MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E ISMAIL SYLES (49)

Pashtriku, 22 Maj 2020:  7.25 Ismail Syla
I lindur më 21.3.1961 në Kizharekë, magjistër i letërsisë shqipe.
I martuar, pesë fëmijë.
Ka punuar në arsim, gazetari dhe në informim.
Si nxënës i vitit të dytë, më 1977 organizohet në radhët e Organizatës në celulë me Jahir dhe Mehmet Hajrizin.

Në celulë është bërë punë edukative, ngritjeje dhe kalitjeje shpirtërore. Vlerat themelore morale kanë qenë prioritet dhe sfidë e përditshme. Në propagandimin e ideve të lirisë, ai kudo që shkonte i vetëdijesonte të tjerët se Kosova nuk ishte vend i lirë dhe se ajo i është shkëputur Shqipërisë me forcë, se Kosova ishte e robëruar, se Jugosllavia ishte armike e shqiptarëve dhe se me formë të armatosur të luftës duhej të çlirohej Kosova dhe të bashkohet me Shqipërinë. Nga literatura që shfrytëzonte, si nxënës kishte kuptuar se Kosova kishte të drejtë vetëvendosje.
Më vonë, më 1978, me vendim të Komiteti Drejtues të GMLK-së ishte vendosur të krijohej Komiteti Ekzekutiv i GMLK-së. Në Komitetin Ekzekutiv përpos Jahirit, me të cilin kishte vepruar në celulë, u bashkua me Jakup Krasniqin, Bejtullah Tahirin, dhe Saime Isufin. Emrat e vërtetë të këtyre dy të fundit deri vonë nuk i ka ditur, sepse rregullat e konspiracionit janë përfillur rreptësisht.
Themelimi i këtij organi ka ndodhur në banesën ilegale të Hydajet Hysenit në Mitrovicë. Lidhja midis Komitetit Drejtues dhe Komitetit Ekzekutiv është bërë fillimisht përmes Hydajet Hysenit dhe më vonë të Mehmet Hajrizit, të cilët ishin ndërlidhës midis dy organeve dhe koordinatorë të mbledhjeve. Organizimin dhe udhëheqjen e mbledhjeve i bënte vetë Komiteti.

Ismail Syla, te varri i Azem Galicës, në Galicë të Drenicës – verë 1978 dhe në gjyq – korrik 1982.

Me votim të fshehtë është bërë edhe zgjedhja e drejtuesve të KE-së, me ç’rast sekretar zgjidhet Ismail Syla.
Veprimi themelor i komitetit fill pas formimit ka qenë aksioni i shpërndarjes së traktit me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në qytetin e Prishtinës më 9 qershor 1978, në të cilin mori pjesë aktive.
Në kuadër të punës së KE-së një vlerë të veçantë kanë paraqitur cikli i ligjëratave që mbaheshin me rend. Caktohej një temë, njëri prej anëtarëve të KE do të referonte në mbledhjen tjetër, të tjerët përgatiteshin dhe debatohej. Ndodhte që edhe një vepër e caktuar teorike të bëhej objekt debati dhe analize. Materialet e Kongreseve të PPSH-së janë përpunuar me imtësi. Tezat themelore njiheshin në detaje nga anëtarët e KE-së, qoftë nga librat, qoftë edhe si incizime në shirit magnetofoni. Emisionet politike të Radio Tiranës janë përcjellë me vëmendje. Revistat e ilustruara nga Tirana kanë qenë një burim frymëzimi në atë kohë.
Në vitin 1979, me rastin e vizitës së kreut të shtetit jugosllav, Josip Broz Titos, është bërë shpërndarja e traktit kundër tij në qytetin e Prishtinës, por edhe në qytetet tjera të Kosovës. Ky trakt ka qenë një goditje e rëndë për organet e rendit jugosllav dhe për politikën përgjithësisht. Sikur edhe në traktin 1978, nëpër të njëjtin itinerar, Ismaili ka shpërndarë trakte me Bejtullah Tahirin.
Gjatë kësaj kohe ai kishte krijuar raporte afërsie me disa simpatizantë dhe kandidatë të Organizatës. Lidhja më serioze ka qenë me Sadik Ramën që nga viti shkollor 1978 / 79. Sadik Rama ishte nxënës i gjimnazit të Prishtinës, atëherë “Ivo Llolla Ribar”, mjaft i zgjuar më vonë student i shkëlqyer i Fakultetit Teknik në Prishtinë. Sadik Rama e ka ditur ekzistencën e Organizatës, ka marrë materiale dhe ka pasur një rreth të mirë njerëzish. Në të njëjtat linja po ecte edhe vëllai i tij Rrahim Rama, që ishte shumë i ri. Përpos Sadikut, për ekzistencën e Organizatës, ka ditur edhe shoku i klasës Hafir Shala nga Krejkova e Gllogocit. Ai ka marrë nga Ismaili vazhdimisht libra të ndaluar, revista dhe materiale.
Me rastin e burgosjes për ngjarjet e vitit 1981, në maj dënohet me dy muaj burg, të cilin e ka mbajtur në Smrekovnicë dhe aty është njohur me mësuesin Beqir Hajrizi nga Bradashi i Podujevës. Pas daljes nga burgu prej korrikut 1981, Beqiri ka marrë materiale të ndaluara dhe e ka ditur ekzistencën e Organizatës. Këta tre persona gëzonin statusin e plotë të anëtarit të Organizatës.
Ndërsa të afërt me të e si kandidatë të Lëvizjes dhe që kanë pasur materiale të shumta të ndaluara ishin Musë Demiri, Nexhat Maloku (Gjilan), Bardh Hamzaj (Deçan) dhe Behxhet Krasniqi (Zhilivodë) gjatë kohës së studimeve, 1979, 1980, 1981. Këta ishin kandidatë të mundshëm për anëtarësim të plotë, po ta lejonin zhvillimet politike.
Më 24 janar 1982 arrestohet përsëri dhe dënohet me 12 vjet burgim.
VIJON …
______________________

MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E ILMI RAMADANIT (48)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10005

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura