MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARËT – REXHEP MALAJ DHE NUHI BERISHA (28)

Pashtriku, 28 dhjetor 2019:
7.2 Rexhep Malaj
Rexhep Malaj është lindur më 29 mars 1951 në Hogosht të Dardanës. Si pinjoll i një trungu me traditë patriotike, dallohej për karakterin kryengritës, virtyt ky i mishëruar tërë jetën në personalitetin e tij. Më 1968, shtatëmbëdhjetë vjeç, hyn në grupin e organizatorëve të demonstratave historike për avancimin e statusit politik të Kosovës dhe arrestohet për herë të parë, por pas disa muajsh lirohet për shkak të moshës së re. Autoritetet e Gjimnazit e përjashtojnë nga shkolla, të cilën u desh ta vazhdonte në Preshevë, por që nga atëherë mbahej në survejim policor.

Në fillim të viteve shtatëdhjetë, Rexhepi si student i Ekonomikut të Universitetit të Prishtinës, bën pjesë në celulat e para të Grupit Revolucionar të Kosovës. Më 1973 shkon në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe më pas bashkë me Isa Kastratin shkojnë në Shqipëri, kurse pas dy javësh u bashkohen edhe Sami Dërmaku e Ferdeze Muja. Me t’u kthyer nga andej, Rexhepi shkon në Francë, Itali, Gjermani dhe Zvicër, ku vë lidhje të reja dhe formon rrethe simpatizantësh. Si njeri i aksionit, Rexhepi planifikonte të shkonte në fronte lufte të lëvizjeve të huaja çlirimtare, për të marrë përvojë për luftën e ardhshme në Kosovë. Ishte njëri nga anëtarët dhe udhëheqës i Komitetit Studentor të Universitetit, të themeluar nga GRK.

Më 23 maj 1975 arrestohet dhe dënohet me 9 vjet burg. Në kohën kur i duhej aq shumë Lëvizjes, Rexhepi mbante burgun nëntëvjeçar, me mbi pesë vjet në vetmi. Rrallë në historinë e burgjeve mund të gjendet shembulli i qëndresës së Rexhep Malajt. Fjala e vjetër ”Të lirët janë në burgje e të burgosurit në liri” mbase merr kuptimin më të mirëfilltë në ballafaqimin e Rexhepit, siç thoshte vetë: “Sy në sy me bandën titiste të Beogradit, i paarmatosur, por fitimtar me drejtësinë në zemër”. Rexhepi luftonte në zyrat e UDB- së dhe në gjyqet e inkuizicionit modern, ai nuk kalbej, po kalitej burgjeve të kalbura në Prishtinë, Mitrovicë, Idrizovë, Shtip, Prizren, Zenicë, Mostar e Foqë.
Më 23 maj 1983 Rexhepi lirohet nga burgu, për të vazhduar menjëherë veprimtarinë.
Rexhep Malaj është njëri nga korifenjtë e Lëvizjes së re Kombëtare të Kosovës. Dashuria e Rexhep Malajt për atdheun përbën një shembull shumë domethënës jo vetëm për edukimin e luftëtarëve, por edhe të veprimtarëve të ndërtimit e lulëzimit të Kosovës së re, të lënë amanet nga ai dhe dëshmorët tjerë të shumtë.
Jeta dhe vepra e Rexhep Malajt mund të studiohet vetëm në kontekst më të gjerë, sepse ato nuk ishin aspak individuale dhe të shkëputura nga një veprimtari masive, e organizuar mirë dhe me një sistem të përpunuar politik, kombëtar e organizativ, siç ishte GRK, më vonë i quajtur OMLK.
Në figurën e tij morale, politike e kombëtare janë gërshetuar aq bukur virtytet më të çmuara të traditës së Lëvizjes Kombëtare, që përbëjnë vlerë historike dhe aktuale për brezat e djeshëm, të sotëm e të ardhshëm të atdheut.
Rexhepi ishte një personalitet markant e përfaqësues i një brezi të tërë dhe i Lëvizjes së tij Kombëtare, plot bujë.
Një nga aspektet më të shquara të jetës së tij ishte përkushtimi për përgatitjen e Kosovës për luftën e armatosur, luftën finale për çlirimin e saj dhe bashkimin e atdheut.
Rexhepi nuk ishte i veçantë e ndryshe vetëm në burg, por edhe si fëmijë i edukuar me shpirtin kryengritës të familjes dhe popullit të tij, si i ri adoleshent, organizator dhe në ballë të demonstratave më 1968 në Gjilan, bashkë me të rinj të tjerë, si Ilmi Ramadani, Fazli Abdullahu, Zija Shemsiu, Irfan Shaqiri, Vahide Hoxha, Vildane Ahmeti, Shemsedin Kastrati, Njazi Korça, Mynevere Kastrati, Fatmir Salihu, Xhavit Dërmaku, Fetije Bajrami, Ahmet Hoti, Nijazi Musmurati etj., si militant i Grupit Revolucionar të Kosovës, kur ndërmerrte aksione të guximshme, shpërndante trakte e siguronte teknikë e armë, dhe më në fund si guerilas, që bashkë me Nuhi Berishën ranë duke lënë pas vete porosinë e madhe dhe shembullin fisnikërues të një brezi të tërë. “Ai që jeton më shumë se një jetë, duhet edhe të vdesë më shumë se një vdekje”, ka thënë Oscar Wilde.
Rexhep Malaj, në veprën e tij “Qëndresa” pasqyron gjendjen e të burgosurve shqiptarë në kazamatet jugosllave, qëndresën heroike të tyre dhe të tij personalisht si dhe ngre zërin kundër shtypjes dhe tiranisë jugosllave mbi popullin liridashës shqiptar.Të ndërgjegjshëm për shkallët që do të ngjiste lëvizja e rezistencës dhe për nevojën e mbështetjes ndërkombëtare, Rexhepi dhe Nuhiu bënin përpjekje që ta siguronin atë, por pa e lëkundur asnjëherë besimin në forcën e brendshme çlirimtare të vetë popullit të robëruar. Nuk ka forcë në botë, shkruante Rexhepi, që ta thyejë një popull të bashkuar, që po bëhet gjithnjë e më i organizuar … “
Vetëm ai që harrohet vdes, thotë një fjalë, por Rexhepi as harrohet as vdes, sepse vepra e tij jetësore e bën ta paharrueshëm dhe të pavdekshëm. Rexhep Malaj është një figurë e ndritur e kombit.
7.3 Nuhi Berisha
Nuhi Berisha, i lindur më 3 tetor 1961 në Svircë të Malësisë së Dardanës. Bir i një familjeje malësore, që e kishte edukuar në frymën e guximit e të trimërisë shqiptare, fillon veprimtarinë e organizuar patriotike që në bankat e gjimnazit, për të vazhduar edhe në Prishtinë, ku studionte drejtësinë dhe edukatën fizike. Duke qenë student, mori pjesë si organizator në të gjitha demonstratat e Prishtinës në muajt mars-prill të vitit 1981. Gjithë kuptimi i jetës së Nuhiut ishte aksioni, por ai u shqua edhe për aftësi udhëheqëse, si kuadër i pazëvendësueshëm. Duke kujtuar një nga demonstratat, në të cilën ai mbante flamurin kombëtar, me shpirt poeti dhe ndjenja djaloshare plot shpërthim shkruan: “…më dukej se edhe unë po valëvitesha bashkë me flamurin…”Në shkurt 1982 arratiset, sepse i kishin rënë në gjurmë spiunët; qëndron në mërgim, ku për pak i shpëton ekstradimit dhe kthehet fshehtas për të vepruar në ilegalitet të thellë në Atdhe. E veçanta e veprimtarisë së Nuhiut ishte aftësia e vënies së kontakteve dhe e krijimit të strukturave të gjera të aktivistëve.
Nuhiu i kontribuoi propagandimit të ideve çlirimtare, sidomos në faqet e “Zërit i Kosovës”, i cili në vitet tetëdhjetë botohej jashtë Atdheut.
Data 23 maj 1983, kur Rexhepi del nga burgu, përbënte çastin e pritur gjatë nga Nuhiu, sepse atë ditë bashkohet me Rexhepin për të mos u ndarë më kurrë.
Rexhepi dhe Nuhiu e përgatisnin Lëvizjen për sprova të reja të avancimit të saj, në kryengritje të armatosur, si shkallën më të lartë të rezistencës. Ishte e qartë për ta që ky fill delikat në historinë e rritjes së një lëvizjeje, nuk mund të kapet vetëm me guximin vetëmohues, por edhe me orientimin teorik, vlerësimin e saktë të situatave e faktorëve të brendshëm e të jashtëm dhe të stadit të zhvillimit të subjektit të organizuar.
Nuhiu dhe Rexhepi dhanë edhe një kontribut të çmueshëm me shkrimet dhe trajtesat e analizat që bënë për çështje ndër më të ndryshmet, si demonstratat, organizimin, disiplinën e konspiracionin, përgatitjet luftarake për kryengritje të armatosur, gjendjen ekonomike e sociale në vend, Lëvizjen Kombëtare, rininë, pozitën e gruas dhe potencialin e saj patriotik, dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, moralin luftarak dhe virtytet e luftëtarit të lirisë, kalbësinë e regjimit pushtues, shërbëtorët e tij dhe aparatin shtypës, si dhe lanë në dorëshkrim një sërë poezish, në të cilat ata shprehin ndjenjat e zjarrta patriotike të rinisë kosovare.
Në veprën e tij “Pranvera e luleve të kuqe”, të shkruar në mërgim në verën e vitit 1982, Nuhiu trajton me kompetencë ngjarjet historike të viteve 1981-1982. Vepra përbën një material të çmueshëm faktografik dhe analitik për historiografinë shqiptare.
I mrekulluar nga fryma patriotike e luftarake e rinisë shqiptare, Nuhiu shprehte bindjen se ajo “… do t’i sjellë Kosovës rrezet e lirisë”. Dhe vërtet, mijëra djem e vajza të brezit të tij u organizuan në Lëvizjen Kombëtare dhe në UÇK për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve.
Rexhepi dhe Nuhiu më 12 janar 1984 ranë me armë në dorë në një luftë të pabarabartë, por fitimtare.
Shtigjeve të rezistencës emri i dëshmorëve u bë flamur betejash, kurse varrezat e tyre, altar betimi solemn. Që nga Demonstratat, si brenda edhe në mërgatë, ku Rexhepi dhe Nuhiu kishin shtrirë aktivitetin patriotik dhe deri në luftën çlirimtare, në ballë të kolonave prinin emrat dhe portretet e tyre.
Jeta e Rexhepit dhe e Nuhiut është simbol i qëndresës stoike dhe të pareshtur, përmbushje besnike e parimeve të idealeve të larta dhe e betimit para flamurit në kasollet e errëta të ilegales së Kosovës. Shpirti i trashëguar nga tradita e gjatë, e pasur dhe e pastër e Lëvizjes Kombëtare, nga sistemi i vlerave të larta dhe virtyteve shembullore të kombit, nga figura morale e luftarake e prijësve të shquar shtigjeve të historisë, u bë përcaktues i jetës së tyre, përmbajtja e saj e mirëfilltë. Ata u bënë kështu tribunë të djalërisë kosovare.
VIJON …
_________________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARIN – KADRI ZEKA (27)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=9468

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura