ZELIJE SHALA: SHABAN MAZREKU – ATDHETAR I SHQUAR I LËVIZJES SONË KOMBËTARE

Prishtinë, 02. 12. 2013 – Meqenëse kemi dëgjuar shumë për sakrificat dhe atdhetarinë e Bacës Shaban me shokë dhe flitej kudo me admirim, u interesova për procesin gjyqësorë të tij që ishte zhvilluar në Gjykatën e Qarkut në Prizren dhe në Prishtinë që ndodhen në Arkivin Shtetëror të Kosovës. Në dokumente Shaban Mazreku ishte figurë qendrore e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH).
Pra situata shoqëroro – politike e shqiptarëve të Kosovës nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë vështirësohej gjithnjë e më tepër, dhe për këtë që nga vera e vitit 1945 (1) shumë të rinj u bashkuan duke krijuar Komitetin për lirinë e Shqiptarëve, për të mbrojtur të drejtat kombëtare që u takonin.
Për rrethet e Sharrit, Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Gjakovës, Pejës dhe Drenicës u formua organizata Nacional Demokrate Shqiptare. Në këtë organizatë një kontribut të veçantë ka dhënë Shaban Mazreku, u dallua për vendosmëri dhe guxim në realizimin e aspiratave të popullit shqiptare.

– Atdhetari Shaban Mazreku – 

 Shaban Mazerku dhe grupi i tij kanë qenë anëtarë të organizatës ,,Lidhja e Dytë e Prizrenit,, këta pjesëtarë vendosën të themelonin një organizatë paraluftarake ilegale të re të emëruar “Nacional demokratët shqiptarë”, e cila kishte për qëllim që me forcë ta rrëzon rregullimin shtetëror të RFPJ, dhe se në kohën e përshtatshme të organizohet kryengritja dhe pastaj Kosova t’i bashkëngjitej Shqipërisë. Anëtarët e Nacional Demokratikes Shqiptare me punë sistematike e kanë shtrirë këtë organizatë paraluftarake nëpër rrethet e Sharrit, Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Pejës dhe të Drenicës.
Kanë mbajtur shumë mbledhje, në të cilat kanë kërkuar të punohet për organizatën dhe kanë ndërmarrë masa për zhvillimin e saj të mëtutjeshëm dhe përforcimin e saj. Kanë bërë anëtarësimin e shumë anëtarëve të ri që duhej ti përmbaheshin Urdhrit Nr.1, siç ishte që asnjë anëtar i ri të mos pranohej pa dijeninë e kryetarit të degëve të rrethit dhe pa e njohur mirë personin që do të pranohej dhe kanë grumbulluar paratë e anëtarësimit dhe ndihmave të nevojshme për organizatën.
I kanë punuar pullat dhe vulat e organizatës, kanë dhënë betimin për besueshmëri ndaj saj, kanë përgatitur shpallje të ndryshme, njoftime dhe urdhëresa, kanë udhëhequr listën e anëtarëve pjesëtarë të organizatës. Duke qenë se kjo Organizatë mori shtrirje të gjerë, u vendos të mbahej një mbledhje me të gjithë anëtarët të sajë. Pra më 5 Shtator 1949 në fshatin Krushë e Madhe, dhe mbledhja u mbajtë në shtëpinë e Nezir Maksut Hotit, kanë formuar udhëheqjen kryesore të organizatës për Kosovën, e deri atëherë me organizatën ka udhëhequr Mustafa Nixha, kurse Shaban Dërguti ka dhënë udhëzime dhe për punë të mëtejshme të organizatës, anëtar i vjetër i kësaj organizate dhe intelektuali i vetëm i saj.
Në këtë mbledhje për kryetar të organizatës “Nacional Demokratike Shqiptare”, është zgjedhur Shaban Mazreku, njëri nga njerëzit më të besueshëm dhe më të aftë sipas mendimit të të gjithë anëtarëve të organizatës. Ndërsa për sekretar të organizatës është zgjedhur, Tom Mjeda, arkëtar Bitera Dehala, kurse për udhëheqës ushtarak të organizatës është zgjedhur Jakup Hoxha Mërçezi.
Organizata gjithashtu ka arritur të këtë stambilët dhe vulat e organizatës si dhe stemën e organizatës me të cilat janë shërbyer. Organizata ,,Nacional Demokratët Shqiptare,, kishte edhe një numër kushtesh te reja që duhej t’i përmbaheshin personat për anëtarismin e tyre dhe i përmbante 12 pika : të jetë idealist për krijimin e kombit shqiptar, shumë të disiplinuar, të vendosur në pranimin e detyrave dhe zbatimin e tyre të cilat organizata ua ngarkon, agjitues dhe propagandues, konspirativ dhe i gjindshëm dhe se me armë në dorë do të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut kundër të huajve në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës, do të bashkëpunojnë me të jashtmit dhe në bashkimin e shqiptarëve rreth flamurit të vjetër shqiptar kuq e zi, përveç tjerash anëtarët e organizatës betohen se deri në momentin e fundit të jetës do të luftojnë kundër partisë antipopullore, duke aluduar në PKJ dhe se anëtarët e organizatës janë të detyruar që në rast të tradhtisë më të vogël do ta presin secilin dënimin më të rëndë – likuidimin.
Çdo person që antarsohej në organizatë kishte shifrën e caktuar si dhe duhej të jepte për organizatën nga 20 deri në 50 dinarë në muaj. Po ashtu organizata ka grumbulluar material propagandues, makina shkrimi, armë dhe të materiale tjera të nevojshme për të. Me ndihmën e anëtarit të organizatës Shefid Kabashit nëpunës i Gjykatës së Rrethit në Prizren, janë shkruar deklaratat dhe vendimet e organizatës, tekstet e formulës së betimit dhe më në fund organizata kaloi në aktivitetet, duke bërë sabotazh.
Dega e ,,Nacional Demokratëve Shqiptare,, të Suharekës, me të cilin deri në mbledhjen e Krushës së Madhe me 5 Gusht 1949, kur është zgjedhur kryetar i organizatës, ka udhëhequr Shaban Mazreku, ndërsa sekretar dhe udhëheqës i librit ka qenë Sef Zeka{sot trashëgimtarët e tij kanë mbiemrin Bajraktari.Z.Sh} . Gjithashtu anëtarët e organizatës edhe sa i përket pagesës së anëtarësisë kanë qenë shumë të saktë dhe se gjithnjë e kanë tejkaluar shumën e caktuar në pagesën e tyre. Përveç kësaj shihet se Organizata në Suharekë, ka pasur edhe Komitetin Ushtarak të Rrethit, kështu në numrin katër të listës së anëtarëve qëndron: J. Murmurima, kurse në rubrikën pasuese komandant ushtarak etj.
Shtrirja mjaft e madhe e ,,Organizatës Nacional Demokrate Shqiptare,, dhe përkushtimi i veçantë i anëtarëve të saj për ta quar përpara zgjidhjen e problemeve të popullsisë shqiptare në Jugosllavinë Komuniste dhe me qëllimin e veçantë që kishte kjo organizatë bashkimin me Shqipërinë, e detyroj pushtetin serb që të angazhohej maksimalisht për pengimin e çdo lloj veprimtarie të saj si dhe në eliminimin e tërësishëm të ideologëve dhe krerëve udhëheqës të ONDSH.
Përqendrimi i të gjitha forcave të UDB serbe për kapjen e nacionalistëve shqiptarë bëri që një numër i tyre të burgosej. Të gjithë anëtarëve të ONDSH ju dhanë dënime drastike nga serbo – sllavët komunist.
Shaban Mazreku u burgos me 19 Janar1950, kurse me 27 Korrik 1950 shpallet fajtor me aktgjykimin gjyqësor të Gjykatës së Qarkut të Krahinës Autonome të Kosovës në Prishtinë, për veprën penale. Ky vendim i përcillet Gjykatës së Rrethit të Prizrenit dhe caktohet ta vuante dënimin në burgun e Nishit. Në këtë proces gjyqësor ju shqiptohet dënimi për gjithë grupin me privim nga liria dhe me punë të detyrueshme si dhe konfiskim pasurie. Dënimet janë shqiptuar në këtë mënyrë:
– Shaban Mazreku me dënim të përjetshëm, (101 vjet) (në fillim ju shqiptua dënimi me vdekje, por dënimi ju ulë, mirëpo ju hoq e drejta prindërore (Nuk ju lejuan vajzat ta vizitonin në burg.Z.Sh)
– Shaban Derguti në kohë zgjatje prej 20 vite.
– Mustafa Nixha, 20 vite.
– Jakup Hoxha Murçezi 20 vite,
– Biter Dehala 17 vite,
– Tom Mjeda 17 vite,
– Sef Zeka (Zekë Bajraktari e jo Sefë Bajraktari, -U.TH.) 17 vite,
– Nezir Maksuti Hoti 15 vite,
– Bajram Dehali 3 vite.

Dënimi sekondar: Konfiskim i plotë i pasurisë – pajisjeve personale: Shaban Derguti në mënyrë të pakufizuar, ndërsa Shaban Mazreku, Jakup Hoxha Murçezi, Sef Zeka, Nezir Maksuti Hoti në kohë zgjatje pa afat mbi konfiskimin dhe zbatimin e konfiskimit.

Faksimilet e akgjykimit të Shaban Mazrekut…

Trajtimi mizorë që ju bëhej nacinalitëve shqiptarë në burgje, e kryesisht në atë të Nishit ku e vuante dënimin edhe Shaban Mazreku me një pjesë të shkove të tij i detyronte të kërkonin herë pas here ndërhyrjen më të lartë shtetërore jugosllave por asnjë herë kërkesat e tyre nuk u morën parasysh.
Bijtë dhe bijat shqiptare ishin të nënshtruar ndaj dhunës dhe represalieve vetëm pse kërkonin që populli shqiptarë të gëzoj lirinë sikurse popujt e tjerë në Ballkan. Në periudhën e MSKS lëvizja apo veprimi më i vogël që shkonte në përmirësimin e gjendjes së popullit të shtypur shqiptarë burgoseshin, maltretoheshin dhe shumë herë likuidoheshin. Ndërsa me vendosjen e pushtetit socialist me sloganin famëmadh ,,të gjithë janë të barabartë,, shqiptarët përsëri u ballafaquan me dhunë edhe më të egër se më parë. Burgoseshin ngase kërkonin që të jenë të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë, pushkatoheshin duke u konsideruar armiq të popullit e shtetit, u konfiskohej pasuria dhe privoheshin nga të drejtat elementare qytetare. Nganjëherë deri në atë shkallë sa fëmijët e tyre etiketoheshin dhe nuk kishin të drejtë të gëzonin ngritjen arsimore sikurse moshataret e tyre.
Lavdi për punën dhe veprën madhështore të Bacës Shaban me shokë, si dhe të gjithë dëshmorëve tanë në të gjitha kohërat e historisë shqiptare.
______________
(1) Arkivi Shtetëror i Kosovës, Fondi: Gjykata e Qarkut Prishtinë, Lëndë Penale, Viti 1950. Dosja e Shaban Dërgutit dhe grupit të tij Nr. 117/50.

* * *

– Autorja është shefe e depos në Arkivin e Shtetit të Kosovës.
– Kjo Kumtesë u lexua me rastin e përurimit të emrit “Shaban Mazreku” dhënë shkollës së fshatit Sopijë – në Komunën e Therandës (Suharekës).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura