Pashtriku, 16 qershor 2020: 7.38 Kadri Luzha
I lindur më 6.3.1962 në Begracë të Kaçanikut. Student dhe punëtor në Gjermani, montator. I martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Daja i Kadriut, i burgosuri politik i viteve ’70, Zeqir Ramiqi nga fshati Pozharan i komunës së Vitisë, me mendimet e thella e kritikat e ashpra që i bënte politikës së shfrytëzimit të egër kolonialist të Kosovës dhe propagandës së tipit gebelsian të pushtuesit, kishte ndikuar fuqishëm në edukimin e tij, duke i ndezur kështu shkëndijat e para që do ta shoqërojnë në rrugë të mëtutjeshme atdhetare. Dajë Zeqir te Kadriu zgjoi dëshirën e madhe për të lexuar me qëllim të thellimit të njohurive në përgjithësi. Librat e parë të ndaluar i kishte siguruar nga kontaktet që kishte bashkë me të vëllanë, Ibushin me Berat Luzhën. Këto kontakte më vonë u shpeshtuan që dikur në gusht të vitit 1979 rezultuan me organizimin e tij në GMLK. Kishte bashkëvepruar në celulë edhe me Ferid Çollakun. Njëra nga detyrat e tij primare ishte masivizimi i Lëvizjes në Shkollën e Mesme në Kaçanik. Ndihmë të madhe në këtë drejtim i jepte edhe vëllai Ibushi. Përmes fqinjit të tij, Ali Luzhës bie në kontakt me atdhetarin e bindur, Remzi Elezi, i cili pas arrestimit të Feridit, do t’i bashkëngjitet celulës së tyre. Remziu vepronte gjerësisht me nxënës, në mesin e të cilëve edhe me Avdilgafurr Lumën, tani dëshmor, me të cilin edhe Kadriu pati kontakte shumë të shpeshta.
Botimi i gazetës “Liria” të GMLK-së dhe shpërndarja e saj, i mundësoi intensifikimin e kontakteve me shokët e Gjimnazit Matematikor të Prishtinës, ku ndiqte mësimet. Më afër përgatitjes si kandidatë të Organizatës qëndronte me Abdyl Bajramin, nga Vërbani i Vitisë dhe Raif Qelën, nga Mitrovica, nxënës i Gjimnazit, por anëtarësimin e plotë të tyre në radhët e Organizatës e pamundësoi arrestimi i Kadriut. Afër anëtarësimit ishin edhe Ibushi, i vëllai dhe Elifja, motra e tij. Për veprimtarinë e tij, Ibush Luzhën e morën disa herë në polici duke e torturuar rëndë dhe e përjashtuan nga shkolla. Elife Luzha ishte veprimtare e re, nxënëse e Gjimnazit, ku kishte organizuar bojkot të mësimit dhe pjesëmarrëse në demonstratat e Kaçanikut si dhe propaganduese atdhetare nëpërmjet trakteve e parullave mobilizuese. Më 1981 Elifen e dënuan me 15 ditë burgim edhe pse nuk i kishte plot 15 vjet dhe e përjashtuan nga shkolla, pa të drejtë regjistrimi në asnjë shkollë të Kosovës.
Para se ta dënonin, Kadriun e kanë bastisur e arrestuar tri herë, por në mungesë provash e lironin. Familja e tij në vazhdimësi është ndjekur dhe kërcënuar nga regjimi pushtues. Vëllai i tij, Ibushi merrej në polici dhe në një rast ishte torturuar brutalisht, për ironi nga një ish profesor i Kadriut, atë kohë inspektor i lartë i sigurimit në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Ferizaj, kurse motra, Elifja detyrohet të largohet nga shtëpia dhe në pamundësi që të dalë në perëndim si shokët e saj, vendoset në Slloveni. Veçanërisht rëndë e kishte nëna e tyre që i kishte rritur jetimë e me mundime dhe në varfëri të skajshme fëmijët e saj.
Më 18 dhjetor 1981 Kadriu arrestohet dhe dënohet me 5 vjet burg.
VIJON …
____________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E JAHIR HAJRIZIT, NAZMI HOXHËS, MUSTAFA ADEMI DHE FERID ÇOLLAKUT (54)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10157
________________
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KADRI LUZHA
Kadri Luzha, ishte nxënës i vitit të katërt kur u arrestua nga UDB’ja famëkqe më 10 shkurt 1982. Në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurori NJAZI BURGIDEVA, më 10 korrik 1982 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Trupi Gjykues i kryesuar nga gjykatësi ISAK NISHEVCI…, në bazë të aktgjykimit: P.nr. 69/82 datë 10 korrik 1982, bazuar në „nenin 136 par.1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ-së“…, „në emër të popullit“, Kadri Luzha dënohet me pesë (5) vjet burg.
Në këtë proces gjyqësor u dënuan këta veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare:
1. HYDAJET HYSENI, me 15 vjet burg,
2. JAKUP KRASNIQI, me 15 vjet burg;
3. MEHMET HAJRIZI, me 12 vjet burg;
4. GANI SYLA, me 15 vjet burg;
5. NEZIR MYRTAJ, me 12 vjet burg;
6. BERTA LUZHA, me 12 vjet burg;
7. SHERAFEDIN BERISHA, me 5 vjet burg;
8. ISMAIL SYLA, me 12 vjert burg;
9. JAHIR HAJRIZI, me 11 vjet burg;
10. SHEQIR ZENELI, me 4 vjet burg;
11. FEHMI PLAKIQI, me 5 vjet burg;
12. AZEM SYLA, me 5 vjet burg;
13. XHEVDET SYLA, me 4 vjet burg;
14. FATMIR KRASNIQI, me 4 vjet burg;
15. FERID ÇOLLAKU, me 8 vjet burg;
16. HYSNI HOTI, me 6 vjet burg;
17. KADRI LUZHA, me 5 vjet burg;
18. MUSTAFË ADEMI, me 6 vjet burg;
19. JASHAR ALIJAJ, me 6 vjet burg;
***
Prishtinë, 10 korrik 1982: Pamje nga gjykimi në gjykatën e qarkut në Prishtinë (Foto; Ilaz Bylykbashi)
Në foto mungon Hydajet Hyseni, nuk u paraqitë në sallë me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse u dyshua se Hydajeti është vrarë…
( … )
Dënimin prej 5 vitesh Kadri Luzhës Gjykata Supreme e Kosovës, ia plotëfuqizon – më 25 nëntor 1983, me aktgjykimin A.p – nr. 135/83.1., të shpallur nga Trupi gjykues:
1. AQIF TUHINA – kryetar i trupit gjykues,
2. TADEJ RODIQI – anëtër i trupit gjykues,
3. SHEFQET BYTYQI – anëtar i trupit gjykues,
4. MIODRAG BËRKLAQ – anëtar i trupit gjykues,
5. HALIL HALILAJ – anëtarë i trupit gjykues.
***
Në vazhdim lexoni faqen e parë të Aktgjykimit A.p – nr. 135/83 të shpallur nga Gjykata Supreme e Kosovës.
NË EMËR TË POPULLIT
A.p – nr. 135/83
Gjykata Supreme e Kosovës – kolegji i përbërë nga gjyqtarët: Aqif Tuhina, kryetar, Tadej Rodiqi, Shefqet Qytyqi, Miodrag Bërklaq dhe Halil Halilaj, anëtarë, me bashkëpunëtorin profesional Qerim Metaj, procesmbajtës, në lëndën penale të të akuzuarve: Jakup Krasniqi nga Negrovci, Mehmet Hajrizi nga Prishtina, Gani Syla nga Kishnareka, Nebih Murtaj nga Prishtina, Berat Luzha nga Begraca, Sherafedin Berisha nga Prishtina, Ismail Syla nga Kishnareka dheJahir Hajrizi nga Prishtina, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore të parashikuar nga neni 136 par. 1 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ dhe të akuzuarve: Sheqir Zeneli nga Prapashtica, Fehmi Plakiçi nga Nekovci, Azem Syla nga Kishnareka, Xhevdet Syla nga Prishtina, Fatmir Krasniqi nga Tërpezi, Ferit Qollaku nga Gajra, Hysni Hoti nga Caralluka, Kadri Luzha nga Begraca, Mustafa Ademi nga Prishtina dhe Jashar Alijaj nga Kovraga, për veprën penale të bashkimit për veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 136 par. 2 lidhur me nenin 114 të LP të RSFJ.
( … )
Për më tepër, lexoni faksimilet e faqes 3, 4 të këtij Aktgjykimi
Ky trup gjykues dhe shumë prokurorë e gjyqtarë tjerë të këtij soji, që kanë punuar në gjykatën supreme të Kosovës, por edhe në gjykatat e qarkut nëpër komuna të Kosovës, gjatë viteve të 70-80’ta kanë denuar mijëra intelektualë shqiptarë, vetëm pse janë angazhuar për realizimin e kërkesës “KOSOVA REPUBLIKË!”. Për çudi këto relike të së kaluarës edhe sot punojnë në të gjitha nivelet e gjykatave të Republikës së Kosovës !!!
© Pashtriku.org, Sheradin Berisha