MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (68)

Pashtriku, 6 shtator 2020:
8.1.5 Letër
Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë Tiranë
Veprimtaria antimarksiste e antishqiptare e udhëheqjes kineze e cila arriti kulmin me prerjen arbitrare e të njëanshme të të gjitha ndihmave civile e ushtarake për Shqipërinë na ka indinjuar pa masë. Me këtë akt shumë të ulët e reaksionar, udhëheqja e Partisë dhe e Qeverisë kineze tregoi fytyrën e saj të vërtetë antimarksiste, ajo tregoi haptazi se i ka vënë kazmën çdo gjëje që është e lidhur me socializmin e revoluci¬onin, si brenda vendit ashtu edhe në botë.

Ne po studiojmë me vëmendje letrën e KQ të Par¬tisë së Punës dhe Qeverisë Shqiptare drejtuar KQ të Partisë Komuniste të Kinës dhe Qeverisë Kineze, në të cilën po shohim edhe njëherë drejtësinë marksiste-¬leniniste që e karakterizon Partinë e lavdishme të Pu¬nës, drejtësi të cilën aq shumë po mundohet ta fshehë para popullit të vet udhëheqja kineze.
Ashtu siç din Partia e Punës ta godet të keqen gjithherë në kokë edhe kësaj here i dha përgjigjen e meri¬tuar, udhëheqjes tradhtare të Pekinit, duke i treguar se presionet e shantazhet nuk shkojnë në Shqipëri, se ta¬ni nuk është koha e toptanëve, zogollëve e kryezive kur i shitnin interesat e Shqipërisë në ankand.
Ne përkrahim pa rezervë qëndrimin e vendosur të Partisë e Qeverisë Shqiptare, kundër përpjekjeve kriminale të udhëheqjes kineze për ta nënshtruar Shqipërinë dhe për t’ia imponuar asaj pikëpamjet e veta antimarksiste.
Udhëheqja kineze në notën e saj të 7 korrikut 1978 drejtuar Qeverisë Shqiptare, me paturpësinë që i karakterizon tradhtarët e marksizëm-leninizmit falsifikon faktet e përdor metodat shpifëse të Hrushovit e shokëve të tij. Në këtë notë përmenden nevojat e brendshme e të jashtme të Shqipërisë. Por për gjithë botën është e qartë se Shqipëria nuk ka bërë e nuk benë tregti me parime, ajo nuk ndryshon asnjë grimë politikën e qëndrimet e saj konsekuente marksiste-leniniste. Janë udhëheqësit kinezë ata që ndryshojnë politikën kah frynë era, janë ata që huazojnë nga reaksioni botëror e shpikin “teori” kundërrevolucionare për të vënë në zbatim kursin e vet reaksionar e hegjemonist.
Udhëheqësit kinezë janë shndërruar në politikanë tipikë të salloneve e të banketeve ku thurin njëmijë intriga e komplote në dëm popujve. Ata si të çmendur çirren se gjoja për të “mirën” e popujve e për luftën e “shenjtë” që bëjnë kundër socialimperializmit sovjetik, por në fakt ata janë bashkuar me njerëz “të hurit e të litarit”, me armiqtë më të egër të popujve. Udhëheqja kineze për të mashtruar popullin kinez dhe popujt e tjerë, duke e ditur dëshirën e tyre për ta luftuar Bashkimin e sotëm revizionist Sovjetik, këtë kuçedër të tmerrshme të njerëzimit, bëjnë një zhurmë shurdhuese për të hequr veten si antisocial-imperialist.
Udhëheqësit kinezë aktualisht krahas parashikimeve janë duke ndërmarrë një veprimtari konkrete në ndihmë të borgjezisë e reaksionit për ta shtypur luftën gjithnjë në rritje të proletariatit dhe popujve të botës. Prandaj më kot përpiqen ata t’ua shesin popujve ulërimën e tyre prej ujku për blegërimë qengji.
Udhëheqja e Kinës jo vetëm ka bërë çdo përpjekje për ta dëmtuar RPS të Shqipërisë por ka provokuar me paramendim disa herë edhe popullin shqiptar të shumëvuajtur që jeton nën sundimin e revizionistëve jugosllavë. Ata janë bërë përkrahësit e ndihmësit më të zellshëm të regjimit fashist të Titos, dhe po shkëmbejnë eksperiencë me njëri-tjetrin për një luftë të përbashkët kundër socializmit e revolucionit, dhe në këtë drejtim kanë se çfarë mësojnë udhëheqësit kinezë prej Titos, këtij tradhtari me damkë të marksizëm-leninizmit. Bile ata tani janë “dashuruar” shumë në metodat e falimentuara e antimarksiste të vetadministrimit jugosllav. Vetadministrimi jugosllav dhe pasojat e tij negative janë të njohura për çdokënd, por për këtë më së miri mund të flasin proletariati dhe popujt jugosllavë të cilët mbajnë në kurriz të gjitha të këqijat dhe që për këtë regjimit të korruptuar titist pa ia shpërblejnë me greva e protesta të njëpasnjëshme.
Udhëheqësit kinezë i ndërprenë të gjitha ndihmat Shqipërisë duke menduar se ajo do të izolohet e nënshtrohet, por ata u gabuan rëndë sepse populli shqiptar është mësuar gjatë shekujve të çajë rrethime e bllokada, se vendi i Skënderbeut e i shqiponjave të lira nuk e duron as diktatin e as imponimin. Ata duhej të njihnin më mirë Partinë e Punës e popullin shqiptar që kanë çarë me sukses bllokada e rrethime në të kaluarën e jo sot që forcat materiale e morale te Shqipërisë nuk kanë të krahasuar me vitet e mëparshme.
Populli shqiptar kurrë nuk i ka kërkuar kurrkujt as lëmoshë e as mëshirë. Gjithçka që është arritur në Shqipëri është bërë në saje të parimit të madh marksist-leninist, të mbështetjes në forcat e veta.
Në Shqipëri, në gjithë jetën e vendit veprojnë me gjithë madhështinë e tyre diktatura e proletariatit e ligjet e socializmit.
Ne jemi të bindur se populli shqiptar i udhëhequr nga Partia e Punës në krye me udhëheqësin e dashur, shokun Enver Hoxha edhe në të ardhmen do të qëndrojë i papërkulur në pozitat e veta të drejta, do të përballojë çdo vështirësi dhe do të ndërtojë me forcat e veta shoqërinë e plotë socialiste duke u bërë një shembull i lartë frymëzimi për të gjithë popujt e botës.
Udhëheqësit kinezë kanë zhvilluar një veprimtari komplotuese për ta dëmtuar fuqinë mbrojtëse të Shqipërisë socialiste, por qëllimet e tyre reaksionare kurrë nuk do të realizohen.
Ata dhe gjithë armiqtë tjerë para se të ngrenë dorën e tyre gjakatare kundër Shqipërisë, duhet të dinë se kanë të bëjnë me një parti e me një popull që nuk merr parasysh asnjë sakrificë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së tyre.
Ne që jemi larg atdheut përcjellim me mall e krenari sukseset e mëdha që po arrihen në Shqipëri, vrullin dhe iniciativat revolucionare që kanë shpërthyer në masat e popullit dhe veçanërisht na entuziazmon përkrahja dhe mbështetja e marksistë-leninistëve, revolucionarëve e njerëzve përparimtarë të botës që i japin Partisë së lavdishme të Punës, shokut Enver e Shqipërisë socialiste.
Ne i sigurojmë motrat dhe vëllezërit tanë në Shqipëri se kur të jetë nevoja kurrë nuk do ta kursejmë as djersën e as gjakun për mëmën tonë të dashur Shqipëri, dhe këtë ne e konsiderojmë si detyrën dhe nderin tonë më të lartë. Të gjithë armiqtë e revolucionit e të popujve i pret fundi i tyre i turpshëm.
Shqipëria Socialiste me Partinë në ballë do të qëndrojë në shekuj e kuqe dhe e pamposhtur sepse marksizëm-leninizmi është i pamposhtur.
Rroftë uniteti i popullit tonë heroik!
Rroftë Partia e Punës së Shqipërisë!
Rroftë udhëheqësi i madh i Partisë dhe i mbarë Popullit shqiptar, shoku Enver Hoxha!
Lavdi marksizëm-leninizmit!

Shkruar nga Kadri Zeka, në emër të një grupi mërgimtarësh në Evropën Perëndimore,
botuar për herë të parë në librin, Kadri Zeka, Vepra, korrik 1986
VIJON …
_________________
MEHMET HAJRIZI: SHTOJCA – DOKUMENTE, LETRA DHE ARTIKUJ (67)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10435

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura