UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (2)

Pashtriku.org, 13. 05. 2015 – (Politika – intelekt llogaritës dhe talent profesional) – Në kohën e Rilindjes (Renesancës), mbisundonte bindja se aftësia e njeriut konsiston në superioritetin e arsyes mbi ekzistencën, besim i cili pastaj e përcaktonte edhe luftën si shkencë dhe si mjeshtri (Makiaveli psh., herë-herë kishte qenë strateg ushtarak në qytetin e tij të lindjes). Besimi i tillë e karakterizonte epokën borgjezo-tregtare e cila politikën e konsideronte si çështje të intelektit llogaritës dhe të talentit profesional (Röhrich-Narra, vep.cit.f.29). Intelekti i këtillë llogaritës duhej të vihej në shërbim të pasurimit të tregtarëve që e përbënin bërthamën e borgjezisë së ardhme. Ndërkaq, talenti profesional duhej të vihej në funksion të zgjerimit të qyteteve tregtare. Kjo e presupozonte kuptimin e politikës si shkencë, mjeshtëri dhe aftësi në funksion të forcimit të pozitës së qyteteve tregtare dhe të tregtarëve si klasë në forcim e sipër.
Pragmatizmi i tillë politik dhe të kuptuarit pragmatik të politikës te Hobsi në shek. XVII e merr formën e pushtetit, si kategori qendrore e politikës. Meqenëse të drejtën natyrale e definon si shumë të të drejtave të pakufizuara të individit, atëherë, sipas Hobsit, është e natyrshme që individët të bien në konflikt me njëri-tjetrin (“Homo homini lupus est”). Pasi që gjendja e tillë do të rezultonte në kaos, individët e lidhur me kontratë heqin dorë vullnetarisht nga të drejtat e tyre (së paku nga një pjesë e tyre) në favor të shtetit. Në këtë mënyrë, subjektet i nënshtrohen pushtetit të vetëformuar qendror. Kështu më në fund shteti mund të shndërrohej në një “lidhje politike” (verband). Që prej këndej, nocioni i politikës lidhet me pushtetin i cili për Maks Veberin do të thotë “shans që personat e caktuar t’i binden urdhërit me përmbajtje të caktuar”. Ndërkaq, “pushteti, -për Veberin, -është fuqi legjitime në harmoni me të drejtën”. Ai mbështetet mbi “pajtueshmërinë mbi legjitimitetin”. Për ndryshim nga kjo, fuqinë ose forcën e pastër e definon si “çdo shans ose mundësi që brenda një raporti social të imponohet vullneti i njeriut edhe përkundër rezistencës” (M.Weber Wirtschaft und Geselschaft”, Tübingen, 1976, f.556).

Ukshin Hoti në mesin e popullit.

E vërteta e kohëshme (kohësisht e përcaktuar) e shkencës
Botëkuptimi i tillë i politikës si intelekt apo shkencë në funksion të interesave të caktuara mbështetet mbi funksionin e politikës si shkencë që në fillim të konstituimit të saj. Ishte e lidhur me raportin e njeriut ndaj natyrës, ose me përpjekjet e tij që ta kontrollojë natyrën. Mirëpo në këtë funksion, d.m.th. të mbizotërimit të natyrës nga ana e shoqërisë, vetë zhvillimi i shkencës dhe i teknologjisë e ka rrezikuar natyrën: e ardhmja tani paraqitet si “obligim i sjelljes kolektive dhe i politikës moderne”. “Nuk është e mundur as të paramendohet, -konstatojnë Röhrih dhe Narra, -se çfarë vdekje masovike dhe vrasje masovike do të shkonte me një situatë të tillë pas thirrjes: -le të shpëtojë kush të mundet! (Röhrich-Narra, vep.cit.f.6). Ajo që e ka mundësuar një zhvillim të tillë negativ të gjërave, që e ka reduktuar politikën në intelekt të ftohtë llogaritës e pa ndjenja, sipas disa teorikëve dhe filozofëve është vetë funksioni i pavarësuar i zhvillimit tekniko-shkencor. Këtë pavarësim të funksionit të shkencës gjatë procesit të zhvillimit të saj e vë re sidomos Maks Horkhaimeri. Atij i duket se është me rëndësi vetëm kompleksi funksional i shkencës për të konstatuar se “ajo që zakonisht merret si qëllim -lumturia e individit, shëndeti dhe pasuria, -domethënien e vet e fiton ekskluzivisht nga mundësia që të bëhet funksionale”. Funksionalitetin e tillë të dijes megjithatë e vë në funksion të prodhimit material dhe shpirtëror (shih Maks Horkhaimer, Zur Kritik der instrumentellen Vernunft, Frankfurt a/M.1967.f.94). Këtë e kishte bërë më parë edhe Marksi: “Ai vetë (d.m.th., njeriu) përkundrejt materies, në natyrë paraqitet si fuqi natyrale” (Kapitali-I). Mirëpo, pa marrë parasysh shkakun, mbetet fakti se zotërimi me sendet, me natyrën, që njëkohësisht është edhe zotërim me njerëzit, në kohën moderne, “godet prapa mbi qenien dhe mbi vetëdijën e njerëzve” (Max Horkheimer und Theodor Adorno, Dialektik der Autklärung, Amsterdam 1947, f.56, dhe në përkthimin serbokroat: Dijalektika prosvetiteljstva, Sarajevo, 1974, f.54) Goditja e tillë prapa në kohën e sotme manifestohet si frikë nga “vdekja masovike” dhe nga “vrasja masovike” të cilat rezultojnë nga fakti se në njërën anë është plaçkitur planeti, për shkak të tendencës së vazhdueshme për ndërtimin e shoqërisë së mirëqenies, dhe nga ana tjetër, për shkak se shumica e njerëzimit është reduktuar në nivel të ekzistencës. Andaj njerëzimit në tërësi i kanoset edhe natyra (që ajo të mos e diktojë urdhërin e saj dhe t’i kundërshtojë kërkesat e tepruara) d.m.th. duke “komanduar” ndonjë katastrofë ekologjike, por edhe eksplozioni demografik, si përgjigje ndaj së cilës do të rezultonte lufta totale, ose “vrasja masovike”. Politika si shkencë (intelekt) është dashur ta vinte drejtpeshimin, por me një zhvillim të tillë të pavarësuar është shndërruar edhe vetë në një “mendje instrumentale” duke e ndarë fatin e shkencës në tërësi në funksion të profitit, sepse racionaliteti teknik është tretur në racionalitetin e vetë zotërimit me natyrën dhe me njerëzit. Ky aspekt i politikës dhe i shkencës në tërësi do të mund të quhej cinizëm i intelektit, po të jetë i detyruar që në plan të gjerë të instrumentalizohet në funksion të dominimit me njeriun e jo në funksion të çlirimit të tij. Lufta e tanishme në Gjirin Persik mund ta ilustrojë mjaft mirë kompleksitetin e çështjes. Këtu aspekti i politikës si intelekt, shkencë, është materializuar në disa drejtime: 1) si mundësi e programimit të luftës për arritjen e qëllimeve të caktuara nga ana e të dy palëve. Për amerikanët dhe aleatët e tyre detyrimi i Irakut që të tërhiqet nga Kuvajti, esencialisht do të thotë mënjanim i rrezikut potencial për humbjen e kontrollit mbi burimet e naftës, por edhe për shndërrimin e arabëve dhe të islamizmit në tërësi në faktor të politikës botërore. Për Irakun, detyrimi i amerikanëve dhe i aleatëve të tjerë që ta akceptojnë si të tillë, do të thotë pikërisht atë që ata më së shumti i druhen; 2) si teknikë dhe teknologji e avancuar ushtarake, duke i përfshirë edhe strategjitë e avancuara për arritjen e qëllimeve të theksuara; dhe 3) aspekti cinik i çështjes konsiston pikërisht në faktin se që të dy palët janë të vetëdijshme për rrjedhimet eventuale globale, edhe në plan të natyrës, edhe të njerëzimit: në plan të natyrës, vënia e zjarrit burimeve të naftës, qoftë nga ana e Irakut (me qëllim të pamundësimit të invadimit) qoftë aksidentalisht, nga ana e amerikanëve (për shkak të bombardimeve) doemos do të rezultonte në çrregullime ekologjike të natyrës përmasash të tilla eventuale që do të mund t’i ndjente gjithë njerëzimi. Mirëpo një cinizëm akoma më i madh është programimi i përllogaritur i viktimave në ushtarë. Qysh nga fillimi i luftës amerikanët i kanë porositur 16000 thasë najloni për transportimin e kufomave. Irakianët nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por megjithatë, zgjedhja e alternativës së luftës prej tyre do të thotë se edhe ata që në fillim kanë kalkuluar me numra të kufizuar apo të pakufizuar viktimash për arritjen e qëllimeve të caktuara politike. Në këtë mënyrë, politika si intelekt llogaritës ka ardhur në shprehje si intelekt llogaritës i luftës, dhe pikërisht ky është aspekti cinik i çështjes. Mirëpo ky shembull njëherit tregon edhe se politika, si intelekt llogaritës e si shkencë, është në funksion të qëllimeve të forcave dominante në shoqëri, bile edhe në funksion të krijimit të së vërtetës si e vërtetë e dhënë, sepse e vërteta mbi luftën në Gjirin Persik “do të varet” nga zhvillimi i proceseve pas përfundimit të saj. Duke e spikatur këtë veti të politikës si shkencë e angazhuar, Theodor Adorno do të konstatojë se e vërteta në përgjithësi është “e kohëshme”, d.m.th. kohësisht e përcaktuar.
Me fjalë të tjera, sipas botëkuptimeve të theksuara më lart, e vërteta shkencore është ajo që, jo vetëm zbulohet, por edhe që krijohet gjatë procesit të njohjes. Maks Horkhaimeri dhe Theodor Adorno në “Dialektikën e Iluminizmit” e bëjnë përshkrimin e historisë si luftë midis njeriut dhe natyrës, por në lidhje me të njohurit, shkencën: “Njeriu i shkencës i njeh gjërat për aq sa mund t’i ndërtojë”. Gjatë ndërtimit të tyre, qenësia e gjërave shkencëtarit i zbulohet si substrat i sundimit: “Çdo tentativë që me thyerjen e natyrës të thyhet edhe detyrimi (dhuna) vetëm sa e detyron të bjerë edhe më thellë në të. Kështu kaloi udhëtimi i qytetërimit evropian. Abstraksioni, vegël e iluminizmit, përkundrejt objekteve të veta qëndron si fat, nocionin e të cilit e ka fshirë: si “likuidim”. Qytetërimi në këtë mënyrë u shndërrua në “fitore të shoqërisë mbi natyrën e cila gjithçka e shndërroi në natyrë të thjeshtë” (shih Horkhaimer-Adorno, vep.cit., përkthimi serbokroat. f.54). Për ndryshim nga Kanti, për të cilin iluminizmi e kishte kuptimin e çlirimit të njeriut nga frika dhe e shndërrimit të tij në zotërues të sendeve, për Adornon, mendimi në rrugë e sipër prej mitologjisë në logjikë “e ka humbur elementin e refleksionit mbi veten”. Për këtë shkak ai manifestohet në formë të makinës, si logjikë e makinës…në procesin automatik i cili zhvillohet në mënyrë vetëvepruese”. Andaj iluminizmi, në mungesë të refleksionit, tregohet si iluminizëm i pavetëdijshëm. Nga kjo gjë logjikisht rrjedh se atij i duhet kthyer refleksionin si njohuri e vetvetes e cila e çliron njeriun nga vartësia mbi hipostaziminë e fotografive” (Jürgen Habermas, Technik und Wissentschaft als Ideologie, Frankfurt a/M.1970.f.159 ose “Tehnika i znanost, kao Ideologia” Zagreb, 1968,f.122)) por edhe e ndryshon jetën. Ndërkaq autorefleksioni është një akt që e ndryshon jetën dhe e paraqet lëvizjen e emancipimit e cila nuk është gjë tjetër përveç se një “shprehje për atë që quhet diferencim antropologjik. “Gjendja e tillë e jo-diferencimit antropologjik (njeriu-pjesë e natyrës) e nënkupton jo-identitetin e njeriut që manifestohet në veprimet e tij. Ajo paraqitet në shkencë me kërkesën mbi të vërtetën e cila presupozon “të dhënën ekzistenciale të së pavërtetës” (shih Röhrich-Narra, vep. cit.f.10) por vetëm në kuptim të dukjes, aparencës, e cila duhet zbuluar në interes të emancipimit. Nga ky aspekt, shkenca është gjurmim racional i lidhjeve midis qenies dhe aparencës. Detyra e saj konsiston në faktin që aparencën empirike të mos e marrë për qenie. Për këtë shkak, e vërteta shkencore duhet të përfitohet me përpjekje këmbëngulëse të njohjes së përcaktimeve të objektit të dhënë. Gjurmimi për të vërtetën bëhet gjithmonë në rrethana konkrete historike. Mirëpo këmbëngulja në racionalitet do të thotë se e vërteta shkencore nuk është një çështje e ndriçimit momental, por çështje e punës mbi objektin që duhet njohur. Për këtë shkak e vërteta shkencore, ose të njohurit, mund të ndryshohet, prandaj ajo është e kohëshme, (kohësisht e përcaktuar). Interesi për emancipim është me rëndësi për shkencën politike e cila duhet t’i vë në dukje kundërthëniet midis nevojave të individit dhe rendit shtetëror ekzistues… të “zbulojë faktorët që e pengojnë iluminizimin (vetëdijësimin) e individit mbi nevojat e veta” (shih Röhrich-Narra, vep.cit.f.11-12). Në relacionet tona edhe një shembull tjetër do të mund ta ilustronte kompleksitetin e çështjes: Akademia e Shkencave Serbe në fillim të viteve ’80 e shpalli, ndonëse jo në mënyrë të rregullt, memorandumin e saj të mirënjohur mbi pozitën e Serbisë në federatën jugosllave dhe mbi nevojën për ndryshimin e asaj pozite në raportet federale të Jugosllavisë. Ajo pra, e bëri vetëdijësimin (iluminizimin) e opinionit serb mbi pozitën e supozuar inferiore të Serbisë në ato relacione. Në frymën e botëkuptimeve të theksuara, ajo e bëri krijimin e një të vërtete shkencore me të cilën synohej krijimi i së vërtetës tjetër -ndryshimi i raporteve nacionale në favor të saj dhe në disfavor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë intelekti politik i Serbisë u vu në funksion të interesave partikulare të kombit të vet, ose të një pjese të atij kombi, dhe jo në funksion të zgjidhjeve optimale për të gjithë pjesëtarët e federatës jugosllave. Këtë pastaj e bënë edhe të tjerët me opcionin mbi zgjidhjen konfederale të krizës. Sikur Kosovës të mos i sigurohej statusi i Republikës, i njëjtë me republikat tjera, atëherë praktikisht do të argumentohej cinizmi i paparë dhe i padëgjuar i politikës si intelekt jugosllav. Kjo do të thoshte se me Kosovën është manipuluar gjatë 10 viteve të plota për t’i realizuar qëllimet që nuk kishin të bënin fare me të. Kjo pastaj do ta kishte kuptimin e një vulgarizimi ekstrem të politikës në funksion të interesave partikulare. Mirëpo politika nuk mund të qëndrojë si e tillë dhe nuk do të ngjajë ashtu.

(VIJON…)

_____________
PJESA E PARË:
UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4012
***
PJESA E DYTË:
UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (2)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4014
***
PJESA E TRETË:
UKSHIN HOTI: POLITIKA SI NËNË E SHKENCAVE (3)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=4015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura