MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E HASAN MALAJT (53)

Pashtriku, 8 Qershor 2020: 7.30 Hasan Malaj
I lindur më 1.9.1940 në Hogosht të Dardanës, me profesion punëtor. Jeton në Gjilan dhe në Zvicër. I martuar, pesë fëmijë. Hasani ishte organizuar në radhët e Lëvizjes patriotike që nga viti 1974. Në mërgim ka qenë aktivist i çështjes kombëtare nga viti 1978 dhe anëtar i udhëheqjes së LRSSHJ nga viti 1982, kurse nga 1985-1990 ishte kryetar i LPRK-së.
Ka qenë bashkorganizator me Kadri Zekën etj., i demonstratave në mërgim nga viti 1981.
Rrjedh nga një familje me traditë patriotike.
Ka vepruar në celula me veprimtarët Rexhep Malaj, Ilmi Ramadani, Hydajet Hyseni, Basri Musmurati, Remzie Limani, Teuta Hadri, Teuta Bekteshi, Kadri Zeka, Kadri Abdullahu, Nexhmedin Ahmeti, Halil Malaj, Haqif Krasniqi, Bajram Shabani, Rrahim… Ka pasur takime bashkëveprimi edhe me Mehmet Hajrizin. Me Qefsere Malajn, e cila vepronte me shoqen e saj nga Suhareka, Zyrafete Kryeziun, është takuar gjithashtu shumë herë. Hasani ishte lexues i pasionuar, punonte me vullnet për ngritjen teorike, për sigurimin e literaturës e të mjeteve teknike, që i sillte nga mërgata dhe ka kryer disa aksione, duke zëvendësuar parullat e pushtuesit me ato të Organizatës, si me Ilmi Ramadanin në fshatin Petrovc, me Teuta Hadrin dhe Remzije Limanin në kodër të Kamenicës etj.

Ishte njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm në mërgim i Kadri Zekës, me të cilin fillimisht bashkëvepronin me Kadri Avdullahun, Qamil Isufin, Haqif Krasniqin dhe Nexhmedin Ahmetin.
Organi “Liria” dhe “Këngët e Lirisë”, që u sollën nga Kosova, u shtypën në Zvicër nën përkujdesjen e Kadri Zekës, Hydajet Hysenit, Kadri Avdullahut, Haqif Krasniqit dhe Nexhmedin Ahmetit. Jakup Halimi, i përcjell ekzemplarët e parë në Kosovë. Kanë sjellë pastaj edhe Hasan Malaj, Haxhi Berisha, nga Prapaqani (lidhje e Jusuf Gërvallës) etj.
Hasani dhe familja e tij mbanin lidhje të afërta me Femi Saraqin, zejtar, dyqani i të cilit në qendër të Gjilanit ishte vendtakim i shumë veprimtarëve të Lëvizjes, duke filluar nga Ramiz Cërnica, Mulla Rizahu i Poliçkës, Sadri Misini i Shipashnicës, Haki Efendi Miderizi i Hogoshtit, Metush Krasniqi i Dajkovcit, Farush Okllapi, të gjithë të burgosur politikë, si dhe njerëz me autoritet në ato anë, si Sylë Kopernica, Faik Musmurati, Fazli Seferi, Bejtë Llashtica, Qerim Qarri etj. Femiu nëpërmjet Hasan Malajt, e ka ndihmuar Organizatën me mjete financiare dhe armë. Kur Hasani i kishte treguar për fillimin e botimit të “Liria”-s, duke i dhënë një ekzemplar, Femiu nxjerr dhe ia jep menjëherë 50.000 dinarë jugosllav dhe një revole, si ndihmë Organizatës.
Hasan Malaj kishte rol të rëndësishëm në organizimin e demonstratave fill pas kryengritjes në Kosovë më 1981 dhe në vitet vijuese.
Ka bashkëvepruar me aktivistët më të dalluar të udhëhequr nga Kadri Zeka në mërgim si Kadri e Enver Abdullahu, Adem Islami, Shyqri Ukshini, Jakup Halimi, Selman Kllokoqi, Elfi Agushi, Ejup Ahmeti, Qamil e Januz Salihu (vëllezër), Shabi dhe Femi Hajdini të Maxherës, Ilaz Bajrami Deva etj., në Gjenevë; Vebi Kastrati, Zejdi Ismaili, Rexhep Halimi, Nazim Maliqi, Ragip Rexhepi, Rashit Rashiti, Ismet Rashiti, Emrush Haziri, Daut Krasniqi, Ilaz Krasniqi, Shefqet Musliu, Sami Kurteshi, Ismet Kurteshi, Arif Idrizi, Saqip Zymeri, Musah Halili i Breznicës etj., në Zyrih; Ziah Shemsiu, Zahir Kamberi, Nexhat Kamberi, Hajdar Sadria, Rrustem Mahmuti, që ishte bajraktar i gjithë demonstratave (ka vdekur), në Bernë; Ismail Abdiu i Zajasit, Fazli Veliu, Imërzad Zubaku, Enver Zubaku, Qamil Isufi, i cili kishte disa shokë rreth vetes etj., në Bazel; Nexhmedin Ahmeti, Haqif Krasniqi, Rrahmon Dërmaku, nga Shipashnica e Epërme e Dardanës, i cili për veprimtarinë patriotike është dënuar me dy vite burg, Zeqir Dërmaku, Selman Dërmaku, Ramiz Abdyli, Isah Abdyli, Hevzi Thaqi, Ejup Synani, Feriz Ahmeti, Hasan Ahmeti, Bajrush Maliqi i Raincës, Nuhi Muhadri i Gjakovës, Emin, Shahin, e Ramadan Hajdini (vëllezër), Musli Istrefi, Ibrahim Rama, Haki Dërguti, Hasan Hajdini, Hyzër Ulluri ( ka vepruar në Llozanë) etj., në St Gallen. Nexhmedin Ahmeti dhe Haqif Krasniqi kanë qenë të pandashëm me Kadri Zekën. Ata ishin krah i djathtë i tij për botimin e “Liria”-s dhe “Këngët e Lirisë”. Miqtë zviceranë Beat Shafer dhe Katrina Asal, te të cilët ishte adresa e Organit “Liria”, ndihmonin në shumë drejtime Organizatën në mërgim.
Pas rënies së Kadri Zekës, Hasan Malaj dhe veprimtarët tjerë e autorizojnë Xhafer Shatrin, i cili pas arratisë nga burgu kishte arritur në mërgatë, për ta përfaqësuar OMLK-në në marrëveshjen e bashkimit të organizatave. Më 15 maj 1982 është mbajtur mbledhja për bashkim në fshatin Lanovil, afër Bielit, në banesën e Hasan Malajt. Nga ana e OMLK-së ka marrë pjesë Xhafer Shatri, nga ana e LNÇKVSHJ-së, Skënder Durmishi , kurse nga ajo e PKMLSHJ-së Osman Osmani. Në atë mbledhje është arritur bashkimi dhe prej asaj date organizata është quajtur “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” (LRSSHJ), kurse organi i saj “Zëri i Kosovës”.
Në këtë Lëvizje Hasani dhe bashkëveprimtarët tjerë kanë vepruar deri në vitet ‘90, kur shokët që dolën nga burgu u sugjeruan të hynin në LDK. Pas daljes nga LDK-ja, ai ka vepruar në LBD dhe në Shoqatën e të Burgosurve Politikë deri në vitin 2001.
Kishte kontakte bashkëpunimi me vëllezërit Xhemaili, Ibrahim Kelmendin, Jusuf e Bardhosh Gërvallën etj., kurse nga diplomatët shqiptarë mbante lidhje me Engjëll Kolanecin, sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë.
VIJON …
_______________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E AZEM SYLËS (52)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10131
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura