ”Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë”. Ky dokument u aprovua në Mbledhjen XXII të KQ të LKJ-së në Beograd, më 17 nëntor 1981, duke u bërë udhëzuesi praktik i zbatimit të politikës antishqiptare në plan imediat dhe afatgjatë. Siç shpjegohet aty “Në Platformë flitet për disa shkaqe të ngjarjeve, për mësimet serioze që ka nxjerrë Lidhja e Komunistëve nga këto ngjarje; analizohet përmbajtja reaksionare dhe kundërrevolucionare e parullës “Kosova-Republikë” dhe domethënia e aksioneve të tjera armiqësore dhe irredentiste; flitet për rezultatet e zhvillimit të deritashëm ekonomik të Kosovës, si dhe për perspektivat e këtij zhvillimi; analizohen disa përvoja negative të udhëheqjes dhe të Lidhjes së Komunistëve lidhur me manifestimet e nacionalizmit në Kosovë dhe vihen në dukje rrugët dhe praktikat e realizimit më të suksesshëm të bashkëjetesës në jetën e përditshme të kombeve dhe të kombësive të Kosovës. Platforma trajton problemet e zhvillimit të pamjaftueshëm të vetëqeverisjes në Kosovë, si kusht themelor dhe vendimtar i zhvillimit të barazisë kombëtare dhe i bashkëjetesës, të marrëdhënieve demokratike e socialiste në shoqërinë tonë”.
Në përcaktim të shkaqeve të ngjarjeve tronditëse dhe të fajtorëve kryesorë, dokumenti i famoz identifikon: a) Armikun e brendshëm, i cili kishte vepruar i organizuar mirë kohë të gjatë dhe në bashkëveprim me reaksionin ndërkombëtar. ”Duke keqpërdorur ndërlikueshmërinë dhe kontradiktat e situatës së brendshme në Kosovë…armiku, me një përkrahje të fortë nga qendrat e huaja në botën e jashtme, iu qas luftës për cenimin dhe shkatërrimin me dhunë të rendit kushtetues dhe të marrëdhënieve kushtetuese në KSA të Kosovës, në RS të Serbisë dhe në RSF të Jugosllavisë (f. 7)”; b) Armikun e jashtëm që po bënte luftë speciale kundër Jugosllavisë: “Sa herë që marrëdhëniet ndërkombëtare janë ashpërsuar, është shfaqur edhe interesi i forcave të ndryshme reaksionare dhe konservatore që në Ballkan, në rajonin me rëndësi strategjike t’i rrisin presionet, të zhvillojnë lloje të ndryshme të ‘luftës speciale’, të intrigojnë dhe t’i ndezin pasionet, veçmas ato nacionaliste. Kjo është edhe sot një nga karakteristikat e gjendjes në këtë pjesë të botës (f. 38)”; c) Shqipërinë fqinje: “Përzierja nga RPS e Shqipërisë me kohë kaloi në përkrahje të hapët të forcave irredentiste dhe kundërrevolucionare, veçmas në Kosovë (f. 40)”. Më tej thuhej: “…politika e udhëheqjes së Shqipërisë i orienton dhe i dozon me paramendim marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në pajtim me politikën e vet nacionaliste shqiptaromadhe ndaj Jugosllavisë (f. 38)”; ç) elitën udhëheqëse të Kosovës: “Politika e strukturave të ngushta udhëheqëse në Kosovë ishte veçanërisht e gabueshme në faktin se nuk i qëroi hesapet me konsekuencë dhe fuqimisht me nacionalizmin (f. 27) ”.
Ky dokument, pasi shpjegon se “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës lindi në luftën e përbashkët të kombeve e të kombësive, në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në Revolucionin socialist të Jugosllavisë dhe, në bazë të vullnetit të shprehur lirisht (sic!) të popullsisë, të kombeve e të kombësive të Kosovës dhe të vullnetit të shprehur lirisht të popullit të Serbisë, u bashkua në Republikën Socialiste të Serbisë në kuadrin e RSFJ-së (Kushtetuta e KSA të Kosovës)”, se “nga shumë shkaqe parimore dhe konkrete historike dhe sipas parimeve të sistemit kushtetues të RSFJ kombësitë nuk formojnë shtetin e vet të veçantë” (f. 26) si dhe “Karakterin e errët fashist të irredentizmit dhe të nacionalizmit” (f. 13), në vijim bën kualifikimin politik e juridik të ngjarjeve dhe në fakt përcakton masën e dënimit për popullin e Kosovës dhe Lëvizjen e tij Kombëtare “terroriste”.
Aty më tej thuhet: “Kuptimi politik i parullës “Kosova-Republikë” përmban shumë qëllime kundërrevolucionare. Qëllimet themelore janë këto:
Që mbi baza të pronës etatiste e të diktaturës staliniste të krijohet vatra e organizuar burokratike-etatiste;
Që të krijohet godina e atillë shtetërore, e cila vetëm mbi bazë të ‘pastër etnike’ do t’i tubonte të gjithë shqiptarët në Jugosllavi: që të formohet krijesa e atillë etatiste, thelbi shoqëror i së cilës do të ishte në kundërshtim me fitoret kryesore të Revolucionit socialist, me të arriturat e demokracisë socialiste vetëqeverisëse në Jugosllavi, me vendimet e AVNOJ-it dhe me parimet e rendit kushtetues të RSFJ-së;
Që të krijohet krijesa shtetërore, e cila do t’ia hapte dyert përzierjes së jashtme në punët e brendshme të Jugosllavisë së pavarur, e cila do të rrezikonte kufijtë shtetërorë, integritetin, politikën e pavarur dhe të painkuadruar të RSFJ-së” (f.24) “Forcat kundërrevolucionare, në emër të qëllimeve të errëta të nacionalizmit shqiptaromadh, u përpoqën që të imponojnë me forcë rebelimin dhe shkëputjen nga Jugosllavia. Ky qëllim kundërrevolucionar, haptazi dhe me zë të lartë, u shpreh me kërkesën e nacionalistëve dhe të irredentistëve shqiptarë që të krijohet e ashtuquajtura ‘Republikë shqiptare’ në Kosovë” (f.23) “Vendi ynë si gjithmonë është unik dhe i vendosur që, si bashkësi e lirë dhe e pavarur, të mbrojë integritetin e vet dhe frytet e revolucionit dhe të zhvillimit socialist me forcat dhe me mjetet që i kemi në dispozicion dhe varësisht nga metodat me të cilat shërbehet armiku” (f.5) “Në luftë për realizimin e unitetit të Lidhjes së Komunistëve po bëhet diferencimi” (f.12) “Kundër armikut do të luftojmë deri në fund vendosmërisht me të gjitha mjetet me të cilat mbrohet siguria dhe integriteti i një vendi të pavarur e të lirë” (f.42) “Në fushën e arsimit, kulturës, shkencës dhe informimit duhet të insistohet për një kthesë vendimtare kur është fjala për luftën ideore kundër vetëdijes nacionaliste në të gjitha format, si dhe për zhvillimin e marrëdhënieve vetëqeverisëse” (f. 45)
“Me kundërshtarin që është përbetuar që ta shkatërrojë Jugosllavinë nuk mund të bisedohet në mënyrë të zakonshme demokratike” (f. 47) ”…Prandaj është i domosdoshëm qërimi i hesapeve me të gjitha format e nacionalizmit, kudo që paraqitet ai, e ky është kusht edhe për rregullimin e rrethanave në Kosovë” ( f. 46)
Njëri nga udhëheqësit e lartë jugosllavë, dikur personaliteti numër dy, pas Titos, Stane Dollanc, e kishte thënë shumë qartë dhe shkurt arsyen e shtypjes së kryengritjes në Kosovë: Kosova nuk bëhet Republikë se nuk e do Serbia; po të bëhet shkatërrohet Jugosllavia! Por siç shkruante “Liria”, “Shteti jugosllav dhe çdo shtet tjetër shumëkombësh ka rrezik të shkatërrohet jo duke u dhënë popujve të shtypur lirinë, por duke ua mohuar atë, duke ua mohuar të drejtën që ata të vendosin vetë për fatin e tyre, duke u përpjekur për t’i mbajtur ata me dhunë në zgjedhën koloniale. Edhe sikur robëria e Kosovës të ishte shtylla që e mban Jugosllavinë dhe po të jetë se vënia në vend e padrejtësive që i janë bërë dhe po i bëhen popullit tonë do të thoshte shkatërrim i Shtetit jugosllav, atëherë del se ky farë shteti do të shkatërrohet patjetër dhe do të duhej shkatërruar, pasi është ndërtuar keq, pasi është ngritur në dëm të lirisë së popujve të tjerë”.
Garda politike e Kosovës, me ndonjë përjashtim, si Pajazit Nushi, Ymer Jaka, Ukshin Hoti etj., unison dhe me një ostracizëm që ia kalonte atij të antikës, iu ngjitën epitete ndër më të ndryshmet veprimtarëve të çështjes kombëtare, si “armiq të popullit”, “nacionalistë”, “kundërrevolucionarë”, “të shitur te reaksioni perëndimor”, “agenta të të tjerëve”, “separatistë”, “secesionistë”, “irredentistë”, “stalinistë”, “barbarë”, “vandalistë”, “terroristë”, “kanibalë”, “dhi të zhugavta”, “rrugaçë”, “studentë të dështuar”, “hajna”, “thyes të izllogave”, “reaksionarë”, “plehu i Kosovës” etj., etj.
“Liria” me të drejtë konstatonte: ”Ata jo vetëm nuk e ngritën zërin kundër të gjitha tragjedive që u luajtën në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës, por morën pjesë aktive në të gjitha masat antishqiptare që ndërmori regjimi”.
Këto sulme dhe fyerje nuk ishin të reja, por vazhdim i njollosjes që i bënte regjimi prej kohësh figurës së luftëtarëve të lirisë. “Liria” e tetorit 1980 shkruante: “Me qëllim që t’i diskreditojë ata dhe t’i izolojë nga populli, nga nëna që i ka lindur, ai ka ndërmarrë kundër tyre një fushatë të gjerë shpifjesh e trillimesh. Për këtë qëllim, armiku mundohet t’i futë ata në një thes me gjithfarë elementësh, t’i akuzojë si ‘nacionalistë’,‘irredentistë’, ‘reaksionarë’, ‘armiq të popullit’, etj., etj. Por, populli ynë nuk mashtrohet. Ai i njeh mirë dhe di t’i dallojë bijtë e tij të vërtetë dhe armiqtë e tij të vërtetë”. Katër muaj para demonstratave “Liria” shkruante: “Një luftë e ashpër po zhvillohet kudo në Kosovë kundër ‘Irredentizmit’ e ‘Nacionalizmit’, kundër ‘irredentistëve’ e ‘nacionalistëve’, kundër ‘reaksionarëve’ e ‘armiqve të të gjithë (sic) popullit shqiptar’, ‘armiqve të socializmit’, etj., etj. Këtë front kaq të gjerë lufte e kanë hapur prej kohësh në Kosovë armiqtë e vërtetë të saj, revizionistët gjakatarë të Beogradit dhe sahanlëpirësit e tyre në Kosovë.
…Po kush janë “irredentistët” e “nacionalistët” në Kosovë? Kundër regjimit titist “luftojnë” edhe njerëz e grupe të ndryshme vërtet reaksionare e nacionaliste, por tradhtarët dhe revizionistët nuk e kanë hallin tek ata…
…Irredentizëm! Sa e preferuar është bërë kjo fjalëz në fjalorin e pushtuesve e tradhtarëve tanë. Zotërinj! Shfletoni fjalorin dhe kërkoni këtë fjalëz absurde për realitetin tonë. Të paktën dy fakte të domosdoshme duhet t’i keni parasysh: nuk mund të quhet “irredentist” një popull i tërë që nuk do të jetojë në robëri dhe trojet e këtij populli nuk janë pjesë të vogla të shpërndara, por gjysma e Atdheut të tij që padrejtësisht u shkel nga këmba okupuese fashiste e mbretërisë revizioniste të Titos. Faktet historike nuk mbulohen dhe nuk zhduken dot me një fjalëz qesharake, me një propagandë të shfrenuar dhe as me dhunë fashiste, sado e tërbuar të jetë ajo. Një popull, si ky yni, që në shekuj kurrë nuk e ka pushuar luftën për liri, të drejta e demokraci, që rrugën e historisë së tij e ka çarë me shpatë në dorë, nuk mashtrohet e nuk përulet dot, sado dinak e i egër të jetë armiku i tij. Tokat e më shumë se dy milionë shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia titiste, përbëjnë një tërësi të vetme dhe janë ndarë artificialisht nëpër republika jugosllave për t’i sunduar më lehtë ato dhe për t’i kënaqur interesat historike të shovinistëve grabitqarë të këtyre republikave.
…Ndjenja e patriotizmit dhe e lirisë te shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi është sot shumë e madhe. Kështu, po të shprehemi me fjalë të armikut, i gjithë populli është i “infektuar” nga “irredentizmi” dhe “nacionalizmi”. Me këtë fakt shpjegohet intensifikimi i shqetësuar i luftës së pushtuesve e tradhtarëve kundër popullit tonë viteve të fundit. Por armiqtë tanë mundohen ta fshehin të vërtetën, gënjejnë. Njerëzit që arrestojnë, bastisin e persekutojnë ata në Kosovë, nuk janë disa, por me mijëra. Me dhjetëra mijë dosje janë hapur nga organet titiste të dhunës për patriotë e revolucionarë shqiptarë në Kosovë. Gjatë fushatës së arrestimeve në masë, pas vizitës së fundit të Titos në Kosovë, p.sh. burgjet nuk i zinin të burgosurit politikë shqiptarë. Këtë e di populli ynë. Por, me gjithë masat fashiste represive, patriotët e revolucionarët nuk po zhduken, as nuk do të zhduken kurrë në Kosovë, sepse vetë populli ynë është patriot e revolucionar. Populli ynë i robëruar kurrë nuk i është frikësuar zinxhirëve titistë. Bijtë e Kosovës trime, që këto troje i trashëguan të lara me gjakun e baballarëve të tyre, kurrë nuk do t’i shesin as nuk do t’i falin ato.
Ne akuzohemi se ‘nxisim’ ‘nacionalizmin” dhe ‘irredentizmin’ në masat popullore shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Një akuzë të tillë tradhtarët i bëjnë, bile kohë pas kohe edhe Shqipërisë socialiste. Por, kush mund të jetë vallë nxitës më i fuqishëm i ndjenjës së lirisë e i urrejtjes së masave ndaj regjimit sesa vetë gjendja në të cilën i ka katandisur këto masa regjimi skllavërues, shtypës e shfrytëzues barbar e revizionist. Populli shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi vërtet është i prapambetur (sepse sundimi kolonial e ka lënë ashtu), por nuk është injorant, sa të mos kuptojë gjendjen e tij të mjeruar… Edhe vetë luftën kundër regjimit, në forma e me mjete të ndryshme, populli e bën edhe pa nxitjen tonë. Ne shpallim hapur se do ta ndihmojmë gjer në fitoren përfundimtare këtë luftë.
Në propagandën e tyre shpifëse e mashtruese tradhtarët poshtë e lart nëpër Kosovë, mundohen ta bindin popullin se gjoja ne qenkemi ‘reaksionarë’ të lidhur me forca reaksionare jashtë, të ndihmuar prej tyre dhe se dashkemi t’i shesim interesat e popullit te të huajt. Kush i ka shitur interesat e popullit, Atdheun, te të huajt, ne apo ata? Reaksionarë, revizionistë dhe tradhtarë janë ata dhe jo ne.
Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë kurrë ndihmën e reaksionit të jashtëm. Reaksion ka brenda me bollëk, por populli do liri dhe liria mund të fitohet vetëm nga vetë masat popullore. Popullin tonë kurrë nuk e ka çliruar askush; vetë ka luftuar, vetë është mbrojtur, vetë i ka mundur armiqtë. Edhe sot, ai ka forcë të mjaftueshme për t’u çliruar vetë nga armiku, ka bijat e bijtë e tij besnikë që janë të gatshëm të derdhin gjakun e tyre prej shqiptari në altarin e lirisë. Armiku le t’i quajë si të dëshirojë bijtë e popullit, luftëtarët e lirisë, por ata nuk njollosen aq lehtë në sytë e popullit. Populli ynë e ka zakon të shikojë punën dhe jo fjalën. Puna e tradhtarëve dhe revizionistëve në Kosovë është parë prej kohësh.
…Akuzat e armiqve kundër nesh si ‘armiq të vëllazërim-bashkimit’ e të socializmit në Jugosllavi, janë krejt të pabaza sepse në të vërtetë asnjëri nuk ekzistojnë në Jugosllavi dhe s’ka si të luftohen. Por, ne nuk jemi kundër popujve fqinjë jugosllavë, të cilët po ashtu janë të robëruar. Ne nuk duam asnjë pëllëmbë tokë të tyre, jashtë tonës dhe dëshirojmë të jetojmë në miqësi e fqinjësi të mirë me ta, por secili në shtëpi të vet. Populli serb, malazez e maqedonas duhet të luftojnë kundër shovinistëve të tyre bashkë me ne, sepse ata i sundojnë edhe vetë këta popuj dhe janë armiq të tyre. Ne dëshirojmë që popujt e Jugosllavisë të çlirohen e të jetojnë të lirë. Shqiptari e ka treguar në vepra këtë dëshirë të sinqertë, ai ka derdhur gjak për lirinë e popujve të Jugosllavisë. Revolucioni popullor në Jugosllavinë revizioniste është i pashmangshëm dhe popujt jugosllavë me siguri do ta kryejnë me sukses atë.
I ndodhur në një robëri të egër, në një shfrytëzim kolonial e kapitalist, i shtypur me dhunë fashiste, populli ynë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, po e kupton gjithnjë e më mirë se të drejtat e tij me dhunë i janë rrëmbyer dhe se vetëm me dhunë mund të fitohen, se nevoja e luftës kundër regjimit gjakatar revizionist është e domosdoshme për të shporrur pushtuesit, për të hequr qafe një herë e përgjithmonë robërinë, skamjen, varfërinë, kurbetin e zi e paditurinë dhe për të jetuar i lirë dhe sovran në atdheun e tij të shtrenjtë. Si pasojë e gjendjes së padurueshme të masave, në gjithë popullin po zien sot më shumë se kurrë zjarri i urrejtjes e revoltës kundër revizionistëve shtypës e tradhtarëve të shitur. Propaganda e shfrenuar demagogjike, arrestimet në masë, torturat e mjetet e tjera të represionit fashist të armikut nuk po e ulin, por përkundrazi po e shtojnë akoma më shumë këtë urrejtje. Lufta e popullit tonë për të drejta e liri po ngjitet përpjetë hap pas hapi. Nuk ka asnjë forcë që ta ndalë këtë luftë.
Në këtë gjendje, thirrjet e shqetësuara të armikut drejtuar popullit për të luftuar kundër patriotëve e revolucionarëve, kundër vetë bijve të tij, të bëjnë vërtetë për të qeshur”.
Por pas demonstratave, veprimet praktike kundër armikut popull dhe Lëvizjes Kombëtare, regjimi i ndërmerrte në shumë fronte dhe në shumë forma.
Azem Vllasi në mbledhjen e 17 të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, mbajtur më 5 maj 1981 në Prishtinë kërkonte “…të vlerësohen hollësisht shkaqet, rrethanat dhe pasojat e veprimtarisë armiqësore dhe kundërrevolucionare që u shfaqën në disa vende të Krahinës sonë”. Ai pyeste me habi: “… Si qe e mundur që 36 vjet pas revolucionit socialist dhe pas 36 vjet lufte për ndërtimin e socializmit vetëqeverisës, të ngrenë kokë dhe të veprojnë në mënyrë aq agresive, aq brutale dhe shkatërruese fuqitë që deshën ta shkatërrojnë vëllazërimin, bashkimin, sistemin socialist vetëqeverisës dhe integritetin territorial të vendit tonë? Si qe e mundur që, në gjirin e kësaj shoqërie, në gjirin e fuqive tona të organizuara socialiste, një numër i të rinjve të indoktrinohet me ideologji nacionaliste gati deri në fanatizëm?” Duke folur për zgjerimin e radhëve patriotike në Kosovë para demonstratave dhe për ndikimin e tyre, Azem Vllasi i lehtësuar pas demonstratave dhe në kushte më të mira për t’u shprehur e për të vepruar lirisht thoshte: “Në disa mjedise gati patëm ardhur në situatë që të turpërohemi t’i shfaqim mendimet tona, duke u frikësuar se ata do të na quajnë anacionalë, tradhtarë e të tjera, të përhapin intriga për ne… Për nacionalistët ka qenë dhe është me rëndësi se a është dikush shqiptar i mirë, sipas kritereve të tyre, e jo sipas asaj se është punëtor, nxënës, student i vyeshëm dhe aktivist i dalluar shoqëror-politik (sic!)… Nacionalizmi në institucionet arsimore dhe në disa fusha të krijimtarisë i ka lëshuar rrënjët mjaft thellë… Propaganda armiqësore sistematikisht është futur atje ku ne me aktivitetin politik nuk kemi qenë të pranishëm…Armiku… doli me parullat, qëllimet me planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste…Procesi i diferencimit duhet të jetë i tërësishëm”. Pas kësaj fjalëze në përfundim, fillon procesi famëkeq i diferencimit që i kushtoi aq shtrenjtë Kosovës.
Ky pozicionim i udhëheqjes zyrtare e vështirësonte shumë kombinimin e veprimtarisë ilegale me atë legale, shfrytëzimin e institucioneve për avancimin e çështjes së Kosovës dhe e pamundësonte çfarëdo tendence të krijimit të kohezionit të mendimit politik antipushtues me ta, sepse jo vetëm përdornin përkrah dhunës, ndjekjeve, burgosjeve, terrorit e arsenalit diversiv ideologjik e politik kundër Lëvizjes, por edhe ishin rreshtuar plotësisht në taborin armik. Natyrisht edhe literatura ilegale nuk linte gjë pa thënë për kolaboracionistët e idilit të prishur e inatit të madh, por asnjëherë nuk lëshohej në epitete të ulëta fyese dhe naive.
Mahmut Bakalli, njëri ndër ish udhëheqësit kryesorë të Kosovës, ndoshta i vetmi, më vonë në një intervistë të fundshekullit të kaluar ka treguar publikisht shenja pendimi për qëndrimet e veprimet e atëhershme: “Vërtet kanë ekzistuar dhe kanë vepruar ilegalisht në Kosovë, në shumë mjedise, grupet ‘marksiste-leniniste’ ose me emra të tjerë por në esencë me ide të njëjta, të përbërë nga disa të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga idetë dhe veprat e Enver Hoxhës, nga praktika e atëhershme e Shqipërisë. Ato grupe të rinjve kosovarë nuk ishin staliniane në kuptimin proruse, bile as leniniste në kuptimin e plotë të fjalës, por në aspektin ideologjik mbështeteshin tek Enver Hoxha dhe modeli i socializmit shqiptar për aq sa atyre u duhej kjo mbështetje…por, mbi të gjitha veprimtarinë e tyre e kishin fokusuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kosovë dhe përgjithësisht të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Prandaj, me të drejtë një pjesë e atyre të rinjve edhe sot thonë, dhe unë ju besoj plotësisht, se në grupet ‘marksiste-leniniste’ ishin të inspiruar me idetë kombëtare, sidomos disa nga ata që ishin të talentuar, vitalë dhe vërtet patriotë për nga bindja…
Edhe ne në Kosovë kemi bërë gabimin trashanik ndaj këtyre të rinjve dhe gjithnjë më bren ndërgjegjja…”.
“Në politikë, çfarë fillon me frikë zakonisht mbaron me marrëzi”, thotë një fjalë. Politikanët e Kosovës e kishin filluar me frikë e nënshtrim profesionin, por nuk ishte vetëm frika përcaktuesja e qëndrimit të tyre karshi këtyre ngjarjeve madhore. Ishte edhe interesi që bënte shinin e dytë mbi të cilat udhëtonte bashkë me interesat serbe, udhëheqja e Kosovës. Mirë e ka thënë diku Bonaparti se frika dhe interesi janë dy forcat që i bashkojnë njerëzit. Por këtu duhet përmendur edhe një anë e veçantë, pak si karakteristike për Kosovën: injoranca. Udhëheqja e Kosovës, me ndonjë përjashtim ka qenë gjithmonë e një niveli intelektual të ulët dhe pa përvojë relevante institucionale. Ata naivisht, me njëfarë përkushtimi me besë dhe jo politikisht, i kanë besuar dhe e kanë ndjekur verbërisht politikën e LKJ dhe mësimet e Titos, të cilave as vetë ai nuk u është përmbajtur. Malcolm e ka vërejtur këtë fenomen, prandaj thotë që edhe sot e kësaj dite ruhet ky respekt hyjnor ndaj Titos, si shpëtues dhe krijues i mirëqenies së shqiptarëve në Jugosllavi. Gjatë hetimeve në burgun e Prishtinës, më 1981, Mehmet Lumi, një nga shefat e sigurimit i thotë Mehmet Hajrizit të arrestuar, “Hajde të bisedojmë tashti si intelektualë dhe do të bind me argumente se e keni gabim, sidomos që jeni kundër Titos; sepse e shoh që ju as e dini kush është Tito dhe politika e tij, që të ka sjellë kaq të mira dhe të ka bërë njeri”. Kur i arrestuari kishte shpalosur argumentet e tij, e kishte paguar me një seri torturash fizike.
Duke shkruar për demonstratat e vitit 1981, korrespondenti i njohur gjerman, Mejer shkruan: “Ato patën pasoja të rënda si për shqiptarët, ashtu edhe për të gjitha zhvillimet jugosllave. Pasojat më negative i solli reagimi i udhëheqjes së atëhershme politike në fuqi e shqiptarëve të Kosovës. Besimi i saj i patundur në Jugosllavinë federale dhe socialiste, këmbëngulja kategorike se e ardhmja e Kosovës do të ishte vetëm në këtë të fundit, solli reagimin e saj të dhunshëm ndaj prirjeve disi irracionale të një pjese të elitës së re të saj. Udhëheqja në fuqi mendoi se ‘njolla’ e demonstratave të vitit ’81 duhej larë me ujë të nxehtë nga kostumi i saj, për të rihyrë pastaj e papërlyer ndër radhët jugosllavo-socialiste. Metodat e dhunshme të represionit dobësuan solidaritetin midis shqiptarëve të Kosovës dhe ulën rezistencën e strukturave të tyre politike. Më vonë doli mjaft qartë se Jugosllavia socialiste nuk kishte aspak ndërmend të mbronte as statusin kushtetues të Kosovës, as të drejtat e popullatës së saj shqiptare përkundrejt nacionalizmit serb.
Hapi i parë drejt kobit u bë gjatë valës së dytë të demonstratave të marsit të vitit 1981, kur shefi i sigurisë së Kosovës, Rrahman Morina, i shndërruar më vonë në vegël të serbëve, kërkoi ndërhyrjen e njësive speciale serbe në Prishtinë, pa marrë mendimin e udhëheqjes shqiptare të krahinës”.
Udhëheqja zyrtare e Kosovës veprimet e saj i bënte në përputhje të plotë me Beogradin dhe sipas agjendës së tij, prandaj s’kishte si të ishte me popullin e vet, sepse siç thoshte Sokrati, në rast se i bën dikujt një përkulje të thellë, tjetrit i ke kthyer shpinën.
Ajo garniturë politike nuk mund ta avanconte pozitën e Kosovës ngase s’ishte e gatshme as e zonja, sepse s’ishte unike në këtë çështje, sepse në radhët e saj kishte elementë shërbëtorë të interesave shoviniste serbe, sepse nuk i shfrytëzonte rezultatet e veprimtarisë ilegale, po e shtypte atë më shumë nga urdhrat që merrte.
Klasa zyrtare politike, e cila më 1974 nuk e kishte shfrytëzuar shansin historik (kur Jugosllavia ishte nën trysninë ndërkombëtare për liberalizim dhe decentralizim) për ta bërë Kosovën Republikë, tashti kishte në dorë pos forcës së argumentit edhe argumentin e forcës së një populli të tërë, të gatshëm të qëndronte në kërkesën e tij, volens-polens deri në fitore. Ajo mund t’i thoshte Beogradit se në rrugë po demonstronte vullnetin politik një popull i tërë (“Vox populi, vox dei”) dhe të kërkonte me këmbëngulje e sakrifica të trajtohej ndryshe gjendja e krijuar. Mbështetja e popullit të kryengritur do të siguronte solidaritet, jo vetëm në botë, por edhe brenda vetë Federatës, sepse kërkesat ishin të drejta, por edhe të realizueshme. Rexhep Qosja ka shkruar: “Mund të supozojmë: sikur udhëheqja komuniste shqiptare në Kosovë të kishte qenë unike në vitin 1968 a në vitin 1981 dhe të ishte solidarizuar me kërkesat e të rinjve për Kosovën Republikë, udhëheqja politike shtetërore jugosllave nuk do të mund të qëronte hesape me krejt udhëheqjen politike shqiptare dhe me krejt popullin shqiptar në Kosovë. Por të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë nuk mund të bëheshin të një zëri. Më në fund, atyre as që do t’u ketë shkuar mendja as në ëndërr, që të përkrahnin kërkesat e të rinjve. Dëgjueshmëria ishte parim i sjelljes, i mendimit dhe i veprimit në Lidhjen e Komunistëve, gjithkund në partitë komuniste! Sidomos në radhët e pakicave kombëtare ose kombësive, si quheshin ato në Jugosllavi”. Në mungesë të një force më të madhe e më të organizuar të Lëvizjes Kombëtare dhe të presionit të saj edhe me demonstrata masive, më 1974 udhëheqja zyrtare e Kosovës hyri në kompromise të cilat rezultuan në zgjidhjen gjysmake të statusit. Pas demonstratave të vitit 1981, kreu politik i Prishtinës u katandis në bisht të garniturës shoviniste të Beogradit, që përfundoi me suprimimin e autonomisë më 1989. Duke qenë në gjysmë të rrugës Republika (ose gati-republika, siç e quanin dhe vazhdojnë ta quajnë disa nostalgjikë të saj), u kthye shumë shpejt në fillim të saj, sepse ky është fati historik i zgjidhjeve ekuivoke për popujt e vegjël e të pambrojtur. Po të realizohej ideja e Republikës më 1974 ose më 1981, e mund të realizohej, çmimi i pavarësimit të Kosovës do të ishte më i ulët.
Ukshin Hoti, njëri prej përfaqësuesve të denjë të inteligjencies përparimtare e patriotike, por edhe zyrtar i lartë institucional, kishte kërkuar hapur që me një diskusion partiak brenda Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë të trajtohej kërkesa për Kosovën Republikë, e cila sipas tij konsistonte në zhvillimin e Kosovës. Ky guxim i kushtoi atij shumë vite burg, pikërisht pse nga frika pati pak zëra të tillë.
“Kosova – Republikë” brenda Jugosllavisë, d.m.th. barazia me popujt e tjerë në Federatë ishte minimumi i të drejtës së popullit shqiptar. Duhej guximi i politikanëve që Kuvendi i Kosovës, në vend të aprovimit të suprimimit të autonomisë më 1989, të shpallte Republikën më 1981.
Por, ata, me disa përjashtime, nuk mbajtën anën e popullit të vet dhe pranuan politikën e Beogradit, e cila i kualifikonte ngjarjet si kundërrevolucion, me qëllim që të hapte front dhe të zbatonte planet antishqiptare në vitet vijuese.
Vlerësimi si kundërrevolucion i demonstratave, ishte absurd dhe i paqëndrueshëm, prandaj zhvillimet e mëvonshme në Evropë e bënë pluhur e hi. Madje që atëherë, më 26 prill 1981, nacionalisti Dobrica Qosiq, aspirues i ndarjes së Kosovës, në ditarin e vet politik shkruante: “Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare. Ndryshe, do të hyjmë në luftë të përhershme me shqiptarët, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët.
Nuk e kuptoj përse udhëheqja e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Serbisë e emërtoi ideologjikisht si kundërrevolucion lëvizjen nacionaliste-separatiste të shqiptarëve. Harruan pasardhësit e Titos që PKJ, deri në kryengritje dhe në Okupimin Italian të Kosovës dhe Metohisë, këtë territor e konsideronte shqiptar. Kurse tashti u bëhet kundërrevolucion ajo energji e cila qysh nga 1924, e sidomos pas vitit 1928, sipas ideologjisë së Kominternit, konsiderohej ideologji revolucionare.
E kuptoj përse Mojsov dhe shokët kryengritjen shqiptare e shpallën kundërrevolucion: Tito dhe Partia Komuniste, pas mbledhjes së dytë të AVNOJ-it, u bënë të ditur popujve të Jugosllavisë dhe gjithë botës që në Jugosllavi në mënyrë ideale ishte zgjidhur çështja, që ky ishte vend i vëllazërim-bashkimit. Vërtet është vështirë të pranohet që në Jugosllavi nuk është zgjidhur çështja kombëtare e shqiptarëve, për më tepër fill pas vdekjes së Titos…”.
Por, demonstratat paqësore u kthyen në ngjarje të përgjakshme nga makina shtypëse jugosllave që po i shërbente politikës hegjemoniste e ekspansioniste serbe, ndoshta pa kuptuar se oreksi i saj nuk do të shuhej vetëm me Kosovën. Për regjimin kryengritja paqësore e shqiptarëve ishte Causa activa për një Bellum pacis nomine involutum.
Politika serbe, për më tepër, arriti që kundër popullit të kryengritur të vërsulte edhe institucionet e Kosovës dhe vetë shqiptarët kundër njëri-tjetrit, duke futur kështu pykën e çarjes brenda kombit shqiptar. Ata shkuan aq larg, sa përveç të ashtuquajturit diferencim politik midis shqiptarëve, imponuan edhe praktikën e shëmtuar të lëçitjes së familjeve të të burgosurve politikë.
Duke shkruar për masat që po ndërmerrte regjimi në Kosovë dhe për qëndresën e përgjithshme, Kadri Zeka ka thënë: “Kështu rinia, punëtorët, fshatarët dhe inteligjencia popullore tashmë janë bërë mur i pakapërcyeshëm për pushtuesin dhe po e vrasin atë me heshtje shkëmbi, pikërisht kur ky klith i lebetitur: ‘Dëno demonstratat!’. Profesorët e Universitetit të Kosovës janë bërë bllok dhe armiku s’ua nxjerr dot një fjalë, minatorët, punëtorët në fabrika e ndërmarrje, gjithashtu. Madje armiku i tërbuar po detyrohet të shpërndajë organizata të tëra të LK në fshatra, ndërmarrje e institucione të ndryshme, që po tregohen të pabindura”.
VIJON…
_____________________
MEHMET HAJRIZI: FILLIMI DHE ZHVILLIMI I DEMONSTRATAVE TË PRANVERËS 1981 (18)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9096